Day: June 26, 2025

  • Katër arsye përse nuk ju zë gjumi natën! Këshilla ti të flini më mirë

    Katër arsye përse nuk ju zë gjumi natën! Këshilla ti të flini më mirë

    Mund të këtë një mori arsyesh se përse nuk ju zë gjumi gjatë natës. Arsye të cilat fillojnë që nga problemet shëndetësore deri tek stresi i tepërt.

    Këto shkëputje të gjumit të natës i ndodhin gjithë secilit në periudha të caktuara të jetës dhe zakonisht nuk janë shqetësuese.
    Problemi fillon kur ju përjetoni pagjumësi në mënyrë të vazhdueshme dhe nuk e kuptoni se çfarë po j’ua shkakton atë. Mungesa e gjumit përtej lodhjes së tepërt dhe mbingarkesës së trurit, mund të bëhet shkak edhe për zhvillimin e një sërë sëmundjesh të organizmit.

    Këtu përmendim obezitetin, presionin e lartë të gjakut, sëmundjet e zemrës, diabetin e deri tek vdekjet e parakohshme.
    Mosha – Sipas mjekëve mosha është një faktor shumë ndikuese kur flasim për pushimin e mirë të mendjes dhe trupit. Tek personat e moshuar vihet re që ora biologjike e të fjeturit ndryshon gjatë viteve. Duke u ngushtuar në kohë më të pakët pushimi dhe gjumë të parregullt.
    Stili i jetesës – Një nga shkaqet më të zakonshme të pagjumësisë është padyshim stili jo i rregullit i jetesës. Konsumimi i alkoolit pak orë para se të shtriheni për të fjetur, mund të jetë edhe shkatërrimi i gjumit tuaj. Ushqimi para se të shkoni për të fjetur mund të jetë një tjetër arsye që provokon e acaron stomakun dhe organizmin. Së fundi siç dihet kafeina është armiku më i madh i gjumit të mirë e të qetë. Ekspertët thonë se ndryshimet e vogla tek stili i jetesës duke ndjekur këshillat e mësipërme do të sjellin ndryshime rrenjësore në trupin tuaj.
    Ilaçet – Në shumë raste ilaçet që merrni për sëmundje të ndryshme mund të jenë duke luajtur rol kryesor tek pagjumësia. Kryesisht disa lloje ilaçesh që përdoren për të trajtuar tensionin e lartë të gjakut, azmën apo antidepresivët. Funksioni i tyre mund të jetë të përshpejtojnë ose ngadalësojnë disa proçese të organizmit gjë që prish edhe gjumin e qetë gjatë natës.
    Sëmundjet kronike – Sëmundjet kronikë që zakonisht shfaqen teksa mosha kalon mund të jenë gjithashtu fatale për gjumin e mirë dhe pa ndërprerje. Nëse vuani nga ankthi, depresioni, probleme të prostatës së zmadhuar, dhimbje kronike apo reumatizma të ndryshme mund të keni edhe probleme me gjumin. Kjo ndodh për shkak se trupi në mënyrë të vazhdueshme funksionon në varësi të këtyre sëmundjeve duke ndaluar gjumin e qetë.
    Disa këshilla për gjumë të qetë
    Megjithëse të gjitha këto shkaqe janë shumë komplekse dhe të vështira për t’u parandaluar, mjekët japin disa zgjidhje.
    Mundohuni të keni një rutinë të përnatshme gjumi, pra shtrihuni në krevat në të njëjtën orë çdo natë dhe zgjohuni në të njëjtën orë çdo mëngjes.
    Qetësoni trupin dhe mendjen duke larguar mendimet në mënyrë që të bini në gjumë të thellë më lehtë.
    Gjithashu e rëndësishme është të evitoni paisjet elektronike para gjumit.
    Kjo pasi drita që ato lëshojnë stimulon trurin duke e zgjuar atë dhe larguar gjumin.
    Flini në vende të errëta dhe të freskëta gjithmonë në mënyrë që trupi të mos ndjejë nxehtësi.
    Mundohuni të kufizoni gjumin e shpeshtë gjatë ditës edhe nëse ndiheni të lodhur në mënyrë që të flini më lehtë natën

  • Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli janë të prerë! Irani duhet të dorëzojë uraniumin e pasuruar

    Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli janë të prerë! Irani duhet të dorëzojë uraniumin e pasuruar

    Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli i kanë thënë Iranit se duhet të dorëzojë uraniumin e pasuruar, tha ministri izraelit i mbrojtjes.

