Adriatik BALLA
Qeveria greke ka urdhëruar pezullimin e përkohshëm të ndeshjeve finale të ligës greke të basketbollit mes Panathinaikos dhe Olimpiakos, pas incidenteve të ndodhura në pallatin e sportit në Pire, para dhe pas ndeshjes së fundit. Kësaj here, incidentet kanë në qendër vetë pronarët e dy ekipeve kryesuese në këtë ligë. Seria e të ashtuquajturave “play-off”-s është aktualisht në rezultatin 1-1 dhe ndeshja e tretë, e planifikuar për të mërkurën, është shtyrë. Presidentët, njëkohësisht pronarë të dy klubeve të njohura, janë thirrur për t’u takuar me ministrin e Sportit të vendit deri të mërkurën në orën 15:00. Në postime online, në fillim përjashtuan mundësinë e pjesëmarrjes në këtë takim, duke lënë në dyshim fatin e ultimatumit qeveritar, ndërsa sot presidenti i Panathinaikos është pozicionuar pozitivisht.
“Thirren për një takim me Zëvendësministrin e Sportit, Jianis Vroutsis, pronarët e dy klubeve të basketbollit në Ministrinë e Arsimit, Fesë dhe Sportit, me qëllim që të jepen garanci të qarta se kjo situatë do të marrë fund. Në të kundërt, kampionati i këtij viti do të ndërpritet përfundimisht”, u shpreh zëdhënësi i qeverisë, Pavlos Marinakis. Presidenti dhe pronari i ekipit Panathinaikos, Dhimitrios Janakopulos, është parë të hyjë me forcë bashkë me truprojat e tij në ambientet e pallatit të sportit para fillimit të ndeshjes së dytë dhe më pas në terrenin sportiv, duke kërcënuar gjyqtarët që të ndërprisnin ndeshjen sepse tifozët e Olimpiakosit hidhnin sharje dhe kërcënime ndaj familjes së tij. Shumë video në mediat sociale pasqyrojnë këto çaste, por edhe sharjet e tij ndaj tifozëve kundërshtarë dhe kërcënimet ndaj dy vëllezërve presidentë të ekipit kundërshtar, Olimpiakosit.
Të dy klubet e Athinës kanë një rivalitet të gjatë dhe shpesh të dhunshëm, që shtrihet në basketboll, futboll dhe sporte të tjera. Trazirat e fundit ndodhën pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të frenuar dhunën e lidhur me sportin, ku shpesh ka pasur edhe viktima – përfshirë sistemet e mbikëqyrjes në stadiume dhe biletimin e detyrueshëm të lidhur me kartat e identitetit. Olimpiakos dhe Panathinaikos morën pjesë muajin e kaluar në Final Four të EuroLeague në Abu Dhabi, duke u renditur përkatësisht në vendin e tretë dhe të katërt, ndërsa prej vitesh janë në majën e basketbollit europian. Organet greke kanë frikë se tensioni i krijuar mes presidentëve të ekipeve mund të shkaktojë incidente të dhunshme mes tifozëve fanatikë.
Day: June 4, 2025
-

Frikë nga përplasjet, qeveria greke anulon finalen e basketbollit Panathinaikos-Olimpiakos
-

