Day: May 8, 2025

  • Trump, habi që Rusia s’mund të jetë në Botërorin 2026

    Trump, habi që Rusia s’mund të jetë në Botërorin 2026

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili është gjithmonë i informuar mirë për ngjarjet botërore, u habit kur iu tha se ekipi kombëtar rus i futbollit nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026, e cila do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, për shkak të sanksioneve.
    Në një takim të grupit të punës për organizimin e Kupës së Botës 2026, i cili u mbajt në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se nuk e dinte që ekipi kombëtar rus nuk do të ishte në gjendje të merrte pjesë në Kupën e Botës dhe se kjo mund të ishte një nxitje e mirë për Rusinë që t’i japë fund luftës kundër Ukrainës, raportoi BBC të mërkurën.
    “Kjo është e vërtetë. Ata janë aktualisht nën sanksione dhe u është ndaluar pjesëmarrja në Kupën e Botës. Por shpresojmë që të vijë paqja dhe që Rusia të jetë në gjendje të përfshihet”, tha Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), Gianni Infantino, i cili ishte ulur pranë Presidentit Trump.
    “Epo, kjo mund të jetë një nxitje e mirë (për Rusinë). Ne duam që ata të ndalen. Pesë mijë të rinj po vdesin çdo javë, kjo është e vështirë të besohet“, tha presidenti i SHBA-së.
    Klubet ruse të futbollit dhe ekipi kombëtar nuk mund të marrin pjesë në garat ndërkombëtare nën kujdesin e FIFA-s dhe UEFA-s, pasi sanksionet hynë në fuqi menjëherë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022. Grupet kualifikuese evropiane për Kupën e Botës 2026 janë hartuar tashmë, por shumica e kualifikueseve fillojnë në shtator të këtij viti, kështu që ekziston një mundësi teorike që Rusia, nëse vendoset paqja, të mund t’u bashkohet kualifikueseve në një datë të mëvonshme.
    Për Presidentin Trump, i cili huazoi sloganin “Amerika sërish e madhe” nga Presidenti Ronald Reagan (slogani i fushatës së tij zgjedhore presidenciale të vitit 1980), ndalimi i luftës në Ukrainë është një nga qëllimet e tij kryesore të politikës së jashtme. Ai shpreson se kjo do t’i sjellë Çmimin Nobel për Paqen. Presidenti i parë amerikan që mori Çmimin Nobel për Paqen ishte republikani Teddy Roosevelt në vitin 1906. Falë ndërmjetësimit të tij, përfundoi lufta ruso-japoneze (1904-1905).
    Zëvendëspresidenti i SHBA-së, James David Vance, ishte gjithashtu i pranishëm në takimin e grupit të punës në Shtëpinë e Bardhë dhe tha se Shtetet e Bashkuara mezi prisnin të ishin në gjendje të mirëprisnin tifozë nga shumë vende të botës gjatë Kupës së Botës.
    “Do të kemi mysafirë nga shumë vende. Duam që ata të vijnë, të shikojnë ndeshjet dhe të festojnë, por kur të mbarojë Kupa e Botës, ata do të duhet të shkojnë në shtëpi”, tha Vance. /tesheshi.com/

  • Tymi i zi në Vatikan. Si veprohet për të zgjedhur Papën e ri?

    Tymi i zi në Vatikan. Si veprohet për të zgjedhur Papën e ri?

    Kardinajtë e Kishës Katolike, të mbledhur në Konklav, në Kapelën Sikstine të Pallatit Apostolik, nuk kanë rënë dakord për emrin e Papës së ardhshëm. Besimtarët ftohen të vazhdojnë t’i mbështesin me lutje.
    Kisha Katolike nuk ka ende Papën e ri. Tymi i oxhakut sipër Kapelës Sikstine, ku mbahet Konklavi, është i zi.

