Day: June 22, 2025

  • Sa gjumë nevojitet gjatë fundjavës për ta pushuar trupin?

    Sa gjumë nevojitet gjatë fundjavës për ta pushuar trupin?

    Fundjava do të thotë një mundësi për një pushim të vërtetë për shumë njerëz, dhe për të kompensuar gjumin e humbur gjatë javës. Megjithatë, sipas ekspertëve, nuk mjafton vetëm të flini më gjatë, ekziston një gamë ideale orësh që lejon një rikuperim cilësor.

    Sipas BBC-së, është më mirë të flini midis shtatë dhe nëntë orësh gjatë fundjavave. Nëse keni fjetur shumë pak gjatë javës, mund të toleroni pak më shumë gjumë, por me moderim.

    Sa gjumë na duhet vërtet?

    Gjumi nuk është vetëm një rutinë e këndshme, është thelbësor për funksionimin e duhur të trupit. Ndërsa flemë, trupi riparon muskujt, rigjeneron organet dhe stabilizon funksionin e trurit. Gjumi i mirë është thelbësor si për shëndetin mendor ashtu edhe për atë fizik.

    Mungesa kronike e gjumit, veçanërisht nëse flini rregullisht më pak se shtatë orë, mund të rrisë rrezikun e obezitetit, diabetit, presionit të lartë të gjakut dhe sëmundjeve të zemrës.

    Megjithatë, as gjumi shumë i gjatë nuk është i padëmshëm. Efektet negative fillojnë të shfaqen kur flini më shumë se nëntë orë në natë. Një zakon i tillë mund të tregojë çrregullime të gjumit ose pagjumësi afatgjatë. Në këtë rast, rekomandohet të kërkoni shkakun dhe të konsultoheni me një specialist nëse është e nevojshme.

    Këshilla për pushim cilësor

    Gjëja më e rëndësishme për një gjumë më të mirë është e thjeshtë: flini mjaftueshëm, nga shtatë deri në nëntë orë, veçanërisht nëse nuk keni mundur të flini mjaftueshëm gjatë javës. Një orar i rregullt gjumi mund të ndihmojë në krijimin e një ritmi më të shëndetshëm.

    Nëse vuani nga stresi, pagjumësia ose ëndrrat e këqija gjatë javës, fundjava është një mundësi e mirë për të pushuar pak më gjatë, por mos e tejkaloni kufirin e nëntë orëve. Duke ndjekur këto rekomandime, mund të shfrytëzoni sa më shumë ditët tuaja të pushimit dhe të ndiheni më të freskët dhe më të pushuar

     

  • ‘Zoti ia forcoi zemrën Faraonit që u soll si idiot’/ Ja çfarë ndodhi në prapaskenë para sulmit të SHBA në Iran

    ‘Zoti ia forcoi zemrën Faraonit që u soll si idiot’/ Ja çfarë ndodhi në prapaskenë para sulmit të SHBA në Iran

    Me kërkesë të administratës ushtarake të Donald Trump, Forcat Ajrore Izraelite shkatërruan disa sisteme iraniane të mbrojtjes ajrore në 48 orët para sulmit amerikan ndaj objektit bërthamor të Fordow-it, thanë për Axios tre zyrtarë amerikanë dhe izraelitë.

    Vendimi historik i Trump-it për t’iu bashkuar luftës së Izraelit kundër Iranit përbën kulmin e muajve të bashkëpunimit intensiv, në disa raste edhe të tensionuar, mes SHBA dhe Izraelit lidhur me programin bërthamor të Teheranit.

    Ky partneritet arriti kulmin në orët e fundit para sulmit, kur Izraeli luajti një rol të drejtpërdrejtë në mundësimin e operacionit ushtarak amerikan.

    “Dua ta falënderoj dhe ta përgëzoj kryeministrin Bibi [Benjamin] Netanyahu. Punuam si ekip, ndoshta si asnjë ekip tjetër më parë, dhe kemi bërë hapa të mëdha për të zhdukur këtë kërcënim të tmerrshëm ndaj Izraelit”, tha Trump në një fjalim drejtuar kombit të shtunën, pas njoftimit për sulmet e paprecedenta.

    Çfarë ndodhi në prapaskenë?

    Kërkesa e Trump-it u bë drejtpërdrejt ndaj Netanyahu-t javën e kaluar, pasi presidenti vendosi të vepronte me një sulm ushtarak ndaj objekteve bërthamore iraniane, përveç nëse ndodhte ndonjë mundësi e papritur diplomatike.

    “Si mund të ndihmojmë?”, e pyeti Netanyahu, sipas zyrtarëve izraelitë nga ajo që raporton Axios.

    Trump i tha Netanyahu-t se dëshironte që Forcat Ajrore Izraelite të eliminonin sa më shumë sisteme iraniane të mbrojtjes ajrore në Iranin jugor, për të hapur rrugën për bombarduesit amerikanë B-2, të padukshëm në radar.

    SHBA-të më pas i dhanë Izraelit një listë me sistemet që donte të shkatërroheshin përpara sulmit, sipas Axios.

    Të enjten, Netanyahu dhe ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, zhvilluan një telefonatë me nënpresidentin amerikan, JD Vance dhe Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, për të vijuar koordinimin.

    “Ata na e bënë të qartë në atë telefonatë se do të vazhdonin me operacionin”, tha një zyrtar izraelit.

    “Në 48 orët para operacionit amerikan, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kryen disa sulme në zonë për të dëmtuar mbrojtjen iraniane”, shtoi ai.

    Sulmet izraelite, të përqendruara në Iranin jugor, kishin për qëllim të minimizonin rrezikun për bombarduesit amerikanë B-2 në rrugën drejt Fordoë-it, një objekt bërthamor i vendosur thellë nëntokë, që Pentagoni e goditi me bomba depërtuese 13 mijë 600 kilogramëshe.

    Çfarë thanë zyrtarët për Axios?

    “Ne nuk e shtymë SHBA-në të përfshihej në luftë. U treguam të kujdesshëm për të mos dhënë përshtypjen se po i tërhiqnim ata në luftë. Por për fatin tonë të mirë, Zoti ia forcoi zemrën Faraonit [udhëheqësi suprem iranian]. Khamenei, u soll si idiot dhe refuzoi çdo ofertë nga SHBA”, tha një zyrtar izraelit për Axios.

    Menjëherë pasi bombarduesit B-2 nisën kthimin për në SHBA, Trump e telefonoi Netanyahu-n për ta informuar mbi sulmin, sipas zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë.

    Trump i tha Netanyahu-t se me shkatërrimin e objekteve bërthamore iraniane, qëllimi i tij i radhës është të arrijë një marrëveshje me Teheranin dhe të sigurojë paqen.

    “Presidenti nuk dëshiron të vazhdojë me sulmet ndaj Iranit. Ai është gati të veprojë nëse Irani hakmerret ndaj forcave amerikane, por i ka thënë Netanyahut se dëshiron paqe”, tha një zyrtar amerikan.

    Një zyrtar izraelit e konfirmoi këtë mesazh nga Trump-i, duke shtuar: “Ende nuk e dimë se si do të reagojë Irani — dhe kjo mund të ndryshojë gjithçka.”

    “Por amerikanët na e kanë bërë të qartë se duan ta mbyllin këtë raund. Nuk kanë problem nëse ne vazhdojmë goditjet tona, por për ta, kjo histori ka përfunduar”, tha zyrtari, sipas asaj që raporton Axios.

  • ‘Konti’ i Elbasanit, krim dhe ndëshkim: Hakmarrja e Erion Alibejt

    ‘Konti’ i Elbasanit, krim dhe ndëshkim: Hakmarrja e Erion Alibejt

    Lufta për territor, influencë e pushtet, orienton krimin drejt përdorimit të armëve. Shpesh përdor intrigat për të dominuar qytetin dhe për të pasur linja të sigurta, duke eliminuar kundërshtarët.

    Në ndonjë rast zgjedh si mashë një tjetër grup të etur për hakmarrje, që të nxjerrë nga skena ata që konsideron rivalë dhe terreni t’i mbetet vetëm atij.

    Një histori, që në botën e krimit të organizuar konsiderohet si pabesia më e madhe, siç është rasti i “humbjes” së një sasi droge, jo rrallë ndodh të shkaktojë dhjetëra viktima.

    E vërtetë ose jo, duket se kjo nuk ka më rëndësi, për aq kohë sa pas një vrasje, hallka të tëra zinxhiri pasojë njëra-tjetrën, duke lënë pas skena krimi që për shumë kohë mbeten të pazbardhura.

    Ndodh të vriten edhe të pafajshëm, por kjo për ata që janë në anën e kundërt të ligjit konsiderohet thjeshtë një dëm kolateral dhe asgjë nuk ka rëndësi përderisa objektivi është arritur.

    Dhe gjithmonë humbet më i dobëti, ai që ka më pak përvojë. Duket se kjo ka ndodhur edhe në Elbasan. Një qytet i vogël për të prodhuar kaq shumë kriminalitet. Dy organizata dhe dy grupe kriminale.

