Day: June 11, 2025

  • Ndarja nga jeta e Bungos, Rama zemërthyer: Lamtumirë miku im, prehu në paqe!

    Ndarja nga jeta e Bungos, Rama zemërthyer: Lamtumirë miku im, prehu në paqe!

    Pas lajmit per vdekjen e regjisorit te njohur, ka ardhur edhe reagimi nga kryeministri Edi Rama.
    “Lamtumirë miku im Leka Bungo” – shkruan Rama në instagram.
    Leka Bungo ka qenë një nga emrat më të rëndësishëm të skenës në Shqipëri si regjisor, skenarist dhe aktor, duke i lënë vendit një trashëgimi të larmishme artistike në fushën e humorit dhe të skenës shqiptare.
    Leka Bungo ka kryer shkollën e lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu” dhe më pas një kurs njëvjeçar për regji në Institutin e Lartë të Arteve. Punoi për një kohë si regjisor në teatrin “Bylis” të Fierit.
    Në fund të viteve ’80 u emërua regjisor në Estradën e Shtetit, në të cilën vuri në skenë disa shfaqje, ku u prekën probleme të mprehta sociale të kohës dhe ku satira përbënte elementin më të theksuar.

  • Shisnin drogë në formë çokollate, arrestohen tre persona në Shëngjin

    Shisnin drogë në formë çokollate, arrestohen tre persona në Shëngjin

    Tre persona janë arrestuar pasi janë kapur duke shitur doza kanabisi në forma çokollate.
    Në pranga ranë shtetasit kosovarë Altin Gashi, 21 vjeç, Ermal Tahiri, 28 vjeç, të dy banues në Kosovë, dhe shtetasi francez Salim Bouyaiche, 43 vjeç, banues në Francë.
    Po ashtu u shpall në kërkim shtetasi kosovar Ardian Gashi, 30 vjeç, banues në Kosovë.
    Njoftimi:
    Finalizohet operacioni policor i koduar “Kamuflimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza.
    Identifikohen 4 shtetas që shitnin doza të lëndëve të ndryshme narkotike, në zonat e frekuentuara nga pushuesit, në Shëngjin.
    Kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 3 prej tyre, punohet për kapjen e tjetrit.
    Sekuestrohen doza kokaine dhe kanabisi, kanabis në trajtë çokollate, MDMA, ekstazi, kërpudha haluçinogjene, 1 automjet dhe 3 celularë që dyshohet se përdoreshin për këtë veprimtari kriminale.
    Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i hetimeve intensive të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, organizuan dhe finalizuan në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, operacionin policor të koduar “Kamuflimi”. Si rezultat i operacionit:
    – u arrestuan në flagrancë shtetasit kosovarë A. G., 21 vjeç, E. T., 28 vjeç, të dy banues në Kosovë, dhe shtetasi francez S. B., 43 vjeç, banues në Francë;
    -u shpall në kërkim shtetasi kosovar A. G., 30 vjeç, banues në Kosovë.
    Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shitnin doza të lëndëve të ndryshme narkotike në zonat turistike të Shëngjinit.
    Gjatë kontrollit fizik, 3 shtetasve të arrestuar iu gjetën doza të lëndëve narkotike.
    Nga këqyrja e celularëve të sekuestruar, u gjetën komunikime të këtyre shtetasve për organizimin e kësaj veprimtarie kriminale.
    Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim

  • “Sylvinho po mëson zanatin”, ish-kapiteni i Kombëtares: Trajneri po gabon në momente të rëndësishme

    “Sylvinho po mëson zanatin”, ish-kapiteni i Kombëtares: Trajneri po gabon në momente të rëndësishme

    Ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata, në një lidhje direkte me studion e “Ditarit” me Loneta Prognin, komentoi barazimin 1-1 të Shqipërisë në transfertë me Letoninë.
    “Në letër, Shqipëria është ekip shumë më i fortë, por Letonia ka një trajner të shkollës italiane dhe taktikisht është shumë e organizuar. Sot shumë gjëra nuk shkuan siç duhet dhe energjia e ekipit mungonte. Nëse pretendon të shkosh në Botëror, duhet t’i fitosh ndeshje me ekipe si Letonia. Mendoj se jemi ende kombëtare e vogël, nuk jemi gati për të shkuar në Botëror”, deklaroi Rudi Vata.
    Më tej, Vata kritikoi Sylvinhon: “Mendoj se si futbollist ai ka arritur nivelet më të larta të profesionalizmit, por të jesh trajner është diçka krejt tjetër. Sylvinho ka gabuar sigurisht, është trajner i ri që po mëson zanatin. Eksperiencën po e merr me Shqipërinë. Po gabon në momente të rëndësishme, por ai është trajneri i Shqipërisë në fund të fundit. Duhet të marrë përgjegjësitë. Nëse në Europian në dërgoi Sylvinho, përgjegjësi ka që nuk po na dërgon në Botëror. Por, unë mendoj se problemi i futbollit shqiptar nuk është trajneri, por mentaliteti. Futbollistët i kemi, por duhet të dish t’i menaxhosh futbollistët. Ne nuk kemi staf mjaftueshëm. Nuk mjafton vetëm trajneri i Kombëtares dhe stafi i tij. Kemi mangësi profesionistësh”.

  • Pulisic: Dua të kujtohem nga tifozët e Milan si dikush që dha 100% sa herë që luante me këtë fanellë

    Pulisic: Dua të kujtohem nga tifozët e Milan si dikush që dha 100% sa herë që luante me këtë fanellë

    Christian Pulisic ka dhënë një intervistë të gjatë në YouTube dhe ndër temat e diskutuara ishte sezoni i sapo përfunduar me Milan. “Edhe këtë sezon përjetuam momente të mëdha, si fitorja e Superkupës por edhe momente shumë të vështira”, tha amerikani.
    Më tej, mesfushori kuqezi tha: “Mendoj se është e rëndësishme të bëni një pushim nga futbolli dhe të siguroheni që të keni ende një jetë personale dhe të mbani kokën drejt. Vetëm atëherë ju duhet të vazhdoni të jepni më të mirën tuaj çdo ditë në fushë”.
    “Gjithmonë do të ketë ulje-ngritje në karrierën time, si në karrierën e të gjithëve. Jo çdo gjë do të jetë perfekte. Kështu që, duhet të qëndroni të qetë, të mos emocionoheni kurrë dhe të mos uleni shumë“, tha Pulisic, që për marrëdhënien me tifozët tha: “Është e vështirë për tifozët që t’i njohin vërtet lojtarët”.
    “Askush nuk do ta njohë vërtet karakterin tim jashtë fushës. Ju e dini, qëllimi im është që ata të shohin se çfarë jap në fushë dhe si luaj me zemër sa herë që dal në fushë dhe jap gjithçka dhe luftoj për ngjyrat e Milan”, tha Pulisic.
    “Shpresoj që njerëzit ta kuptojnë këtë sepse ky klub më ka dhënë gjithçka dhe unë jam jashtëzakonisht mirënjohës për këtë. Unë thjesht dua të kujtohem si dikush që dha 100% sa herë që dilte në fushë”, deklaroi Christian Pulisic.

  • Përplasje mes Messit dhe James: The se na ndihmuan në finale, ti i jep shumë gojës…

    Përplasje mes Messit dhe James: The se na ndihmuan në finale, ti i jep shumë gojës…

