Day: May 30, 2025

  • VIDEO/ Në Shijak digjen mbeturina pranë shtëpive, banorët ngrejnë alarmin: Po na mbyt tymi

    VIDEO/ Në Shijak digjen mbeturina pranë shtëpive, banorët ngrejnë alarmin: Po na mbyt tymi

    Një situatë alarmante po ndodh në fshatin Hardhishtë të Shijakut, ku mbeturinat e grumbulluara në një zonë të hapur po digjen në mënyrë të qëllimshme gjatë natës. Banorët denoncojnë se kjo praktikë e rrezikshme është kthyer në rutinë, duke krijuar një ndotje të madhe të ajrit dhe duke vendosur në rrezik serioz jetën dhe shëndetin e tyre.
    Sipas denoncimit, zjarri është ndezur sërish mbrëmjen e sotme në vendin ku zakonisht hidhen mbeturinat, ndërsa një makinë policie ka mbërritur në vendngjarje pas njoftimit urgjent të banorëve, të cilët po përballen me tym të dendur dhe rrezik real asfiksimi.
    “Është katastrofë. Na mbytën, me atë mjet policie s’e shuajnë dot zjarrin. Po rrezikohet i gjithë fshati,” thotë një nga banorët per SYRI TV.
    Banorët i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të marrin masa urgjente për të ndaluar djegien e mbetjeve dhe për të garantuar sigurinë e komunitetit. Ata kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të zjarrfikësve dhe inspektoriateve mjedisore për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

  • Mbetjet spitalore në Koplik ende të pa asgjësuara, ekskavatori që i mbuloi zhduket pa përfunduar hetimi

    Mbetjet spitalore në Koplik ende të pa asgjësuara, ekskavatori që i mbuloi zhduket pa përfunduar hetimi

    Rreth një muaj pas denoncimit të emisionit “Fiks Fare” për mbetjet spitalore të hedhura në mënyrë të paligjshme në fshatin Mihaj të Koplikut, situata mbetet alarmante.

    Mbetjet ndodhen ende në të njëjtin vend, të pa asgjësuara, ndërkohë që ekskavatori që dyshohet se i mbuloi, është zhdukur nga vendngjarja pa u identifikuar ende pronari dhe pa përfunduar hetimet.
    Në kohën e publikimit të rastit, policia kishte vendosur shirita sigurie rreth zonës dhe mbante nën vëzhgim territorin, ndërsa një ekskavator ndodhej në vendngjarje. Bashkia e Malësisë së Madhe u distancua nga mjeti, duke deklaruar se nuk ishte në pronësi të saj dhe deri më sot nuk ka pasur një konfirmim zyrtar se kujt i përkiste mjeti ndërtimor që mbuloi mbetjet e rrezikshme.
    Gjatë një rikthimi në zonë gazetarët konstatuan praninë e një makine të policisë bashkiake në rrugën kryesore dhe një punonjës i saj ndodhej jashtë mjetit. Aksesi drejt grumbullimit të mbetjeve ishte i lirë, pa asnjë ndalim. Zona ishte ende e rrethuar me shirita, por ekskavatori nuk ishte më në vend.
    Punonjësi i policisë bashkiake tha se vendi po ruhej me urdhër, por nuk kishte informacion për zhdukjen e ekskavatorit.
    “Kanë ardhur dhe e kanë marrë, unë nuk e di kush. E kishte policia e shtetit më parë. Nuk e dimë se çfarë është bërë me të”, u shpreh ai.
    I pyetur për aromën e rëndë dhe rrezikun që paraqesin mbetjet spitalore, punonjësi u shpreh se është e pamundur të qëndrosh gjatë aty dhe se shpesh qëndron në makinë për shkak të mungesës së kushteve.
    Gjithashtu, ai theksoi se nuk hidhen më mbetje urbane në atë vend, përveç ndonjë kamioni të rrallë të bashkisë.
    Për këtë rast, gazetarët e Fiksit kërkuan një përgjigje nga Prokuroria e Shkodrës me një kërkesë për informacion. Ku ndër të tjera e pyet nëse ka një vendim për ruajtjen e vendit të ngjarjes dhe nëse është identifikuar personi apo institucioni që ka larguar ekskavatorin. Prokuroria e Shkodrës ka reaguar, duke njoftuar se çështja është ende në hetim dhe se nuk mund të ofrojnë informacion të mëtejshëm deri sa të përfundojë procesi hetimor.
    Rasti mbetet i pazgjidhur, ndërsa mbetjet spitalore të rrezikshme për shëndetin dhe mjedisin qëndrojnë ende të pa menaxhuara në mes të fshatit./TCH

