Arrestimi nga autoritetet serbe dhe ngritja e akuzës për vrasje të rëndë në Banjskë të Zveçanit, ndaj ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, ka vënë në lëvizje të gjithë aparatin shtetëror në Kosovë, teksa autoritetet thonë se po bëjnë çdo përpjekje për lirimin e tij.
Spahiu u arrestua më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare mes Hungarisë dhe Serbisë, teksa po kthehej me autobus nga Austria në Kosovë së bashku me familjen e tij.
Gjykata e Lartë në Suboticë urdhëroi një muaj paraburgim për Spahiun me pretendimin se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” në fshatin Banjskë në veri të Kosovës. Kjo pavarësisht faktit se, sipas avokatit të Spahiut, Arianit Koci, ai ka tre vite që jeton në Gjermani, e nuk është më pjesë e Policisë së Kosovës.
Në një reagim në Facebook, kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, tha se prej momentit të arrestimit të Spahiut, institucionet e vendit janë angazhuar maksimalisht që ai të lirohet sa më parë.
“Sjellja jonormale e Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës nuk duhet dhe nuk do të pranojmë të normalizohet”, tha Kurti.
Më herët, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se po i ndjek me “vëmendje të shtuar” zhvillimet rreth arrestimit të Spahiut dhe se i ka njoftuar vendet e QUINT-it për këtë. Ajo u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës të shmangin kalimin përmes Serbisë, për shkak të “intensifikimit të rasteve të ndalimit dhe arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës”.
Ndërkohë, për rastin e ish-policit të ndaluar në Serbi është angazhuar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Day: June 11, 2025
-

Akuza të rreme për vrasje në Serbi? Kosova në këmbë për lirimin e ish-efektivit Spahiu
-

Lirohet nga burgu, i mbetet targa e makinës në dorë… Prokurori e shkroi gabim!
Jemi në Berat, pasi taksisti Flamur Dodoveci, tregon, se është ndaluar në vitin 2018 dhe ka vuajtur dënimin me gjashtë vjet heqje lirie, pasi transportonte emigrantë të paligjshëm.
Për shkak të akuzës, iu sekuestruan sendet dhe makina. Kur la qelinë dhe duhet të merr te sendet e veta, pa, se prokurori i kishte shkruar gabim targat.
“Jam Flamur Dodoveci, kam punuar taksixhi me licencë prej dhjetë vitesh. Kam bërë një transport nga Berati deri në Vlorë, në Vlorë iknin Gjermani, Itali apo Kudo. Ishin shqiptarë, kur më ndaluan më sekuestruan makinën dhe sendet e tjera. Më akuzonin për trafikimi të qenieve njerëzore, të rritur. Mua më interesonte që t’i çoja, Berati dihej që puna është e paktë dhe ne një farë mënyre luteshim vetë. Në mënyrën që dola kërkova sendet e sekuestruara m’u desh urdhri i prokurorisë për kthimin e sendeve. Mirëpo urdhri i prokurorisë ishte gabim, sepse prokurori që më ndaloi mua nuk u ka vënë rëndësi fare këtyre dokumenteve ose targave më mirë të themi. Kishte ngatërruar targat”, thotë denoncuesi.
Policia provon, se targat e Flamurit janë AC dhe jo AA. Makinën e ka çuar për skrap, por nuk çregjistron dot targat, duke u detyruar të paguajë kot.
“Stop” iu drejtua prokurorisë dhe kjo e fundit korrigjoi gabimin, pas 4 muajsh, që vetë Flamuri sorollatej për zgjidhje. -

“Nuk e tradhtova Rusinë”, Vuçiç nga Odesa: Nuk e firmosa deklaratën anti-Moskës
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç këmbënguli se nuk e ka tradhëtuar Rusinë, pas pjesëmarrjes në samitin Ukrainë-evropë juglindore në Odesa.
Në një deklaratë, ai theksoi se Beogradi nuk e kishte nënshkruar dokumentin anti-Moskës në Odesa dhe mbetej koherent ndaj qëndrimit për të mos vendosur sanksione ndaj Rusisë. Komentet i bëri pasi u pyet të komentonte deklaratat për tradhëti ndaj Federatës Ruse.
“Çfarë dhe kë tradhtova? Rusinë? Me çfarë? Duke ardhur në samit? Kjo është hera ime e katërt në samitin e Evropës Juglindore dhe Ukrainës dhe përsëri unë jam i vetmi që nuk e pranova deklaratën. Ndryshe nga ata që do të pranonin gjithçka kundër Rusisë, gjithçka që munden. Por kjo tregon për disfatizmin e tyre të plotë. Për faktin se ata nuk dinë më as çfarë duan”, tha Presidenti serb.
Vuçiç shtoi se deri dje, media e kritikonte atë si agjent rus, dhe tani ai është agjent i dikujt tjetër.
Vuçiç tha në fjalën e tij në samit, se Serbia do t’i mbetet gjithnjë besnike Kartës së OKB, që përfshin mbështetjen për integritetin territorial të vendeve të njohura nga kjo organizatë. -

