Day: June 11, 2025

  • Të dhënat: 857 mijë shqiptarë përdorën roaming në vendet e Rajonit vitin e kaluar

    Të dhënat: 857 mijë shqiptarë përdorën roaming në vendet e Rajonit vitin e kaluar

    Numri i shqiptarëve që përdorën shërbimin roaming në vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor arriti një rekord të ri vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), rreth 857 mijë shqiptarë përdorën shërbimet roaming në Ballkanin Perëndimor, me një rritje prej 5% krahasuar me një vit më parë.Reklama në FieriWeb – “BREGU CLIMA”

    Volumi i internetit të përdorur në roaming e ka kaluar shifrën prej 1.2 milionë GB (gigabyte) internet, me një rritje prej 38% krahasuar me vitin 2023. Procesi i uljes së tarifave roaming në vendet e Ballkanit Perëndimor nisi në mesin e vitit 2019, me uljen e përshkallëzuar, deri në heqjen e plotë të tyre, duke filluar nga 1 korriku 2021.Reklama në FieriWeb – “COVIM CAFFE”

    Heqja e tarifave roaming synonte lehtësimin e komunikimit në lëvizjet e punës dhe turizmit të shtetasve brenda rajonit. Procesi u mundësua falë një marrëveshjeje rajonale të nënshkruar nga vendet e rajonit në vitin 2019, me ndërmjetësimin e komisioneres së Bashkimit Europian për Ekonominë dhe Shoqërinë Dixhitale.Reklama në FieriWeb – “PASTIÇERI “RUSTEMAJ”

    Të dhënat e INSTAT treguan se shqiptarët regjistruan afërsisht 7.9 milionë dalje nga territori i vendit vitin e kaluar, me një rritje prej 14% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, sipas një modeli të ngjashëm, në tetor 2023 hyri në fuqi marrëveshja mes 38 operatorëve telefonikë të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian që do të mundësojë një ulje të ndjeshme të tarifave të internetit në roaming. Reklama në FieriWeb – “STREET FOOD S.O.A”

    Marrëveshja u mundëson përdoruesve të telefonisë celulare nga Shqipëria çmime më të ulëta të përdorimit të internetit gjatë kohës kur ndodhen në vendet e Bashkimit Europian, si edhe, anasjellas, edhe turistëve të huaj të përdorin internetin me çmime më të lira në Shqipëri.Reklama në FieriWeb – “Oazi i Pishave”

    Konkretisht, operatorët ranë dakord për vendosjen e një niveli maksimal të çmimit të shitjes me pakicë 18 euro/GB (gigabajt) duke filluar nga 1 tetori 2023; 14 euro/GB duke filluar nga viti 2026 dhe 9 euro/GB duke filluar nga viti 2028. Nisma për uljen e çmimit të internetit në roaming filloi me nënshkrimin e Deklaratës së Roaming-ut në Samitin Dixhital të Ballkanit Perëndimor në Tiranë në vitin 2022 dhe është mbështetur nga institucionet e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

    Qëllimi i saj është të zvogëlojë hendekun midis shërbimeve roaming dhe çmimeve të brendshme midis vendeve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor, me synimin për të forcuar lidhjet midis dy rajoneve, duke inkurajuar dhe thjeshtuar biznesin, shkëmbimet kulturore, turistike, etj. Deri tani, AKEP nuk mundëson statistika lidhur me përdorimin e shërbimit roaming nga shqiptarët në vendet e Bashkimit Europian./E.Shehu

