Deputeti i PS, Erion Braçe komentoi rezultatin e 11 majit dhe fitoren e thellë të PS me 83 mandate.
Kjo ‘fuqi’ që shqiptarët i dhanë Partisë Socialiste me në krye Edi Ramën, për Braçen duhet të jetë një sinjal për të ndryshuar fort.
Për Braçen, procesi i rinumërimit po bëhet pa asnjë lloj prove, por gjithsesi ai thotë se PD po ndjek rrugën institucionale për pretendimet e saj, por kujdeset që të nënvizojë se në fund duhet të njohë vendimin publik të këtyre institucioneve.
“Në 2009 drejtoja fushatën elektorale të PS në Berat. Kam humbur mandatin e pestë në Berat, nuk është habi që PS fiton dy herë rresht nga 5 mandate në Berat. E kam humbur me 40 vota në raport me PD dhe 38 me LSI. Kodi atëherë nuk kishte këto parashikime që ka sot për rinumërimin. Berati në atë kohë u bë shembulli që i vlejti gjithë Shqipërisë për të hapur sytë dhe për të parë se çfarë kishte ndodhur gjatë procesit të rinumërimit.
Në Berat natën e fundit para se të mbyllej procesi i rinumërimit të votave u prenë dritat në Pallatin e Kulturës ku po numëroheshin votat e bashkisë së Beratit. Ne menduam që pallati ka qenë bosh dhe në mëngjes rezultati ndryshoi. Kam kërkuar rinumërim për shkak se ishin 40 vota dhe 38 vota diferenca. Zotëria që keni pas shpinës suaj çoi haber dhe tha mund të hapet gjithë Shqipëria, vetëm berati jo.
Unë e kisha të qartë çfarë kishte ndodhur, për shkak të asaj lëvizje që pasoi zgjedhjet e 2009, sot rinumërohen votat automatikisht. Pa asnjë lloj prove, demonstratë, proteste, greve urie. Këta janë në të drejtën e tyre të kërkojnë rinumërim. Kjo tregon që ne nuk jemi ata, jemi ndryshe. Ja ku jemi për shkak të sakrificës që bënë socialistët, nuk u futën në kuvend, kanë bërë protesta, u futën në grevë urie dhe në fund fare morëm ndryshimet në kod që po i shfrytëzojnë këta.
Rinumërohet Tirana se në kod është shkruar që dy anëtarët e kas çojnë në rinumërim. Rinumërohet Fieri pa asnjë provë, nuk ka asnjë provë në Fier, pretendime kanë, por jo prova. Në Fier, nuk është PD që ka kërkuar rinumërim. Është një tjetër që para zgjedhjeve thoshte do marr 71 mandate, pas zgjedhjeve është me 1 mandat dhe thotë më kanë vjedhur 70 mandate. Se si mund të vidhen vetëm një magjistar si puna e tij mund ta konceptojë”, tha Braçe në emisionin ‘Frontline Interview’ në Report Tv.
Braçe iu drejtoi dhe një pyetje kundërshtarëve politikë.
“Pyetja që kam unë, nëse pas rinumërimit konfirmohen të gjithë këto mandate, do kenë më fytyrë të gjithë këta? Nëse votat dalin me ato gabimet njerëzore, që janë të natyrshme kur rri një javë duke rinumëruar, dalin të njëjtat dhe konfirmojnë të njëjtin numër mandatesh, çfarë do thonë?”, thekson Braçe.
Day: June 11, 2025
-

“Në Berat na hoqën dritat gjatë numërimit! Berisha tha…”, Braçe: A do ketë më fytyrë PD nëse konfirmohen të njëjtat mandate?
-

Parashikimi i motit për ditën e sotme, 11 Qershor 2025
Ditën ë mërkurë vendi ynë do të jetë në ndikim të kushteve atmosferike të qëndrueshme.
Orët me diell do të mbizotërojnë në pjesën më të madhe të vendit, e vranësira të pakta në lindje dhe juglindje aty ku edhe do të pasohen nga reshje lokale shiu përgjatë maleve në orët e pasdites.
Era do të jetë me drejtim kryesor nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare deri në 7m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e lugina hera-herës fiton shpejtësi deri në 10m/s
Deti do të ketë valëzim të forcës 1 deri në 2 ballë. -

Ngërçi në Kosovë, sot tentativa e 30-të për konstituimin e Kuvendit
Do të zhvillohet sot për herë të 30-të përpjekja për konstituimin e Kuvendit, ndërkohë që procesi ka ngecur në pikën e zgjedhjes së kryetarit të tij.
