Day: June 14, 2025

  • Xabi Alonso habit bordin e Realit me kërkesën e radhës, spanjolli kërkon të rikthejë në Europë ish-yllin e Liverpool

    Xabi Alonso habit bordin e Realit me kërkesën e radhës, spanjolli kërkon të rikthejë në Europë ish-yllin e Liverpool

    14 Qershor 2025

    22:19

    Telesport

    Edhe pse Real Madrid është klubi më aktiv deri tani këtë merkato, ku ka zyrtarizuar transferimin e Dean Hujisen, Alexander Arnold dhe Franco Mastantuono, Xabi Alonso nuk është i kënaqur me kaq dhe ka një kërkesë të radhës për bordin e klubit madrilen.
    Trajneri bask, po kërkon një profil specifik për të plotësuar Vinicius dhe Mbappe në repartin e sulmit, dhe midis opsioneve që ai i ka propozuar bordit të klubit të bardhë, ka dalë një emër i papritur: Roberto Firmino.
    Sulmuesi brazilian, aktualisht pjesë e Al Ahli në Arabinë Saudite, do të ishte i gatshëm të ndërpriste kontratën me klubina rab dhe të rikthehej në Europë, aq më tepër kur të kërkon një klub si Real Madrid. Firmino, 33 vjeç, mbetet një lojtar me përvojë dhe me cilësi të veçanta, të cilat Alonso i konsideron thelbësore për stilin e tij të lojës.
    Përveç Firmino-s, Real Madrid po ndjek edhe emra të tjerë si kroati i Osasuna-s, Ante Budimir, por ish-sulmuesi i Liverpool duket se është zgjedhja e parë e Xabi Alonso-s.

  • EURO U-21: Portugalia fiton me “manita”, Italia mjaftohet me një gol. Franca fiton në frymën e fundit

    EURO U-21: Portugalia fiton me “manita”, Italia mjaftohet me një gol. Franca fiton në frymën e fundit

    Janë luajtur në mbrëmje 3 ndeshjet e radhës për Euro U-21, kompeticion i cili zhvillohet në Sllovaki. Në grupin A, Italia fitoi 0-1 ndaj Sllovakisë vendase me golin e Cesare Casadei. Me këtë fitore, “Axurrët” sigurojnë biletën për në çerekfinale, bashkë me Spanjën, e cila më parë fitoi me përmbysje 2-1 ndaj Rumanisë. Pas dy ndeshjeve të para në grup, Spanja dhe Italia kryesojnë me nga 6 pikë të plota, Sllovakia dhe Rumania me zero pikë.
    Në Grupin B, Portugalia ka fituar me “manita” ndaj Polonisë 5-0. Protagonisti kryesor i takimit ishte Geovany Quenda, sulmuesi i Sporting Lisbon me dy gola dhe një asist. Tre golat e tjerë për “luzitanët” u shënuan nga Araujo, Bernardo dhe Gomes.
    Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Franca fitoi 3-2 ndaj Gjeorgjisë, në një ndeshje shumë dramatike. Francezët e mbyllën pjesën e parë në avantazh 1-0, falë penalltisë së realizuar me sukses nga Mathys Tel. Në pjesën e dytë, Gjeorgjia përmbysi fillimisht shifrat duke shënuar dy herë me Abuashvili 76′ dhe Sazanov 84′, por Franca nuk u dorëzua dhe barazoi shifrat me Lepenant në minutën e 89-të.
    Në minutat shtesë, francezët gjetën dhe golin e tretë, por që fillimisht u anullua për pozicion jashtë loje, por “Gjelat” nuk u dorëzuan dhe shënuan golin e fitores së madhe me Castello Lukeba në minutën e 112-të. Këtë herë goli ishte i rregullt. Pas dy ndeshjeve të para në grup, Portugalia dhe Franca kryesojnë grupin me nga 4 pikë, ndjek Gjeorgjia e treta me 3 pikë dhe mbyll Polonia me zero pikë.