  • Përplasja me Rusmajlin në KAS, Bardhi letër Begajt: Presidenca të qëndrojë larg procesit zgjedhor

    Përplasja me Rusmajlin në KAS, Bardhi letër Begajt: Presidenca të qëndrojë larg procesit zgjedhor

    Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi

    TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ka dërguar një letër Presidentit të Republikës, Bajram Beagj, përmes Letrës, nisur nga përplasja e anëtarit të KAS Ilirjan Rusmali, që rezulton njëkohësisht të jetë edhe Këshilltar Ligjor i Presidentit të Republikës, Bardhi kërkon që Presidenca të qëndrojë lareg procesit zgjedhor dhe verifikimit të tij.
    Bardhi sqaron se angazhimi i Kabinetit të Presidentit në procesin e administrimit të zgjedhjeve nënkupton që Institucioni i Presidentit të Republikës po cenon rëndë parimin e neutralitetit dhe përfaqësimit të unitetit të popullit.

    Letra e plotë:
    I nderuar z. President i Republikës,
    Me shumë shqetësim dhe në shkelje flagrante të parimit të neutralitetit politik të Institucionit të Presidentit të Republikës, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është njohur me faktin e përfshirjes së Kabitetit tuaj në procesin elektoral për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 Majit. Sipas Kushtetutës dhe ligjit, Presidenti i Republikës dhe Institucioni i Presidentit të Republikës është organ kushtetutes i pavarur, pa asnjë rol në procesin e administrimit të zgjedhjeve.
    Mirëpo në kundërshtim me këtë përgjegjësi Tuajën dhe të Institucionit të Presidentit të Republikës, rezulton e provuar përfshirja në procesin e administrimit të zgjedhjeve përmes Këshilltarit tuaj Ligjor  z. Ilirjan Rusmali, në rolin e anëtarit të Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Për vetë rolin dhe përgjegjësinë që ka KAS në procesin e zgjedhjeve, mënyrës ligjore të zgjedhjes së anëtarëve të tij , si dhe procesit kushtetues të zgjedhjes së Presidentit të Republikës apo përgjegjësive të mëvonshme kushtetuese të Presidentit të Republikës lidhur me rezultatin e zgjedhjeve, angazhimi i Kabinetit tuaj në procesin e administrimit të zgjedhjeve në fazë të mëhershme , është një ndërhyrje flagrante antikushtetuese e Institucionit të Presidentit të Republikës në zgjedhje.
    Kjo ndërhyrje e Juaja apo Institucionit të Presidentit të Republikës në procesin zgjedhor bie ndesh me nenin 86 të Kushtetutës, ku theksohet se ‘Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit’. Përmes angazhimit të Kabinetit tuaj në procesin e administrimit të zgjedhjeve Institucioni i Presidentit të Republikës po cënon rëndë parimin e përfaqësimit të unitetit të popullit.
    Ndërhyrja juaj në procesin zgjedhor, përmes Kabinetit tuaj, minon figurën e Presidentit të Republikës dhe e bën atë palë të certifikimit të një farse të plotë elektorale, sic provoi edhe Raporti Paraprak i Vëzhguesve të OSBE-ODIHR, ku theksohet shkrirja e shtetit me partinë në pushtet. Është e papranueshme që shkrirja e shtetit me partinë në pushtet të shtrihet deri tek figura e Presidentit të Republikës apo Institucioni i Presidentit të Republikës. Kjo dëmton në mënyrë të pakthyeshme rolin dhe përgjegjësinë tuaj si Kryetar i Shtetit, si institucion kushtetues mbi palët politike apo si unifikuesin e popullit.
    Nëse Institucioni i Presidentit të Republikës në kundërshtim me Kushtetutën ka vendosur përfshirjen aktive në procesin zgjedhor apo të shkrihet me partinë në pushtet, ky akt përbën një atentat ndaj demokracisë dhe vetë Kushtetutës, ku theksohet se ‘Qeverisja bazhohet në një sistem zgjedhjesh të lira dhe të barabarta’. Nëse partia në pushtet në procesin e certifikimit të farsës zgjedhore ka edhe përfshirjen aktive të Institucionit të Presidentit të Republikës, përmes angazhimit të Kabinetit tuaj, atëherë vija ndarëse mes shtetit dhe partisë shkelet në mënyrën më flagrante.
    Z. President i Republikës,
    Në përputhje me rolin Tuaj kushtetues ju duhet të sqaroni nëse keni autorizuar përfshirjen e Kabinetit tuaj në certifikimin e ‘zgjedhjeve’, nëse qëndrimet e Kabinetit tuaj në sulmin publik ndaj përfaqësuesve të Partisë Demokratike në KQZ përfaqësojnë edhe qëndrimet e Presidentit të Republikës, si dhe të ndërprisni menjëherë përfshirjen/angazhimin Tuaj, përmes Kabinetit, në procesin e administrimit të zgjedhjeve, sepse sipas Kushtetutës dhe Ligjit, Institucioni i Presidentit të Republikës nuk ka asnjë përgjegjësi të këtillë. Ju keni përgjegjësinë e menjëhershme të ndërprisni shkrirjen e shtetit me partinë në pushtet dhe të ruani paanësinë dhe neutralitetin politik të Institucionit të Presidentit të Republikës në procesin zgjedhor.

