Adriatik BALLA
Kur mbeten dhe pak ditë nga mbyllja përfundimtare e kampionateve sezonale në Europë, përfshi dhe Premier League angleze, duket se disa klube kanë shpërthyer në treg për të gjetur elementët e dëshiruar. Ka dhe klube që po bëjnë përpjekje të ruajnë grupet aktuale. Zhgënjimi i disa klubeve e bën më të domosdoshme hyrjen në treg, sikurse ndodh me Mançester Sitin e trajnerit Pep Guardiola. Mësohet se mesfushori Kevin De Bryjn nuk pritet të qëndrojë te Mançester Siti për Kupën e Botës për Klube. Mesfushori i përfaqësueses së Belgjikës thotë se “ndoshta” nuk do të luajë për Mançester Siti në Kupën e Botës për Klube për të shmangur një lëndim që mund të dëmtonte përpjekjet e tij për të gjetur një klub të ri.
De Bryjn do të largohet nga Siti pas 10 vitesh, kur t’i skadojë kontrata në fund të sezonit, por ka pasur spekulime se ai mund të nënshkruajë një marrëveshje afatshkurtër për të qëndruar me skuadrën e Pep Guardiolës për Kupën e Botës për Klube. Dritarja e parë e transferimeve verore është një periudhë shtesë regjistrimi e krijuar nga FIFA për ekipet pjesëmarrëse në Kupën e Botës për Klube, duke i lejuar në thelb lojtarët në situatën e De Bryjn të qëndrojnë për këtë turne. Ndeshja hapëse e Siti është kundër klubit maroken Vidad AC në Filadelfia më 18 qershor. Megjithatë, është e pamundur që 33-vjeçari të jetë i përfshirë, duke qenë se planet e tij për të ardhmen mbeten të paqarta për momentin. “Nuk ka fare kuptim. Por kjo ndodh kur futen turne të rinj në mes të një situate kontraktuale”, tha De Bryjn. “Duhet të kujdesem për veten, sepse nëse lëndohem në Kupën e Botës për Klube, çfarë do të bëj?
Askush nuk do të kujdeset për mua në atë pikë, prandaj ka shumë gjasa që ndoshta nuk do të luaj, por nuk e di, ndoshta po”. De Bryjn ka ndihmuar Sitin të fitojë gjashtë tituj të Premier League dhe Ligën e Kampionëve që nga firmosja në vitin 2015. Por ajo që pritet të jetë paraqitja e tij e fundit madhështore me Sitin përfundoi me zhgënjim, pasi Krystal Palace fitoi 1-0 në finalen e FA Cup të shtunën në Uembli. Mesfushori belg nuk është në nxitim për të marrë një vendim për të ardhmen, por nuk përjashtoi një kalim te ndonjë klub tjetër të Premier League dhe pranoi se tashmë ka zhvilluar bisedime me disa klube të interesuara. Mbetet të shihet ku do të përfundojë De Bryjn gjatë sezonit të ri, por nuk përjashtohet kurrsesi mundësia që ai të jetë duke luajtur me klubin për një rinovim kontrate me kushte më të mira financiare, nisur dhe nga nevoja që ka trajneri Pep Guardiola për një lojtar të tillë cilësor e me përvojë.
