Day: June 3, 2025

  • Vidhen sende me vlerë, USB dhe dokumente në një banesë në Tiranë. Policia identifikon 4…

    Vidhen sende me vlerë, USB dhe dokumente në një banesë në Tiranë. Policia identifikon 4…

    Një vjedhje ka ndodhur dje në një banesë pranë një qendre tregtare në zonën e “Zogut të Zi” në kryeqytet.

    Autorët e vjedhjes kanë marrë sende me vlerë në banesë, por edhe dokumente, usb dhe hardisk.

    Komisariati nr.2 ka arritur të identifikojë autorët të cilët dyshohet se kanë qenë 4 persona, ku dy prej tyre janë arrestuar.

  • Deputeti demokrat Çollaku: Në këtë gjendje që jemi nuk do të fitojmë kurrë, PD ka nevojë për rikonceptim

    Deputeti demokrat Çollaku: Në këtë gjendje që jemi nuk do të fitojmë kurrë, PD ka nevojë për rikonceptim

    Deputeti Kreshnik Çollaku, thotë se PD në situatën që është sot, nuk mund t’i afrohet kurrë pushtetit. Për të votat që ka marrë në zgjedhjet e 11 majit PD janë vota personale të Sali Berishës, teksa shtoi se askush tjetër nuk ka bërë diçka që do t’i shtonte më shumë vota kësaj force politike.
    ”Unë mendoj se sot çdo demokrat duhet ta lexojë qartë realitetin. PD në këto kushte që është sot, sa herë të përsëriten votimet, nuk ka asnjë shans që t’i qaset pushtetit. PD ka nevojë për një reformim të thellë, që nuk lidhet vetëm me ndryshim emrash, drejtuesish, por duhet ta rikonceptojmë, të gjejmë atë konceptin e parë, themeltar të PD-së.

    PD duhet të kthehet në një parti të hapur, që te kritika gjen oksigjenin, civilitetin, energjinë. PD duhet të braktisë modelin e një partie ku kritikët konsiderohen armiq dhe tradhtarë. PD duhet të lexojë realitetin. Votat opozitare ndahen në 3 blloqe. 400-500 mijë janë vota mbështetëse të Sali Berishës. Askush nuk bëri asgjë të siguronte më tepër se këto vota të Berishës.
    A mjaftojnë këto vota që PD të vijë në pushtet? Jo nuk mjaftojnë. Mungojnë rreth 200 mijë që nuk kanë votuar dhe rreth 130 mijë që kanë votuar partitë e reja. Formula që do të bëjë bashkë këto kontigjente votash, do të jetë formula që do e sjellë PD në pushtet”, tha Çollaku në ”A2 Cnn”.
    Pra deputeti demokrat Çollaku është i pari që kërkon analizë në PD për ristrukturim total të kësaj force politike.

  • Plas në PD/Aulon Kalaja: Votime ime jepej hapur për kandidatin tjetër demokrat te tavolina e numërimit!

    Plas në PD/Aulon Kalaja: Votime ime jepej hapur për kandidatin tjetër demokrat te tavolina e numërimit!

    Aktualitet Politikë E Mërkurë, 4 Qershor 2025 00:59

    Aulon Kalaja ka bërë akuza të forta për komisionet e numërimit në Durrës. Ai tha në Top news: Votime ime jepej hapur për kandidatin tjetër te tavolina e numërimit! Po kështu akuzon edhe Ilir Alimehmeti në Tiranë. Por duhet që Kolegji Zgjedhor të vendos në hapjen e kutive. Akuzat janë se komisionerët e PD-së janë shitur, duke shitur votën brenda llojit.

  • Vizita në Athinë, Ministri i Jashtëm Gerapetridis: Igli Hasani është me origjinë greke: Flet gjuhën tonë!

    Vizita në Athinë, Ministri i Jashtëm Gerapetridis: Igli Hasani është me origjinë greke: Flet gjuhën tonë!

    Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani zhvilloi një vizitë zyrtare në Athinë, ku u prit nga Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, George Gerapetritis.
    Ministri i jashtëm grek ka bërë me dije edhe një fakt që pak ishte i njohur për origjinën e homologut të tij shqiptar.
    “Kemi fatin e mirë që në Shqipërinë fqinje të shërbejë si Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme një njeri me aftësi të jashtëzakonshme dhe një njeri që flet gjuhën tonë: Gjuhën e arsyes evropiane. Por edhe gjuhën greke, për shkak të prejardhjes së tij greke, të cilën sot e nderon”, tha ai.
    Nga ana e tij, ministri Hasani theksoi lidhjet historike mes dy vendeve dhe angazhimin e përbashkët për thellimin e marrëdhënieve strategjike.
    “Sot me mikun tim, afirmuam angazhimin tonë të përbashkët për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe në një frymë miqësie, partneriteti dhe respekti të ndërsjellë. Këto marrëdhënie bazohen në interesat tona strategjike, në partneritetin tonë në NATO dhe synimin e përbashkët për një Evropë më të bashkuar“, tha Hasani.

  • Ndeshja me Serbinë/ Kombëtarja zhvillon seancën e dytë, Manaj nuk stërvitet me grupin

    Ndeshja me Serbinë/ Kombëtarja zhvillon seancën e dytë, Manaj nuk stërvitet me grupin

    Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar pasditen e sotme seancën e dytë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2026 ndaj Serbisë dhe Letonisë.
    Të gjithë lojtarët i janë bashkuar ekipit në grumbullim. Në stërvitjen e sotme nuk mori pjesë vetëm Rey Manaj, i cili po kalon një gjendje gripale dhe po mbahet në monitorim nga stafi mjekësor i Kombëtares.
    Stafi teknik i drejtuar nga trajneri Silvinjo zhvilloi stërvitje tekniko-taktike me lojtarët.
    Ditën e nesërme, ekipi do të zhvillojë stërvitjen e radhës, e cila do të jetë e hapur për mediat në 15 minutat e para.

  • Importet e hidrosanitareve rriten me 29% në janar-prill, u ndikuan nga ndërtimet në bregdet e Tiranë

    Importet e hidrosanitareve rriten me 29% në janar-prill, u ndikuan nga ndërtimet në bregdet e Tiranë

    Për periudhën janar-prill 2025 importet e grupit të qeramikës, arrijnë në një total prej mbi 102 mln kg, duke iu afruar niveleve të fillim viteve 2000, ku vendi u përball me fillimet e një bumi ndërtimor.Ky është niveli më i lartë i regjistruar për 4 mujorin në pothuajse 16 vitet e fundit, duke tejkaluar ndjeshëm vlerat e viteve të mëparshme.Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës importet e grupit të qeramikës janë rritur 29% sipas të dhënave të INSTAT. Në raport me periudhën para pandemisë së Covid-19, me vitin 2019 importet janë rritur 92%.Pas një rënie të moderuar nga pandemia Covid-19 në vitin 2020, importet nisën të rimëkëmben. Në vitet 2021–2024, volumi i importeve për grupin e qeramikës për muajt janar–prill qëndroi mes 76 dhe 79 mln kg, duke treguar një rikuperim të qëndrueshëm.Sipas përfaqësuesve të operatorëve të pajisjeve hidrosanitare rritja e importeve për periudhën janar-prill është ndikuar nga intesifikimi i aktiviteteve ndërtimore në vend që ka çuar edhe për një kërkesë në rritje për materiale ndërtimi, sidomos për produkte qeramike, si pllaka dhe hidrosanitarë.Për janar-prill 2025 importet u kryesuan nga India dhe Spanja, duke zënë përkatësisht secila 23% dhe 22% të peshës së totalit të periudhës. Pjesa tjetër e importeve dominohet nga Turqia me 13% të peshës, e ndjekur nga Serbia me 12% dhe Italia me 10% të peshës së totalit.Sipas përfaqësuesve të një prej kompanive të shitjes së hidrosanitareve rritja e importeve është e ndikuar tërësisht nga sektori i ndërtimit në jug të vendit, ku është përqendruar zhvillimi i projekteve turistike, si resorte, komplekse rezidenciale dhe hotele, por edhe të kryeqytetit.Ndërsa kërkesa e konsumatorit familjar për hidrosanitare vijon të jetë me rënie që pas pandemisë së Covid-19, për shkak të emigracionit të familjeve të reja.Ndonëse projektet e mëdha turistike dhe ndërtimet urbane në Tiranë mbajnë gjallë kërkesën për qeramikë, pritshmëritë e operatorëve për të ardhmen janë pesimiste, ku presin rënie të kërkesës për apartamente nga familjarët, e ndikuar nga emigracioni dhe çmimet e larta të shitjes, e cila pritet të reflektohet edhe në sektorin e tyre. / D.AzoBurimi: INSTATBurimi: INSTATKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • Intervista/ Presidenti Duka: Përballja me Serbinë është thjesht një ndeshje futbolli. Të mbështesim ekipin & të ecim përpara

