Day: June 11, 2025

  • Valë sulmesh në Kolumbi, bomba dhe të shtëna me armë! Shtatë të vdekur, mbi 50 të plagosur

    Valë sulmesh në Kolumbi, bomba dhe të shtëna me armë! Shtatë të vdekur, mbi 50 të plagosur

    Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në një seri sulmesh të koordinuara në jugperëndim të Kolumbisë, raportojnë mediat lokale.

    Sulmet, që përfshinë makina-bomba, motoçikleta të pajisura me eksplozivë, të shtëna me armë zjarri dhe përdorimin e një droni të dyshuar, kanë goditur qytetin Cali – qyteti i tretë më i madh në vend – si dhe disa qytete përreth në rajonet Cauca dhe Valle del Cauca.
    Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Kolumbisë, janë regjistruar gjithsej 19 sulme: 12 në rajonin Cauca dhe shtatë në Valle del Cauca. Dy oficerë policie janë midis viktimave, ndërkohë që numri i të plagosurve varion nga 28 në mbi 50 persona, sipas burimeve nga Reuters dhe AFP.
    Disa media lokale raportojnë se sulmet mund të jenë kryer nga një fraksion i Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), megjithatë kjo lidhje nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.
    Në një deklaratë në rrjetet sociale, Ministria e Mbrojtjes përshkroi dhunën si “një reagim të dëshpëruar nga grupet e armatosura ilegale ndaj operacioneve të gjera ushtarake dhe policore që kanë goditur strukturat dhe ekonomitë e tyre të paligjshme”.
    Kryebashkiaku i Calit tha se situata e sigurisë në qytet i kujton vitet e errëta të 1989-ës, kur qyteti ishte i zhytur në dhunë për shkak të karteleve të drogës.

    Top Channel

  • FOTOT/ E rëndë në Francë! Nxënësi 14-vjeçar vret asistenten e mësueses pranë shkollës, si ndodhi krimi 

    FOTOT/ E rëndë në Francë! Nxënësi 14-vjeçar vret asistenten e mësueses pranë shkollës, si ndodhi krimi 

    Një sulm tronditës ka goditur komunitetin arsimor në verilindje të Francës, ku një asistente mësuese, Mélanie G, u vra nga një nxënës 14-vjeçar, jashtë shkollës Françoise Dolto në qytetin Nogent.

    31-vjeçarja, nënë e një djali 4-vjeçar dhe e përshkruar si “një grua e dashur dhe e kujdesshme”, humbi jetën në spital nga plagët e marra. Ajo ndodhej jashtë shkollës duke kryer një kontroll të zakonshëm të çantave kur ndodhi sulmi fatal.
    Sipas autoriteteve franceze, adoleshenti është arrestuar në vendngjarje. Motivi i sulmit mbetet ende i paqartë, ndërsa i dyshuari nuk kishte precedentë penalë apo kontakte të njohura me policinë.
    Mélanie, një ish-parukiere e dekoruar për punën e saj kreative, kishte zgjedhur të ndryshonte karrierë për t’iu përkushtuar edukimit të të rinjve dhe për të ndërtuar një jetë më të qëndrueshme për veten dhe djalin e saj. Ish-klientë dhe miq janë mbledhur pranë shkollës për të vendosur lule dhe për të nderuar kujtimin e saj.

    Presidenti Emmanuel Macron dënoi sulmin, duke e quajtur “një valë të pakuptimtë dhune që po godet shkollat”. Në një deklaratë në rrjetin X, ai u shpreh: “Ndërsa mbronte fëmijët tanë, një asistente mësuese humbi jetën… Kombi është në zi.”
    Pas incidentit, shkolla me 324 nxënës u fut në izolim, ndërsa mësimet u pezulluan për dy ditë. Një minutë heshtje do të mbahet në Asamblenë Kombëtare për të nderuar viktimën.

