Day: June 16, 2025

  • Kush jep shtëpinë me qira ditore do paguajë taksat e Bashkisë Tiranë si biznes, bazuar në xhiro

    Kush jep shtëpinë me qira ditore do paguajë taksat e Bashkisë Tiranë si biznes, bazuar në xhiro

    Të gjitha struktura akomoduese që funksionojnë me regjim ditor (B&B, bujtina) do të duhet të paguajnë taksën e infrastrukturës arsimore dhe tarifën e pastrimit, në varësi të qarkullimit vjetor.Një projektvendim “Për disa shtesa dhe ndryshime në sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranë” propozon shtimin për kategori të tjera biznesesh me qëllim llogaritjen e taksës së infrastrukturës arsimore dhe tarifën e pastrimit.“Në zërin Hotele, motele të shtohet zëri “B&B”, bujtinë si strukturë akomoduese që funksionojnë me regjim ditor”, thuhet ne relacion. Më herët në këtë taksë përfshiheshin vetëm Hotelet e motelet (lekë/dhomë në vit).Po si do të llogaritet detyrimi për tarifën vendore të pastrimit dhe taksën për Infrastrukturën Arsimore sipas ndarjes së xhiros për strukturat e qirasë ditore?Sipas vendimit nr.158, datë 26.12.2019 “Për miratimin e sistemit të taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës” taksa për Infrastrukturën Arsimore dhe Tarifa e Pastrimit llogaritet si detyrim fiks vjetor, por ndryshon sipas kategorisë së xhiros së biznesit.Deri tani për njësitë e shërbimit tarifa e pastrimit paguhet vetëm nga hotelet dhe motelet. Psh. Tarifa e pastrimit, për një biznes në kategorinë e njësisë së shërbimit hotele dhe motele me xhiro vjetore nga 0 deri 2 milionë lekë tarifa e pastrimit është 5,750 lekë në vit.Me propozimin e Bashkisë së Tiranës kjo taksë do të paguhet edhe nga strukturat e qirasë ditore Bed and Breakfest, apo siç njihen ndryshe B&B (ndryshe nga hotelet, B&B-të janë zakonisht biznese familjare ose private me pak dhoma) dhe nga bujtinat. Pra nëse xhiroja e tyre vjetore do të jetë deri në 2 milionë lekë detyrimi për tarifën e pastrimit do të 5,750 lekë në vit. Detyrimi do të jetë i njëjtë sa moteli dhe hoteli me xhiro vjetore 2 milionë lekë.Për bizneset me xhiro nga 2 deri 8 milionë lekë tarifa e pastrimit fikse vjetore është 11,500 lekë. Plus tarifës fikse biznesi në këtë fashë xhiro, paguan plus edhe 1,150 lekë për dhomë. Pra nëse një hotel apo motel ka 5 dhoma ai paguan detyrimin vjetor prej 11,500 lekë si tarifa fikse vjetore + 5 dhoma x 1,150 tarifa/dhome =17,250 lekë në vit.Edhe për bizneset e shërbimit, të përfshirë në kategorinë e xhiros mbi 8 milionë lekë tarifa e pastrimit llogaritet në të njëjtën formulë. Për këtë kategori taksa fikse vjetore është 34,500 lekë në vit. Ndërsa për dhomë është 1,725 lekë që i shtohet detyrimit prej 34,500 lekë.Dhe për bizneset VIP tarifa e pastrimit për dhomë është 2,900 lekë plus tarifa fikse vjetore prej 69,000 në vit.Ndërsa taksa e përkohshme e infrastrukturës arsimore për njësitë e shërbimit, me xhiro vjetore nga 0 deri 2 milionë lekë është 2,500 lekë në vit.Për bizneset me xhiro nga 2 deri 8 milionë lekë është 4,000 lekë në vit. Për biznesi të kategorizuar në xhiro mbi 8 milionë lekë tarifa llogaritet 17,000 lekë në vit. Dhe për bizneset VIP taksa llogaritet 32,000.Projektvendimi propozon gjithashtu ndryshime të tjera në aneksin 6, përkatësisht në kategorinë “Shitje me pakicë” nën zërin Shitje produktesh farmaceutike dhe të ngjashme me to (depo farmaceutike të regjistruara si biznes i vogël), të hiqet togfjalëshi (depo farmaceutike të regjistruara si biznes i vogël).Depot farmaceutike, për shkak të volumit dhe tipologjisë së aktivitetit nuk mund të jenë të regjistruara në ndarjen e shitjes me pakicë. Propozohet heqjen nga ky zë duke e përfshirë në zërin: “Magazina, dyqane, depo farmaceutike etj., të cilat realizojnë shitje me shumicë”Gjithashtu propozohet që te njësitë shërbimi marangoz, rrobaqepës, këpucar, floktore, orëndreqës etj të shtohen për saktësim edhe “bojaxhi dhe punime hidraulike të ngjashme me to” duke qenë se kjo kategori nuk mund të klasifikohet si subjekte ndërtimi.Ndërsa në zërin: Institucionet jopublike të edukimit (shkollat, kopshtet apo çerdhet),shërbimet në klinikat e specialiteteve të ndryshme mjekësore, shërbimet në laboratorë diagnostifikimi etj në rastet kur nuk e kalojnë kufirin e regjistrimit në TVSH të hiqet pjesa e fundit pasi ndarja sipas xhiros dhe kategorisë VIP bie ndesh me këtë lloj formulimi./ D.AzoKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • Normat e interesit të Euros në nivelet më të ulëta prej tre vitesh