  • Lamtumirë Leka Bungo! Regjisori i njohur ndahet nga jeta në moshën 81-vjeçare

    Lamtumirë Leka Bungo! Regjisori i njohur ndahet nga jeta në moshën 81-vjeçare

    Është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare, regjisori i njohur Leka Bungo.
    Leka Bungo ka qenë një nga emrat më të rëndësishëm të skenës në Shqipëri si regjisor, skenarist dhe aktor, duke i lënë vendit një trashëgimi të larmishme artistike në fushën e humorit dhe të skenës shqiptare.
    Leka Bungo ka kryer shkollën e lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu” dhe më pas një kurs njëvjeçar për regji në Institutin e Lartë të Arteve. Punoi për një kohë si regjisor në teatrin “Bylis” të Fierit. Në fund të viteve ’80 u emërua regjisor në Estradën e Shtetit, në të cilën vuri në skenë disa shfaqje, ku u prekën probleme të mprehta sociale të kohës dhe ku satira përbënte elementin më të theksuar.
    Pas viteve ’90 krijoi në hollin hyrës të godinës së Teatrit Kombëtar teatrin privat “Rubairat”, por që shpejt humbi destinacionin e vet artistik, derisa u mbyll më 2001 me rikonstruksionin që iu bë holleve të këtij teatri. Pas vitit 2002, emigroi në SHBA. Përveç punës si regjisor dhe aktor, ka shkruar edhe disa drama dhe skenarë filmash, ndër to dramën “Pabesia” si dhe skenarët “Pas fasadës”, “Gjuetia e fundit” etj. Në filmin e vitit 1990 Një djalë edhe një vajzë ai luajti rolin e Bardhylit. Ishte autor i skenarëve për disa filma artistikë.
    Në vitin 2021 Leka Bungo u zgjodh Kryetar i Bordit Drejtues të RTSH-së, detyrë që e mbajti deri dy muaj para ndarjes nga jeta.
    Disa nga veprat e tij:1966: Oshëtime në bregdet1980: Pabesia (dramë)1985: Tre njerëz me guna1988: Mirela1990: Një djalë edhe një vajzë – roli: Bardhyli, babai i Artanit1991: Gjuetia e fundit1992: Pas fasadës
    Leka Bungo do të mbahet mend gjatë për krijimtarinë e tij në Estradën e Fierit, të Lushnjës dhe të Estradës së Shtetit në Tiranë, për vënien në skenë të disa prej perlave të humorit shqiptar, si dhe për vitalitetin dhe këmbënguljen për të qenë aktiv deri në fund të jetës.
    Varrimi bëhet sot në orën 16:00 në varrezat e Sharrës, ndërsa ngushëllimet priten në “Alba 2000” në Rrugën e Durrësit.

  • Sylvinho: Futbolli nuk të fal, luajtëm vetëm pjesën e dytë ndaj Letonisë

    Sylvinho: Futbolli nuk të fal, luajtëm vetëm pjesën e dytë ndaj Letonisë

    Shqipëria nuk arriti më shumë se një barazim në transfertën ndaj Letonisë (barazimi i gjashtë në po kaq përballje mes dy kombëtareve në fjalë), duke u ndalur 1-1 në “Skonto Stadium” të Rigës. Një rezultat që lë shije të hidhur, jo vetëm për mënyrën si erdhi, por edhe për faktin se kuqezinjtë humbën një mundësi të mirë për të konsoliduar pozitat në renditje. Pas ndeshjes, trajneri Sylvinho doli në prononcim për mediat, ku nuk e fshehu zhgënjimin e tij për mënyrën si e nisi skuadra ndeshjen:
    “Futbolli nuk të fal, në pjesën e parë kemi gabuar goxha në qarkullimin e topit. Ndërkohë, vlen që jemi përmirësuar në pjesën e dytë të ndeshjes. Duhet të futemi në fushë me një qëndrim më ndryshe, sepse futbolli luhet 90 minuta”.
    Trajneri brazilian theksoi se skuadra e tij e la veten peng të gabimeve elementare. Sipas Sylvinho, 45 minutat e para ishin praktikisht të shpërdoruara: “Më shumë gabime kemi bërë në pjesën e parë, kemi shpërdoruar shumë. Laçi ishte shumë i lodhur, duhej zëvendësim i detyruar. Futbolli është i tillë, ku luan me tre sulmues dhe nuk fiton, luan me një sulmues dhe fiton. Kemi shpërdoruar 45 minuta”.
    Duke iu përgjigjur pyetjeve për objektivat e Shqipërisë tashmë, Sylvinho ishte shumë i qartë; nuk mjaftojnë emrat në letër për të arritur suksesin: “Objektiv, vendi i dytë? Nëse teorinë, pra ato në letër nuk i hedh në fushë, edhe po të ishim ekip si Gjermania apo Brazili, përsëri nuk e kapnim dot objektivin. Sigurisht që ne u futëm në fushë për fitoren”.
    Megjithatë, trajneri vlerësoi reagimin e skuadrës në pjesën e dytë, ku Shqipëria tregoi më shumë karakter dhe dëshirë për ta ndryshuar fatin e ndeshjes: “Bëmë shumë gabime në pjesën e parë, në të dytën ekipi po shtynte para për të shënuar gol.
    E theksoj se nuk është formacioni, por qasja e lojtarëve që kanë në fushën e lojës, ajo që bën diferencën. Qasja ishte e gabuar, pjesa e parë gjithashtu. Mund të pësonim edhe një gol nga penalltia, ku mund të ishim në disavantazh, por Strakosha e bëri mjaft mirë punën e tij”.