    Top Channel

  • Ishte shpallur në kërkim, arrestohet 19-vjeçari në Shkodër! Zotëronte dy armë kallashnikov

    Ishte shpallur në kërkim, arrestohet 19-vjeçari në Shkodër! Zotëronte dy armë kallashnikov

    Shkodër/Vijojnë kontrollet mbi bazën e inteligjencës policore, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
    Dyshohet se posedonte 2 armë zjarri kallashnikov, kapet dhe vihet në pranga 19-vjeçari.
    Si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë lokalizuar, kapur dhe ndaluar shtetasin:
    A. Gj., 19 vjeç, banues në fshatin Kir.
    Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi më datë 30.05.2025, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në një automjet, në një lagje të fshatit Kir, ku kanë gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri kallashnikov të cilat dyshohet se i posedonte shtetasi A. Gj.
    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

    Top Channel

  • Ulen temperaturat! Ja si parashikohet moti për këtë të mërkurë

    Ulen temperaturat! Ja si parashikohet moti për këtë të mërkurë

    Kjo e mërkurë ka sjellë një rënie të temperaturave, krahasuar me ditët e tjera të kaluara.

    Moti do të jetë nën mbizotërimin e diellit, teksa nuk do të mungojnë as vranësirat kalimtare në zonat Verilindore-Juglindore.
    Temperaturat këtë mëngjes kanë shënuar 8 gradë, ndërsa vlerat maksimale gjatë ditës pritet të arrijnë në 34 gradë Celsius.
    Era do të fryjë me shpejtësi 40 km/h, duke shkaktuar në brigjet detare dallgëzim mbi 3 ballë.
     

    Top Channel

  • Si u pasurua ish-presidenti rus nga lufta, fondacionet e tij kanë grumbulluar rreth 850 milionë dollarë që nga fillimi i pushtimit

    Si u pasurua ish-presidenti rus nga lufta, fondacionet e tij kanë grumbulluar rreth 850 milionë dollarë që nga fillimi i pushtimit

    Fondacionet e lidhura me ish-presidentin e Rusisë, Dmitry Medvedev, kanë grumbulluar rreth 850 milionë dollarë që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia më shumë se tri vjet më parë, ka zbuluar njësia hulumtuese ruse e Radios Evropa e Lirë, Systema.

    Rritja e pasurisë së fondacioneve përkon me rilindjen e figurës së Medvedevit gjatë kohës së luftës, të cilin presidenti Vladimir Putin e kishte shkarkuar nga posti i kryeministrit në vitin 2020.

    Megjithatë, ai ka gjetur një audiencë prej miliona ndjekësish në rolin e ri si “sulmues online”, ndërkohë që mban ende rol në Qeveri si zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Putinit dhe kryetar i partisë mbizotëruese, Rusia e Bashkuar.

    Medvedev, dikur figurë e butë dhe e moderuar, është shndërruar në përkrahës të zjarrtë të luftës, dhe mban qëndrime të ashpra dhe plot urrejtje ndaj Kievit dhe Perëndimit në rrjetet sociale.

    Në përgjithësi, 15 fondacione të lidhura me Medvedevin morën rreth 28 miliardë rubla, apo 424 milionë dollarë, mes viteve 2015 dhe 2021, viti i fundit para fillimit të pushtimit të plotë rus në shkurt 2022, sipas dokumenteve financiare të vlerësuara nga Systema.

    Nga viti 2022 deri në vitin 2024, kjo shumë u rrit në më shumë se 130 miliardë rubla, apo 1.39 miliardë dollarë. Më shumë se gjysmën e këtyre parave u morën vetëm gjatë vitit të kaluar.

    Fondacionet kishin gjithsej 23.5 miliardë rubla, apo 316 milionë dollarë, në llogaritë e tyre në fund të vitit 2021 dhe 86.4 miliardë rubla, apo 850 milionë dollarë, në fund të vitit 2024, tregojnë të dhënat.

    Fondet janë shpërndarë për qëllime të ndryshme, përfshirë për forcat ruse që luftojnë në Ukrainë dhe projekte të pasurive të paluajtshme – të cilat duket se kanë lidhje me Medvedevin – nga Shën Petersburgu deri në bregun e Detit të Zi, zbuloi Systema.

    Fondacionet nuk i identifikojnë publikisht donatorët e tyre dhe vetëm dy nga 14 që ekzistojnë ende aktualisht kanë faqe interneti. Njëra prej tyre, Nasha Pravda (E Vërteta Jonë), thotë se ka shpenzuar 2.4 miliardë rubla gjatë dy vjetëve të fundit për të mbështetur “operacionin special ushtarak”, termi i detyruar nga Putini për luftën kundër Ukrainës, me shpenzime për mijëra dronë, syze nate, gjeneratorë, pajisje mjekësore dhe furnizime të tjera.