    Normat e interesit të Euros në nivelet më të ulëta prej tre vitesh

    Normat e interesit të Euros po e thellojnë rënien në pjesën e parë të këtij viti, duke e bërë më të leverdishme huamarrjen në monedhën europiane. Treguesi kryesor benchmark i Euros në tregjet ndërkombëtare, Euribori 12-mujor, tashmë ka zbritur pranë kufirit të 2%, në nivelet më të ulëta të tre viteve të fundit.Euribori 12-mujor është njëkohësisht trgeuesi referues kryesor i përdorur për çmimin e kredive me norma të ndryshueshme interesi nga bankat tregtare në Shqipëri. Ulja e Euriborit e ul automatikisht normën totale të interesit të kredisë në rishikimin e saj periodik, duke bërë që huamarrësit të paguajnë këste më të ulëta mujore.Rënia e normave të interesit të Euros është reflektuar menjëherë vitin e kaluar në një rritje të kërkesës për kredi në monedhën europiane. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kredia në Euro iu kthye rritjes vitin e kaluar, e mbështetur sidomos nga kërkesa e bizneseve dhe nga ulja e normave të interesit.Vitin e kaluar sektori bankar dha kredi të reja në euro për një vlerë të barazvlefshme me 153.7 miliardë lekë, në rritje me 13.7% krahasuar me vitin 2023. Megjithatë, shifrat nuk janë të rregulluara me efektin e kursit të këmbimit. Nëse mbajmë parasysh se kursi mesatar i këmbimit euro-lek ra me 7.4% vitin e kaluar, rritja e kredisë në euro, e pastruar nga efekti i kursit të këmbimit, do të ishte afërsisht 21%.Rritja e portofolit të kredisë në Euro erdhi e gjitha nga segmenti i bizneseve private.Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se bizneset morën hua në Euro për një shumë të përgjithshme prej 130.4 miliardë lekësh, në rritje me 24.3% krahasuar me një vit më parë. Viti i kaluar u karakterizua nga një rritje e shpejtë e kreditimit të biznesit në tërësi, rritje që u mbështet në pjesën më të madhe pikërisht nga kredia në Euro.Kredia në Euro pësoi një frenim në vitin 2023, për shkak të rritjes së shpejtë të normave të interesit, përveç efektit statistikor të rënies së kursit të këmbimit të Euros me Lekun. Madje, një pjesë e huamarrësve vendosën të konvertonin kreditë ekzistuese nga Euro në Lek, duke shfrytëzuar kursin e favorshëm të këmbimit, por edhe faktin se për herë të parë normat e interesit në Lekë zbritën në nivele më të ulëta se ato në Euro.Por, vitin e kaluar, Banka Qendrore Europiane nisi uljen e normave të interesit, pas një cikli dyvjeçar në rritje. Banka Qendrore Europiane po vazhdon me uljen e normave të interesit të euros dhe këtë muaj aplikoi një ulje të mëtejshme, me 0.25 pikë përqindje. Norma e interesit të depozitave ditore zbriti në 2%, ndërsa ajo e instrumenteve bazë të rifinancimit në 2.4%.Kjo ka ulur rrjedhimisht edhe normat e interesit të euros në tregjet financiare, duke përfshirë treguesin benchmark që përdoret për indeksimin e huave në monedhën europiane, Euriborin.Ulja e normave të interesit në Euro krijon premisa për rritje të mëtejshme të kredisë në monedhën europiane nga sektori bankar shqiptar, duke ndjekur një cikël mjaft të pozitiv të huadhënies në ekonominë vendase.Vitin e kaluar, kredia për ekonominë u rrit me ritmet më të larta që prej vitit 2009, ndërsa të dhënat e deritanishme tregojnë se rritja po vazhdon me ritme të ngjashme edhe në muajt e parë të vitit 2025./ E.ShehuKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • Pallati i Sporteve “Asllan Rusi” do i jepet privatit për zhvillim, bashkë me dy parkingjet ngjitur

