Day: May 27, 2025

  • Silvinjo: Dueli me Serbinë i veçantë, kemi shanset tona

    Silvinjo: Dueli me Serbinë i veçantë, kemi shanset tona

    Adriatik BALLA
    Braziliani Silvinjo doli dje në konferencë për shtyp, pas publikimit të listës me 27 lojtarët e grumbulluar për dy sfidat e rëndësishme kundër Serbisë dhe Letonisë. Tekniku foli për zgjedhjet e tij, gjendjen fizike dhe formën e lojtarëve të thirrur, si dhe për rëndësinë e këtyre dy ndeshjeve. Ai u ndal veçanërisht te përballja me Serbinë, duke e cilësuar një ndeshje të fortë, që kërkon përqendrim maksimal dhe përgatitje të detajuar. “Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme.
    Do të jenë të rëndësishëm të 27 lojtarët, mesazhi i parë është që kemi nevojë për të gjithë. Janë dy ndeshje shumë të vështira për të harxhuar shumë energji. Të përqendrohemi te e para, Serbia. Nuk është ndeshje normale, e di, e njoh historinë. Por ne duhet të përqendrohemi te loja, duhet të bëjmë mirë, të jemi skuadër që lufton me zemër dhe shpirt, të mos humbim identitetin, të shkojmë në fushë e bëjmë futboll. Jam dakord që është ndeshje që duhet përgatitur mirë, e vështirë, por ne kemi shanset tona”, theksoi Silvinjo.
    Shanset me serbët
    Silvinjo foli më pas për rivalin e radhës, ekipin serb, të cilin tha se e ka parë duke luajtur, e njeh si skuadër dhe beson se ndaj tyre do të jetë e vështirë. “Janë dy ndeshje të forta, të vështira dhe fizike. Të dyja skuadrat kanë lojtarë të gjatë, kanë centimetra, fizikisht të forta. Për t’u përballuar kjo ndeshje, ti duhet të harxhosh shumë energji.
    Ne do të punojmë mbi mundësitë tona, jemi përmirësuar, kemi lojtarë të rëndësishëm, shumë prej tyre po kalojnë një moment të mirë. Kemi mundësi, duhet të punojmë mbi këtë, të përgatisim mirë të dyja ndeshjet. Futbolli luhet në 90 minuta dhe mund të ndodhë çdo gjë. Kemi pasur një rrugëtim vitin e fundit, duke luajtur me ekipe shumë të forta, por edhe serbët kanë luajtur me kundërshtarë të fortë. Ata janë një skuadër fizike, rinisin mirë, kanë cilësi teknike, por ne duhet të përballemi mirë dhe kemi mundësitë tona”, shtoi Silvinjo.
    Ndeshje nervash me Serbinë
    E pranoi edhe Silvinjo dje se përplasja me serbët mund të marrë karakter emotiv, ndaj duhet përgatitje psikologjike. “Jam i sigurt që duhet të punojmë për këtë aspekt, është ndeshje speciale. Por të mos harrojmë që shkojmë në fushë dhe aty është sport, 90 minuta. Duhet të përgatitemi shumë mirë për të përballuar të dy ndeshjet. Kam nevojë për 27 lojtarë me shumë dëshirë për të shkuar në fushë, për të vrapuar e lënë zemrën e shpirtin, nuk kemi rrugë tjetër”, nënvizoi ai. Më tej Silvinjo komentoi objektivat. “Teorikisht, në letër është vendi i dytë, por në futboll mund të ndodhë gjithçka.
    Ne duhet të punojmë mbi gjithçka që mund të marrim. Ky është mesazhi; kam nevojë për çdo minutë të lojtarëve, që në stërvitje. Fusha flet. Unë dua të shoh lojtarë që vrapojnë, që bëjnë çdo gjë që kemi bërë, akoma edhe më shumë, edhe më shumë zemër e shpirt. Kjo është karakteristika e skuadrës sonë, nuk duhet ta humbim. Duhet të jemi të sinqertë, Anglia është ekip shumë i fortë. Në futboll mund të ndodhë çdo gjë, është lojë, është gjithçka e shpejtë. Ne duhet të përqendrohemi te vetja jonë, pastaj ta shohim”, përfundoi Silvinjo.