Partitë politike vazhdojnë të mbeten të ngurta në qëndrimet e tyre.
Lëvizja Vetëvendosje vijon të këmbëngulë në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ndërsa PDK, LDK dhe AAK kanë ripërsëritur se nuk do ta mbështesin atë.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka propozuar në disa raste krijimin e një Komisioni që do të mundësonte votimin e fshehtë, por për shkak të mungesës së kuorumit, propozimi nuk ka kaluar. AAK e ka çuar këtë çështje për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. -

Shkodër/ Kapet me dy kallashnikovë, arrestohet pas kërkimeve 19 vjeçari
Vihet në pranga nga Policia e Shkodrës një 19-vjeçar i shpallur në kërkim, i dyshuar për posedim të dy armëve zjarri të tipit kallashnikov.
Arrestimi u krye si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe të bazuara në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore.
I arrestuari është shtetasi A. Gj., banues në fshatin Kir, i cili dyshohet se më datë 30 maj 2025 ka qenë në posedim të armëve të zbuluara gjatë një kontrolli të ushtruar nga Policia në një automjet në një lagje të fshatit të tij.
“Vendimi për arrestimin e tij ishte lëshuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Armët janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa ndaj të riut tashmë vijojnë procedurat ligjore”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore. -

(VIDEO) Rama: Plazhi i Spillesë, një tjetër perlë e bregdetit tonë
Në postimet në rrjetet sociale, kryeministri Rama ndan pamje nga pika turistike por dhe ato të bregdetit, duke i promovuar kështu jo vetëm për vendasit, por dhe për të gjithë ndërkombëtarët.
Këtë herë, kryeministri ka zgjedhur të ndajë pamje nga plazhi i Spillesë. Krahas videos, kreu i qeverisë e cilëson këtë plazh si një tjetër perlë të bregdetit shqiptar.
Vetëm dy ditë më parë, Rama ndau pamje nga qendra e Pogradecit, duke u fokusuar me pamje nga lulishtja kryesore.
Shqipëria e ka çelur sezonin turistik, e ky sezon ka pritshmëri të larta nga ana e qeverisë. -

Si u pasurua ish-presidenti rus nga lufta
Fondacionet e lidhura me ish-presidentin e Rusisë, Dmitry Medvedev, kanë grumbulluar rreth 850 milionë dollarë që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia më shumë se tri vjet më parë, ka zbuluar njësia hulumtuese ruse e Radios Evropa e Lirë, Systema.
Rritja e pasurisë së fondacioneve përkon me rilindjen e figurës së Medvedevit gjatë kohës së luftës, të cilin presidenti Vladimir Putin e kishte shkarkuar nga posti i kryeministrit në vitin 2020.
Megjithatë, ai ka gjetur një audiencë prej miliona ndjekësish në rolin e ri si “sulmues online”, ndërkohë që mban ende rol në Qeveri si zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Putinit dhe kryetar i partisë mbizotëruese, Rusia e Bashkuar.
Medvedev, dikur figurë e butë dhe e moderuar, është shndërruar në përkrahës të zjarrtë të luftës, dhe mban qëndrime të ashpra dhe plot urrejtje ndaj Kievit dhe Perëndimit në rrjetet sociale. Në përgjithësi, 15 fondacione të lidhura me Medvedevin morën rreth 28 miliardë rubla, apo 424 milionë dollarë, mes viteve 2015 dhe 2021, viti i fundit para fillimit të pushtimit të plotë rus në shkurt 2022, sipas dokumenteve financiare të vlerësuara nga Systema.
Nga viti 2022 deri në vitin 2024, kjo shumë u rrit në më shumë se 130 miliardë rubla, apo 1.39 miliardë dollarë. Më shumë se gjysmën e këtyre parave u morën vetëm gjatë vitit të kaluar. Fondacionet kishin gjithsej 23.5 miliardë rubla, apo 316 milionë dollarë, në llogaritë e tyre në fund të vitit 2021 dhe 86.4 miliardë rubla, apo 850 milionë dollarë, në fund të vitit 2024, tregojnë të dhënat.
Fondet janë shpërndarë për qëllime të ndryshme, përfshirë për forcat ruse që luftojnë në Ukrainë dhe projekte të pasurive të paluajtshme – të cilat duket se kanë lidhje me Medvedevin – nga Shën Petersburgu deri në bregun e Detit të Zi, zbuloi Systema.
