Day: June 28, 2025

  • Sërish me ngjyrat kuqezi, Taulant Xhaka zyrtarizohet trajner i skuadrës shqiptare

    Sërish me ngjyrat kuqezi, Taulant Xhaka zyrtarizohet trajner i skuadrës shqiptare

    Pas gjithsej 407 ndeshjeve zyrtare, më 24 maj erdhi fundi. Taulant Xhaka e përfundoi karrierën e tij si futbollist profesionist në moshën 34-vjeçare. Me këtë rast u nderua në ndeshjen e “lamtumirës” si një legjendë e klubit të FC Basel.
    Tani është bërë e ditur se ku do ta vazhdojë karrierën “Tauli”. “Mirë se vjen, legjendë!” – thuhet rreth një muaj më vonë te FC Dardania, skuadër që luan në futbollin rajonal të Bazelit. Klubi njoftoi të premten se Taulant Xhaka, nga sezoni i ardhshëm, do të angazhohet në Ligën e 4-t. Megjithatë, jo si lojtar, por si trajner.
    FC Dardania Basel është klub i lidhur ngushtë me komunitetin kosovaro-shqiptar, ka shqiponjën dykrenare në stemë dhe është themeluar në vitin 1993 nga refugjatët politikë, punëtorët emigrantë shqiptarë. Me këtë nismë u bë realitet krijimi i një klubi futbolli për komunitetin e tyre. Në sezonin e fundit, FC Dardania e humbi ngjitjen për pak, duke u renditur e treta me vetëm tri pikë më pak se vendi i dytë.
    Nga sezoni i ardhshëm, klubi do të prezantojë në ndeshjet e tij, në fushën sportive “Bachgraben”, atraksionin kryesor të ligës, si trajner. Ish-lojtari i kombëtares shqiptare, me 30 ndeshje kuqezi, do të ketë gjithashtu mundësinë të vazhdojë punën për marrjen e licencës së trajnerit. “Një profesionist shembullor, një luftëtar në fushë dhe frymëzim për brezat e rinj”, – shprehet klubi i FC Dardanisë për këtë përforcim në pankinë.
    Nuk është hera e parë që klubi në fjalë ka kontakte me familjen “Xhaka”. Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka sponsorizuar së fundi 25 topa për ekipet e të rinjve; ndërsa babai, Ragip Xhaka, qëndroi si trajner në pankinë në ndeshjet e fundit të sezonit.

  • Lamine Jamal bëhet pronar i fanellës me nr.10 të Barçës, klubi vijon me projektin “Espai Barça”

    Lamine Jamal bëhet pronar i fanellës me nr.10 të Barçës, klubi vijon me projektin “Espai Barça”

    Adriatik BALLA
    Barcelona është një prej skuadrave më të mira në botë dhe në treg një nga ekipet më të kërkuara e më të lakmuara nga yjet e futbollit. Duhet thënë se vetë klubi ka akademinë “La Masia”, e cila nxjerr talente dhe elementët cilësorë që ka prodhuar klubi nuk janë të paktë, por dy futbollistë bëjnë diferencë, Lionel Mesi dhe Lamine Jamal, supertalente që shkruajnë histori secili në kohën e tij. Barcelona është gati të bëjë një hap të rëndësishëm simbolik: sipas Mundo Deportivo, klubi katalanas do të prezantojë Lamine Jamal si numri i ri 10 më 13 korrik, pikërisht në ditëlindjen e tij. Ky vendim vjen pas transferimit të Ansu Fati te Monako në Francë, duke lënë të lirë një nga numrat më të rëndë me histori në klub.
    Fanella me numrin 10, që dikur i përkiste legjendës Lionel Mesi, iu besua Ansu Fatit pas largimit të argjentinasit në vitin 2021. Megjithatë, pas lëndimeve dhe formës jo të qëndrueshme, Fati nuk arriti ta përmbushë plotësisht pritshmërinë dhe tashmë do të nisë një aventurë të re në Ligue 1. Lamine Jamal, që është vetëm 17 vjeç, ka mahnitur me paraqitjet e tij si me Barcelonën ashtu edhe me kombëtaren spanjolle.
    Ai konsiderohet si talenti më i madh i akademisë “La Masia” në vitet e fundit dhe është parë nga klubi si figura që mund të mbajë peshën e fanellës ikonike në të ardhmen. Ndërkohë, projekte të reja janë në horizont për klubin katalanas, ku ka një gërshetim të punës me skuadrën, por edhe në planin menaxherial nga klubi. Kështu, referuar mediave të ndryshme spanjolle, FC Barcelona ka përmbyllur me sukses një emetim obligacionesh në vlerë prej 424 milionë euro, për të rifinancuar një pjesë të borxhit të lidhur me projektin “Espai Barça”. Marrëveshja është arritur në bashkëpunim me “Goldman Sachs” dhe përfshin zgjatjen e borxhit që maturonte në vitin 2028 në një strukturë të re që do të fillojë të shlyhet nga viti 2033 dhe do të përfundojë në vitin 2050, me një kosto mesatare prej 5.19%.
    Ky rifinancim është arritur përpara rikthimit të ekipit të parë në “Spotify Camp Nou” më 10 gusht dhe tregon besimin e investitorëve në stabilitetin financiar të klubit. Klubi është duke përmbushur angazhimet e miratuara nga anëtarët, ndërkohë që raporti i fundit i agjencisë “Morningstar DBRS” ka përmirësuar vlerësimin e Barcelonës nga “i qëndrueshëm” në “pozitiv”, duke konfirmuar rimëkëmbjen ekonomike të klubit.