    Por tashmë gjithçka po zbërthehet. Sa nga mesazhet në platformën SKY, sa nga bashkëpunëtorët e drejtësisë. Por edhe kjo ka një diferencë tjetër. Një vrasës me pagesë që kthehet në të penduar është një armë e fortë në duart e drejtësisë. Ai di shumë, por jo aq shumë sa mund të dijë vetë ai që e ka paguar.

    Erion Alibej është një nga ata që ka paguar vrasës për të marrë hakun e të vëllait dhe prej javësh po rrëfehet në cilësinë e bashkëpunëtorit në Gjykatën e Posaçme.

    Seancë pas seance, Alibej po tregon gjithçka ka bërë vetë por edhe çdo bisedë me persona të tjerë, që e orientuan drejt atyre që i vranë vëllain, Endrit Alibej në atë që njihet si “masakra e Bradasheshit”. E po aq sa vrasja e vëllait, një tjetër peshë e rëndë për Erion Alibejn është përhapja me shpejtësi e një të pavërtete siç e quan ai, që është “humbja” e 50 kilogramëve kokainë në Angli. Një informacion që ai e dëgjoi nga Suel Çela, por që këmbëngul se nuk është i vërtetë.

    E megjithatë, në një kohë kur shumë mistere ende mbeten të pazbardhura në një histori intrigash të thurura nga grupet kriminale, ka dhe një të vërtetë.

    Të katër grupet e Elbasanit u goditën nga SPAK dhe Policia. Çapjat, Çopjat, Alibej dhe Çelët. Por teksa drejtuesit dhe disa prej anëtarëve të këtyre grupeve kriminale janë në burg, vetëm Suel Çela vijon të jetë i lirë, ndonëse në arrati.

    Mes dilemave të herë pas hershme se kush e organizoi vrasjen e trefishtë në Bradashesh, grupi Çopja apo Çela, Erion Alibej ka vijuar rrëfimin e tij në gjykatë, duke dhënë detaje për çdo krim që ka porositur dhe çdo njeri që ka paguar për t’u hakmarrë. Teksa dëshmon, Alibej nxjerr Suel Çelën si njeri që e ka nxitur, ndoshta jo pa qëllim, që të ndodhte ajo që ndodhi. Me teorinë që kur zihen dy vetë, ndodh të përfitojë një i tretë.

    Erion Alibej: Ardian Çollaku që sot është i ndjerë, ka qenë informatori im më i besuar te kundërshtarët e mi. Ai ishte kudo, nga siguria që ata kishin me shtet e deri te biseda të tjera. Çollaku ka pyetur Mikael Kamamin, pse e keni nisur këtë punë. Ai i kishte thënë që Endriti ishte i tmerrshëm. Nga Çollaku mora vesh për herë të parë kush ishte Dashnor Dumani. Edhe lidhjen me Nuredin Dumanin. Ai më tha që ata kishin bërë një grabitje në Elbasan. Gjithë emrat që merrja vesh i kontrolloja në TIMS. Nga Çopjat e të tjerë. Me hyrje-daljet e tyre. Në atë kohë përveç Franc Çopjas, i cili u largua pas atentatit, të gjithë të tjerët ishin në një ishull grek, ata kishin bërë hyrje dalje me të njëjtat makina. Në atë periudhë u fokusova të këta, jo se Suel Çelën e kisha harruar. Suel Çela nuk ka qenë në mënyrë direkte përgjegjës për çfarë ndodhi në familjen time, por në mënyrë indirekte po, duke yshtur, duke folur për atë 50 kg drogë. Por ne nuk kemi pasur nevojë për 50 kg drogë.

    Me besimin e humbur tek Policia apo të gjitha autoritetet ligjzbatuese, Erion Alibej ka “hetuar” vetë për të zbuluar vrasësit e vëllait. Derisa në një moment është bindur. Ndonëse e kishte humbur besimin, ai sërish u vinte në dispozicion autoriteteve çdo informacion që gjente vetë me mënyrat e tij. Në rrëfimin e tij, Alibej thotë se të parët që ka informuar rreth autorëve të mundshëm të “masakrës së Bradasheshit”, kanë qenë Leonard Palushi, ish-shef Policie në Elbasan, i arrestuar në vitin 2022 për shpërdorim detyre, si dhe prokurori Ritvan Suka.

    Erion Alibej: Në atë periudhë unë kisha humbur besimin edhe te autoritetet. Edhe vetëm mundohesha të gjeja si kishte ndodhur vrasja, duke bërë vetë hetuesin për çdo gjë që ka ndodhur me familjen time dhe ia kam vënë në dispozicion shtetit. Të parit që ia kam vënë pasi u arrestova, ishte Leonard Palushi, të cilit i tregova kush ishin autorët.  Pas kësaj, në paraburgim, me erdhi prokurori, për të cilin isha në burg. Prokurorit Ritvan Suka, ia kam thënë të gjitha, i kam thënë bashkojini çështjet se janë të njëjtët njerëz.”

    Bindjen se pas vrasjes së vëllait të tij ishin vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja, Erion Alibej duket se e krijoi pas takimit me Suel Çelën në Roterdam, konkretisht pasi pa një person, i cili nxitoi të largohej që të mos përballej me të. Gjatë rrëfimit të Alibejt, dalin në skenë edhe emrat e dy personave nga Shkodra. Genc Tafili dhe Dorian Duli, personazhe të njohur, të cilët në dosjen metamorfoza rezultonin të ishin në shënjestër të grupit Bajri për t’i eliminuar, bashkë me Ibrahim Licin. Emra që në fakt dëshmojnë edhe një herë lidhjen që ekziston mes grupeve të Elbasanit dhe atyre të Shkodrës, madje siç del në vijim të rrëfimit të bashkëpunëtorit të drejtësisë edhe me persona të tjerë nga Fushë – Kruja. Një lloj aleance që është provuar edhe në raste të tjera të hetimeve të SPAK. Por në rastin konkret, duket se dy shkodranët, ishin thjeshtë pjesë e një skenari që synonte të çorientonte “hetimet” që po kryente vetë Erion Alibej.

    Erion Alibej: Pas takimit me Suel Çelën në Roterdam, Liman Idrizin, njeriun më të afërt të Franc Çopjas e kam hasur në një berberhane atje. Unë ika, u largova. Ai doli për të na parë. Pasi u larguam vendosëm të kthehemi që ta pyesnim pse ma bëri. Por kur u kthyem gjetëm vetëm berberin të frikësuar që na tha se di çfarë pati, ai u largua dhe ia kam lënë flokët gjysmë të qethur. Aty dyshimet se e kishim nga vëllezërit Çopja mu bënë më të mëdha. Atëherë vendosa të largohesha nga Roterdami sepse nuk isha i sigurt. Unë u largova nga Holanda dhe doja të takoja Genc Tafilin, sepse ai kishte diçka për të më thënë. Ai erdhi bashkë me Dorian Dulin në shtëpinë time. E pyes çfarë është? Me thotë që Duli ka bërë takim me Talo Çelën dhe dy mirditorë dhe i ka sjellë Kamer Mehja dhe Bert Suli. Sepse Endriti e kishte qëlluar me shpullë. Unë insistova kush ishin mirditorët. Edhe pse Genci nuk më tha kush ishin, pasi iku Genci i shkrova Suel Çelës, sepse Mehja është njëri i afërt i Suelit dhe nëse flisje për Mehjan zëre se flisje për Suelin dhe po më afrohej prapë pista e Suelit.”

    Në një takim tjetër me Suel Çelën dhe pasi ka kryer testimet e tij edhe në lidhje me informacionet që i vinin nga personat nga Shkodra, aty ka dalë në skenë një tjetër shkodran, që në fakt siç treguan hetimet e mëvonshme të SPAK, punonte për vëllezërit Çopja. Bëhej fjalë për Flobenc Meçen, i njohur dhe më 17 emra dhe pseudonime të tjera, i cili u arrestua më 23 maj 2025 teksa drekonte bashkë me Xhevdet Plakun dhe 5 persona të tjerë. Një personazh që kërkohej edhe nga Blgjika për vrasjen e Arjan Spahiut, që po ashtu ishte pjesë e grupit Alibej. Në rrëfimin e tij, Alibej shpjegon se sa më shumë i lidhte informacionet, aq më shumë bindej se po thurej një plan për ta nxjerrë në pritë dhe se ofroheshin shuma të majme për ta eliminuar.

