Për shumë pacientë me skizofreni, sëmundje të tjera mendore apo kronike si hipertensioni dhe astma, marrja e përditshme e barnave është sfiduese. Për ta lehtësuar këtë proces, studiuesit e MIT-it kanë zhvilluar një pilulë që merret vetëm një herë në javë dhe lëshon ilaçin gradualisht nga stomaku.
Në një provë klinike të Fazës III, zhvilluar nga kompania Lyndra Therapeutics, e lindur nga MIT, pilula u përdor për të shpërndarë risperidonën, një ilaç i zakonshëm për menaxhimin e skizofrenisë. Studiuesit zbuluan se ky trajtim mbante nivele të qëndrueshme të ilaçit në trup dhe ishte po aq efikas sa dozimi i përditshëm.
Rezultatet u publikuan në Lancet Psychiatry.
“Kemi shndërruar një trajtim ditor në një trajtim javor, duke përdorur një teknologji që mund të përshtatet për ilaçe të ndryshme,” tha prof. Giovanni Traverso i MIT-it. “Një sistem i tillë e bën më të lehtë sigurimin që pacientët marrin terapinë e tyre.”
Kapsula, sa një multivitaminë, pasi gëlltitet, hapet në formë ylli dhe qëndron në stomak për një javë, duke lëshuar ngadalë ilaçin. Pas një jave, “krahët” e kapsulës shkëputen dhe kalojnë nëpër traktin tretës.
Në provën klinike, kapsula përmbante risperidonë. Në përgjithësi, pacientët e marrin këtë ilaç çdo ditë ose përmes injeksioneve periodike, që jo gjithmonë janë të pranueshme për ta.
Qëllimi i studiuesve ishte të ofronin një alternativë më të përshtatshme për pacientët dhe kujdestarët e tyre. Skizofrenia shpesh e bën të vështirë kujtesën për marrjen e terapisë, ndaj një opsion oral javor shihet si përparim i madh.
Në studim u përfshinë 83 pacientë në pesë vende të SHBA-së, prej të cilëve 45 përfunduan trajtimin pesëjavor me një kapsulë në javë. Niveli i risperidonës në gjak qëndroi brenda intervaleve optimale gjatë gjithë kohës dhe pati më pak luhatje krahasuar me dozimin ditor.
Simptomat e pacientëve u vlerësuan me metodën PANSS dhe mbetën të qëndrueshme gjatë gjithë studimit. Efektet anësore ishin minimale, disa patën refluks të lehtë dhe kapsllëk, por kaluan shpejt.
Kjo përfaqëson një hap të madh drejt një qasjeje të re për shpërndarjen e barnave, tha Traverso. Studiuesit synojnë të kryejnë prova më të mëdha përpara se të kërkojnë miratimin nga FDA-ja, dhe po planifikojnë edhe prova për ilaçe të tjera, përfshirë kontraceptivët.
“Është emocionuese të shohim që kjo teknologji, e nisur në MIT, ka arritur në Fazën III të provave klinike,” tha bashkëthemeluesi i Lyndra Therapeutics, Robert Langer. / Medical Xpress – Syri.net