  • Manaj kapet me gazetaren në studio: Po luajmë për Botëror, normal që është e vështirë të shënosh gol

    Manaj kapet me gazetaren në studio: Po luajmë për Botëror, normal që është e vështirë të shënosh gol

    Barazimi në Riga kundër Letonisë la më shumë hije se dritë për Shqipërinë, e cila humbi një tjetër mundësi për të marrë pikët e plota në rrugën drejt Botërorit 2026. Një sfidë e vuajtur, e komplikuar nga mungesa e saktësisë para portës dhe nga një gabim që solli golin e barazimit për vendasit. Në përfundim të sfidës, për mediat foli edhe sulmuesi Rey Manaj, i cili nuk e fshehu zhgënjimin për mënyrën si rrodhën ngjarjet.
    “Normalisht isha i kënaqur kur shënuam golin e barazimit 1-1. Pastaj, si mori ndeshja, nuk ishim shumë të përqendruar. Iu thashë çunave, më mirë ta hidhnim topin sipër. Ndodhin edhe këto situata, por të ulim kokën, të përmirësohemi dhe të arrijmë objektivin në këto eliminatore. Autogol apo gol? Besoj se e preka unë në fund topin me gjoks. Megjithatë, rëndësi ka suksesi i Shqipërisë”.
    Pastaj, debati me gazetarët dhe analistët në studion e TV Klan nuk mungoi, sidomos kur u ngrit çështja e vështirësisë së Shqipërisë për të shënuar gola në këto ndeshje. Ilda Bejleri i drejtoi një pyetje të drejtpërdrejtë, duke theksuar atë që shumë tifozë kishin menduar: Sa e vështirë është të shënojmë…
    Përgjigja e Manajt nuk la vend për shumë interpretime: “Sepse po luajmë për Kupën e Botës, normal që është e vështirë të shënosh gol. Nuk po luajmë kalçeto me shokët. Futbolli nuk luhet me matematikë, sepse Letonisë, që është më poshtë në renditjen e FIFA-s, t’i shënosh 5 gola, dhe Serbisë, që është më mirë, t’i shënosh më pak, nuk shkon si logjikë. Mund të jetë edhe ngarkesa, kaluam presion të madh në ndeshjen ndaj Serbisë. Kjo është pjesë e futbollit. Do të stërvitemi të shënojmë gol në ndeshjet e tjera”.
    Një deklaratë e qartë nga sulmuesi kuqezi, që kërkoi të kujtonte se eliminatoret e Botërorit nuk janë shëtitje, por çdo sfidë është betejë më vete. Në studio, ndërkohë, edhe Edmond Kapllani kishte gati një tjetër kritikë, këtë herë për numrin e pakët të goditjeve drejt portës kundërshtare: “Pse e keni ta vështirë të godisni portën?”
    Manaj e pranoi me sportivitet problemin, por pa harruar të kujtojë edhe vështirësitë taktike që i paraqiti kundërshtari: “Është e drejtë, pasi e kemi gjetur pak portën. Mos harroni se Letonia qëndroi pas me 5 mbrojtës, është e vështirë të marrësh topin dhe ta gjesh portën. Do të provojmë të përmirësohemi, ishalla ndeshjet që vijnë të bëjmë më mirë, të marrim më shumë pikë”.
    Një mbrëmje me shije të hidhur për Shqipërinë dhe Manajn personalisht, që ishte kapiten kësaj here, por me besimin se rruga është ende e hapur dhe gjithçka mund të përmirësohet, nëse skuadra rikthen qetësinë, përqendrimin dhe efektivitetin përpara portës.