    Erion Alibej: I kërkova Suelit takim në shtëpinë time. Pranoi fillimisht, por me tha pse të vij aty se janë katunarët, e kishte për Çapjat, edhe më tha të shkoja të tregu. Shkova atje në aksham. Te tregu më pret Kamer Mehja, Marjo Çela, Metin Mehja dhe ulemi diskutojmë. Doja t’i testoja. “Ka qenë e nevojshme të hidhje fishekzjarre kur vdiqën familjarët e mi”? –  i thashë. Ai me tha që s’e kam bërë dhe pas kësaj bisede ia thashë hapur. Ai mu betua që s’kam lidhje. Pasi u sqarova me të, e besova sepse edhe informacioni me erdhi nga dy persona intrigantë, Genc Tafili e Dorian Duli. Në këtë kohë më erdhi një informacion shumë i vlefshëm. Një miku im, Ermal Sinani, që rrinte në Peqin, shkon në Fushë-Krujë. Aty ai kishte takuar Flobenc Meçen, të cilin e thërrisni Coli. Ky e ka ditur që Ermali ishte miku im. I shpjegon se kishte qenë me Altin Ndocin në burg dhe më kërkoi takim me Dorian Dulin. Në këtë takim kishte qenë Talo Çela, Mikel Kamami, Altin Ndoci. Dhe bisedat e bëra ishin të tilla: “Thuaji sa lekë do dhe ma vrit Erionin. Ose në të kundërt hiq dorë”. Ata gjoja kishin refuzuar, por mua më ka rezultuar ndryshe, pasi Duli dhe Tafili kërkonin të më nxirrnin nga shtëpia dhe këmbëngulnin. Besoj se ata donin të më nxirrnin në pritë.

    Gjatë rrëfimit të tij, Erion Alibej në një formë hedh dyshimet e tij se mund të jetë shitur edhe nga vetë autoritetet shtetërore, të cilëve tregon se herë pas here u ka dhënë informacione për vendndodhjen e Talo Çelës, që në atë kohë ishte një nga personat më të kërkuar nga Policia. E megjithatë ai thotë që jo vetëm nuk u veprua për kapjen e tij, por gjithçka po i kthehej kundër. Nisën të vriteshin njerëzit e tij, madje edhe djali i dajës, Andi Zylyfi. Kjo ishte arsyeja pse Alibej, ndonëse ishte person në kërkim, u investua të siguria e tij, i bindur tashmë që do ishte radha e tij për t’u vrarë. Shpjegon se Suel Çela kontrollonte kamerat e gjithë qytetit, ndërsa vetë ai kishte akses në disa prej tyre. Por nga ana tjetër, lëvizte me motor si shpërndarës picash për të verifikuar terrenin, por edhe informacionet që i vinin, disa prej të cilave e çuan tek Emiljano Ramazani. Dhe sërish, edhe pse nuk kishte më besim tek drejtësia, edhe informacionet në lidhje me Emiljano Ramazanit, ai ia çoi Policisë dhe Prokurorisë.

    Erion Alibej: Në kohë dhe në momente të ndryshme unë i kisha dhënë shtetit edhe vendndodhjen e Talo Çelës. Doja ta gjeja atë. Pasi dhashë gjithë këto informacione, por nuk u bë asnjë veprim, përkundrazi çdo gjë që i jepja shtetit, më është kthyer bumerang. Çdo 6 muaj unë kisha mort në shtëpi. Pas vrasjes se vëllezërve Baho, pra vrasja e njërit dhe plagosja e tjetrit. Pas 6 muajsh vrasin Andi Zylyfin kushëririn tim, i cili rrinte shumë pranë familjes time. Pasi vranë Andin unë kam qenë te familja ime, isha në kërkim, në atë periudhë kisha investuar vetëm te mbrojtja ime, sepse deri pas vrasjes së vëllezërve Baho unë ruhesha nga të gjithë nuk e dija kish ma kishte bërë. Pasi më vranë djalin e dajës, në shtëpi më kanë ardhur 2 makina duke brohorit. Madje dhe në sy të patrullës së Policisë. Unë kam bërë verifikime vetë. Dilja në qytet si shpërndarës picash me motor, edhe pse kisha një pjesë të kamerave të qytetit, pasi për gjithë qytetin, kamerat i kishte Suel Çela. Tek shtëpia e Emiljano Ramazanit identifikova 2 automjete dhe me pas i verifikova me kamerat e sigurisë. Dua të them se kisha çdo informacion që më korrespondonin dhe ia vura në dispozicion Policisë dhe prokurorit. Pas ngjarjes së Andi Zylyfit unë vetëdorëzohem në Polici bashkë me avokatin tim, më pas dola në arrest shtëpie.

    Nga ana tjetër, Erion Alibej tregon edhe pse po investohej kaq shumë në gjetjen e Talo Çelës, të cilin siç thotë ai e donte gjalla ose të vdekur. Sipas tij ai ishte kryesori dhe dinte çdo gjë për të. Madje ishte i bindur se nëse do arrestohej nga Policia ai do të fliste. Kjo ishte arsyeja pse Arjan Spahiu i sugjeroi që duhej të bëhej një takim me Nuredin Dumanin. Pa çka se Alibej e dinte që i vëllai i Dumanit, Dashnori, i ekstraduar nga Dubai më 11 qershor 2025, kishte marrë pjesë ne “masakrën e Bradasheshit”, ku u vra vëllai i tij, sërish ishte gati të bënte një pakt, vetëm për të arritur në gjurmët e Talo Çelës.

    Erion Alibej: Kërkoja vetëm Talo Çelën me çdo kusht, të gjallë, të vdekur. Doja çdo informacion për të. Djali i dajës me tha: “Pashë Fatos Gosën pas meje me një BMË rrugës për Peqin”. Talo ishte kryesori për mua sepse ai dinte çdo gjë për mua, rrugët i njihte mirë. Unë doja që ai dhe të kapej nga Policia se e di që do fliste. Arjan Spahiu me tha se kam info, i kam marrë vesh të gjitha dhe duhet të bëjmë një takim me Nuredin Dumanin. Pranova. Diku në fund të shkurtit të vitit 2020, Nuredinin e mori Arjani, e solli në pallatin ku unë jetoja, në një shtëpi të marrë me qira. Nuredini kishte dëgjuar që unë hidhja lekë për Talo Çelën dhe më tha: “Talo është bërë i vështirë për t’u kapur por unë e di kush janë ekzekutorët e familjes tënde”. Filloi të më tregonte emrat. Talo Çela, Besmir Haxhia, Altin Ndoci. Edhe tek vëllezërit Baho dhe djali i dajës kanë qenë po këto më tha. Unë e dija që kishte qenë dhe Dashnor Dumani, e kisha si info.

    Ishte pikërisht biseda me Nuredin Dumanin, që e nxiti të thurte planin e hakmarrjes. Duheshin eliminuar të gjithë ata që, jo vetëm do vinin në lëvizje Talo Çelën, por edhe kishin lidhje me grupin rival që pas vrasjes së Endrit Alibejt, kishin vënë në objektiv vetë atë, Erion Alibejn.

    Erion Alibej: Unë kërkoja me ngulm kokën e Talo Çelës. Për të shkuar tek Talo Çela, Dumani më tha se duhet të fillojmë me vrasjen e Dorjan Shkozës. Aty Talo do e kuptojë që e kam bërë unë dhe aty do e kap Talon. Mua më interesonte me çdo çmim Talo Çela. Ramë dakord që të vijonim ekzekutimet. Në atë takim nuk u bë ndonjë liste ekzekutimesh. Menduam dhe ramë dakord që ta nisim nga vrasja e Dorjan Shkozës me qëllim që të kapnim Talo Çelën. Nuredinit i thashë çfarë kërkon nga unë? Me tha: “Dua gjysmën e shumës. Për çdo vrasje marr 100 mijë euro. Nga ty dua gjysmat e parave. Çunat i kam gati”. Ok i thashë Dumanit. I thashë që do betohem në Kuran dhe do të fal gjakun e vëllait, për shkak se Dashnor Dumani është personi që ka marrë pjesë në vrasjen e vëllait tim, Endrit Alibej. Regjistrimin me 2 ore e 48 minuta të bisedës që kam bërë me Nuredinin nuk e kam, e kam fshirë. Pas bisedës me Dumanin fola me Arjan Spahinë për paktin që bëmë. Mora 50 mije euro dhe një iPhone 6 të enkriptuar dhe kodin ia vura vetë.

    Në rrëfimin e tij Alibej tregon se në realizimin e vrasjes së para nga Nuredin Dumani, bashkë me Dorjan Shkozën ishte ekzekutuar edhe Anxhelo Avdia, që në fakt nuk ishte në planet e tij. Ndërsa tregton edhe vendin se ku blinte armë, të një hoxhë që qëndronte në zonën e “Freskut”, në Tiranë.

    Erion Alibej: Ramë dakord për vrasjen e Dorjan shkozës. Në atë periudhe flisja vetëm për Talo Çelën. Një natë me shkruan Nuredini dhe më thotë: “Mbaroi i pari”. I them kush? Me thotë shikoje në televizor. Pashë që ishin vrarë Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdia. Po ku tjetri i them nga doli? Ne shpejtim e sipër më thotë dhe ai nuk ishte kot se ishte i atyre. Para se Nuredini të vijonte me këtë ngjarje, unë kisha lidhur kontakte me një hoxhë në Tiranë. Ai shiste armë dhe blinim armë tek ky Hoxha. Rrinte tek Fresku.