  • FSHF platformë për të shpëtuar klubet, 3 mln euro duke nisur nga viti 2026

    FSHF platformë për të shpëtuar klubet, 3 mln euro duke nisur nga viti 2026

    Adriatik BALLA
    Për dy ditë me radhë FSHF zhvilloi asamblenë e zakonshme vjetore, e në vijim të saj edhe mbledhjen e Komitetit të saj Drejtues, ku mori disa vendime të rëndësishme. Natyrisht, vendimi që pritej për ndryshimin e formulës së garës në Superiore nuk ndodhi. Ndërkohë, ka një vendim të rëndësishëm për rritjen e cilësisë në kampionat, pasi FSHF ndërhyn me një ndihmesë financiare të rëndësishme për të mbajtur “gjallë” klubet. Nga ana tjetër, lojtarët e Kombëtares vijojnë të paraqiten mirë me ekipet e tyre e ku padyshim Kristjan Asllani i bën tifozët krenarë me paraqitjet e tij për Interin. Ai po ia merr pak nga pak vendin mesfushorit të njohur turk, Hakan Çalhanoglu.
    Investimi për klubet
    Federata Shqiptare e Futbollit ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit profesionist në vend, duke vendosur për një rritje të konsiderueshme të mbështetjes financiare për klubet e “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë. Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, njoftoi këtë vendim, duke e konsideruar si një hap të rëndësishëm, me të ardhurat që do të vijnë nga komercializimi. “Do të rrisim me 30% të ardhurat nga komercializimi dhe, në vitin 2026, do të shpërndajmë 3 milionë euro për klubet e Kategorisë Superiore dhe të Parë, si mbështetje direkte financiare për përmirësimin e funksionimit të tyre”, u shpreh Presidenti Duka gjatë fjalës së tij në Asamble. Mbështetja financiare do të shpërndahet gjatë periudhës ndërmjet dy asambleve dhe përbën një hap të rëndësishme për rritjen e standardeve në menaxhimin e klubeve, rritjen e cilësisë së garës dhe krijimin e kushteve më të mira për lojtarët, trajnerët dhe stafet teknike.
    Asllani bën krenar Shqipërinë me paraqitjet e tij tek Interi
    Kristjan Asllani ishte sërish titullar në radhët e Interit në fitoren 2-0 ndaj River Plejt, duke konfirmuar besimin e stafit teknik në mesfushorin shqiptar. Ai ka qenë titullar në të tria ndeshjet e fazës së grupeve dhe ka dhënë një tjetër paraqitje të qëndrueshme, duke rrezikuar me një goditje nga jashtë zonës në pjesën e parë të sfidës. Me këtë fitore, Interi siguroi kalimin në fazën tjetër të turneut veror, dhe Asllani nuk e fshehu kënaqësinë për këtë arritje. “Objektivi ynë ishte që të mos pësonim gol dhe në momentin që mbyllëm ndeshjen pa pësuar, them se ia kemi arritur qëllimit. Zhvilluam një ndeshje të mirë, por kjo sfidë u kthye në një betejë. Ishte një ndeshje shumë e ngarkuar. Në fillim ishim pak në vështirësi, por më pas gjithçka u zgjidh dhe ne arritëm të dominojmë. Jemi të lumtur që vazhdojmë më tej”, tha mesfushori i Kombëtares shqiptare pas ndeshjes. Forma e mirë që po kalon Asllani dhe aktivizimi i rregullt në radhët e zikaltërve, janë sinjale pozitive jo vetëm për të ardhmen e tij tek Interi, por edhe për Kombëtaren shqiptare që llogarit shumë te potenciali i tij në mesin e fushës.