    Intervista/ Presidenti Duka: Përballja me Serbinë është thjesht një ndeshje futbolli. Të mbështesim ekipin & të ecim përpara

    Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, dha një intervistë për emisionin “Andale Sport” me gazetarët Flori Thomaj dhe Benard Lazri.
    Gjatë intervistës, ai foli për karrierën e tij, përvojën në biznes dhe futboll, zhvillimin e Federatës, organizimin për herë të parë në vendin tonë të një Kampionati Europian, objektivat për të ardhmen, kampionatin “Abissnet Superiore”, si dhe për ndeshjen e Kombëtares shqiptare ndaj Serbisë më 7 qershor.
    Më poshtë, intervista e Presidentit Duka për “Andale Sport”:
    – Vini nga një familje që është marrë me sport, por edhe me biznes që herët. A mendoni se eksperienca në biznes ka ndikuar në ringritjen e futbollit shqiptar?
    – Në një lloj mënyre çdo gjë është menaxhim. Menaxhimi është një gjë universale dhe kjo gjë më ka ndihmuar mua. Edhe profesioni im ky është, ekonomist për industri, këtë kam studiuar. Doja të thoja që menaxhimi është kudo njëlloj. Eksperienca që merr nga menaxhimi i biznesit mund ta ndihmojë fushën e futbollit, e njëjta gjë anasjelltas. Ka një lloj sinergjie.
    – Organizimi i fundit në Shqipëri ishte Euro U17. Çfarë mori Shqipëria nga ky kompeticion?
    – Kishte shumë punë në përgatitje, për ndërtimin e infrastrukturës. Sporti krahasohet edhe me artin. Të përgatitësh një ndeshje nuk është vetëm 22 veta në fushë, por ka një përgatitje të madhe, aq më tepër kur ke një kompeticion europian, qoftë edhe me 8 skuadra.
    Janë rikonstruktuar 10 fusha futbolli. Janë bërë punime në 4 stadiumet ku luhet, aq më tepër në Rrogozhinë që gati u bë nga e para. Futbolli shqiptar fitoi promovimin, të rinjtë që vijnë në shkallët e stadiumit dhe qëllimi ynë kryesor është t’i afrojmë në sport. Ka edhe përfitime në imazhin e vendit. Pak me U17, pak me U21, pak deti, pak mali, pak nga të gjitha dhe ne do të rritemi.
    – Çfarë mendoni se i mungoi U17-s së Shqipërisë për të bërë paraqitje më të mira?
    – Jam i kënaqur me çfarë kanë dhënë djemtë në fushë. Ishim në një kompeticion me 7 ekipet më të mira në Europë. Një kompeticion ku mbeti jashtë Spanja. Ne kemi skuadër të mirë dhe premtuese. Ata janë çuna që do të rriten dhe do vijë dita t’i shohim në ekipin e parë të Shqipërisë.
    Do isha më i lumtur nëse do ishim kampionë Europe, por fakti që jemi konkurrues në një kompeticion europian është gjë e mirë. Ata rriten dhe fitojnë eksperiencë. Të gjithë ne, administrata e Federatës, eksperiencë e jashtëzakonshme. Nuk jam unë ai që duhet të jap nota për organizimin e kompeticionit. Kemi pasur një darkë zyrtare me delegacionet e skuadrave në Shqipëri dhe përfaqësuesi i federatës angleze më tha që edhe ne e kemi organizuar në vitin 2018 Kampionatin Europian U-17 dhe që kam qenë në disa Euro U17, por më të mirë se ky nuk kam marrë pjesë asnjëherë.
    Nuk është puna se na bëhet qejfi, por na tregon që kemi fituar eksperiencën e duhur, kemi bërë një hap përpara dhe shohim të shkojmë akoma më shumë, sepse ky është edhe një vetë-testim për Europianin U21 në vitin 2027.
    – Një nga planet e FSHF është të dyfishojë numrin e fëmijëve që luajnë futboll. Si do arrihet konkretisht?
    – Kjo është një nga objektivat kryesore që ka Federata, por edhe një sfidë e vështirë, pavarësisht se kemi bërë progres. Ka 2 arsye themelore. Fatkeqësisht ka më pak fëmijë në Shqipëri dhe e dyta ka infrastrukturë të mangët. Ne kemi përmirësuar nga ana kualitative, edhe impiantet stërvitore, por mungon inventari fizik i fushave të futbollit.
    Mungon futbolli i rrugës dhe e vetmja mënyrë është të ketë futboll të organizuar me strukturë të organizuar. Realisht mungon aty ku duhet të ketë më shumë, në qytetet me densitet të madh si Tirana.
    Sepse sipërfaqet e lira në Tiranë janë të limituara ose janë shfrytëzuar për ndërtime. Ne luftojmë për t’u rritur dhe kemi bërë projekte për ta shtuar inventarin, duke ofruar financime dhe grante edhe për çdo bashki apo individ që do të bëjë një fushë futbolli.
    – Një tjetër organizim i rëndësishëm është edhe Euro U21, por edhe i shumëpërfolur për bashkëpunimin me Serbinë. Në çfarë faze jemi aktualisht?
    – Kemi përgatitur çdo plan. Ka qenë faza e garimit për të marrë të drejtën e organizimit të kampionatit. Kemi përcaktuar stafin dhe jemi gati. Është më e vështirë se U17 sepse është i dyti për nga rëndësia e Europianit në UEFA. Niveli i vështirësisë është i lartë.