    Një tjetër personazh që Erion Alibej e tregon si një njeri që luante me shumë porta, ishte edhe Eljo Bitri. Nga njëra anë ai punonte për grupin e vëllezërve Çopja, por nga ana tjetër informonte edhe për planet që ata kishin që të vrisnin Erjon Alibejn. Përmes tij, kishin vënë kontakte me Mikael Qosen, që ishte krahu i djathtë i vëllezërve Çopja. Ndonëse ishte në dijeni të takimeve të Dumanit me Alibejn, i kishte ofruar deri në 2 milionë euro për ta vrarë. Aq sa bënte pazar me Nuredin Dumanin, i cili në këmbim të vrasjes së Alibejt i kërkonte Talo Çelën.

    Erion Alibej: Pas vrasjes së vëllezërve Haxhia, Nuredini erdhi në shtëpinë time dhe në atë kohë ka qenë kohë Covidi. Doja të lidhja një kontakt me vëllain e Nuredinit, Dashnor Dumanin, që ishte njeriu më i afërt i ekzekutorëve të familjes time. Dashnori jetonte në Gjermani në atë kohë dhe i çova një telefon SKY nëpërmjet një të njohurit tim. Me anë të Eljo Bitrit lidhim kontakt me Mikael Qosen dhe isha i pranishëm tek çdo bisedë. Mikael Qosja i thotë një moment Nuredin Dumanit: “Ke 2 milionë euro për të vrarë Krymin”, pra mua. Dumani i tha Mikeal Qoses: “Që të vras Erion Alibejn dua të më japësh Talo Çelën. Por edhe ata ishin në dijeni që Dumani kishte filluar të bashkëpunonte me mua për vrasje pasi informator kishin Eljo Bitrin. Dua të sqaroj se Eljo Bitri ka luajtur me të gjithë. Ka dërguar informacion tek Çapjat, tek Çelët, luante me të gjithë për interesa.

    Planet për vrasje vazhduan. Në listë ishte vëllai i Talo Çelës, Bujar Çela, Regis Runaj dhe Emiljano Ramazani. Ndërsa si informator shërbente Eljo Bitri dhe Xhulian Hoxha. Erion Alibej tregon se si u thur plani dhe çfarë synohej me eliminimin e tyre.

    Erion Alibej: Morëm një makinë bashkë me Nuredinin dhe e lamë në një garazh te dajat e mi në Peqin. E morëm për ta pasur për punë në gatishmëri, për të bërë vrasje. Më pas e afruam makinën dhe i kërkova nder Arben Lazes për ta lënë në një kapanon afër Metalurgjikut. Po interesoheshim edhe për Bujar Çelën, vëllain e Talo Çelës. Në atë kapanon ka fjetur disa ditë Dumani bashkë me çunat e Fushë Krujës, për të ekzekutuar Bujar Çelën. Vrasja u la pak më vonë dhe gjatë kësaj kohe u diskutua për vrasjen e Emiljano Ramazanit. Informator kisha Eljo Bitrin dhe Xhuljan Hoxhën. Ky më informonte edhe për Regis Runajn apo Bujar Çelën. Ramazani ishte njeriu me aktiv i vëllezërve Çopja dhe Bujar Çela, që ishte njeriu më i afërt i Talo Çelës. Ne vendosëm që të vrasim dhe Bujar Çelën sepse komunikonte me telefon me Talo Çelën. Vrasjen e Ramazanit e mori përsipër ta bënte Skerdi Tase, nipçja dhe  kusho. Kishim informacion se Ramazani shkonte në palestër. Xhulian Hoxha dinte çdo lëvizje. Njeriu më i brendshëm i tyre ishte Xhulian Hoxha.

    Në rrëfimin e tij, Erion Alibej shpjegon të gjitha detajet e ngjarjeve. Kush ka marrë pjesë, mjetet dhe armët e përdorura, sa para janë paguar dhe si janë dorëzuar paratë. Ndërkohë shpjegon edhe planin se si pas vrasjes së Emiljano Ramazanit, armën e krimit kishin vendosur ta linin tek shtëpia e Bujar Çelës, në mënyrë që grupet të përplaseshin me njëri-tjetrin.

    Erion Alibej: U organizuam për ta vrarë tek palestra por nuk e vramë dot. Ditën e ekzekutimit ka qenë sërish tek palestra Ramazani dhe informator kishim Eljo Bitrin e Xhuljan Hoxhën. Henrik Hoxha ishte në timon, Skerdi Tase ishte pasagjer dhe e pritën në rrugë kryesore pranë pallatit ku kishte shtëpinë. Ka ardhur makina e Ramazanit, një “Ford” ngjyrë gri. Ka dalë Skerdi Tase dhe e ka qëlluar me një pistoletë TT që ia kisha siguruar unë. Pas ekzekutimit kanë djegur makinën në dalje të Elbasanit dhe e kanë lënë pistoletën në një fshat afër shtëpisë së Sandër Bahos dhe kishim menduar që pistoletën ta linim tek shtëpia e Bujar Çelës që të përplaseshin grupet me njëri-tjetrin. Henrik Hoxha gjithmonë kur merrte pjesë në vrasje merrte makina me qira, lëvizte me këto lloj makinash. Ramazanin e kam njohur më parë, kisha marrëdhënie me atë. Ramazani ishte shpërndarës droge në Elbasan dhe e njihnin të gjithë. Unë e njihja si mik të Mikael Qoses dhe kam pasur marrëdhënie të afërt. Për çdo vrasje është paguar 100 mijë euro. Për vrasjen e Emiljano Ramazanit kam paguar 75-80 mijë euro. Kam dërguar Arsen Preçin tek rreth rrotullimi i TEG dhe aty ka ardhur një vajzë që ishte lidhje e “Kushos” që ka marrë lekët. Kjo vajza ishte me taksi, kështu më ka thënë Arseni.

    Me radion e Policisë, që ia kishte dhënë vëllai i Suel Çelës, Alibej ka mësuar edhe vrasjen e Emiljano Ramazanit. Ndërsa, ndryshe nga plani për të vendosur pistoletën tek shtëpia e Bujar Çelës, Nuredin Dumani e ka informuar se në fakt e kishin lënë tek servisi i Seit Manahasës. Që ky informacion të binte në veshin e Policisë është përdorur një tjetër personazh, Bujar Gërmizi nga Kukësi, që po ashtu është pjesë e një tjetër dosje të SPAK. Gërmizi, ka takuar ish-shefin e Policisë së Elbasanit, Leonard Palushin, që po ashtu ishte nga Kukësi, të cilin e ka orientuar drejt armës, duke i thënë se përmes saj do të zbardhej një ngjarje. Dhe në fakt, Palushi ka dërguar Policinë në adresën e dhënë, duke gjetur armën dhe më pas u bënë edhe arrestimet, që në fakt u mësuan shumë shpejt që ishin një kurth dhe të arrestuarit nuk kishin lidhje me vrasjen e Emiljano Ramazanit.

    Erion Alibej: Një radio policie ma dha Mario Çela dhe vrasjen e Ramazanit e mora vesh në komunikimet në radio. Ndërsa pistoletën e lamë tek shtëpia e Bujar Çelës, për t’i përplasur me njëri-tjetrin, që të dilte në skenë edhe Talo Çela. Në diskutim në telefon me Nuredinin, 4-5 ditë pas vrasjes së Ramazanit, më thotë që armën e krimit ta lëmë tek Seit Manahasa dhe e miratoj. Armën e ka vendosur në servisin e Manahasës, e çoi Kapllani, që u vra në Rrogozhinë dhe për këtë punë mori 8 mijë euro. Këtë ia kam treguar Bujar Gërmizit, që i thashë të çojmë Leonard Palushin për të bërë kontrolle. Dhe Bujari e ka takuar Leonard Palushin dhe i ka thënë që do zbardhesh një ngjarje dhe po të jap një informacion. Di që Palushi ka dërguar Policinë, ka gjetur armën dhe janë bërë dhe arrestimet.

    Pas vrasjes së Emiljano Ramazanit, ishte radha e Regis Runajt. Vrasje që u planifikua të kryhej me thikë, në mënyrë që të mos bëhej shumë zhurmë.

    Erion Alibej: Pas vrasjes së Ramazanit, e pyeta Nuredinin si mendon për vrasjen e Regis Runajt dhe pasi mora miratim i them Xhuljan Hoxhës: “Vazhdo me vrasjen e Runajt, jo me armë zjarri por me thikë që të mos bëhej shumë zhurmë. Kam biseduar me Xhuljan Hoxhën për vrasjen që kishte bërë, që për mua ishte masakër jo vrasje, pasi e kishte qëlluar disa herë me thikë.

    Pasi dështuan që ta përfshinin Bujar Çelën në vrasjen e Emiljano Ramazanit, duke i faturuar armën e krimit, u vendos që ai të vritej. Por plani i parë dështoi. Në një moment atentatorët u tërhoqën.

