Në regjistrin e ri elektronik që bashkitë do të ngrenë me të dhënat për të gjitha taksat dhe tarifat vendore që paguhen sipas kategorive të taksapaguesve, do të përfshijnë të dhëna të reja për taksimi e pasurive të paluajtshme.Përveç të dhënave që mbahen aktualisht që nga pronarët, sipërfaqja e deri te qëllimi i përdorimit për ndërtesat, truallin urban apo tokën bujqësore, për herë të parë do të përfshihen edhe të dhënat për bashkëpronarët.Në udhëzimin e publikuar më herët nga Ministria e Financave për krijimin e regjistrave elektronike me të dhënat e taksapaguesve për taksat dhe tarifat e pushtetit vendor, specifikisht për taksën e pasurive të paluajtshme përcaktonte se prej Njësive të Qeverisjes Vendore (NJQV), do të përfshihen të dhëna për llojin e kategorisë të pronës, si: ndërtesë, truall urban apo tokë bujqësore, pronarin, adresën dhe zonën kadastrale të pronës, sipërfaqja në metër katror, lloji i përdorimit për banesë apo për qëllime aktiviteti tregtar etj.Për të dhënat e pasurive të paluajtshme në Regjistrin Elektronik, Ministria e Financave sqaron se bashkitë do të vijojnë të jenë përgjegjëse vetëm për popullimin dhe përditësimin e tyre, si një detyrim i përcaktuar në ligjin aktual për taksat vendore. “Këto janë edhe sot që flasim si detyrë e njësive të qeverisjes vendore, të parashikuara në Ligjin nr. 9632/2006, për të bërë popullimin e të dhënave. Ato kanë të bëjnë vetëm me popullimin e të dhënave”, pohuan nga Ministria e Financave.Udhëzimi i Ministrisë së Financave përcaktonte krijimin dhe përditësimin e regjistrave elektronik nga bashkitë që do të përmbajnë të dhëna për të gjithë taksapaguesit, qofshin individë, të vetëpunësuar apo persona juridikë. Llojet e taksave dhe tarifave vendore, bazën e taksës, nivelin e tyre, sipas kategorive të taksapaguesve, përfshirë të ardhurat e planifikuara dhe të mbledhura, si dhe detyrimet e papaguara. Të paktën 1 herë në vit të dhënat e regjistrit do të raportohen nga bashkitë në Ministrinë e Financave.Drejtori ekzekutiv i Institutit të Bashkive të Shqipërisë Agron Haxhimali thotë se në tërësi krijimi i regjistrit elektronik është një hap i domosdoshëm për të përmirësuar transparencën dhe të ardhurat lokale, përfshirë edhe mirëadminsitrimin e taksës së pasurive të paluajtshme.“Udhëzimi Nr. 13, datë 25.6.2025 sjell një risi të rëndësishme për njësitë e vetëqeverisjes vendore (NJQV): krijimin e një regjistri elektronik të unifikuar për të gjithë taksapaguesit, përfshirë taksën mbi pasurinë e paluajtshme, tarifat vendore dhe çdo lehtësim apo përjashtim fiskal. Kjo nismë synon të standardizojë mënyrën se si grumbullohen dhe përpunohen të dhënat tatimore në nivel vendor”, pohon ai.Për sa i përket të dhënave për pasuritë e paluajtshme në regjistrin elektronik, Haxhimali pohon se përveçse pasurohet me element të rinj, siç është deklarimi i bashkëpronarëve krijon një databaze të unifikuar me qëllimin mirëadminsitrimin e taksës.“Regjistri elektronik i ndihmon NJQV-të të krijojnë një bazë të saktë dhe të përditësuar të pasurive të paluajtshme të tatueshme. Reduktojnë informalitetin dhe evazionin fiskal. Përmirësojnë efikasitetin në evidentimin dhe ndjekjen e detyrimeve të papaguara. Kombinojnë të dhëna të pasurisë me identitetin tatimor të individëve apo bizneseve për politika më të drejta fiskale”.Por Haxhimali paralajmëron se bashkitë më të vogla përballen me mungesë stafi dhe teknologjie, dhe kanë nevojë për mbështetje nga qeveria qendrore.