Day: June 26, 2025

  • Kosova pa Kuvend, miliona eurot në pritje

    Kosova pa Kuvend, miliona eurot në pritje

    Foto ilustruese

    PRISHTINË- Kosova rrezikon të mbetet pas në garën për miliona euro të Bashkimit Evropian, ndërsa fqinjët e saj veçse kanë nisur të përfitojnë. Bllokada politike pas zgjedhjeve të fundit parlamentare po i kushton vendit miliona euro nga Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor. Kjo paketë prej 6 miliardë eurosh është miratuar në pjesën e fundit të vitit 2023.
    Planet kanë qenë që shpërndarja e tyre të niste në fund të vitit të kaluar, por është shtyrë për disa muaj. Më 21 qershor, Serbia është bërë vendi i fundit – pas Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi – që ka njoftuar se ka pranuar mjetet e para nga BE-ja, në vlerë prej 51.66 milionë eurosh. Bosnje e Hercegovina nuk e ka dorëzuar ende Agjendën e kërkuar të Reformave tek autoritetet evropiane. Në Kosovë, problemi është tjetër: ajo nuk ka Kuvend të konstituuar për të ratifikuar marrëveshjen e nevojshme për përfitimin e fondeve.
    Marrëveshjet e tilla kanë karakter të marrëveshjeve ndërkombëtare, ndaj edhe duhet të ratifikohen në Kuvend me dy të tretat e votave. Përkundër dhjetëra përpjekjeve, deputetët nuk kanë arritur deri më 25 qershor të konstituojnë Kuvendin. Vëzhguesit u sugjerojnë atyre t’i lënë mënjanë grindjet e brendshme, për të përfituar nga një mundësi që mund të ndikojë drejtpërdrejt në rrugën evropiane të vendit, por edhe në zhvillimin e tij ekonomik.
    “Pse është kjo e rëndësishme sot? Sepse, nëse Kosova e ka ‘head start-in’ (hapin e nisjes) më të vonshëm se vendet tjera, kjo i bie që ti do të jesh një hap prapa,”- thotë Demush Shasha, nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane. Nga Plani i Rritjes, që mbulon periudhën nga viti 2024 deri më 2027, Kosova mund të përfitojë mbi 880 milionë euro. Mbi 250 milionë do t’i ndaheshin si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme. Pjesa prej 7% si para-financim, që tashmë u është ndarë katër vendeve ballkanike, për Kosovën i bie të jetë rreth 61 milionë euro.
    Këto mjete kanë për qëllim përafrimin e gjashtë ekonomive në fjalë me atë të BE-së – organizatës ku të gjitha synojnë të anëtarësohen. Megjithatë, ato janë paralajmëruar se nëse, brenda 1-2 vjetësh, nuk i kryejnë reformat e kërkuara – nga zhvillimi i sektorit privat deri te tranzicioni i gjelbër dhe digjitalizimi – atëherë shuma e paraparë për to do t’u shpërndahet vendeve të tjera.
    A ka afat për ratifikimin e marrëveshjes?
    Radio Evropa e Lirë pyeti Bashkimin Evropian se a ka ndonjë afat deri kur Kosova duhet ta ratifikojë marrëveshjen përkatëse për të marrë mjetet e para-financimit, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje. Burime brenda Qeverisë në largim të Kosovës i thanë REL-it se një afat të tillë nuk ka. Ngjashëm pohon edhe Shasha. Sipas tij, para-financimi nuk rrezikohet drejtpërdrejt nga vonesa në ratifikim, por vonesa në këtë hap të parë mund të sjellë pasoja zinxhirore, duke ndikuar edhe në përmbushjen me kohë të kushteve të vendosura nga BE-ja për vitin 2025 dhe dy vitet pasuese.