Fondacionet nuk i identifikojnë publikisht donatorët e tyre dhe vetëm dy nga 14 që ekzistojnë ende aktualisht kanë faqe interneti. Njëra prej tyre, Nasha Pravda (E Vërteta Jonë), thotë se ka shpenzuar 2.4 miliardë rubla gjatë dy vjetëve të fundit për të mbështetur “operacionin special ushtarak”, termi i detyruar nga Putini për luftën kundër Ukrainës, me shpenzime për mijëra dronë, syze nate, gjeneratorë, pajisje mjekësore dhe furnizime të tjera.
Bashkëpunimi me Rusinë e Bashkuar
Nasha Pravda u krijua me iniciativën e Medvedevit, sipas kreut të komitetit ekzekutiv qendror të Rusisë së Bashkuar, Aleksei Sidyakin. Fondacioni ka bashkëpunuar me partinë – në shkurt 2025, për shembull, dhuruan bashkërisht pajisje me vlerë më shumë se 14 milionë rubla (177.000 dollarë) për një njësi ushtarake ruse, sipas faqes së fondacionit.
Djali 29-vjeçar i Medvedevit, Ilya, i cili iu bashkua partisë në shtator 2022, mori pjesë në ceremoni dhe u prezantua si drejtor projekti në të njëjtin komitet partiak. Shumë nga fondacionet nuk japin hollësi për mënyrën se si i shpenzojnë fondet.
Por, dëshmitë tregojnë se disa janë përdorur për të mbështetur drejtpërdrejt ose tërthorazi projekte të pasurive të paluajtshme që kanë lidhje me Medvedevin – një temë me interes të madh publik që nga raporti i Fondacionit Anti-Korrupsion (FBK) të ndaluar tashmë, i udhëhequr nga Aleksi Navalny, që zbuloi një rrjet pronash luksoze, jahtesh, vreshtash dhe pasurish të tjera që i atribuoheshin kryeministrit të atëhershëm.
“Ky regjim do të pendohet seriozisht për atë që ka bërë”, tha politikani i opozitës ruse, Aleksei Navalny, në vitin 2019.
Raporti i FBK-së përmendte prona të mundshme të Medvedevit në qytetin Plios në lumin Volga, në rajonin Kursk, në Rubliovka (një lagje luksoze në periferi të Moskës), në Soçi, një prodhues verërash të quajtur Skalisty Bereg, dhe disa jahte. Systema zbuloi se shumica e këtyre pronave janë ende të lidhura me fondacione që kanë lidhje me Medvedevin.
Në mars, Nasha Pravda bashkëpunoi me Skalisty Bereg, që ka vreshta pranë resortit bregdetar Anapës, për të ndihmuar në pastrimin pas një derdhjeje të madhe vaji në dhjetor. Skalisty Bereg kontrollohet nga fondacione të lidhura me Medvedevin dhe Ilya Medvedev është në bordin drejtues të saj.
Në dhjetor 2022, një firmë e quajtur FKK – në pronësi të një fondacioni të lidhur me Medvedevin – bleu një kompani menaxhimi, Makna, që administronte një resort të rrënuar të quajtur Shingary, vetëm 7 minuta larg detit.
Shkatërrimi i resortit nisi pak muaj më pas, dhe FKK bleu disa parcela aty pranë dhe mori tokë me qira nga Makna, duke sugjeruar një zhvillim të ri, edhe pse nuk është e qartë se çfarë do të ndërtohet.
Afër qytetit të tij të lindjes, Shën Petersburg, një fondacion i quajtur Nevsky bleu një vilë dykatëshe në periferi të qytetit në vitin 2023 – dhe në 2024 shtoi një shtepizë në Pavlovsk, ku Medvedev kalonte verat si fëmijë dhe që e vizitoi si president në vitin 2009.
Medvedev nuk iu përgjigj kërkesave të Systemas për koment, ashtu si edhe fondacionet Nasha Pravda dhe Nevsky. Skalisty Bereg nuk u përgjigj gjithashtu, ndërsa shefi ekzekutiv i FKK-së e mbylli telefonin sapo dëgjoi që e telefononte një gazetar dhe nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara me mesazh.
Ndezja e një lufte
Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës, transformimi i figurës publike të Medvedev ka qenë i thellë. Si president nga 2008 deri në 2012, në periudhën ndërmjet dy mandateve të Putinit, ai shfaqte veten si një liberal relativ, reformator dhe mbështetës i lirive më të mëdha.
