Day: June 18, 2025

  • Inter e nis me barazim, Serxhio Ramos e ndëshkon

    Monterrej, skuadra meksikane me të cilën aktivizohet ikona e Spanjës Serxhio Ramos i bëri një surprizë të embël Interit të Milanos në Grupin E. Luajtur në 03:00 ky takim u mbyll 1-1. Ishte pikërisht Ramos ai që shënoi në të 25′ ndërsa lautaro Martinez barazoi në të 42′. Deri në fund nuk pati ndryshime.

    Më herët u luajt Ulsan-Mamelodi për Grupin F. Ajo u fitua 0-1 nga afrikanojugorët, një ndeshje që filloi me një orë vonesë për shkak të alarmit të tornados në Orlando, përfundon 1-0.

    Me këtë rezultat, Mamelodi kalon në vendin e parë në grupin e tyre, në sajë të barazimit 0-0 midis Borusia Dortmund dhe Fluminense në ndeshjen hapëse të grupit. Angazhimet e ardhshme do të shohin afrikanojugorët kundër verdhëzinjve të Gjermanisë, ndërsa Ulsan do të përballet me brazilianët.

    Vazhdo leximin

  • Horoskopi sot/ Këto shenja do të marrin vendime që do t’iu ndryshojnë jetën

    Horoskopi sot/ Këto shenja do të marrin vendime që do t’iu ndryshojnë jetën

    DashiMerrni një qasje më të ashpër me dikë me të cilin punoni. Ju e keni duruar shumë gjatë qasjen e papjekur të këtij personi. Theksoni faktin që fokusi duhet t’i kthehet punës dhe qëllimit kolektiv. Puna ekipore është thelbësore për sukses.
    DemiMendja juaj krijuese po punon jashtë orarit sot. Kjo është një nga ato ditët në të cilat ju keni aftësinë për të bërë përparime të mëdha në një projekt për të cilin keni punuar. Ju ka të ngjarë të dilni me një ide brilante të denjë për një patentë.
    BinjaketKapaciteti juaj mendor është mjaft i fortë sot. Ju jeni në gjendje të merrni dhe të përpunoni shumë më tepër informacion se zakonisht. Mos ngurroni të merrni përsipër më shumë sesa kërkohet nga ju. Do të keni mundësinë të skanoni shumë dokumente me një sy diskriminues.
    GaforrjaMos kini frikë të shprehni mendimet tuaja sot. Me shumë mundësi, do të përballeni me kundërshtime, por kjo nuk është asgjë për t’u frikësuar. Përparimi mund të bëhet për ju në këtë pikë vetëm nëse qëndroni me besimet tuaja dhe me atë që e dini se është e vërtetë në zemrën tuaj.
    LuaniSot ka një betejë të vjetër kundër të resë. Ndoshta një punonjës i ri ka hyrë në vendin e punës dhe po trondit mjedisin me idetë e tij radikale. Në fillim mund ta keni të vështirë të përshtateni. Sfida juaj sot është të jeni më fleksibël.
    VirgjereshaPuna që keni bërë kohët e fundit më në fund po jep rezultat. E gjithë disiplina intensive që keni pasur në një projekt do të përballet me mirënjohje të madhe sot. Idetë që keni zhvilluar po u shpërndahen njerëzve që kanë nevojë t’i dëgjojnë ato.
    PeshorjaNëse jeni gati për një projekt të ri pune, flisni. Punëdhënësit tuaj mund të mos i kuptojnë aftësitë tuaja të plota, sepse jeni duke u fshehur në sfond. Programoni një takim (virtual nëse është e nevojshme) me shefin tuaj dhe kërkoni më shumëpërgjegjësi.
    AkrepiOpozita juaj sot po merr përforcime nga kampet e tjera. Ju duhet të bëni të njëjtën gjë. Qëndrimi ulur dhe duke u mbështetur në gatishmërinë tuaj të vjetër përfundimisht do të çojë në rënien tuaj. Në vend të kësaj, ju duhet të jeni më proaktivë dhe veçanërisht fleksibël në mënyrë që të vazhdoni.
    ShigjetariMundohuni të mos anashkaloni gjërat sot. Njerëz të tjerë mund të vijnë tek ju me idetë e tyre “të shkëlqyera” për t’u marrë në konsideratë. Me shumë mundësi, nuk keni kohë për këtë. Duhet të përqendroheni në gjëra të tjera. Sigurohuni që të keni prioritet në mënyrë që të mos mbeteni prapa.
    BricjapiLidhja që keni pritur do të vijë sot. Ju keni çdo arsye për të qenë optimistë në lidhje me një projekt për të cilin keni punuar ose një marrëveshje që keni shpresuar. Suksesi është në rrugën e tij sot.
    UjoriNdjenjat bëhen më të rëndësishme dhe theksohen nga ndërveprimi i sotëm i energjive astrale. Lërini ato të dalin në sipërfaqe dhe t’i tregoni të dashurit tuaj gjithçka. Nëse është e mundur, krijoni një atmosferë të mrekullueshme duke përdorur llojin e duhur të ndriçimit. Deri në fund të mbrëmjes do të jeni me humor.
    PeshqitNdjehuni të lirë të shkëputeni nga rutina juaj normale sot. Kjo është një kohë e mirë për të eksperimentuar. Ju mund të zbuloni se një procedurë e re është në të vërtetë më efektive se ajo e zakonshme. Jini të durueshëm me të tjerët që mund të mos arrijnë aq shpejt sa ju.