“Por në praktikë, sfida qëndron te kapacitetet teknologjik i bashkive, që ndryshojnë ndjeshëm. Mungesa e stafit të specializuar për administrim fiskal dhe IT në bashkitë e vogla. Nevoja për ndërveprim të pandërprerë me regjistra qendrorë si ASHK, DPT, QKB, etj.Për këtë arsye, zbatimi kërkon mbështetje teknike dhe financiare nga qeveria qendrore, si dhe trajnime të vazhdueshme për administratat vendore. Përfundimisht, regjistri elektronik është një hap i nevojshëm drejt modernizimit të administrimit vendor, dhe nëse zbatohet me kujdes, do të rrisë ndjeshëm efikasitetin, transparencën dhe të ardhurat nga taksa mbi pasurinë”.Drejtori ekzekutiv i Institutit të Bashkive të Shqipërisë rekomandon marrjen parasysh të disa masave për zhvillimin e procesit, si:1.Ministria e Financave duhet të zhvillojë një platformë kombëtare të unifikuar, të aksesueshme nga të gjitha bashkitë.2.Të alokohen fonde specifike për dixhitalizimin dhe përditësimin e të dhënave në bashkitë me kapacitete të ulëta.3.Të krijohen protokolle bashkëpunimi ndërinstitucional për ndarjen automatike të të dhënave (me ASHK, QKB, DPT).4.Këshillat bashkiakë të kërkojnë raportime periodike mbi gjendjen e regjistrit dhe efektet në të ardhurat vendore./ D.Azo TË DHËNAT PËR TAKSËN MBI PASURINË E PALUAJTSHME (NDËRTESË, TOKË BUJQËSORE DHE/OSE TRUALL URBAN):Emri, atësia dhe mbiemri i pronarit/ pronarëve;Datëlindja;Vendlindja;Numri Personal i Identifikimit/ose NIPT-i kur pasuria është biznes;Adresa e pronës/zona fiskale sipas VKM-së (në rastin e pasurisë ndërtesë);Forma e pronës (publike, private, bashkëpronësi);Adresa e banimit të pronarit;Numri i kontaktit/adresë email-i;Lloji i pasurisë (ndërtesë, tokë bujqësore, truall);Sipërfaqja në m2 ;Data e regjistrimit dhe zona kadastrale (nëse është e regjistruar);Identifikimin si ndërtesë e parë për banim ose tjetër;Lloji i përdorimit/destinacioni (banesë ose biznes);Të dhëna për përdoruesin dhe/ose qiramarrësin;Planimetria e pronës;Dokument/autorizim përfaqësimi të bashkëpronarëve.Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.
Day: July 8, 2025
-

‘Gjykata Kushtetutese në krizë’/ Vasili: Pazare institucionale për mandatet e gjyqtarëve
Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, i ftuar në një emision televiziv, u shpreh se qëllimi i manipulimeve ligjore dhe interpretimeve të rreme nga mazhoranca është kapja totale e Gjykatës Kushtetuese, në funksion të mbrojtjes së aferave të qeverisë Rama.
Sipas Vasilit, rasti i gjyqtares Sonila Bejtja është prova më e qartë e këtij komploti institucional, ku pushteti politik ndërhyn drejtpërdrejt për të rrëzuar mandate dhe për të vendosur njerëz të bindur ndaj qeverisë.
Ai e cilësoi këtë zhvillim si një lojë të rrezikshme korporatiste, e cila ka destabilizuar Gjykatën Kushtetuese dhe ka shqetësuar edhe vetë Komisionin Europian për pasiguritë juridike në vend.
Fjala e tij:
Në mënyrë të veçantë, sa i përket gjyqtares Bejtja, është shumë e qartë se mendimet e saj në vazhdimësi, në pakicë kundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, krijojnë një shqetësim madhor. Kjo sepse ato japin bazën për të ngritur dyshime se këto vendime kanë qenë të njëanshme dhe, në 99% të rasteve, kanë shkuar në favor të qeverisë, për të mbyllur aferat e saj.
