Day: June 7, 2025

  • Shpopullimi i Shqipërisë/ Turistëve nuk ka kush t’u shërbejë

    Shpopullimi i Shqipërisë/ Turistëve nuk ka kush t’u shërbejë

    Kontratat me garanci kanë ardhur në rritje dhe grupet e organizuara po diversifikohen çdo vit, ku pas polakëve e çekëve tashmë, turistët spanjollë, portugezë, francezë apo izraelitë po rriten dukshëm.
    Suksesi i papritur duket se na gjeti të papërgatitur në disa drejtime, duke shtuar presionin për ndërhyrje të shpejta nëse duam që rritja të jetë e qëndrueshme. Operatorët turistikë presin që viti 2025 të shënojë një tjetër rekord të vizitorëve të huaj me rritje të turistëve të huaj mes 10-15%.
    Sfidë mbetet infrastruktura rrugore dhe aeroportuale për të përballuar këtë fluks, fuqia punëtore e kualifikuar në mungesë apo operimi i sektorit pa një lidhje të qartë me industritë mbështetëse për të maksimizuar përfitimin e ekonomisë.
    Numri i të huajve që vizitojnë Shqipërinë po rritet dhe ky padyshim është një lajm i mirë, por paralelisht po shtohet presioni për t’i mbajtur ata. E kapur në një fluks në rritje nga viti në vit, Shqipëria duket se nuk po arrin të përballojë në disa raste kërkesat që sjell me vete një turizëm me rritje të shpejtë.
    Tendenca po shihet në disa drejtime, duke nisur së pari nga infrastruktura e pamjaftueshme në rrugë, ajo aeroportuale apo në marina. Së dyti, një bujqësi në tkurrje ka zhvendosur balancën në anën e importeve.
    Pra, të huajt “po i ushqejmë” me produktet e tyre të shërbyera shqiptarçe. Kjo e ul ndjeshëm ndikimin real që turizmi do të kishte në ekonomi.
    Nëse bujqësia dhe agropërpunimi do të ishin të përfshira me një strategji më të mirëmenduar në zinxhirin e industrive mbështetëse, vlera që do të merrte ekonomia do të ishte më e lartë. Së treti, të huajve po u shërbejnë “të huajt” të sjellë me kontrata nga vende të tjera, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore në vend.
    Vijnë turistët e parë “të verës”, kontratat me garanci në rritje, diversifikohen grupet
    Turizmi i organizuar po njeh rritje nga viti në vit dhe paralelisht me këtë edhe turizmi individual ka pasur të njëjtën tendencë. Tregjet që pëlqejnë Shqipërinë mbeten të qëndrueshme, teksa vijojnë të shtohen edhe grupe të reja.
    “Kanë nisur të vijnë turistët e parë të organizuar, sipas kontratave me garanci që kemi nënshkruar. Të parët janë polakët dhe më pas këto javë presim të vijnë edhe grupe të tjera.
    Golemi dhe Durrësi janë konsoliduar si destinacione, sepse u bënë më shumë se një dekadë që kanë turizëm të organizuar.
    Tregjet që po vijnë të organizuara janë diversifikuar nga viti në vit, por disa janë të qëndrueshëm. Tregu spanjoll është me rritje këtë vit, edhe portugezët.
    Në rritje janë edhe turistët hungarezë dhe sllovakë. Po kështu janë edhe izraelitët, ku njëra nga linjat e fluturimeve po operon edhe si charter”, – tha Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar.
    Edhe për Arben Çipën, administrator i “Sipa Tours”, ky vit pritet të jetë pozitiv, duke pasur parasysh ecurinë e mirë që ka pasur në muajt e parë të vitit.
    Prilli, sipas tij, ishte me rritje rreth 10% në raport me prillin 2024, të paktën nga përshtypjet e marra nga strukturat në Jug të vendit, konkretisht në Ksamil dhe në Sarandë.
    “Kryesisht janë europianë, por sidomos po vijnë francezë. Janë një grup që dominon këtë vit për këtë periudhë. Janë mosha relativisht të reja, me qëndrime javore”, – shprehet Çipa.

    Shumë turistë, pak rrugë, edhe më pak aeroporte, kujdes i shtuar për shërbimet detare
    Një nga problematikat e ngritura këtë sezon ishte ajo e mosnisjes në operim e aeroportit të Vlorës. Pritshmëria ishte që të paktën në sezonin veror të fillonte operimi i linjave charter dhe në bazë të këtij premtimi vitin e shkuar u nënshkruan edhe kontrata me garanci me strukturat akomoduese në Vlorë. Por, tashmë, kjo nuk është e mundur.