    Kardinajtë e mbledhur në Konklavin, që filloi sot, 7 maj, bënë votimin e parë e të vetmin e kësaj dite. Pasi shprehën votat e tyre e pas numërimit e lidhjes me fill, fletëvotimet u dogjën në dy sobat, që përdoren për të prodhuar tymin, i cili lajmëron për zgjedhjen ose jo të Papës së ri. Tymi mbi Kapelën Sikstine, që u duk pas orës 19.00, ishte i zi, shenjë e qartë se kardinajtë nuk kanë rënë dakord për emrin e Atit të Shenjtë, i cili ende nuk është zgjedhur.
    Besimtarët, të cilët e ndoqën tymin nga Sheshi i Shën Pjetrit, në Vatikan, si edhe katolikët e gjithë botës, që e ndoqën nga ekranet, ftohen të vazhdojnë lutjet që Shpirti Shenjt t’ua shndrisë mendjet e zemrat kardinajve për gjetjen e atij emri, që i duhet më shumë sot Kishës dhe botës.
    Konklavi, ja si zgjidhet Papa
    133 kardinajtë me të drejtë vote, të thirrur për të zgjedhur Papën e 267-të Romak, në Kapelën Sikstine, do të kenë në duar një fletë votimi drejtkëndëshe me këtë shkrim në gjysmën e sipërme dhe me “vendin për të shkruar emrin e të zgjedhurit” në gjysmën e poshtme, “në mënyrë të tillë që të mund të paloset më dysh”. Gjithçka përshkruhet me përpikmëri në Kushtetutën Apostolike “Universi Dominici Gregis”.
    Shpërndarja e skedave
    Fletët e votimit (të paktën dy, ose tre për secilin kardinal) përgatiten dhe shpërndahen nga ceremonierët, pastaj, kardinali i fundit diakon zgjedh me short, tre kardinaj, që numërojnë votat (kontrollorët), tre përgjegjës për të mbledhur votat e të sëmurëve (infirmarii) dhe tre kardinaj revizorë. Nëse zgjidhen kardinaj që, për shkak të sëmundjes, ose për arsye të tjera, nuk janë në gjendje t’i kryejnë këto detyra, hidhet sërish shorti e në vend të tyre, zgjidhen të tjerë. Kjo është faza para votimit. Përpara se votuesit të fillojnë të shkruajnë në fletëvotime, sekretari i Kolegjit të Kardinajve, mjeshtri i Kremtimeve Liturgjike Papnore dhe ceremonierët duhet të largohen nga Kapela Sikstine. Në atë pikë, kardinali i fundit diakon mbyll portën, duke e hapur e mbyllur atë sa herë që është e nevojshme, si për shembull kur dalin kardinajtë e caktuar për të mbledhur votat e të sëmurëve dhe kur, pastaj, kthehen në Kapelë.
    Vota
    Çdo kardinal zgjedhës, sipas radhës së përparësisë, pasi të ketë shkruar preferencën e tij, e palos fletën e votimit, e mban lart në mënyrë që të jetë e dukshme dhe e çon te altari, mbi të cilin është vendosur një urnë e mbuluar me pjatë.
    “Thërras si dëshmitar Krishtin Zot, i cili do të më gjykojë, se vota ime i jepet atij që unë e konsideroj, sipas Hyjit, se duhet të zgjidhet”.
    Kjo është formula, që shqiptohet me zë të lartë nga çdo kardinal, i cili e vendos fletën e votimit në pjatë dhe, me të, e lë të rrëshqasë brenda urnës. Në fund, çdo kardinal përkulet para altarit dhe kthehet në vendin e tij. Kardinajtë zgjedhës, të pranishëm në Kapelën Sikstine, të cilët nuk mund të shkojnë në altar, për shkak të sëmundjes, ndihmohen nga i fundit i kardinajve që numërojnë votat, i cili u afrohet: pasi bëjnë betimin, ia japin fletën e votimit të palosur kardinalit, i cili e çon duke e mbajtur lart drejt altarit, ku, pa thënë betimin, e vendos atë në pjatë dhe me këtë e lëshon brenda urnës.
    Si votojnë kardinajtë e sëmurë
    Nëse ka kardinaj zgjedhës të sëmurë në dhomat e tyre, tre infirmarii shkojnë tek ata me një numër të përshtatshëm fletësh votimi në një tabaka të vogël dhe me një kuti të dorëzuar nga kontrollorët. Kjo kuti – e hapur më parë publikisht nga kontrollorët, në mënyrë që votuesit e tjerë të shohin se është bosh dhe më pas, e mbyllur me një çelës, që vendoset në altar – ka një të çarë në pjesën e sipërme, përmes së cilës futet fletëvotimi i palosur. Sapo të sëmurët votojnë – në të njëjtën mënyrë si kardinajtë e tjerë – infirmarii e çojnë kutinë përsëri në Kapelën Sikstine, ku hapet nga kontrollorët, pasi kanë votuar edhe kardinajtë e pranishëm. Pasi të jenë numëruar fletët e votimit në kuti, kontrollorët i vendosin ato një nga një në pjatë dhe me këtë i fusin të gjitha së bashku në urnë.