  • “Putin i çmendur”, reagon Moska/ Kremlini “i butë” me Trump, zëdhënësi Peskov: Të gjithë jemi emocionalë

    “Putin i çmendur”, reagon Moska/ Kremlini “i butë” me Trump, zëdhënësi Peskov: Të gjithë jemi emocionalë

    Rusia ka reaguar ndaj deklaratës së fundit të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili e ka quajtur presidentit rus, Vladimir Putin “të çmendur”.

    Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se në këto kohë kur janë shtuar përpjekjet për fundin e luftës, të gjithë janë më emocionalë.
    “Sigurisht, fillimi i procesit të negociatave, për të cilin pala amerikane bëri shumë përpjekje, është një arritje shumë e rëndësishme dhe ne u jemi vërtet mirënjohës amerikanëve dhe personalisht presidentit Trump për ndihmën e tyre në organizimin dhe nisjen e këtij procesi negociator.
    Është një arritje shumë e rëndësishme. Ndërsa sa i përket deklaratave që bëhen në këto rrethana, ne duhet të kuptojmë se ky është një moment shumë i rëndësishëm që lidhet me një mbingarkesë emocionale të të gjithë të përfshirëve”, ka deklaruar Peskov.
    Ai ka thënë se presidenti Putin merr vendime që janë të nevojshme për sigurinë e vendit të tij dhe se askush nuk mund t’i imponohet atij me gjuhë tjetër veç asaj të dialogut.

    Top Channel

  • Makina përplas turmën e tifozëve të Liverpool, plagosen dhjetëra persona, mes tyre edhe fëmijë

    Makina përplas turmën e tifozëve të Liverpool, plagosen dhjetëra persona, mes tyre edhe fëmijë

    Katër fëmijë janë në mesin e dhjetëra personave të plagosur pasi një makinë u përplas me turmën në gjatë festës së tifozëve të Liverpool FC.

    27  persona u dërguan në spital, dy prej të cilëve me lëndime të rënda, përfshirë një fëmijë.

    Shoferi i makinës, një 53-vjeçar britanik është arrestuar nga policia.

    “Incidenti nuk po trajtohet si terrorizëm”, thonë autoritetet.

    Mijëra njerëz ishin në rrugët e qytetit për fitoren e Liverpool FC në Premier League, ndërda klubi i ka ofruar mbështetjen e tij të plotë shërbimit të emergjencës.

     

  • ‘Kthehuni në fshat!’ Maqedonia e Veriut do t’u japë çifteve të reja deri në 100 mijë euro që të ringjallin zonat rurale

    ‘Kthehuni në fshat!’ Maqedonia e Veriut do t’u japë çifteve të reja deri në 100 mijë euro që të ringjallin zonat rurale

    Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka propozuar një masë të re që synon të ringjallë zonat rurale të braktisura, përmes mbështetjes financiare për çiftet e reja që vendosin të jetojnë dhe punojnë në fshat.

    Sipas draftit të ri të Ligjit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, i publikuar në platformën ENER, çiftet e reja që kthehen në fshat do të mund të përfitojnë deri në 100.000 euro ndihmë financiare.

    Ky projektligj do të jetë i hapur për komente publike deri më 28 maj, ndërsa më 2 qershor është planifikuar një seancë dëgjimore publike.

    Mbështetja financiare ka për qëllim të ndihmojë çiftet të ndërtojnë ose rindërtojnë banesat, të blejnë makineri bujqësore, tokë bujqësore ose bagëti. Për të përfituar nga kjo skemë, aplikantët duhet të jenë nën moshën 40 vjeç, të angazhohen në aktivitete bujqësore dhe të banojnë në zonën rurale për një periudhë prej të paktën 10 vjetësh. Në rast se këto kushte nuk plotësohen, mbështetja financiare duhet të kthehet mbrapsht e plotë.

    Sipas nenit 138 të ligjit të propozuar, ndihma financiare mbulon 80% të kostove të pranueshme dhe të realizuara, me një maksimum prej 6.000.000 denarësh për çift. Mbështetja ofrohet përmes një plani biznesi të miratuar nga Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe zgjat për një periudhë prej 3 vitesh.

    E njëjta shumë mbështetjeje do të jetë në dispozicion edhe për të rinjtë nën 40 vjeç që do të hapin një biznes të ri në sektorin e bujqësisë ose pylltarisë.

    Po ashtu, fermerët e rinj që nisin aktivitetin e tyre do të mund të përfitojnë deri në 20.000 euro, ndërsa mbështetje e posaçme është parashikuar edhe për gratë aktive në ekonominë bujqësore familjare, për zhvillimin e mikrondërmarrjeve, futjen e inovacioneve dhe aktiviteteve të reja ekonomike në zonat rurale. 