Broja do të dalë në treg, Milani dhe tre klube të mëdha janë të interesuara për shqiptarin
Adriatik BALLA
Armando Brojës nuk po i ndahen hijet e zeza të dëmtimeve, të cilat në vitet e fundit e kanë lënë disi mënjanë, duke mos e lejuar të shfaqet në kapacitetin e vet maksimal dhe pavarësisht se i është dhënë shansi të luajë në ekipet ku është huazuar, fati ndonjëherë nuk ka qenë me të në momentet më të mira. Gjithsesi, shqiptari nuk heq dorë lehtë. Ai dëshiron të lerë gjurmë. Cilësitë e tij nuk vihen në diskutim dhe këtë e kanë të qartë edhe klubet ku ka luajtur e interesohen për të dhe së fundmi ka marrë interesim nga klube të mëdha në Itali e në Angli.
Ofertat në treg
Referuar mediave sportive, për sulmuesin kuqezi ka një interesim të shtuar që në momentin kur klubi i Çelsit vendosi ta nxjerrë atë lojtar të lirë dhe madje t’i ulë çmimin e transferimit, pasi nuk është pjesë e projektit të bluve të Londrës për sezonin në vazhdim. E pranojnë edhe analistët anglezë të futbollit se Armando Broja nuk ka kaluar sezonin më të mirë të karrierës së tij në radhët e Evertonit, pasi për shkak dëmtimesh është aktivizuar ame “pikatore”. Por kërkesat për sulmuesin që do të largohet nga Çelsi nuk mungojnë. Britanikja “The Sun” bën të ditur se Broja është në radarët e klubeve shumë të njohur, me katër skuadra europiane të cilat kanë nisur bisedimet me sulmuesin e Kombëtares shqiptare për të siguruar transferimin e tij në verë.
“Burime i kanë treguar “SunSport” se Milani dhe Ajaksi kanë qenë të dyja në kontakt para asaj që do të jetë një verë shumë e zënë me punë te Çelsi. Bisedime me holandezët e PSV dhe gjermanët e Lajpcig janë zhvilluar që më parë”, shkruhet në portalin e tabloidit të njohur britanik. Sipas tij, Çelsi kërkon tashmë një shifër prej rreth 20 milionë paund për sulmuesin shqiptar, i cili bëhet e ditur se ka insistuar që këtë verë transferimi i tij të jetë përfundimtar pasi nuk dëshiron të jetë më vazhdimisht në huazim, ndonëse ka kontratë me blutë deri në vitin 2028.
Dëmtimi alarm fals, rezonanca nxori Brojën “ok”
Ndërsa gjendja e grupit kuqezi duket e mirë, një situatë e pakëndshme të hënën duket se shërbeu si alarm në lidhje me Brojën. Për momentin, të gjithë lojtarët duken në formë të mirë, por pak ditë më parë, në kampin kuqezi kishte alarm për situatën e Armando Brojës. Këtë e ka treguar përgjegjësi i zyrës për marrëdhëniet me publikun në FSHF, Fatjon Kodra. “Broja ka pasur një problem muskulor. Ka bërë rezonance, por për fat të mirë ka rezultuar negative. Ai ka marrë pjesë normalisht me grupin, është stërvitur rregullisht, kështu që deri tani është alarm fals”, tha Kodra për “Klan Neës”, duke zbuluar situatën e sulmuesit kuqezi para kësaj ndeshje delikate të kualifikueseve të Botërorit. Broja do të synojë të luajë ndaj Serbisë për të rritur kuotat e tij në treg. Një gol do ta ndihmonte shumë, për të mos thënë se do t’i hapte rrugën për gjetjen e një skuadre të madhe në top-ligat europiane. Cilësitë nuk mungojnë, ndaj Broja ka shansin e artë të tregojë vlerat e veta në këto dy takime eliminatore të Botërorit për Shqipërinë. -

FSHF jep sqarim për biletat, por shihen në treg të zi me çmime shumëfish
Adriatik BALLA
FSHF u shfaq sërish dje me një njoftim për shtyp, përcjellë nga faqja e vet zyrtare, ku sqaronte se përzgjedhja e biletave si proces vijon ende dhe se shtyrja me dy ditë e daljes së rezultateve, lidhej me ngarkesën e rrjetit si pasojë e kërkesave të shumta (mbi 200 mijë kërkesa). Në këto rrethana, FSHF caktoi këtë të mërkurë si afatin e shpërndarjes së biletave në versionin online me email, por pa dhënë ende detaje se si kompjuteri do të bëjë përzgjedhjen. Sidoqoftë, media të caktuara online dje pretendonin se biletat e para janë parë në treg të zi me çmim disafish nga normale, çmim që shkon në qindra euro për një biletë në sektorin pas porte.
Qëndrimi i FSHF-së
Federata Shqiptare e Futbollit informon të gjithë tifozët dhe publikun e interesuar se procesi i shortit elektronik për përzgjedhjen e atyre që kanë fituar të drejtën për të blerë bileta për ndeshjen Shqipëri–Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, do të vijojë deri më datat 3-4 qershor. Kjo zgjatje është bërë e domosdoshme për shkak të numrit shumë të lartë të aplikimeve të regjistruara në sistem dhe ngarkesës së platformës, çka e bën të nevojshëm një proces më të kujdesshëm, transparent dhe të drejtë për të gjithë aplikuesit. Procesi i shpërndarjes së biletave ka nisur, dhe një pjesë e aplikuesve që janë përzgjedhur si fitues nga shorti elektronik janë tashmë pajisur me bileta përmes platformës së dedikuar.
FSHF i bën thirrje të gjithë personave që kanë aplikuar për bileta të kontrollojnë në mënyrë të vazhdueshme adresat e tyre të emailit (si në inbox ashtu edhe në Spam), për të parë nëse kanë marrë njoftim nga kompania T-Ticket, e cila menaxhon procesin zyrtar të shitjes së biletave. Vetëm ata që do të përzgjidhen përmes shortit elektronik do të marrin një link të personalizuar për blerjen e biletave. Nëse pas datës 4 qershor nuk merrni një email konfirmimi, kjo do të thotë që nuk jeni përzgjedhur nga shorti elektronik. Nuk do të dërgohet njoftim për ata që nuk janë përzgjedhur. FSHF falënderon të gjithë tifozët për interesin dhe durimin, duke garantuar se çdo hap i këtij procesi po realizohet me transparencë të plotë dhe barazi për të gjithë aplikuesit.
Biletat në treg të zi
Siç thamë më lart, Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar të martën se deri të mërkurën nuk do të shpërndahen të gjitha biletat për ndeshjen e së shtunës Shqipëri-Serbi. Por Federata Shqiptare e Futbollit tashmë ka shpërndarë një pjesë të biletave dhe procesi po vazhdon. Ndërkohë në tregun e zi, përkatësisht në faqe të ndryshme të shitblerjes në internet, tashmë ofrohen bileta për ndeshjen. Çmimi i këtyre biletave është prej qindra eurove. Interesimi për ndeshjen e së shtunës është shumë i madh, sidomos në Kosovë. Mbetet të shihet se si do të përfundojë ky proces, por e dukshme është se masa e tifozëve të zhgënjyer që nuk do të marrin biletë do të jetë e madhe. -