Nuk kemi të bëjmë vetëm me problemin e rrëmbimit të mandateve, por me një rrëmbim të vetë Gjykatës Kushtetuese nga grupe të caktuara me interesa korporatiste. Thënë më thjesht: kryetari i Gjykatës së Lartë në njërën anë, presidenti në anën tjetër dhe individë të caktuar ndërtojnë pseudo-interpretime për të krijuar një pazar, ku ata që kontrollojnë lojën të mund të marrin mandatin e dikujt dhe t’ia japin një tjetri fillimisht mikut të tyre dhe më pas mikut të qeverisë.
Në këtë rast, unë e kam quajtur një lojë me “fake vakanca”, por në fakt nuk është aspak një lojë. Është një zhvillim shumë i rrezikshëm, që ka sjellë destabilizim të thellë brenda Gjykatës Kushtetuese, deri në atë pikë sa është bërë shqetësim edhe për Komisionin Europian, i cili ka shprehur zyrtarisht shqetësime për pasiguritë juridike brenda kësaj gjykate.
Loja e rrezikshme e kësaj “korporate” ka shkuar deri aty sa ka sfiduar hapur edhe sistemin politik. Kjo korporatë është mobilizuar duke shpikur interpretime, njëri më absurd se tjetri natyrisht, të prodhuara brenda klientelës dhe grupit të lidhur me Gjykatën Kushtetuese dhe institucione të tjera. Loja ka vazhduar edhe me gjyqtaren Sonila Bejtja.
Fatkeqësisht, në këtë çështje është përfshirë, pa e ditur interesin e saktë, edhe presidenti. Dhe çfarë ndodh? Kërkohet shkurtimi i mandatit të zonjës Bejtja pa asnjë arsye të ligjshme. Mandati i saj është një mandat i plotë, i cili i është kaluar nga ish-gjyqtari Besnik Muçi, dhe ajo ka detyrimin ta çojë deri në fund, në vitin 2028.
Gjithçka lidhet me një fakt të vetëm, i cili tregon qartë se kemi të bëjmë me një komplot të mirëmenduar. Përcillet ideja se “ne po e bëjmë këtë për rifreskimin e mandateve”. Por Kushtetuta e Shqipërisë është e qartë: dy gjyqtarët që do të kenë mandate të pjesshme janë ata që zëvendësojnë dy gjyqtarë që përfunduan mandatin në vitin 2017 dhe 2020. Ne kemi qenë shumë të kujdesshëm kur bëmë këto ndryshime kushtetuese. Aty theksohet qartë se kryetarja aktuale dhe gjyqtari Beçi përfundojnë mandatet e tyre përpara afatit, ndërsa të tjerët mbajnë mandate të plota. -

OECD: Investimet e huaja po orientohen në pasuri të paluajtshme, nuk mbështesin rritjen afatgjatë
Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri por edhe në Kosovë po orientohen më së shumti në pasuritë e paluajtshme dhe jo në eksporte dhe vlerë të shtuar të lartë që garanton një rritje ekonomike afatgjatë.Këtë nënvizon raporti i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) që ndalet tek ecuria e Ballkanit Perëndimor sa u takon masave në një sërë fushash.“Megjithëse ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kanë tërhequr nivele më të larta të hyrjeve të IHD-ve, këto investime nuk janë gjithmonë të fokusuara në sektorë të orientuar drejt eksportit dhe me vlerë të shtuar të lartë, të cilët do të mbështesnin rritjen ekonomike afatgjatë. Për shembull, prodhimi përbën më pak se 10% të hyrjeve të IHD-ve në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi, pasi shumica e investimeve drejtohen drejt sektorit të pasurive të paluajtshme. Në Kosovë, 63% e hyrjeve të IHD-ve në vitin 2023 shkuan në pasuri të paluajtshme (CEFTA, 2024)” thuhet në raport.I njëjti dokument analizon se ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë ndër më të hapurat në botë ndaj IHD-ve (Investimeve të Huaja Direkte), sipas Indeksit të Kufizimeve Rregullatore të IHD të OECD, i cili mbulon masat ligjore që diskriminojnë investitorët e huaj. Në vitin 2020, rezultati i rajonit ishte pak më pak se gjysma e mesatares së OECD, duke treguar një regjim investimesh më pak kufizues (OECD, 2024).