    Bashkëpunimi me Rusinë e Bashkuar

    Nasha Pravda u krijua me iniciativën e Medvedevit, sipas kreut të komitetit ekzekutiv qendror të Rusisë së Bashkuar, Aleksei Sidyakin. Fondacioni ka bashkëpunuar me partinë – në shkurt 2025, për shembull, dhuruan bashkërisht pajisje me vlerë më shumë se 14 milionë rubla (177.000 dollarë) për një njësi ushtarake ruse, sipas faqes së fondacionit.

    Djali 29-vjeçar i Medvedevit, Ilya, i cili iu bashkua partisë në shtator 2022, mori pjesë në ceremoni dhe u prezantua si drejtor projekti në të njëjtin komitet partiak.

    Shumë nga fondacionet nuk japin hollësi për mënyrën se si i shpenzojnë fondet.

    Por, dëshmitë tregojnë se disa janë përdorur për të mbështetur drejtpërdrejt ose tërthorazi projekte të pasurive të paluajtshme që kanë lidhje me Medvedevin – një temë me interes të madh publik që nga raporti i Fondacionit Anti-Korrupsion (FBK) të ndaluar tashmë, i udhëhequr nga Aleksi Navalny, që zbuloi një rrjet pronash luksoze, jahtesh, vreshtash dhe pasurish të tjera që i atribuoheshin kryeministrit të atëhershëm.

    Raporti i FBK-së përmendte prona të mundshme të Medvedevit në qytetin Plios në lumin Volga, në rajonin Kursk, në Rubliovka (një lagje luksoze në periferi të Moskës), në Soçi, një prodhues verërash të quajtur Skalisty Bereg, dhe disa jahte. Systema zbuloi se shumica e këtyre pronave janë ende të lidhura me fondacione që kanë lidhje me Medvedevin.

    Në mars, Nasha Pravda bashkëpunoi me Skalisty Bereg, që ka vreshta pranë resortit bregdetar Anapës, për të ndihmuar në pastrimin pas një derdhjeje të madhe vaji në dhjetor. Skalisty Bereg kontrollohet nga fondacione të lidhura me Medvedevin dhe Ilya Medvedev është në bordin drejtues të saj.

    Në dhjetor 2022, një firmë e quajtur FKK – në pronësi të një fondacioni të lidhur me Medvedevin – bleu një kompani menaxhimi, Makna, që administronte një resort të rrënuar të quajtur Shingary, vetëm 7 minuta larg detit.

    Shkatërrimi i resortit nisi pak muaj më pas, dhe FKK bleu disa parcela aty pranë dhe mori tokë me qira nga Makna, duke sugjeruar një zhvillim të ri, edhe pse nuk është e qartë se çfarë do të ndërtohet.

    Afër qytetit të tij të lindjes, Shën Petersburg, një fondacion i quajtur Nevsky bleu një vilë dykatëshe në periferi të qytetit në vitin 2023 – dhe në 2024 shtoi një shtepizë në Pavlovsk, ku Medvedev kalonte verat si fëmijë dhe që e vizitoi si president në vitin 2009.

    Medvedev nuk iu përgjigj kërkesave të Systemas për koment, ashtu si edhe fondacionet Nasha Pravda dhe Nevsky. Skalisty Bereg nuk u përgjigj gjithashtu, ndërsa shefi ekzekutiv i FKK-së e mbylli telefonin sapo dëgjoi që e telefononte një gazetar dhe nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara me mesazh.

    Ndezja e një lufte

    Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës, transformimi i figurës publike të Medvedev ka qenë i thellë. Si president nga 2008 deri në 2012, në periudhën ndërmjet dy mandateve të Putinit, ai shfaqte veten si një liberal relativ, reformator dhe mbështetës i lirive më të mëdha.

    Rusët që kishin shpresa për ndryshim u ndien të tradhtuar kur Putini u rikthye si president në vitin 2012, duke e zhvendosur Medvedevin në vendin e dytë, si kryeministër. Nën një shtypje gjithnjë e më të ashpër të opozitës, Rusia pushtoi Krimenë dhe mori kontrollin e pjesëve të Ukrainës Lindore në vitin 2014, duke ndezur një luftë që çoi në pushtimin e plotë tetë vjet më vonë.