  • Lumir Abdixhiku: Kosovës i duhet një “SPAK”, si ai i Shqipërisë!

    Lumir Abdixhiku: Kosovës i duhet një “SPAK”, si ai i Shqipërisë!

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale se vendi ka nevojë për një “SPAK”.
    Thirrja e tij vjen për të hetuar korrupsionin, pasi shprehet se familjarët e pushtetarëve po përfitojnë në “subvencione, grante dhe në shitblerje të megavatëve”.
    Për këtë arsye, sipas Abdixhikut, Kosovës i duhet një Strukturë e Posaçme Kundër Korrupsionit që të afërmit e pushtetarëve “ta provojnë fatin aty më pas”.
    “Do ta bëjmë”, shkruan ai.
    SPAK (Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) është një institucion i pavarur brenda sistemit të drejtësisë në Shqipëri, i ngritur si pjesë e Reformës në Drejtësi, me synimin për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta të shtetit.

  • Masat ndëshkuese të BE, për dy vite Kosovës i pezullohen mbi 613 milionë euro

    Masat ndëshkuese të BE, për dy vite Kosovës i pezullohen mbi 613 milionë euro

    Masat ndëshkuese ndaj Kosovës të vendosura nga Bashkimi Europian kanë sjellë pasoja financiare. Mbi 613 milionë euro konsiderohet se është vlera e projekteve që janë pezulluar, ndërsa mbi 7 milionë janë humbur tërësisht. Heqja e graduale e masave është paralajmëruar nga Kaja Kallas por nuk është sqaruar se kur ato do të hiqen tërësisht.
    Prej dy vitesh Kosova është nën masat ndëshkuese të Bashkimit Europian. Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme Kaja Kallas paralajmëroi heqjen graduale të tyre duke kushtëzuar me situatën në terren në veri.
    Bashkimi Europian nuk ka sqaruar se cilat masa kanë filluar të hiqen fillimisht apo se kur ato do të hiqen plotësisht.
    Mirëpo, ajo çfarë dihet janë pasojat financiare të këtyre masave ku disa prej projekteve të cilat kanë qenë të planifikuara të realizohen janë pezulluar ndërsa disa të tjera kanë humbur në tërësi.
     “Vlera totale e këtyre projekteve është 613.4 milionë euro. 7.1 milionë euro nga kjo vlerë kanë humbur në tërësi kjo si rezultat i kalimit të afateve të lejuara për nisjen e procedurave për projekte të caktuara. Këto masa kanë ndikuar direkt në zbatimin e projekteve që financohen nga fondet IPA në vlerë prej 218 milionë euro dhe ËBIF në vlerë prej 395.5 milionë euro”, tha për A2 CNN Adelina Rukolli nga Instituti GAP.
    Nga fondet IPA janë ndikuar marrëveshjet e nënshkruara nga vitit 2020, 2021 dhe 2022 dhe një marrëveshje e paproceduar që është e vitit 2024.
    Ndërsa nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (ËBIF) janë bllokuar tetë aplikime për grante dhe kredi. Dy prej tyre gjatë vitit 2023 dhe gjashtë të tjera gjatë vitit 2024.
    “Sektorët më të prekur përfshijnë mjedisin me 350.7 milionë euro, energjinë me 114.4 milionë euro, digjitalizimin me 57 milionë euro dhe kulturën me 15 milionë euro”, theksoi Rukolli për A2 CNN
    Humbësit më të mëdhenj konsiderohen qytetarët pasi ka projekte që përfshirjen e shtrirjen e rrjetit të ujërave të zeza apo edhe të ngrohtores.
    Masat ndëshkuese u vendosen pas trazirave në katër komunat e veriut ku serbët kundërshtonin vendimin që kryetarët shqiptarë të hynin në objektet komunale.