    Kemi përcaktuar ku do luhet, ku do bëhen stërvitjet, dhe vendet e akomodimit, dhe kemi 2 vjet kohë për ta përgatitur. Jam i sigurt që do ta bëjmë në mënyrën më perfekte të mundshme. Vendimi për të marrë një kampionat me Serbinë nuk është i lehtë. Ky është një organizim sportiv. Kampionatet do të luhen në 2 vende të ndryshme.
    Mesazhi për mua është pozitiv. Ne duhet të shohim përpara. Gjithë bota flet për marrëdhënie të paqta dhe zhvillim, ndaj edhe fëmijëve tanë nuk duhet t’u lëmë luftë, por paqe.
    – Po afron edhe ndeshja me Serbinë, në datën 7 qershor?
    – Edhe kjo ndeshje e ka sensibilitetin, por edhe eksperiencën që ka Shqipëria në organizimin e ndeshjeve kundër Serbisë apo pak a shumë si ndaj Greqisë. Ajo që duhet përqendruar është rezultati sportiv sepse në këtë grup, çdokush që ndjek futbollin e projekton Anglinë si vendin e parë dhe kjo ndeshje na jep mundësinë të vazhdojmë të ëndërrojmë ose na e zbeh atë.
    Nga pikëpamja sportive vazhdoj të mendoj që është e vështirë dhe ka presion edhe për djemtë që luajnë. Kërkesat janë të larta dhe stadiumi do jetë i tejmbushur. Uroj mos të jetë presion që e ndrydh ekipin tonë, por të jetë një shtysë për t’i rritur drejt një rezultati pozitiv. Uroj që ekipi jonë ta shfrytëzojë pozitivisht.
    – A është frika e një incidenti në Tiranë?
    – Ne bëjmë bashkëpunimin me institucionet organizative. Dhe i bëjmë thirrje gjithë mbështetësve ta shohin si një ndeshje futbolli. Të bashkëpunojnë me ne për të pasur një organizim pozitiv, me emocionet e një ndeshje futbolli. Incidentet nuk ndihmojnë askënd. Le të mbështesim skuadrën dhe të ecim përpara.
    – Së fundmi, Igli Tare është bërë drejtor sportiv te Milani. Si ndiheni për këtë arritje?
    – E njoh nga afër dhe e mbaj mend që nga koha kur ishte futbollist në Kombëtare. Është me shumë vullnet dhe punon shumë. Ka punuar shumë. Kam besim dhe e ka treguar që atë detyrë e bën mirë. Kjo nuk është një krenari personale, por krenari për një shqiptar që bën sukses në arenën ndërkombëtare. Sukseset tona në arenën ndërkombëtare nuk janë të shumta që ne mos të krenohemi që kemi drejtorin sportiv të Milanit me origjinë shqiptare. Aq më shumë që unë në një lloj mënyre jam mbështetës i  Milanit.
    – A mendoni që edhe kampionati po bën hapa para ashtu si Kombëtarja?
    – Kampionati, për të bërë më shumë hapa para, për të qenë atraktiv, me më shumë kualitet dhe spektatorë, ka nevojë për një organizim më të mirë të klubeve dhe mbështetje financiare. Nuk është e lehtë që klubet të prodhojnë financa për të rritur nivelin, ndaj ka nevojë për mbështetje, që ka munguar gjithmonë në legjislacionin shqiptar.
    Historia ka treguar që presidentët e klubeve me dëshirën për të bërë një ekip më të mirë, edhe kanë rrënuar biznesin e tyre dhe kjo nuk është një gjë e mirë. Nga buxheti i shtetit për klubet e futbollit financohet 0, kështu ka qenë gjithmonë nga forcat politike në pushtet.
    Ne kemi propozuar të bëhet një paketë ligjore që mbështet futbollin, duke marrë shembull edhe nga vendet e tjera. Është e njëjta si ligji hungarez, i cili ka dhënë një rezultat të jashtëzakonshëm. Një ligj që parashikon të drejtën e financimit nga biznesi, ose të zbritjes së tatimit nga biznesi. E bën edhe Kosova dhe ka pasur sukses. Jo vetëm kjo, por siç edhe e thashë duhet edhe organizim më i mirë i vetë klubeve. Incentivimi, ngritja financiare e dërgon në një hap tjetër.
    Ka një premtim që do të bëhet këtë vit dhe unë shpresoj shumë që të bëhet këtë vit. Nuk është thjesht një donacion për sportin apo futbollin. Është një investim, sepse futbolli t’i kthen lekët. Ne jemi dëshmitarë të tregut që krijon futbolli, ekonomisë që krijon futbolli. Sepse edhe sot futbolli ka impakt në ekonominë e vendit.
    – Formula e “Final 4” do të vazhdojë apo mendoni që duhet të gjendet një skemë tjetër, që tërheq më shumë?
    – Me apo pa “Final 4” do bëhet i njëjti diskutim. Çdo formulë ka pikat e forta dhe të dobëta. Ne kemi kërkuar dhe menduar ta bëjmë “Final 4” për të prodhuar një kompeticion më shumë, për të promovuar futbollin. Është ndjekur më shumë sesa kampionati i 36 javëve. Nga pikëpamja e promocionit, emocionit, suspansës që krijon është pozitive.