  • Femra më e gjatë e basketbollit botëror, 18 vjeçarja kneze Ziju mahnit me performancën e saj

    Femra më e gjatë e basketbollit botëror, 18 vjeçarja kneze Ziju mahnit me performancën e saj

    Adriatik BALLA
    Kina po rritet shumë në basketboll, si për meshkuj dhe për femra, dhe disa basketbollistë të saj kanë shkuar me sukses deri në NBA amerikane. Ndërkohë, Zhang Ziju është basketbollistja e talentuar 18-vjeçare e Kinës që po i bën të gjithë për vete. Ajo debutoi për përfaqësuesen A të Kinës të premten e kaluar në fitoren bindëse ndaj Bosnjë-Hercegovinës, 101:55. Ndeshja ishte miqësore, ndërsa i shërbeu Kinës për përgatitje për Kampionatin e Azisë. Në ndeshjen e parë për ekipin më të mirë të Kinës, Ziju i kaloi në parket vetëm 12 minuta, ndërsa i realizoi 18 pikë e shtatë kërcime. Ishte më efikasja e ndeshjes. Ka disa vjet që Zhang Ziyu tërheq vëmendjen për shkak të gjatësisë.
    Ajo është e gjatë të paktën 220 centimetra, ndërsa ka raportime të ndryshme për gjatësinë e saj deri në 226 centimetra. “Kjo është ndeshja e parë e saj si reprezentuese seniore. Paraqitja e Ziju na ka impresionuar. Shpresoj se do të luaj më shumë me të”, ka thënë Han Xu, basketbollistja kineze e gjatë 2.11 metra, që po ashtu shkëlqeu ndaj boshnjakeve. Zhang Ziju e ka luajtur ndeshjen e parë profesionale në moshën 14-vjeçare. Në finale të kampionatit kinez për të reja i realizoi 42 pikë e 25 kërcime. I kishte edhe gjashtë bllokada. U bë më e njohur verën e kaluar kur me Kinën arriti në finale të Kupës së Azisë U18. Ndonëse finalen e fitoi Australia, Ziju ishte më e mira e turneut me mesatare prej 35 pikëve për ndeshje. Nëna e saj, Ju Jing, ishte e gjatë 198 centimetra. Babai i saj, Zhan Yuquan ishte i gjatë 213 centimetra. Të dy kanë luajtur basketboll, por nuk kanë arritur nivelin që tashmë e ka vajza e tyre. Kina luajti miqësore me Bosnjë-Hercegovinën edhe të dielën.
    Fitoi 124:57, ndërsa 18-vjeçarja i realizoi 16 pikë dhe shtatë kërcime. Sërish kaloi pak minuta në parket. “Ajo është lojtarja më e mirë që kam parë ndonjëherë. Është lidere në përfaqësuesen kineze”, ka thënë selektori i Bosnjë-Hercegovinës, Emir Halimiq. “Prezenca e saj dikton tempin e lojës. Pres që ajo të jetë edhe më e suksesshme me Kinën. Edhe pa Zhangun, Kina është shumë e fortë. Por me Zhangun është në nivel dukshëm më të lartë. Secili ekip në botë do të jetë në telashe përballë Zhangut dhe Kinës. Uroj që ajo të mbetet e shëndetshme dhe t’i sjellë vendit të saj shumë lavdi”. Sa herë që Zhang Ziju e merr topin në afërsi të koshit, kundërshtaret e kanë të pamundur ta ndalin, përkundër përpjekjeve. Ajo jep kontribut edhe në mbrojtje, ndërsa zakonisht shihet e buzëqeshur. Selektori i Kinës pret që Zhang Ziju ta udhëheqë përfaqësuesen drejt suksesit në Lojërat Olimpike të vitit 2028. Në Kampionatin e Azisë që mbahet muajin e ardhshëm, Kina është favorite.

  • Hidhet shorti, Egnatias i bie Breidablik i Islandës, Partizanit me Nome Kalju të Estonisë

    Hidhet shorti, Egnatias i bie Breidablik i Islandës, Partizanit me Nome Kalju të Estonisë

    Adriatik BALLA
    Dje në Zvicër u hodh shorti për paraeliminatore në UEFA Champions League dhe në Ligën e Konferencës, ku skuadrat shqiptare mësuan emrat e rivalëve të tyre me të cilin do të ndeshjen në turin e parë paraeliminator, duke dashur që ta nisin mbarë aventurën e tyre europiane dhe të shkojnë sa më larg të mundin. Natyrisht, shorti mund të quhet i kënaqshëm për skuadrat tona, pavarësisht dobësive që kanë vetë në këtë periudhë si pasojë e të nxehtit por edhe një merkatoje të fragmentuar.
    Egnatia me një rival islandez
    Egnatia do të sfidojë Breidablik në turin e parë kualifikues të Champions. Kampionët e Shqipërisë do ta presin takimin e parë në shtëpi, më 8 ose 9 korrik, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet më 15 ose 16 korrik. Breidablik u shpall kampion në Islandë. Vlera e tyre në tregun e “transfermarkt” është 4 milionë euro, pra vlerësohen më pak se Egnatia. Në edicionin e kaluar, rrugëtimi i tyre në Europë përfundoi në turin e dytë të Ligës së Konferencës. Ishte Drita që i eliminoi pas dy fitoreve. Suksesi më i madh i Breidablik është arritja në grupet e Ligës së Konferencës. Një rrugëtim ky i suksesshëm në sezonin 2023/24.
    Partizani dhe Vllaznia, përplasje me rivalë nga vendet balltike
    Vllaznia dhe Partizani, ekipet shqiptare që janë pjesëmarrëse në UEFA Conference League njohën kundërshtarët e raundit të parë në këtë kompeticion. Në shortin e hedhur në Nion të Zvicrës, nënkampionët e Vllaznisë mësuan se do të përballen me BFC Daugavpils (Letoni) , ndërsa Partizani do të luajë kundër Nome Kalju FC (Estoni). Shkodranët do të luajnë ndeshjen e parë në shtëpi, ndërsa ndeshjen e dytë në transfertë. E kundërta për të kuqtë e Partizanit, të cilët do të luajnë ndeshjen e parë në Letoni, ndërsa ndeshjen e kthimit në Tiranë. Sakaq, skuadra e Dinamo Sitit ka kaluar direkt në raundin e dytë pas vendimit të marrë nga UEFA dhe do të njohë nesër kundërshtarin e kësaj faze. Ndeshjet e para të turit të parë kualifikues do të zhvillohen më 10 korrik, ndërsa ato të kthimit një javë më vonë, më 17 korrik.
    Shkëndija e Tetovës përballë Nju Saints të Uellsit
    Ndërkohë që skuadrat e Tiranës dhe të Superiores tonë në tërësi kanë mësuar emrat e kundërshtarëve nnë Champions dhe Conference League, të njëjtën gjë kanë mësuar ehde ekipet shqiptare në Maqeodni e Kosovë në shortin e djeshëm të UEFA-s. Shkëndija e Tetovës ka mësuar kundërshtarin e fazës së parë kualifikuese të Champions League. Kampionia e Maqedonisë së Veriut do të përballet me me ekipin nga Uellsi, Neë Saints FC. Ndeshja e parë është në Uells. Ndeshjet e para luhen më 8/9 korrik, ndërsa të kthimit më 15/16 korrik.
    Drita do të përballet me Diferdanzhë të Luksemburgut
    Drita e Gjilanit do të përballet me kampionin e Luksemburgut, Diferdanzhe, në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Shorti është tërhequr të martën. Drita në ndeshjen e parë është vendase. Ndeshjet e para luhen më 8/9 korrik, ndërsa të kthimit më 15/16 korrik.