“Veçanërisht, të gjithë investitorët e huaj trajtohen si subjekte ligjore vendase sapo të regjistrohen dhe të vendosin selinë e tyre në tregun vendas. Në të gjitha ekonomitë, përveç Kosovës, ekzistojnë kufizime të IHD vetëm në disa sektorë të konsideruar me rëndësi strategjike, si mbrojtja, energjia dhe media. Pavarësisht këtyre kufizimeve minimale, ekonomitë e Ballkanit Perëndimor ende nuk kanë zbatuar një kuadër për mekanizma gjithëpërfshirës të shqyrtimit të IHD-ve.Për më tepër, ndonëse hapja relative ndaj IHD-ve mund të jetë e dobishme për të tërhequr investime, ajo gjithashtu mund ta ekspozojë rajonin ndaj ndikimeve potencialisht të dëmshme nga lloje dhe burime të caktuara investimesh. Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kanë vendosur korniza të forta ligjore për investime, të cilat lehtësojnë hyrjen e investitorëve dhe mbrojnë asetet e tyre. Rrjeti i gjerë i marrëveshjeve për investime i këtyre ekonomive gjithashtu ofron garanci shtesë për investitorët e huaj” thuhet në raport.Ai nënvizon se vende të ndryshme kanë aplikuar shkallë favorizuese taksimi ashtu sikurse kanë lehtësuar procedurat për tokën në përdorim apo procedurat e lehtësuara të licencimit”.Të dhëna të tjera të bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se në vitin 2024, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme ishin 379 milionë euro, gati një e treta e totalit të investimeve.Edhe në tre muajt e parë të 2025-s, fluksi i investimeve të huaja direkte sipas aktivitetit të pasurive të paluajtshme arritën në 104 milionë euro, me një rritje prej 24% në krahasim me të njëjtën periudhë më parë. Në tremujorin e parë të vitit, aktivitetet e pasurive të paluajtshme dominuan fluksin e investimeve të huaja direkte me 29% të totalit./ N.Maho Të huajt blenë 104 mln euro prona në janar-mars; Mbajnë në këmbë investimet e huajaKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.
-

“Nuk pi ujë diploma”, rritet papunësia tek të rinjtë me arsim të lartë më 2025
Vështirësitë për punësimin e të rinjve me arsim të lartë janë rritur ndjeshëm më 2025.Të dhënat e INSTAT në lidhje me papunësinë e të rinjve tregojnë se në 3-mujorin e parë të vitit 2024, shkalla e përgjithshme e papunësisë tek grup-mosha 15-24 vjeç ishte 24.0%, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2025 ajo ra në 22.3%, por tek te të rinjtë me arsim të lartë norma e papunësisë erdhi në rritje.Në 2024, ky grup kishte shkallën më të ulët të papunësisë, 18.6%, por në 2025 ajo u rrit në 22.9%, duke tejkaluar edhe ata me arsim bazë dhe të mesëm. Kjo rritje sugjeron një përkeqësim të ndjeshëm në mundësitë e punësimit për të rinjtë e diplomuar në universitet, si pasojë mbingopjes me diploma në disa fusha, mospërputhjes me nevojat e tregut të punës apo mungesës së programeve efektive të integrimit profesional.Për të rinjtë me arsim 8/9-vjeçar, shkalla e papunësisë është rritur nga 19.8% në 2024 në 22.1% në 2025.Të dhënat e INSTAT tregojnë se, personat me arsimim bazë kanë pasur më pak mundësi punësimi krahasuar me një vit më parë. Një rritje e tillë po reflekton zhvendosje të kërkesës së tregut të punës drejt punonjësve më të kualifikuar ose dobësimin e sektorëve që zakonisht punësojnë fuqi punëtore më pak të arsimuar.Ndërkohë, për të rinjtë me arsim të mesëm, papunësia ka pësuar një rënie të ndjeshme nga 28.5% në 22.1%. Ky është një ndryshim pozitiv, që e vendos këtë grup në të njëjtin nivel papunësie me ata me arsim bazë.Ulja e fortë e papunësisë për këtë kategori tregon që individët me arsim