    Në një intervistë me Kanalin 13 të Izraelit, Israel Katz diskutoi sulmet e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane që ndodhën gjatë fundjavës.
    “Që në fillim ishte e qartë se sulmi do të neutralizonte infrastrukturën përreth, nuk do të eliminonte vetë materialin (bërthamor). Tani ekziston një qëndrim i përbashkët amerikano-izraelit që i thotë Iranit: ‘Duhet ta dorëzosh këtë material’”, tha Katz në intervistën, e cila u transmetua të enjten.
    Qëllimi i sulmeve të fundit të Izraelit ndaj Iranit ishte të “neutralizonte kapacitetet”, tha Katz.
    “Sot, ata nuk kanë asnjë mënyrë për të prodhuar një bombë bërthamore, sepse ne shkatërruam edhe impiantin e konvertimit që e kthen uraniumin në formë të ngurtë”, pohoi ai.

    Top Channel

  • Kupa e Botës për Klube/ Man. City i jep leksion futbolli Juventusit, “Qytetarët” shmangin rrugën e ‘vështirë’ për në finale

    Kupa e Botës për Klube/ Man. City i jep leksion futbolli Juventusit, “Qytetarët” shmangin rrugën e ‘vështirë’ për në finale

    Manchester City ka dhënë një tjetër sinjal të fortë në FIFA Club World Cup, duke mundur bindshëm Juventusin me rezultatin 2-5 dhe duke siguruar vendin e parë në Grupin G.

    Djemtë e Guardiolës dominuan takimin nga minuta e parë deri në të fundit, në një përballje ku klasi i tyre doli në pah pa asnjë mëdyshje.
    Jeremy Doku hapi serinë e golave që në minutën e 9-të pas një asisti nga Aït-Nouri, por reagimi i Juventusit ishte i menjëhershëm: vetëm dy minuta më pas, Koopmeiners barazoi shifrat në 1-1. Megjithatë, një autogol i Pierre Kalulu në minutën e 26-të i dha sërish epërsinë Cityt.
    Pjesa e dytë foli vetëm për anglezët. Erling Haaland, i asistuar nga Matheus Nunes, realizoi golin e tretë në minutën e 52-të. Më pas, Phil Foden dhe Savinho vulosën fitoren me dy gola të tjerë, duke mbyllur çdo diskutim për kreun e grupit. Në minutën e 85-të, Vlahovic realizoi një gol që vlente sa për statistikë.
    Me këtë triumf, City siguron matematikisht vendin e parë në grup, duke kaluar nga ai që cilësohet si krahu i lehtë i Botërorit, ndërsa Juventus kalon grupin si vendi i dytë, ku mund të ndeshet kundër Realit të Madridit në fazën e 1/16-ave.
    Të gjitha sfidat do të keni mundësinë t’i ndiqni live dhe ekskluzivisht në DigitAlb.

    Top Channel

  • Fotot/ Rama rikthehet në Kuvend, PS miraton ligjet me 74 vota. Dash Sula nuk i bindet Berishës. Ç’ndodhi në seancën maratonë të Kuvendit

    Fotot/ Rama rikthehet në Kuvend, PS miraton ligjet me 74 vota. Dash Sula nuk i bindet Berishës. Ç’ndodhi në seancën maratonë të Kuvendit

    Kuvendi ka miratuar në seancën e sotme plenare disa projektligjesh vetëm më votat e mazhorancës, pasi opozita zgjodhi që të largohej nga salla, me përjashtim të deputetit Dashnor Sula.

    Në këtë seancë prej më shumë se 7 orësh, ishte edhe kryeministri Edi Rama i cili u rikthye në seancat plenare për herë të parë pas zgjedhjeve të 11 majit, teksa më herët këtë javë ndodhej në Hagë në Samitin e NATO-s.
    Socialistët votuan ligjet me 74 vota, ndërsa ndryshimet në ligjin për sportin, që krijuan edhe debat në sallë kaluan me 71 vota pro dhe 4 abstenim. Deputetët që abstenuan ishin socialistët Erion Braçe, Petro Koçi, dhe nga PD Dashnor Sula e Meri Markiçi nga PSD.
    Konkretisht:
    Projektligji “Për përpunimin e informacionit të udhëtimit në Republikën e Shqipërisë”- 74 pro, 1 abstenim
    Projektligji “Për kontrollin e kufirit shtetëror”- 74 vota pro, 0 abstenime, 0 vota kundër
    Projektligji “Për shëndetin e bimëve”- 74 vota pro, 0 abstenime, 0 vota kundër
    Projektligji “Për shëndetin e kafshëve”- 74 pro, 1 abstenim, 0 kundër
    Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.79/2017, “Për sportin”, – 70 vota pro, 4 abstenim, 0 vota kundër
    Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 79/2021, “Për të Huajt”- 71 pro, 1 kundër, 0 abstenim
    Projektligji “Për Zyrën e Rikuperimit të Aseteve”- 72 pro, 0 kundër, 0 abstenim
    Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtimin dhe Zhvillimin, për financimin shtesë për “Veprimin e ofrimit të shërbimeve të përqendruara dhe gjithëpërfshirëse të përdoruesit”- 71 pro, 1 abstenim, 0 kundër
    Projektligj “Për prodhimin, transportin, tregtimin dhe përdorimin e biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme për transport”- 72 pro, 2 abstenim, 0 kundër
    Projektvendimi “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 67/2020 “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit me kohë të plotë pune të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, të ndryshuar”. 73 pro, 0 abstenim, 0 kundër

