Day: June 3, 2025

  • Stojkoviç beson se Serbia fiton në Tiranë, por u trembet “dy milionë shqiptarëve” që aplikuan për bileta

    Stojkoviç beson se Serbia fiton në Tiranë, por u trembet “dy milionë shqiptarëve” që aplikuan për bileta

    Adriatik BALLA
    Trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviç, është aq i trembur sa ngatërron shifrat. Interesimin e 200 mijë kërkesave që u bënë për bileta në Tiranë u ka shtuar një “0” nga mbrapa e i ka bërë 2 milionë. Sipas tij 2 milionë shqiptarë kanë kërkuar ta shohin këtë ndeshje, në një farë mase duke i mbajtur të karikuar të vetët. Megjithatë, trajneri Stojkoviç nuk pret të ketë telashe. Ai thotë se dy federatat kanë raporte të shkëlqyera dhe se pritja e përfaqësueses së Serbisë do të jetë shumë e mirë. Në konferencën e gjatë për shtyp, të mbajtur të hënën paradite në Beograd, Stojkoviç ka thënë se ndeshjen e shikojnë vetëm në aspektin sportiv.
    “Ndeshje jashtëzakonisht e rëndësishme për ata dhe për ne. Por është vetëm ndeshje. Janë miqtë tanë të futbollit, do ta organizojmë bashkë Evropianin për të rinj. Në këtë ndeshje shikojmë vetëm në aspektin sportiv. Terreni do të tregojë kush është më i mirë. Kurrfarë tensionesh politike, kurrfarë porosi të tifozëve, kurrfarë deklaratash të disa të çmendurve që duan të krijojnë gjendje lufte nuk na interesojnë dhe nuk do të jetë ashtu. Jam i bindur se do të kemi pritje shumë të mirë dhe që organizimi i ndeshjes do të jetë plotësisht në kontroll dhe nuk mund të ndodhë asgjë e jashtëzakonshme që mund të na shokojë”, ka thënë Stojkoviç.
    Presioni dhe provokimet
    Sipas teknikut serb, në Tiranë gjithçka pritet, por skuadra sipas tij duhet të qëndrojë e qetë. “Nga përvoja e di që do të kemi pritje të mirë, në kuptimin e mikpritjes, njëjtë si në ndeshjen e revanshit te ne. Që do të jetë atmosferë në tribunë, e si të jetë ndryshe? A do të qëndrojnë ulur dhe të shikojnë? Natyrisht që do të anojnë, që do të provojnë të na dekoncentrojnë. Do të tentojnë të bëjnë gjithë atë që bëjnë tifozët për ekipin e tyre. Mendoni se parisienët ishin të mirë në raport me tifozët e Interit? Janë dëgjuar lloj-lloj fjalësh. Por terreni është ai që e sjell rezultatin. Kështu që ne jemi plotësisht të fokusuar që ta luajmë ndeshjen dhe në këtë frymë edhe përgatitemi”, thekson Stojkoviç.
    Ai ka vazhduar duke thënë se qëllimi i Serbisë është të fitojë në Tiranë, ndonëse ka vlerësuar kuqezinjtë. “Vlerësoj se Shqipëria është ekip jashtëzakonisht i mirë, të mos i numëroj lojtarët që luajnë në top-pesë ligat evropiane. Është ekip shumë i mirë dhe shumë i fortë. Por kjo nuk do të thotë se shkojmë për t’u mbrojtur apo me flamur të bardhë. Këtë nuk do ta shihni. Ka dy milionë, vetëm që nuk ka stadium me atë kapacitet, asnjë në botë. Më thonë që i kanë kërkuar dy milionë bileta. Por është gjithnjë rrëfimi i njëjtë. Gjithnjë ngrihet tension i njëjtë. Është atmosferë normale para një ndeshjeje të rëndësishme.
    Natyrisht se rivaliteti ekziston dhe do të ekzistojë gjithnjë. Por ne i shohim si miq të sportit dhe ata na shohin njëjtë. E di që raportet mes dy federatave janë në nivel jashtëzakonisht të lartë. Lojtarët janë mjaftueshëm me përvojë që të përballojnë këtë atmosferë elektrizuese. Nuk janë fëmijë që janë për herë të parë në stadium. Pres reagim të shkëlqyer dhe një Serbi të vendosur për atë që do që ta fitojë ndeshjen. Është me rëndësi të fillojmë fort, të fillojmë pozitivisht dhe të fillojmë me fitore”, shtoi ai.

  • Ndryshimet klimatike, Mbretëria e Bashkuar regjistron pranverën më të thatë në 50 vite

    Ndryshimet klimatike, Mbretëria e Bashkuar regjistron pranverën më të thatë në 50 vite

    Mbretëria e Bashkuar ka përjetuar pranverën e saj më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë dhe më të thatën në 50 vjet.

    Shifrat paraprake treguan se temperaturat e pranverës tejkaluan mesataren afatgjatë me 1.4°C – me një temperaturë mesatare prej 9.5°C. Kjo tejkaloi pranverën e mëparshme më të ngrohtë të regjistruar në vitin 2024.
    Rekordet e temperaturës u thyen në të katër vendet në Mbretërinë e Bashkuar – me 1.64 gradë C mbi mesataren afatgjatë në Irlandën e Veriut, 1.56 gradë C mbi mesataren në Skoci, 1.3 gradë 9C në Uells dhe 1.3 gradë C në Angli.
    Në të dhënat që datojnë që nga viti 1884, Zyra Meteorologjike e Britanisë tha se 8 nga 10 pranverat më të ngrohta kishin ndodhur që nga viti 2000, dhe tre më të ngrohtat kishin qenë që nga viti 2017.
    Zyra Meteorologjike paralajmëroi se Mbretëria e Bashkuar do të ketë një verë më të nxehtë se zakonisht, me një rrezik në rritje të valëve të të nxehtit gjatë tre muajve të ardhshëm.

    Top Channel

  • Temperatura deri në 31 gradë Celsius, parashikimi i motit për këtë të martë

    Temperatura deri në 31 gradë Celsius, parashikimi i motit për këtë të martë

    Ditën e martë vendi ynë do të jetë në ndikimin e kushteve atmosferike të qëndrueshme.

    Moti parashikohet me kthjellime dhe vranësira të pakta kalimtare, ku termometri do të prekë vlerën 31 gradë celsius.
    Shkodra, Fieri, Tirana, Elbasani dhe Gjirokastra do të regjistrojnë vlerën më të lartë të temperaturave. Ndërsa  minimalja do të regjistrohet në Bajram Curr, me 25 gradë Celsius.
    Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare 6-9 m/s.
    Deti do të jetë me valëzim 2- 3 ballë.

    Top Channel