    Numërimi i votave
    Pasi të gjithë kardinajtë i kanë vendosur fletët e tyre të votimit në urnën me pjatën sipër, kontrollori i parë e tund urnën disa herë për të përzier fletët e votimit, pastaj, kontrollori i fundit vazhdon me numërimin e tyre, duke i marrë ato dukshëm një nga një nga urna dhe duke i vendosur në një enë tjetër bosh. Nëse numri i fletëve të votimit nuk përkon me numrin e votuesve, ato duhet të digjen të gjitha dhe mënjëherë, bëhet një votim i dytë; nëse përputhet, vijon numërimi. Tre kontrollorët ulen në një tryezë përpara altarit: i pari merr një fletë votimi, e hap, shënon emrin e personit të zgjedhur dhe ia kalon të dytit, i cili, pasi sigurohet për emrin e personit të zgjedhur, ia kalon të tretit, i cili e lexon me zë të lartë – në mënyrë që të gjithë zgjedhësit e pranishëm ta shënojnë votën në një fletë të posaçme – pastaj, shënon emrin e lexuar. Nëse gjatë numërimit, kontrollorët gjejnë dy fletëvotime të palosura në mënyrë të tillë sa duken sikur janë plotësuar nga një votues i vetëm, nëse në to shkruhet i njëjti emër, llogariten si një votë e vetme; nëse mbajnë dy emra të ndryshëm, asnjëra nga të dyja votat nuk konsiderohet e vlefshme; por në asnjë rast votimi nuk anulohet. Pasi të përfundojë numërimi i fletëve të votimit, kontrollorët bëjnë shumë e votave të fituara nga çdo emër dhe i shënojnë ato në një fletë të veçantë. I fundit nga kontrollorët i lexon fletët e votimit një nga një, i shpon me gjilpërë në vendin ku gjendet fjala “Eligo” dhe i rreshton në një fill, në mënyrë që të ruhen me siguri. Pasi të jenë mbaruar skedat, skajet e fillit lidhen nyjë dhe skedat e lidhura në këtë mënyrë vendosen në një enë, ose në njërën anë të tryezës. Vijohet me numërimin dhe verifikimin e votave.
    Votat e nevojshme
    Për zgjedhjen e Papës Romak, kërkohen të paktën 2/3 e votave. Në rastin konkret të Konklavit, që fillon të mërkurën, më 7 maj, do të nevojiten 89 vota për të zgjedhur Papën, pasi numri i kardinajve zgjedhës është 133.
    Pavarësisht nëse Papa zgjidhet apo jo, revizorët kontrollojnë fletët e votimit dhe shënimet e bëra nga kontrollorët, për t’u siguruar që ata e kanë kryer detyrën e tyre saktësisht dhe me besnikëri. Menjëherë pas shqyrtimit, përpara se kardinajtë të largohen nga Kapela Sikstine, të gjitha fletët e votimit digjen brenda një sobe prej gize, e përdorur për herë të parë gjatë Konklavit të vitit 1939. Për këtë mendojnë kontrollorët, me ndihmën e sekretarit të Kolegjit dhe të ceremonierëve, që i thërret kardinali i fundit diakon. Një sobë e dytë, e vitit 2005, e lidhur me të parën, përdoret për kimikatet, që i japin ngjyrë tymit, i cili duket mbi çatinë e Kapelës Sikstine: i zi në rast moszgjedhjeje dhe i bardhë në rastin e zgjedhjes së Papës së ri. Kur bëhet një votim i dytë, fletët e votimit të parë digjen vetëm në fund, së bashku me ato të votimit të dytë.
    Votimet
    Votimet bëhen çdo ditë, dy paradite e dy pasdite. Nëse kardinajtë zgjedhës kanë vështirësi të bien dakord për Papën e ri, pas tri ditësh pa rezultat, ata ndalen maksimumi për një ditë, për një pauzë lutjeje, bisede të lirë ndërmjet tyre dhe këshillimi të shkurtër shpirtëror me kardinalin kryediakon. Pastaj votimi rifillon. Pas shtatë votimesh, nëse ende nuk është zgjedhur Papa i ri, ka një pauzë tjetër për lutje, diskutim dhe këshillë me kardinalin e parë të Urdhrit të presbiterëve. Pas shtatë votimesh të tjera pa rezultat, parashikohet një pauzë e re për lutje, diskutim dhe këshillë me kardinalin e parë të Urdhrit të ipeshkvijve. Pas shtatë votimesh të tjera pa rezultat, një ditë i kushtohet lutjes, reflektimit dhe dialogut, por në votimet pasuese, kardinajtë duhet të zgjedhin ndërmjet dy emrave, që kanë marrë më shumë vota në votimin e mëparshëm. Edhe në këtë rast, kërkohet një shumicë e kualifikuar prej të paktën dy të tretave të votave të kardinajve të pranishëm votues, por në këto raunde, dy kardinajtë kandidatë nuk mund të votojnë.

