Day: June 11, 2025

  • Zjarr në garazhin e një pallat në Durrës, flakët përhapen me shpejtësi! Evakuohen banorët

    Zjarr në garazhin e një pallat në Durrës, flakët përhapen me shpejtësi! Evakuohen banorët

    Garazhi i një pallati në Durrës është përfshirë nga flakët natën e së mërkurës.

    Zjarri ka rënë në zonën e Spitallës, te ish-zdrukthëtaria. Flakët janë përhapur me shpejtësi, duke shkaktuar panik mes banoreve të zonës, raporton korrespondentja e Top Channel Vali Qyrfyçi.
    Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë mundur ta vënë nën kontroll zjarrin, duke mos lejuar përhapjen e mëtejshme të tij.
    Banorët e pallatit janë evakuuar dhe vendosur perimetri i sigurisë ndërsa forca të shumta zjarrfikëse kanë ndërhyrë në objekt për të vënë zjarrin nën kontroll. Zija Zeqiri, pronar i garazhit kur ra zjarri shprehet se prej 3 muajsh nuk e përdorte atë dhe e ka të vështirë të kuptojë çfarë e shkaktoi zjarrin.

    Top Channel

  • ‘Rreziku i temperaturave rekord’/ Britania përballet me dimër ekstrem deri në -30°C nëse dobësohet rrjedha oqeanike e Atlantikut

    ‘Rreziku i temperaturave rekord’/ Britania përballet me dimër ekstrem deri në -30°C nëse dobësohet rrjedha oqeanike e Atlantikut

    Temperaturat në Mbretërinë e Bashkuar mund të bien deri në -30°C nëse rrjedha oqeanike tropikale që furnizon me ujë të ngrohtë hemisferën veriore dobësohet ose ndalet.

    Për vite me radhë, shkencëtarët kanë paralajmëruar për pasojat e mundshme të ngrohjes globale, duke përfshirë thatësirat dhe përmbytjet katastrofike.

    Megjithatë, një skenar i ri ka një ngjashmëri të fortë me filmin ‘The Day After Tomorrow’, ku pjesë të Britanisë mund të përjetojnë temperatura të ngjashme me ato në Kanadanë veriore.

    Sipas një raporti të Daily Mail, studiuesit kanë analizuar ndikimin në klimën evropiane në rast se Qarkullimi Meridional i Përmbysjes së Atlantikut (AMOC) dobësohet, në kombinim me një ngrohje globale prej 2°C.

    Rezultatet tregojnë se temperaturat në Skoci mund të bien deri në -30°C, duke qenë se në Edinburg temperaturat minimale kalojnë nën 0°C për pothuajse gjysmën e vitit. Londra gjithashtu do të përballet me temperatura ekstreme të ulëta, deri në -19°C, dhe do të ketë mbi dy muaj më shumë ditë me temperatura nën zero krahasuar me fundin e shekullit të 19-të.

    Gjithashtu, studiuesit paralajmërojnë për një zgjerim të akullit detar që mund të mbulojë pjesë të Ishujve Britanikë, si dhe për shtim të stuhive dimërore. Syri.net-iefimerida

  • SPAK e konfirmon: Një ministër i qeverisë Rama është zyrtarisht nën hetim!

    SPAK e konfirmon: Një ministër i qeverisë Rama është zyrtarisht nën hetim!

    Një ministër i qeverisë Rama është zyrtarisht nën hetim. Deklarimi vjen zyrtarisht nga Prokuroria e Posaçme, në regjistrin e Transparencës, ku për muajin Prill, SPAK thotë se “një ministër është nën hetim”.

    Pyetja dërguar SPAK ishte sesa ministra të qeverisë janë aktualisht nën hetim. Kjo është hera e parë që SPAK njofton më herët sesa faza e caktimit të masës së sigurimit se një ministër është nën hetim. Në çdo rast tjetër, personat e thirrur nga SPAK kanë njoftuar se janë thirrur si persona në dijeni.

    Ndërkohë, Prokuroria nuk ka dhënë detaje të tjera për procedimin në fjalë, apo emrin e ministrit/es që po hetohet. Mbetet për tu parë si do të vijohet me këtë çështje, por duket se edhe vera do të jetë e nxehtë./Dosja.al/

  • Përveç kalciumit dhe vitaminës D, qumështi ndihmon edhe zorrët, ja si shpjegohet

    Përveç kalciumit dhe vitaminës D, qumështi ndihmon edhe zorrët, ja si shpjegohet

    Qumështi, i njohur gjerësisht për përmbajtjen e tij të kalciumit dhe vitaminës D, duket se ofron edhe një përfitim më pak të njohur: përmirësimin e shëndetit të zorrëve.