Day: May 19, 2025
-

Kevin de Bryjn do të largohet nga Siti pas 10 vjetësh me “qytetarët”, Guardiola pa fjalë
-

Nis sot Europiani U17 në Shqipëri, kuqezinjtë hapin aktivitetin me duelin ndaj Portugalisë
Adriatik BALLA
Shqipëria U17 starton sot në ndeshjet finale të Kampionatit Europian “Shqipëri 2025” që do të zhvillohet në vendin tonë. Kuqezinjtë e vegjël do të luajnë ndeshjen e parë të grupit A kundër Portugalisë në stadiumin “Arena Kombëtare” në ora 18:00. Në prag të kësaj sfide historike për Kombëtaren shqiptare U-17, trajneri Andrea Tedesko doli në një konferencë për media ditën e sotme dhe foli për objektivat e Shqipërisë në këto finale. Ndër të tjera, trajneri Tedesko foli për emocionet e zhvillimit të kampionatit në Shqipëri, kundërshtarët, si edhe grupin e lojtarëve të cilët do të përfaqësojnë Shqipërinë në këtë fazë finale. Tekniku Italian nënvizoi se pjesëmarrja e Shqipërisë U-17 në finalet e këtij Europiani është një mundësi e madhe për skuadrën dhe futbollin shqiptar. Ai shprehu besimin se ekipi mund të sfidojë çdo kundërshtar të fortë, duke kërkuar të shfrytëzojë maksimalisht këtë eksperiencë historike.
“Fillimisht dua të them që jam shumë i lumtur që ekipi ynë është pjesë e finaleve të Europianit. Uroj që të jetë një eksperiencë e mirë për gjithë skuadrën, stafin dhe Federatën. Është hera e parë që ne jemi në finalet e një kompeticioni kaq të rëndësishëm. Objektivi ynë primar është që t’i japim kënaqësi tifozëve, atyre që do të na mbështesin dhe ndjekin. Gjithashtu, është e rëndësishme që të kemi një mjedis të mirë brenda skuadrës dhe, nga aspekti teknik, ajo që unë kërkoj është një lloj rritjeje e nivelit, njësoj si performancat e mira që kemi pasur nga shtatori deri në mars. Të kemi momente specifike brenda ndeshjes që tregojnë rritjen e ekipit. Ne kemi punuar shumë mirë dhe kemi pasur performanca të mira. Patjetër që jemi të lumtur që ky event organizohet në Shqipëri. Është një mundësi e jashtëzakonshme. Prej një kohe të gjatë po punojmë si në aspektin organizativ, ashtu edhe me lojtarët. Futbolli është i tillë; kur të jepet një mundësi e tillë, duhet ta jetosh. Ne jemi krenarë që jemi pjesë e kësaj eksperience”, tha ai.
Përplasja me portugezët
Më tej trajneri Tedesko foli për rivalin e sotëm, Portugalinë U17, e cila është skuadër pretendente. “Sigurisht që kemi kundërshtarë të vështirë, përfshirë Portugalinë, që e ka fituar gjashtë herë Kampionatin Europian U-17 dhe ka një ekip shumë të mirë. Ne jemi gati dhe do të mundohemi të luajmë sa më mirë, ndërsa forcën tonë duhet ta tregojmë në fushë. Me lojtarët e rinj ke mundësi të krijosh surpriza, si për mirë, ashtu edhe për keq. Në futbollin e të rinjve nuk ka rëndësi rezultati; ajo që ka rëndësi është performanca dhe rritja e skuadrës. Ne synojmë të kemi paraqitje shumë të mira. Do të jenë rreth 10 mijë tifozë nesër në stadium dhe dua t’i falënderoj duke nisur nga familjarët, grupet e tifozëve që do të jenë. Shpresoj të arrijmë t’i kënaqim. Për lojtarët do të jetë pak shok në fillim, por kur fillon ndeshja, nuk e mendon më se çfarë ndodh për rreth. Uroj të bëjmë një ndeshje të mirë dhe tifozët të na mbështesin. Është shtëpia jonë, është vendi ynë, do të bëjmë më të mirën që të përfaqësojmë sa më mirë Shqipërinë”, shtoi Tedesko. -

Liljana Kalleshi, “mbretëresha” e cirkut shqiptar
Nga Faik Sadiku
Një emër i shquar, për ata që kanë bërë histori, i shtohet rubrikës sime të shkrimeve. Bëhet fjalë për artisten e cirkut shqiptar, me nivelet e larta ndërkombëtarë në ekzekutimin e ushtrimeve të vështira e spektakolare, Liljana Kalleshi. Dje më 18 maj artistja pati ditëlindjen. Në këtë datë ka ditëlindjen edhe djali i saj, Endriti, ndaj familja Kalleshi ka dy gëzime në një ditë. Liljana lindi në vitin 1951, në Sarreq, me nënën me orgjinë nga Podgorica, e nga babai me origjinë nga Paci i Tropojës. Liljana e vogël e nisi dhe e përfundoi 8-vjeçaren në “Vasil Shanto”. Ajo shkollë ishte vatër e gjimnastikës, me një palestër bashkëkohore për kohën. Në atë palestër Lili bëri hapat e parë drejt mjeshtërisë.