     

     

    “Është një problem shumë i madh për ne mosfillimi i fluturimeve nga Vlora. Ne i nënshkruam këto kontrata duke marrë parasysh që na u premtua nisja e fluturimeve në disa biseda të vitit të shkuar, kur na u tha se për charterat ndoshta do të ishte e mundur ulja.
    Tashmë jemi përpara faktit dhe kjo na ka sjellë shqetësime. Në raste më ekstreme, kur marrëveshjet nuk respektohen, mund të shkojnë në gjyqe, por ne po negociojmë me agjencitë e huaja që të paktën ulja e charterave këtë verë të bëhet në Tiranë.
    Kuptohet që janë operatorët turistikë shqiptarë që marrin kostot e transportit përsipër” tha z. Kasa.
    Por duket se edhe devijmi i fluturimeve në Tiranë është sfidues pasi Aeroporti i Tiranës po punon thuajse me kapacitet maksimal dhe nuk ka frekuenca të disponueshme për fluturime të paparashikuara.
    Nga ana tjetër, edhe infrastruktura rrugore, pavarësisht investimeve, nuk e përballon dot ritmin e rritjes së turizmit në vend.
    “Nuk mund të them që nuk janë bërë rrugë, ka pasur investime serioze por mendoj se nuk mjaftojnë për të përballuar këtë rritje të fluksit që kemi.
    Ne presim që këtë vit të shkojmë në 14 milionë turistë dhe ky është një numër i konsiderueshëm dhe mendoj se Shqipëria nuk ka infrastrukturë për të përballuar këtë. Po kështu, disa destinacione shumë popullore mbeten me një akses që lë për të dështuar.
    Po sjell si shembull infrastrukturën rrugore që të çon për te Lumi i Shalës, kemi kërkuar të ndërhyhet prej vitesh. Po kështu edhe Golemi, i cili mbetet peng i trafikut”, – nënvizon kreu i Unionit Turistik Shqiptar.
    Shqipëria njëkohësisht vuan për marina të mirëfillta turistike, diçka që kufizon ndjeshëm një segment të turizmit që orientohet tek ai më luksoz. Gjithsesi, përtej kësaj, rritja e turizmit kërkon një vëmendje të shtuar edhe ndaj shërbimeve detare për të ofruar siguri dhe standarde.
    “Duhet të ketë vëmendje te shërbimet e detit. Flas këtu për të gjitha shërbimet ku duhet të operohet me rregull, norma dhe në zbatim të një kuadri rigoroz. Duhet të funksionojë ligji dhe kontrolli për të gjithë skafet, anijet dhe të gjithë mjetet e ujit”, – shprehet z. Çipa.
    Të huajve po u shërbejnë “të huajt”, por problem gjetja e forcës së kualifikuar të punës
    Turizmi po orientohet qartësisht drejt gjetjes së një zgjidhjeje jashtë kufijve të Shqipërisë në lidhje me forcën punëtore. Bëhet fjalë për plotësimin e pozicioneve që nuk kërkojnë ndonjë kualifikim të veçantë.
    “E kemi gjetur një zgjidhje. Po sjellim të huaj nga vendet e treta duke nisur nga Afrika, vende si Nepali, Filipinet. Kemi vendosur kritere në kontratat e nënshkruara në mënyrë që të jemi të sigurt dhe të kemi qëndrueshmëri, sepse edhe kjo ka koston e saj.
    Sigurisht bëhet fjalë për forcë punëtore që duhet për pozicione që nuk kërkojnë kualifikim, pra të natyrës punonjës pastrimi, mirëmbajtje, sanitare, të cilët janë gjithashtu shumë të rëndësishëm në shërbim” pohon z.Çipa.
    Edhe z. Kasa ka të njëjtin qëndrim duke nënvizuar se për strukturat akomoduese është më e vështirë gjetja e stafit të kualifikuar.
    “Strukturat janë gati dhe tek-tuk mund të kenë probleme me stafin, por e kanë zgjidhur thuajse, sepse po marrin punëtorë të huaj, të paktën për ato pozicione që nuk duan kualifikim.
    Pra problem mbetet stafi i kualifikuar që është i vështirë për t’u gjetur” shprehet ai.
     / MONITOR /

  • Hapja e kutive për Tiranën dhe Dibrën! KQZ: Na duhen 10 ditë kohë për të nisur rinumërimi i votave

    Hapja e kutive për Tiranën dhe Dibrën! KQZ: Na duhen 10 ditë kohë për të nisur rinumërimi i votave