  • Kryeministri sllovak lavdëron Melonin: Marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët është zgjidhje inovative

    Kryeministri sllovak lavdëron Melonin: Marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët është zgjidhje inovative

    Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka pritur sot në takim zyrtar në Palazzo Chigi Kryeministrin e Sllovakisë, Robert Fico. Mediat italiane shkruajnë se homologët shprehën kënaqësinë për intensitetin dhe cilësinë e dialogut politik, institucional dhe të ekspertëve midis Italisë dhe Sllovakisë.
    Gjithashtu bëhet me dije se një nga temat që u diskutua ishte edhe ajo e marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët. Lidhur me menaxhimin e flukseve të migracionit, ata pohuan rëndësinë e luftimit të emigracionit të parregullt dhe bënë thirrje për rritje të bashkëpunimit me vendet e origjinës dhe tranzitit.
    Fico shprehu mbështetjen e tij për qëndrimet italiane në kuadër të vendimit paraprak në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Evropian mbi konceptin e një vendi të sigurt origjine. Sipas mediave në vendin fqinj, të dy vendet njohën rëndësinë e zgjidhjeve “inovative” si ajo që Italia ka nisur me Shqipërinë.
    “E vlerësoj shumë qasjen pragmatike të Kryeministres suaj”, tha Robert Fico.
    Po ashtu takimi u përqendrua gjithashtu në kontekstin më të gjerë evropian dhe gjeopolitik. Mësohet se të dy kryetarët e qeverive diskutuan mbështetjen e tyre për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë dhe angazhimin e tyre për rindërtimin e vendit në kuadrin e Konferencës së Rimëkëmbjes së Ukrainës që Italia do të presë në korrik 2025.
    Në përfundim, të dy udhëheqësit rikujtuan angazhimin e tyre për një Lindje të Mesme të qëndrueshme dhe paqësore. Ata bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe një armëpushim të përhershëm në Rripin e Gazës.

  • PSG-Inter nuk ka mbaruar, UEFA hap hetim: skandali i fundit!

    PSG-Inter nuk ka mbaruar, UEFA hap hetim: skandali i fundit!