  • Dhimitraq Xhambazi: Puna e Silvinjos do të matet në fund të eliminatoreve, në Superiore duhet të ndryshojë formula e…

    Dhimitraq Xhambazi: Puna e Silvinjos do të matet në fund të eliminatoreve, në Superiore duhet të ndryshojë formula e…

    Kombëtarja mori dy pikë në dy ndeshjet e fundit të qershorit, duke mos konkretizuar objektivin e saj për dy fitore në këto dy takime, ose të paktën 4 pikë. Pra skuadra nuk ia doli këtë muaj të jetë brenda pritshmërive të saj në eliminatoret e grupit K, për finalet e Botërorit 2026. Me Serbinë barazuam 0-0 në Tiranë, kurse në transfertën me Letoninë barazuam 1-1. Trajneri Silvinjo u vu nën presion për rezultatet, megjithëse ai u përpoq të justifikojë veten dhe ekipin.
    Shumë specialistë mendojnë se Silvinjo nuk ka çfarë t’i japë më Kombëtares dhe duhet të largohet, por të tjerë mendojnë se tekniku brazilian është sërish brenda objektivave dhe duhet ta përfundojë fazën eliminatore për të bërë llogaritë nëse e bëri mirë ose keq punën e tij. Në kuadër të këtij diskutimi, gazeta “SOT” intervistoi specialistin e njohur të futbollit korçar dhe kombëtar, Dhimitraq Xhambazi, i cili beson se skuadra nuk pati qëndrueshmëri në lojë e rezultat në këto dy takime, por në këtë moment nuk mund të flitet për pozitat e Silvinjos, pasi eliminatoret janë në proces dhe skuadra është ende në garë për objektivin e saj.
    – Kombëtarja mori vetëm dy pikë në dy ndeshjet e fundit. Natyrisht, shqiptarët prisnin më shumë, nisur nga cilësitë e grupit por edhe faktit se ndesheshim me skuadra që rivalizojnë për vend të dytë. Cili është mendimi juaj për dy ndeshjet që Kombëtarja luajti këtë muaj në eliminatoret e Kupës së Botës?
    – Ndeshja me Serbinë ishte e fortë, në të gjitha kuptimet. Ishin edhe rrethanat e krijuara që e bënë një ndeshje të veçantë, për shkak të raporteve rivalizuese mes fqinjësh si dhe përplasjeve të së shkuarës. Natyrisht, do të na pëlqente ta kishim fituar këtë takim, por edhe barazimi që morëm është një rezultat pozitiv, që i shkoi për shtat ndeshjes. Barazimi iu duk rezultat i drejtë, pavarësisht se unë gjykoj se ne luajtëm më mirë në këtë përballje, Shqipëria ishte cilësisht më mirë në fushë. Them se ishim më afër fitores sepse patëm një rast me penalltinë, por edhe performanca e ekipit ishte e mirë. Kuptohet, një fitore do të na ndihmonte shumë, por barazimi me Letoninë nuk na ndihmon. Në tërësi lojtarët me Letoninë nuk ishin në 100% të kapacitetit të tyre.
    – Duket e habitshme, por bëjmë paraqitje të mira përballë skuadrave të forta dhe humbim ritmin në ndeshjet me rivalë më të dobët…
    – Po, kjo është e vërtetë, është diçka e lexueshme në këto dy ndeshje që luajtëm në qershor. Pas barazimit me Serbinë duhej që skuadra të angazhohej më fort për të fituar ndeshjen, pasi ky duel kishte rëndësi të madhe për objektivat që ka skuadra në grup. Në ndeshjen e dytë, me letonezët, lojtarët tanë nuk dhanë maksimumin e tyre, nuk pati koordinim mes reparteve. Hysaj luajti mirë me Serbinë, por nuk u angazhua në ndeshjen me Letoninë. Për mendimin tim mesfusha duhej të kombinonte e të lidhej më mirë me sulmin. Ne duhej ta fitonim këtë ndeshje, por Letonia na priti neve njëjtë sikurse pritëm ne Serbinë, pra letonezët u angazhuan fort për të marrë pikë dhe ia dolën, kurse ne morëm një pikë por lamë dy të tjera në atë ndeshje.
    – Duket se nuk është e thënë që Kombëtarja të bëjë disa ndeshje radhazi me lojë e rezultate maksimale, a është ky një tregues i mungesës së vijimësisë?
    -Sigurisht, pak më sipër e përmendëm disi rënien e skuadrës në performancë nga ndeshja me Serbinë në atë me Letoninë. Fakti është se nuk po bëjmë dy-tri ndeshje me nivel, njëlloj të mira. Pra, na mungon vijimësia. Një shfaqje e tillë e paqëndrueshme është problem për skuadrën tonë, për objektivat që ajo ka në këto eliminatore. Megjithatë, shpresat nuk duhen humbur. Unë s’jam prej atyre që mendojnë se skuadra doli jashtë objektivave pas këtyre dy ndeshjeve.
    – A besoni se ka ende shanse kualifikimi?
    – Objektivi kualifikim është zbehur së tepërmi pas barazimit me Letoninë. Në një garë ku kanë vlerë pikët, Shqipëria duhet të kishte minimalisht katër pikë nga këto dy përballje të fundit, por mori vetëm dy. Dy pikë mungojnë por me ato dy pikë që lamë ne do të flisnim ndryshe në këtë moment. Por mos harrojmë, futbolli është i çuditshëm, ka befasira, ka surpriza. Edhe serbët që në letër duken favoritë, hasën vështirësi përballë nesh. Nuk përjashtohet mundësia që ne të fitojmë atje, më e pakta të marrim pikë. Pra në futboll gjithçka mund të ndodhë. Nuk duhet humbur shpresa, pasi janë edhe gjysma e ndeshjeve për të luajtur. Edhe Anglia ka dobësitë e saj, futbolli ka të papritura. Një fitore jona në Beograd mund të ndryshojë krejtësisht gjërat në favorin tonë. Por, e theksoj, barazimi me Letoninë, i papritur për ne, na penalizon shumë. Ajo ndeshje duhej fituar.