Që e vogël ajo dallohej në mes moshatareve të saj si një balerinë e vërtetë. Si një vajzë me talent ajo spikat që në klasë të parë. Pas një viti, ajo nisi të demonstrojë në mënyrë të vetëdijshme ushtrime akrobatike, salto, ekuilibër, e sparkatën. Mjeshtëria e Liljanës në balet, por dhe në cirk, nga dita në ditë merr përmasa të një profesionisteje, e kur mbush 10 vjeç ajo tregoi hegjemoni në ushtrimet akrobatike të asaj periudhe, në raport me shoqet e tjera. Në ushtrimet dhe performancën e saj ra në sy talenti, me numra akrobacie në natyrë, si një talent i vërtetë e si një perëndeshë fluturuese, e një mjeshtre në akrobaci. Po atë vit Liljana, thirret te “Shtëpia e Pionierit”, një vatër me talente në të gjitha sportet. Ajo hyri atje nga pasioni për baletin, por doli prej saj si një perëndeshë e cirkut.
Në momentet e para, ajo stërvitej nga instruktorja Roza Xhuxha, një emblemë e kinematografisë shqiptare, dhe një shkodrane e bukur. Që në javët e para Liljana u bë princeshë e shtëpisë së pionierit në balet, e dallohej mbi të gjitha vajzat. Mrekullia, inteligjenca, guximi, e performanca në interpretim të baletit, por dhe e akrobacisë, përplasi në mes tyre dy instruktorët, Xhuxhen e baletit, e Myftar Tafilin e akrobacisë, zbulim i Liljanës, i cili triumfoi dhe e afroi pa mëdyshje, pranë cirkut në teatrin “Migjeni”. Ishte 10 vjeç, kur për herë të parë ajo takohet me “legjendën” e shtangës, Faruk Kalleshi, një kampion i madh. Oferta për të shkuar në teatër e lumturoi Liljanën.
Sapo shkon në shtëpi, takon të ëmën, dhe i thotë dua të bëhem akrobate. Por nëna, nuk i kthen përgjigje, se duhej të marrë aprovimin, nga babai, i cili u kthye në darkë. Pas lutjeve nga e ëma, babai e miratoi kërkesën e Liljanës, që fluturoi nga gëzimi. Kjo i dha një forcë e kurajo të kalojë drejt mjeshtërisë. Ajo shpejt e kuptoi se ishte padrone e artit të akrobacisë. Shfaqjen e parë të akrobacisë, Liljana e vogël e realizoi te shtëpia e pionierit. Pas 6 muaj stërvitje intensive, nga “Shtëpia e Pionierit”, instruktor Myftari, e dërgon te “Teatri Migjeni”, në ekipin e akrobacisë, aty ishte Faruk Kalleshi.