    Këto kushte përfshijnë përparimin në reforma dhe një dialog konstruktiv me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.
    “E gjithë kjo mund ta vonojë Kosovën në periudhën 2025-2027, si dhe ta vendosë atë në një situatë ku nuk mund t’i shpenzojë mjetet e veta (nga Plani i Rritjes). Fondet që Kosova nuk arrin t’i shpenzojë, do t’u ndahen vendeve tjera”, thotë Shasha, duke u thirrur në dokumentet e BE-së për Planin e Rritjes. Ai shton se këto vonesa dërgojnë edhe sinjale të gabuara për gatishmërinë e Kosovës për të avancuar drejt BE-së.
    “Nuk është mirë për prestigjin ndërkombëtar apo evropian të Kosovës që të sillet, të shihet dhe të perceptohet në këtë formë – si një aktor rajonal në procesin integrues që nuk po arrin të mirëmbajë hapin me vendet e tjera të rajonit”, thotë Shasha për Radion Evropa e Lirë. Në mesin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, Kosova është e vetmja që nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
    Efektet ekonomike
    Por, eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë se vonesat në shfrytëzimin e mjeteve nga Plani i Rritjes janë humbje edhe në aspektin ekonomik. Sipas tij, Kosova ka nevojë të madhe për investime – si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat. Ai thotë se një pjesë e këtyre investimeve do të mund të adresoheshin përmes fondeve të BE-së. Çdo vonesë në sigurimin e tyre, thotë Gërxhaliu, është e dëmshme, sidomos në një kohë kur bota përballet me inflacion të lartë dhe kosto gjithnjë në rritje.
    “Projektet që sot kushtojnë, ta zëmë 50 milionë (euro), vitin tjetër do të jenë me kosto shumë më të lartë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
    Gërxhaliu kujton se Kosova vazhdon të jetë nën masat ndëshkuese të BE-së – të vendosura në vitin 2023 pas tensioneve në veri të vendit – dhe se pamundësia aktuale për të përfituar nga fondet e BE-së vetëm sa e rëndon më tej këtë situatë.
    “Shfrytëzimi i këtyre mjeteve do të kishte mesazh të qartë për kundërshtarët e shtetit të Kosovës, se ‘Evropa është me ne, ne jemi në rrugën e integrimit dhe pretendojmë dhe mendojmë që një ditë të jemi të barabartë në familjen evropiane’”, thotë Gërxhaliu.
    Thirrje për të kapërcyer ngërçin politik, Kosovës i kanë bërë edhe zyrtarë të huaj, përfshirë shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas. Derisa deputetët e partisë më të madhe, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe të partive të tjera mbeten të ngurtë në qëndrime, miliona euro të tjera mbeten po ashtu të bllokuara.
    Më 23 qershor, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, shkroi në Facebook se janë 90 milionë euro të alokuara nga Banka Botërore për Kosovën, të cilat presin ratifikimin nga Kuvendi që nga muaji maj i vitit të kaluar.
    Edhe për këtë çështje, partia deri më tash në pushtet dhe ato në opozitë shkëmbyen akuza kundër njëra-tjetrës./REL