    Argjentina nuk arriti të shkonte më shumë se barazimi ndaj Kolumbisë (1-1) në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 16-të të eliminatoreve të Botërorit 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Në një sfidë shumë të ekuilibruar, Luis Díaz kaloi Kolumbinë në avantazh në pjesën e parë, por Almada barazoi rezultatin në minutat e fundit.
    Edhe pse “Albiceleste” ishte kualifikuar tashmë për Kupën e Botës, ndeshja ishte plot tension. Kulmi u arrit me përplasjen verbale mes Leo Messit dhe James Rodríguez, pas disa deklaratave të kolumbianit disa javë më parë.
    Ish-mesfushori i Real Madridit rikujtoi finalen e humbur ndaj Argjentinës në “Copa América”, duke thënë: “Për shkak të gjërave të jashtme nuk mundëm të shpalleshim kampionë, arbitri ndikoi shumë dhe nuk na dha një ose dy penallti”.
    Messi e shfrytëzoi këtë përballje ndaj Kolumbisë për t’ia kthyer deklaratat. “Pleshti” iu afrua James-it gjatë lojës, e shikoi drejt në sy dhe i tha: “The që na ndihmuan në finale. Ti llap (i jep gojës) shumë”.
    Pas ndeshjes, James u pyet për këtë episod dhe u përgjigj shkurt: “Ajo që ndodh në fushë, mbetet në fushë”. Çështje e mbyllur, të ecim përpara.
    Nga ana sportive, Messi u rikthye titullar me Argjentinën dhe tregoi sërish shkëlqimin e tij. Megjithatë, pas daljes me karton të kuq të Enzo Fernández, trajneri Scaloni vendosi ta zëvendësonte yllin e Inter Miami, kur Argjentina ishte ende në disavantazh.

    🔥🗣 “VOS DIJISTE QUE NOS HABÍAN AYUDADO EN LA FINAL, HABLÁS MUCHO”
    El tenso cruce entre Lionel Messi y James Rodríguez. #EliminatoriasEnTyCSports pic.twitter.com/QGexwSrQm6
    — TyC Sports (@TyCSports) June 11, 2025

     

  • Guardiola, shumë i ashpër për konfliktin në Gaza: Radhën do ta kenë fëmijët tanë, kam frikë…

    Guardiola, shumë i ashpër për konfliktin në Gaza: Radhën do ta kenë fëmijët tanë, kam frikë…

    Pep Guardiola mbajti një fjalim shumë të komentuar, me ngarkesë të fortë politike, gjatë ceremonisë ku u shpall “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Mançesterit. Ky vlerësim iu dha si “njohje e kontributit të jashtëzakonshëm që ka dhënë për qytetin gjatë 9 viteve, brenda dhe jashtë fushës”.
    Trajneri spanjoll foli në “Whitw worth Hall” mbi konfliktin izraelito-palestinez, duke thënë se “është e dhimbshme ajo që po shohim në Gaza. Më dhemb i gjithë trupi. Të jemi të qartë, nuk bëhet fjalë për ideologji. Nuk është se unë kam të drejtë dhe ti jo. Jooooo. Thjesht bëhet fjalë për të dashur jetën. Për t’u kujdesur për tjetrin”, – theksoi trajneri i Manchester City.
    Guardiola shtoi: “Ndoshta mendojmë se mund të shohim fëmijë 4 apo 5-vjeçarë që vriten nga një bombë, ose në një spital që tashmë nuk është më spital, dhe të mendojmë se nuk është puna jonë.
    Po, në rregull. Mund të mendojmë kështu, nuk është puna jonë…, por bëni kujdes. Herët a vonë do të na prekë edhe neve. Fëmijët e ardhshëm 4-5 vjeçarë do të jenë tanët. Kam shumë dhimbje kur çdo mëngjes shoh fëmijët e mi Maria, Marius dhe Valentina që kur nisi ky makth në Gaza. Dhe jam shumë i frikësuar… Ndoshta kjo pamje ju duket e largët nga jeta që kemi këtu. Ndoshta pyesni veten: çfarë mund të bëjmë?”
    Guardiola përdori një fabul për të shprehur ndjenjat e tij rreth luftës në Rripin e Gazës: “Më vjen në mendje një histori. Një pyll është përfshirë nga flakët. Të gjitha kafshët janë të tmerruara, të pafuqishme. Një zog i vogël fluturon nga pylli deri në det e kthehet përsëri, duke mbajtur një pikë ujë në sqepin e tij të vogël. Një gjarpër e sheh dhe i thotë: Përse, o vëlla? Kurrë nuk do ta shuash zjarrin. Zogu i vogël i përgjigjet: E di që nuk do ta shuaj. Atëherë pse e bën pa pushim? – e pyet sërish gjarpri. Dhe zogu përgjigjet: Thjesht po bëj pjesën time. Ai e dinte që nuk do ta shuante zjarrin, por refuzoi të rrinte pa bërë asgjë.
    Në një botë që na thotë shpesh se jemi shumë të vegjël për të bërë diferencën, kjo histori më kujton se fuqia e njërit nuk ka të bëjë me madhësinë, por me zgjedhjen. Kjo ka të bëjë me faktin që të paraqitesh, të mos pranosh të heshtësh ose të rrish duarkryq kur ka më shumë rëndësi”.
    Në fjalën e tij, Guardiola gjithashtu theksoi: “Katalonja është shtëpia ime, por Manchesteri do të mbetet gjithmonë diçka unike për pjesën tjetër të jetës sime. Kam jetuar momentet më të bukura të jetës sime këtu. Madje po filloj ta dua shiun, ditët dhe netët e errëta. Tashmë janë pjesë e qenies sime, do të thoja”.