  • “Duam ta sjellim trofeun në shtëpi”, Asllani flet përpara finales së Champions-it: Jo të gjithë kanë mundësinë të jenë në një finale të tillë

    “Duam ta sjellim trofeun në shtëpi”, Asllani flet përpara finales së Champions-it: Jo të gjithë kanë mundësinë të jenë në një finale të tillë

    Sezoni nuk ka përfunduar ende për Kristjan Asllanin. Mesfushorin shqiptar e pret finalja e Ligës së Kampionëve mbrëmjen e së shtunës, më 31 maj. Lojtari i Interit ka thënë për mediat se të shtunën objektivi është marrja e trofeut në Itali.
    “Ndjej që jam rritur shumë, është normale kur je me kampionë. Tani po përgatitemi për këtë ndeshje, e dimë vlerën që ka. Kur je në shtëpi me familjen dhe pushon mendon për të (finalen).
    Jo të gjithë kanë mundësinë për të qenë këtu për një ngjarje kaq të veçantë. Dy vite më parë shkoi keq, këtë herë duam ta sjellim kupën në shtëpi. Çalhanoglu? Ai filloi të luante në këtë rol dy vite më parë, por që tani është bërë një mjeshtër”, ka thënë Kristjan Asllani./Sport Ekspres/

  • Evertoni largon Armando Brojën: I urojmë suksese në të ardhmen

    Evertoni largon Armando Brojën: I urojmë suksese në të ardhmen

    Përfundon zyrtarisht aventura e Armando Brojës te Evertoni. Sulmuesi shqiptar e mbyll huazimin e tij pas disa muajsh në “Goodison Park”, ndërsa klubi anglez kishte shfaqur interes për ta blerë përfundimisht nga Chelsea. Megjithatë, për shkak të kërkesave të larta financiare nga londinezët, marrëveshja nuk u arrit.
    Vendimi zyrtar për fundin e bashkëpunimit ka ardhur sot, me klubin i cili ka njoftuar largimin e tij, ashtu si edhe të Jack Herrison, Casper Lindstrom dhe Orel Mangala.
    “Dëshirojmë të falënderojmë të gjithë lojtarët tanë të huazuar për kontributin e tyre në përmirësimet që kemi arritur në fushë. Ata treguan përkushtim dhe profesionalizëm të lartë gjatë gjithë qëndrimit në klub. I urojmë Jack, Jesper, Orel dhe Armando të gjitha të mirat në karrierën e tyre”, tha trajneri David Moyes.
    Ndërkohë që reagoi edhe klubi i Everton. “Broja iu bashkua Evertonit në ditën e fundit të merkatos së verës së kaluar nga Chelsea dhe luajti 11 ndeshje”, shkruhej në njoftimin e klubit për këtë aventurë të Brojës që për fat të keq u ndikua nga dëmtimet e vazhdueshme të sulmuesit të kombëtares shqiptare.

  • Ndalohet i riu në Gjirokastër, policia i gjen kanabis me vete

    Ndalohet i riu në Gjirokastër, policia i gjen kanabis me vete

    POLICIA E SHTETIT
    Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin V. B., 32 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël Cannabisi. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

  • Aksident në Gjirokastër, 17-vjeçari përmbyset me makinë në rrugë

    Aksident në Gjirokastër, 17-vjeçari përmbyset me makinë në rrugë

    POLICIA E SHTETIT
    Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, banues në fshatin Mingul, pasi duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi, në aksin rrugor “Ura e Lumit-Valare”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përmbysur. Nga aksidenti është dëmtuar lehtë 17-vjeçari. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

  • I riu nga Saranda aksidentohet në Memaliaj, makina e tij përplaset me mjetin e parkuar, 2 të plagosur

    I riu nga Saranda aksidentohet në Memaliaj, makina e tij përplaset me mjetin e parkuar, 2 të plagosur

    Një aksident ndodhi pasditen e së hënës pranë Memaliajt, me pasojë dy të lënduar lehtë.
    Njoftimi i policisë
    Rreth orës 05:30, në hyrje të qytetit të Memaliajt, shtetasi A. N., 24 vjeç, banues në Sarandë, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një automjet të parkuar. Nga aksidenti janë dëmtuar lehtë 2 pasagjerët, shtetasit J. N., 54 vjeç dhe R. N., 47 vjeçe, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Gjirokastër. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.