    Pallati i Sporteve “Asllan Rusi” do i jepet privatit për zhvillim, bashkë me dy parkingjet ngjitur

    Korporata e Investimeve Shqiptare çeli së fundmi thirrjen për projektin që synon rijetëzimin e Pallatit të Sporteve ‘Asllan Rusi”.Në dokumentet që shoqërojnë këtë thirrje është saktësuar edhe zona e konkursit e cila brenda pjesës së vijëzuar përfshin ndërtesën aktuale të sporteve por edhe pjesën e parkingut publik në pjesën ballore dhe parkingun që ka shërbyer për autobusët në pjesën pas tij.Sipas dokumentit përreth zonës së konkursit, ndodhen disa territore të tjera të cilat janë planifikuar që të rizhvillohen me funksione mikse dhe t’i nënshtrohen një procesi përmirësimi urban.“Ky program përcakton kërkesat minimale hapësinore për projektimin e një arene multifunksionale të certifikuar nga federata të sporteve të ndryshme (EHF, FIBA etj.). Arena do të presë një sërë aktivitetesh sportive dhe do të integrojë hapësira ndihmëse stërvitjeje, zona VIP/media dhe ambiente mbështetëse të brendshme.Objekti duhet të mbështesë garat në nivel ndërkombëtar, përdorim fleksibël për stërvitje dhe të sigurojë transmetim mediatik, qasje për kategorinë VIP-at dhe aksesueshmëri të plotë. Arena duhet të ketë një kapacitet të certifikuar prej 6,000 spektatorësh. Sipërfaqja totale bruto e ndërtimit e vlerësuar është rreth 13,500 m², mbi tokë, pa përfshirë hapësirat e jashtme, si parkimet dhe sheshet”, thuhet në dokumentin e bërë publik nga Korporata.Projekti parashikon një zhvillim me përdorim të përzier / shumë-funksional me një sipërfaqe totale ndërtimi prej rreth 26,500 m², pa përfshirë parkimin.Sipas planit funksionet shtesë përtej atyre sportive, do të shërbejnë për të ngritur një model zhvillimi të qëndrueshëm, i cili do të garantojë jo vetëm ndërtueshmërinë, por edhe funksionimin e denjë dhe afatgjatë të Pallatit të Sportit, të pavarur nga financat publike, sipas një modeli ku shteti bëhet sipërmarrës për të maksimizuar potencialin e aseteve të tij.“Preferohet që nevojat për parkim të zgjidhen nëpërmjet parkimit nëntokësor, për të ruajtur të lira hapësirat e hapura në katin përdhe dhe për të garantuar cilësinë vizuale të peizazhit në sipërfaqe. Zhvillimi i propozuar mund të përfshijë, në varësi të vizionit të ekipit projektues, funksione si: 65 ● Hapësirat sportive të Pallatit të Sportit ● Hapësira tregtare dhe zyra ● Funksione mikpritjeje (p.sh., hotel ose njësi qëndrimi afatgjatë) ● Funksione të orientuara nga shërbimi (p.sh., arsim, shëndetësi ose aktivitete komunitare) ● Hapësira akomodimi për banim ● Veprimtari rekreative dhe gastronomike” thuhet në dokument.Konkursi do të ketë dy faza ku vetëm kandidatët e kualifikuar në fazën e parë do të ftohen në fazën e dytë të konkurrimit nëpërmjet dërgimit të Ftesës për Propozim. Faza e dytë e përzgjedhjes së kandidatit fitues për kontratën konsiston në paraqitjen e një propozimi që përmban 2 (dy) pjesë, projekt idenë arkitekturore (zarfi 1) dhe ofertën financiare (zarfi 2). Ofertat financiare të paraqitura nga kandidatët në këtë fazë duhet të plotësojnë kriterin bazë, i cili është 40% (dyzet për qind) e sipërfaqes totale të zhvillimit në pronën shtetërore (prona e Bashkisë Tiranë/Qendra Sportive sh.a.).Rijetëzimi i “Asllan Rusi” është një nga disa projekte që qeveria ka nisur sa i takon zhvillimit të pronave në partneritet me privatin. Më herët me të njëjtë procedurë u shpall fituesi për VOID Tower dhe kompleksin governativ që do t’i shërbejë me ambiente disa institucioneve publike teksa është rihapur disa herë thirrja për kadastrën dhe LIFT Tower por pa një fitues.Një tjetër projekt që do po ndjek këtë model është stadiumi “Selman Stermasi” tashmë me një fitues apo zhvillimi i vilave qeveritare në hotele marka ndërkombëtare në Vlorë dhe Velipojë që do të mbajnë markën “Melia”. Shteti në këto projekte do jep pronën për zhvillim duke marrë pas sipërfaqe ndërtimore e cila gjeneron të ardhura./ N.Maho Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • “Fajin e kanë shqiptarët”, rekord aktakuzash nga Serbia për krime nga kosovarët