    – Silvinjo ka qenë në qendër të kritikave pas ndeshjeve të qershorit. Mungesa e pikëve e ka ekspozuar trajnerin ndaj presionit të publikut. Mos vallë ka ardhur koha që të kemi ndryshime në pankinë?
    – Unë qëndroj në krahun e atyre që mendojnë të kundërtën. Mos harrojmë se ishim po ne që e kemi përshëndetur kur ka marrë rezultate pozitive. Disa arritje janë bërë e s’mund të hedhim poshtë punën e bërë. Ndonjëherë gabojnë edhe trajnerët. Gabimet janë njerëzore. Për shembull, përzgjedhësi i lojtarit që gjuan penalltitë duhet analizuar më mirë. Disa lëvizje në kohën e duhur sjellin përmirësim të situatës në lojë e në rezultat, pra ka vend për diskutim. Por ne nuk duhet të harrojmë asnjëherë që pas çdo rezultati negativ të skuadrës i pari që goditet është trajneri.
    – Pra jeni i mendimit që Silvinjo të vazhdojë, apo jo?
    – Nuk mund të ndryshohet trajneri në mesin e edicionit. Gara vazhdon, skuadra është brenda objektivave. Për mendimin tim duhet të vazhdojë punën. Anglia është favorite kryesore për vend të parë në grup e për këtë nuk kishte e as nuk ka diskutime. Këtu lufta bëhet për vend të dytë dhe skuadra është në garë për vend të dytë, ku me sa duket vendimtar do të jetë dueli në Beograd. Nëse trajneri arrin ta pozicionojë Shqipërinë në vend të dytë, për mua e ka fituar bastin, do të ishte diçka madhështore nga këto eliminatore. Ndaj them se është herët për të gjykuar punën e trajnerit. Llogaritë do të bëhen në fund të eliminatoreve.
    – Të flasim dy gjëra për kampionatin shqiptar. Formula “Final Four” që aplikohet në Kategorinë Superiore, pavarësisht qëndrimeve të FSHF-së, po shihet si një eksperiment jo fort efikas. Shumë specialistë mendojnë se formula e garës duhet të ndryshojë. Cili është mendimi juaj?
    – Kjo skemë gare ha diskutime, por në vetvete secila skemë të funksiononte do të kishte diskutime e debate. Megjithatë, unë nisem nga faktet. Ne kemi një kampionat të rregullt me katër faza, e 10 skuadra pjesëmarrëse. Pra zhvillohen gjithsej 36 ndeshje nga secila skuadër. Sipër këtyre, katër vendet e para bëjnë garë për titullin. Nëse një skuadër ballafaqohet katër herë gjatë kampionatit me rivalen e vet, i bie që me “Final Four” të ballafaqohet pesë herë. Kjo është e tepërt. Ka shumë përplasje brenda sezonit ndërmjet dy ekipesh dhe kjo bëhet bajat. “Final Four”, për mendimin tim, do të kishte vlerë nëse bëhej një kampionat me tri faza.
    Mundet që në aspektin financiar formula e tanishme të jetë më efikase, por unë e shoh nga numri i ndeshjeve ndërmjet dy skuadrave, që shkon 5 herë në një sezon sportiv, një numër i madh, i bie bukuria edhe derbeve kur luhen kaq shpesh. Megjithatë, duhet ta shohim në një aspekt edhe më të gjerë, pasi nuk është vetëm vendi ynë që aplikon këtë formulë. Në basketbollin europian aplikohet gjerësisht “Final Four”, ndaj nuk është shpikje e FSHF-ë, por një mënyrë organizimi e garës. gjithsesi, mendimi im është që ky sistem duhet të ndryshojë.
    Përplasjet e forta kampionati i ka në brendësi dhe s’është nevoja për një përplasje të pestë kur dy ekipe që rivalizojnë titullin i bëjnë katër duele brenda kampionatit. Jam për një formulë të pëlqyeshme e të gjithëpranuar. Një kampionat me 12 ekipe, në tri faza dhe me “Final Four” në fund do të ishte më i bukur, më tërheqës, më pak i lodhshëm. Mos harrojmë se ka dhe nëpër rrethe skuadra që kanë nivel dhe mund ta bëjnë kampionatin më cilësor e tërheqës.
    – Së fundi, na thoni dy fjalë për Skënderbeun. Si e shihni në vazhdim?
    – Skënderbeu do të garojë në Kategorinë e Parë. Unë jam i mendimit që nëse nuk e vlerëson merkaton në kohën e duhur do të vuajë gjatë sezonit, do të hasë vështirësi. Mos harrojmë që ka ekipe të mira e të forta edhe këtë kategori, sepse ka skuadra që kanë lojtarë cilësorë, si në Fier, Kavajë etj. Ndaj them, nëse nuk punohet shpejt në merkato, me afrime cilësore, atëherë sezoni do të bëhet i vështirë.
    Intervistoi: Adriatik BALLA

  • Ministrja Koçiu: Spitali i ri i Kardiokirurgjisë drejt përfundimit, 1000 ndërhyrje në vit

    Ministrja Koçiu: Spitali i ri i Kardiokirurgjisë drejt përfundimit, 1000 ndërhyrje në vit