  • “Botërori i ri për Klube iu imponohet ligave kombëtare, rrezikon kalendarin e La Liga-s”

    “Botërori i ri për Klube iu imponohet ligave kombëtare, rrezikon kalendarin e La Liga-s”

    Fjalët e Javier Tebas, presidentit të La Liga-s, tingëllojnë si një goditje e rëndë në skenën ndërkombëtare të futbollit. I ftuar në eventin “Ku po shkon futbolli?”, organizuar në Bruksel nga eurodeputetja e Lëvizjes Pesë Yjet, Carolina Morace, Tebas nuk kurseu kritikat e ashpra ndaj Kupës së re të Botës për Klube, duke e quajtur imponim të papranueshëm, që rrezikon të përmbysë kalendarin e garave kombëtare.
    “Kjo Kupë e Botës për Klube është imponuar mbi ligat kombëtare, diçka që ne nuk e pranojmë aspak, – deklaroi ashpër Tebas. – Rrezikojmë të detyrohemi ta ndryshojmë kalendarin e kampionatit dhe kjo ndodh kur gjërat bëhen pa asnjë koordinim me garat kombëtare”.
    Numri një i La Liga-s u shfaq i palëkundur në refuzimin e çdo ndryshimi të mundshëm në kalendarin e kampionatit spanjoll për t’u përshtatur me turneun e ri të FIFA-s. “Duhet ta vlerësojmë dhe ta studiojmë mirë situatën.
    Nuk është e pranueshme që të jemi gjithmonë ne, ata që duhet t’i ndryshojmë kalendarët tanë për të tjerët. FIFA pret që të gjitha ligat të përshtaten pa asnjë konsultim, – theksoi ai me forcë, duke dhënë një shembull konkret për pasojat e mundshme: – Një derbi i Madridit në javën e parë të kampionatit është i pamundur”.
    Çështja është shumë delikate dhe po krijon përplasje të fortë mes ligave kombëtare e FIFA-s. Në mes të këtij ngërçi të ndërlikuar për kalendarin, Shoqata e Futbollistëve Spanjollë (AFE) raportohet se është në bisedime me dy nga figurat kryesore të futbollit madrilen; Dani Carvajal të Real Madridit dhe Koke të Atletico Madridit.
    Qëllimi është të shqyrtohet mundësia e shtyrjes së nisjes së sezonit të tyre nëse ekipet përkatëse arrijnë deri në çerekfinalet e Kupës së Botës për Klube. Në një skenar të tillë, debutimi në La Liga për lojtarët e përfshirë mund të spostohet deri më 24 gusht.

  • Të pathënat për shpellën në Kishën e Laçit! Çfarë u gjet brenda saj dhe pse u zhduk nga komunistët?

    Të pathënat për shpellën në Kishën e Laçit! Çfarë u gjet brenda saj dhe pse u zhduk nga komunistët?