  • Rekursi i Veliajt në Gjykatën e Lartë, caktohet relatorja e çështjes

    Rekursi i Veliajt në Gjykatën e Lartë, caktohet relatorja e çështjes

    Ka mbërritur në Gjykatën e Lartë rekursi i paraqitur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Siç shihet edhe në faqen zyrtare të Gjykatës, çështja i është caktuar për shqyrtim gjyqtares Albana Boksi, e cila do të veprojë si relatore.
    Veliaj depozitoi rekursin më 19 maj 2025, duke kundërshtuar vendimin e Apelit të GJKKO, për masën e “arrestit me burg”. Rekurs në GJL kanë bërë edhe disa prej biznesmenëve të përfshirë në çështje, ndërsa bie në sy mungesa e emrit të bashkëshortes së kryebashkiakut, Ajola Xoxa.
    Për të, gjykata vendosi një masë më të butë sigurie “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.
    Kryetari i Bashkisë po hetohet për dyshime mbi konsumimin e veprës penale të korrupsionit pasiv në të paktën 9 raste, ndërsa së fundmi atij iu shtua edhe akuza për fshehje pasurie.
    Ai u prangos më 10 shkurt me urdhër gjykate, ndërsa ka kundërshtuar disa herë publikisht akuzat. Pas komunikimit të masës, Veliaj mbahet në ambientet e paraburgimit të Durrësit.

  • Tensionet në Lindjen e Mesme, ushtria izraelite: Forcat Ajrore po godasin objektiva në Iran, mbi 150 sulme

    Tensionet në Lindjen e Mesme, ushtria izraelite: Forcat Ajrore po godasin objektiva në Iran, mbi 150 sulme

    Zëdhënësi kryesor i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), ka dhënë një deklaratë publike ku konfirmon se sulmet ajrore kundër objektivave iraniane vazhdojnë ende me një intensitet të paprecedentë.

    “Edhe në këtë orë, pilotët tanë të Forcave Ajrore po kryejnë sulme të gjera në zona të ndryshme të Iranit,” tha Defrin në një konferencë të transmetuar drejtpërdrejt.
    Sipas tij, fushata ajrore ka zgjatur pothuajse 40 orë pa ndërprerje, duke përfshirë më shumë se 150 objektiva, me fokus të veçantë në Teheran gjatë 24 orëve të fundit.

    Ai shtoi se një ndër objektivat kryesore ka qenë një strukturë nëntokësore në Iranin perëndimor, që sipas informacioneve të inteligjencës izraelite, përdorej për ruajtjen dhe lëshimin e raketave balistike dhe raketave lundruese.
    “Kjo strukturë u sulmua dhe drejtuesit e lartë që e kishin vizituar më parë, janë eliminuar gjithashtu,” tha Defrin.
    Ai theksoi se raketat që ndodheshin në këtë vend kishin si objektiv qytetarë izraelitë dhe forca të vendeve perëndimore që operojnë në Lindjen e Mesme.
     

  • Tragjike në Itali! 45-vjeçarja shqiptare vritet me thikë në mes të parkut nga ish-burri

    Tragjike në Itali! 45-vjeçarja shqiptare vritet me thikë në mes të parkut nga ish-burri

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Tolentino-s në Itali.

    Mediat e huaja shkruajnë se  një grua shqiptare është vrarë me thikë në mes të një parku, nën sytë e kalimtarëve.
    Sipas raportimeve të para, viktima është Gentiana Hudhra, 45 vjeçe, nënë e dy fëmijëve dhe me origjinë shqiptare. Ajo punonte si kujdestare dhe në momentin e sulmit, po shkonte drejt vendit të punës.

    Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00 në parkun e Via Bennaduci, një zonë shumë e frekuentuar e qytetit, ku disa persona dyshohet se panë skenën tragjike me sytë e tyre.
    Sipas dëshmitarëve, autori i dyshuar i krimit është ish-bashkëshorti i saj, i cili u ndalua menjëherë nga policia, e cila po heton motivet e ngjarjes se rëndë.

  • Macron thirrje Iranit: Kthehu në tryezën e negociatave për një marrëveshje

    Macron thirrje Iranit: Kthehu në tryezën e negociatave për një marrëveshje

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin iranian Masoud Pezeshkian këtë pasdite.

    Në një postim në X, Macron tregoi se ka bërë thirrje që objektet diplomatike dhe shtetasit e vendit në Iran dhe në rajonin e gjerë “të mos jenë në shënjestër në asnjë rrethanë”.
    “Gjithashtu kërkova përmbajtje maksimale për të shmangur përshkallëzimin”, tha ai.