  • Ancelotti çon Brazilin në Botëror. 1-0 ndaj Paraguajit, kualifikim matematik me dy ndeshje përpara

    Ancelotti çon Brazilin në Botëror. 1-0 ndaj Paraguajit, kualifikim matematik me dy ndeshje përpara

    Carlo Ancelotti do të marrë pjesë në Kupën e Botës. Ky, pas viteve me triumfe në krye të klubeve më të mëdha europiane, pas gjithë atyre Champions League të fituara, që mbushin vitrinën e tij, ishte një objektiv që ende i mungonte.
    Brazili i tij, kombëtarja që mori në drejtim vetëm disa javë më parë, ia doli. Shpërndau makthet e nisjes së dobët në grup dhe siguroi kualifikimin për fazën finale, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Meksikë, SHBA dhe Kanada. Më tepër akoma, ia doli me dy ndeshje përpara fundit të kualifikueseve.
    Vendimtar ishte rezultati 1-0, me të cilin Seleção mposhti Paraguajin në orët e vona të natës, falë një goli të Vinicius Junior. Kjo ishte ndeshja e parë në shtëpi e italianit si trajner i Brazilit. Në këtë mënyrë, Ancelotti siguroi matematikisht biletën për në Botëror, duke rikthyer qetësinë te 5 herë kampionët e botës.
    Në “NeoQuimica Arena” të São Paulos, Brazili nuk bëri një paraqitje për t’u mbajtur mend, por fitoi. Vendosi një gol i realizuar në fundin e pjesës së parë nga Vinicius Junior, lojtari titullar si te Real Madridi i Ancelottit. Ai ishte perfekt në futjen në zonë pas një asisti të shkëlqyer nga Matheus Cunha.
    Më parë, Brazili kishte kontrolluar ndeshjen, por pa krijuar shumë. Situata të rrëmujshme, të menaxhuara mirë nga mbrojtja e Paraguajit. Miqtë, nga ana tjetër, nuk rrezikuan asnjëherë.
    Në pjesën e dytë, skuadra e Ancelottit e legjitimoi suksesin, duke iu afruar golit të dytë me Raphinha dhe Bruno Guimarães, të ndalur nga portieri Gatito Fernandez, ndërsa në mbrojtje rrezikoi shumë pak. Dhe në fund shpërtheu festa e madhe e kualifikimit.

  • Botërori 2026, ja kombëtaret e kualifikuara tashmë sipas kontinenteve

    Botërori 2026, ja kombëtaret e kualifikuara tashmë sipas kontinenteve

    48 skuadra pjesëmarrëse në vend të 32 të zakonshmeve. Botërori 2026, i planifikuar të zhvillohet në Kanada, SHBA dhe Meksikë, do të jetë më i madhi ndonjëherë, me plot 16 kombëtare më shumë.
    Ndër to, Japonia, e cila është kombëtarja e parë që ka arritur kualifikimin në fushë, pas atyre të vendeve pritëse (pra Meksikës, SHBA-së dhe Kanadasë).
    Do të duhet ende kohë për të mësuar cilat kombëtare europiane do të marrin pjesë në Botërorin 2026, ndërsa nga Amerika e Jugut dhe Azia kanë ardhur tashmë emrat e parë të skuadrave të sigurta për të luajtur në Kupën e Botës.
    Botërori 2026, kombëtaret e vendeve pritëseKombëtaret e para të sigurta për pjesëmarrjen në Botërorin 2026 ishin ato të vendeve organizatore, pra Meksika, Kanadaja dhe SHBA. Të trija në kërkim të një edicioni historik të Botërorit, SHBA, Kanada dhe Meksikë do të provojnë të shkojnë sa më larg, për të festuar së bashku me tifozët e tyre në Botërorin më të madh në histori.
    Botërori 2026, kombëtaret aziatike të kualifikuaraJaponia është skuadra e parë aziatike e kualifikuar në Botërorin 2026.
    Irani, me dopietën e Taremit ndaj Uzbekistanit në barazimin 2-2, më 25 mars, u bë skuadra e dytë e kualifikuar për Kupën e Botës të vitit të ardhshëm.
    Vetë Uzbekistani arriti për herë të parë në historinë e tij kualifikimin në qershor 2025, falë barazimit ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe.
    Në Botëror, për herë të parë në histori, do të jetë edhe Jordania, falë fitores 3-0 në fushën e Omanit.
    Koreja e Jugut ka siguruar gjithashtu biletën për Kupën e Botës 2026.
    Botërori 2026, kombëtaret europiane të kualifikuaraNë pritje të skuadrave të para të kualifikuara
    Botërori 2026, kombëtaret afrikane të kualifikuaraNë pritje të skuadrave të para të kualifikuara
    Botërori 2026, Kombëtaret e Amerikës së Jugut të kualifikuaraArgjentina, kampione në fuqi e botës, ishte skuadra e parë nga Amerika e Jugut që siguroi pjesëmarrjen në Botërorin 2026.
    Më pas Brazili dhe Ekuadori siguruan gjithashtu biletën për në Kupën e Botës të vitit të ardhshëm.
    Në total do të jenë gjashtë skuadra nga Amerika e Jugut në Botërorin 2026, ndërsa e shtata do të luajë në “play-off”-et ndërkontinentale për një vend në finale.
    Botërori 2026, kombëtaret e Amerikës Qendrore të kualifikuaraNë pritje të skuadrave të para të kualifikuara
    Botërori 2026, Kombëtaret e Oqeanisë të kualifikuaraZelanda e Re është skuadra e parë nga Oqeania që siguron pjesëmarrjen në Botërorin 2026.
    Është kualifikuar gjithashtu edhe Australia, pas fitores kundër Arabisë Saudite në ndeshjen e fundit.