  • Donald Trump hedh akuza ndaj Pekinit: Ka shkelur plotësisht marrëveshjen me ne!

    Donald Trump hedh akuza ndaj Pekinit: Ka shkelur plotësisht marrëveshjen me ne!

    Presidenti amerikan, Donald Trump, sinjalizoi të premten për një rinisje të tensioneve tregtare me Kinën, duke argumentuar se Pekini kishte “shkelur plotësisht” marrëveshjen për uljen e tarifave, një kohë kur duket se negociatat mes dy vendeve janë bllokuar.
    Komentet e Trumpit erdhën pasi sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha në një intervistë për Fox News se bisedimet tregtare me Kinën ishin “disi të bllokuara”.
    Dy ekonomitë më të mëdha të botës kishin rënë dakord në fillim të muajit për të ulur përkohësisht tarifat shumë të larta që kishin vendosur ndaj njëra-tjetrës, një pezullim që do të zgjaste 90 ditë, pasi zyrtarët e lartë të të dyja vendeve u takuan në Gjenevë.Por, të premten Trump shkroi në platformën e tij Truth Social:
    “Kina, ndoshta jo për habinë e disave, e ka shkelur plotësisht marrëveshjen me ne”, duke mos dhënë detaje të tjera.
    I pyetur për këtë postim në CNBC, përfaqësuesi Amerikan i Tregtisë, Jamieson Greer, tha: “Kinezët po vonojnë zbatimin e marrëveshjes, gjë që është krejtësisht e papranueshme”.Ai kritikoi Pekinin për vazhdimin e pengesave ndaj mineraleve kyç, duke shtuar se deficiti tregtar i SHBA-së me Kinën “vazhdon të jetë i jashtëzakonshëm”.
    Ai shtoi se Uashingtoni nuk po sheh ndonjë ndryshim të madh në sjelljen e Pekinit.
    Zëvendësshefi i stafit të Trumpit, Stephen Miller, tha për gazetarët të premten se “Kina nuk i ka përmbushur zotimet që kishte marrë përsipër me SHBA-në”, duke mos dhënë detaje të tjera.
    “Dhe kjo hap rrugën për çdo lloj veprimi nga ana e SHBA-së për të siguruar respektimin në të ardhmen”, shtoi ai.
    Të enjten, Bessent sugjeroi se mund të ketë përfshirje të drejtpërdrejtë të Trumpit dhe presidentit kinez, Xi Jinping, duke përmendur mundësinë e një bisede mes tyre. Greer u shpreh se ishte dakord me këtë ide.
    Që nga rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë në janar, ai ka vendosur tarifa të gjera për shumicën e partnerëve tregtarë të SHBA-së, me nievle veçanërisht të larta ndaj importeve nga Kina.
    Tarifat e reja të ndërsjella arritën nivele trefshifrore përpara uljes së tensioneve këtë muaj, kur SHBA-ja pranoi të ulte përkohësisht tarifat shtesë ndaj importeve kineze nga 145 për qind në 30 për qind.
    Kina, ndërkaq, uli tarifat shtesë nga 125 për qind në 10 për qind.Niveli i tarifave të SHBA-së është më i lartë pasi përfshijnë edhe një tarifë prej 20 për qind mbetet më i lartë pasi përfshin edhe një tarifë prej 20 për qind që Trump vendosi së fundmi mbi mallrat kineze për shkak të rolit të pretenduar të shtetit në tregtinë e paligjshme të drogave, një akuzë që Pekini e ka mohuar.
    Tarifat e larta SHBA-Kinë, gjatë kohës kur ishin në fuqi, bllokuan thuajse plotësisht tregtinë mes dy vendeve, ndërsa bizneset ndaluan dërgesat, në pritje të një marrëveshjeje për uljen e tarifave.