  • Tri skuadra hyjnë në garë për Ardijan Ismajlin, së fundmi edhe Torino

    Tri skuadra hyjnë në garë për Ardijan Ismajlin, së fundmi edhe Torino

    Adriatik BALLA
    Disa lojtarë të përfaqësueses ndodhen sy e veshë nga merkato, duke shqyrtuar ofertat e ardhura në adresë të tyre gjatë këtyre ditëve, me shpresën se do të kenë rast më të mirë për sezonin e ri, duke lakmuar klube elitare që luajnë në top-ligat e mëdha dhe që paguajnë më mirë. Natyrisht, jo të gjithë do të kenë mundësi të lëvizin, por është e qartë tashmë se një pjesë e kuqezinjve do të ndryshojnë ambient këtë verë. Merkato po zhvillohet me intensitet dhe disa prej emrave më të lakuar që mund të ndryshojnë ambient janë Broja, Manaj, Hoxha, Ramadani, Asllani e së fundmi edhe mbrojtësi Ardijan Ismajli. Kuptohet, oferta nga sheikët arabë kanë tunduar edhe kapitenin Berat Gjimshiti, por mbrojtësi kuqezi ende nuk ka marrë një vendim për t’u larguar nga Atalanta. Pothuajse në të gjitha repartet ka lojtarë të Kombëtares që po shqyrtojnë alternativat në merkato. Me sa duket, periudha e transferimeve verore punon për ta.
    Ofertat për Ismajlin
    Përveç Bolonjës dhe Veronës, në garë për shërbimet e Ardian Ismajlit ka hyrë edhe skuadra e Torinos. Kështu ka raportuar të premten mediumi “Tuttosport”, që ka shkruar se Ismajli vlerësohet si përforcim i duhur për ekipin e drejtuar nga trajneri Marko Baroni. Një tjetër arsye për interesimin e reprezentuesit të Shqipërisë, është se Ismajli mund të transferohet si futbollist i lirë pasi i skadon kontrata në verë. 28-vjeçari Ismajli luajti në 31 ndeshje me Empolin në edicionin e kaluar. Por, skuadra e tij nuk arriti që ta sigurojë mbijetesën në Serie A. Empoli e mbylli sezonin në vendin e 18-të me 31 pikë. Ismajli ka luajtur për grupmoshat U21 të Shqipërisë dhe Kosovës. Një ndeshje miqësore e pati edhe me Kosovën A. Më pas vendosi ta veshë fanellën “kuqezi”. Me Shqipërinë ka 45 paraqitje dhe tri gola të shënuar.
    Situata me mbrojtësit
    Merkato po sjell befasi çdo ditë edhe për disa lojtarë të përfaqësueses, por ende nuk kemi një transferim të madh. Piketime për lëvizje të mundshme në treg ka edhe për lojtarët e tjerë të mbrojtjes. Ismajli është një prej tyre, por edhe mbrotësit e tjerë kanë marrë oferta dhe po shqyrtojnë rastet e paraqitura në treg. Në fakt, situata në repartin e mbrojtjes është mjaft e larmishme. Ardian Ismajli është aktualisht lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me Empolit për pak ditë dhe nuk dihet ende se ku do ta vijojë karrierën. Interesimi për të nuk mungon, por vendimi përfundimtar pritet në javët në vijim. Berat Gjimshiti, një nga liderët e Kombëtares, ka marrë një ofertë të majme nga Katari, por deri më tani ka refuzuar çdo tundim financiar që e largon nga futbolli elitar europian. Shanset janë që ai të mbetet tek Atalanta, por një ndryshim nuk përjashtohet plotësisht. Elseid Hysaj, Ivan Balliu dhe Mario Mitaj nuk pritet të lëvizin këtë verë, duke ruajtur stabilitetin në klubet e tyre respektive, një faktor ky pozitiv për strukturën mbrojtëse të Kombëtares.

  • E shtuna për plazh! Temperatura përvëluese, ja sa do të shënojë termometri ditën e sotme

    E shtuna për plazh! Temperatura përvëluese, ja sa do të shënojë termometri ditën e sotme

    Ditën e shtunë vendi ynë parashikohet me kushte atmosferike të qëndrueshme.

    Moti do të jetë i kthjellët, si dhe alternime vranësirash të pakta deri mesatare në relievet kodrinore-malore të vendit.