të mesëm kanë përfituar nga një përmirësim i tregut të punës, ndoshta si rezultat i një rritjeje të kërkesës për punonjës me trajnim teknik apo profesional.Të dhënat e tregut të punës për të rinjtë tregojnë një ulje të përgjithshme të papunësisë, por me tendenca të ndryshme sipas nivelit të arsimit. Ndërsa ata me arsim të mesëm kanë përfituar më shumë nga përmirësimi i tregut të punës, ata me arsim të lartë përballen me sfida të reja që kërkojnë vëmendje të veçantë nga politika publike dhe sistemi i arsimit të lartë.Papunësia e të rinjve me diploma është një sinjal i keq për vendin, pasi përvoja ka treguar se shumë prej tyre në vend që të përpiqet të ndërtojnë jetën në vendin e tyre zgjedhin të emigrojnë. Largimi i të rinjve është përforcuar edhe më shumë pas pandemisë dhe kjo është alarmante në kohën kur numri i tyre po ulet me shpejtësi.Grup-moshat e reja të popullsisë tonë po tkurren me ritme rekord më shumë se kudo tjetër në Europë. Nga viti 2011 në vitin 2023 grup-mosha 0-29 vjeç është reduktuar me 44 për qind sipas të dhënave nga censet.Mosha mesatare në Bashkimin Evropian në Janar 2025 ishte 44.7 vjeç, ndërsa në Shqipëri sipas të dhënave të INSAT, mosha mesatare e popullsisë ishte 44.3 vjeç, ndërsa në 2015 mosha mesatare në Shqipëri ishte 27.2 vjeç./ B.HoxhaBurimi: INSTATKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.
-

Shqipëria po plaket, grup-mosha mbi 60 vjeç zuri një të tretën e popullsisë më 2024
Trendet demografike po përkeqësohen nga viti në vit, më rënie të fortë të popullsie se re në moshe dhe rritje të numrit të pensionistëve.Të dhënat më të fundit nga INSTAT për vitin 2024 tregojnë një rritje të konsiderueshme të numrit të qytetarëve mbi moshën 60 vjeç, ndërkohë që numri i përgjithshëm i popullsisë është me rënie.Grup-mosha mbi 60 vjeç ka arritur në 691,788 persona, ose 30 % e popullsisë totale prej 2.36 milionësh më 2024. Vetëm një vit më parë, në vitin 2023, kjo përqindje ishte 28.15%, ndërsa popullsia mbi 60 vjeç përbëhej nga 673,037 persona. Në vitin 2011 popullsia mbi 60 vjeç ishte sa 15% e totalit të popullsisë.Në grup- moshën 65–69 vjeç, janë shtuar me mbi 5,800 persona në vitin 2024 në krahasim me 2023. Në grup-moshën 75–79 vjeç, ka rritje prej më shumë se 7,300 personash.Grup-mosha mbi 85 është rritur nga 36,840 mijë në 2023 në 39,996 mijë, një tregues i rritjes së jetëgjatësisë.Në të kundërt, popullsia e përgjithshme u tkurr me mbi 27 mijë banorë në vetëm një vit, nga 2,390,942 në 2,363,314 me rënie 1.2 %, ndërsa grup-mosha 0-29 vjeç u tkurr tre herë më shumë me 30 mijë persona ose mbi 4%.Me një numër më të madh pensionistësh dhe një numër potencialisht më të ulët kontribuesish (për shkak të emigrimit dhe rënies së lindshmërisë), qëndrueshmëria financiare e skemave të pensioneve është në pikëpyetje, ndërsa sistemi shëndetësor do të përballet me ngarkesë.Ekspertët paralajmërojnë se në mungesë të politikave të qarta për përballimin e plakjes, Shqipëria mund të përballet me pasoja të pakthyeshme në zhvillimin e saj ekonomik dhe social. Ndër masat që rekomandohen janë nxitja e lindshmërisë përmes mbështetjes për familjet, kthimi i emigrantëve të rinj dhe investime në teknologji dhe kujdes për të moshuarit.Shqipëria është tashmë në fazën e tranzicionit demografik drejt një shoqërie me përqindje të lartë të të moshuarve. Politikat publike duhet të përshtaten me këtë realitet të ri, duke garantuar mbrojtje sociale për të moshuarit dhe një sistem ekonomik që e përballon këtë tranzicion./ B.HoxhaBurimi: INSTATKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.