    “Fajin e kanë shqiptarët”, rekord aktakuzash nga Serbia për krime nga kosovarët

    Shqiptarët janë përherë fajtorët sipas shtetit serb. Sipas Fondit për të Drejtat Humanitare rezulton se gjatë vitit 2024, Prokuroria për Krime Lufte në Serbi ka rritur ndjeshëm numrin e aktakuzave.
    Shumica e tyre janë ngritur ndaj shqiptarëve të Kosovës, citon Radio Europa e Lirë dhe ky është rezultat i presionit politik nga autoritetet dhe mediat proqeveritare në Serbi.
    Ndonëse Serbia vazhdoi me arrestimin e shtetasve të Kosovës në pikat kufitare edhe në vitin 2024, shumica e aktakuzave janë ngritur ndaj personave që nuk janë të arritshëm për sistemin gjyqësor serb. Sipas Fondit për të Drejtat Humanitare, në vend të përmirësimit të bashkëpunimit me Kosovën, po vihet në praktikë gjykimi në mungesë.
    Viti 2024 u karakterizua, gjithashtu, nga mungesa e bashkëpunimit me vendet fqinje, zvarritja e gjykimeve për krimet e luftës të viteve ’90, dënimet joproporcionale për të dënuarit, si dhe mosndjekja penale e pjesëtarëve të lartë të forcave serbe.

  • Banorja iraniane e tmerruar pas sulmeve të Izraelit: Kam frikë nga gjithçka! Më janë kthyer ankthet e fëmijërisë

    Banorja iraniane e tmerruar pas sulmeve të Izraelit: Kam frikë nga gjithçka! Më janë kthyer ankthet e fëmijërisë

    Shërbimi persian i BBC-së ka dëgjuar nga njerëz në Iran për përvojat e tyre që kur Izraeli nisi sulmet e para kundër vendit javën e kaluar.
    “Të gjitha ankthet e fëmijërisë sime janë rikthyer”, thotë një grua, e cila ka lindur në vitin 1979 gjatë Revolucionit Iranian.
    “Këto dy ose tre netët e fundit, çdo zhurmë e vogël, si diçka në rrugicë, zhurma e një motoçiklete, ose diçka që bie, apo edhe nëse më bie diçka, më bën të kërcej nga frika”, thotë ajo.
    “Jam e tmerruar. Por përtej kësaj, vitet e presionit dhe vështirësive në jetë më kanë lënë me një ndjenjë kaq të thellë pashprese”, tha ajo më tej.
    “Jam i rraskapitur. Nuk kam më asgjë për të humbur”, vijoi ajo më tej.
    Një person tjetër, duke folur nga qyteti i Pakdashtit, rreth 50 km (31 milje) nga Teherani, thotë se është i paaftë të ndiejë ndonjë emocion për atë që po ndodh.
    “Për shkak të vështirësive të mëdha që kemi duruar gjatë gjithë sundimit të Republikës Islamike dhe mendoj se kjo vlen për shumicën e njerëzve, për të qenë i sinqertë, nuk ka mbetur më asnjë ndjenjë e vërtetë tek ne, asnjë ndjenjë e mirë, që do të na lejonte të kuptonim frikën ose lumturinë”, tha ai.