Rusët që kishin shpresa për ndryshim u ndien të tradhtuar kur Putini u rikthye si president në vitin 2012, duke e zhvendosur Medvedevin në vendin e dytë, si kryeministër. Nën një shtypje gjithnjë e më të ashpër të opozitës, Rusia pushtoi Krimenë dhe mori kontrollin e pjesëve të Ukrainës Lindore në vitin 2014, duke ndezur një luftë që çoi në pushtimin e plotë tetë vjet më vonë.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov (majtas), i cili kryesoi delegacionin ukrainas, i shoqëruar nga zëvendësministri i Jashtëm, Serhiy Kyslytsya (i dyti majtas) dhe anëtari i delegacionit, Oleksandr Bevz (djathtas) në një konferencë për shtyp në Stamboll, më 2 qershor.
I cilësuar nga shumë si i dobët dhe i parëndësishëm pasi u largua nga posti i kryeministrit në janar 2020, vlerësimi i besueshmërisë publike të Medvedevit ishte nën 23 për qind në fund të vitit 2021, krahasuar me 65 për qind për Putinin, sipas sondazhit të VTsIOM-it të financuar nga shteti.
Në rezultatet e VTsIOM-it më 1 qershor, vlerësimi i besimit ndaj Medvedevit ishte dyfishuar në 45.7 për qind, më i larti pas Putinit dhe kryeministrit Mikhail Mishustin. Kanali i tij në Telegram, që e nisi disa javë pas fillimit të pushtimit të plotë, u bë më i ndjekuri në Rusi deri në fund të vitit 2022, me postime që tani marrin mesatarisht mbi 1.8 milionë shikime.
Postimet e Medvedevit në rrjetet sociale janë shpesh të mbushura me gjuhë të ashpër e fyese ndaj qeverive perëndimore, paralajmërime të rënda për Kievin dhe kërcënime të fshehura për sulme bërthamore. Në vitin 2023, ai doli me idenë për ta bombarduar Bundestagun në Berlin.
Javën e kaluar, ai shkroi në Telegram se qëllimi i Rusisë në bisedimet e para të drejtpërdrejta për paqe me Ukrainën pas tri vjetësh nuk ishte paqja, por “sigurimi i një fitoreje të shpejtë dhe shkatërrimi i plotë i Qeverisë në Kiev”.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania dhe vende të tjera kanë vendosur sanksione ndaj Dmitry dhe Ilya Medvedevit në lidhje me luftën e Rusisë kundër Ukrainës. REL -

Konferenca e OKB-së: Si të mbrohen Oqeanet?
Në Nicën franceze po zhvillohet Konferenca e tretë e Oqeaneve e OKB-së. Ndryshimi i klimës, plastika, mbipeshkimi – detrat janë në stres. A mundemi ne t’i mbrojmë sa duhet ato?
Për të mbrojtur oqeanet, në Nicë të Francës është mbledhur bashkësia ndërkombëtare në Konferencën e OKB-së për Oqeanet (09.06 – 13.06.2025). Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të mbrojë më mirë oqeanet. Në hapje të Konferencës së tretë të Oqeanit të OKB-së në Nicë, Guterres tha se krerët e shteteve dhe qeverive duhet të nënshkruajnë një traktat që do t’u lejonte vendeve të krijonin zona detare të mbrojtura në ujërat ndërkombëtare. Peshkimi i paligjshëm, ndotja nga plastika dhe rritja e temperaturave të detit kërcënojnë ekosistemet e brishta dhe njerëzit që varen prej tyre. Rezervat e peshkut po shemben, nivelet e detit po rriten dhe oqeanet po bëhen më acidikë.
Hapësirat e detrave dhe oqeanet janë habitati i mbi 250.000 llojeve – nga planktoni mikroskopik deri tek shkëmbinjtë gjigantë koralorë dhe balena blu, kafsha më e madhe e planetit. Për më shumë se një miliardë njerëz deti është burimi më i rëndësishëm i ushqimit. Cilat janë problemet më të rëndësishme të oqeaneve?
Detrat e ngrohtë nënkuptojnë më pak qenie të gjalla
Pjesë të mëdha të jetës nënujore janë të rrezikuara, sepse Toka po ngrohet. Me rritjen e vazhdueshme të temperaturës koralet shpërbëhen dhe vdesin. Ndërkohë janë të prekura rreth 84% e të gjithë shkëmbinjve koralorë në mbarë botën. Nëse detrat krahasuar me periudhën paraindustriale do të ngroheshin me 1,5 gradë, shumica e koraleve do të asgjësoheshin. “Ngrohja me 2 gradë Celsius do të nënkuptonte shkatërrimin e pakthyeshëm”, thotë Katja Matthes, e cila drejton Qendrën Studimore GEOMAR në Kiel. Meqënëse uji i ngrohtë mund të absorbojë më pak oksigjen, shumë qenie të gjalla janë në rrezik.
