Day: June 11, 2025

  • Mbyti gruan në sy të fëmijëve, Lulzim Toci vetëvritet në burgun e San Marinos

    Fund tragjik edhe për shqiptarin Lulzim Toci, 30-vjeçarin e arrestuar prej vitit të kaluar dhe të izoluar në Burgun e San Marinos, për vrasjen e gruas së tij, në shtëpinë e tyre në San Felice a Cancello (Caserta).
    Ai i dha fund jetës së tij në burgun e Santa Maria Capua Vetere, teksa mbahej i izoluar në Njësinë Psikiatrike të burgut. Lajmi është publikuar sot nga mediat italiane (11 qershor).
    Lulzim Toci, 31 vjeç, ishte izoluar për mbytjen e gruas së tij Eleanor Toci, 24 vjeçe, krim në familje që ndodhi në sy të fëmijëve të mitur 6 dhe 4 vjeç, ngjarje e tetorit të vitit 2024.
    “Shqiptari ndodhej në njësinë psikiatrike të burgut të San Marinos. Vetëvrasja ndodhi sot, 11 qershor, pak pas orës 13:00. Ai vuante nga skizofrenia akute , ky është rezultati i ekzaminimit mjekësor në burg të urdhëruar nga gjyqtari hetues Pasquale D’Angelo i gjykatës së Santa Maria Capua Vetere”, raporton media për informacionet paraprake pas ngjarjes.
    Vrasja daton më 9 tetor 2024. Atë natë, i riu shqiptar ishte shfaqur në shtëpinë e vëllait të tij, i cili jeton aty pranë dhe kishte kërkuar të çohej në spital. Kunata, duke mos e parë Eleanorën me të, e kishte telefonuar. Djali 6-vjeçar i ishte përgjigjur video-thirrjes dhe kishte treguar trupin tezes së tij. Gruaja më pas kishte njoftuar policinë, e cila e kishte ndaluar 31-vjeçarin para shtëpisë.
    Versionet e vrasjes dhe dëshmia e çuditshme e Lulzim Tocit
    Gjatë seancës paraprake dëgjimore, Lulzim Toci rrëfeu se kishte vrarë gruan e tij, por nuk ishte në gjendje të jepte arsyet.
    Edhe më vonë, gjatë seancës dëgjimore për vërtetimin e fajit, ai u shfaq jashtëzakonisht i hutuar dhe dha versione të ndryshme. Së pari, ai foli për një grindje që kishte lindur sepse gruaja e tij e kishte penguar të dilte nga shtëpia në mes të natës.
    Pastaj, ai foli në mënyrë të ngatërruar ‘për një gjarpër’, një rrethanë që të bënte të mendoje se po kishte halucinacione. Për këtë shkak mbahej i izoluar në Psikiatrinë e Burgut të San Marinos.
    gijotina.com/

  • Ceremonia e veçantë / MEPJ nderon ish-diplomatin Ilir Shqina, u nda nga jeta pak ditë më parë

    Ceremonia e veçantë / MEPJ nderon ish-diplomatin Ilir Shqina, u nda nga jeta pak ditë më parë

    Holli i Ministrisë së Punëve të Jashtme ka pritur këtë të mërkurë në një ceremoni të veçantë një numër miqsh dhe bashkëpunëtorësh të diplomatit të ndjerë Ilir Shqina. I pranishëm ka qenë dhe vet ministri Igli Hasani dhe familjarët e Shqinës.
    “Sot në mjediset e MEPJ nderuam figurën e të ndjerit Ilir Shqina – diplomatit, akademikut, mikut të gjithësecilit dhe një kolegu të përkryer, i cili spikati në çdo moment për vlerat e larta njerëzore, profesionale dhe integritetin në shërbimin publik.
    I paharruar qoftë përherë kujtimi i Ilirit dhe shpirti i tij u prehtë në paqe. Ngushëllime të sinqerta familjarëve, të afërmve dhe dashamirësve të tij”, thuhet në njoftimin e shkurtër të Ministrisë së Jashtme, ndërsa publikohet dhe pamje nga ceremonia.
    Diplomati dhe ish-bashkëshorti i Grida Dumës, është ndarë papritur nga jeta katër ditë më parë, duke lënë pas një boshllëk të madh për të gjithë ata që e kanë njohur nga afër.
    Ilir Shqina ishte një figurë e njohur në diplomaci dhe më herët ka kontribuar edhe në fushën akademike si pedagog.