Sukses pas Suksesi
Kalimi në “Teatrin Migjeni”, ishte një stad i ri, i kapërcimit profesional për akrobaten e vogël, se në krahë të saj qëndronte Faruku, i cili i jepte siguri e guxim në ekzekutimin e ushtrimeve, që entuziazmonin pa masë spektatorin shkodran. Një jehonë në interpretim ka bërë një numër ekuilibri me dy gota, në ballin e Lilit, duke bërë një lëvizje të vështirë plastike në ekuilibër. Këtë numër të vështirë, ajo e kish përvetësuar nga filmi “Cirku nëpër Botë”, që e përvetësoi menjëherë në mendje, për ta ekzekutuar shkëlqyer e më vonë duke mahnitur spektatorët. Pas numrit me dy gota, ajo realizoi një tjetër performancë më të vështirë ekuilibri, duke shtuar dhe 8 gota, numër të cilin e kishte parë te një cirk rus.
Suksesi ishte i paparë. Spektakolare ishte futja dyfish nga prapa, thyerje plastike në valixhe që mbahej nga Faruku, ai dukej sikur po nisej për udhëtim, në një skeç bashkë me Tano Banushin. Kur valixhja u hap, dhe Lili mezi mori frymë, ajo doli në formë gjarpri, emocionet dhe entuziazmi përshkuan sallën nga spektatorët. Bëmat artistike të Lilit, kishin arritur kulmin, ajo ishte e aftë të realizonte numra të kalibrit të lartë, të artistëve të cirkut botëror. Nga shfaqja në shfaqje ajo fitoi një siguri absolute në ekzekutimin e ushtrimeve të vështira të nivelit të lartë ndërkombëtar. Kjo bëri që shumë shpejt ajo të fitojë statusin e krijueses së ushtrimeve të reja, madje të firmoste në bordero honoraret si krijuese. Në jetën personale lidhja e Lilit me Farukun po ecte mjaft mirë, sepse Lili e Faruku kishin lindur për njeri tjetrin.
Drejtuese në teatrin “Migjeni”
Kështu rrodhën ngjarjet. Ajo, pas tre muajsh drejtim profesional, kaloi direkt si drejtuese e grupit të madh në Teatër, me 40 antarë, ku shumica ishin më të mëdhenj se ajo në moshë. Në atë kohë, shoku i saj i cirkut, Faruk Kalleshi, shkon ushtar te “Partizani”, në vitin 1965. Për Lilin vetëm 14-vjeçare, largimi i Farukut për në kryeqytet ja vështirësoi disi ecurinë e saj, por ajo nuk u step. Ajo ishte edukuar të mos merrte asnjë vendim pa u konsultuar me Farukun, por mungesa e kampionit e bëri më të fortë. Falë karakterit, ajo ia doli të marrë vendimet e vetme. Puna në cirk nga Shtëpia e Pionierit në Teatrin “Migjeni”, i jepnin forcë asaj, por nga ana tjetër fshihte në vetvete, një harresë tinzare e zyrtarëve të asaj kohe, që kishte të bënte në përkrahjen e artistëve të mëdhenj, por për Lilin kjo ishte një harresë e qëllimshme, duke e lënë atë në vështirësi ekonomike të familjes së saj. Nga kjo harresë, e nga kushtet e vështira ekonomike, e vetëm 15 vjeçare, ajo u detyrua të punonte në lavanderi të qytetit ku lante rroba, por kurrë nuk u ankua. Pasdite shkonte në stërvitje, në shfaqje, te shtëpia e Pionierit, e në mbrëmje shpesh herë te teatri “Migjeni”, sigurisht me honorare.
Në shfaqje merr pjesë Enver Hoxha
Kështu vazhdoi me ditë e net, por në një mbrëmje të vitit 1968, në Shkodër u dha njoftimi se do vinte Enver Hoxha. Ai do merrte pjesë në një shfaqje në “Teatrin Migjeni”. Sipas skenarit të numrave të cirkut, numri i Lilit ishte caktuar në fund të shfaqjes. Kur i vjen çasti fatlum i daljes së Lilit në skenë, e më pas numrat akrobatikë të ekzekutuar me mjeshtëri nga ajo, bëri që spektatori shkodran të shpërthejë në brohoritje “bravo, bravo”, për disa minuta. Kjo i tërhoqi vëmendjen Enver Hoxhës, i cili në mes ovacioneve të spektatorit shkodran ngrihet në këmbë, e me duartrokitje përgëzon artisten e shkëlqyer shkodrane ndërkohë ajo përgëzonte gjithë publikun për duartrokitjet. Emocionet e asaj mbrëmje ishin të jashtëzakonshme, ndërsa Enver Hoxha pyeti njërin prej zyrtarëve të qytetit e pikërisht Bilal Parrucën, Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të asaj kohe, kush është kjo vajzë e talentuar, e ku punon. Bilali i zënë ngushtë i përgjigjet Enverit se kjo vajzë punon në lavanteri, lan rroba.