Kohë e qëndrueshme dhe vranësira kalimtare, ja si parashikohet moti këtë të mërkurë
Sot, vendi ynë pritet të ndikohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike, duke sjellë një mot kryesisht të kthjellët dhe me vranësira të pakta kalimtare në disa zona.
Era do të fryjë nga drejtimi veriperëndimor me një shpejtësi mesatare prej 7 metra në sekondë, duke mbajtur ajrin të freskët dhe të pastër.
Valezimi në det, parashikohet të jetë i ulët, i nivelit 1-2 ballë, çka do të mundësojë kushte të mira për lundrim dhe aktivitet detar përgjatë vijës bregdetare.Top Channel
-

Raundi i ardhshëm i bisedimeve Rusi-Ukrainë mund të mbahet në Stamboll në fund të qershorit
Raundi i tretë i negociatave midis delegacioneve ruse dhe ukrainase mund të mbahet në Stamboll në fund të qershorit, sipas Leonid Slutsky, kryetarit të Komitetit të Dumës Shtetërore për Çështjet Ndërkombëtare.
Ai deklaroi se një hap drejt një armëpushimi të qëndrueshëm do të jetë një nga temat kryesore në bisedimet e ardhshme.
“Ekziston një probabilitet i lartë që diskutimet të zhvillohen përsëri në Stamboll në fund të këtij muaji”, vuri në dukje Slutsky.
-

Presidentja e Kosovës me moderatoren e mirënjohur shqiptare, Alketa Vejsiu
Alketa Vejsiu shkruan ndër të tjera pas ftesës nga Presidentja e Kosovës: Faleminderit Presidentes Vjosa Osmani dhe stafit presidencial për ftesën në mbylljen e Forumit Nderkombetar të Sigurisë për Gratë dhe Fëmijet, me një audiencë ndërkombetare dhe 1000 fëmijë!
Askush nuk lind duke urryer një person tjetër për shkak të ngjyrës së lëkurës, origjinës apo fesë së tij… Njerëzit mësojnë të urrejnë, dhe nëse mund të mësojnë të urrejnë, mund të mësohen edhe të duan”. -

Gjirokastër, aksident në Valare, lëndohen dy persona
POLICIA E SHTETIT
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin G. L., 44 vjeç, banues në fshatin Valare, pasi ditën e djeshme, në aksin rrugor “Gjirokastër-Valare”, duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka përplasur një automjet tjetër. Nga aksidenti janë dëmtuar lehtë 2 shtetas. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme. -

Ndërtoi pa leje, ndalohet 64-vjeçari në Gjirokastër
POLICIA E SHTETIT
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin H. L., 64 vjeç, pasi në pronën e tij janë konstatuar punime ndërtimi të kryera pa lejen e organeve kompetente. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme. -

Sherr me grushta në Gjirokastër, nën hetim 41-vjeçari
POLICIA E SHTETIT
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin S. K., 41 vjeç, banues Gjirokastër, pasi ka goditur me grusht një 43-vjeçar, për motive të dobëta. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme. -

Përndiqte një vajzë, nën hetim 43-vjeçari nga Gjirokastra
POLICIA E SHTETIT
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin T. M., 43 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi dyshohet se ka përndjekur një 24-vjeçare. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.