  • Temperaturat përvëluese/ Specialistja: Shqipëria, ndër vendet më të prekura nga ndryshimet klimatike

    Temperaturat përvëluese/ Specialistja: Shqipëria, ndër vendet më të prekura nga ndryshimet klimatike

    Sezoni veror duket se nuk “pret më” kalendar. Që në ditët e para të qershorit, këtë vit, vendi ynë po përjeton temperatura të pazakonta për këtë periudhë, duke lënë pas një pranverë të shkurtër. Po ashtu, është ngritur alarmi për ndikimin gjithnjë e më të madh të ndryshimeve klimatike. Kujtojmë se jo më larg se vitin e shkuar, vapa përvëluese nisi që në prill.

    Nga bregdeti në qytete, termometri ka kapur vlera tipike për gushtin, duke u kthyer në një sfidë për qytetarët çdo ditë. Veç kësaj, ekziston frika që temperaturat të rriten akoma më shumë në vijim.

    Pikërisht për këtë fenomen, që tanimë na është bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë, tvklan.al ka kontaktuar specialisten nga Instituti i Gjeoshkencave në vend, Anira Gjoni.

    Në një prononcim për gazetaren e tvklan.al Enxhi Dogjani, Gjoni shpjegon se “vitet e fundit ka një zbehje të stinëve tranzitore, pranverës dhe vjeshtës.”

    “Sipas kalendarit meteorologjik vera nis më 1 qershor dhe zgjat deri më 31 gusht, por vitet e fundit kjo gjë ka ndryshuar. Shkak janë bërë ndryshimet klimatike që kanë sjellë rritje të temperaturave të ajrit dhe si dhe vlerave minimale (gjatë natës), apo atyre maksimale (gjatë ditës)”, ka shpjeguar Gjoni, sa i takon sezonit të hershëm veror.

    Po pse ndodhin këto ndryshime klimatike?

    “Ndryshimet klimatike janë pasojë e ngrohjes globale, duke sjellë rritje të temperaturave të ajrit, thatësira, intensifikim të valëve të të nxehtit. Janë shtuar mundësitë për zjarre në pyje, ato për stuhi, përmbytje (lumore, vërshimet e shpejta dhe ato urbane), ngricat, rrëshqitjet e dheut, pandemitë etj”, përgjigjet specialistja.

    Teksa ndalet më konkretisht te Shqipëria, shpjegon se në vendin tonë stina e verës po vjen me anomali të theksuara.

    “Që nga tejzgjatja e numrit të ditëve me temperatura të larta të njëpasnjëshme, trefishimi i numrit të netëve tropikale e deri te shtimi i stuhive dhe breshërit.”

    Ku qëndron vendi ynë, në raport me kontinentin?

    Sipas Raportit të Kombeve të Bashkuara për Klimën, Shqipëria është renditur ndër vendet më të prekura nga ndryshimet klimatike në Europë. Vendi ynë duke qenë vend në zhvillim është më vulnerabël sa i takon prekjes nga ndryshimet klimatike”, thotë Gjoni.

    E fundit, por jo më pak e rëndësishmja. A janë shqiptarët të edukuar sa duhet për ndryshimet klimatike?

    “Si koncept, ndryshimet klimatike kanë hyrë vonë në Shqipëri…Sistemi arsimor e prek temën, por jo mjaftueshëm. Edukimi për ndryshimet klimatike nuk është ende i integruar si temë kryesore ndërdisiplinore. Ne nuk jemi ende të edukuar mjaftueshëm për ndryshimet klimatike, por ka potencial dhe energji për përmirësim, sidomos nëse kombinohen arsimi, mediat, politikat publike dhe angazhimi qytetar”, thotë ekspertja.