-

E FUNDIT/ Fitore në minutat e fundit që e çon pranë turit të dytë në Champions, Gruda bën debutim ëndrrash te Egnatia (VIDEO)
Mision i përmbushur me sukses për Egnatian. Kampionët e Shqipërisë kanë mposhtur ne shifrat minimale 1-0 Breidablikun. Një ndeshje e dominuar nga rrogozhinasit, te cilët flirtuan shpesh me golin, por e gjetën rrugën e rrjetës vetëm në minutën e 92-të. Ishte afrimi më i ri në merkato ai i cili i dha fitoren Egnatias. Bëhet fjalë për Ildi Grudën, që debutoi me gol për rrogozhinasit.
Një fitore e merituar për kampionët e “Abissnet Superiore”-s, që hedhin një hap drejt turit të dytë kualifikues të Champions League-s. Megjithatë, për të mbëritur deri aty, duhet të marrin një rezultat pozitiv edhe në ndeshjen e kthimit në Islandë./Sport Ekspres/ -

Egnatia e nis me fitore aventurën në Champions League, vendos Gruda
Egnatia ka bërë një hap të rëndësishëm drejt turit të dytë të UEFA Champions League, duke mposhtur me rezultatin 1-0 skuadrën islandeze të Breidablik në sfidën e parë të turit preliminar, e zhvilluar në “Egnatia Arena”.
Atmosfera në stadium ishte e zjarrtë, me tifozët që kishin mbushur shkallët dhe mbështetën pa u ndalur kampionët e Shqipërisë. Edhe pse dominuan pjesën e parë, të besuarit e Edlir Tetovës nuk arritën të çanin mbrojtjen islandeze dhe fraksioni i parë përfundoi në barazim 0-0.Përpjekjet e Egnatias u shpërblyen vetëm në minutat shtesë, kur një tjetër blerje e verës, Ildi Gruda, realizoi golin vendimtar. Shkodrani kontrolloi bukur një top të gjatë nga mbrojtja dhe me një finalizim të saktë, tundoi rrjetën, duke ndezur entuziazmin në stadium.
Me këtë fitore 1-0, Egnatia merr një avantazh të rëndësishëm përpara ndeshjes së kthimit që do të zhvillohet pas një jave në Islandë. -

Martin Leka, nga “Koha Jonë” te “… një kohë mashtrimi universal, ku të thuash të vërtetën është një akt revolucionar”
NE VEND TE NJE KARTOLINE, SOT PER DITELINDJE
Nga Albert Vataj
Për disa, emri i Martin Lekës mund të kalojë në heshtjen e zakonshme të emrave dhe zhurmën e ububushme të rrjeteve sociale, spektaklin e atyshmërisë boshe dhe virtuozitetin e krijimit të yjeve që tentojnë fluturimin nga kotësia e despotizmit të algoritmit e në qendër të galaksisë.