    Udhëheqësi francez e ka ftuar Pezeshkian “të kthehet shpejt në tryezën e negociatave për të arritur një marrëveshje”.
    “Sapo fola me Presidentin iranian Massoud Pezeshkian. Mesazhi im i parë ishte të kërkoja lirimin e menjëhershëm të bashkatdhetarëve tanë, Cécile Kohler dhe Jacques Paris, të cilët janë mbajtur peng nga regjimi iranian në kushte të papranueshme për më shumë se tre vjet.
    Në dritën e rrezikut serioz të destabilizimit në të gjithë rajonin, bëra thirrje që objektet tona diplomatike dhe shtetasit në Iran dhe në rajonin e gjerë të mos jenë në shënjestër në asnjë rrethanë. Gjithashtu bëra thirrje për përmbajtje maksimale për të shmangur përshkallëzimin.
    Programi bërthamor i Iranit është një shqetësim serioz dhe duhet të zgjidhet përmes negociatave. Prandaj, e ftova presidentin Pezeshkian të kthehet shpejt në tryezën e negociatave për të arritur një marrëveshje, e vetmja rrugë e qëndrueshme për de-përshkallëzim. Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë dhe të mobilizojmë të gjitha përpjekjet tona për të arritur këtë qëllim”, shkruan Macron.

  • Irani: Dy ushtarakë të tjerë të lartë dhe 3 shkencëtarë të vrarë në sulmet e IDF-së izraelite

    Irani: Dy ushtarakë të tjerë të lartë dhe 3 shkencëtarë të vrarë në sulmet e IDF-së izraelite

    Forcat e Armatosura Iraniane njoftuan vrasjen e dy oficerëve të tjerë të lartë në sulmet ajrore izraelite, duke e çuar në të paktën gjashtë numrin e komandantëve të lartë të vrarë që nga fillimi i përshkallëzimit.

    Midis viktimave janë gjenerali Gholamreza Mehrabi, zëvendësdrejtor i inteligjencës për Forcat e Armatosura, dhe gjenerali Mehdi Rabbani, zëvendëskomandant i operacioneve, raportoi ‘New York Times’.
    Në deklaratë, zyrtarët ushtarakë nuk dhanë detaje të mëtejshme mbi rrethanat e vrasjeve, por gjithashtu konfirmuan vdekjen e tre shkencëtarëve, disa prej të cilëve u qëlluan në shtëpitë e tyre, së bashku me gratë dhe fëmijët, në atë që ata e quajtën një seri “vrasjesh të synuara”.

  • Plumbat ndaj senatorëve, reagon Biden: Biden: Sulmi i motivuar politikisht nuk duhet të ndodhë kurrë

    Plumbat ndaj senatorëve, reagon Biden: Biden: Sulmi i motivuar politikisht nuk duhet të ndodhë kurrë

    Për sulmin e rëndë në Minesota të SHBA-së ka reaguar edhe ish-presidenti amerikan, Joe Biden.

    “Ky sulm i urryeshëm i motivuar politikisht nuk duhet të ndodhë kurrë në Amerikë”, tha ish-presidenti amerikan Joe Biden në një deklaratë.
    “Ne nuk duhet t’i japim urrejtjes dhe ekstremizmit asnjë strehë të sigurt dhe të gjithë duhet të bashkohemi kundër dhunës politike si komb”-ka deklaruar Biden.
    Demoktratja Melissa Hortman dhe bashkëshorti i saj janë vrarë në atë që duket të jetë një “atentat i motivuar politikisht”, tha guvernatori i Minesotës, Tim Walz. Ligjvënësi demokrat i shtetit, John Hoffman, dhe gruaja e tij u qëlluan gjithashtu.
    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se të shtënat duken si një “sulm i synuar kundër ligjvënësve shtetërorë”, duke shtuar se një “dhunë e tillë e tmerrshme nuk do të tolerohet”.
    I dyshuari për të shtënat në Hortman besohet se është shtirur si oficer policie dhe është arratisur pasi është përleshur me oficerët, thotë policia. Sipas mediave amerikane, forcat e rendit thonë se po kërkojnë një person të quajtur Vance Luther Boelter, një burrë rreth të 50-ave.

    Top Channel

  • “Sir” David Beckham, ish-futbollisti i njohur anglez merr titullin më të lartë në Britani nga Mbreti Charles

    “Sir” David Beckham, ish-futbollisti i njohur anglez merr titullin më të lartë në Britani nga Mbreti Charles

    David Beckham, një nga ikonat më të mëdha të futbollit anglez dhe ish-kapiten i Kombëtares së Anglisë, është nderuar zyrtarisht me titullin kalorës nga Mbreti Charles, si pjesë e listës së Nderimeve për Ditëlindjen e Mbretit.