  • “Kujdesuni për macen”, letra e autorit të masakrës në Austri. Zbulohet videoja që i çoi të ëmës

    “Kujdesuni për macen”, letra e autorit të masakrës në Austri. Zbulohet videoja që i çoi të ëmës

    Detaje tronditëse dhe rrëqethëse janë bërë publike nga mediat austriake në lidhje me tragjedinë që ndodhi në një shkollë në Graz.
    Një 21-vjeçar, i identifikuar si Arthur A., qëlloi me armë në shkollën ku kishte mësuar duke vrarë nëntë nxënës dhe një mësues.
    Më pas në një banjo qëlloi veten duke e çuar numrin total të viktimave të kësaj masakre në 11.
    Sipas asaj që shkruajnë mediat, para se të kryente krimin e rëndë, i riu i kishte dërguar një video të ëmës në celular.
    Në të, ai kërkonte falje për “atë që do të bënte tani”. 21-vjeçari falenderonte të ëmën për kujdesin ndaj tij.

    Këtë video, e ëma e autorit e ka hapur 24 minuta pasi i ishte dërguar në celular. Në këtë kohë, ai e kishte kryer masakrën.
    Për më tepër, Arthur A., ka lënë një letër lamtumire. Kronen Zeitung shkruan se në të ai fajësonte shkollën dhe bullizimin ndaj tij për aktin.
    Ajo që e bën më rrëqethëse ngjarjen është fakti që 21-vjeçari teksa ka menduar të kryente një akt të tillë, ka shprehur shqetësimin për macen e tij dhe se për të duhej kujdesur sa më shumë të jetë e mundur pas masakrës.

    21-vjeçari Arthur A. jetonte vetëm me të ëmën në Kalsdorf pasi prindërit i ishin ndarë. Babai i tij është me origjinë armene.
    “Është e paimagjinueshme që një person i tillë të shkaktojë një masakër”, shkruan Kronen krah fotos së të riut.
    Austria ka deklaruar tre ditë zie kombëtare pas sulmit më vdekjeprurës pas Luftës së Dytë Botërore në vend.

  • Italia në hall, askush nuk do që të jetë pasuesi i Spalletti-t. Federata nis bisedimet me emrin e njohur

    Italia në hall, askush nuk do që të jetë pasuesi i Spalletti-t. Federata nis bisedimet me emrin e njohur

    11 Qershor 2025

    20:33

    Telesport

    Humbja 3-0 ndaj Norvegjisë në Oslo për kualifikueset për Kupën e Botës 2026, i kushtoi shtrenjtë Luciano Spalletti-t, pasi u shkarkua nga stoli i Italisë pikërisht për këtë arsye.
    Federata Italiane e Futbollit ka nisur bisedimet me disa emra të njohur për t’i besuar stolin, por deri tani askush nuk ka pranuar, ka pasur vetëm refuzime. Refuzimi i parë erdhi nga Claudio Ranieri. U përfol edhe për Stefano Pioli, por ish-trajneri i Milanit mesa duket do vazhdojë të drejtojë Al Nassr në Arabinë Saudite.
    Mediat italiane bëjnë me dije se Federata Italiane ka nisur bisedimet me Gennaro Gattuso-n, aktualisht trajner i Hajduk Split. Ish-mesfushori i Milanit është aktualisht kandidati numër 1 për të marrë stolin e “Axurrëve”.
    Gennaro Gattuso ka drejtuar disa ekipe në karrierën tij si trajner, por tek asnjë ekip nuk ka qëndruar më shumë se dy sezone dhe thuajse gjithmonë është shkarkuar për rezultate të dobta.

  • “Edhe sanitaret marrin 700 euro”, kryebashkiaku i Vlorës: Pagat janë optimale në turizëm

    “Edhe sanitaret marrin 700 euro”, kryebashkiaku i Vlorës: Pagat janë optimale në turizëm

    “Turistët e kanë pushtuar qytetin që në muajin prill”, kështu deklaroi për Klan News, kryebashkiaku i Vlorës Ermal Dredha.
    Duke qenë se ka fluks turistësh, patjetër që edhe mundësitë për punë janë të larta gjatë sezonit veror. Pikërisht për këtë, gazetari Besard Jacaj se a është e vërtetë që rrogat janë shumë të larta në sektorin e turizmit.
    “Sektori i turizmit, restorantet apo pjesa menaxheriale ka nevojë për profesionistë të kualifikuar, për t’ju bashkuar shërbimit. Kemi të rinj që janë edhe me studime dhe që punojnë gjatë sezonit, pagat janë goxha, janë optimale. Janë 1 mijë euro e lart, mund të ketë edhe më shumë, varet edhe nga vendi ku punon. Por janë rroga që konkurrojnë denjësisht, dhe janë më lart se sektori publik. Edhe sanitaret marrin 700 euro, imagjino të tjerët…”, u përgjigj Dredha.