Rezultatet e studimeve të reja tregojnë, se ndërkohë deti po ngrohet deri në një thellësi prej 2.000 metrash. “Si pasojë po pakësohet oksigjeni për planktonin, peshqit dhe gjitarët e detit. Ne vërejmë zona të vdekura në Detin Baltik në Gjermani ku praktikisht nuk mund të ketë më jetë.”
Mbipeshkimi i krijon stres sistemit të detrave
Ekosistemi marin kërcënohet edhe prej peshkimit të pakontrolluar. Shoqata e mjedisit WWF llogarit, që 50 vitet e fundit është trefishuar numri i llojeve të prekura nga peshkimi i pakontrolluar. Nëse peshkohet shumë, rezervatet nuk mund të ripërtërihen mjaftueshëm. Kryesisht në Mesdhe problemi është i dukshëm. Në këtë rajon pothuajse gjysma e llojeve janë prekur nga mbipeshkimi. Sardelja është ndër llojet që bien më shpesh në rrejtat e peshkimit. “Si rrjedhojë trazohet zinxhiri i ushqimit për gjitarët e detit dhe i gjithë ekosistemi”, analizon Matthes. Kjo prek edhe bazën e ekzistencës sonë. Peshqit janë burimi më i rëndësishëm i proteinave për miliarda njerëz. Në mbarë botën rreth 600 milionë njerëz, kryesisht në Kinë, Indonezi dhe Indi, janë të varur ekonomikisht prej detit.
Deri më 2050 më shumë plastikë se sa peshq në oqean
Sipas përllogaritjeve më 2050 pesha e të gjithë peshqve do të tejkalohet nga diçka tjetër. Çdo vit në detra shtohen mbetje plastike me 8 deri në 10 milion ton, vlerëson World Resources Institute. Mund të duhen deri në qindra vjet derisa këto mbetje të shpërbëhen. Mbeturinat jetëgjatë të plastikës dhe grimcat e po e cënojnë gjithnjë e më shumë jetën e qenieve të gjalla në det.
Temperatura e detit influencon edhe motin
Temperatura e detit ka efekt edhe ndaj motit dhe temperaturës në atmosferë. Periudha e musonit në Amerikën e Jugut dhe në Azi ose moti relativisht i butë në Europë influencohet nga rrymat globale detare.
Rryma e Golfstrimit si pjesë e riqarkullimit Atlantik sjell ujin e ngrohtë nga Tropiku në Oqeanin atlantiko-verior. Kjo influencon temperaturat zakonisht të buta të ajrit e kësisoj edhe rendimentin e lartë bujqësor në Europë.
Rritja e temperaturave, sipas studiuesve, mund ta ndryshojnë sistemin e qarkullimit të oqeaneve. Ka shenja, që qysh tani rryma e Golfstrimit po ngadalësohet. Pa të në Europën veriore do të ishte pesë deri në 15 grad më ftohtë, përllogarit Enti Federal i Mjedisit në Gjermani.
Më 2023 dhe 2024 temperatura e sipërfaqes së detit ka shënuar rekorde të reja, sipas raportit të fundit Copernicus-Report. Sa më i ngrohtë uji, aq më shumë bymehet. Kjo është arsyeja përse niveli i detit po rritet vazhdimisht.
Deti ngrohet, sepse përthith dioksidkarboni dhe gazra të tjerë që emetohen – gati një të tretën e emisioneve të shkaktuara nga njeru. Prej kësaj stabilizohet klima. “Pa këtë funksion absorbimi temperatura në atmosferë do të ishte qysh tani e padurueshme”, shpjegon Carlos Duarte. Ai studion në Universitetin Mbreti Abdullah në Arabinë Saudite për temën e detit.
“Oqeani është aleati ynë në luftën kundër ndryshimit të klimës”, shpjegon Matthes, “por kjo do të jetë kështu deri sa të ruhet funksioni i tij.” Sepse me rritjen e temperaturës së ujit mund të përthithet gjithnjë e më pak dioksid-karboni.
Pamje e botës nënujore me larmi ngjyrash – brezi koralor i Malediveve në Oqeanin IndianPamje e botës nënujore me larmi ngjyrash – brezi koralor i Malediveve në Oqeanin Indian
Si mbrohen aktualisht detrat?