  • Ç’dihet për armët që Serbia ka ndaluar t’i eksportojë në Izrael?

    Ç’dihet për armët që Serbia ka ndaluar t’i eksportojë në Izrael?

    Presidenti izraelit, Isaac Herzog, në takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç

    BEOGRAD- Eksportet janë pezulluar, por nuk dihet se sa dhe çfarë është eksportuar. Ky konstatim i referohet vendimit të shpallur dy ditë më parë nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe të konfirmuar nga Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi. Serbia ndalon eksportin e municionit, ka thënë Vuçiç, duke vënë theksin tek eksportet drejt Izraelit – shtetit që është në qendër të konfliktit aktual në Lindjen e Mesme. As Vuçiç, as Ministria e Mbrojtjes nuk kanë dhënë detaje se çfarë armësh dhe pajisjesh ushtarake ka eksportuar Serbia në Izrael gjatë viteve të fundit.
    Raportet zyrtare nga Ministria kompetente e Tregtisë për eksportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake nga Serbia, nuk janë publikuar tash e sa vite, ndonëse sipas Ligjit për eksportin dhe importin e armëve dhe pajisjeve ushtarake, ato duhet të publikohen. Ministria e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme e Serbisë është ajo që lëshon leje për importin dhe eksportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake.
    Radio Evropa e Lirë ka kërkuar disa herë gjatë muajve të fundit informacione për lejet që lidhen me Izraelin, duke përdorur kërkesat për qasje të lirë në informacion.
    Por, këto të dhëna nuk janë ofruar.
    Çfarë dihet për eksportet e armëve?
    Megjithatë, disa informacione në lidhje me eksportet e armëve në Izrael janë bërë të disponueshme gjatë hetimit ndaj kompanisë Romax-trade, e cila është e lidhur me prokurimin e të ashtuquajturit top zanor – një pajisje LRAD, që dyshohet se është përdorur në Beograd gjatë protestave të studentëve, më 15 mars të këtij viti. Ministria e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme ka lëshuar dy licenca eksporti për Romax-trade për Izraelin, në vitet 2021 dhe 2022.
    Armët në fjalë kanë një vlerë prej shtatë milionë eurosh. Ato janë klasifikuar si “kategoria e katërt e Listës Kombëtare të Kontrollit”, ku përfshihen: bomba, torpedo, raketa, projektilë dhe pajisje shpërthyese. Armatimet, për të cilat Romax ka marrë licenca eksporti, prodhohen nga fabrika shtetërore e industrisë së mbrojtjes Krushik, nga Valeva, dhe një pjesë e kësaj pune, me vlerë 2.2 milionë euro, është kryer gjatë vitit 2021, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë nga Ministria e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme e Serbisë në prill të këtij viti. Importuese e mallrave të Krushikut është kompania izraelite Ispra, e cila në ueb-faqen e saj deklaron se është e specializuar në prodhimin e pajisjeve për “menaxhimin e turmave”.
    Radio Evropa e Lirë ka pyetur kompaninë Ispra se për çfarë qëllimesh janë blerë armët nga Krushiku – nëse ato janë blerë për nevojat e ushtrisë izraelite apo të ndonjë institucioni tjetër – por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.
    Cili është roli i kompanisë Ispra nga Izraeli?
    Në vitet 2021 dhe 2022, kompania Romax-trade ka marrë leje për të importuar produkte të klasifikuara, si avionë, agjentë kimikë dhe biologjikë, nga prodhuesi izraelit Ispra. Në tri prokurime, policia serbe është listuar si përdoruese përfundimtare.
    Ministër i Punëve të Brendshme i Serbisë ka qenë në atë kohë Aleksandër Vulin. Kompania izraelite Ispra është e njohur për sistemin e saj Cyclone, ose dronët që lëshojnë gaz lotsjellës nga ajri. Sipas raportimeve në media, ky sistem është përdorur kundër protestuesve në Gazë, si dhe gjatë protestave kundër korrupsionit në Kenia.
    Ministria e Tregtisë pa përgjigje
    Pajisjet shpërthyese nga Krushiku, me vlerë shtatë milionë euro, janë vetëm një pjesë e vogël e eksporteve të industrisë serbe të mbrojtjes në Izrael. Sipas një hetimi të BIRN-it dhe gazetës izraelite Haaretz, shtatë avionë ushtarakë izraelitë kanë fluturuar në Serbi nga tetori i vitit 2023 deri në qershor të vitit 2024. Këto fluturime lidheshin me eksportin e armëve nga Serbia në Izrael me vlerë prej 15.7 milionë eurosh. Gazetarët e Radios Evropa e Lirë në Beograd janë përpjekur të marrin të dhëna të sakta mbi eksportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake nga industria serbe e mbrojtjes në Izrael, por Ministria kompetente e Tregtisë nuk ka kthyer përgjigje me muaj.
    Kjo ministri e ka hedhur poshtë kërkesën fillestare në mes të tetorit të vitit të kaluar, duke thënë se “dokumentet, të dhënat dhe informacionet që lidhen me importin dhe eksportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake, janë të shënuara si konfidenciale”.
    Një vendim i Komisionarit për Informacionet me Rëndësi Publike ka urdhëruar Ministrinë e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme që të vepronte sipas kërkesës – gjë të cilën ajo nuk e ka bërë deri më sot.
    Ndërkohë, Ministrisë së Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme i është kërkuar gjithashtu që të nxjerrë një vendim mbi përcaktimin e konfidencialitetit të të dhënave, më saktësisht dokumenteve që tregojnë se pse licencat e importit dhe eksportit janë shënuar si ‘konfidenciale’.
    Por, ministria nuk i është përgjigjur as kësaj kërkese, e cila është dërguar në fund të nëntorit të vitit 2024.
    Cilat pyetje të tjera presin përgjigje?Edhe pasi Vuçiq ka njoftuar për vendimin e papritur, Ministria e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme – përgjegjëse për procedurën e marrjes së licencës për eksportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake – nuk është përgjigjur. Radio Evropa e Lirë e ka pyetur atë se që kur zbatohet ky vendim, si dhe çfarë është duke ndodhur me dërgesat nga kontratat e nënshkruara më parë.
    Gjithashtu, përgjigje nuk ka pasur as në pyetjet në lidhje me një aeroplan mallrash që ka fluturuar nga Beogradi për në Izrael të martën – një ditë pasi është bërë e ditur për ndalimin e eksporteve./REL