    Mistere, legjenda, gojëdhëna dhe shumë mrekulli të treguara nga njerëzit dhe besimtarët që e kanë vizituar Kishën e Laçit.
    Por në vitin 1967-të kohë kur sistemi komunist i shpalli luftë besimeve dhe kulteve fetare, edhe ky vend i shenjtë u shkatërrua, megjithatë shenjtorët aty arritën të bëjnë sërish mrekulli.
    Prifti françeskan, Landi Jaku, në një intervistë për Quo Vadis të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, ka treguar se kur komunistët mësynë drejt Kishës së Laçit zhdukën një altar të vjetër, ku mendohet se vetë Shën Vlashi ka predikuar.
    Megjithatë pas shumë shkatërrimeve edhe rrënojave ata nuk mundën të shkatërronin plotësisht Kishën, ku sot ka gjurmë të cilat fshehin mistere dhe legjenda me mrekulli.
    Pjesë nga biseda:
    Jaku: Shpella është monument natyror. Kjo është vend lutjesh shumë herë më i hershëm se Kisha sipër. Sepse pikërisht në këtë shpellë pasi kështu mendohet dhe është legjenda që këtu është strehuar Shën Vlashi. Këto ditë po lexoja një libër që ka shkruar për këtë vend të shenjtë Padër Mren Prela. Ai thotë që deri vonë ka patur një altar jo shumë të madh dhe thotë që është shumë e mundshme që vetë Shën Vlashi ka predikuar në këtë altar që ishte shumë i vjetër, që regjimi komunist e ka shkatërruar komplet. Ka shaktërruar çdo gjë, nuk mundën të shkatërrojnë malin dhe shpellën. Një gjë nuk mundi ta prishë, është një gropë e futur në guvë.
    Borakaj: Aty vënë njerëzit kokën?
    Jaku: Po se thonë që Shën Vlashi kur ka hyrë në guvë dhe kur është ngritur në këmbë, guri është spostuar. Kjo është një legjendë.
    Borakaj: Shoh gjithmonë që fusin lekë, vënë duart nëpër hapësira që janë bosh, lënë rroba, fotografi?
    Jaku: Në të vërtetë ajo që duhet të bëjnë besimtarët janë lutjet mbi të gjitha. Lutja dhe besimi fitojnë hiret e Zotit. Njerëzit në përgjithësi shkojnë në kërkim të zgjidhjeve, por më shumë se lutja dhe besimi nuk i zgjidh asgjë. Ne ju themi besimtarëve që mos lënë rroba këtu. Mund t’i lësh pak e t’i marrësh sërish. Monedhat punëtorët tonë i marrin dhe i lënë te arka.

  • Lamine Yamal lojtari më i vlefshëm në botë, ja vlera marramendëse

    Lamine Yamal lojtari më i vlefshëm në botë, ja vlera marramendëse

    Sezoni i suksesshëm i FC Barcelonës është reflektuar në rritjen e ndjeshme të vlerës së lojtarëve të saj. Lamine Yamal, Cubarsí, Raphinha dhe Ferran Torres janë disa prej futbollistëve që kanë bërë hapa të mëdhenj përpara këtë sezon.
    Krahasuar me sezonin e kaluar, vlera e tyre në treg është rritur ndjeshëm, sipas përditësimit të fundit të Transfermarkt për çmimet e lojtarëve të La Ligës.
    Lamine Yamal ka arritur të bëhet lojtari më i shtrenjtë në botë, me një vlerë prej 200 milionë eurosh, duke lënë pas emra si Vinicius dhe Mbappé. Yamal ka shënuar një rritje prej 20 milionë eurosh.
    Pedri gjithashtu ka parë një rritje të vlerës së tij me 20 milionë euro, duke u pozicionuar në listën e shtatë lojtarëve më të vlefshëm në botë me një vlerë prej 140 milionë eurosh.
    Raphinha vlerësohet tani me 90 milionë euro, pas një rritjeje prej 10 milionë eurosh. Cubarsí është vlerësuar me 80 milionë euro, ndërsa Jules Koundé me 65 milionë euro.
    Vlerat e tregut të disa prej lojtarëve të FC Barcelonës janë si më poshtë:
    Portierët:

    Marc Ter Stegen: 12 milionë € (-3 milionë €)
    Iñaki Peña: 8 milionë € (-2 milionë €)
    Wojciech Szczesny: 1 milion €

    Mbrojtësit:

    Pau Cubarsí: 80 milionë € (+10 milionë €)
    Jules Koundé: 65 milionë € (+5 milionë €)
    Alejandro: 5 milionë € (-15 milionë €)
    Eric Garcia: 18 milionë € (+3 milionë €)
    Andreas Christensen: 12 milionë € (-3 milionë €)
    Gerard Martin: 12 milionë € (+4.5 milionë €)
    Héctor Fort: 10 milionë €
    Iñigo Martínez: 5 milionë €

    Mesfushorët:

    Pedri: 140 milionë € (+20 milionë €)
    Dani Olmo: 60 milionë €
    Gavi: 60 milionë € (-10 milionë €)
    Fermín López: 50 milionë €
    Frenkie de Jong: 45 milionë €
    Marc Casado: 30 milionë €
    Pablo Torre: 6 milionë € (-1.5 milionë €)

    Sulmuesit:

    Lamine Yamal: 200 milionë € (+20 milionë €)
    Raphinha: 90 milionë € (+10 milionë €)
    Ferran Torres: 40 milionë € (+12 milionë €)
    Robert Lewandowski: 12 milionë € (-3 milionë €)
    Ansu Fati: 5 milionë €
    Pau Víctor: 4 milionë € (-1 milion €)

    Ferran Torres është një tjetër që ka rikuperuar ndjeshëm vlerën e tij, me një rritje prej 12 milionë eurosh, ndërsa Eric Garcia ka fituar 3 milionë euro në vlerësim. Gerard Martin gjithashtu ka parë rritje me 4.5 milionë euro.
    Nga ana tjetër, disa lojtarë kanë pësuar rënie në vlerën e tyre si pasojë e moshës ose humbjes së rëndësisë në ekip. Gavi ka humbur 10 milionë euro, Araujo ka rënë nga 50 në 35 milionë euro, ndërsa Ter Stegen, Christensen dhe Lewandowski kanë humbur nga 3 milionë euro secili.
    Vlerësimet tregojnë se FC Barcelona po përfiton ndjeshëm nga rritja e vlerës së talenteve të saj të rinj, të cilët po bëhen gjithnjë e më të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare.

  • Kërkuan 2 orë pushim të premteve për punonjësit myslimanë, PS rrëzon kërkesën e PD

    Kërkuan 2 orë pushim të premteve për punonjësit myslimanë, PS rrëzon kërkesën e PD

    Mazhoranca ka kundërshtuar nismën e deputetit demokrat Lefter Gështenja, e cila synonte që ditën e premte besimtarët myslimanë të kenë 2 orë pushim për faljen e namazit.
    Gështenja kishte propozuar gjithashtu që punëdhënësi i cili kishte më shumë se 50 punonjës të besimit mysliman, do të duhet të ndërtonte ambient të posaçëm për faljen e tyre,.
    Pra sipas Gështenjës, çdo besimtar duhet të kishte të drejtën që të merrte 2 orë pushim çdo të premte, me qëllim që të kishte mundësi që të falte namazin në Xhaminë më të afërt me vendin e punës.
    “Punëdhënsi ne kushtet kur ka me shumë se 50 punëtorë te besimit mysliman, do duhet te ndertoje  dhe garantoje ambient te posaçëm per faljen e tyre. Punëdhënësi do dihet te garantoje dhe respektoje oraret e faljes së të punësuarve duke sipas njoftimeve paraprake te tyre.
    Gjithashtu çdo i punësuar ka të drejtë të marr pushim 2 orë çdo të premte me qellim që të ketë mundësi të fal namazin në xhaminë më te afërt me vendin e punës”, thuhej në nismën e deputetit Gështenja.