Për t’i bërë ballë rrezikut, shtetet janë duke krijuar të ashtuquajturat zona të mbrojtura detare. Pjesa më e madhe e këtyre zonave ndodhet në brigjet e shtetit federal të SHBA-së, Havai.
Këto zona të mbrojtura realizohen në forma të ndryshme në vende të ndryshme. Shpesh nuk lejohet të krijohen parqe eolike në det ose të peshkohet. Aktualisht ka më pak se nëntë për qind zona të mbrojtura në det në mbarë botën – por vetëm në tre për qind të tyre ndalohet peshkimi.
Më pak plastikë në det
“Ne nuk mund t’i zgjidhim të gjitha problemet me zonat e mbrojtura detare. Ndryshimi i klimës apo plastika në det, nuk kanë të bëjnë me këto zona”, thotë eksperti Duarte. Për të shmangur ndotjen nga plastika, OKB-ja prej vitesh do të vendosë një marrëveshje ndërkombëtare. Bisedimet për këtë, dështuan së fundi prej rezistencës së vendeve të mëdha të naftës si Arabia Saudite dhe Rusia. Në gusht 2025 diskutimet do të vazhdojnë në Zvicër. DW -

Gabimet gjatë pandemisë/ Bundestagu gjerman do formojë një komision hetimor
Dy vjet pasi u hoq gjendja e jashtëzakonshme e vendosur për shkak të pandemisë së koronavirusit, Bundestagu ka njoftuar se do të formojë një komision hetimor. Pritet të nxirren mësime nga kjo kohë.
Përballimi i pandemisë së virusit koronaështë një “kantier ndërtimi i hapur”, tha Bärbel Bass, pak para përfundimit të mandatit të saj si presidente eBundestagut. Politikania socialdemokrate (SPD) është emëruar ndërkohë ministre e Punës në qeverinë e re gjermane të udhëhequr nga politikani kristiandemokrat (CDU) Friedrich Merz.
Në faqen 112 të Marrëveshjes së koalicionit midis kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve, ka një fjali që Bärbel Bass mund ta pëlqejë: “Ne do ta shqyrtojmë pandeminë e koronavirusit në mënyrë gjithëpërfshirëse brenda kornizës së një komisioni hetimor, në veçanti për të nxjerrë mësime për ngjarjet e ardhshme pandemike.”
Dy qëllimet e komisionit hetimor
Gjatë qeverisë së mëparshme të SPD-së, të Gjelbërve dhe liberalëve (FDP), nuk mund të arrihej asnjë marrëveshje për këtë. Partia e Majtë në opozitë paraqiti një propozim në tetor 2024 për të krijuar një komision hetimor të Bundestagut, në të cilin formuloi dy qëllime:
“Së pari, besimi i humbur duhet të rifitohet përmes një shqyrtimi serioz. Së dyti, duhet të ofrohen njohuri dhe rekomandime për veprime që do të na ndihmojnë të dalim me një përgjigje më proaktive, më të mençur dhe më efektive ndaj kësaj pandemie, por edhe në rast se një situatë e tillë pandemie ndodh përsëri.”
Një virolog në Bundestagun gjerman
Kjo përpjekje e dytë aktuale për të formuar një komision hetimor synon të kompensojë atë që u humb. Ende nuk dihet se kur mund të fillojë të funksionojë, por ekspertët janë tashmë gati. Midis tyre është Hendrik Streck, një nga virologët kryesorë të Gjermanisë që u bë i famshëm gjatë pandemisë. Në zgjedhjet e Bundestagut në shkurt të këtij viti, ai fitoi një mandat të drejtpërdrejtë në Bon në listën e CDU-së.
Streck është 47 vjeç, anëtar i Komitetit të Shëndetësisë të parlamentit gjerman. Qeveria federale e ka emëruar atë edhe si përgjegjës për çështjet e varësisë dhe drogës. Ai e sheh koronavirusin dhe pasojat e tij nga perspektiva të ndryshme: shkencore, mjekësore dhe politike.
Ai beson se një hetim mbi pandeminë është “absolutisht i nevojshëm”. Ishte “kriza më e madhe që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha Streck në një intervistë me Deutsche Welle.
Ai shpreson që si anëtar i Bundestagut të jetë në gjendje të gjejë përgjigje për pyetje që, sipas tij, nuk janë hetuar mjaftueshëm deri më tani. Për shembull: si funksionojnë këshillat shkencore të qeverisë në një krizë si ajo e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit?