    Erion Alibej: Bujar Çela, vëllai i Talo Celës, ishte njeriu më i afërt i tij. Ka qenë taksist. Kemi pasur informacion edhe nga Eljo Bitri. Pas vrasjes së Emiljano Ramazanit e vendosa unë dhe e diskutova edhe me Nuredinin që armëm e krimit të vrasjes ta vendosim te shtëpia e Bujar Çelës. Shtepinë ia dija se kisha informator pranë tyre. Bujar Çela kishte një pikë shumice, ndërsa Xhulian Hoxha shkonte atje. Nuk arritëm që Xhuliani të merrte një qese apo diçka që kishte prekur Bujari me dorë për gjurmët. Donim ta groposnim pranë shtëpisë, të krijonim përplasje mes tyre. Me anë të policit Palushi, që njihja, do t’i tregoja atij që e ke armën te shtëpia e Bujarit por nuk arritëm t’ia bënim këtë. Vendosëm që Bujarin ta ekzekutonim. U angazhua Henrik Hoxha dhe ata komunikonin me Nuredinin. U angazhua kushoja me nipçen për ta vrarë Bujar Çelën. S’e di pse u tërhoqëm në atë kohë se ishte objektiv shumë i thjeshtë.

    Vrasja e vëllait të Talo Çelës, u realizua pasi u ekzekutua miku i Nuredin Dumanit, Klavis Kapllani. Alibej tregon se si i ka orientuar lëvizjet e atentatorëve, duke qenë se i vinte në ndihmë radioja e Policisë dhe përmes saj kontrollonte se cilat rrugë ishin më të sigurta.

    Erion Alibej: Për vrasjen e Bujar Çelës u nisën direkt pas vrasjes së Kapllanit, shokut të Nuredinit. Çunat e Fushë – Krujës i kanë sjellë Nuredinin dhe një makinë pune. Një person i pa çunat e Fushë – Krujës me maska dhe janë trembur e kanë ikur për një moment. Pasi janë rikthyer, janë afruar dhe e kanë qëlluar. Pasi e kanë vrarë ka shkuar Nuredini, janë larguar dy makinat. Kanë ikur të gjithë më pas me një “E Class” direkt për Fushë – Krujë. Kisha radio policie dhe i thash ik direkt drejt se e ke rrugën bosh. Me telefonon Agim Lleshi dhe më thotë Erjon a je në gjumë ? Po i thash. Ai me tha se kanë vrarë vëllain e Talo Çelës. Nuredini rrinte tek një hotel që ia kishte siguruar Bes Xhixha. Nuredini më ka thënë dhe i kam çuar 60-70 mijë euro nuk e mbaj mend shumën. E kam çuar në afërsi të Vorës, pranë një karburanti. Të nesërmen më vjen një autokolonë Policie. Nuk kam bërë rezistencë.

    Në një moment, rrëfimi i Erion Alibejt ndërpritet nga të pandehurit e pranishëm në sallë, Enver Diva dhe Xhulian Hoxha.

    I pandehuri Enver Diva: A i ke parë vetë apo t’i ka thënë Nuredin Dumani?

    I pandehuri Xhulian Hoxha: Si e ka marrë informacionin? Kam qenë në shtëpi, s’kam qenë kurrë afër Bujar Çelës, se kam qenë në burg në atë moment.

    Alibej ka vijuar rrëfimin e tij, duke shpjeguar edhe rolin e personazheve nga Fushë-Kruja, por edhe emrat e atyre që e morën përsipër fillimisht vrasjen e Bujar Çelës e më pas u tërhoqën.

    Erion Alibej: Nuredini ka qenë organizatori i gjithçkaje, përveç Regis Runajt. Unë i kam ofruar gjithçka që ai kërkonte. Çunat e Fushë – Krujës, Besin dhe Verin s’i kam parë kurrë. Kur u ekzekutua Kapllani, çunat e Fushë – Krujës kanë pasur informacion. Nuredinin e strehoja te një pallat pranë shtëpisë time në atë kohë kur u vra Kapllani. Ishte shtëpia e vjehrrit të Arjan Spahiut. Ka folur atë natë Nuredini me çunat e Fushë – Krujës. I thashë largo makinën me çunat e Fushë – Krujës nga aty poshtë pallatit se do ju ngecin edhe vrasjen e Kapllanit. Kur Nuredini i mori të dy, i mori si ekzekutorë. Nuk ndaheshim kurrë çunat e Fushë – Krujës nga njëri – tjetri. Ne kemi folur me Xhulian Hoxhën pa qenë i arrestuar. Ka qenë puna e parë me Bujar Çelën, që e mori përsipër Skerdi Tase dhe kushoja, Enrik Hoxha që pastaj u tërhoqën.

    Ndonëse ishte arrestuar, Erion Alibej shpjegon se edhe në paraburgim ka vijuar të mbajë kontakte me Nuredin Dumanin, me të cilin komunikonte përmes një telefoni që kishte SKY dhe kishte arritur ta fuste brenda. Madje shpjegon se ka qenë ai, i cili e ka orientuar Nuredin Dumanin që të shkonte në Kukës, tek miku i tij Bujar Gërmizi.

    Erion Alibej: Xhulian Hoxhën e pajisa me Encrochat dhe me SKY. E kisha angazhuar Xhulian Hoxhën për lëvizjet e Bujar Çelës dhe për të marr diçka që Bujari i kishte prekur në mënyrë që t’ja ngecnim vrasjen e Ramazanit. Xhulian Hoxhës s’i kam thënë kurrë që do e vras Bujarin por besoj se e ka marrë vesh se pse po ja kërkoja informacionet. Xhulian Hoxhës nuk mbaj mend sa i kam dhënë, por i kam dhënë shpesh para. Sistematikisht. Mi jepte infot me enchro. Këto info i ndaja me Nuredinin. Ne donim info në kohë reale se nuk mundej Nuredini. Edhe Nuredini e dinte se ku i merrja infot për Bujar Çelën. E dinte që unë kisha Xhuljan Hoxhën informator. Familja e Nuredinit ishte aty. E kisha nën kontroll. Xhulian Hoxhës s’i kam folur kurrë për Nuredinin. Armët i siguroja unë. Te ky episod i kam dhënë pistoletë Nuredinit. Por ai ka pasur edhe vetë armë. S’më kujtohet mirë si armë. Nuredini ma ka shpjeguar edhe se si ndodhi historia. Pas krimit Nuredini ka qëndruar në Fushë – Krujë në një hotel te çunat e Fushë – Krujës. Kam folur me Nuredinin në SKY. Kam arritur ta marr aplikacionin edhe në paraburgim. Me anë të një shokut tim e kam çuar Nuredinin në Kukës tek Bujar Gërmizi, një mikun tim atje.

    Ndoshta i bindur se shumë njerëz që kishte afruar pranë vetes për planet e tij, në një moment do i dilnin nga fjala, ashtu siç kishte bërë edhe me Nuredin Dumanin, duke e regjistruar bisedën me të, në të njëjtën formë Erion Alibej kishte vepruar edhe me të tjerë. Edhe Xhulian Hoxhën, që ai thotë se e informonte për gjithçka e kishte regjistruar. Kërcënimeve të tij se do të fliste e do tregonte gjithçka, Alibej i kishte paraprirë duke e përgjuar e më pas gjithçka ua ka dhënë prokurorëve.

    Erion Alibej: Xhulian Hoxhës i kam dhënë vetëm pagesa sistematike. Për vrasjen e Bujar Çelës nuk i kam dhënë se ka qenë në burg. Pagesat ia kam dhënë sistematiksht me data fikse ose kur i kërkonte për informacionet që më jepte. I kam dhënë edhe bashkëshortes së tij pagesa. Madje ky më kërcënonte, më thoshte do flas e të tilla gjëra. Dhe i kam çuar familjarë të mitë, e kam incizuar madje në makinë për kërkesën e lekëve, ia kam dhënë edhe prokurorëve këtë përgjim. Familjarë të mitë e kanë përgjuar kur i jepnin lekët. Xhuliano Hoxha më informonte për gjithçka. Për Talo Çelën, Xhuliano Hoxha ka pasur dijeni se unë doja ta vrisja. Unë flija dhe zgjohesha me idenë për të vrarë Talo Çelën. Se ato trimat e Dubait nxirrnim të tjerët në rrugë. I hodhën në rrugë si qen. Në lidhje me Bujar Çelën i kam kërkuar çdo informacion, çdo veprim. Më ka çuar foto dhe të dhëna. Ia kam shpjeguar Xhulianos.

    Teksa dëgjonte rrëfimin e Alibejt në sallën e gjyqit, Xhulian Hoxha, i pranishëm si i pandehur, e ndërpret me pretendimin se nuk ka lidhje me ato që thotë. Madje kërkon që të zbardhen këto biseda, duke thënë se Alibej kërkon ta përplasë me shokët e tij të fëmijërisë.