    FOTO ILUSTRUESE

    TIRANË-Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nevojë për 10 ditë kohë për të përgatitur infrastrukturën dhe stafin e nevojshëm para se të nisë rinumërimin e 1282 kutive të votimit të qarkut Tiranë pas miratimit të kërkesës së Partisë Demokratike një ditë më parë.
    Janë 450 mijë fletë votimi që do të numërohen nga fillimi dhe vendi ku do të realizohet ky proces nuk është vendosur por duket se ambientet më të përshtatshme janë ato të parkut olimpik ‘Feti Borova’ ku u realizua numërimi i votave të diasporës. Për rinumërimin po negociohet sërish edhe me federatat sportive për të marrë sërish në përdorim Parkun Olimpik ku u numërua vota e diasporës. 
    KQZ-së i duhet të bëjë gati pjesën teknike, energjinë elektrike, tavolina, karriget, monitorët, kamerat, internetin dhe rrjetet kompiuterike që do të rivendosen aty për të ofruar transparencë për të gjithë. Po ashtu, një grup i posaçëm do të punojë për të veçuar në magazinë kutitë e Tiranës, dhe për t’i sjellë për rinumërim sipas një rendi të caktuar e të sigurtë. Të gjitha këto përgatitje, do të kërkojnë të paktën 10 ditë kohë.
    Partia Demokratike shpreson të gjejë vota për të marrë një mandat të 14-të, duke ia hequr Mundësisë së Agron Shehajt. Ilir Alimehmeti nga ana tjetër, dyshon se votat ia kanë vjedhur e ai ka marrë më shumë vota se Jorida Tabaku që aktualisht ka fituar një mandat me 2400 vota avantazh. 
    Ndryshe nga Tirana, në Dibër PD do të rinumërojë vetëm votat e kandidatëve të saj për shkak të pretendimeve të kandidatit Xhemal Gjunkshi se ka pasur parregullsi.
    Rinumërimi i 44 kutive të Dibrës do të zhvillohet të mërkurën dhe do të kryhet në ambientet e komisionit qendror të zgjedhjeve.
    PD kishte kërkuar pavlefshmërinë e rezultatit dhe organizimin e një rivotimi, duke argumentuar se procesi kishte parregullsi të cilat ndikuan në përfundimin e zgjedhjeve. Në përfundim të shqyrtimit, KAS vendosi rrëzimin e kërkesës së PD-së, duke e argumentuar vendimin me mungesën e provave të nevojshme për të ndryshuar rezultatin./ZËRI

  • Beckham, së shpejti do të marrë titullin “Sir”. Kurorëzimi në ditëlindjen e Mbretit Charles

    Beckham, së shpejti do të marrë titullin “Sir”. Kurorëzimi në ditëlindjen e Mbretit Charles

    Me rastin e ditëlindjes së ardhshme të Mbretit Charles, David Beckham do të marrë titullin “Sir”. Zërat e ditëve të fundit janë konfirmuar tashmë nga burime të besueshme. Ish-kapiteni i Anglisë do të nderohet me titullin më të lartë në Mbretërinë e Bashkuar, si për karrierën e tij të lavdishme në futboll, ashtu edhe për kontributin e dhënë në kauza humanitare.
    Beckham, 50 vjeç, ishte emëruar më parë “Oficer i Urdhrit të Perandorisë Britanike” (OBE) në vitin 2003. Ai ka zhvilluar 115 ndeshje me kombëtaren angleze dhe ka luajtur për klube të mëdha si Manchester United, Real Madrid, Los Angeles Galaxy, PSG dhe Milan, duke u tërhequr nga futbolli në vitin 2013.
    Nuk është hera e parë që emri i tij përmendet mes kandidatëve për këtë nder të lartë. Në vitin 2017, disa media britanike publikuan detaje nga disa email-e, ku Beckham kritikonte sistemin dhe komitetin që ndan këto tituj. Ish-futbollisti u mbrojt asokohe duke thënë se bëhej fjalë për email-e private që ishin hakeruar dhe manipuluar.
    Sot, si pronar i klubit amerikan Inter Miami, Beckham ka pasur një rol kyç në organizimin e Lojërave Olimpike të Londrës 2012 dhe është ambasador i UNICEF-it që prej vitit 2005. I martuar me ish-anëtaren e “Spice Girls”, Victoria, dhe baba i katër fëmijëve, në vitin 2024 u bë gjithashtu ambasador i “King’s Foundation”, duke mbështetur programet edukative të Mbretit Charles dhe përpjekjet për t’iu ofruar të rinjve një kuptim më të mirë të natyrës.

  • Spalletti, pas turpërimit ndaj Norvegjisë: Do të flas me Gravina, duhet të ndryshoj patjetër diçka

    Spalletti, pas turpërimit ndaj Norvegjisë: Do të flas me Gravina, duhet të ndryshoj patjetër diçka