    Teksa temperaturat janë në rritje, duhet të kemi kujdes të shtuar, sidomos gjatë orëve të pikut. Vera e këtij viti, parashikohet të vendosë një standard të ri për të nxehtin, me një sërë problemesh të tjera.

    Megjithatë, në fokus duhet të jetë shëndeti ynë. Sa më shumë hidratim, shmangie e ekspozimit në diell dhe qëndrim në ambiente sa më të freskëta!

  • Klaudio Ranieri refuzon të drejtojë Italinë, rriten shanset për De Rosin, Kanavaron e Gatuzon

    Klaudio Ranieri refuzon të drejtojë Italinë, rriten shanset për De Rosin, Kanavaron e Gatuzon

    Adriatik BALLA
    Italia e ka shkarkuar trajnerin Luçiano Spaleti, për mospërmbushje të objektivave, e është vënë në kërkim të një trajneri të ri. Në fakt, synohen emra që kanë përvojë, por në këtë moment shumica e trajnerëve të mëdhenj iu shmangen drejtimin të Italisë, pasi skuadra nuk ka cilësi mjaftueshëm dhe situata e brendshme nuk është më e mira.
    Ndërkohë, referuar asaj që shkruajnë mediumet sportive italiane, Klaudio Ranieri nuk do të jetë trajneri i ardhshëm i Kombëtares Italiane të Futbollit. Pas shkarkimit të Luçiano Spaletit dhe ndeshjes së fundit nën drejtimin e tij, fitorja modeste 2-0 ndaj Moldavisë dje, Gravina dhe FIGC kishin shpresuar se do ta bindnin ish-trajnerin e Romës. Ranieri e mendoi, e vlerësoi me kujdes, por në fund refuzoi ofertën, thekson media italiane. Prioriteti i tij është të përqendrohet te marrëveshja e ndërtuar prej kohësh me familjen Friedkin dhe klubin Roma.
    Dhe në FIGC rifillon kërkimi për një trajner të ri. Emri i Klaudio Ranierit kishte dalë në krye të listës së preferuarve pas një tjetër paraqitjeje të tmerrshme të skuadrës së drejtuar nga Spaleti, atë në Oslo. Duke bërë një bilanc, e gjithë eksperienca “azzurre” e ish-trajnerit të Napolit dhe Romës nuk ka qenë veçanërisht pozitive.
    Debutoi me një barazim të trishtuar 1-1 kundër Maqedonisë së Veriut, më pas disa sinjale të lehta përmirësimi për të siguruar kualifikimin në Euro 2024 (jo pa ankth në garën për vendin me Ukrainën) dhe një sërë miqësoresh të paqarta. Debutimi fitues (por aspak bindës) kundër Shqipërisë, humbjet e thella nga Spanja, barazimi në minutën e 98-të kundër Kroacisë dhe eliminimi në 1/8 e finales – si kampionë në fuqi – nga Zvicra. Në Nations League pati një rikuperim falë fitoreve të rëndësishme kundër Francës dhe Belgjikës, por edhe aty vetëm vendi i dytë që solli më pas humbjen në “play-off” kundër Gjermanisë dhe situatën aktuale.
    Por një trajner duhet të gjendet shpejt. Pioli do të jetë lëvizja e parë, por në këto orë të gjitha zgjidhjet janë të mundshme, duke filluar me De Rosin, i cili kryeson patrullën e trajnerëve me një të kaluar si kampionë bote, si Kanavaro dhe Gatuzo. Mbetet të shihet kë do të përzgjedhë Gravina, i cili është i fokusuar më shumë për emrat veteranë të trajningut. Kështu pati vepruar edhe me Spaletin e më herët me Mançinin. Duhet thënë se Italisë i duhet të bëjë një revolucion brenda skuadrës, për të hapur një epokë të re në përfaqësimin ndërkombëtar. Trofeu i fundit madhor është një Europian, si dhe Kupa e Botës në vitin 2006, e fituar në Gjermani, në finale me Francën.