    Punimet në kantierin e spitalit të Kardiokirurgjisë dhe Kirurgjisë Vaskulare në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë janë drejt përfundimit. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu inspektoi dje nga afër godinën e këtij spitali, e shoqëruar edhe nga drejtuesja e QSUNT-së, Donjeta Bali dhe një grup mjekësh të njohur të kardiokirurgjisë. Sipas Koçiut, spitali i ri i Kardiokirugjisë do të ketë aparatura moderne dhe ekipe të specializuara për zemrën, enët e gjakut dhe reanimacionin. Koçiu tha se në këtë spital do të kryhen mbi “1000 ndërhyrje në vit, do të ketë 112 mjekë profesionistë të përkushtuar, si edhe shërbim të dedikuar për çdo urgjencë 24/7”.
    “Një tjetër hap i madh drejt një shëndetësie me standarde evropiane, më shumë cilësi, më shumë mundësi për çdo pacient, kudo në Shqipëri”, u shpreh Koçiu në një postim në rrjetet sociale. Shefi i shërbimit të Kardiokirurgjisë në QSUNT, Altin Veshti tha se në këtë spital do të ketë edhe një sallë hibride që ndihmon pacientët që të qëndrojnë në një ambient bashkë, ndërkohë që sallat e tjera janë të zëna. Sipas Veshtit, në të ardhmen mund të mendohet edhe për kryerjen e ndërhyrjeve hibride, përtej kirurgjisë vaskulare apo kardiokirurgjisë. Në katin e parë të godinës do të ketë kryesisht shërbime, të cilat do të ofrohen për studentët dhe për stafet pedagogjike për ngritjen e kapaciteteve të tyre, si dhe logjistika teknike.
    Ndërkohë, kati i parë ka të bëjë me shërbimin e kirurgjisë vaskulare. Në katin e tretë ndodhet blloku operator me shtim sipërfaqesh, nga katër salla operatore janë pesë salla të cilat tashmë do të krijojnë kushte më optimale. Në katin e tretë ndodhet shërbimi intensiv, apo reanimacioni, për të gjithë situatat që kanë vështirësi në trajtim. Godina ka një sipërfaqe ndërtimi 4000 metra katrorë, me një sipërfaqe të shtuar 500 metra katrorë.

  • Inzaghi nuk është Mourinho: Marrëveshja me arabët para finales së Champions Leage. Arsyet pse Interi humbi me 5 gola ndaj PSG

    Inzaghi nuk është Mourinho: Marrëveshja me arabët para finales së Champions Leage. Arsyet pse Interi humbi me 5 gola ndaj PSG

    Sa shumë u shpërqendruan lojtarët e Interit? Dhe a e mbajti trajneri fokusin? Në vitin 2010, gjërat shkuan ndryshe…

    Lautaro Martinez, ndërsa përpiqet të kthejë faqe dhe të gjejë stimuj të rinj nën diellin amerikan, përsërit vazhdimisht se ende nuk arrin të kuptojë se si ndodhi një disfatë si ajo që përjetoi në finalen e Champions League. Është e qartë se një humbje e tillë ka shumë arsye – nga aspekti taktik te gjendja fizike – dhe mes tyre nuk mund të jetë befas paaftësia e një skuadre që kishte mundur Bayern-in dhe Barcelonën. Por një pjesë e këtyre arsyeve mund të gjendet në fjalët e administratorit të deleguar të Al-Hilal, Esteve Calzada, i cili në një intervistë për BBC-në, tregoi për “punën e gjatë” që çoi në marrëveshjen me Simone Inzaghin para, dhe nënvizon “para”, finales me PSG-në.
    “Vendimi ishte marrë, por nuk kishte nënshkrim sepse, për respekt, ai na kërkoi të prisnim,” zbuloi drejtuesi i klubit saudit. Tani, siç e dinë të gjithë ata që janë përballur me dilemat e ndryshimeve të mëdha në jetë, ditët e një vendimi të tillë janë plot me dyshime, pendesa, vlerësime të lodhshme të të mirave dhe të këqijave, biseda me familjarët, e ndoshta ndonjë natë pa gjumë. A është kjo gjendja më e përshtatshme shpirtërore për t’u përgatitur për një finale të Champions-it (dhe ndoshta edhe për javët para saj, duke qenë se u fol për një “punë të gjatë” nga Calzada)? Kjo është të paktën e diskutueshme. Dhe nga këtu lindin një sërë pyetjesh të tjera: A e dinte skuadra? A ishte informuar klubi? Sepse, siç e dinë ata që kanë konsideruar të ndërronin punë, mënyra e komunikimit të ndryshimit duhet menaxhuar me shumë kujdes: i pari që duhet informuar, nga lojaliteti dhe korrektësia, është shefi yt.
    E megjithatë, Beppe Marotta paraqitet në takim me Inzaghin me një propozim rinovimi në dorë, pa e ditur se trajneri i tij kishte arritur tashmë një marrëveshje me arabët. Dhe videoja e njoftimit nga Al-Hilal mbërrin vetëm pak orë më vonë. Kjo shpjegon zhgënjimin dhe sikletin që doli dje në sipërfaqe brenda Interit.
    Por, përtej mënyrës se si u bë, të vijmë te thelbi: Sa shumë dhe çfarë dinin lojtarët? Sa u shpërqendruan nga mendime të jashtme në ditët më të rëndësishme të karrierës së tyre? Dhe më tej: A është e vërtetë që edhe Bastoni e Barella kishin marrë oferta shumë-milionëshe nga Arabia? Pyetje që me shumë gjasë do të mbeten pa përgjigje. Këtu nuk ka moralizime, nuk po thuhet që Inzaghi s’duhej ta dëgjonte apo ta pranonte një ofertë kaq joshëse në aspektin ekonomik. Ajo që vihet në dyshim është mënyra si ai e menaxhoi situatën.
    Në vitin 2010, José Mourinho ia doli në mënyrë perfekte: me marrëveshjen me Real Madridin në xhep (që e kishte komunikuar tashmë te Massimo Moratti), arriti ta mbrojë grupin, madje e përdori atë rrethanë për ta bashkuar edhe më shumë skuadrën, duke i bindur të gjithë se kishin ende një fund të lumtur për të shkruar së bashku. Përfundimi ishte një trofe i ngritur dhe një pamje që ka mbetur në kujtesën e të gjithëve: përqafimi me lot i interistit më të zjarrtë, Marco Materazzi, me Mourinhon që ishte gati të bënte të paimagjinueshmen, të mos hipte në autobusin e skuadrës, por të largohej në makinën e Florentino Perez.
    Që e njëjta gjë nuk i doli Inzaghit, është tashmë e qartë: sërish, arsyet për të cilat ajo Inter zbriti në fushën e Mynihut kaq bosh shpirtërisht janë të shumta, por është e vështirë të thuash se nuk ishte një grup i çoroditur – me siguri gjithçka përveçse i bashkuar.
    Ne jemi në majat e futbollit botëror: të gjithë trajnerët – aq më shumë sot, të ndihmuar nga teknologjia dhe stafet super-specializuara – janë (disa më shumë, disa më pak) të aftë të lexojnë ndeshjet dhe të vendosin si të rreshtojnë skuadrën. Ajo që shpesh bën diferencën është personaliteti, aftësia për të menaxhuar grupin dhe për të kuptuar psikologjinë e tij. Dhe ndoshta kjo është pikërisht ajo që ndodhi në këtë rast.