  • Ndërhyrja e Trump, mesazhi gjatë telefonatës me Netanyahun: Kthe aeroplanët mbrapsht!

    Ndërhyrja e Trump, mesazhi gjatë telefonatës me Netanyahun: Kthe aeroplanët mbrapsht!

    Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu

    SHBA- Dialogu dramatik midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe kryeministrit Izraelit Benjamin Netanyahu u raportua sonte nga një nga burimet gazetareske më të besueshme të Izraelit, “Channel 13”. Sipas medias, Trump ndërhyri personalisht për të ndaluar një operacion ushtarak izraelit kundër Iranit. Ai e telefonoi Netanyahun dhe i kërkoi të anulonte sulmin ajror, duke i dhënë urdhrin e qartë: Thuaju aeroplanëve të kthehen mbrapsht.
    Incidenti ndodhi disa orë pasi Irani shkeli armëpushimin e brishtë duke lëshuar dy raketa balistike. Trump, duke iu referuar një sulmi të mëparshëm izraelit, thuhet se i tha Netanyahut: I lëshuat gjithë arsenalin! 
    izraelit u përgjigj duke mohuar se sulmi ndodhi pasi filloi armëpushimi.
    “Kjo nuk është e vërtetë, ne nuk kemi sulmuar që kur armëpushimi hyri në fuqi,”-thuhet se iu përgjigj kryeministri i Izraelit. 
    Pavarësisht shpjegimeve, Trump këmbënguli: Nuk më intereson, më fajësoni mua. Nuk ishte e qëllimshme, raketat nuk ranë dhe nuk pati dëme. Kështu iu përgjigj Trump duke iu referuar sulmeve iraniane dhe duke theksuar nevojën për të shmangur një shpërthim të ri të konfliktit.
    Sipas gazetës “Times of Israel”, ndërhyrja e Trump zbulon tensionin, por edhe ekuilibrin delikat politik midis SHBA-së dhe Izraelit në një kohë tensionesh të larta edhe në Lindjen e Mesme. Episodi tregon gjithashtu rolin e drejtpërdrejtë që presidenti amerikan mban në zhvillimet në rajon por edhe ndikimin e tij personal tek “Bibi”. 
    Menjëherë pas bisedës, Netanyahu dha urdhrin për kthimin e avionëve. Sipas raportimeve në Izrael, avionët ishin vetëm “tre minuta larg objektivit” para se kryeministri izraelit të ndryshonte urdhrin. Madje shënjestra ishte shumë e qartë; ata kishin synuar anëtarët e Gardës Revolucionare.
    Vetëm një aeroplan goditi një radar të vjetër, pasi nuk pati kohë të reagonte, dhe pjesa tjetër u kthye mbrapsht./ZËRI