    Top Channel

  • Mëso të jesh mik i vetes/ ‘Fuqia e vetëdhembshurisë’

    Mëso të jesh mik i vetes/ ‘Fuqia e vetëdhembshurisë’

    Kur një mik kalon një periudhë të vështirë ose ndihet sikur ka dështuar, reagimi ynë i parë është zakonisht t’i ofrojmë ngushëllim dhe mirëkuptim. Por kur bëhet fjalë për veten, shpesh jemi shumë më të ashpër. Megjithatë, pak vetëdhembshuri mund të bëjë një ndryshim të madh.

    Studimet tregojnë se në kohë të vështira apo stresuese, ata që tregojnë mirësi ndaj vetes kanë më shumë qëndrueshmëri emocionale.

    “Mund të themi: ‘Bëra një gabim’, në vend të ‘Unë jam një gabim’,” shpjegon Kristin Neff, profesore e psikologjisë arsimore në Universitetin e Teksasit në Austin, e cila ka studiuar vetëdhembshurinë për më shumë se 20 vjet.

    Çfarë është vetëdhembshuria?

    Vetëdhembshuria është aftësia për të treguar mirëkuptim, butësi dhe mbështetje ndaj vetes gjatë momenteve të vështira – dhe për të kujtuar se papërsosmëritë janë pjesë e natyrës njerëzore. Ajo lidhet ngushtë me vetëdijen: të jesh i pranishëm në moment pa gjykim. Të jesh i sjellshëm me veten nuk do të thotë të dorëzohesh në vetëmëshirë apo të bëhesh pasiv. Është të kuptosh se dështimet dhe vuajtja nuk janë prova e dobësisë sonë, por përvoja që ndajmë si njerëz.

    Mite dhe të vërteta

    Një keqkuptim i zakonshëm është se vetëdhembshuria na bën dembelë ose na pengon të përmirësojmë veten. Por, siç vëren Neff, kërkimet tregojnë se mbështetja dhe inkurajimi janë motivues shumë më efektivë sesa kritika e ashpër.

    Një tjetër mit është se vetëdhembshuria është thjesht një formë e kujdesit për veten. Në realitet, ajo përfshin gatishmërinë për të përballuar ndjenjat e vështira dhe për të vepruar në përputhje me vlerat tona – jo vetëm për të kërkuar rehati të menjëhershme. Siç shpjegon psikologu Steven C. Hayes, krijues i terapisë së pranimit dhe angazhimit, vetëdhembshuria është “fuqia për të qenë vetvetja, për të ndjerë plotësisht atë që ndjen – pa mbrojtje të panevojshme.”

    Si të kultivoni vetëdhembshurinë

    1. Flisni me mirësi me veten çdo ditë
    Vëzhgoni mënyrën si i flisni vetes. Jeni mbështetës, apo kritiku më i ashpër i saj? Neff sugjeron që të përpiqemi t’i flasim vetes me të njëjtën dhembshuri që do t’ia tregojmë një miku të ngushtë në një moment të vështirë.

    2. Praktikoni metodën RAIN
    Psikologia Tara Brach rekomandon teknikën RAIN:

    R – Njihni ndjenjat tuaja
    A – Lejojini ato të jenë aty
    I – Hetoni ndikimin e tyre në trup dhe mendje
    N – Kujdesuni për veten

    Kjo përfshin të kuptuarit e bindjeve të fshehta, si p.sh.: “Nuk jam i denjë për dashuri” apo “Nuk jam i mjaftueshëm.” Kur ta dalloni këtë, bëni një gjest qetësues – vendosni dorën në zemër, frymoni thellë, ose thuajini vetes fjalë si: “Është në rregull të ndihesh kështu” apo “Po bën më të mirën që mundesh.”