  • Irani nis një valë të re sulmesh, thirrje izraelitëve: Largohuni nëse doni të jetoni

    Irani nis një valë të re sulmesh, thirrje izraelitëve: Largohuni nëse doni të jetoni

    Sipas raporteve nga media shtetërore iraniane, një valë e re sulmesh me raketa ka nisur ndaj Izraelit. Transmetuesi kombëtar iranian, duke cituar ushtrinë e vendit, ka lëshuar një paralajmërim të drejtpërdrejtë ndaj banorëve të asaj që e quan “Territoret e Pushtuara”, duke iu referuar shtetit të Izraelit, që të evakuohen për të mbijetuar.
    Televizioni shtetëror iranian shton se sulmet do të vijojnë si përgjigje ndaj goditjes ajrore që shkatërroi selinë e transmetuesit iranian në Teheran.
    Po ashtu, forcat ushtarake iraniane kanë urdhëruar evakuimin e selive të televizioneve izraelite Channel 12 dhe Channel 14, të cilat mendohet se mund të jenë objektiva të drejtpërdrejta të sulmeve të radhës.
    Sakaq, grupi izraelit i naftës Bazan me seli në Haifa njofton se të gjitha objektet e tij të rafinimit janë mbyllur pasi një termocentral u dëmtua rëndë në një sulm nga Irani. Sulmi, sipas Bazan, shkaktoi vdekjen e tre punonjësve të kompanisë.

  • Vllaznia konflikt i pastër me Bashkinë Shkodër, shkas koncerti në “Loro Boriçi”

    Reagon Bashkia Shkodër: Koncerti i Bujar Qamilit nuk cënon Vllazninë

    Për të zbardhur marrëdhënjet e fundit Klub- Bashki, ka mjaftuar premtimi për të organizuar një koncert në stadiumin “Loro Boriçi”. Dejtuesit më të lartë të Vllaznisë me Alban Xhaferin në krye, kanë ndërmarrë një takim sensibilizues lidhur me situatën që i afrohet klubit më të vjetër në Shqipëri përpara se kuqeblutë të luajnë në Conference League 2025/2026.

    Ata a equajnë vendim të nxituar dhe se ky projekt duhet biseduar edhe me klubin Vllaznia:

    Më pas ka ardhur edhe reagimi i Bashkisë Shkodër:

    “Koncerti i këngëtarit Bujar Qamili, “Nder i Kombit”, nuk cënon në asnjë moment logjistikën e stadiumit “Loro Boriçi”, i cili është aset dhe administrohet nga Bashkia Shkodër. Skena do të vendoset në pjesën e pistës së stadiumit, pa prekur fushën e lojës apo infrastrukturën sportive.

    Koncerti i datës 21 qershor është një veprimtari zyrtare e Bashkisë Shkodër, që zhvillohet në asetet e saj, pa asnjë ndryshim destinacioni.

    Përfaqësuesit e Bashkisë dhe të strukturave të kulturës nuk kanë cenuar apo ofenduar askënd. Përkundrazi, janë përballur me sjellje të papërshtatshme nga z. Alban Xhaferi dhe persona që e shoqëronin atë – për të cilat Bashkia i është drejtuar organeve kompetente.

    Për më tepër, sqarojmë se aktiviteti i datës 21 qershor nuk cënon në asnjë mënyrë licensimin apo kushtet e UEFA-s, siç është pretenduar apo abuzuar publikisht.

    KF Vllaznia ftohet të shmangë deklarata që mund të krijojnë tension apo keqkuptim te tifozeria shkodrane

    Shkodra dhe Vllaznia janë një!Në këtë frymë, Bashkia Shkodër mbështet fuqishëm ngjyrat kuqeblu, simbol i krenarisë sonë qytetare, dhe njëkohësisht promovon kulturën si një tjetër pasuri e identitetit shkodran.