    Një studim i publikuar së fundmi në faqen shkencore MDPI, i udhëhequr nga Dr. Li Jiao nga Kolegji i Mjekësisë Baylor, tregon se konsumi i rregullt i qumështit lidhet me një rritje të baktereve të dobishme në zorrë, duke përfshirë Faecalibacterium dhe Akkermansia, të njohura për efektet anti-inflamatore dhe ndikimin pozitiv në kontrollin e peshës dhe sheqerit në gjak.

    Sipas autorëve, qumështi ndihmon në diversifikimin e mikrobiomës, komunitetit të mikroorganizmave që luajnë rol kyç në tretje, imunitet dhe mirëqenie të përgjithshme.

    Në të kundërt, produktet e tjera të qumështit, si djathi, shoqërohen me rënie të disa mikrobeve të dobishme, ndonëse u vërejt një rritje e mundshme e Bifidobacterium, një grup probiotikësh të njohur.

    Megjithëse kosi shpesh reklamohet si burim probiotikësh, studimi nuk gjeti lidhje domethënëse mes konsumit të tij dhe përmirësimeve në mikrobiomë.

    Shkencëtarët theksojnë se kjo mund të jetë për shkak të konsumit të ulët të kosit nga pjesëmarrësit, ndaj nevojiten kërkime më të zgjeruara në këtë drejtim.

    Ekspertët sqarojnë se përmbajtja më e lartë e laktozës në qumësht, krahasuar me djathin,  mund të ndihmojë në ushqimin e baktereve të mira në zorrë. Nga ana tjetër, vetitë e fermentuara të djathit ndikojnë ndryshe në ekuilibrin mikrobik.

    Studimi përfshinte vetëm 34 persona, kryesisht burra të moshuar, dhe përdori pyetësorë ushqimorë, çka lë vend për pasaktësi. Megjithatë, gjetjet janë premtuese.

    “Qumështi mund të ndikojë në shëndetin e trupit përmes ndryshimeve në mikrobiomën e zorrës së trashë,” thekson Dr. Jiao. Ai njoftoi se ekipi i tij po planifikon studime më të mëdha për të kuptuar më mirë rolin e produkteve të qumështit dhe ndërveprimin e tyre me lëndët ushqyese dhe mikrobet në sistemin tretës. Syri.net-iefimerida

  • Gaza/ Të paktën 60 palestinezë kanë humbur jetën për shkak të sulmeve të ushtrisë izraelite

    Gaza/ Të paktën 60 palestinezë kanë humbur jetën për shkak të sulmeve të ushtrisë izraelite

    Të paktën 60 palestinezë u vranë sot nga të shtënat dhe sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës.

    Shumica e viktimave ndodhën pranë një qendre shpërndarjeje të ndihmës humanitare, e drejtuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), i mbështetur nga SHBA-të dhe Izraeli, në pjesën qendrore të enklavës palestineze, njoftuan zyrtarët lokalë të shëndetësisë.

    Zyrtarët në spitalet Shifa dhe Al-Quds raportuan se të paktën 25 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën ndërsa po i afroheshin qendrës së shpërndarjes së ushqimit pranë ish-vendbanimit Netzarim në orët e para të mëngjesit.

    Nga ana e saj, ushtria izraelite pretendoi se forcat e saj qëlluan me të shtëna paralajmëruese ndaj disa personave të dyshuar, të cilët nuk iu bindën urdhrave.

    Disa orë më vonë, zyrtarët shëndetësorë në Spitalin Nasser në Khan Younis, në pjesën jugore të Gazës, raportuan se të paktën 14 persona u vranë nga zjarri izraelit pranë një qendre tjetër shpërndarjeje të GHF-së në Rafah.

    Nga ana e saj, GHF deklaroi se nuk kishte dijeni për incidentet e sotme, duke theksuar se po bashkëpunon me autoritetet izraelite për të siguruar që kalimet kufitare të mbeten të sigurta. Fondacioni u bëri thirrje palestinezëve që të ndjekin me kujdes udhëzimet e dhëna. Syri.net-iefimerida

  • Greqi/ Shqiptari bëhet hero, zhytet në lumë dhe shpëton dy fëmijë që po mbyteshin

    Greqi/ Shqiptari bëhet hero, zhytet në lumë dhe shpëton dy fëmijë që po mbyteshin

    Një emigrant shqiptar në Greqi është bërë hero, pasi ka shpëtuar nga mbytja dy adoleshentë, që kishin hyrë për tu larë në lumin Arachthos.

    Dy djemtë e mitur, 14 dhe 15 vjeç, u nxorën nga lumi Arachthos mesditën e së mërkurës nga Ledian Goga, i cili nuk e mendoi dy herë që të zhytej për t’i shpëtuar. Ata tashmë po trajtohen të intubuar, ndërsa Lediani nga qyteti i Dimalit, ka përshkruar në lot atë se çfarë ndodhi.