  • Ylber Ramadani në merkato, ka interesime, por Leçe dëshiron zgjatjen e kontratës

    Ylber Ramadani në merkato, ka interesime, por Leçe dëshiron zgjatjen e kontratës

    Adriatik BALLA
    Disa lojtarë të skuadrës kombëtare janë me “valixhe në duar”. Kjo ndodh pasi kontratat e tyre me klubet ku ishin ose kanë përfunduar ose kanë nevojë të përsëriten. Janë shumë emra që kërkojnë skuadër të re, midis të cilëve spikat Broja, por edhe Manaj, Hysaj, e ndonjë tjetër. Ka dhe lojtarë që e kanë skuadrën, por duan të ndryshojnë ambient për t’i dhënë karrierës së tyre më shumë gjatësi dhe më shumë hapësira për të shkëlqyer. Ka dhe lojtarë që gjenden nën presion për shkak se klubi ku bëjnë pjesë nuk ka një platformë të qartë për qëndrimin e tyre dhe në këtë listë duket se futet edhe Ylber Ramadani e mesfushori tjetër kuqezi, Kristjan Asllani. Shumica e këtyre lojtarëve janë në Itali, por ata duan të mbeten në Serie A, pavarësisht ndryshimit të kubit.
    Situata me Ramadanin
    Mesfushori  kuqezi, Ylber Ramadani, është i grumbulluar me Kombëtaren shqiptare dhe mund të jetë protagonist në ndeshjen e djeshme të përfaqësueses në Letoni. Por pas sfidës, ai do të shkojë të shijojë disa ditë pushime para se të kthehet përsëri në dispozicion të klubit të Leçes për sezonin e ri. Kjo verë do të jetë e rëndësishme për Ramadanin, pasi do të vendosë të ardhmen e mesfushorit të kuqezinjve. Ai është afirmuar si një lojtar që mund të luajë rregullisht në Serinë A dhe tashmë do të duhet të vendosë nëse dëshiron ta bëjë përsëri një gjë të tillë me Leçen, siç ka bërë në dy sezonet e fundit.
    Kontrata e tij me Leçen përfundon në verën e vitit 2026 dhe sipas mediave pranë klubit, palët do të ulen për të biseduar për vazhdimësinë. Leçe do të kërkojë rinovimin e kontratës me mesfushorin 29-vjeçar kuqezi, por pasi të mësohet kush do të jetë trajneri i ri i kësaj skuadre nga e cila u largua Marko Xhampaolo. Nëse do të arrihet akordi, pritet të firmoset një tjetër kontratë trevjeçare, përndryshe Ramadani mund të përfundojë në listën e lojtarëve që cilësohen në shitje nga klubi. Gjithçka duket e hapur për mesfushorin kuqezi, ku ofertat në adresë të tij do të shqyrtohen me kujdes dhe nuk përjashtohet mundësia që ai të vendosë të largohet drejt një klubi tjetër. karriera e Ramadanit në aspektin individual ka ardhur vazhdimisht në rritje, ku te Leçe tregoi vlerat e tij si lojtar i qëndrueshëm dhe i nevojshëm për grupin.
    Ramadani dhe Berisha mbesin pa trajner te Leçe
    Aventura e Marko Xhiampaolo si trajner i Leçes ka mbaruar. Ishte klubi që e bëri të ditur këtë lajm përmes një postimi në rrjetet sociale. “Leçe njofton se sot ka ndërprerë marrëdhënien kontraktuale me zotin Marko Xhiampaolo, të cilit i shprehim falënderimet tona për punën e kryer me përkushtim të madh dhe urimet tona më të mira për fat të mbarë profesional”, thuhet në njoftim. Tani ka filluar loja e hamendësimeve për zëvendësuesin e tij dhe favoriti është Davide Nikola. Trajneri i cili është i lirë pas largimit nga Kaljari vlerësohet për qasjen e tij praktike dhe të drejtpërdrejtë, me një futboll të bazuar në agresivitet dhe vertikalizime. Ndër emrat që po merren në konsideratë është edhe Eusebio Di Françesko, i cili së fundmi ra nga kategoria me Venecian. Tashmë futbollistët e Kombëtares shqiptare, që luajnë te Leçe, Ylber Ramadani dhe Medon Berisha janë pa trajner.