    Ftojmë të gjithë shkodranët dhe jo vetëm që të jenë të pranishëm më 21 qershor, në stadiumin “Loro Boriçi”, për të festuar së bashku me Bujar Qamilin në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzikës – në një mbrëmje që do t’i përkasë zemrës së Shkodrës.”/Sportiim.al/

    Vazhdo leximin

  • Përgjoni largohet nga Tirana, lezhjani: Thjesht mirupafshim

    Kapiteni bardhebluve Florjan Përgjoni njoftoi sot mbylljen e bashkëpunimit me Tiranën. Mbrojtësi ka bërë një postim falenderues në rrjete.

    Postimi:

    Pas katër sezonesh të jashtëzakonshëm me fanellën bardh e blu, ka ardhur momenti të mbyll një kapitull shumë të rëndësishëm të karrierës time. Që kur u bëra pjesë e këtij klubi, kam jetuar çdo moment me përulësi dhe me pasion të pastër; ndjeva peshën e brezave, historinë, legjendat e këtij klubi.

    Faleminderit që më keni bërë të ndiej se nuk po luaj vetëm për një skuadër, por për një qytet. Dua të falënderoj Klubin e Futbollit Tirana. Dua të falënderoj bashkëlojtarët e mi. Stafin teknik për mbështetjen dhe për punën e palodhur. Trajnerët me të cilët kam pasur fatin te punoj gjatë këtyre viteve.

    Presidencën dhe drejtuesit e klubit për mundësinë dhe besimin e vazhdueshëm. Dhe mbi të gjitha, një falënderim nga zemra shkon për tifozët bardh e blu për çdo suport dhe duartrokitje. Zemra e këtij klubi! Kjo përvojë më ka rritur si futbollist dhe si njeri.

    Ta përfaqësoja këtë klub si kapiten këtë sezon ka qenë një nder dhe përgjegjësi që do ta mbaj përherë me krenari. Faleminderit për çdo emocion që më keni dhuruar.KF Tirana do të mbetet përgjithmonë pjesë e imja Nuk them lamtumirë, them thjesht: “Mirë u pafshim” ! Me shumë mirënjohje dhe respekt, Florian Pergjoni”.

    Vazhdo leximin

  • Kampionati Botëror i Xhudos, Laura Fazliu bën krenare Kosovën, fiton medalje të bronztë

    Kampionati Botëror i Xhudos, Laura Fazliu bën krenare Kosovën, fiton medalje të bronztë

    Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu është renditur e treta në Kampionatin Botëror të këtij sporti, që po mbahet në Budapest të Hungarisë.
    Sikurse vitin e kaluar, edhe këtë vit Laura e ka fituar medaljen e bronztë në kategorinë e seniorëve.
    “Në xhiron e parë ajo ishte e lirë, në xhiron e dytë Laura mposhti Natalia Kropskan nga Polonia, kurse në xhiron e radhës ajo mposhti Carlotta Avanzaton nga Italia. Në çerekfinale Laura u mposht nga Rafaela Silva nga Brazili, duke vazhduar në repasazh me garuesen Enkhriilen Lkhagvatogoo nga Mongolia. Në ndeshjen vendimtare për të bronztë, Laura mposhti me Ippon, Nauana Silvan nga Brazili”, është thënë në njoftimin e Federatës së Xhudos të Kosovës në një postim në Facebook.
    Në gusht të vitit të kaluar, xhudistja 24-vjeçare e ka fituar medaljen e parë olimpike në karrierë.
    Ajo është shpërblyer me medalje të bronztë në kategorinë deri në 63 kilogramë.
    Kur flitet për xhudon, Kosova është kthyer në emër me nam në botë, sidomos pas fitoreve të njëpasnjëshme të xhudistes Majlinda Kelmendi – tani trajnere – e cila pati shkruar historinë për Kosovën, duke ia siguruar medaljen e parë olimpike në Lojërat e mbajtura në Rio de Zhaneiro më 2016.
    Kelmendi pati fituar medalje të artë.
    Xhudoja është sporti i vetëm që i ka sjellë Kosovës medalje olimpike deri tani – pesë sosh./REL

  • Si të largoni dhimbjen e mesit me metoda të thjeshta në shtëpi

    Si të largoni dhimbjen e mesit me metoda të thjeshta në shtëpi

    Dhimbjet e mesit janë një simptomë apo gjendje e trupit që thuajse të gjithë njerëzit e kanë ndjerë një herë në jetë.