“Është një fushë tensioni midis shkencës, politikës dhe publikut”, vlerëson virologu bazuar në përvojën e tij.
“E përjetova pandeminë gjatë punës në dhomën e urgjencës”
Deputetja e majtë e opozitës, Stella Merendino, e cila është gjithashtu anëtare e Komitetit të Shëndetësisë të Bundestagut, pajtohet se nuk mund të nxirren mësime për të ardhmen pa një komision hetimor. Politikania është infermiere me profesion dhe i tha DW: “E përjetova pandeminë duke punuar në dhomën e urgjencës. Pashë njerëz të vdisnin por nuk i lejonim më të shihnin të dashurit e tyre.”
Merendino kritikon faktin se shumë njerëz mbetën vetëm gjatëpandemisë: me shqetësimet e tyre ekonomike, kujdesin ndaj fëmijëve, vetminë ose punën e tepërt. “Kjo ka nxitur zemërimin dhe mosbesimin që vazhdon edhe sot”, thotë ajo. Megjithatë, ajo beson se është e mundur të shërohen këto plagë të hapura: “Nuk kemi pse t’i bindim të gjithë, por duhet t’i dëgjojmë ata që janë të hapur për këtë. Dhe si politikanë, duhet të kemi guximin të pranojmë gabimet”.
Mbi të gjitha, Merendino pret më shumë mbështetje nga shteti dhe shoqëria për njerëzit që ende vuajnë nga pasojat e koronës. “Unë njoh infermierë që nuk mund të punojnë më për shkak të kovidit të zgjatur. Shumë prej tyre po luftojnë për njohje, për siguri financiare. Dhe kjo në një sistem shëndetësor që është tashmë i mbingarkuar.”
Zvogëlimi i përçarjeve në shoqëri
Deputeti Hendrik Streck gjithashtu beson se mungon një vështrim më i thellë i pasojave emocionale të pandemisë. Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier të paktën është përpjekur ta bëjë këtë. Gjatë dhe pas pandemisë, ai u takua me të prekurit nga të gjitha sferat e jetës për të folur me ta.
Streck mendon se duhet bërë më shumë, për shembull duke formuar një këshill qytetarësh të kryesuar nga presidenti Steinmeier. “Diçka e tillë do të ishte e dobishme”, thotë ai.
Shembuj nga vende të tjera gjithashtu mund të ndihmojnë në procesin e përballjes me të kaluarën pandemike, thotë Streck. “Si shkencëtar, është e rëndësishme për mua të shoh rezultate të ndryshme”. Për shembull, ai i ka lexuar raportet nga Anglia me shumë kujdes. “Ndoshta ndryshonte nga vendi në vend mënyra se si funksiononin masa të caktuara”, thotë me kujdes virologu nga Boni.
“Më shumë të dhëna dhe më shumë analiza do të na ndihmojnë të marrim një pamje më të saktë”, përfundon Henrik Streck. Ai është i bindur se kjo do të ndihmonte gjithashtu në zbutjen e përçarjeve në shoqëri. DW -

Komisioni Evropian planifikon sanksione kundër Rusisë
BE po përgatit paketën e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë. Presidentja e KE von der Leyen propozon uljen drastike të çmimit të naftës bruto ruse. Sanksionet e BE-së do të godasin sektorin rus të energjisë dhe bankave.
Komisioni Evropian ka paraqitur propozimin e tij për paketën e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë. Masat e reja ndëshkuese synojnë kryesisht të ardhurat ruse nga burimet e energjisë dhe industria e armëve, njoftoi Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen. Presioni mbi Rusinë do të rritet, deklaroi Von der Leyen në Bruksel. Forca është e vetmja gjuhë që Moska e kupton.
BE, vendet e G7-ës dhe Australia ranë dakord në dhjetor 2022 për një çmim tavan për naftën ruse për të ulur të ardhurat e Moskës nga eksportet e energjisë. Me këtë ulje të re të çmimit, Komisioni synon t’i përgjigjet kushteve në ndryshim të tregut, deklaroi Von der Leyen.
Që nga futja e këtij limiti, çmimi global i naftës së papërpunuar është afruar gradualisht te 60 dollarë, madje ka rënë shkurtimisht nën këtë nivel. Presidentja e Komisionit shpjegoi se ulja do të diskutohet në samitin e G7 javën e ardhshme në Alberta, Kanada. Ajo shprehu “besim të madh se do ta arrijmë këtë qëllim”. Tavani i çmimit të naftës pritet të ulet nga 60 dollarë në 45 dollarë për fuçi.