Danimarka miraton marrëveshjen, i jep SHBA-ve qasje të pakufizuar në bazat e saj ajrore
Parlamenti danez ka miratuar me shumicë dërrmuese një marrëveshje të re të mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara, e cila i jep ushtrisë amerikane qasje të pakufizuar në bazat ajrore të Danimarkës dhe juridiksion të plotë mbi trupat e saj në këtë territor.
Marrëveshja, e cila është kritikuar ashpër nga politikanë dhe ekspertë të të drejtave të njeriut, parashikon që ushtarët amerikanë të kenë të drejtë të veprojnë në bazat ajrore në Karup, Skrydstrup dhe Aalborg, si dhe t’u ushtrojnë autoritet edhe civilëve danezë në dhe përreth këtyre zonave.
Sipas saj, nëse një ushtar amerikan kryen një vepër penale në Danimarkë, ai do të gjykohet fillimisht sipas ligjeve të SHBA-ve.
Gjithashtu, marrëveshja i lejon SHBA-ve të zhvillojnë aktivitete ushtarake në dhe nga territori danez, përfshirë stacionimin e personelit, ruajtjen e pajisjeve ushtarake, trajnime dhe aktivitete mirëmbajtjeje.
Pavarësisht tensioneve të mëhershme midis dy vendeve, veçanërisht pas përpjekjeve të presidentit Donald Trump për të blerë Groenlandën, një territor strategjik i Mbretërisë Daneze dhe raporteve për shtim të aktivitetit të inteligjencës amerikane në atë zonë, shumica e parlamentit danez votoi pro marrëveshjes. 94 deputetë votuan në favor, ndërsa vetëm 11 ishin kundër.
Kreu i partisë Unity List, Pelle Dragsted, e quajti marrëveshjen “të dëmshme për vendin” dhe paralajmëroi për pasoja serioze për sovranitetin danez.
“Do të ketë zona në Danimarkë që janë nën juridiksion amerikan, ku autoritetet tona nuk do të kenë kontroll dhe ku mund të ndodhin keqtrajtime të të burgosurve”, u shpreh ai.
Marrëveshja u nënshkrua në dhjetor të vitit 2023 nën administratën e presidentit Joe Biden, por rikthimi i Donald Trump në detyrë ka sjellë ndryshime në marrëdhëniet dypalëshe.
Ndërsa disa politikanë danezë shprehin shqetësime për një cenim të mundshëm të kushtetutës dhe sovranitetit kombëtar, qeveria e ka mohuar këtë.
Kryeministrja Mette Frederiksen tha se ruajtja e marrëdhënieve të ngushta me SHBA-të është më e rëndësishme se kurrë, veçanërisht në kontekstin e luftës në Ukrainë.
Ministri i Drejtësisë, Peter Hummelgaard, deklaroi se autoritetet daneze do të kenë “përgjegjësi parësore për sigurinë, si brenda ashtu edhe jashtë zonave të mbuluara nga marrëveshja”.
Ndërkohë, Instituti Danez për të Drejtat e Njeriut ka paralajmëruar se ligji i ri mund t’u japë ushtarëve amerikanë të drejtën për të ndaluar protesta dhe demonstrata pranë bazave të tyre dhe do ta bënte të pamundur ndjekjen e tyre penale nga ana e drejtësisë daneze në rast të përdorimit të tepruar të forcës.
Peter Vedel Kessing, studiues i lartë pranë institutit, deklaroi se nëse marrëveshja hyn në fuqi dhe ndodhin veprime të paligjshme nga ushtarët amerikanë në Danimarkë, këto veprime do të jenë përtej kontrollit dhe juridiksionit danez. -