    Xhulian Hoxha: Zbardhni bisedat e mija me Erionin. Nuk kam të bëj. Se për Bujar Çelën është një person tjetër, Halili, dhe ka bërë deklarime. Për çdo ngjarje keni dvr-në e kamerave të shtëpisë time. Dhe me bisedat unë kam qenë në shtëpi, s’kam qenë mbrapa askujt. Kam qenë në shtëpi. Unë kam qenë shok me atë dhe ai ka mllef me mua. Ai thotë që s’më ka njohur, unë jam rritur me të. Nuk kam lidhje fare, hapni të dhënat. Më jepni 300 vite burg plus nëse kam lidhje me këtë. Ky kërkon të më përplasë mua me shokët e fëmijërisë time. Ky këtë do. Unë kam qenë edhe dy muaj burg. Ky do të më fusë mua në hasmëri me miqtë e fëmijërisë.

    Në rrëfimin e tij, Erion Alibej i kthehet herë pas here asaj që e rëndon më shumë. Vrasjes së vëllait, por edhe kurthin që u ishte ngritur me pretendimin e humbjes së 50 kilogramëve kokainë, që me gjuhën e trafikantëve quhet “gol”. Madje duke dashur të përforcojë edhe më shumë idenë se kjo është një e pavërtetë e “shpikur” për të nxitur hakmarrjen, ai nxjerr në skenë një emër të rëndësishëm në fushën e narkotrafikut, siç është Dritan Gjika. Një emër që në Shqipëri rezulton i pa skeduar, por ndërkohë kishte një peshë të madhe për autoritetet europiane dhe ato të Amerikës së Jugut. Dritan Gjika u arrestua më 26 maj 2025 në Dubai dhe konsiderohej si një nga grosistët më të mëdhenj të kokainës në Ekuador e më gjerë. E pikërisht me këtë personazh Alibej thotë se ishte lidhur ai dhe i vëllai, Endriti. Derisa në një moment, gjithçka që fitoi e humbi, duke mbetur pa asgjë.

    Erion Alibej: Unë dhe Endriti kishim nisur një marrëveshje biznesi. Me drogë normalisht, por s’kemi qenë përzier kurrë me vrasje. Kemi pasur njeriun më te rëndësishëm. U lidhëm me Dritan Gjikën. Endriti dhe shtetasi turk që u vra, mik i familjes tonë, kishim nisur një ngarkesë prej 530 kg kokainë për në Turqi. Kishim investuar gjithçka aty. Këta njerëz kishin përgjegjësinë e nxjerrjes nga Porti i Mersinit. Ngarkesa u sekuestrua dhe nuk u arrit të nxirrej se mu vra vëllai dhe turku, miku ynë. Ngarkesa arriti rreth dy javë pas vrasjes. Kjo ka qenë për të na nxjerrë jashtë loje. Këtë interes e kanë pasur shumë. Më shkatërruan edhe nga ana ekonomike. Shkova deri për bukën e gojës. Por unë e nxirrja veten sikur kisha shumë lekë por ndërkohë s’kisha asgjë. Me dy shokë që kisha lidhja, një punë në Angli kam punuar shumë me kokainë, u përmenda në të gjithë Londrën. Më dhanë mundësi pune atje. Gjithçka që fitoja i shkriva, gjithçka. Merresha me sigurinë time dhe me planet. Nga shtëpia i bëja punët me telefon. Ka shumë njerëz që me kanë mbet miliona euro borxh. Është shpifje se Çopjat thonë që u bë gol nga Endriti për 50 kg. Ata bënë shumë lekë me këtë ngjarje.

    Në një kohë që në Gjykatën e Posaçme zhvillohen seancat e dosjes “Plumbi i Artë”, personazhe që janë përfshirë në krime që po rrëfehen nga bashkëpunëtorët e drejtësisë, po vijojnë të ekstradohen nga Dubai. Tashmë duket se edhe kështjella e tyre e fundit që strehoheshin pas krimeve, nuk është më e sigurt për ta. Më 19 qershor 2025, ishte radha e ekstradimit të 3 të kërkuarve, që konsiderohen “ushtarë” të Talo Çelës. Ado Xhika, i njohur edhe me emrat Ado Cërriku apo Elkier Cërriku, Ervis Daka dhe Maksim Koçi, iu dorëzuan Interpol Tiranës nga Interpol Abu Dabi.

    Për Ervis Dakën, 38 vjeç, në vitin 2024, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se ka informuar autorët që kanë tentuar të vrasin shtetasin Kei Pikun, në lidhje me lëvizjet e tij. Gjithashtu, akuzohet se ka siguruar kushtet dhe mjetet për vrasjen e Arjan Spahiut, pjesë e grupit Alibej. Nga ana tjetër, ka strehuar, ka transportuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë, të shumëkërkuarit Talo Çela.

    Nga ana tjetër, e njëjta masë sigurimi është vendosur edhe për 39-vjeçarin Maksim Koçi, i akuzuar po ashtu për veprat penale që akuzohet edhe Ervis Daka. Ai dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e Klevis Kapllanit dhe në atentatin ndaj Irfan Azizit, si dhe ka siguruar kushtet e mjetet për vrasjen e Arjan Spahiut dhe Ardian Çollakut. Edhe Koçi dyshohet se ka ndihmuar për t’u fshehur Talo Çelën. Nga ana tjetër, për 40-vjeçarin Ado Xhika, Gjykata e Posaçme ka caktuar “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Për rreth 2 vjet ai gjithashtu ka ndihmuar Talo Çelën, duke i krijuar kushtet e nevojshme për jetesë, si dhe e ka shoqëruar për të dhënë një intervistë.

    Por rrëfimi i Erion Alibejt nuk ka mbaruar. Në seancat në vazhdim ai do dëshmojë edhe për shumë episode të tjera. Ndoshta edhe për shumë plane të dështuara që ai ka dijeni si urdhërues, por edhe si objektiv atentatesh, që për arsye të ndryshme nuk kanë ndodhur.

    Ashtu si disa dosje të tjera të SPAK, edhe nga dëshmia e Alibejt zbulohet se si lidhen aleancat në botën e krimit, për hakmarrje, para, drogë, miqësi dhe armiqësi të përbashkëta. Se si krimi tregon dhëmbët në mënyrën më të ashpër e ndonjëherë edhe më të pabesë. Ndërton aleanca që funksionojnë mbi tradhti. Me njerëz që shesin njeri-tjetrin. Me njerëz që arrijnë të drejtojnë “punët” nga arratia, madje edhe nga burgu. Me njerëz që pranojnë të vrasin armikun dikujt vetëm sepse ka mik armikun e tij.

    Intriga që zbulohen nga bisedat që dhjetëra persona kanë zhvilluar përmes aplikacionit SKY, zbulohen edhe nga dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, në këtë rast edhe nga Erion Alibej. Nga të gjitha planet çfarë dalin seancë pas seance në Gjykatën e Posaçme, kuptojmë se disa njerëz jetojnë vetëm për të vrarë dhe janë gati të paguajnë miliona euro që dikush të mos jetojë më.

    Ashtu si bisedat në SKY, edhe dëshmitë e të penduarve, zbulojnë fijet që lidhin krimin në Elbasan, Shkodër, Fushë-Krujë e më tej. Zbulojnë marrëveshje të ndërtuara mbi intriga, pabesi, pa norma e rregulla. Krime që lënë pas betime për hakmarrje e që shkaktojnë viktima, në ndonjë rast edhe rastësisht./ Gjërat tona/ 

  • UNIQA largohet zyrtarisht nga Shqipëria, finalizohet shitja te kompania e Avni Ponarit

    UNIQA largohet zyrtarisht nga Shqipëria, finalizohet shitja te kompania e Avni Ponarit