Udhëheqësi i thotë, mos bëni më këto gabime, menjëherë dërgoje në vendin ku e meriton. Një talent si kjo vajzë nuk na lejohet ne ta shikojmë në një punë të rëndomtë. Të nesërmen Bilal Parruca thërret Liljanën në zyrë. Ai i zënë ngushtë, i thotë që sot je caktuar të punosh në Teatrin “Migjeni” me rrogë të plotë, e do trajtohesh me ushqim në turizëm, pa dallim me sportistët e tjerë të elitës. Të nesërmen ajo hyn në teatër, aty u publikua i plotë vlerësimi i Enver Hoxhës në librin e përshtypjeve, me këto fjalë. “Më pëlqeu shfaqja, por më shumë numri i cirkut të akrobates së talentuar Liljana Musaja Paci, artiste e madhe e cirkut. Pas kësaj shfaqje Liljanës i hapet porta për suksese, të jashtëzakonshme. Tani ajo ishte me të drejta të plota pjesë e estradës profesioniste e Teatrit “Migjeni”. Në një shfaqje të estradës së Shkodrës në kryeqytet, pas disa ushtrimeve spektakolare që ekzekutoi, juria e festivalit nderon me titull “Laurat i Republikës”. Pas këtij suksesi, Liljanës ju afrua një punë në kryeqytet, por ajo nuk pranoi. Por shpesh herë ajo udhëtonte në kryeqytet të jepte shfaqje te cirku i Tiranës.
Traumë pas një shfaqjeje
Kush jeton me sportin, apo në rastin e Liljanës me cirkun, luan me rrezikun. Ishte dhjetori i vitit 1968, “mbretëresha” e cirkut shqiptar Liljana Kalleshi, pas një ekzekutimi të numrit të vështirë, bie nga një lartësi e konsiderueshme e pëson një frakturë në kockën e këmbës. Ashtu e dëmtuar, por me ndihmën e Farukut, ajo u ngrit në këmbë duke përshëndetur spektatorët. Të nesërmen ajo futi këmbën në allçi. Pas një muaji, Faruku kthehet nga shërbimi ushtarak 3-vjeçar, e shumë shpejt Liljana kurorëzohet në përjetësi si nusja e Farukut, me të cilin, u bënë me dy fëmijë, vajzën Anila e djalin, Endriti. Me lindjen e Anilës pas një viti e gjysmë martesë me Farukun, për Liljanën shfaqjet në teatër po vështirësohen, por grupi artistik i teatrit e kishte të pamundur të udhëtojë pa Lilin. Kur Anila u bë dy muajshe, Lili kishte dy javë që kishte nisur stërvitjen e vërtetë. Pas një pune intensive, ajo e ktheu trupin në parametra optimale, e u nis drejtë Tiranës në festivalin e estradave profesioniste. Aty ajo konkurroi e vetme në akrobaci dhe ishte pikërisht pas asaj shfaqje, ku Liljana me Tano Banushin nderohen më të mirët e festivalit.