    3. Jepni dhe merrni dhembshuri
    Vetëdhembshuria na ndihmon të jemi më të hapur për të ofruar dhe marrë kujdes nga të tjerët. “Ne kemi nevojë për njerëz që janë të dhembshur me veten dhe me të tjerët,” thotë Neff. Ajo thekson se vetëdhembshuria përfshin edhe përpjekjet për të reduktuar dëmin, jo vetëm për veten, por edhe në një nivel shoqëror më të gjerë. Syri.net-Kathimerini

  • Azilantët e Gjadrit po riatdhesohen me fluturime nga Tirana! Alarmi i europarlamentarëve

    Azilantët e Gjadrit po riatdhesohen me fluturime nga Tirana! Alarmi i europarlamentarëve

    Nga Alba Kepi 

    Kosto e lartë e shkelje e legjislacionit europian për azilantët e riatdhesimet. Më 9 maj 2025, një fluturim çarter i nisur nga Roma dhe i destinuar për në Kajro ndaloi në Tiranë për të marrë 5 shtetas egjiptianë të marrë në kampin e emigrantëve në Gjadër. Në dukje qe një operacion teknik por në fakt qe një veprim që ka ngritur shqetësime të mëdha ligjore e etike, si dhe reagime të parlametarëve e europarlamentarëve italianë.Sipas një investigimi të Altreconomia, emigrantët nuk ishin fare në kampin e Gjadrit në momentin e vendimit të Ministrisë së Brendshme Italiane (më 28 prill 2025) por u sollën atje pak para fluturimit. Dyshimi është se po testohet një model i ri dëbimi nga jashtë kufijve italiane, për të shmangur mbrojtjet ligjore të parashikuara nga normativat evropiane.
    Shuma e shpenzuar mbi 113 mijë euro dhe heshtja politike rreth operacionit e bëjnë situatën edhe më shqetësuese. Organizatat si ASGI dhe ActionAid paralajmërojnë për një precedent të rrezikshëm. Edhe në Bruksel, europarlamentarët Cecilia Strada dhe Alessandro Zan kërkojnë transparencë.”Manovrat e qeverisë janë të qarta; të cmontojnë kuadrin e të drejtave të garantuara duke përdorur presionin politike kur munden, ose duke shkelur ligjet ekzistuese. Në këtë optikë, kampet në Shqipëri bëhen zona të lira ku ligjet italiane, normativat europiane dhe Karta e të drejtave thelbësore të BE nuk zbatohen më”, shkruajnë në një komunikim mediatik europarlamentarët italianë Cecilia Strada e Alessandrop Zan.”Qeveria italiane po vepron në mënyrë të paligjshme, shkruajnë ata, minon ligjet europiane e i shndërron emigrantët në njerëz pa të drejta.”Dy europarlamentarët italiane i bëjnë apel Komisionit Eiuropian “të mos mbyll veshët ndaj abuzimeve të qeverisë italiane”.Nën firmën e një grupi europarlamentarësh, është kërkuar një interpelancë ndaj Komisionit Europian nëse ka qënë në dijeni të fakteve të 9 majit mes Tiranës e Romës, nëse c’ ka ndodhur a ka respektuar normativën europiane e çfarë synon të bëjë për respektimin e plotë të të drejtave europiane mbi azilkërkuesit, riatdhesimet e aplikimin e plotë të normativave ligjore europiane.”Gjithashtu Gianfranco Schiavone ekspert i emigracionit e anëtar i ASGI, shoqata për studime juridike në të drejtën e emigracionit, është shprehur për mediat italiane se “nuk është e pranueshme që një aziliant të dal jashtë territorit të kampit të Gjadrit e të riatdhesohet nga Shqipëria. Ky fakt nuk respekton të drejtat themelore të azilantit e shkel juriduksionin europian”.

    Për riatdhesimin e 5 shtetasve egjiptianë, qeveria italiane ka marrë me qera një charter që është nisur nga Tirana me kosto 113 850 euro, me një vlerë 31 770 euro më shtrenjtë nëse ky fluturim do të kryhej nga Italia e jo nga Shqipëria e rreth 6300 euro më shumë për secilin nga 5 azilantët egjiptianë të riatdhesuar.”I gjithë operacioni Shqipëria është i turpshën e opak e me një kosto shumë të madhe. Qysh në prill kur u shndërruan në qendra paraburgimi për dëbim, është e vështirë të marrësh informacoon e të kuptosh se cfarë i ndodh personave që transferohen në Shqipëri”, shkruajnë europarlamentarët.