    Nga salla e shtypit e “Ullevaal Stadion”, trajneri i Italisë, Luciano Spalletti, komentoi humbjen e rëndë të pësuar kundër Norvegjisë.
    Çfarë po ndodh me këtë kombëtare? Gjuajtja e parë në portë erdhi në minutën e 92-të…Duhet t’i analizojmë faktet që ndodhën. Nuk kishim vendosmëri në veprimet tona, ishim disi të lehtë. Në golin e parë humbëm topin gjatë ndryshimit të krahut të lojës, kur mund të kishim bërë dy pasime të afërta. Ata gjetën hapësira. Mund të reagonim më mirë në mbrojtje, individualisht. Humbëm shumë topa në një të tretën e fushës së tyre, duhej t’i shfrytëzonim më shumë krahët, por u grumbulluam në qendër. Në të tre golat, në aspektin individual mbrojtës, duhet të ishim më të vendosur, më agresivë. Kishte kundërsulme, por kurrë nuk ishim në inferioritet numerik. Edhe në golin e tretë, pas humbjes së topit nga Tonali, linja mbrojtëse ishte mjaft e ulët. Vepruam me njerëzit e gabuar dhe në mënyrën e gabuar. Janë lexime të gabuara dhe qëndrime që duhet të jenë më të forta, me më shumë muskuj, më shumë vendosmëri. Ishim nën nivelin e duhur. Na mungon pak entuziazëm, nivel individual. Duhet të japim më shumë, përndryshe diçka duhet ndryshuar. Ky grup është i rëndësishëm, më i miri që kam në dispozicion. Duhet të bëjmë më mirë, por e mbroj grupin. Do t’iu them diçka atyre që nuk po arrijnë në maksimumin e tyre.
    Vijmë nga ditë me polemika dhe lojtarë që janë larguar nga grumbullimi. Sot (dje), Liga e Futbollit zgjodhi të prezantojë kalendarin e kampionatit dy orë para kësaj ndeshjeje vendimtare. A është kjo kombëtare e braktisur? Ju, a ndiheni pak vetëm?Polemika ka pasur… Nuk ndjehem i braktisur. Edhe sikur të isha vetëm, jam përgjegjës për këtë situatë. Nuk ka vend për mëshirë ndaj askujt. Ajo që më bezdis më shumë është kur dikush më bën të kuptoj se do të më ndihmojë, sepse sipas tij unë nuk ia dal dot vetëm. Kjo më çmend. Kam kaluar mijëra situatë, edhe më keq se kaq. Kur zgjedh të jesh trajner i kombëtares, je përgjegjësi kryesor. Çfarë ndodh në fushë është përgjegjësia ime. Që tani e tutje duhet të ndryshoj edhe unë diçka, sepse i mbroj dhe them shumë, por duhet edhe qëndrimi i duhur. Nëse skuadra tregon pak cilësi, atëherë jam trajner me pak cilësi. Në lëvizjen e parë të tyre, i lamë të kalonin…
    Keni thënë se do të flisni me Gravina. Për çfarë konkretisht?Po, për zgjedhjet në aspektin teknik. Ai më dha mundësinë të jem trajneri i kombëtares dhe do ta falënderoj gjithmonë. Pastaj, ai mund të bëjë çfarë të dojë. Tani duhet të mendoj për këtë ndeshje dhe më pas do të flas me Gravina.
    A do të vazhdoni me këtë modul të hënën?Po, por është e qartë se do të ndryshoj disa lojtarë, sepse kemi nevojë për frymë të re. Do të fus disa lojtarë me cilësi dhe role të ndryshme.
    Pas kësaj mbrëmjeje rikthehet frika e “play off”-it…E pranoj që është një diskutim i drejtë. Duam të tregojmë se nuk e pranojmë këtë gjë.
    Të gjithë gjatë javës thanë me fjalë se e kishin kuptuar rëndësinë e ndeshjes. Pastaj pamë këtë paraqitje. Si e shpjegoni?E shpjegoj me faktin që ka pak lodhje, siç thamë edhe më herët. Kemi mbërritur në këtë pikë në këtë gjendje. Kishim pak energji dhe kur gjërat nuk shkojnë siç do, duhet më shumë forcë morale dhe karakter. Ashtu si Coppola, që humbi një top, por qëndroi në lojë dhe bëri gjëra pozitive. Këto janë gjërat që i kam përmendur dhe me to do të përballemi.
    Çfarë mendoni për ndeshjen e Nusa?Në këtë moment, Norvegjia ka cilësi të rëndësishme. Futëm Zappacosta për të ndihmuar në mbulimin e tij, por ai kaloi shpesh mes dy lojtarëve, jo vetëm në duelet një kundër një me Di Lorenzo.
    A do ta kryesojë Norvegjia grupin?Pas rezultatit të sotëm është e mundur. Ne duhet të japim gjithçka dhe të mos gabojmë më që ta rikthejmë në diskutim vendin e parë.

  • Serbja që zgjodhi Shqipërinë… Gruaja e kapitenit Gjimshiti ‘tërbon’ Serbinë para sfidës në Tiranë

    Serbja që zgjodhi Shqipërinë… Gruaja e kapitenit Gjimshiti ‘tërbon’ Serbinë para sfidës në Tiranë

    Futbollistët e Serbisë do të përballen me Shqipërinë këtë të shtunë, prej orës 20:45 në Tiranë, në kuadër të kualifikueseve për Kampionatin Botëror 2026.
    Në konferencën për shtyp të Shqipërisë, përveç trajnerit Sylvinho, foli edhe kapiteni i kombëtares, futbollisti i Atalantës, Berat Gjimshiti.

    Gjatë konferencës, ai u pyet edhe për bashkëshorten e tij, Alisa Milenković, e cila është modele serbe. Një pyetje që nuk i pëlqeu aspak kapitenit të Shqipërisë.

    “Kemi ardhur këtu për futboll, jo për jetën private dhe familjen time, e cila është gjithmonë pranë meje në çdo ngjarje që kam”, – u përgjigj Gjimshiti.
    Interesant është fakti se emri i Alisa Milenković nuk është shumë i njohur për publikun e gjerë. Ajo është serbe, modele dhe stiliste.