    Grupi austriak i sigurimeve, UNIQA, ka finalizuar daljen nga tregjet e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.Javën e kaluar, u mbyll transferimi i paketës prej 90% të aksioneve të Sigal Uniqa Group Austria te Sigal Business Center, shoqëri në pronësi të Avni Ponarit, aksionar pakice dhe administrator i shoqërisë.Ponari zotëronte në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe pjesën e mbetur prej 10% të aksioneve, ndërsa me blerjen e kuotave të UNIQA bëhet pronar i vetëm i kompanisë.Palët kanë zgjedhur të mos e bëjnë publik çmimin e shitblerjes as në dokumentacionin e depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, për transferimin e aksioneve. Sipas burimeve jozyrtare nga tregu i sigurimeve, besohet se kjo vlerë mund të ketë qenë pranë kufirit të 60 milionë eurove.Në tregun shqiptar, Sigal Uniqa Group Austria ka pjesëmarrje kontrolluese edhe në shoqërinë e sigurimit të jetës Sigal Life Uniqa Group Austria. Nga ana e saj, Sigal Life Uniqa Group Austria zotëron 51% të aksioneve në shoqërinë Sigal Uniqa Invest (49% e aksioneve zotërohen nga Avni Ponari).Sigal vepron gjithashtu në tregun kosovar, me dy ndërmarrjet e kontrolluara 100% prej saj, Sigal Uniqa Group Austria dhe Sigal Life Uniqa Group Austria.Në Maqedoninë e Veriut, kompania vepron nëpërmjet Uniqa AD Skopje, me 99,95% të aksioneve dhe Uniqa Life AD Skopje, me 100% të aksioneve.Largimi i UNIQA përfaqëson zhvillimin më të rëndësishëm në strukturën e pronësisë së tregut të sigurimeve për më shumë se 15 vjet.Tashmë, pesha e kapitalit vendas në këtë treg rritet më tej, duke ndjekur një tendencë të ngjashme që ishte përvijuar pas vitit 2015 edhe në sektorin bankar. I vetmi grup i huaj në tregun e sigurimeve ngelet Vienna Insurance Group, që kontrollon kompanitë Sigma dhe Intersig. Në fund të 2024, dy kompanitë e Vienna Insurance Group zotëronin rreth 22% të tregut, sipas primeve të shkruara bruto.Me shitjen e Sigal nga UNIQA, tashmë pjesa e kompanive me kapitalit vendas ka arritur në afërsisht 78% të tregut.Sipas pasqyrave të konsoliduara financiare, në fund të vitit 2023 Sigal Uniqa Group Austria zotëronte aktive totale në vlerën e rreth 20.6 miliardë lekëve dhe një kapital aksionar prej 5.4 miliardë lekësh. Në të përfshihen edhe më shumë se tre miliardë lekë fitime të akumuluara dhe të pashpërndara.Grupi e mbylli vitin 2023 me një fitim neto në vlerën e 768 milionë lekëve, ndërsa e ardhura gjithëpërfshirëse, e rregulluar me efektin negativ të kursit të këmbimit nga kompanitë jashtë Shqipërisë, ishte 558 milionë lekë.Sigal është prej shumë vitesh kompania kryesuese e tregut të sigurimeve në Shqipëri për nga vlera e primeve të shkruara bruto. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në fund të vitit 2024, Sigal zotëronte 25.5% të primeve të shkruara bruto të sigurimit të Jo-Jetës dhe 39.6% të primeve të shkruara bruto të sigurimit të Jetës.Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • Rezidencat qeveritare që kthehen në hotele “qira” mujore, nga 850 mijë lekë në 1.5 mln lekë

    Rezidencat qeveritare që kthehen në hotele “qira” mujore, nga 850 mijë lekë në 1.5 mln lekë

    Dy javë nga shpallja e fituesve për rezidencat qeveritare në Vlorë dhe Velipojë që do të kthehen në hotele markë ndërkombëtare ka përfunduar edhe afati për ankesat potenciale nga palë të përfshira në proces.Korporata e Investimeve Shqiptare kishte lënë 18 qershorin si datën e fundit për këtë procedurë për të vijuar kështu me procesin. Në faqen e këtij institucioni tashmë janë publikuar edhe informacionet e sakta lidhur me ofertat që bëri secila palë sa i takon kontratës enfiteozë.Ky model parashikon që çmimi i enfiteozës do të jetë një pagesë mujore dhe aplikohet pas certifikimit të vlerës së investimit të përmirësimit të pronës nga partneri privat. “Afati i enfiteozës është 10 vjet, me të drejtë rinovimi deri në kthimin e vlerës së investim- it. Pas përfundimit të kontratës së enfiteozës, palët kanë të drejtë të lidhin një marrëveshje partneriteti për menaxhimin e strukturës akomoduese” do të specifikonte Korporata.Rezidenca në Velipojë 1.5 milionë lekë në muaj sipas kontratësKështu lidhur me projektin “Për rikonceptimin e rezidencave qeveritare në struktura akomodimi elitar, Vila Velipojë” ku fitues u shpall bashkimi i Xhenis sh.LLC, Saunders Architecture, Smart Studio, VOGT, Adnan Kastrati, Melia Holtel International” qiraja mujore që do të paguhet është 1.5 milionë lekë në muaj.Kriteri bazë që ishte për këtë pronë në fazën e garës ishte 288 mijë lekë në muaj ndërkohë që disa nga kushtet e tjera të kontratës enfiteozë ishte edhe ajo për dhënien e tarifave preferenciale për klientë të përcaktuar në marrëveshje me partnerin publik në këtë rast Korporata. Referuar projektit fitues për rezidencën në Velipojë kompania do të sqaronte se ideja ishte mbajtja e vilës siç është për të treguar të kaluarën.“E gjithë ndërtesa nuk duhet të jetë si kala, por njerëzit të kenë dëshirë të hyjnë ta shohin. Doja që kjo ndërtesë të jetë identitet më vete. Kjo jep përvojë. Ne vendosëm që të ndërtonim parkimin poshtë që te mos duket dhe ekipi ynë s’ka nevojë për shumë infrastrukturë.Mendojmë të kemi 30 dhoma dhe të kemi infrastrukturë në hotelin tjetër. Kati i parë mund të jetë një pjesë publike që të jetë një ndërtesë për të gjithë njerëzit, madje edhe hotelet e tjera ta përdorin. Të ketë dhe një SPA cilësor, pastaj janë dhomat që janë sipër dhe salla e konferencave” do të shpreheshin përfaqësuesit e studios arkitekturore gjatë konkursit.Rezidenca në Vlorë 850 mijë lekë në muajKjo rezidencë kishte si kusht ofertën financiare 813 mijë lekë në muaj por që nga konkursi rezultoi një vlerë 850 mijë lekë në muaj . Edhe për këtë rast vlen ndër të tjera kriteri i tarifave preferenciale sipas marrëveshjes me Korporatën. Fituesi i kësaj gare ishte bashkimi i Edil Al, Zdrava, studio Arga, Studio Precht, Studio V10, Jeshile, Ledia Kostandini, Lindita Pelivani, Altisfer Golloshi, Holtzbau Majer, Melia Hotels & Resorts. Projekti në fjalë synon një godinë teë lartë në një gjumë të vogël ndërtimi që sheh nga perëndimi dhe të jetë një lloj siluete që vë në kuadër pamjen.“Do të ketë një pishinë që bashkon ndërtesat. Përbërësi i dytë të jetë ekskluzive, pra të tërheqë udhëtarët që folëm e për të tërhequr një audiencë të re të turizmit e jo domosdoshmërisht dikë qe është i interesuar për luksin e mermerit e ferrarit por për luksin e përvojës pra përvojë ekskluzive.Kemi propozuar disa shtëpi në pemë që e rrethojnë janë të trupëzuara në pemë. Në fazën tjetër mund të ketë edhe ndërtesa rezidenciale duke qenë se hapësira është e madhe dhe kthimi i investimit vetëm me projektin fillestar është goxha i ngadaltë” do të sqaronte gjatë konkursit përfaqësuesi I studios arkitekturore./ N.Maho Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • PPP e sterilizimit drejt mbylljes, kosto reale 53% më shumë se kontrata

    PPP e sterilizimit drejt mbylljes, kosto reale 53% më shumë se kontrata

    Në fillim të vitit që vjen pritet të mbyllet kontrata koncesionare e sterilizimit me PPP si rrjedhoje e përfundimit të afatit.Nga rreth 100 milionë euro që ishte programuar financimi i sterilizimit të sallave kirurgjikale për 10 vite, kosto reale e koncesionit arrti për 2017-2026 mbi 15.3 miliardë lekë ose 53 për qind më shumë se parashikimet në kontratën mes koncesionarit “Sani Service” dhe qeverisë shqiptare.Burimet nga Ministria e Shëndetësie bënë me dije se, shërbimi do të kalojë shtetit vitin që vjen, por vendimi përfundimtar do të varet nga qeveria e re e shtatorit.Grupi i monitorimit të kontratës është në fazë pune dhe po përpilohet një raport final, i cili më pas do të shërbejë për vendimmarrjen finale.Në dhjetor 2015, Ministria e Shëndetësisë firmosi një kontratë PPP 10-vjeçare me kompaninë “Sani Service”, për sterilizimin e instrumentave kirurgjikale në spitalet publike me vlere prej 100 milionë eurosh. Teksa koncesioni u dha, një autoklavë e investuar miliona euro brenda QSUT me fonde publike nuk funksionoi kurrë. Në vitin 2018, kostoja e sterilizimit rezultoi 28% më e lartë sa plani, duke detyruar ministrinë të kufizojë operacionet e lehta.Në gusht 2023, SPAK lëshoi me 8 urdhër-arreste për zyrtarë të lartë dhe pronarët e koncesionit, të cilët u akuzuan për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh, korrupsion pasiv dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në gara.Pak ditë pas urdhrave, u zbulua se kontrata origjinale mungonte nga arkiva e Ministrisë së Shëndetësisë, ndonëse SPAK sqaroi se e kishte siguruar kopjen autentike nga institucione të tjera. Hetimi zbuloi se studimi i fizibilitetit ishte kryer me të dhëna të rreme.Koncesioni i sterilizimit, një marrëveshje PPP e financuar nga taksa e qytetareve rezultoi një aktivitet me korrupsion sistematik, shpërdorim detyre dhe kapje të shtetit.Shumica e kontratave koncesionare me PPP të tilla si incenertoret, kontratat në shëndetësi etj që u prezantuan nga qeveria si novatore kanë rezultuar skandale financiare, duke bërë që paratë publike të ikin për përfitime private në vend të përmirësimit të sistemit shëndetësor.Sipas kontratës së nënshkruar ndërmjet kompanisë koncesionare Sani Servis dhe qeverisë shqiptare, sterilizimi për një operacion të ndërlikuar kushton 37.700 lekë, për ndërhyrje mesatare 22.300 lekë dhe për operacionet periferike kushton 13.900 lekë.Të gjitha këto tarifa paguhen duke shtuar Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Ndërkohë ekspertë të shëndetësisë pohojnë se sterilizimi i pajisjeve kirurgjikale me autoklavë do të kushtonte shumë më lirë se, se 17 milionë euro në vit, që i paguhen sot koncesionarit./ B.HoxhaBurimi: Ministria e FinancaveKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • Gjergj Luca: I tregova Lolitës se si i kam hyrë detit në këmbë – dhe i’a kam dalë