  • Bllokimi i vendimeve të Këshillit Bashkiak, reagon Kryetari i Bashkisë Shkodër: PSD është bërë bashkë me PD, bllokon zhvillimin!

    Bllokimi i vendimeve të Këshillit Bashkiak, reagon Kryetari i Bashkisë Shkodër: PSD është bërë bashkë me PD, bllokon zhvillimin!

    Reagon kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci:
    Në mbledhjen e sotme të këshillit bashkiak Shkodër Partia Demokratike dhe Partia Socialdemokrate braktisën dhe bojkotuan për herë të dytë brenda një muaji detyrën e tyre. Me këtë braktisje me justifikime bajate, ato:

    -Bllokuan shpërndarjen e ndihmës ekonomike për familjet e varfra megjithëse ne fushatë përbetohen për luftë kundër varfërisë.-Bllokuan vendime për aktivitetin e kinema Republika tashmë në menaxhim të bashkisë pasi e mbajtën peng si mejhane për vite të tëra, megjithëse në fushatë përbetohen për mbështetje te kulturës.-Bllokuan fondet e emergjencës që na lejojnë të jemi të gatshëm në ndihmë të familjeve të prekura nga fatkeqësi megjithëse në fushatë përbetohen për mbështetje ndaj familjeve në nevojë.-Bllokuan vendimin për mirëmenaxhimin e plazhit të Velipojës pasi e lanë katrahurë në dorë të privatëve abuzues zakonisht klientë politikë që rrjepin cdo sezon qytetarërshkodranë e turistët, megjithëse në fushatë përbetohen për luftë kundër korrupsionit e oligarkisë.Nga ky vendim:-Sipërfaqja e plazheve publike falas do te rritej nga 30 në 35 %.-Siperfaqja e plazheve me menaxhim privat do të ulej nga 70 në 40% (vetëm për hotelet).-Sipërfaqja e plazheve publike të menaxhuara nga bashkia me një pagesë të paktën 2 herë më të lirë do të jetë 25% e sipërfaqes së plazhit.Modeli që kemi propozuar siguron që 60% e plazhit të Velipojës do të menaxhohet nga bashkia dhe ndërmarrjet e saj duke ia hequr një herë e mirë abuzuesve privatë. Këto plazhe publike me ligj nuk mund ti kalohen asnjë biznesi privat.Për të ardhur keq që nuk kanë asnjë propozim alternativ për asnjë nga këto pika vetëm shpifje, bojkot e braktisje me qëllim të vetëm bllokimin e punëve né Shkodër.Me 11 Maj e kemi në dorë të zgjedhim mes votës për punën, votës për sherrin e votës për pazaret. Voto numrin 5 për Partinë Socialiste për një Shkodër e një Shqipëri Europiane.

  • SHBA: Vendimi i politizuar nga Blinken! Berisha mund të udhëtojë në SHBA!

    SHBA: Vendimi i politizuar nga Blinken! Berisha mund të udhëtojë në SHBA!

    Gazetari amerikan Marc Caputo që punon për agjencinë “Axios” i ka bërë një pyetje Departamentit Amerikan të Shtetit nëse kreu i opozitës në Shqipëri, Sali Berisha mund të vizitojë Shtetet e Bashkuara. 

    Në një koment në rrjetin “X” ai thotë: “E pyeta Departamentin e Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA” – shkruan gazetari që publikon edhe përgjigjen e DASH.

    “Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare. Si e tillë, ne nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendime të politizuara të epokës së Biden-it” – thuhet në reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit dërguar për gazetarin.

    Caputo ka shpërndarë edhe një shkrim të gazetës “Wall Street Journal” ku ka dhënë një intervistë drejtuesi i fushatës së PD-së, Chris LaCivita.

    Ish-kryeministri Berisha u shpallën “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit në 19 maj të vitit 2021. Vendimi u mor pa asnjë bazë e provë, por vetëm mbi artikuj gazetash të fiancuara nga Soros dhe Rama. Lajmi u bë i ditur nga sekretari i Shtetit i asaj kohe, njeri i shpallur non grata sot nga Donald Trump brenda Dep. të Shtetit, Antony Blinken, i cili nuk paraqiti asnjë fakt ndaj Berishës.

    Vetë Berisha nuk i ka pranuar asnjëherë akuzat dhe madje ngriti edhe një padi ndaj Blinken në një gjykatë të Parisit. 