    Berati dhe Alisa janë njohur në Zyrih, ku ajo jetonte në atë kohë, ndërsa futbollisti, me prejardhje shqiptare (portali serb e shkruan nga nga Kosova dhe Metohija),  luante për një klub të njohur zviceran.
    Lidhja e tyre u bë publike për herë të parë në vitin 2015, pikërisht përpara ndeshjes së shumëpritur mes Serbisë dhe Shqipërisë. Në atë kohë, mediat shqiptare e përmendën me krenari faktin se “modelja e zjarrtë” serbe do të ishte e vetmja serbe që do ta mbështeste Shqipërinë në atë përballje.

    Vetëm një vit më pas, më 2016, çifti kaloi një krizë, kur, sipas mediave, Alisa e la futbollistin dhe ai vuajti shumë pas ndarjes. Megjithatë, ata u pajtuan pak kohë më vonë, u fejuan, Alisa mbeti shtatzënë dhe në vitin 2020 u bënë prindër të një djali, të cilit i vunë emrin Lion Aron.
    Është interesante të theksohet se gjatë jetës së saj në Zvicër, Alisa diplomoi për marketing ndërkombëtar, ndërsa në vitin 2018 themeloi markën e saj të modës.Shkruan portali serb “kurir.rs”
     

  • Ismajli merr ofertë nga një klub turk, lëvizja pritet të ndodhë brenda qershorit

    Ismajli merr ofertë nga një klub turk, lëvizja pritet të ndodhë brenda qershorit

    Adriatik BALLA
    Lojtarë të ndryshëm të ekipit kombëtar po nmegociojnë me klube të interesuara për të pasur lëvizje në këtë merkato vere. Në treg kanë dalë disa lojtarë si Broja, Hysaj, Asani, Asllani, Ramadani e ndonjë tjetër, por listës së këtyre emrave i është shtuar së fundmi edhe Ardijan Ismajli që është pjesë e Empolit në Serie A italiane. Ndërkohë, në pikëpyetje mbetet Armando Broja, pasi Çelsi e ka bërë të qartë se nuk do ta mbajë për sezonin e ri dhe kërkon ekip ku të mund ta huazojë ose ta shesë. Mundet që lojtari të shitet brenda kësaj vere edhe për një çmim të pranueshëm, pasi, për shkka të situatës së tij me dfëmtimet ka rënë ndjeshëm pesha e kartonjit të futbollistit. Gjithçka duket e hapur për të dhe për lojtarët e tjerë, të cilëët po presin ofertën më të mirë për të vendosur në lidhje me të ardhmen e tyre.
    Situata
    Ardian Ismajli do të përjetojë një verë ndryshe pasi të mbyllë ndeshjet me Kombëtaren shqiptare të futbollit. Mbrojtësi i kuqezinjve, do të ndërrojë skuadër gjatë kësaj vere dhe ditët pas grumbullimit kuqezi, do t’i kalojë duke mbyllur negociatat me atë që pritet të jetë klubi i tij i ri. Sipas mediave turke, futbollisti ka një akord parimor për t’iu bashkuar një emri shumë të njohur si Beshiktash, i cili synon të përforcohet për edicionin e ardhshëm me lojtarë të nivelit të lartë. Ismajli është një “okazion” për çdo klub, meqë pas 30 qershorit është futbollist i lirë, pasi mbyll kontratën me Empolin në Serinë A. Futbollisti ka marrë disa oferta, por raportohet se tundohet nga fakti se klubi i Beshiktash synon të shkojë në fazën në grupe të kompeticioneve europiane dhe Ismajli dëshiron të provojë një eksperiencë të tillë. Ndaj palët janë drejt arritjes së një akordi, për të finalizuar së shpejti këtë transferim.
    Kumbulla në gjurmët e Gjimshitit tek Atalanta
    Ndërkohë që vëmendja e të gjithë lojtarëve kuqezi është e frokusuar tek ndeshja e sotme me Serbinë, në “Air Albania” të Tiranës, duket se për disa lojtarë elitarë vijojnë ofertat në treg dhe vëmendjen orët e fundit e ka marrë mbrojtësi Marash Kumbulla, që është pjesë e Romës, por i huazuar tek Espanjoli në Spanjë. Lojtari dëshiron të kthehet në Itali, ku krahas Romës si opsion janë sxhfaqur edhe alternativa të tjera. Në fakt, mbrojtësi i Kombëtares kuqezi, Marash Kumbulla bëri një sezon fantastik me Epanjolin ku në 35 paraqitje ka qenë edhe vendimtar me gola të shënuar, ose duke i shmangur ato. Huazimi i tij nga Roma përfundon në fund të qershorit dhe ai duhet të kthehet në Itali. Kumbulla mund të përfitojë nga ardhja e Xhian Piero Gasperinit në stolin e verdhekuqve pasi mund ta bënte atë një nga alternativat në vijën e mbrojtjes. Sipas “Corriere dello Sport”, Roma do të donte të kuptonte me qetësi se çfarë duhet të bëjë, nëse dëshiron ta shesë 25-vjeçarin pas vitit të shkëlqyer në Katalonjë apo ta mbajë në ekip. Por me shumë mundësi mund të përsëritet historia si me mbrojtësin e Shqipërisë, Berat Gjimshiti. Gasperini veproi njësoj me futbollistin i cili u rikthye nga huazimi dhe e mbajti në skuadër duke e kthyer në lider te Atalanta.