Me lindjen e djalit, Endritit, me 18 maj, ajo largohet përgjithnjë nga skena, duke lënë nga pas një arsenal suksesesh gjatë karrierës së saj artistike si profesioniste e Teatrit “Migjeni”. Për nivelet e larta të saj në artin e bukur te cirkut, ajo është nderuar me shumë çmime e medalje të ndryshme si: 1.“Laurat i Republikës”; 2.“Medalje Naim Frashëri” klasi parë; 3.Për mjeshtërinë e saj artistike, ajo mban titullin “Prengë Jakova” nga Bashkia Shkodër; 4.Medalje “Naim Frashëri i Artë”; 5.Me meritë mban titullin “Mjeshtër i Madh”; 6.Pa dyshim “Nderi i Qarkut Shkodër”; 7.Origjina nga babai e nderon “Qytetare nderi e Tropojës”; 8.Presidenca e nderon “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”. Ky arsenal medaljesh e vendosë Liljanën, si një ndër artistet me nivelet më të larta të artit shqiptar, por e lënë qëllimisht në pluhurin e harresës nga instancat e larta shtetërore e burokrate të vendit tonë, ndaj me bindje të plotë e them se, për merita të saj në art, Liljana meriton pension të veçantë, për të vendosur në vend autoritetin e saj.
-

Zgjedhjet presidenciale në Rumani/ Kandidati pro-perëndimor, Nicusor Dan mund rivalin e tij të së djathtës ekstreme
Kandidati pro-perëndimor Nicusor Dan ka mundur në mënyrë të papritur populistin e djathtë ekstreme George Simion në zgjedhjet presidenciale në Rumani.
Simion, 38 vjeç, dhe rivali i tij – një centrist i cili është kryetar bashkie i Bukureshtit – u përballën në raundin e dytë të garës.
Sipas numërimit zyrtar Dan kryesonte me gati nëntë pikë përqindjeje, me më shumë se 98% të votave të numëruara.
Pasi sondazhet e daljes në zgjedhje sugjeruan se ai nuk do të fitonte, Simion, i cili mbështet Trump, hodhi poshtë rezultatin dhe tha se vlerësimet e jepnin atë 400,000 vota përpara, shkruan SkyNews.
Duke folur pas përfundimit të votimit, Simion tha se zgjedhja e tij ishte “e qartë”, ndërsa postoi në Facebook: “Unë fitova!!! Unë jam Presidenti i ri i Rumanisë dhe po ua kthej pushtetin rumunëve!”
Zgjedhjet e fundit në Rumani u anuluan pasi gjykata e saj më e lartë vendosi që kandidati kryesor, nacionalisti Calin Georgescu, duhet të skualifikohet për shkak të pretendimeve për ndërhyrje zgjedhore nga Rusia.
-

“E kemi kockën në gojë, mos ta lëmë të na ikë”, Konte pret me padurim titullin: Jam shumë i lodhur, jemi një hap larg historisë
Vetëm një ndeshje e ndan Napolin nga fitimi i titullit kampion. Skuadra e Antonio Kontes gaboi mbrëmjen e sotme përballë Parmës, por Interi nuk mundi të përfitonte nga situata për të marrë kreun e renditjes. Trajneri i të kaltërve ka thënë pas ndeshjes se ndihet shumë i lodhur në këtë fazë të sezonit për shkak se në Napoli pritshmëritë i kalojnë mundësitë reale të skuadrës.
“Titulli do të më shpërblejë për gjithçka që kam dhënë këtë vit, i kam dhënë të gjitha. Jam shumë i lodhur. Me zor po ia dal deri në fund të sezonit. Napoli është një vend i bukur, por pritshmëritë janë përtej asaj që është e mundur. Tani e kemi kockën në gojën tonë dhe nuk mund ta lëmë të na ikë.
Jemi afër titullit, por kemi edhe hapin final për të bërë. Do ta bëjmë në shtëpi. Është një kampionat vërtetë i vështirë nga të gjitha këndvështrimet. Jemi një hap larg të bërit një gjë historike për Napolin. Të fitosh këtu është ndryshe”, ka deklaruar Antonio Konte./Sport Ekspres/