  • U shfaq me sy të nxirë në krah të Trump, Musk zbulon se kush e goditi me grusht

    U shfaq me sy të nxirë në krah të Trump, Musk zbulon se kush e goditi me grusht

    Elon Musk është shfaqur me sy të nxirë sot në një konferencë të përbashkët me presidentin e SHBA-ve Donald Trump, nga ku foli për largimin e tij nga administrata e Tump. Musk u pyet nga gazetarët se çfarë ka ndodhur me të.
    Musk tha se i biri i tij pesë vjeçar e ka goditur me grusht në fytyrë.

    “I thashë tim biri hajde, më godit në fytyrë, dhe ai e bëri”, u tha Musk gazetarëve.
    Kur presidenti amerikan u pyet për mavijosjen e Musk, ai deklaroi se nuk e kishte vënë re, edhe pse është më se e dukshme.

  • “11 Maji ka qenë masakër”, Lapaj: Kemi çuar fakte në SPAK dhe tek ndërkombëtarët

    “11 Maji ka qenë masakër”, Lapaj: Kemi çuar fakte në SPAK dhe tek ndërkombëtarët

    Kreu i Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, i ftuar në A2 CNN, deklaroi se ka bërë shumë referime në SPAK sa i përket zgjedhjeve të 11 majit.
    “Kemi bërë shumë referime në SPAK, te ndërkombëtarët… Kemi çuar fakte që po ndahen lekë ose po ndahet miell. Ka qenë masakër, nuk e mohoj këtë. Po të kishim çarë sistemin me 300 mijë vota, sot Shqipëria do të ishte me energji sepse do të ishte gati për zgjedhje të parakohshme që do ta rikthenin në jetë demokracinë. Sot Shqipëria është në mandatin e katërt. Unë, sa të jem në këtë rrugë, do mundohem t’i frymëzoj me modelin tim sa të kem mundësi. Mbase nuk i ka ardhur koha ideve tona. Zoti Berisha tha që janë patericë e Edi Ramës, por unë sot nuk jam me Ramën”, tha Lapaj.
    “Unë nuk jam marrë me opozitën, por ata janë marrë me ne. Dilte kryeministri i vendit dhe më atashonte mua me zotin Berisha. Pse, unë i kam bërë marrëveshjet me zotin Berisha? Ne kemi mandatin më të madh në historinë e Shqipërisë. Nuk ka pasur kurrë mandat me 64 268 vota. Kur të flasë ai mandati në Parlament, mendo një stadium me 64 268 njerëz”, shtoi Lapaj.

