Day: May 8, 2025

  • Konservator, mbështetës i Papa Françeskut dhe pro politikave ndaj emigrantëve, kush është Papa Leo XIV

    Konservator, mbështetës i Papa Françeskut dhe pro politikave ndaj emigrantëve, kush është Papa Leo XIV

    Robert Francis Prevost është amerikani i parë që shërben si Papë. Ai është zgjedhur me emrin Papa Leo XIV dhe doli në ballkon mes duartrokitjeve të fuqishme, ndërsa njerëzit thërrisnin emrin e tij.

    Duke folur fillimisht në italisht dhe më pas në spanjisht, ai tha se Papa Françesku ishte gjithmonë “i guximshëm dhe i bekuar për Romën”.
    Papa i ri ka lindur në Çikago dhe është bërë kardinal nga Françesku në vitin 2023.
    Ai ka kaluar shumë vite si misionar në Peru dhe raportohet se është i afërt me vizionin e Françeskut sa i përket mjedisit, ndihmës për të varfrit dhe migrantët.
    Ai tha në vitin 2024: “Ipeshkvi nuk duhet të jetë një princ i vogël i ulur në mbretërinë e tij.”
    Ai e ka mbështetur Papën Françesku në lejimin e katolikëve të divorcuar dhe të rimartuar që të marrin Kungimin e Shenjtë.
    Në fusha të tjera ai duket më konservator, duke shfaqur vetëm mbështetje të lehtë për lejimin e meshtarëve të bekojnë çiftet e të njëjtit seks.
    Papa Leo XIV sapo ka mbajtur fjalimin e tij për dhjetëra mijëra njerëz që e dëgjonin në Sheshin e Shën Pjetrit.
    Një meshë ceremoniale për ta instaluar Papën e ri pritet të zhvillohet rreth një javë nga tani.
    Kjo do të ndodhë në Sheshin e Shën Pjetrit ose në bazilikë, me praninë e kardinalëve, ipeshkvinjve dhe personaliteteve të tjera ndërkombëtare.
    Në ditët e sotme ka më pak pompozitet dhe ceremoni krahasuar me të kaluarën, për shembull, Papa Pali VI ishte i fundit që mbante triregnumin gjatë instalimit të tij në vitin 1963.
    Veprimi i tij i parë ka qenë zgjedhja e emrit – Papa Leo XIV.
    Kjo për të treguar se zgjedhja si Papë është e barabartë me një lindje të dytë.
    Më tej, përgjegjësitë e tij do të përfshijnë zgjedhjen e vendbanimit të tij dhe adresimin e çështjeve më të gjera brenda Kishës.
    Kjo përfshin rënien e pjesëmarrjes në kishë dhe betejën e vazhdueshme me krizën e abuzimeve seksuale që ka përfshirë institucionin.
     

    Top Channel

  • “Djajtë e kuq” shkatërrojnë Bilbaon, finale me “aromë” Premier Lige në Ligën e Europës

    “Djajtë e kuq” shkatërrojnë Bilbaon, finale me “aromë” Premier Lige në Ligën e Europës

    Janë përcaktuar dy finalistët e Ligës së Europës. Një finale me “aromë” Premier Lige, teksa Totenhemi dhe Mançester Junajtedi do të përballen në Bilbao për trofeun e Ligës së Europës.
    “Djajtë e kuq” kanë shkatërruar sot me rezultatin 4-1 Atletik Bilbaon në “Old Treford”. Hauregizari shënoi në minutën e 31-të golin e vetëm për baskët, por anglezët përmbysën shifrat në pjesën e dytë. Maunti (72’, 90’+1’), Kasemiro (80’) dhe Hojlundi (85’) i dhanë fitoren Junajtedi, i cili shkon në finale me rezultat të përgjithshëm 7-1.
    Në krahun tjetër Totenhemi ka mposhtir Bodo/Glimtin në transfertë. Spërsat fituan me shifrat 0-2 falë golave të shënuar nga Solanke dhe Pedro Porros./sport Ekspres/

  • Oriz me Kungulleshka dhe Djathë – Shija më e Mirë e Stinës

    Oriz me Kungulleshka dhe Djathë – Shija më e Mirë e Stinës

    Gatimet me oriz dhe sidomos kur përmbajnë djathë janë gjithnjë të preferuara për nga shija e mrekullueshme që dhurojnë.