    Top Channel

  • I ndërtuar brenda një mali dhe i përforcuar kundër bombave që shkatërrojnë bunkerët, ç’dihet për centralin bërthamor Fordow të Iranit

    I ndërtuar brenda një mali dhe i përforcuar kundër bombave që shkatërrojnë bunkerët, ç’dihet për centralin bërthamor Fordow të Iranit

    Pesë tunele që futen në një grup malesh, një strukturë e madhe mbështetëse dhe një perimetër i gjerë sigurie… Kjo është e gjitha që mund të shihni nga uzina misterioze e pasurimit të karburantit Fordow e Iranit nga imazhet e fundit satelitore.

    Kompleksi sekret dhe i ruajtur me shumë kujdes, i ndërtuar pranë qytetit të shenjtë të Qomit, ka nxitur spekulime rreth natyrës dhe madhësisë së tij të vërtetë që kur u bë publik për herë të parë në vitin 2009.
    Një pjesë e asaj që dimë për të, thotë CNN, vjen nga një thesar dokumentesh iraniane të vjedhura vite më parë nga inteligjenca izraelite.
    Sallat e saj kryesore janë rreth 80 deri në 90 metra nën tokë, të sigurta nga çdo bombë ajrore që dihet se posedohet nga Izraeli, duke e bërë shkatërrimin e objektit nga ajri një detyrë pothuajse të pamundur.
    Ndërsa udhëheqja e Iranit është e tronditur nga një seri sulmesh shkatërruese izraelite, disa analistë thonë se është në Fordow ku Irani mund të nxitojë të shndërrojë rezervat e uraniumit të pasuruar në një bombë bërthamore.
    Izraeli e ka shënjestruar objektin ditët e fundit, por, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), deri më tani ose nuk ka qenë i gatshëm, ose nuk ka qenë në gjendje, ta dëmtojë atë.
    Teherani prej kohësh ka pohuar se objektivat e programit të tij bërthamor janë paqësore, por Fordow ka qenë në qendër të shqetësimit lidhur me ambiciet e Iranit.
    “Madhësia dhe konfigurimi i këtij objekti është i papajtueshëm me një program paqësor”, tha presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Barack Obama, në vitin 2009, ndërsa ai, së bashku me presidentin e atëhershëm francez, Nicolas Sarkozy, dhe kryeministrin britanik, Gordon Brown, i zbuluan botës ekzistencën e Fordow.
    Vetëm disa ditë para njoftimit, iranianët, me sa duket duke e ditur se agjencitë perëndimore kishin mësuar për impiantin, i thanë IAEA-s dëshirën e tyre për të ndërtuar një impiant të ri për pasurimin e karburantit. Në atë kohë, ndërtimi në Fordow kishte filluar prej vitesh.
    Teherani kundërshtoi akuzat, por dënimi edhe nga aleati Rusia dhe shqetësimet nga Kina i lanë pak hapësirë ​​për të manovruar.
    Ndërtimi filloi në fillim të viteve 2000
    SHBA-të dhe aleatët e tyre nuk kanë dhënë shumë detaje se kur filloi ndërtimi i Fordow, por imazhet satelitore historike të disponueshme publikisht tregojnë punime në vend që nga viti 2004, me fotografi që zbulojnë dy struktura katrore të bardha aty ku ndodhen hyrjet e tunelit sot. IAEA thotë se ka imazhe shtesë që tregojnë ndërtime që nga viti 2002.
    “Fordow është në fakt një projekt që filloi gjatë asaj që ne e quajmë programi i armëve bërthamore të rrëzimit të fillimit të viteve 2000”, tha David Albright, kreu i Institutit për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare (ISIS) me seli në Uashington, një institucion jopartiak i dedikuar për ndalimin e përhapjes së armëve bërthamore. “Ideja ishte që ata (iranianët) të prodhonin uranium të gradës së armëve në atë uzinë dhe të merrnin uranium të pasuruar dobët nga programi bërthamor civil në Iran.”
    Në vitin 2009, një strukturë e madhe mbështetëse e jashtme ishte ndërtuar plotësisht dhe gërmimet ishin duke vazhduar për atë që ekspertët besojnë se është një bosht ventilimi, thelbësor për të lejuar qarkullimin e ajrit në objekt. Ky bosht u fsheh dhe u kamuflua më vonë, tregojnë edhe imazhe më të fundit.
    Teherani i shpjegoi IAEA-s në një letër të datës tetor 2009 se vendimi për të ndërtuar objektin nëntokësor ishte rezultat i “kërcënimeve për sulme ushtarake kundër Iranit”, duke shtuar se Fordow do të shërbente si një emergjencë për uzinën aty pranë në Natanz, e cila, sipas pretendimit të Teheranit, “ishte ndër objektivat e kërcënuara me sulme ushtarake”.
    Irani i tha IAEA-s se objekti mund të strehojë deri në 3,000 centrifuga.
    Marrëveshja bërthamore dhe akuzat izraelite
    Rreziqet e paraqitura nga Fordow u zbutën kryesisht si rezultat i Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA), i ashtuquajturi “marrëveshje bërthamore me Iranin”, që kërkonte që Irani të hiqte dy të tretat e centrifugave brenda objektit, së bashku me të gjithë materialin bërthamor, pasi objektit iu ndalua çdo punë e tillë.
    Ky proces u përmbys ngadalë kur Presidenti i SHBA-së Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018.
    Detaje të mëtejshme rreth objektit u bënë publike nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në vitin 2018, pasi shërbimet e inteligjencës së vendit të tij sekuestruan më shumë se 55,000 dokumente nga ajo që Izraeli e quajti “arkivi atomik” i Iranit.
    Midis dokumenteve ishin skica të detajuara të Fordow dhe informacione mbi objektivat e tij: Të prodhonte uranium të përshtatshëm për armë, si pjesë e programit të armëve bërthamore të Iranit, për të paktën një ose dy armë bërthamore në vit.
    “Nuk kemi parë kurrë ndonjë mospërputhje”, tha Albright, e cila i ka shqyrtuar dokumentet, për përpjekjen e Iranit për të zhvilluar armë bërthamore. “Janë qindra mijëra faqe. Dua të them, thjesht nuk mund të shpikësh kaq shumë gjëra. Nuk mendoj se dikush e kundërshton këtë dhe kjo është ndoshta arsyeja pse ekziston një rezolutë e Bordit të Guvernatorëve (IAEA) kundër Iranit.”
    Në atë kohë, zëvendësministri i atëhershëm i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i quajti zbulimet dhe komentet e Netanyahut “fëminore” dhe “qesharake”. Sekretari i atëhershëm i Shtetit i SHBA-së, Mike Pompeo, tha se SHBA-të e kishin ditur materialin “për një kohë” dhe besonin se dokumentet ishin autentike. V
    “U interpretua sikur po përgatiteshin për ta bërë këtë nëse vendosnin. Dhe nëse je 60%, mund ta shndërrosh shumë shpejt në uranium të përshtatshëm për armë”, shtoi ai.
    Sipas organizatës kërkimore ISIS, “Irani mund ta shndërrojë stokun e tij aktual të uraniumit të pasuruar 60 për qind në 233 kg uranium të gradës së armëve brenda tre javësh në Uzinën e Pasurimit të Karburantit Fordow”, të mjaftueshëm për nëntë armë bërthamore.
    Kjo është arsyeja pse Fordow është një fokus kryesor i përpjekjeve të Izraelit për të degraduar dhe shkatërruar programin bërthamor të Iranit. Por a është kjo e realizueshme?
    SHBA-të janë i vetmi vend që zotëron llojin e bombës së nevojshme për të goditur centralin bërthamor Fordow të Iranit, tha ambasadori i Izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, në një intervistë me Merit TV të hënën.
    “Që Fordow të shkatërrohet nga një bombë nga qielli, i vetmi vend në botë që e ka atë bombë janë Shtetet e Bashkuara. Dhe ky është një vendim që Shtetet e Bashkuara duhet ta marrin, pavarësisht nëse zgjedhin apo jo ta ndjekin atë kurs”, tha Leiter. Por, shtoi ai, kjo nuk ishte e vetmja mundësi: “Ka mënyra të tjera për t’u marrë me Fordow.”
    Shkatërrimi i Fordow nga ajri do të ishte pothuajse i pamundur për Izraelin, sipas një raporti të marsit nga grupi i ekspertëve të Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI) me seli në Mbretërinë e Bashkuar dhe do të kërkonte fuqi zjarri dhe ndihmë të konsiderueshme nga Shtetet e Bashkuara.
    Sipas raportit të RUSI-t, nuk do të ishte i arritshëm as nga bombat masive depërtuese të municioneve GBU-57 të SHBA-së, të cilat arrijnë vetëm rreth 60 metra thellësi. Dhe GBU-57 mund të transportohet vetëm nga bombarduesit e fshehtë B-2 të Forcave Ajrore të SHBA-së, diçka që Izraeli nuk e ka, edhe nëse SHBA-të do t’i jepnin bombat.
    “Edhe GBU-57/B ka të ngjarë të kërkojë impakte të shumëfishta në të njëjtën pikë synimi për të pasur një shans të mirë për të depërtuar në objekt”, thuhet në raport.
    Analistë të tjerë pajtohen, duke thënë se nëse SHBA-të do të përpiqeshin të godisnin Fordow-n, kjo ndoshta nuk do të mund të bëhej me një bombë të vetme.
    “Do të mbështetesha në sulme të përsëritura kundër Fordow”, tha analisti ushtarak i CNN, Cedric Leighton, një ish-kolonel i Forcave Ajrore të SHBA-së.
    Albright thotë se mund të ketë mënyra të tjera për të çaktivizuar Fordow-in.
    “Izraeli ndoshta mund të shkatërrojë hyrjet e tuneleve shumë larg dhe sigurisht të shkatërrojë sistemin e ventilimit”, tha ai. ‘Nëse do të shkatërroheshin (tunelet) dhe furnizimi me energji elektrike, do të kalonin muaj para se ato të mund të funksiononin vërtet”.
    Pavarësisht rolit të saj vendimtar në programin bërthamor të Iranit, Albright beson se Fordow është vetëm një pjesë tjetër e enigmës.
    “Nëse e shkatërron, ky nuk është fundi i situatës, sepse pastaj kalon te kërcënimi tjetër, i cili është, sa centrifuga ka prodhuar Irani që nuk i ka vendosur në Fordow dhe Natanz? Dhe ku janë ato?” tha ai.
    “Mendoj se njerëzit e teprojnë me nevojën për ta shkatërruar atë duke ulur tavanet e tij, gjë që, duhet pranuar, ndoshta vetëm SHBA-të mund ta bëjnë.”