    I cilësuar nga shumë si i dobët dhe i parëndësishëm pasi u largua nga posti i kryeministrit në janar 2020, vlerësimi i besueshmërisë publike të Medvedevit ishte nën 23 për qind në fund të vitit 2021, krahasuar me 65 për qind për Putinin, sipas sondazhit të VTsIOM-it të financuar nga shteti.

    Në rezultatet e VTsIOM-it më 1 qershor, vlerësimi i besimit ndaj Medvedevit ishte dyfishuar në 45.7 për qind, më i larti pas Putinit dhe kryeministrit Mikhail Mishustin. Kanali i tij në Telegram, që e nisi disa javë pas fillimit të pushtimit të plotë, u bë më i ndjekuri në Rusi deri në fund të vitit 2022, me postime që tani marrin mesatarisht mbi 1.8 milionë shikime.

    Postimet e Medvedevit në rrjetet sociale janë shpesh të mbushura me gjuhë të ashpër e fyese ndaj qeverive perëndimore, paralajmërime të rënda për Kievin dhe kërcënime të fshehura për sulme bërthamore. Në vitin 2023, ai doli me idenë për ta bombarduar Bundestagun në Berlin.

    Javën e kaluar, ai shkroi në Telegram se qëllimi i Rusisë në bisedimet e para të drejtpërdrejta për paqe me Ukrainën pas tri vjetësh nuk ishte paqja, por “sigurimi i një fitoreje të shpejtë dhe shkatërrimi i plotë i Qeverisë në Kiev”.

    Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania dhe vende të tjera kanë vendosur sanksione ndaj Dmitry dhe Ilya Medvedevit në lidhje me luftën e Rusisë kundër Ukrainës./REL

  • Sopranoja Marigona Qerkezi në TKOB, koncerti sjell një program të përzgjedhur me vepra nga autorë shqiptarë dhe të huaj

    Sopranoja Marigona Qerkezi në TKOB, koncerti sjell një program të përzgjedhur me vepra nga autorë shqiptarë dhe të huaj

    Nga Julia Vrapi
    Sopranoja Marigona Qerkezi nesër në mbrëmje ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Një nga emrat më të rëndësishëm të skenës operistike në botë, sopranoja Marigona Qerkezi vjen për publikun me një koncert gala. Nën dirigjimin e maestros së mirënjohur Fabrizio Maria Carminati, me Orkestrën Simfonike dhe Korin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit koncerti sjell një program të përzgjedhur me vepra nga G.Puccini, G.Verdi, F. Cilea, A.Dvořák, L. Bernstein, A. Lara , L. Arditi si dhe nga kompozitorët shqiptarë Feim Ibrahimi dhe Avni Mula.
    Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se sopranoja Marigona Qerkezi ka pushtuar disa nga skenat më të rëndësishme ndërkombëtare. “Marigona Qerkezi, një nga zërat më të fuqishëm shqiptarë në skenën operistike ndërkombëtare! Me një interpretim që mbërthen publikun dhe një zë që ngjitet drejt majave, ajo ka pushtuar disa nga skenat më të rëndësishme ndërkombëtare. Një artiste që përfaqëson me dinjitet, forcë dhe elegancë trashëgiminë tonë kulturore në gjithë botën vjen në TKOBAP me një recital të veçantë”, thuhet nga teatri. Koncerti i sopranos Marigona Qerkezi që vjen me një program të pasur muzikor më pas do t’ia lërë radhën shfaqjeve dhe koncerteve të tjera në sezonin artistik të TKOB.
     Qerkezi në skena të ndryshme
    Sopranoja Marigona Qerkezi ka një aktivitet të vlerësuar në skena të ndryshme në botë. Amerika, Gjermania, Anglia, Italia, Japonia, Rusia, Portugalia, Spanja, Holanda, Omani, Turqia, Sllovenia dhe Kroacia janë ndër shtetet në të cilat ka performuar deri më tani sopranoja Marigona Qerkezi, që nesër do të jetë në TKOB me një koncert gala. Por përpara se të vijë në skenën e TKOB në Tiranë sopranoja Qerkezi ka vijuar me role operistike në skenat jashtë. Ndër to përmendim dhe interpretimin e saj në Operan e Frankfurtit, roli i Normës në operën e italianit Vincenzo Bellini që për titull ka pikërisht emrin e personazhit.
    Por në vijim të aktivitetit këtë sezon është dhe opera “Aida” në Operën e Berlinit, që gjithashtu u mirëprit nga publiku dhe kritika. Qerkezi është fituese e çmimeve të shumta në garat ndërkombëtare të operës, duke përfshirë: Çmimin e parë në Konkursin e Operës Leyla Gencer dhe një çmim special nga Accademia Teatro alla Scala; Çmimin e parë në Konkursin Ndërkombëtar “Magda Olivero”; Fituese në kategorinë e debutuesve në Konkursin e 66-të Ndërkombëtar për Këngëtarët e Rinj të Operës të Evropës AsLiCo; Çmimin special “Më i miri nën 25 vjeç” në Konkursin Ndërkombëtar të Operës Portofino, etj. Profili i saj është përfshirë në librin “Il Soprano Rossiniano” midis interpretuesve të shquar të Rossinit, dhe ajo ka luajtur në një dokumentar “Dante in Musica” me rastin e promovimit të kulturës dhe gjuhës italiane në botë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë.