    Në moshën 50-vjeçare, Beckham mori titullin prestigjioz “Sir”, në vlerësim të kontributit të tij të jashtëzakonshëm në sport dhe bamirësi.
    Ky nderim vjen më shumë se dy dekada pas karrierës së tij madhështore që përfshiu klube si Manchester United, Real Madrid dhe LA Galaxy, si dhe viteve në krye të përfaqësueses angleze.
    “Ka qenë privilegji më i madh i karrierës sime të luaj dhe të jem kapiten i vendit tim – ishte një ëndërr fëmijërie që u bë realitet,” tha Beckham në reagimin e tij pas marrjes së titullit. “Jashtë fushës, kam pasur fatin të përfaqësoj Britaninë nëpër botë dhe të punoj me organizata të jashtëzakonshme që ndihmojnë komunitetet në nevojë dhe frymëzojnë brezat e rinj.”
    Beckham është kujtuar nga tifozët jo vetëm për stilin dhe karrierën ndërkombëtare, por edhe për momentet ikonike si ai më 6 tetor 2001, kur shënoi një gol vendimtar nga goditja e dënimit ndaj Greqisë, duke kualifikuar Anglinë për Kupën e Botës 2002. Komentatori britanik në atë ndeshje lëshoi fjalët që u bënë legjendare: “Jepini këtij njeriu një titull kalorësie!”. Sot, ajo thirrje është bërë realitet.
    Beckham bashkohet kështu me një grup të ngushtë sportistësh të mëdhenj britanikë që janë nderuar me titullin “Sir”, duke e forcuar më tej trashëgiminë e tij si një figurë frymëzuese në fushë dhe jashtë saj.

    Top Channel

  • Telefonatë mes Netanyahut dhe Mitsotakis, kryeministri grek kërkon armëpushim të menjëhershëm dhe zgjidhje diplomatike

    Telefonatë mes Netanyahut dhe Mitsotakis, kryeministri grek kërkon armëpushim të menjëhershëm dhe zgjidhje diplomatike

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun grek Kyriakos Mitsotakis, mes zhvillimeve të vrullshme në Lindjen e Mesme.

    Sipas informacioneve përkatëse, biseda është zhvilluar me iniciativën e kryeministrit izraelit.
    Sipas burimeve pranë zyrës së kryeministrit Mitsotakis, ky i fundit ka theksuar gjatë kësaj bisede se zgjidhja e krizës gjendet tek diplomacia. Kyriakos Mitsotakis theksoi nevojën për de-përshkallëzim të situatës-bëjnë të ditur të njëjtat burime.
    Ai pranoi se Irani nuk duhet të pajiset me arsenal bërthamor, por theksoi se zgjidhja gjendet përmes diplomacisë dhe se gjëja e fundit që i nevojitet rajonit është hapja e fronteve të reja të luftës.
    Ai theksoi gjithashtu urgjencën e një armëpushimi të menjëhershëm në Gaza, lirimin e pengjeve dhe rrjedhjen e pakufizuar të ndihmës humanitare. Hollësi të tjera rreth bisedës nuk bëhen të ditura.
    Ndërkohë dje në Athinë u zhvillua një mbledhje e jashtëzakonshme e KΥΣΕΑ-s (Këshilli për Çështje të Jashtme dhe Mbrojtjes) ku u theksua se Greqia është në gatishmëri të plotë pas zhvillimeve në Lindjen e Mesme.
    Zëdhënësi i qeverisë Pavlos Marinakis, deklaroi se gjatë mbledhjes u bë një vlerësim i situatës në rajon, ndërsa ministri i Jashtëm Georgios Gerapetritis informoi për situatën atje  dhe për ndihmën që po jepet që nga momenti i parë për shtetasit grekë që ndodhen në Izrael dhe në Iran. Qeveria ndjek me shqetësim zhvillimet që paraqesin rrezik për një përshkallëzim të rëndë të konfliktit në rajon -tha ai.
    “Greqia i bën thirrje të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të mos ndërmarrin veprime që mund të shkaktojnë destabilizim të mëtejshëm. Qëndrimi i palëkundur i Greqisë është se zgjidhjet duhen kërkuar përmes diplomacisë. Greqia do të vazhdojë të punojë në këtë drejtim me partnerë dhe aleatë, për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit më të gjerë”, thuhet në deklaratën për shtyp pas kësaj mbledhje.
    Ministria e Jashtme greke ka aktivizuar Njësinë e Menaxhimit të Krizave për shtetasit grekë në Izrael dhe Iran. Dje u dhanë edhe udhëzime për shtetasit grekë në Izrael: të qëndrojnë në vende të sigurta pranë strehimeve dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore.
    Në Izrael ndodhen rreth 4.500 shtetas grekë ose me origjinë greke dhe familjet e tyre, ndërsa në Teheran janë 50 deri në 70 shtetas grekë.
    “Po bëhet një përpjekje e madhe. Nëse është e nevojshme, do të aktivizohet plani i evakuimit, i cili tashmë ekziston”, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Greqisë Georgios Gerapetritis.

    Top Channel