Euro në rënie, ari në rritje, ndryshim historik në financat botërore
Ari ka kaluar euron dhe tani është bërë aktivi i dytë më i madh në rezervat e bankave qendrore në mbarë botën, duke përbërë rreth 20 për qind të totalit deri në fund të vitit 2024.
Kjo shënon një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si bankat qendrore diversifikojnë dhe menaxhojnë rezervat e tyre valutore dhe aktive të tjera.
Rritja e ndjeshme e rezervave të arit është nxitur nga një numër faktorësh kyç. Së pari, blerjet rekord të arit nga bankat qendrore kanë arritur mbi 1000 tonë në vit që nga viti 2022, një nivel që nuk ishte parë më parë.
Së dyti, çmimi i arit është dyfishuar në këtë periudhë, duke e bërë atë një investim më tërheqës dhe një mjet më të fuqishëm për ruajtjen e vlerës.
Raporti i Bloombergut thekson se kjo kërkesë e lartë erdhi si pasojë e pasigurisë globale që u shkaktua nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, si dhe vendimet e Grupit të Shtatë vendeve më të zhvilluara (G7) për të ngrirë rezervat valutore të Rusisë.
Këto veprime kanë shtyrë shumë vende të kërkojnë mbrojtje më të madhe kundër rreziqeve politike dhe ekonomike përmes mbajtjes së arit.
Në të njëjtën kohë, pjesa e dollarit amerikan në rezervat globale vazhdon të bjerë, duke zbritur në 46 për qind. Kjo tregon një tendencë të vazhdueshme për të diversifikuar rezervat dhe për të zvogëluar varësinë nga dollari, i cili historikisht ka qenë valuta dominante në financat ndërkombëtare.
Ky ndryshim mund të jetë një shenjë e pasigurisë në lidhje me stabilitetin e dollarit apo një reflektim i ndryshimeve më të mëdha në ekuilibrin ekonomik dhe politik global.
Kështu, ari po fiton gjithnjë e më shumë peshë si një “strehë sigurie” dhe si një aset që bankat qendrore i shohin si një mbrojtje kundër paqëndrueshmërisë ekonomike dhe tensioneve gjeopolitike. -

‘O3-pro’, OpenAI lançon modelin më të fuqishëm
OpenAI ka lançuar modelin “o3-pro”, një model inteligjence artificiale që kompania e përshkruan si më të fuqishmin deri më tani.
O3-pro është një version i o3 nga OpenAI, një model i aftër për të arsyetur që kompania e prezantoi më herët këtë vit.
Në dallim nga modelet tradicionale të inteligjencës artificiale, modelet e arsyetimit punojnë përmes problemeve hap pas hapi, duke i mundësuar atyre të performojnë më me besueshmëri në fusha si fizika, matematika dhe programimi.
O3-pro është në dispozicion për përdoruesit e ChatGPT Pro dhe Team duke filluar nga e marta, duke zëvendësuar modelin “o1-pro”. Përdoruesit Enterprise dhe Edu do të kenë qasje javën pasuese, thotë OpenAI. -

“Treni bullgar”, shpikje e PD”, juristi: Rihapja e kutive i nxori bllof demokratët!
Avokati Edmond Petraj thotë se treni bullgar është një shpikje e PD, për të justifikuar humbjen e thellë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Petraj u shpreh se rihapja e kutive për rinumërim, nxorri bllof demokratët.
“Treni bullgar është shpikje totalisht e PD, Nuk funksionon. Mënyra sesi është treni bullgar, shumica nuk e kuptojnë. Ata thanë se janë bërë manipulime. Kjo është llogaritje e trenit bullgar, një perosn merrte fletë bosh, e kthente mbrapa. Mendon se kjo gjë është bërë 300 mijë herë? Për mendimin tim, kjo nuk funksionon. Më shumë PD, sesa PS, do dalë që këta kanë rropatur njëti-tjetrin. Më shumë po iu humbet serioziteti pretendimeve, zgjedhjet patën problematika, por pse nuk thonë që ishte humbje masive? Këta e dinin që do humbnin, ishin inekzistentë. Në shumicën e qarqeve kanë humbur aq shumë, saqë nuk i justifikon dot.”, theksoi ai. -