    Top Channel

  • Eurostat publikon të dhënat: Shqipëria në 11 vendet më të plakura të Europës! U moshuam 4 herë më shumë se BE-ja

    Eurostat publikon të dhënat: Shqipëria në 11 vendet më të plakura të Europës! U moshuam 4 herë më shumë se BE-ja

    Në vetëm 14 vjet, Shqipëria nga një vend më popullsinë më të re në Europë (31.9 vjeç me 2010) u rendit në vitin 2024 në mesin e 11 vendeve me popullsinë më të plakur në Europës.

    Sipas të dhënave të Eurostat, mosha mediane e popullsisë në BE arriti në 44.7 vite vitin e kaluar, ndërsa në Shqipëri 44.3 vite. Kjo do të thotë që në Shqipëri, gjysma e popullsisë është nën 44.3 vjeç dhe gjysma mbi këtë moshë. Në 2010-n, gjysma e popullsisë shqiptare ishte nën 31.9 vjeç.

    Nga 2010 në 2024, mosha mediane e popullsisë shqiptare është rritur me 12.4 vite. Të dhënat zyrtare tregojnë se në asnjë vend tjetër europian nuk ka përjetuar një lëvizje kaq të madhe në kaq pak kohë. Në shumicën e shteteve, rritja moshës mediane të popullsisë është rritur nga 2 – 6 vjet, ndërsa mesatarja e BE-është 3.4 vjet.

    Të dhënat e fundit tregojnë se Italia është vendi me popullsinë më të plakur në Europë me moshën mediane të popullsisë 48.7 vjeç, e ndjekur nga Bullgaria, Portugalia, Greqia, Spanja ku mosha mediane e popullsisë është rreth 47 vjeç.