  • Dueli me Serbinë, Silvinjo: Ata kanë Mitroviç e Vlahoviç, por ne kemi Brojën e Manajn

    Dueli me Serbinë, Silvinjo: Ata kanë Mitroviç e Vlahoviç, por ne kemi Brojën e Manajn

    Adriatik BALLA
    Trajneri i Shqipërisë, Silvinjo doli para mediave për të komentuar ndeshjen që do të mbahet sot kundër Serbisë e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026. Silvinjo u shpreh se Serbia është një skuadër e fortë, por sipas tij dhe ne kemi lojtarë të mirë. “Mitroviç, Vlahoviç dhe Joviç, janë lojtarë të fortë fizikisht, Serbia është një skuadër e fortë. Por edhe ne kemi lojtarë të fortë, Brojën, Manaj, Uzunin, Nedim Bajramin për të cilët jam shumë krenar, presim një ndeshje shumë të bukur. Dëgjova edhe trajnerin e Serbisë dhe të gjithë duan fitoren, rrugëtimi drejt Botërorit është shumë i shpejtë, por futemi në ndeshje për 3 pikët, shpresojmë të kemi një ndeshje të bukur. Në 90 minuta mund të ndodh gjithçka, janë shumë të gjata. Është e vërtetë, shumë trajner ankohen për lojtarët pas sezonit. Ka qenë kalendar i ngjeshur. Disa lojtarë kanë 10-15 ditë pushime. Kemi bërë 5-6 ditë rresht stërvitje. Sot do iu bëj me dije formacionin, gjatë Andorrës kemi bërë ndryshime që kanë rezultuar mirë, por kjo është skuadër tjetër. E kam në mendjen 11-shen por pritet të shohim si do vendosim. Nuk kemi gjë për të fshehur, ato kanë parë ndeshjet e fundit tona dhe ne, i kemi analizuar. Nuk mendoj se kanë kapur ndonjë element, shumica e gjërave nga aspekti strategjik bëhen në stërvitje. Të dyja kampet kanë lojtarë shumë të njohur në nivel botëror.
    Emocioni i ekipit
    Trajneri foli edhe për interesimin e lartë të tifozëve, duke thënë se ka dëgjuar për 800 mijë kërkesa, ndërsa shtoi se do të donte ta sillte edhe babain e tij nga Brazili, por është shumë larg. “Është një ndeshje ndryshe, sot është ndryshe, dje ka qenë po ndryshe, dhe nesër po ashtu. Gjithmonë do të jetë ndryshe nga të dyja kampet, por shpresoj tju dhurojmë një ndeshje të bukur në aspektin sportiv, 90 minuta të bukura për ti shijuar, të dyja skuadrat kanë lojtarë të mirë po ashtu edhe trajnerë, mund ta fus edhe veten këtu, uroj që ta shijojmë, po ashtu edhe 22 mijë tifozët në stadium. Kam dëgjuar që ka pasur mbi 800 mijë kërkesa, janë me fat ata që janë nesër në stadium.
    Unë madje do të sillja edhe babin tim nga Brazili për ta parë ndeshjen, po ishte një rrugë shumë e gjatë. Të gjithë lojtarët janë gati dhe shpresoj të shijojmë një ndeshje të bukur. Është e vërtetë unë kam luajtur ndeshje të mëdha gjatë karrierës time, kam pasur një peshë dhe një përgjegjësi kaq të madhe, por e kam bërë para 15 vitesh ku rrjetet sociale nuk ishin diçka kaq e madhe sa sot. Flas vazhdimisht me lojtarët, iu them të fokusohen te stërvitja dhe gjërat që kanë rëndësi në fushë, por në kohën time ka qenë disi më e lehtë, por me këtë gjeneratën e re janë të fokusuar në rrjetet sociale. Duhet ta shijojmë këtë ndeshje, me respekt ndaj kundërshtarit, është në duart tuaj të lini zemrën dhe shpirtin në fushë. Të dyja skuadrat i kanë përgatitur. Është ndeshje ndryshe, do jetë gjithmonë ndryshe. Për futbollin flitet në fushë, çfarë ndodh më pas do flitet aty. Kanë lojtarë të mirë, po ashtu edhe ne. Edhe skuadra tjetër ka trajner të shkëlqyer, mund të them edhe nga skuadra jonë trajner shumë të mirë. Kështu do flasim vetëm për futboll”, deklaroi ai.