  • Bizneset e vogla, në rënie në 8 qarqe më 2024, prej tkurrjes së popullsisë

    Bizneset e vogla, në rënie në 8 qarqe më 2024, prej tkurrjes së popullsisë

    Ekonomia e vendit është dukje ndjekur trendët demografike me përqendrim më të lartë të bizneseve të vogla drejt qendrave të mëdha urbane si Tirana dhe Durrësi dhe tkurrje ne qarqet e tjera.Numri i bizneseve me 1 deri në 4 punonjës në Shqipëri është rritur lehtë në vitin 2024 me vetëm 1% në krahasim me një vit më parë, por shpërndarja sipas qarqeve ishte me rënie në shumicën e tyre në sinkron më lëvizjet e popullsisë.Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT nga 12 qarqe të vendit në 8 prej tyre numri i bizneseve me 1–4 punonjës ka shënuar rënie. Reduktimi në 2024 ishte më i theksuar në Korçë me 312 biznese më pak ose −5.21% në raport me 2023. Pas saj vijnë Elbasani me minus 302 biznese ose −4.07% dhe Gjirokastra me minus 48 biznese ose me rënie 2%.Qarqet si Shkodra, Dibra, Berati, Fieri dhe Kukësi shënuan ulje të lehta që variojnë nga −0.55% deri në −1%.Kryeqyteti vijon të jetë epiqendra e aktivitetit ekonomik. Tirana ka shtuar 1,489 biznese të vogla brenda një viti, duke shënuar një rritje vjetore prej 2.81%. Ky është kontributi më i madh në rritjen kombëtare dhe tregon një përqendrim të vazhdueshëm të zhvillimit ekonomik dhe sipërmarrjes në zonën metropolitane.Edhe Durrësi dhe Vlora shënojnë rritje. Durrësi ka regjistruar 286 biznese më shumë (+2.46%), ndërsa Vlora 152 më shumë (+1.55%). Këto të dhëna përforcojnë tendencën e zhvillimit ekonomik nga turizmi në zonat bregdetare.Lëvizjet e brendshme të popullsisë dhe emigrimi jashtë vendit po pakësojnë bazën e konsumatorëve dhe fuqinë punëtore në qarqet më pak të zhvilluara.Bizneset e vogla 1–4 punonjës janë një tregues i rëndësishëm i vitalitetit të ekonomik dhe social në komunitete, pasi ato janë kryesisht familjare dhe të lidhura ngushtë me kërkesën lokale. Kur këto biznese rriten, zakonisht ka rritje të konsumit lokal, rritje popullsie dhe optimizëm ekonomik, e kundërta ndodh kur pakësohen pasi zakonisht ka tkurrje demografike, rënie te aktivitet ekonomik pasivitet ekonomik dhe varfërim social.Sipas të dhënave të INSTAT, Tirana dhe Durrësi janë të vetmet që kanë shënuar rritje të ndjeshme të popullsisë përmes migrimit të brendshëm, duke tërhequr pjesën aktive nga qarqet si Dibra, Kukësi, Gjirokastra apo Elbasani. Kjo rritje e popullsisë urbane ndikon drejtpërdrejt në kërkesën për shërbime, dhe rritjen e nevojës për biznese të vogla në fushat si gastronomia, transporti, teknologjia dhe shërbimet për qytetarët./ B.HoxhaBurimi: INSTATKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • Sheikët piketojnë mesfushorin e Kombëtares shqiptare, Leçja merr ofertë për Ramadanin

    Sheikët piketojnë mesfushorin e Kombëtares shqiptare, Leçja merr ofertë për Ramadanin

    Sirenat e merkaros janë ndezue edhe për Ylber Ramadanin. Në tryezën e Leçes ka mbërritur një ofertë për mesfushorin shqiptar. Al Aini kërkon të sigurojë shërbimet e Ramadanit dhe ka nisur negociatat me Leçen. Skuadra nga Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë ofruar lojtarit të Kombëtates kuqezi një pagë prej 1.2 milionë eurosh.
    Megjithatë, sipas raportimeve nga mediat fqinje përtej Adriatikut, vetë Ramadani nuk është bindur nga kjo ofertë. Mbetet për t’u parë nëse Al Aini do të rrisë propozimin e vetë për të joshur Ylber Ramadanin./Sport Ekspres/