    Jo vetëm i shijshëm, orizi është ndër ushqimet më të pasura me fibra të cilat ndihmojnë trupin të qëndrojë gjithnjë i shndetëshëm dhe në formë.
    Këtë gatim të lehtë mund t’a përgatisni në një mori mënyrash dhe kombinimesh të ndryshme.
    Gjithësesi kombinimet e reja janë gjithnjë të dëshiruara kur bëhet fjalë për ushqime shumë të përdorshme siç është orizi.
    Në recetën e sotme AgroWeb.org ju sugjeron të provoni orizin me kungulleshka dhe djathë.
    Do të keni në tavolinë një pjatë kremoze me aromë fantastike që do të kënaqë të gjithë familjen.
    Ndiqeni më poshtë mënyrën e saktë të përgatitjes së kësaj recete fare lehtë në vetëm 30 minuta.
    Përbërësit

    180 gramë oriz
    500 ml ujë i ngrohtë
    150 gr djathë i bardhë
    70 gr djathë i grirë kaçkavall
    2 kungulleshka të vogla
    2 lugë gjelle gjalpë
    1 qepë
    1 lugë gjelle lëng limoni
    piper i zi

    Përgatitja
    Për të nisur këtë recetë AgroWeb.org ju këshillon të filloni me shkrirjen e gjalpit në një tigan, në zjarr mesatar.
    Prisni më pas qepën në fije të holla dhe shtojeni tek gjalpi i shkrirë. Skuqeni derisa qepa të fillojë të marrë ngjyrë të artë.
    Shtoni edhe sasinë e orizit, lëngun e limonit , kripën  dhe piperin duke i lënë për 3 minuta në zjarr mesatar, të ulët.
    Kujdesuni t’a përzieni herë pas here orizin tuaj, në mënyrë që të mos ngjisë në fund të tiganit.
    Pasi të kenë kaluar minutat, shtoni ujin e ngrohtë tek orizi dhe lëreni të zihet në zjarr të ulët për të paktën 20 minuta.
    Kur uji të fillojë të nxjerrë bulëza, mbulojeni tiganin me një kapak hermetik dhe lëreni të vlojë për disa minuta.
    Shikoni me kujdes pasi uji duhet të avullojë i gjithi përpara se t’a hiqni tiganin nga zjarri.
    Ndërkohë grini në feta të holla të dy kungulleshkat, kujdesuni që fijet të jenë sa më të holla.
    Këtë proçes mund t’a bëni edhe me rende në mënyrë që kungulleshkat të jenë sa më të imëta.
    Shtojini më pas edhe fijet e kungulleshkave të grira tek orizi duke i lënë të gatuhen për 10 minuta në zjarr të ulët.
    Lëreni orizin të gatuhet derisa edhe kungujt të jenë zbutur.
    Më pas hiqeni tiganin nga zjarri dhe hidhni në të djathin e bardhë të thërrmuar në copëza të vogla, bashkë me djathin e grirë kaçkavall.
    Përziejeni atë me kujdes dhe vendosni sërisht kapakun mbi tigan, në këtë mënyrë djathi do të shkrijë me nxehtësinë e orizit.
    Lëreni të pushojë për 5 -10 minuta dhe kur djathi të jetë shkrirë, mund t’a servirni në pjata të veçanta.
    Sipas dëshirës mund të shtoni edhe pak majdanoz sipër në mënyrë që të përfitoni një shije më të freskët./AgroWeb.org

  • Shumë Ujë Pak Kalori: 9 Ushqimet më të Mira të Verës

    Shumë Ujë Pak Kalori: 9 Ushqimet më të Mira të Verës

    Balanca mes hidratimit dhe djegies së kalorive është mëse e nevojshme të ruhet rregullisht, sidomos në stinën e verës.