Jorida Tabaku flet për marrëdhënien me Ilir Alimehmetin: Do t’i bënte mirë që…
Të qenit bashkë me Ilir Alimehmetin në listën e hapur të Tiranës, nuk ishte komode, u shpreh deputetja demokrate Jorida Tabaku të martën e 11 Qershorit.
Në një intervistë në Klan News me gazetarin Drini Zeqo, ajo u shpreh se ka një marrëdhënie “shumë korrekte” dhe pa asnjë hatërmbetje me Alimehmetin, pavarësisht rezultatit që solli 11 Maj.
Megjithatë ajo shpreson që Partia Demokratike të mund të marrë mandatin e 14 pas rinumërimit të votave të Tiranës. Kjo do i hapte rrugën Alimehmetit që të futej në Kuvend.
“Ai mori një mbështetje shumë të madhe. Do i bënte mirë jo vetëm PD-së, por edhe parlamentit. Shpresoj që numërimi i këtyre votave të pavlefshme mund të prodhojë këtë mandatin e 14. Rinumërimi që po ndodh në Tiranë është pjesë e denoncimit total që PD i ka shkuar procesit deri në fund”, tha Tabaku.
Deputetja demokrate u shpreh se fushata për zgjedhjet ishte e lodhshme dhe e gjatë. Punën e vështirësonte edhe fakti që përveç kundërshtarit, “përballë” kishte edhe kandidatët mes radhëve të PD-së.
“Ka qenë shumë e vështirë në terren dhe për kundërshtarin që kishim përballë, por edhe për faktin që tanimë nuk ishte vetëm një betejë me kundërshtarin, por ishte edhe mes nesh. Aty shpeshherë nuk ndihesh komod, sepse do shkosh në një territor, do takosh njerëz që ndoshta i ka takuar edhe një nga kolegët e tu”, tha ajo.
Për Tabakun në zgjedhjet e 11 majit ka pasur frikë mes qytetarëve.
“Për herë të parë më kanë qëlluar qytetarët që thonin mos na nxirr në foto, edhe qytetarë të thjeshtë, biznese të vogla, nëpunës të administratës publike. Kishte një komponent të frikës që ishte prezent aty”, tha ajo. -

“Edhe sanitaret marrin 700 euro”,Dredha zbulon pagat në sektorin e turizmit në Vlorë
“Turistët e kanë pushtuar qytetin që në muajin prill”, kështu deklaroi për Klan News, kryebashkiaku i Vlorës Ermal Dredha.
Duke qenë se ka fluks turistësh, patjetër që edhe mundësitë për punë janë të larta gjatë sezonit veror. Pikërisht për këtë, gazetari Besard Jacaj se a është e vërtetë që rrogat janë shumë të larta në sektorin e turizmit.
“Sektori i turizmit, restorantet apo pjesa menaxheriale ka nevojë për profesionistë të kualifikuar, për t’ju bashkuar shërbimit. Kemi të rinj që janë edhe me studime dhe që punojnë gjatë sezonit, pagat janë goxha, janë optimale. Janë 1 mijë euro e lart, mund të ketë edhe më shumë, varet edhe nga vendi ku punon. Por janë rroga që konkurrojnë denjësisht, dhe janë më lart se sektori publik. Edhe sanitaret marrin 700 euro, imagjino të tjerët…”, u përgjigj Dredha./tvklan.al -

Publikohet fotoja e autorit që vrau 10 persona në Austri, i dërgoi videomesazh nënës
Është publikuar fotoja e 21-vjeçarit Arthur A., autor i masakrës që tronditi Austrinë një ditë më parë, kur ai vrau dhjetë persona, nëntë nxënës dhe një mësues – përpara se të vriste veten brenda ambienteve të një shkolle në Graz.
I riu jetonte me nënën e tij të divorcuar me origjinë austriake, ndërsa babai është me origjinë armene. Mediat austriake raportojnë se përpara se të kryente sulmin, Arthur kishte regjistruar një video dhe ia kishte dërguar nënës së tij, duke i kërkuar falje për atë që do të ndodhte dhe duke e falënderuar për kujdesin që kishte marrë prej saj ndër vite. Nëna e autorit e hapi videon 24 minuta pasi e kishte marrë, në një kohë kur sulmi ishte tashmë kryer dhe i biri kishte ndërruar jetë.
Arthur A. la gjithashtu një letër, ku akuzonte shkollën për ngacmim dhe kërkonte që të kujdeseshin për macen e tij, me të cilën shfaqej në një prej fotove të publikuara nga mediat.
Sipas autoriteteve, 21-vjeçari posedonte një leje për armë, por jo për armë zjarri. Në Austri, blerja e pushkëve është e ligjshme për personat mbi 18 vjeç, ndërsa për armët e zjarrit kërkohet vlerësim psikiatrik.
Viktimat e masakrës ishin kryesisht të rinj të moshës 15 deri në 17 vjeç, ndërsa një prej tyre ishte vetëm 14 vjeç. Mes viktimave është edhe një mësues 59-vjeçar. Autoritetet vijojnë hetimet për të kuptuar më në thellësi motivet që e çuan të riun drejt këtij akti tragjik.