    “Njëri është në të njëjtën moshë me vajzën time. Ata erdhën dhe thanë ndihmë. Po pija kafe, dëgjova ‘ndihmë’ dhe hipa në makinë. Ata thanë ‘ndihmë, dy fëmijë po mbyten’ dhe unë erdha. Hyra brenda, nxora njërin dhe pastaj më thanë se kishte një tjetër. Shkova ta gjeja, u zhyta dhe nuk e gjeta. Pastaj kërceva nga varka, ishte shumë e thellë, pesë ose gjashtë metra. E pashë fëmijën të shtrirë, e kapa dhe me forcë më duhej ta nxirrja që të merrte frymë”, tha Lediani për median lokale Arttv.

    Teksa shprehet se ‘shpreson që fëmijët të jetojnë’, Lediani vetë një baba, shtoi se nuk hezitoi për asnjë moment të vraponte për të ndihmuar.

    “Ne të gjithë bëmë një përpjekje së bashku. Asgjë tjetër. Mendoj vetëm për fëmijët. Dhe tani fëmijët e mi po qajnë, duhet të shkoj në shtëpi. Për Zotin, fëmijët janë… Unë jam i huaj, bëra mirë, nuk më intereson çfarë kombësie janë. Shpresoj që fëmijët të jetojnë, të gjithë bëmë një përpjekje së bashku. Zoti na ndihmoftë, qoftë me ta për t’i ndihmuar të zgjohen dhe të jetojnë jetën e tyre”, shtoi ai.

    Nga ana e tij, Zëvendëskryetari i Bashkisë për Mbrojtjen Civile, Varilis Giorgos, deklaroi: “Kemi katër të rinj që po notonin në lumë, dy prej të cilëve hasën probleme. Qytetarët i shpëtuan ata para se të mbërrinte Zjarrfikësja dhe u dërguan në spital në gjendje të rëndë. Lumi është gjithmonë i rrezikshëm dhe kërkon kujdes.”

    Dy djemtë u transportuan në Spitalin e Përgjithshëm Universitar të Patrës. Sipas informacioneve, skanimet treguan edemë të gjerë cerebrale dhe ujë në mushkëri, ndërsa për njërin prej tyre u konstatua edhe një frakturë në qafë.

    Sipas informacioneve, ata qëndruan nën ujë për të paktën 20 minuta, dhe CPR u krye për të paktën 30 minuta. Mungesa e oksigjenit për gjithë këtë kohë është një faktor jashtëzakonisht rëndues për shëndetin e tyre. Sidoqoftë, mjekët do të monitorojnë vazhdimisht gjendjen e tyre për 48 orët e ardhshme, gjë që do të jetë vendimtare për prognozën e shëndetit të tyre.

  • Zaptuan plazhin publik të Çentralit në Sarandë – gjobë dhe sekuestrim të çadrave të 2 “subjekteve”

    Zaptuan plazhin publik të Çentralit në Sarandë – gjobë dhe sekuestrim të çadrave të 2 “subjekteve”

    Zaptuan plazhin publik të Çentralit në Sarandë – gjobë dhe sekuestrim të çadrave të 2  “subjekteve”
    Policia Bashkiake e Sarandës ka ndërmarrë një aksion monitorimi në plazhet publike, gjatë të cilit ka konstatuar dy subjekte private që kishin zaptuar hapësirën publike në mënyrë të paligjshme në “Plazhin e Centralit”.
     

     
    Këto subjekte kishin vendosur çadra pa leje, duke uzurpuar një pjesë të plazhit që u përket qytetarëve dhe pushuesve. Për shkeljen e konstatuar, ndaj tyre është vendosur një gjobë administrative me vlerë mbi 200 mijë lekë të vjetra 📑 dhe janë sekuestruar të gjitha çadrat e vendosura pa autorizim.
     
    Policia Bashkiake Sarandë u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të denoncojnë çdo parregullsi apo abuzim në plazhe dhe në hapësirat publike të qytetit, në numrin e telefonit 068 68 999 90.
     