    Gjergj Luca: I tregova Lolitës se si i kam hyrë detit në këmbë – dhe i’a kam dalë

    Nga Albert Vataj
    Sipërmarrësi, por edhe qytetari me kohë të plotë të angazhimit qytetar, prindi i përkushtuar dhe përkushtuesi i paepur i punëve të vështira; ai që ka guxuar dhe guxon më shumë se mundet, sepse gjithçka e ka bërë dhe e bën me zemër. Apolitiku që e gjejmë gjithmonë të zhytur kokë e këmbë në politikë, atipiku në gjërat që bën dhe në mënyrën se si i bën ato. Ai që ka ndërtuar një ushtri që përbën armatën Rozafa, e megjithatë përpiqet që gjithçka ta bëjë vetë, të jetë vetë kudo dhe në çdo kohë, sepse i beson gjithkujt, por më shumë se kujtdo i beson vetes, siç i beson punës dhe përkushtimit.

    Ai, Gjergj Luca është në këtë kuvendim me “Lolitën”, më i vërtetë dhe më origjinal se kurrë. Është në këtë intervistë Gjergj Luca, ai që kësaj here foli me maturi dhe me vërtetësi, pa i futur zjarr pasioni diskutimit, madje edhe kur fliste për partinë e tij, që u plak në opozitë. Edhe kur biseda shkon te sivëllai Edi Rama, me të cilin e ka lidhur jo politika apo posti i kryeministrit, por adoleshenca dhe rinia e Rrugës Myslym Shyri.“Lolita” solli në këtë bashkëbisedim një Gjergj Lucë që e njohim, por edhe një Gjergj Lucë që shpesh e kemi keqkuptuar e keqtrajtuar, vetëm për faktin se ai nuk di të jetë ndryshe, veçse si vetvetja: i drejtpërdrejtë, shpesh i përfshirë në denoncime e në komunikime me zë të ngritur dhe puls të shtuar.“Lolita” u përpoq t’ia shpaloste petët lakrorit të Lucës një e nga një, për të nxjerrë në pah, përballë të vërtetës, atë Gjergj Lucën e pagjasë, e pamodel, krejt ndryshe nga gjithë tipat dhe karakteret e zakonshme të sipërmarrësve e biznesmenëve në këtë vend. Po, një Gjergj Lucë atipik, i vërtetë dhe i drejtpërdrejtë.“Lolita” u përpoq, dhe ia doli, të na tregonte nëpërmjet këtij bashkëbisedimi se si Gjergj Luca i ka hyrë detit në këmbë… dhe si i’a ka dalë. Të jetë një shembull suksesi, një model frymëzimi, një atipik dhe antikonformist. Njësoj si vetvetja. Si Gjergj Luca.

  • Kupa e Botës për Klube: Real Madrid bën detyrën ndaj Pachuca dhe merr kryesimin e grupit (video)

    Kupa e Botës për Klube: Real Madrid bën detyrën ndaj Pachuca dhe merr kryesimin e grupit (video)

    Real Madrid ka fituar 3-1 ndaj Pachuca në ndeshjen e dytë për grupin H, për Kupën e Botës për Klube. Madrilenët e nisën shumë keq takimin, duke mbetur me një lojtar më pak që në minutën e 6-të.
    Raul Asencio u përjashtua me karton të kuq si lojtar i fundit pasi mbajti nga fanella sulmuesin e Pachuca-s, Rondon. Ndeshjen e parë në grup, Asencio shkaktoi penallti, nga e cila erdhi goli i barazimit për Al-Hilal, ndërsa sot bëri një tjetër gafë, duke lënë fushën e lojës pas 6 minutash.
    Në minutën e 35-të, Real Madrid kaloi në avantazh. Pas një topi të marrë nga Fran Garcia dhe një veprimi të bukur brenda zonës, Jude Bellingham, dërgon topin në rrjetë. Në minutën e 43-të, Real Madrid shënoi golin e dytë, pas një aksioni të shpejtë dhe kombinimi fantastik mes Gonzalo Garcia dhe Güler. Fantazisti turk dërgon topin në rrjetë, madrilenët e mbyllin pjesën e parë në avantazh të dyfishtë.
    Në minutën e 70-të ishte radha e Federico Valverde për të shënuar golin e tretë, pas një kombinimi të bukur me Brahim Diaz. Në minutën e 80-të, meksikanët do të shënonin golin e nderit me Elias Montiel, i cili realizoi një gol shumë të bukur me një goditje të fortë nga jashtë zonës së rreptësisë.
    Real Madrid fiton përfundimisht 3-1 dhe merr momentalisht kryesimin e grupit H me 4 pikë, ndërkohë në mesnatë luhet ndeshja tjetër e këtij grupi mes Salzburg dhe Al-Hilal.
    SHIKOGOLAT

  • Dënohet me burg dhe dëbohet drejt Tiranës/ Shqiptari hyn fshehurazi në Itali për të shitur kokainë, kapet duke…

    Dënohet me burg dhe dëbohet drejt Tiranës/ Shqiptari hyn fshehurazi në Itali për të shitur kokainë, kapet duke…

    Një operacion i policisë së Riminit çoi në arrestimin e një të riu shqiptar, i cili u kap në flagrancë ndërsa po shiste kokainë në bregdetin e Miramare.
    I riu që kishte hyrë fshehurazi në Itali, si klandestin, mbahej nën vëzhgim nga oficerët prej disa ditësh. Ata dyshonin te lëvizjet e tij, por nuk ndërhynë derisa të siguronin provat. Arrestimi u bë në momentin që shqiptari po shiste dozën e radhës tek një përdorues vendas.
    Gjatë kontrollit, oficerët sekuestruan doza kokaine afërsisht 5 gramë, përveç 350 eurove cash nga shkitjet.
    I riu shqiptar ishte pa precedentë penalë, por i paligjshëm në territor, teksa u arrestua dhe me gjykim të shkurtuar të nesërmen u dënua me 6 muaj burg dhe një gjobë prej 1200 eurosh. Burgimi iu fal në këmbim të dëbimit të tij të menjëhershëm nga vendi.
    Më 19 qershor, në përfundim të procedurës së iniciuar nga Zyra e Imigracionit e Shtabit të Policisë së Riminit dhe të vërtetuar nga gjyqtari, shqiptari u shoqërua në kufirin ajror të Ankonës dhe u ngjit në një fluturim drejt Shqipërisë.

  • A kërcënohet Shqipëria nga Irani për shkak të muxhahedinëve? Teologu shqiptar jep përgjigjen

    A kërcënohet Shqipëria nga Irani për shkak të muxhahedinëve? Teologu shqiptar jep përgjigjen

    Eni Kokomani, teolog shqiptar që jeton në Iran, tregoi në një intervistë për emisionin “Now” me gazetaren Greta Topjana se në Iran Shqipëria nuk cilësohet si vend armik lidhur me strehimin e muxhahedinëve.
    Sipas tij Irani nuk e sheh si rrezik opozitën iraniane por sipas asaj që thuhet në vend Izraeli dhe SHBA i përdorin dhe financojnë muxhahedinët për sulme kundër Iranit.
    “Sa kam dëgjuar, Irani nuk e sheh si kërcënim të madh lëvizjen e muxhahedinëve në Shqipëri. Izraeli, thuhet në Iran i financon bashkë me SHBA dhe i përdor për sulme kundër Iranit. Irani nuk ka armiqësi me Shqipërinë. I vetmi problem janë muxhahedinët. Irani ka pasur marrëdhënie shumë të mirë me Shqipërinë, por me ardhjen e muxhahedinëve, e shtyrë nga SHBA Shqipëria i ndërpreu marrëdhëniet diplamtike me Iranin. Nuk është thënë deri tani që do ketë ndonjë ndërhyrje në Shqipëri sa i përket ekzistencës së tyre atje”, tha ai.