    Saktësisht mjekët thonë se 80% e personave në të gjithë botën kanë vuajtur nga ky problem në një periudhë të caktuar të jetës së tyre.

    Kjo shifër duket se ndahet njësoj si tek burrat ashtu edhe tek gratë zakonisht pas moshës 50 vjeç.
    Mosha është shpesh faktori kryesor në nisjen e kësaj dhimbje që mund të vazhdojë me orë dhe ditë të tëra.

    Shumë e bezdisshme për këdo, dhimbja e mesit mund të reduktohet dhe evitohet me disa hapa të thjeshtë që mund t’i ndiqni vetë në shtëpi.

    Më poshtë janë disa nga këto metoda që do të lehtësojnë pa masë ditët tuaja.

    Përse dhembin kockat
    Kur kockat dëmtohen e veçanërisht ato të shtyllës kurrizore ju bëjnë që të përjetoni hernien diskale. Kjo sëmundje nëse zhvillohet në pjesën e poshtëme të mesit do të bëjë që të përjetoni dhimbje të vazhdueshme po në këtë zonë. Dhimbje të tjera lidhen me atë që quhet nervi shiatik i cili kur ngacmohet dhe dëmtohet shkakton po ashtu dhimbje. Faktorë të tjerë të jashtëm si qëndrimi për kohë të gjata në një pozicion. Qoftë ulur apo në këmbë këto qëndrime, mund të jenë përforcues dhe shkaktorarë të dhimbjeve të shtuara të mesit. Të dëmshme janë gjithashtu edhe ushtrimet me pesha të rënda apo sforcimet e vazhdueshme të trupit.
    Si t’i qetësoni në kushte shtëpie

    Para se t’ju drejtoheni ilaçeve apo trajtimeve të mirëfillta të fizioterapisë, bëni kujdes me mirëmbajtjen e trupit. Sa më shumë presion të ushtroni mbi trupin tuaj aq më shumë do të rritet dhimbja. Prandaj duhet të bëni disa lëvizje të thjeshta për disa minuta në mënyrë që të qetësoheni plotësisht.
    Kompresa
    Kompresat, të ftohta apo të ngrohta mund t’ju ndihmojnë që dhimbja të largohet përkohësisht. Fillimisht duhet të vendosni në mesin tuaj disa copa akulli apo një shishe me ujë të ftohtë. Në mënyrë që temperatura e ftohtë të mpijë zonën nga ku çlirohet dhimbja. Kjo metodë është ideale edhe nëse e keni dëmtuar shtyllën kurrizore apo keni kryer ndërhyrje kirurgjikale pasi largon edhe fryrjen.Më pas rreth 24 orë më pas mund të vazhdoni me kompresat e ngrohta në mënyrë që të relaksoni muskujt.
    Qëndrimi
    Qëndrimi shtrirë apo ulur në shumë raste mund të jetë ndihmues për qetësimin e dhimbejve të mesit. Gjithësesi mjekët rekomandojnë që të qëndroni në lëvizje pavarsisht kësaj në mënyrë që muskujt të mos ngjeshen me njëri tjetrin.
    Nëse keni nevojë të qëndroni shtrirë bëjeni këtë për disa orë, por jo në pjesën më të madhe të ditës.
    Aktiviteti fizik
    Një nga pikat më të forta për të pasur një trup dhe organizëm të shëndetëshëm është aktiviteti fizik. Përveçse ju ndihmon të ndërtoni muskuj fleksibël dhe të fortë do t’ju çlirojë edhe nga dhimbje e tepërta. Gjithnjë konsultohuni me mjekun tuaj në mënyrë që të merrni një program stërvitje të personalizuar. Ekspertët në përgjithësi rekomandojnë të bëni ushtrime aerobike dhe fleksibël. Si përshemull përkulja përpara duke i mbajtur këmbët drejtë apo përkulja para teksa jeni ulur. Mbajini majat e gishtave gjithnjë të hapura dhe mundohuni të tërhiqni kurrizin sa më shumë. Në çdo rast nëse dhimbja e mesit vazhdon për më shumë se 3-4 ditë konsultohuni me një mjek specialist.