  • Finalet U21 ‘Sllovaki 2025’/ Të dhëna të ndryshme funksionale, Spanja dhe Italia nga 5 herë fitues

    Euro U21 nisi sot më 11 qershor në Bratislavë (Sllovaki) dhe do të mbyllet me finalen e 28 qershorit me finalen e planifikuar po në Bratislavë. Të 16 ekipet janë shortuar në katër grupe me nga katër për turneun final, me dy vendet e para në secilin grup që shkojnë në çerekfinale. Do të ketë një format standard eliminator prej andej me kohë shtesë dhe penallti nëse është e nevojshme.

    Finalet e vitit 2025 do të jenë të tretat që nga zgjerimi në 16 ekipe, pas edicionit të vitit 2021 në Hungari dhe Slloveni, dhe turneut të vitit 2023 në Gjeorgji dhe Rumani.

    Sllovakia, vend pritëse, në finale do të bashkohet me 12 ekipet që kaluan fazën kualifikuese të grupeve që përfundoi më 15 tetor, dhe tre fitueset e play-off-eve më 15 dhe 19 nëntor.

    Sllovakia më parë priti finalet e vitit 2000 U21, të parat që përfshinin një fazë grupesh. Ishte gjithashtu vendi ku u zhvilluan EURO U17 2013, EURO U19 për femra 2016 dhe EURO U19 2022.

    Stadiumet ku zhvillohen ndeshjet e U21Stadiumi Kombëtar i Futbollit, Bratislavë (3 x ndeshje të Grupit A, gjysmëfinale, finale)Stadiumi Anton Malatinský, Trnava (3 x ndeshje të Grupit A, çerekfinale)DAC Arena, Dunajská Streda (3 x ndeshje të Grupit B, çerekfinale)Nitra Stadium, Nitra (3 x ndeshje të Grupit B)Sihoť Stadium, Trenčín (3 x ndeshje të Grupit C)Stadiumi MŠK Žilina, Žilina (3 x ndeshje të Grupit C, çerekfinale)Košice Football Arena, Košice (3 x ndeshje të Grupit D, gjysmëfinale)Tatran Arena, Prešov (3 x ndeshje të Grupit D, çerekfinale)/Sportiim.al/

    Fituesit/ Euro U21:

    Vazhdo leximin

  • E ndihmoi Rama më 11 Maj? Tabaku rrëzon teoritë brenda PD: Votat i kam bio!

    E ndihmoi Rama më 11 Maj? Tabaku rrëzon teoritë brenda PD: Votat i kam bio!

    Gjatë një interviste në Klan News, Jorida Tabaku, heshti të gjithë “teoritë konspirative” që thonë se në zgjedhjet e 11 majit e ndihmoi Edi Rama. Kujtojmë këtu akuzat që erdhën kryesisht nga Adriana Kalaja, se Tabakun e ndihmoi Rama dhe oligarkët.
    “Si domethënë? Në një garë ku ti ishe fituesja e vetme sepse mund të isha e vetmja nga lista e hapur, jo të gjithë janë të kënaqur”, tha ajo duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit Drini Zeqo.
    Tabaku tha se votat e saj janë bio dhe demokrate.
    “Ata janë 20 e pak mijë vota demokratësh, të cilët më kanë votuar mua, PD-në, se kanë shkuar në thesin e PD-së dhe janë vota bio. Janë vota aq të djathta, që i kanë shkuar PD-së”, tha Tabaku.
    “Këto teoritë konspirative ia lemë atyre që dinë t’i bëjnë”, përfundoi ajo në lidhje me këtë temë.
    Kujtojmë se nga zgjedhjet e 11 majit, Tabaku është kandidatja e vetme e PD-së në Tiranë që futet në Kuvend nga listat e hapura. Ajo mori 20 mijë e 586 vota.