Propozimi përfshin gjithashtu 77 anije të tjera të flotës fantazmë ruse dhe kompani tregtare nafte. Përveç kësaj, 22 banka të tjera ruse do të shtohen në listën e sanksioneve. Veprime më të forta kundër të ashtuquajturës flotë fantazmë ruse për transportimin e naftës. Anije rurse kalojnë ngushticën e Bosforit pranë Stambollit. Von der Leyeni përmendi masa të tjera, të tilla si ndalime të reja eksporti për makineri, metale, plastikë dhe kimikate, si dhe mallra dhe teknologji me përdorim të dyfishtë “që mund të përdoren për të prodhuar drona, raketa dhe sisteme të tjera armësh”.
Në paketën e tyre të fundit të sanksioneve, të miratuar disa javë më parë, shtetet anëtare të BE ndërmorën veprime më të forta kundër të ashtuquajturës flotë fantazmë ruse të dedikuar për transportimin e naftës dhe produkteve të naftës. Përveç kësaj, dhjetëra kompani të përfshira në anashkalimin e sanksioneve ekzistuese ose mbështetjen e industrisë ruse të armëve u përfshinë në listë.
Merz dënon sulmet e fundit
Në ditët e fundit, ka pasur një valë sulmesh kundër qyteteveukrainase, së fundi të martën. Sipas autoriteteve, të paktën dy persona u vranë në qytetin portual jugor të Ukrainës, Odesë. Katër persona u plagosën gjithashtu në sulmet në kryeqytetin Kiev.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski deklaroi të enjten se ky ishte një nga sulmet më të mëdha kundër Kievit deri sot. Përveç Odesës, u prekën edhe rajonet e Dnipro dhe Chernihiv.
Kancelari Federal Friedrich Merz (CDU) akuzoi Rusinë për “krimet më të rënda të luftës” përballë sulmeve të fundit ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase.
Rusia ka sulmuar “në mënyrë të synuar dhe të pamëshirshme” popullsinë civile të Ukrainës në ditët e fundit me dronë të shumtë dhe raketa, tha Merzi në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin holandez Dick Schoof. Sulmet masive të Rusisë përbëjnë “terror kundër popullsisë civile” dhe “çdo gjë tjetër përveç një përgjigjeje proporcionale” ndaj sulmeve “shumë të përcaktuara” të Ukrainës kundër aeroporteve ushtarake ruse, shtoi kancelari. DW -

“Luftove me sëmundjen më të rëndë të shekullit”, e bija i jep lamtumirën e fundit regjisorit Leka Bungo: Faleminderit që ishe babai im
Sot, regjisorin e mirënjohur shqiptar Leka Bungo e ka ndarë nga jeta pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë. Lajmin e trishtë e ka ndarë vajza e tij, Alba Bungo, përmes një postimi prekës në rrjetet sociale.
Në mesazhin e saj të ndjerë, Alba shpreh dhimbjen e madhe për humbjen e të atit, duke e cilësuar këtë moment si më të rëndin e jetës së saj.
“Luftove me sëmundjen më të rëndë të shekullit dhe humbe! U prehsh në paqe dhe faleminderit që ishe babai im,” shkruan ajo, duke i dhënë një mirupafshim të përjetshëm figurës së dashur atërore.Leka Bungo do të kujtohet si një nga emrat më të rëndësishëm të regjisurës dhe kulturës shqiptare.
Postimi i plotë i Alba Bungos:
Sot me duhet te bej gjene me te rende te jetes time. Te te them ty mirupafshim perjetesisht. E kujt? Atij qe desha me shume ne dynja, atij qe me mesoi cdo gje, atij qe me falte cdo gje, atij qe i besoja cdo gje. I shtrenjti im qe jetove aq bukur me aq dinjitet, kot nuk te therrisja mbret.
Luftove me semundjen me te rende te shekullit dhe humbe! U prehsh ne paqe dhe faleminderit qe ishe babai im. Krenare gjithmone pafundesisht per ty, mirenjohese perulesisht per cdo gje qe me mesove dhe dhurove. Ishe dhe do jesh dashuria me e madhe ne dynja.
Njerezit e medhenj jetojne ashtu sic jetove ti! E deshe dhe e respektove jeten ashtu sic vetem ti dije. Lamtumire deri sa te takohemi sic vetem ne te dy dinim. Ah sa te dua i vogli im! U prehsh ne paqe bashke me engjëjt, engjëlli im!/vizionplus.tv