    Në renditje vijnë Gjermania, Kroacia, Sllovenia, Serbia me moshën mediane të popullsisë rreth 45 vjeç, të ndjekura nga Hungaria dhe Shqipëria me mbi 44 vjeç.

    Në anën tjetër Armenia, Turqia, Azerbagjani, Islanda, Gjeorgjia janë vendet me popullsinë më të re në moshë, me rreth 33-34 vjeç, sipas Eurostat. Në listën e shteteve me popullsi të re vijon të jetë dhe Kosova, që sipas censit të fundit të vitit 2024 kishte një moshë mediave prej 34 vjeç.

    Rënia drastike e fertilitetit nën 1.5 lindje për grua përgjatë dekadës dhe emigracioni lartë i të rinjve ka ndikuar në plakjen e shpejtë të popullsisë rezidente në vendin tonë.

    Mosha mediane e popullsisë shqiptare u rrit me ritme shumë më të larta edhe se Rajoni.

    Në Ballkani Perëndimor mosha mediane u rrit 3 deri në 6 vite ndërmjet 2010-2014.

    Një vështrim i detajuar mbi të dhënat e moshës mediane nga 2010 – 2024 tregon se vendi ynë po kalon një shok demografik që nuk gjen precedent në kontinentin Europian. Ritmi shqiptar i plakjes është gati katërfish në krahasim me mesataren e BE dhe afro dyfish ndaj vendit të dytë me plakjen më të shpejtë, Moldavisë.

    Me këto ritme forca e punës mund të tkurret me 8% deri në vitin 2030. Gjithashtu rritja ekonomike rrezikon të ngadalësohet nëse produktiviteti i punës nuk rritet.

    Vitet e fundit është përforcuar largimi i popullsisë në moshë pune, kryesisht 20-35 vjeç drejt BE-së, Britanisë dhe SHBA-së. Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se emigracioni neto ( ikjet minus kthimet) gjatë 2023-2024 ishte-72 mijë persona shumica të rinj.

    Demografët këshillojnë hartimin e strategjive gjithëpërfshirëse që synojnë frenimin e emigracionit, kthimin e diasporës dhe inkurajimin e lindjeve me politika fiskale pro familjes./ Monitor

  • Lumturia mund të ‘ushqehet’ dhe ka ca produkte që do t’ju ndihmojnë për këtë

    Lumturia mund të ‘ushqehet’ dhe ka ca produkte që do t’ju ndihmojnë për këtë

    Serotonina është një neurotransmetues që gjendet në trurin tuaj, gjakun dhe sistemin tuaj tretës. Ajo ndikon në çdo pjesë të trupit tuaj, që nga emocionet deri tek aftësitë tuaja motorike.

    Serotonina konsiderohet si një stabilizues natyral i humorit dhe përbëhet nga aminoacidi thelbësor i quajtur triptofan, i cili merret përmes ushqimit.

    Mungesa e triptofanit mund të çojë në uljen e niveleve të serotoninës.

    Kjo mund të rezultojë në çrregullime të humorit, të tilla si ankthi ose depresioni.

    Në bazë të kërikmeve të ndryshme dhe këshillave të ekspertëve të shëndetit, ju listojmë disa mënyra natyrale për të rritur nivelet e sterotoninës.

    Konsumoni më shumë ushqime që përmbajnë triptofan

    Misioni juaj është të merrni triptofan, të cilin trupi juaj mund ta shndërrojë në serotoninë.

    Prandaj një dietë e qëndrueshme me ushqime të pasura me triptofan, mund të rrisë me kalimin e kohës nivelet e serotoninës.

    Disa nga ushqimet më të mira që përmbajnë triptofan:

    Vezët –  janë plot me aminoacide dhe antioksidantë si triptofani, tirosina, kolina, biotina dhe acide yndyrore omega-3.

    Ananasi – është i pasur me triptofan dhe shumë bromelainë, një enzimë që zvogëlon inflamacionin.

    Djathi – në një studim, pjesëmarrësit raportuan gjendje shpirtërore të përmirësuar, gjatë një diete 4-ditore me përmbajtje të lartë të triptofanit sesa gjatë dietës së tyre pasuese 4-ditore me më pak triptofan.

    Dhe ishte pikërisht djathi që i bëri ata të ndiheshin më të lumtur.Bananet – janë të famshme për përmbajtjen e tyre të kaliumit, por tashmë njihen edhe për përmbajtjen e lartë të triptofanit.

    Salmoni – përveç se i pasur me triptofan, ai përmban acide yndyrore omega-3, të cilat ndikojnë pozitivisht edhe në shëndetin e zemrës tuaj.

    Gjeli i detit – duke qenë i pasur me triptofan, ky ushqim nuk ka pse të shërbehet vetëm natën e ndërrimit të viteve.

    Miks me fruta të thara dhe arra – në vend të ushqimeve jo të shëndetshme, ju mund të konsumoni një miks frutash të thara dhe arrash.

    Këshilla të tjera për të rritur nivelet e sterotoninës :

    Ushqimi nuk është e vetmja mënyrë për të nxitur prodhimin e serotoninës, një mënyrë jetese e rregullt është gjithashtu çelësi i lumturisë.

    Qëndroni të hidratuar – konsumoni sasi të mjaftueshme uji përgjatë ditës, në mënyrë që truri dhe trupi juaj të funksionojnë në mënyrë të rregullt.

    Aktiviteti fizik – aktiviteti fizik bën që trupi të çlirojë triptofan dhe endorfinë në qarkullimin tuaj të gjakut dhe si rrjedhojë humori juaj do të përmirësohet ndjeshëm.

    Qëndroni në diell – drita e diellit nxit prodhimin e serotoninës, prandaj është e rëndësishme të përftioni nga ditët e mira me diell.

    Ju gjithashtu mund të merrni shtesa të vitaminës D nëse keni vërtetë nevojë.

    Kujdesuni për sistemin tretës – ushqimet e përpunuara mund të ndikojnë negativisht në sistemin tretës, gjë që ndikon në gjendjen shpirtërore dhe shëndetin e përgjithshëm.

    Ndonjëherë edhe pse mund t’i zbatoni të gjitha këshillat e mësipërme, duket se asgjë nuk po funksionon.

    Atëherë është koha të flisni me mjekun tuaj për të filluar terapinë dhe për të marrë mjekimin e duhur./AgroWeb