  • Trump fajëson demokratët se publikuan raportin e inteligjencës iraniane, thirrje për ndjekje penale

    Trump fajëson demokratët se publikuan raportin e inteligjencës iraniane, thirrje për ndjekje penale

    Donald Trump thotë se “demokratët” kanë zbuluar një vlerësim të hershëm të inteligjencës, ku pretendohej se sulmet amerikane ndaj centraleve bërthamore të Iranit ishin më pak efektive sesa janë reklamuar nga presidenti dhe administrata e tij, dhe vetëm sa e kanë vonuar programin bërthamor të Teheranit me muaj, dhe ka bërë thirrje për ndjekje penale.

    Trump shkroi në platformën e tij Truth Social:

    Demokratët janë ata që zbuluan informacionin mbi FLUTURIMIN PERFEKT drejt centraleve bërthamore në Iran. Ata duhet të ndiqen penalisht!

    Raporti fillestar i klasifikuar amerikan i prodhuar nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes – krahu i inteligjencës së Pentagonit – arriti në përfundimin se sulmet e Trump ndaj objekteve bërthamore të Iranit gjatë fundjavës nuk shkatërruan dy nga vendet dhe zbuloi se komponentët kryesorë të programit bërthamor të Iranit, përfshirë centrifugat, ishin të aftë të rifillonin brenda muajsh.

    Kjo e ka vënë administratën Trump në mbrojtje sot, me zyrtarët që këmbëngulin se sulmet “zhdukën” aftësitë bërthamore të Iranit dhe sulmojnë median për mbulimin e raportit.

    Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth tha gjithashtu se nuk ishte në dijeni të ndonjë informacioni që sugjeronte se Irani kishte zhvendosur uraniumin e pasuruar shumë nga ndonjë prej tre vendeve bërthamore që goditën SHBA-të, dhe Trump tha gjithashtu, se “asgjë nuk u nxor nga objekti” përpara sulmeve. Sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë tha gjithashtu se nuk kishte “asnjë tregues” se uraniumi ishte zhvendosur./ The Guardian.

  • Një zjarr përfshin një magazinë në Ulqin, nuk dihen ende shkaqet

    Një zjarr përfshin një magazinë në Ulqin, nuk dihen ende shkaqet

    Në Ulqin të Malit të Zi, autoritetet janë duke punuar në shuarjen e një zjarri që shpërtheu në një magazinë përgjatë rrugës që çon drejt kripores. Siç shihet në pamjet e televizionit lokal Teuta, në vendngjarje kanë dalë njësitë e zjarrfikësve dhe ndihma e shpejtë, ndërsa policia ka bllokuar rrugën që të çon te vendi ku ka shpërthyer zjarri.

    Zjarrfikësit në vendngjarje kanë konfirmuar se është përfshirë nga flakët magazina e kompanisë “Agris”. Sipas informacioneve nga faqja e tyre zyrtare, kompania “Agris” merret me importin dhe shpërndarjen e produkteve kimike për pastrim, mjeteve mbrojtëse, shamponëve, detergjentëve, produkteve prej letre dhe pajisjeve për sektorin e gastronomisë.

    Një shtëllungë e madhe tymi shihet mbi objektin që është përfshirë nga flakët. Policia ende nuk ka dalë me ndonjë njoftim dhe nuk ka ende informacione nëse ka të lënduar nga kjo ngjarje.

  • Zjarr masiv në Ksamil, shikoni pamjet, zjarrfikësit dhe banorët në luftë me flakët

    Zjarr masiv në Ksamil, shikoni pamjet, zjarrfikësit dhe banorët në luftë me flakët

    Syri TV ka siguruar pamje të reja nga zjarri që prej disa orësh ka përfshirë një zonë me bimësi në Ksamil. Flakët vazhdojnë të përhapen me intensitet, ndërsa situata paraqitet problematike për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore, që e bën të vështirë ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse.

    Pamjet e ardhura në redaksinë e Syri Tv, rreth orës 22:50 të mbrëmjes së sotme, tregojnë zjarrin që ka mbuluar hapsira të mëdha dhe rrezikojnë edhe banesa. 

    Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse, të cilat po përpiqen të izolojnë dhe të shuajnë flakët me mjetet që kanë në dispozicion. Për shkak të terrenit të thyer, një pjesë e ndërhyrjes po kryhet me mjete të lehta dhe manualisht.

    Në ndihmë janë angazhuar edhe banorët e zonës, të cilët po kontribuojnë në përpjekjet për të ndalur përhapjen e mëtejshme të zjarrit dhe për të mbrojtur banesat dhe sipërfaqet përreth.

    Autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të respektojnë udhëzimet e strukturave të emergjencës, ndërsa situata vijon të monitorohet nga afër.