Day: June 22, 2025

  • Irani e pranon: U goditëm nga objekte armiqësore, impiantet ishin evakuuar më parë

    Irani e pranon: U goditëm nga objekte armiqësore, impiantet ishin evakuuar më parë

    Zyrtarë rajonalë në Iran kanë konfirmuar se impiantet bërthamore në Isfahan, Natanz dhe Fordow janë sulmuar, sipas raporteve të mediave shtetërore iraniane.

    “Pak orë më parë, pas aktivizimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore në Qom dhe identifikimit të objektivave armiqësore, një pjesë e zonës së impiantit bërthamor në Fordow u sulmua nga forcat ajrore të armikut,” tha një zëdhënës i qendrës së menaxhimit të krizave të rajonit të Qom-it, sipas agjencive të lajmeve Fars dhe IRNA.
    Impianti në Fordow ndodhet thellë në malet e veriut të Iranit dhe përmban centrifuga të avancuara për pasurimin e uraniumit në nivele të larta pastërtie. Besohej se vetëm bombat amerikane të llojit “bunker-buster” do të ishin në gjendje të dëmtonin impiantin, për shkak të thellësisë së tij.
    Zëvendësguvernatori për sigurinë në Isfahan konfirmoi se edhe impiantet në Isfahan dhe Natanz, që ndodhen në Iranin qendror, janë sulmuar.
    “Ne pamë depërtime pranë impianteve bërthamore në Isfahan dhe Natanz,” tha ai, duke shtuar se mbrojtja ajrore ishte aktivizuar për të “përballuar objektivat armiqësore”, por “u dëgjuan disa shpërthime,” cituan agjencitë guvernatorin.
    Sipas mediave iraniane, impiantet ishin evakuuar paraprakisht.

    Top Channel

  • “Fordow u shkatërrua”, përse Donald Trump vendosi të sulmonte sot

    “Fordow u shkatërrua”, përse Donald Trump vendosi të sulmonte sot

    “Fordow u shkatërrua”. Ishte ky një ndër disa postimet e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump pas sulmit të suksesshëm ndaj objektivave bërthamore të Iranit.

    Trump shpreson që sulmet që ai urdhëroi ndaj tre objekteve bërthamore iraniane do ta shtyjnë Teheranin të rikthehet në negociata dhe aktualisht nuk ka në plan të ndërmarrë veprime të tjera ushtarake brenda Iranit, ndërsa u bën presion udhëheqësve iranianë që të “bien dakord për t’i dhënë fund këtij lufte,” sipas burimeve të njohura me çështjen.
    Trump kishte filluar të besonte gjatë ditëve të fundit se forcat amerikane ishin të nevojshme për të shkatërruar objektet bërthamore të fortifikuara të Iranit, dhe mori vendimin kur u bë e qartë se diplomacia kishte ngecur.
    Ndërsa Trump vazhdon të shpresojë se diplomacia do të mund të vazhdojë, forcat amerikane në rajon janë të përgatitura për një kundërpërgjigje nga Irani.
    Ndërkohë banorët e një qyteti pranë impiantit Fordow dëgjuan shpërthime, raportojnë mediat shtetërore iraniane.
    Banorët e qytetit Qom, rreth 140 kilometra në jug të Teheranit, dëgjuan disa shpërthime jashtë qytetit të tyre, sipas agjencisë shtetërore iraniane FARS News.
    Impianti bërthamor Fordow ndodhet pranë Qom-it dhe është ndërtuar brenda një mali.
    Sipas FARS, shpërthimet ndodhën pasi u aktivizua sistemi i mbrojtjes ajrore në Fordow.

    Top Channel

  • SHBA sulmon Iranin, Trump: Goditëm 3 objekte bërthamore

    SHBA sulmon Iranin, Trump: Goditëm 3 objekte bërthamore

    Presidenti Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë kryer me sukses sulme ndaj tre objekteve bërthamore në Iran: Fordo, Natanz dhe Esfahan.

    “Kemi përfunduar me sukses sulmin tonë ndaj tre objekteve bërthamore në Iran, përfshirë Fordo, Natanz dhe Esfahan. Të gjitha avionët tanë ndodhen tashmë jashtë hapësirës ajrore iraniane,” shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social.
    Ai shtoi gjithashtu se në objektin Fordo është hedhur një ngarkesë e plotë bombash, dhe se të gjithë avionët janë rrugës për në SHBA.
    Sipas agjencisë Reuters, një zyrtar amerikan ka konfirmuar se bombarduesit B-2 kanë qenë të përfshirë në sulmet e SHBA-së ndaj Iranit.
    Bombarduesit stealth B-2 të SHBA-ve ishin zhvendosur në territorin amerikan në ishullin Guam, duke nxitur spekulime se mund të përdoreshin në një sulm të mundshëm ndaj Iranit.

    Top Channel