  • The Guardian: Shqipëri-Serbi Ndeshja kualifikuese që rikthen tensionet e 2014-ës

    The Guardian: Shqipëri-Serbi Ndeshja kualifikuese që rikthen tensionet e 2014-ës

    Jashtë një kafeneje, pak metra larg ”Arenës Kombëtare”, dy burra qëndronin mbi karrige dhe po rregullonin dy flamurë në një tendë. Dreka e së enjtes sapo kishte kaluar dhe Tirana po përgatitej për një ndeshje që mund ta kishte mbushur stadiumin kombëtar të paktën 10 herë më shumë nga kapaciteti, shkruan Nick Ames për prestigjiozen ”The Guardian”.Nuk kishte problem të identifikohej flamuri i Shqipërisë, shqiponja e zezë dykrenore. Edhe flamuri i dytë që po vendosej është bërë ”monedhë” e zakonshme. Në të shkruhet fjala “Autochtonous”, duke paraqitur një version të hartës së “Shqipërisë së Madhe” që transformoi një ndeshje futbolli në një incident të madh diplomatik në vitin 2014.Deri të premten në mëngjes, ai flamur ishte zëvendësuar me alternativën e tij më pak nxitëse. Ndoshta autoritetet kishin ndërhyrë për një qetësim të gjendjes. Ata duan të eliminojnë shkaktarët e mundshëm për llojin e kaosit që shpërtheu në Beograd 11 vjet më parë, kur një dron uli imazhin kontrovers në stadiumin ”Partizan” gjatë një ndeshjeje kualifikuese të Kampionatit Evropian midis Serbisë dhe Shqipërisë.Pasojat e asaj nate u shtrinë përtej sportit dhe pati psherëtima lehtësimi kur, nëntorin pasardhës, ndeshja e kthimit në qytetin e Elbasanit kaloi pa incidente të mëdha.Fytyrat e anëtarëve nga dy federatat respektive me siguri u panë të shqetësuara dhjetorin e kaluar, kur dy vendet ranë në të njëjtin grup për Kupën e Botës për vitin 2026.Vetullat u ngritën, por nuk kishte asgjë që t’i pengonte të takoheshin përsëri, pavarësisht një historie të gjatë dhe të përgjakshme, plagët më të freskëta të së cilës u shkaktuan gjatë luftës në Kosovën e banuar nga shqiptarë etnikë. Asnjëri nuk kishte kërkuar të mbahej larg njëri-tjetrit. Ishte e pashmangshme që problemi i drejtimit të marrëdhënieve të tyre rreth një stadiumi futbolli të rishfaqej një ditë.Dhe nuk po kursehen burimet për zgjidhjen e tij. Rreth 2 000 policë do të vendosen për takimin e parë të Grupit K të palëve, sot në mbrëmje, duke përfshirë forca speciale dhe operativë kundër terrorizmit.Përveç kësaj, burimet sugjerojnë se deri në 500 oficerë civilë do të vendosen midis 22 500 tifoëve.Tifozët mysafirë do të mungojnë. Pajisjet kundër dronëve po instalohen në zonën përreth dhe keqbërësit e mundshëm janë paralajmëruar se pajisjet e tyre do të qëllohen.Me sa duket, çdo ndërprerje e planifikuar do të marrë një formë tjetër.Dronët nuk ishin shumë të zakonshëm në jetën publike, kur ai mjet i vogël u fut në stadiumin e Beogradit. Por, këto masa ringjallin kujtimet e Ismail Morinës, gatishmëria e të cilit për të pranuar përgjegjësinë për incidentin e vitit 2014 i solli statusin e heroit kombëtar. Edhe pse nuk u raportua gjerësisht në atë kohë, Morina kishte një bashkëpunëtor, i cili që atëherë ka preferuar të mbetet në hije.Veprimi i Morinës erdhi me një kosto. Ai u arrestua para ndeshjes së Serbisë në vitin 2015 për posedim të paligjshëm të armëve duke e mbajtur të sigurt larg pamjes së ndeshjes. Më vonë ai u burgos në Kroaci dhe Itali, ku ka vendbanimin, me një urdhërarresti serb, të lëshuar përmes Interpolit.Ai është kthyer në stadiumet shqiptare, duke u mbajtur lart në tribunat e ”Arenës Kombëtare” në një ndeshje kundër Republikës Çeke në vitin 2023 dhe duke shkëmbyer fanella me golashënuesin Jasir Asani.Kohët e fundit ai është parë në ndeshjet vendase, por, në përgatitje të takimit të sotëm, llogaritë e tij më parë aktive në mediat sociale janë zhdukur. Nëse ndonjë nga bashkëpunëtorët e tij të vjetër e di se ku është ai, nuk do ta thotë. Supozimi duhet të jetë se ai nuk do të rrezikonte t’i afrohej stadiumit.Ai nuk do të ishte i vetmi ultras, i kaluar apo i tashëm, që mbahet larg. Federata e Futbollit të Shqipërisë nuk u ka shitur bileta grupeve të tifozëve në bllok, por i ka ndarë ato me short të rastësishëm nga më shumë se 200 000 aplikime dhe duke rritur çmimet.Duket një përpjekje e qëllimshme për të ”dezinfektuar” atmosferën; grupi ”Tifozat Kuq e Zi”, i cili ofron spektaklin më të gjallë në ndeshjet e ekipit kombëtar, reagoi me tërbim dhe vuri në dukje një “farsë të organizuar” që synon të pasurit. Ata do të organizojnë një tubim alternativ pranë Piramidës së Tiranës, 400 metra larg stadiumit, ku është dhënë leja për një ekran të madh. Çmimet e biletave të ndeshjes në një treg të zi intensivisht aktiv kanë tejkaluar 1 000 eurot.Fakti që Shqipëria dhe Serbia do të jenë bashkorganizatore të Kampionatit UEFA U-21 në vitin 2027 shton një dimension tjetër. Nëse rreziku është i lartë për organizatorët e së shtunës, ka shumë mundësi për organin drejtues të futbollit evropian. Një marrëveshje kaq ambicioze, e nxitur kryesisht nga presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë dhe nënkryetari i komitetit ekzekutiv të UEFA-s, Armand Duka, mund të duket e papërshtatshme nëse diçka shkon keq. ”Tifozat Kuq e Zi” kanë shprehur pikëpamjet e tyre mbi bashkorganizimin me mjete verbale dhe vizuale dhe e ndiejnë se kjo ka kontribuar në përjashtimin e tyre.Elseid Hysaj, mbrojtësi i krahut të Lacios, është i vetmi anëtar i skuadrës që luajti në fiaskon e Beogradit.“Nuk duhet të përsërisim imazhet e viteve të kaluara. Trajneri na ka kërkuar të mos na kapë paniku për këtë ndeshje. Nevojitet qetësi dhe ekuilibër emocional”, tha ai.Sylvinho, trajneri në fjalë dhe një nga personazhet më të sjellshëm të futbollit ndërkombëtar, bëri shaka ndërsa luante me stafin e tij, por është nën presion për të dhënë rezultate.E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Dragan Stojkoviçin, homologun e tij.Anglia, e cila plotëson pesëshen e Grupit K me Letoninë dhe Andorrën, konsiderohet fituese pothuajse e sigurt e grupit nga të dyja kampet.Shqipëria dhe Serbia e dinë se po luftojnë për një vend në playoff dhe se takimet e tyre do të jenë vendimtare.Dje, në orën 13:40, sipas orës lokale të premten, lojtarët e Serbisë mbërritën në hotelin e tyre, mbi një kilometër, në perëndim të qendrës së Tiranës. Oficerë të armatosur nga RENEA, forca antiterroriste e Shqipërisë, shoqëruan dy autobusë që kishin udhëtuar nga aeroporti.Hapi i parë i një operacioni që zgjati një fundjavë kaloi pa probleme. Nëse kjo do të vazhdonte, ndoshta fantazma e 14 tetorit 2014 më në fund do të fillojë të zhduket nga pamja.https://www.theguardian.com/football/2025/jun/06/albania-serbia-world-cup-qualifier-stirs-memories-2014-chaos-drone