  • Për 7 milion lekë pension ushqimor, përmbaruesi i sekuestron shtëpinë

    Për 7 milion lekë pension ushqimor, përmbaruesi i sekuestron shtëpinë

    Alfred Trimi është një qytetar që është drejtuar në redaksinë e emisionit “Stop”, pasi në 2018-ën ka zgjidhur martesën në gjykatë dhe gjykata ka caktuar, që duhet të paguante një pension ushqimor për fëmijët 200 mijë lekë të vjetra në muaj.
    Alfredi tregon se pagoi disa kohë dhe më pas nuk pati mundësi, pasi ra pandemia dhe ish-bashkëshortja e tij, iu drejtua një përmbaruesi privat me emrin Elvin Hoxha. Ky i fundit vendosi sekuestron tek një makinë dhe një motori dhe më pas tek dyqani, të cilin e nxori në ankand.
    Vlera e pensionit ushqimor të papaguar është 7 milionë lekë të vjetra. Pasi e nxori në ankand tre herë dyqanin, kaloi tek shtëpia ndërkohë që qytetari shprehet se ka dhe një garazh, që e kalon vlerën që duhet të paguajë dhe përmbaruesi nuk e sekuestroi.
    Madje ai pretendon se e ka njoftuar, por nuk ka marrë përgjigje. Përmbaruesi Ilia Elezi shpjegon procedurën e ekzekutimit nga një përmbarues gjyqësor dhe thotë, se fillon sekuestro nga pasuri të luajtshme në të paluajtshme.
    “Në vitin 2018 kam zgjidhur martesën dhe më është caktuar një pension ushqimor për fëmijët. Pensioni ishte 200 mijë lekë të vjetra, e kam paguar për disa vite rregullisht. Në vitin 2020 edhe mbrapa që filloi pandemia, pata probleme me biznesin dhe që nga ai moment nuk e kam marrë veten ende. Personi në fjalë që ne kemi zgjidhur martesën i drejtohet një përmbaruesi privat, Elvin Hoxha, fillon që të bëjë një ekzekutim në pronat e luajtshme, që nuk u mor fare me to, makina dhe një motor.
    Ndërkohë që futet tek dyqani, një pronë e paluajtshme, që e kalon vlerën që bëhet fjalë për ekzekutim. E lashë të bënte tre ankande, nuk bëra ankimim nuk e shiti, heq dorë nga prova, heq sekuestron dhe sekuestron shtëpinë, që shtëpia e 15 fillon vlerën që bëhet fjalë. Unë kisha dhe garazh që e mbulon dyfish çmimin, por me atë nuk u mor fare dhe një ditë të bukur, zotëria thotë që nuk e di që ke garazh. Iu drejtova gjykatës derisa solli një vendim që e kishte rrëzuar tek Dhoma e Këshillimit, kërkesën për ndalimin e veprimeve përmbarimore që kërkova unë.
    Gjyqtarja e kemi shtyrë për në shtator, gjoja kishte avokaten pa qejf. Unë deri në shtator e kam, ose nuk e kam shtëpinë. Është vërtet mund edhe djersë. A ka mundësi që të shesë ato të tjerat, nuk po them që të mos i shesë, por jo shtëpinë. Po, fëmijët njerëz ku do të rrinë?!”, tha për mikrofonin e emisionit “Stop” denoncuesi.
    Si fillim, detyra e përmbaruesit është që t’i drejtohet ASHK-së, për të marrë informacion mbi të gjitha pronat, pavarësisht rasteve, kur debitorët mund të lajmërojnë për pronat.
    Së dyti ai nxjerr në ankand dyqan e garazh. Sipas Elezit, përmbaruesi mund të vendosë sekuestro në të gjitha pronat, por duhet të ketë parasysh, që mos të dëmtojë as debitorin./tvklan.al

  • ”Kohë e gjatë pa u parë vëllai im shqiptar!”, Youtuberi Speed takohet sërish Ramën

    ”Kohë e gjatë pa u parë vëllai im shqiptar!”, Youtuberi Speed takohet sërish Ramën

    Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një tjetër takim me Youtuber-in e njohur Speed.
    Ata janë takuar sërish në Mynih të Gjermanisë, teksa ndodheshin për turneun e legjendave Ultimate Champions Legends.
    “Kohë e gjatë pa u parë vëllai im shqiptar”, i drejtohet Speed kreut të qeverisë shqiptare. Ndërkohë Edi Rama e prezanton me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
    “Më ke munguar, u bë kohë e gjatë që kur jemi takuar”, i thotë Ramës më pas Speed.
    Ndërkohë e paralajmëron që në verë do të kthehet në Shqipëri.
    “Më mungon Shqipëria. Do të rikthehem në Shqipëri, do të vij këtë verë”, tha ai.
    Ndërkohë Rama e mbyll bisedën duke thënë për Speed: Është miku im.
    Youtuberi i famshëm botëror “Speed” ishte në Shqipëri në qershor të vitit të kaluar. Ai u takua në Tiranë me Kryeministrin Edi Rama, në zyrën e këtij të fundit.