     

  • EMRI- 65-vjeçari gjendet i vrarë në fshatin Xibër-Murrizë

    EMRI- 65-vjeçari gjendet i vrarë në fshatin Xibër-Murrizë

    FOTO ILUSTRUESE

    KLOS-Një person i pajetë është gjetur në fshatin Xibër-Murrizë të Klosit. Viktima është Selim Velsula, i cili është gjetur i vrarë buzë rrugës në Xibër, pranë banesës së tij. Nga të dhënat e para mësohet se ai është qëlluar disa herë me thikë në gjoks. Gjithashtu ka plagë në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit. Viktimës i është gjetur pranë një thikë. Policia po punon për zbardhjen e detajeve.
    Njoftimi i policisë:
    Mbrëmjen e sotme, në fshatin Xibër, pranë pronës së tij, është gjetur pa shenja jete shtetasi S.V., rreth 65 vjeç. Nga këqyrja paraprake, janë konstatuar dëmtime në trup, të shkaktuara dyshohet nga mjet prerës. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punohet për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje./ZËRI

  • Një hap për të drejtat e emigrantëve/ Shqipëria dhe Serbia nisin njohjen e pensioneve

    Një hap për të drejtat e emigrantëve/ Shqipëria dhe Serbia nisin njohjen e pensioneve

    Këshilli i Ministrave ka miratuar në parim marrëveshjen për sigurimet shoqërore mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Serbisë, duke hapur rrugën për njohjen reciproke të kontributeve të qytetarëve që kanë punuar në të dy vendet.
    Vendimi u mor në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

    Marrëveshja ka për qëllim garantimin e të drejtave të sigurimeve shoqërore për shtetasit shqiptarë dhe serbë, duke siguruar transferimin dhe njohjen e periudhave të sigurimit, përfitimeve të pensionit dhe përfitimeve të tjera të lidhura me sigurimet.
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe përbën një hap konkret drejt përmirësimit të mbrojtjes sociale të qytetarëve që jetojnë apo kanë jetuar dhe punuar në të dy vendet.
     

  • Pagat në ndërtim dhe turizëm po rriten më shumë, por niveli i tyre mbetet poshtë mesatares

    Pagat në ndërtim dhe turizëm po rriten më shumë, por niveli i tyre mbetet poshtë mesatares

    Tregu i punës në Shqipëri po përjeton dinamizëm të lartë si i takon pagave dhe kërkesës për punonjës në sektorë si ndërtimi dhe tregtia dhe turizmi.Edhe ketë vit ndër sektorët me ritmin më të lartë të rritjes së pagës janë ndërtimi, tregtia, hotelet dhe restorantet. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2024, paga në ndërtim nga 58.706 lekë në 3-mujorin e parë 2024 arriti në 68.221 lekë, me rritje prej 16.2% , më e larta ndër të gjitha aktivitetet. Po ashtu, sektori i tregtisë dhe akomodimit ka shënuar një rritje me 15.3%, duke u ngjitur nga 58.506 lekë në janar-mars 2024 në 67.485 lekë.Kjo rritje vjen në një kohë kur të dy sektorët kanë një kërkesë gjithnjë e më të lartë për fuqi punëtore, të nxitur nga zgjerimi i sektorit të ndërtimit dhe rritja e aktivitetit turistik në vend. Megjithatë, pavarësisht kërkesës në rritje, pagat në këto sektorë mbeten nën mesataren kombëtare, duke reflektuar një mospërputhje mes nevojave të tregut dhe shpërblimit financiar për punonjësit. Në tremujorin e parë të vitit 2025 paga mesatare në ndërtim ishte 17 % më e ulët se mesatarja. Ndërsa pagat në bizneset e tregtisë, hoteleve dhe restoranteve ishin 18 % më të ulëta se mesatarja kombëtare.Të dhënat e fundit të INSTAT për tremujorin e parë të vitit 2025 tregojnë se paga mesatare mujore bruto në Shqipëri ka arritur në 82.210 lekë, duke u rritur me 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 (73.641 lekë). Kjo rritje është pjesë e një tendence në të gjitha sektorët ekonomikë, megjithatë, pabarazitë midis tyre mbeten të mëdha.Në krye të listës mbeten aktivitetet financiare dhe të sigurimit, me një pagë mesatare prej 142.435 lekë, ndjekur nga informacioni dhe komunikacioni 121.465 lekë, si dhe administrata publike dhe shërbimet sociale 98.505 lekë. Këto fusha jo vetëm që ofrojnë paga të larta, por gjithashtu kanë ruajtur një ritëm rritje rritjeje gjatë gjithë vitit 2024 dhe në fillim të vitit 2025 në 10-12%.Përtej rritjes së përgjithshme të pagave, të dhënat nxjerrin në pah një pabarazi të theksuar ndërmjet sektorëve. Bujqësia, për shembull, mbetet sektori me pagën më të ulët, vetëm 44.598 lekë në muaj, pavarësisht se një pjesë e madhe e popullsisë aktive ekonomike është ende e angazhuar në këtë fushë. Më tej sektorët e ndërtimit dhe industria kanë pagë më të ulët se mesatarja kombëtare.Rritja e pagave ishte e pranishme në të gjithë sektorët, duke reflektuar presionet nga mungesa e fuqisë punëtore në disa sektorë dhe konkurrencën e nga rritja e pagave në sektorin publik. / B.HoxhaBurimi: INSTATKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.