  • Marinsat amerikanë dhe Flota Detare e Shqipërisë stërviten në Durrës, Rama publikon pamjet: Një nga më të mëdhatë

    Marinsat amerikanë dhe Flota Detare e Shqipërisë stërviten në Durrës, Rama publikon pamjet: Një nga më të mëdhatë

    Kryeministri Edi Rama e ka nisur fundjavën me një postim në rrjetin social Facebook, ku ndan me ndjekësit pamjet e stërvitjes së zhvilluar në brigjet e detit Adriatik, ku kanë marrë pjesë trupat e Marinës Amerikane dhe Flota Detare e Shqipërisë.
    Ky ushtrim në det të hapur, jo shumë milje larg Durrësit është pjesë e skenarëve të stërvitjes në kuadër të “Defender Europe 25”.
    “Mirëmëngjes dhe me Forcat e Armatosura që vijojnë stërvitjen “Defender 25”, stërvitja ndërkombëtare, një nga më të mëdhatë dhe më komplekset e dekadës së fundit në Europë dhe Afrikë, që zhvillohet nën udhëheqjen e Komandës Europiane të SHBA, në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate dhe partnere të NATO-s, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama përkrah pamjeve të stërvitjes së përbashkët shqiptaro-amerikane.

  • Rama ndan pamje nga stërvitja e “Defender 25”: Një nga më të mëdhatë dhe më komplekset e dekadës së fundit në Europë dhe Afrikë

    Rama ndan pamje nga stërvitja e “Defender 25”: Një nga më të mëdhatë dhe më komplekset e dekadës së fundit në Europë dhe Afrikë

    Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë sot pamje nga stërvitja e “Defender 25”.

    Stërvitja zhvillohet nën udhëheqjen e Komandës Europiane të SHBA, në bashkëpunim me vendet aleate dhe partnere të NATO-s.
    “MIRËMËNGJES dhe me Forcat e Armatosura që vijojnë stërvitjen “Defender 25”, stërvitja ndërkombëtare, një nga më të mëdhatë dhe më komplekset e dekadës së fundit në Europë dhe Afrikë, që zhvillohet nën udhëheqjen e Komandës Europiane të SHBA, në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate dhe partnere të NATO-s ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama.

    Top Channel