  • Jenny nga grupi “Ace of Base” koncert në Tiranë në Javën Kulturore Suedeze

    Jenny nga grupi “Ace of Base” koncert në Tiranë në Javën Kulturore Suedeze

    Koncerti i këngëtares Jenny nga grupi legjendar “Ace of Base” është pjesë Javës Kulturore Suedeze në vendin tonë që vjen me aktivitete të ndryshme. Java Kulturore Suedeze ka pjesë të saj muzikën, ekspozitat dhe aktivitete e tjera, ndërsa nis më 13 qershor. Prej datës 13 qershor e deri më 19 qershor, Shqipëria do të mikprerë kulturën e artin suedez.
    Performanca e këngëtares Jenny nga grupi legjendar Ace of Base do të jetë kulminacioni i Javës Kulturore Suedeze, me një super performancë live që do të elektrizojë sheshin Skënderbej mbrëmjen e datës 17 qershor. “Fleeting” do të jetë një ekspozitë përfshirëse nga artistet suedeze Nina Wedberg Thulin & Maria Backman, e cila do të çelet më datë 13 qershor.
    Një natë më pas, më 14 qershor do të vijë koncerti i muzikës klasike, me virtuozë të jashtëzakonshëm, i cili do të zhvillohet në Teatrin e Metropolit. Ruajtja e së kaluarës dhe formësimi i së ardhmes, do të jetë një tjetër aktivitet i cili do të zhvillohet tek Kube, në Gjirokastër. Ky aktivitet (16 qershor) do të jetë një takim mes kulturës shqiptare dhe asaj suedeze në qytetin historik të Gjirokastrës, për të reflektuar mbi trashëgiminë dhe bashkëpunimin. Pas koncertit të këngëtares Jenny në datën 18 qershor do të ketë aktivitete kushtuar përdorimit të biçikletës nën moton “Së bashku për një Shqipëri më të gjelbër & më të sigurt”.
    Njëzet shtete janë pjesëmarrëse në Javët Kulturore Ndërkombëtare, që këtë vit shënojnë edicionin e katërt në vendin tonë. Javët Kulturore Ndërkombëtare vijnë me një sërë aktivitetesh të ndryshme, ekspozita, filma, performanca artistike dhe aktivitete të tjera janë pjesë e tyre.

  • 35 organizata dhe aktivistë peticion MEKI-t: Ndërhyrjet në Spaç bien ndesh me ligjin

    35 organizata dhe aktivistë peticion MEKI-t: Ndërhyrjet në Spaç bien ndesh me ligjin

