Emisioni “Plug” zbuloi në puntatën e së mërkurës një skemë puçi kushtetues, me qëllim rrëmbimin e mandateve të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe krijimin e një strukture të re korporative në sistemin e drejtësisë.
Një sërë dokumentesh zyrtare dëshmojnë se figura qendrore e këtij skenari është Sokol Sadushi, kryetar i Gjykatës së Lartë dhe aktualisht drejtues i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2025.
Në qendër të kësaj skeme është përpjekja për të krijuar kushtet që Sokol Sadushi, në rolin e tij si kryetar i KED-it, të përzgjedhë tre emra të rinj për në Gjykatën Kushtetuese: pasuesin e gjyqtares së dorëhequr Elsa Toska, zëvendësuesin e gjyqtares me mandat të përfunduar Holta Zaçaj dhe gjyqtarin që do të marrë vendin e Sonila Bejtjas, për të cilën synohet ndërprerja antikushtetuese e mandatit.
Sadushi nxiti një kërkesë të diskutueshme nga Presidenti Bajram Begaj, duke përfshirë mandatin e Bejtjas në skemën e rotacionit 3-vjeçar për përbërjen e Gjykatës Kushtetuese – një interpretim që bie ndesh me frymën dhe shkronjën e Kushtetutës.
Të gjitha dokumentet zyrtare konfirmojnë se Sonila Bejtja nuk përfshihet në këtë skemë rotacioni. Kushtetuta parashikon qartë se mandatet e përkohshme i takojnë vetëm atyre gjyqtarëve që kanë zëvendësuar paraardhësit e tyre, të cilëve u përfundoi mandati përkatësisht në vitet 2017 dhe 2020 – përkatësisht Holta Zaçaj dhe Sandër Beci.
Ndërkohë, gjyqtarja Bejtja është emëruar në vend të një gjyqtari që kishte përfunduar mandatin në vitin 2016. Ajo është caktuar në detyrë për një mandat të plotë, fakt ky i dokumentuar si nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, gjatë kohës që drejtohej nga Ardian Dvorani, ashtu edhe nga Presidenti i asaj kohe, Ilir Meta.
Një parim i njohur në jurisprudencë është: “Ajo që nuk e ka bërë Kushtetuta, nuk mund ta bëjnë organet e tjera.”
Megjithatë, Sokol Sadushi, me mbështetjen e Presidentit Bajram Begaj, po synon të bëjë pikërisht atë që Kushtetuta nuk e ka parashikuar – ndërprerjen e një mandati kushtetues në mënyrë të njëanshme dhe antikushtetuese.
Qëllimi përfundimtar është që Sadushi të ketë kontrollin mbi përzgjedhjen e tre gjyqtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, përpara përfundimit të mandatit të tij si kryetar i KED-it në dhjetor të vitit 2025.
Dhjetë vjet pas miratimit të Reformës në Drejtësi, jemi në prag të një realiteti të ri: një “shtet i Sokol Sadushit”, ku skemat antikushtetuese dhe të centralizuara synojnë të krijojnë një korporatë të drejtësisë – të kontrolluar nga pak duar.