  • Alesia Balliu ironizon Berishën: Doli fitimtar më 11 maj, qëllimi i tij kreu i PD dhe jo qeveria

    Alesia Balliu ironizon Berishën: Doli fitimtar më 11 maj, qëllimi i tij kreu i PD dhe jo qeveria

    Alesia Balliu vijon të ngrejë zërin mbi atë që po ndodh në PD. Partia e parë opozitare pësoi disfatë në zgjedhje dhe Balliu është ndër zërat e paktë që kërkon të mbahet përgjegjësi për atë rezultat.
    Balliu ishte këtë mbrëmje e ftuar në podkastin e “Pamfletit” në YouTube, ku ironizoi Berishën, duke thënë se ai doli i fituar në 11 maj.
    Sipas saj, ai nuk donte të bëhej kryeministër, por të rrite kryetar i opozitës. Po ashtu shton se këtë e tregoi dhe faktin që futi në listë të mbyllur vetëm besnikët.

    – Këta që nuk veprojnë si ty, janë të gjithë njësoj? Nuk janë me integritet që duan proces të ndershëm?

    Sali Berisha fitoi garën për të qenë numri 2, fitoi garën për të qenë kryetari i opozitës. Kjo ishte fitorja e tij. Kaq donte. Prandaj u bë lista. Po të vije re mediat kur doli lista, të gjithë analistët thoshin që ishte një listë humbësish. Një listë e besnikëve të Berishës. Nuk kishte asnjë ndryshim nga lista e Bashës. Të vetmit që mungonin ishin Basha dhe Shehaj.
    – Te listat e hapura nuk thuhet e njëjta gjë?

    Po kush nga ata hyri? Tabaku, për shembull, duhej të ishte te lista e mbyllur për shumë kontribute.

    – Pse e futi te lista e hapur?
    Sepse nuk ishte besnike e Berishës. E meritonte listën e mbyllur. Këta individë i shërbejnë vetëm interesit të Berishës. Ata janë për të ruajtur legjitimitetin e Berishës. Janë ata shkaktarët e humbjes së madhe. Po këta individë kritikojnë zërat si mua, zoti Sula…
    – Po a do sillni diçka konkrete?
    Ne jemi duke ndryshuar opinionin publik. Ne na përshëndesin shumë demokratë. Jo se ata nuk dëgjojnë. Të lumtur janë vetëm besnikët e Berishës. Vetëm ata fituan. Ata do marrin dieta, ata do marrin rrogën. Nëse është farsë, pse hyn e paguhesh me taksat e qytetarëve?

  • Ish-kandidati i PD në Tiranë: Berisha nuk na mbështeti për rinumërimin e votave

    Ish-kandidati i PD në Tiranë: Berisha nuk na mbështeti për rinumërimin e votave

    Lisandër Hoxha, kandidat për deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës në zgjedhjet e 11 majit, deklaroi se partia e tij nuk e mbështeti fillimisht kërkesën për rinumërim të votave.
    “Unë jam nga ata njerëz të lirë që mandatin dhe votat e mia ua kam borxh qytetarëve dhe askujt në parti. Duke qenë i lirë, kam të gjithë lirinë e mundshme për të shprehur mendimin tim siç e kam. I gjithë fokusi do duhej të ishte te masakra zgjedhore, e cila vërtet ka ndodhur, por unë nuk mund të përjashtoj edhe këtë. Në këtë kontekst, shyqyr që kemi disa kandidatë të PD-së që guxojnë dhe flasin në interesin publik, jo të mandatit. Kurrë më nuk duhet përsëritur kjo histori, sepse është turp t’i vjedhësh votën tjetrit te kutia”, tha Hoxha.
    Kur u pyet nëse e kanë “bekimin” e Sali Berishës në kërkesën për rinumërim, Hoxha u përgjigj: “Unë jam një njeri i lirë, jam i djathtë. Besoj te vlerat e së djathtës që janë fisnikëria. Kontributin tim nuk e kam të lidhur me asnjë person, por e kam të lidhur me parimet. Bashkëjetoj nën rregulla të caktuara politike me shumë njerëz. Unë kam kërkuar mbështetjen e partisë dhe partia në fazën e parë nuk na mbështeti. Pasi u bë e madhe gjëja, që doli në publik votimi, pastaj kishte kërkesën për rinumërim të të gjithë Qarkut Tiranë”.
    “Në këtë fazë nuk mund të çonim numra kutish, por kërkesa jonë ishte legjitime sepse ne hasëm në fakte dhe prova që nuk ishte numëruar si duhet. Se kujt i ka interesuar të lëvizë votat brenda llojit, këtë e gjejmë rrugës. Ne jemi tani te faza e parë”, shtoi më tej Lisandër Hoxha.