    Ndërhyrjet në ish burgun e Spaçit ka sjellë gjatë këtyre ditëve reagime të ndryshme, ku një ditë më parë edhe 35 organizata dhe aktivistë i janë drejtuar me një peticion Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
    Kërkesa e peticionit është ndalimi i menjëhershëm i punimeve, derisa të zhvillohet një verifikim profesional transparent, në bashkëpunim me aktorë të shoqërisë civile, ish-të përndjekur politikë dhe ekspertë të trashëgimisë kulturore. “Ky peticion, i hartuar në një gjendje të jashtëzakonshme gjendje në të cilën na vuri ndërhyrja e papritur, e pakoordinuar dhe amatoreske e Institutit Kombëtar për Mbrojtjen e Kulturës bëri që 35 organizata dhe 734 qytetarë ta firmosnin për vetëm 6 ditë. Qëllimi i tij është ndalimi i vazhdimit të punimeve dhe, për rrjedhojë, parandalimi i tjetërsimit të historisë.
    Fillimisht, jemi këtu për të kundërshtuar këtë ndërhyrje sepse ajo bie ndesh me planin e menaxhimit që vetë kjo qeveri ka miratuar. Në këtë plan thuhet qartë se nuk do të ketë ndërhyrje që tjetërsojnë kujtesën, vlerat historike apo strukturën e burgut kamp të Spaçit. Gjithashtu, kjo ndërhyrje bie ndesh me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, si dhe me VKM-në shoqëruese nr. 1099: “Për kriteret dhe mënyrat e ndërhyrjes në pasuritë kulturore”, e cila përcakton qartë direktivat për ndërhyrjet restauruese, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me ndërhyrjen që po kryhet aktualisht në këtë zonë’, thuhet në deklaratë ndër të tjera.
    Ndërkohë pak ditë më parë në një reagim mbi ndërhyrjen në ish-burgun e Spaçit dhe projektin filmik mbi Revoltën e vitit 1973 Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit u shpreh se së fundmi është krijuar një “tymnajë” e panevojshme në lidhje me ish-burgun e Spaçit. “Duke injoruar jo vetëm degradimin ekstrem fizik, por duke sajuar fabula mbi “prishje të kujtesës historike” apo “qoka” për hir të një filmi, çka është keqinformuese, por edhe dashakeqe në thelb”, thuhej në deklaratën e MEKI-t. Ndër të tjera MEKI shprehej se projekti i qeverisë shqiptare për ta kthyer Spaçin në një Muze të Kujtesës, të hapur e të aksesueshëm për të gjithë, ka nisur prej kohësh.

  • Cikli i ri i emigracionit po arrin kulmin?! Të dhënat e BSH: Ngadalësohen prurjet e emigrantëve

    Cikli i ri i emigracionit po arrin kulmin?! Të dhënat e BSH: Ngadalësohen prurjet e emigrantëve

    Paratë që emigrantët sjellin tek familjet e tyre në Shqipëria po shfaqin një tendencë ngadalësimi në muajt e parë të këtij viti, duke reflektuar indirekt se valës së re të emigracionit po i vjen kulmi. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë në bilancin e pagesave bënë të ditur se të ardhurat nga emigrantët ishin 251 milionë euro në janar-mars 2025, me një rritje prej 3.7% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është niveli më i ulët i rritjes, që nga viti 2020.
    Në tremujorin e parë 2024, paratë që emigrantët sjellin në shtëpi ishin rritur me 13% dhe një vit më parë me 16%. Që nga viti 2013, paratë që emigrantët sjellin në Shqipëri janë rritur vazhdimisht (shiko grafikun), duke reflektuar një cikël të ri emigracioni, që nisi kryesisht pas vitit 2015.
    Të dhëna të tjera të Eurostat tregojnë se ritmet e emigracionit të shtetasve shqiptare në vendet e Bashkimit Europian janë përshpejtuar vitet e fundit dhe kjo reflektohet në numrin e lartë të lejeve të qëndrimit të dhëna nga shtetet e BE-së. Në vitin 2023 u dhanë rreth 75 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë nga vendet e BE-së. Një vit më parë ishin dhënë 79.2 mijë leje qëndrimi për herë të pare.
    I gjithë ky fluks i ri të ikurish është reflektuar në një cikël të ri emigracioni. Vlerësohet se në 10-15 vjet lidhjet me vendim amë fillojnë e zbehen, teksa emigrantët krijojnë një jetë të re, në shtetin ku kanë emigruar. Kjo ndodhi me valën e parë të emigracionit të pas viteve ’90, që çoi në një rënie të prurjeve pas vitit 2008.
    Aktorët e tregut pohojnë se kanalet kryesore vijojnë të mbeten vendet tradicionale ku ka emigracione, si Greqia e Italia, por vitet e fundit ka pasur rritje dhe nga destinacionet e reja si Anglia dhe Gjermania./ Monitor