    Nuk është vetëm një rezultat, është një turperim. 5-0 me të cilin Paris Saint-Germain shkatërroi Interin në finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2025 në Mynih është bërë tashmë një pjesë e historisë së futbollit.
    Asnjë ekip, përpara atij të Luis Enriques, nuk kishte fituar ndonjëherë një finale evropiane me një diferencë kaq të madhe. PSG fitoi kështu Kupën e saj të parë me veshë të mëdhenj dhe e bëri këtë në mënyrën më sensacionale të mundshme: duke dominuar nga fillimi në fund, pa u lejuar kurrë Nerazzurrëve as edhe një iluzion.
    Për tifozët parizienë, është një apoteozë. Megjithatë, për Interin, është një humbje që është e vështirë të fshihet. Një nokaut shumë i rëndë, që shkatërroi ëndrrat dhe hapi çarje. Poshtërimi sportiv u shndërrua shpejt në një bumerang mediatik: nga talljet e tifozëve të Milanit deri te ironitë në mediat sociale, interneti u lëshua kundër një ekipi që, deri pak javë më parë, ëndërronte një tripletë.
    Nerazzurrët u larguan nga Mynihu me pesë gola në shpinë dhe shumë, shumë pyetje për të ardhmen. Por ndërsa në Milano po numërohen dëmet morale, në Paris po mbërrijnë më shumë, të një natyre shumë të ndryshme.
    Festimi i egër i tifozëve të Paris Saint-Germain rrezikon të shndërrohet në një bumerang disiplinor. UEFA, në fakt, është gati të ndërhyjë me grusht të hekurt pas asaj që ndodhi në ndeshjen pas finales së Ligës së Kampionëve. Të paktën dy pika në axhendën e Komitetit Disiplinor Evropian, i cili në orët e ardhshme mund të komunikojë sanksione të rënda kundër klubit francez.
    E para ka të bëjë me përdorimin masiv të bombave të tymit dhe fishekzjarrëve, tashmë afër fishkëllimës së fundit. Një re e dendur tymi pushtoi fushën dhe ishte e dukshme edhe drejtpërdrejt në skenën botërore. Një situatë kufitare, e cila vetëm rastësisht nuk e detyroi gjyqtarin të ndërpresë ndeshjen. Përdorimi i këtyre pajisjeve piroteknike është i ndaluar nga rregulloret e UEFA-s, të cilat në vitet e fundit kanë miratuar një vijë tolerance zero.
    Episodi i dytë ka të bëjë me pushtimin e fushës menjëherë pas fishkëllimës së fundit. Mijëra tifozë parizienë kapërcyen barrierat e sigurisë dhe u derdhën në fushë, duke i detyruar lojtarët e PSG-së të strehoheshin shpejt në dhomat e zhveshjes.
    Situata rrezikoi të degradonte kur një grup ultrasish u përpoqën të hynin në dhomën e zhveshjes për të arritur fizikisht në kupë. Përpjekja dështoi, por mjaft serioze për të njoftuar UEFA-n. Tani presim verdiktin zyrtar. Por në Paris, pas natës së rekordeve, mund të vijnë ditë të hidhura.

  • Plagosja e 15-vjeçarit në Ali Dem, policia gjen armën e përdorur nga autori

    Plagosja e 15-vjeçarit në Ali Dem, policia gjen armën e përdorur nga autori

    Policia e Tiranës ka gjetur armën e përdorur nga 21-vjeçari, që plagosi të miturin dy ditë më parë (1 qershor), në një piceri në zonën e Ali Demit në kryeqytet.
    Sipas njoftimit të policisë, arma u gjet në rrugën “Riza Çuka”, në Laprakë.
    “Në vijim të veprimeve hetimore të kryera me qëllimin dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur me datë 01.06.2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në rrugën “Riza Çuka” Laprakë, kanë gjetur dhe sekuestruar armën atipike me të cilën shtetasi A. N, 21 vjeç, dyshohet se plagosi 15-vjeçarin”, njofton policia.
    Ngjarja ndodhi në një piceri në zonën e “Ali Demit” në Tiranë. E gjitha ka ndodhur aksidentalisht, pasi autori ka nxjerrë armën atipike (e cila nuk konsiderohet armë zjarri e mirëfilltë, por e modifikuar), dhe ka shkrehur gabimisht, plumbi i së cilës e ka kapur të miturin në qafë.
    Ndërkohë më herët u bë e ditur se 15-vjeçari kishte rreth dy javë që ishte punësuar në piceri, pasi ishte piceri e kushëririt e tij dhe kishte nisur punë për ta ndihmuar. I mituri, nuk rezulton të ketë qenë i siguruar apo brenda rregullave të ligjit të punës për shkak të moshës. Hetuesit do të kërkojnë informacion te institucionet e tjera për të sqaruar situatën ligjore të punësimit.