  • Shqipëria barazim dëshpërues me Letoninë, rruga drejt Botërorit bëhet “malore”

    Shqipëria barazim dëshpërues me Letoninë, rruga drejt Botërorit bëhet “malore”

    Adriatik BALLA
    Shqipëria nuk ia doli mbrëmë të dilte me tri pikë nga Riga e Letonisë. Barazoi 1-1 dhe mori vetëm një pikë, rezultat që nuk e ndihmon aspak në rrugëtimin e saj drejt Botërorit 2026. Ishte një ndeshje që duhej fituar medoemos, por nuk ndodhi. Ndeshja nisi me Letoninë në sulm, e cila krijon shpejt dy raste që përfundojnë me goditje këndi. Por Strakosha tregohet i kujdesshëm në kontrollin e topit.
    Me kalimin e minutave tanët njohin më mirë kundërshtarin, fitojnë pak nga pak terren dhe përpiqen të rrezikojnë. Në minutën e 8-të, një krosim i Asllanit për Manajn për pak shkakton një autogol të letonezëve pasi mbrojtësi kthen topin me kokë por rrezikon shumë. Sidoqoftë, sfera përfundon jashtë. Shehu në qendër të mesfushës bën punë të mirë dhe qarkullon si duhet, ndërsa Laçi dhe Hoxha duken më guximtarë në pjesën e parë me përpjekje për të depërtuar. Në të 12’ Broja rrëmben një top te kundërshtari dhe futet nga jashtë për në brendësi, shmanget bukur dhe pason për Laçin, por gjuajtja e dibranit nuk gjen hapësirën e duhur.
    Në minutën e 17-të, në një aksion pa pretendime të Letonisë, lojtari i tyre pengohet në hyrje të zonës dhe gjyqtari akordon 11-metërsh. U deshën minuta të tëra që VAR të merrte vendim të ekzekutohej penalltia. Janis Ikaunieks vihet përballë portierit shqiptar, por Tomas Strakosha kupton krahun dhe e pret penalltinë. Më pas një ndalesë e papritur e ndeshjes, ku nuk kuptohej përse gjyqtari kryesor nuk akordohej me kufje me gjyqtarët e VAR-it. Pas disa minutash përpjekje, përfaqësuesja e Shqipërisë gjen golin në minutën e 29-të.
    Pas një harkimi të Hoxhës nga e majta, topi shkon drejt Manajt, devijohet nga sulmuesi por pastaj është Çernomordijs që devijon, por është sërish Manaj që e prek  sferën dhe e dërgon në rrjetë. 1-0 për Shqipërinë dhe gjërat bëhen më të lehta për tanët. Në minutën e 36-të, pas një goditje këndi dhe largimit të topit nga mbrojtja letoneze, është Asllani që stopon me gjoks dhe gjuan fluturimthi me të majtën, por jashtë.  Në minutën e 40-të, janë letonezët që pretendojnë penallti pas faullit të Ismajlit në vijën e zonës ndaj sulmuesit vendas. Por vetëm goditje dënimi. Në minutat e fundit të kohës shtesë që u dhanë për këtë pjesë të parë, letonezët nëpërmjet dy-tri goditje këndi arritën të barazonin. Një krosim në zonë nga Ciganiks gjen kapitenin shtatlartë Çernomordijs, që shënon me kokë, duke mos i dhënë asnjë shans as Balliut shtatshkurtër e as portierit Strakosha. Pjesa e parë mbyllet 1-1.
    Pjesa e dytë, shumë volum e asnjë gol për kuqezinjtë
    Pjesa e dytë nis në sulm për Shqipërinë, ku Broja bëhet protagonist me disa inkursione të shpejta në krahun e djathtë. Në minutën e 52-të, Laçi kroson nga këndi në zonë, Ismajli godet me kokë dhe aty dy herë rresht Broja e Manaj përpiqen ta shtyjnë topin në rrjetë, por portieri vendas bën mrekullinë. Në të 55’ Asllani lëshon një “predhë” nga jashtë zonës, por grushton portieri vendas, Zviedris. Për minuta të tëra Shqipëria përpiqet të gjejë golin e epërsisë dhe Letonia vetëm mbrohet. Silvinjo fut në fushë edhe Muçin e Bajramin, e më vonë edhe Dakun e Uzunin, por letonezët bëhen “gardh” para portës. Gjuajtjet e Asllanit në fund janë dëshpëruese. Si përfundim, Shqipëria barazon me Letoninë në transfertë, 1-1, duke marrë vetëm 1 pikë. Kjo e vështirëson ëndrrën e skuadrës për kualifikim në Botëror.
    Ndeshjet, grupi K
    Serbi-Andorrë             3-0
    Letoni-Shqipëri           1-1
    Anglia                         pushim
    Renditja
    Nr.Ekipi         Pikë
    1.Anglia          9
    2.Shqipëria      5
    3.Serbia           4
    4.Letonia         4
    5.Andorra        0