  • Turizmi në Ksamil/ 5.5 mln euro për Qendrën e Mirëseardhjes dhe një Kullë Vrojtimi

    Turizmi në Ksamil/ 5.5 mln euro për Qendrën e Mirëseardhjes dhe një Kullë Vrojtimi

    Ksamilit pritet që t’i shtohet një Qendër Mirëseardhjeje për panaire dhe ekspozita si dhe një Kullë Vrojtimi duke e rritur kështu ofertën turistike të këtij rajoni. Në fund të majit Fondi Shqiptar i Zhvillimit bëri të ditur se nga procedura e hapur në muajin shkurt ishte shpallur kompania fituese që do të bëjë zbatimin e këtij projekti për një vlerë 5.5 milionë euro përfshirë edhe TVSH-në.Reklama në FieriWeb – “BREGU CLIMA”

    Fituese ishte Alba Konstruksion teksa në tender morën pjesë edhe Fusha sh.p.k dhe Valona Konstruksion shpk & T.T.Sh.-Inshaat. Punimet parashikohet që të përfundojnë brenda qershorit të vitit të ardhshëm.Reklama në FieriWeb – “COVIM CAFFE”

    Ky projekt i dedikuar në Ksamil është pjesë e programit Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin dhe FSHZH argumentoi se Qendra e Mirëseardhjes që parashikohet të vendoset në qytetin bregdetar të Ksamilit është krijuar për të shërbyer si një qendër e gjallë për aktivitete kulturore, sociale dhe rekreative.Reklama në FieriWeb – “PASTIÇERI “RUSTEMAJ”

    “Duke përbërë dy struktura të dallueshme – Qendrën e Mirëpritjes dhe Kullën e Vëzhgimit – projekti integron pa probleme hapësirat publike me shumëllojshmëri funksionale” thuhet në njoftim. Reklama në FieriWeb – “STREET FOOD S.O.A”

    Qendra e MirëseardhjesReklama në FieriWeb – “Oazi i Pishave”

    Por çfarë parashikohet të jetë e integruar brenda kësaj qendre?

    “Një strukturë dinamike, me shumë nivele, Qendra e Mirëseardhjes ofron hapësira të ndryshme për angazhimin e publikut:

    Kati përdhes: Një treg i hapur me një plan urbanistik fleksibël lejon shitësit lokalë, panairet sezonale dhe mbledhjet e komunitetit. Baret dhe zonat e ndenjëseve të integruara krijojnë një atmosferë të gjallë.

    Kati i parë: Pret një Shkollë Verore Arti, duke ofruar ëorkshope krijuese, ekspozita dhe ngjarje kulturore.

    Kati i dytë: I dedikuar sportit dhe fitnesit, me zona stërvitore, dhoma zhveshjeje dhe të gjitha ambientet e nevojshme sportive.

    Tarraca e tavanit: Një hapësirë e gjithanshme në natyrë, e adaptueshme si për aktivitetet sportive ashtu edhe për ngjarjet në komunitet, duke maksimizuar mjedisin piktoresk bregdetar të Ksamilit.

    “Duke qëndruar si një pikë referimi vizuale dhe funksionale, Kulla e Vëzhgimit shërben për qëllime të shumta:

    Qendra Informative e Turizmit, që ofron udhëzime dhe të dhëna për vizitorët.

    Platforma e shikimit panoramik, duke përfituar nga lartësia e kullës për pamje mahnitëse të bregdetit. Zona e Bar & Lounge, duke ofruar një mjedis të relaksuar me pamje piktoreske. Zonat e ruajtjes dhe shërbimit, duke mbështetur nevojat operacionale të qendrës. Qarkullim vertikal, duke siguruar akses të qetë në të gjitha nivelet” thuhet në shpjegimin e FSHZH.

    Projekti për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik ka nisur prej disa vitesh dhe mbështetet nga Banka Botërore me një kredi 63.8 milionë euro dhe mbështet disa aktivitete në qytete si Berati, Gjirokastra, Përmeti dhe Saranda./ Monitor