Por për ata që e përjetuan zgjimin e fjalës së lirë, në vitet e vështira të tranzicionit, për ata që ruajnë në kujtesë gazetarinë, kur ajo ishte më shumë mision se profesion, Martin Leka është një emër që peshon rëndë, po, peshoi aq rëndë sa pranga mbi fjalën e lirë, dhe era e mykut në qelitë e qeverisjes demokratike, që frikësohej fjalës së lirë më keq se djalli nga temiani. Është kjo kohë, kur Martin Leka dhe Aleksandër Frangaj, penat dhe zërat e “Koha Jonë”, që u dënuan me heqje lirie, duke qenë të parët që do t’u privohej liria për fjalën e lirë. Ata njëherash hynë në burg dhe në histori.
Për një brez të tërë shikuesish të televizionit publik shqiptar, ai është i njohur si drejtuesi i matur, i palëkundur dhe i qetë i Radiotelevizionit Shqiptar, në një kohë kur valët e propagandës po tërhiqeshin, dhe fjala e ndershme përpiqej të merrte formë në eter.
Për mua, Martin Leka është mbi të gjitha një mik dhe një koleg. Një njeri i fjalës që ka ditur ta mbajë atë të pastër, pa retorikë të zbrazët dhe pa hije kompromisesh. Ai është një nga ata gazetarë që nuk u shëmbën përballë stuhive të kohës, që nuk e përdorën pendën për të shërbyer interesave, por për të ngritur vetëdijen. I përkushtuar deri në rrënjë të qenies së tij ndaj profesionit, ai i dha “Koha Jonë” dhe gazetarisë shqiptare, jo vetëm përmbajtje, por edhe karakter.
Nëse i hedh një sy arkivit të gazetës “Koha Jonë”, një nga foltoret më të guximshme të shtypit shqiptar të viteve ’90, do të gjesh aty firmën e tij, një stil të kthjellët, një mendje të rreshtuar me arsyen, një qëndrim që nuk lëkundet nga moda e ditës. Shkrimet e Martin Lekës nuk janë produkte kohe, ato janë shenja të kohës që e kapërcyen vetë kohën. Sepse ishte “Koha Jonë” dhe botuesi i saj Nikoll Lesi, që e shndërruan përkushtimin dhe shpirtin e dritur të fjalës dhe kurajën e gazetarit së Martin Lekës, në një zë unik përfaqësimi, ku së bashku me një armatë zelltarësh të fjalës së lirë, shkruan historinë e shtypit të pavarur, ngritën një tempull që mbeti kulmim i gazetarisë shqiptare.
“Gazetaria është e vërteta e parë që viktimizohet kur heshtim për hir të rehatisë.” Këtë do ta thoshte Martin me tonin e tij të qetë, si të ishte një jehonë e fjalëve të George Orwellit: “Në një kohë mashtrimi universal, të thuash të vërtetën është një akt revolucionar.”Ka qenë “Kështjella e medias”, gazeta “Koha Jonë”, ku Martin Leka ka thënë një nga përkufizimet më të guximshme: “Sot ka gazetarë që bëjnë pallate dhe ndërtues që bëjnë gazeta”. Më shumë se një citim, ajo ishte dhe mbeti akt i guximit etik dhe profesional, dinjiteti dhe integriteti.
Martin Leka nuk ka qenë kurrë shpërthyes në fjalë, por thellësisht përvëlues në mendim. Ai nuk ka ndezur zjarr me demagogji, por ka mbajtur ndezur pishtarin e arsyes. Në debatet publike, ka ditur të jetë zëri i arsyes së ftohtë në një atmosferë të mbarsur me retorikë të nxehtë. Ka ditur të bëjë pyetjen e duhur, në vend që të japë përgjigjen më të zhurmshme. Dhe mbi të gjitha, ka ditur të dëgjojë, një cilësi që sot mungon aq shumë në arenën publike.
Pavarësisht se vitet i kanë sjellë më shumë kohë për reflektim sesa për shkrim, Martin Leka nuk i është ndarë mendimit të formuar, qëndresës pa bujë dhe përkushtimit qytetar. Qoftë si komentues, si analist apo thjesht si qytetar i angazhuar, ai ka ruajtur një pozicion të ekuilibruar, të kthjellët, shpesh sfidues, por gjithnjë të ndershëm. Ai është ndër ata që beson se media nuk duhet t’i nënshtrohet klaneve, por të mbrojë publikun. Dhe këtë nuk e ka thënë vetëm, e ka dëshmuar me gjithë veprën dhe qëndrimin e tij.