    Temperaturat minimale do të jenë 17 gradë Celsius, ndërsa maksimale 39 gradë.

    Era  do të fryjë me drejtim nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare deri në 7m/s, ndërsa në lugina dhe bregdet hera-herës do të arrijë 7-18m/s

    Valëzimi në det do të jetë i forcës 2-4 ballë.

  • Krimi që tronditi Turqinë: Burri vret 18-vjeçaren që mbeti shtatzënë nga përdhunimi

    Krimi që tronditi Turqinë: Burri vret 18-vjeçaren që mbeti shtatzënë nga përdhunimi

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Turqi dhe jo vetëm, pasi një vajzë 18-vjeçare, Oya Budak, u vra me armë zjarri nga i fejuari i saj në Stamboll. Viktima ishte mbi 5 muajshe shtatzënë dhe sipas raportimeve, shtatzënia kishte ardhur si pasojë e një abuzimi seksual.

    Autori i dyshuar, Samet Y., 19 vjeç, fillimisht kishte pranuar të fejoheshin, por pasi u informua për shtatzëninë, thuhet se anuloi fejesën dhe nisi të shmangte kontaktet me të ndjerën. Të enjten në mbrëmje, ai e telefonoi Oyan dhe i kërkoi të takoheshin “për të sqaruar gjërat”. Ajo pranoi dhe shkoi në takim me vëllain e saj 13-vjeçar.

    Në rrethana që janë ende nën hetim, Sameti nxori armën dhe e qëlloi në gjoks dhe në vesh, duke e lënë të shtrirë në tokë. Autori u largua nga vendi i ngjarjes me makinën e të atit, ndërsa qytetarët që dëgjuan të shtënat njoftuan menjëherë policinë dhe ambulancën.

    Oya Budak u transportua në spital dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje të menjëhershme kirurgjikale, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk mundi të mbijetonte. As foshnja që mbante në bark nuk u shpëtuA.

    Pas një kërkimi të shpejtë, policia e lokalizoi Sametin në shtëpinë e xhaxhait të tij dhe e arrestoi. Ai u shoqërua në paraburgim dhe më pas në prokurori për dhënie deklarate. Sipas raportimeve të Ekol TV, kur një gazetar e pyeti pse e kishte vrarë Oyan, ai u përgjigj shkurt:

    “Nuk jam penduar. Largohu.”

    Gjyshi i viktimës, Orhan Budak, deklaroi për mediat se mbesa e tij ishte abuzuar seksualisht nga një koleg dhe se familja nuk ishte në dijeni për shtatzëninë deri pas fejesës.

    “Oya më tha se kishte rënë dakord të takoheshin për të biseduar, por nuk e menduam kurrë se do përfundonte kështu,” – u shpreh ai.

    Ngjarja ka ngjallur zemërim dhe trishtim në mbarë vendin, me aktivistë për të drejtat e grave dhe organizata të shoqërisë civile që po kërkojnë drejtësi për Oyan dhe ndëshkim të ashpër për autorin.

  • SHTYPI I DITËS – Çfarë shkruajnë gazetat shqiptare për ditën e sotme, e shtunë, 28 qershor 2025…

    SHTYPI I DITËS – Çfarë shkruajnë gazetat shqiptare për ditën e sotme, e shtunë, 28 qershor 2025…

    Faqet e para të gazetave të përditshme shqiptare, në versionin e tyre print që mund ta gjeni pranë kioskës së shtypit, ofrojnë këto tituj kryesorë për lexuesit e tyre, për ditën e sotme, e shtunë, 28 qershor 2025:

    Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd.
    Ju mirëpresim!

  • MOTI SOT – Parashikimi i sinoptikanëve për vendin tonë, për ditën e shtunë, 28 qershor 2025…

    MOTI SOT – Parashikimi i sinoptikanëve për vendin tonë, për ditën e shtunë, 28 qershor 2025…

    Ditën e shtunë vendi ynë parashikohet me kushte atmosferike të qëndrueshme. Moti do të jetë i kthjellët, si dhe alternime vranësirash të pakta deri mesatare në relievet kodrinore-malore të vendit.
    Temperaturat minimale do të jenë 17 gradë Celsius, ndërsa maksimale 39 gradë.
    Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare deri në 7m/s, ndërsa në lugina dhe bregdet hera-herës do të arrijë 7-18m/s
    Valëzimi në det do të jetë i forcës 2-4 ballë.

    Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd.
    Ju mirëpresim!