  • PSG kualifikohet në finalen e Champions

    PSG kualifikohet në finalen e Champions

    PSG është kualifikuar për në finalen e madhe të Champions League. Pas fitores 1-0 në ndeshjen e parë ndaj Arsenalit, parisienët fituan 2-1 në aktin e kthimit.
    Pjesa e parë do vendosej nga goli i Fabian Ruiz. Në të 72-tën, Hakimi dyfishoi shifrat, duke dërguar në festë tifozerinë.
    Për t’u theksuar edhe një penallti e humbur e Vitinhas.
    Anglezët u futën në lojë me golin e Saka, por shumë vonë për të ndryshuar fatin e këtij takimi.
    Pavarësisht 5 minutave shtesë, rezultati mbeti i njëjtë.
    PSG shkon në finale, aty ku do përballet me Interin.

  • Berisha: Në kohën time kishte parcela me kanabis vetëm në Lazarat

    Berisha: Në kohën time kishte parcela me kanabis vetëm në Lazarat

    Sali Berisha tha në Debat nga Alba Alishani në A2 CN se lufta kundër asaj që e quan “Narkodiktatura e parë dhe e vetme në Europë”, ka qenë shumë e vështirë.
    “Sot është viti i 12-të i Edi Ramës në pushtet. Narkoshtetin nuk e filloi as këtë vit, as një vit më parë. Themelet i hodhi në 2015-n kur mbuloi nga jugu në veri Shqipërinë me kanabis. Isha zëri i parë në Shqipëri dhe botë kur fola për narkoshtet”, tha ai.
    Sipas Berishës, i cili sot kërkon të rrëzojë nga pushteti Ramën, kjo ndodhi me një projekt të kryeministrit. Për këtë ai riktheu statistika të periudhës kur ishte vetë Berisha që qeveriste vendin. “Shqipëria kishte treguesit më të mirë në luftën kundër drogës. Së pari, rruga kryesore e heroinës nga lindja, kalonte nëpër Shqipëri.
    Dokumentet e kohës provojnë se ajo u spostua, kalonte nga Maqedonia në Serbi. Së dyti kishte parcela kanabisi vetëm një fshat dhe ky quhej Lazarat. Së treti, në brigjet e Italisë, në vitin 2012, kanë kaluar gjithsej 12,5 kg kokainë nga Shqipëria. Saqë Italia hoqi kontrollin kufitar me Shqipërinë. Moratoriumi i skafeve pati efekte të shkëlqyera”, shtoi ai.
    Për çështjen e drogës në Shqipëri, Berisha madje tha se është bërë debat në Këshillin e Ministrave të kohës. “Arben Ahmetaj e parashikoi që kjo është para për ekonominë shqiptare. Por sot kjo para ka shkatërruar dhjetëra mijëra vende pune të ndërmarrjeve të eksportit, të cilat vetëm me rënien e euros 35% kanë humbur çdo fitim”, tha Berisha.

  • Me Piro Dhimën dhe Anila Dhimitrin, Kumbaro mbyll fushatën në Përmet e Këlcyrë

    Me Piro Dhimën dhe Anila Dhimitrin, Kumbaro mbyll fushatën në Përmet e Këlcyrë

    Me kandidatët Piro Dhima dhe Anila Dhimitri, drejtuesja politike e PS-së, Mirela Kumbaro, zhvilloi takimin përmbyllës të fushatës elektorale në Përmet e Këlcyrë.
    “Nga Këlcyra, bashkë me Anilën dhe Piron, në përmbyllje të një muaji të mbushur me takime fshat më fshat  e sy më sy me banorët, me besimin e fortë të këlcyriotëve te #PS për të çuar përpara punët e nisura. Krenare për një skuadër që përfaqëson denjësisht qarkun tonë – për herë të parë të gjithë të lindur e rritur këtu, me punë, përkushtim dhe rrënjë të thella në komunitet, teksa më 11 maj të gjithë bashkë votojmë Partinë Socialiste për të ardhmen europiane”, shkruan Kumbaro.

    “Me përmetarët e dashur që më japin aq shume emocione, në takimin përmbyllës të një muaji të mbushur me energji, bashkëbisedime dhe besim nga qytetarët. Bashkë me Anilën dhe Piron shkojmë drejt një fitoreje spektakolare të Partisë Socialiste në 11 maj, pas këtyre javëve që kanë qenë një udhëtim i sinqertë me një skuadër e cila flet gjuhën e vendit sepse të gjithë janë rritur e formuar në këtë qark! Për një të ardhme edhe më të mirë dhe për Përmetin që kemi ëndërruar, ecim përpara vetëm me numrin 5️⃣ dhe Partinë Socialiste!”, shkruan Kumbaro