Në kujtesën time, Martin mbetet një nga ata njerëz që mbajnë fjalën si një kod nderi. Dhe jo rastësisht, mendja më shkon te fjalët e Albert Camus-së, që do të mund t’i atribuoheshin atij: “Në fund të fundit, njeriu është më shumë ato që hesht, sesa ato që thotë.”
Sot, në këtë ditë të veçantë për të, nuk dua të flas thjesht për një përvjetor biologjik, por për një përvjetor përkushtimi, për një jetë të investuar në fjalë të thëna drejt, në heshtje që peshon, në miqësi që zgjat, në integritet që nuk negociohet. Në një kohë kur shpesh media bëhet altoparlant i pushtetit dhe jo shpirt i shoqërisë, Martin Leka qëndron si një figurë që i përket një brezi të rrallë, brezi i gazetarisë që besonte se puna jonë nuk është të bëjmë zhurmë, por të kërkojmë të vërtetën dhe të luftosh për të, duke e përfaqësuar dhe mbrojtur profesionin e gazetarit. -

Po lundronin me jet ski në Ksamil, përplasen me njëri-tjetrin dy vëllezërit francezë
Paditen e kësaj të marte në zonën e Ksamilit, duke lundruar jashtë zonës së sigurisë, dy vëllezër francezë dyshohet se, gjatë lëvizjes me jet ski pranë njëri-tjetrit.
25-vjeçari ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit lundrues, duke u përplasur me mjetin lundrues të vëllait të tij, i cili është rrëzuar në ujë dhe ka pësuar dëmtime.
Pas ndihmës së parë të dhënë nga Njësia Policore Detare Sarandë, 22-vjeçari, vëllai tjetër është transportuar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga ana e Policisë Kufitare Sarandë është bërë bllokimi i dy mjeteve lundruese (jet ski) dhe do të kryhen verifikimet për shkeljet e konstatuara dhe në vijim do të merren masat administrative përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi, ndaj dy pronarëve të këtyre mjeteve.
Ndërkohë, grupi hetimor në Komisariatin e Policisë Sarandë po kryen veprimet procedurale dhe hetimore, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. -

Kredi pa kolateral për fermerët, qeveria jep 30 mln euro garanci sovrane
Bujqësia siguron rreth 20% të PBB-së së vendit dhe ofron punësim për rreth 1/3 e popullsisë, ndërkohë që përfiton më pak se 2% të kredisë totale. Për këtë arsye, Guvernatori Gent Sejko u bëri thirrje bankave tregtare të nxisin kredimin në këtë sektor.
“Ky program, pjesë e të cilit janë bërë të gjithë aktorët e sektorit bankar, iu ofron një bazë të sigurtë të fondeve me kosto të ulët për kreditimin e projekteve të zhvillimit të sektorit bujqësor duke përfshirë agroturizmin dhe industrinë agroushqimore”, tha Sejko.
Për të ndihmuar ndërmarrjet bujqësore dhe fermerët qeveria do të japë 30 mln euro si garanci sovrane.
“Kjo garanci synon të zgjidhë një nga pengesat më të mëdha për financimin në këtë sektor, mungesën e kolateralit dhe të nxisë kreditim e këtij sektori kaq të rëndësishëm me kosto sa të ulët”, tha Petrit Malaj, ministër i Financave.
Skema e qeverisë dhe Bankës Qendrore ofron garanci deri në 70% të vlerës së kredisë, normë interesi të kufizuar në 2% dhe përdorim vetëm për investime që rrisin kapacitetin prodhues dhe konkurrueshmërinë: agropërpunim, mekanikë bujqësore, agroturizëm, peshkim, akuakulturë, sera moderne, etj.