    Këto ushqime të shëndetshme të listuara nga AgroWeb.org, të cilat jo vetëm hidratojnë, por edhe përmirësojnë energjinë, përqendrimin dhe shëndetin e përgjithshëm e mbi të gjitha kanë pak kalori.
    Kastraveci
    Kastraveci është një ndër ushqimet më hidratuese në botë.
    95 përqind e përmbajtjes së tij përbëhet nga uji dhe një pjesë e mirë e vitaminës K.
    Për më tepër ai ka pak kalori dhe nuk ju shëndosh.
    Selinoja
    95 përqind e selinosë përbëhet nga uji dhe për fat të mirë është një ushqim me pak kalori.
    Selinoja është një ushqim freskues dhe shumë hidratues dhe me pak kalori.
    Specat
    Sipas të dhënave të AgroWeb.org, specat janë të pasur me antioksidantë dhe vitaminë C.
    Për më tepër, 92 përqind e tyre përbëhet nga uji.
    Për pasojë, speci ju ndihmon të humbisni në peshë.
    Pjepri
    Pjepri përbëhet nga 90 përqind ujë dhe është një nga ushqimet që hidratojnë më shumë dhe me pak kalori
    Pjepri është i pasur me vitaminë A,C shumë nga vitaminat e kompleksit B.
    Qitro
    Qitro është një frut me shumë vlera të mira shëndetësore dhe ka aftësinë të shuajë oreksin, duke përshpejtuar metabolizmin nga ana tjetër
    Qitro përmban 90 përqind ujë, njësoj si pjepri.
    Spinaqi
    Spinaqi është një ushqim që i bën shumë mirë organizmit dhe hidratimi është një nga vlerat më të mira të tij.
    Spinaqi përmban 91 përqind ujë ndaj është një nga barishtet më të shëndetshme që mund të konsumoni.
    Domatja
    Spinaqi i lartpërmendur kombinohet mjaft mirë me domaten.
    Ajo është një nga ushqimet më hidratuese me një përmbajtje ujore prej 94 përqind.
    Për më tepër, domatja përmban edhe sasi domethënëse të biotinës, vitaminave C dhe K.
    Rrepkat
    Rrepkat e kuqe krokante dhe pak të athëta përmbajnë shumë ushqyes të rëndësishëm dhe 95 përqind e tyre përbëhet nga uji, sipas informacioneve të AgroWeb.org.
    Shalqini
    Shalqini është fruti ynë më i preferuar i verës.
    91 përqind e strukturës së tij përbëhet nga uji.
    Ky frut kaq i shijshëm dhe i lëngshëm përmban edhe doza të shëndetshme të vitaminës A, B6 dhe shumë antioksidantë./AgroWeb.org

  • Krem Pite Plot Delikatesë – Receta e Thjeshtë si ta Përgatisni

    Krem Pite Plot Delikatesë – Receta e Thjeshtë si ta Përgatisni

    Kjo ëmbëlsirë do t’ju lërë të kënaqur! Petë sfoliatë të pjekura e krokante të shoqëruara me kremin më fantastik që keni provuar.

    Ndiqni me kujdes hapat e shpjeguar në recetë, sidomos për përgatitjen e kremit, dhe përgatiteni që sot.
    Madje mund ta përgatisni edhe për festa apo gëzime familjare pasi është një ëmbëlsirë që përveç shijes ka edhe një pamje tërheqëse.
    Përbërësit:
    Brumi:

    250 gr petë sfoliatë
    Kremi:
    2 litra qumësht
    300 gr sheqer
    2 pako rreth 20g sheqer vanilje
    2 lugë gjelle miell
    200 gr niseshte
    7 vezë

    Përgatitja e brumit:
    Peta e sfoliatës është mirë që të mos jetë e ngrirë, ndaj kur ta blini mundohuni të gjeni pakot e freskëta.
    Hapeni petën në sipërfaqen e tavolinës suaj dhe punojeni pak me petës sa për ta holluar.
    Ndajeni petën në dy pjesë dhe shpojeni me pirun në mënyrë që kur të piqet të qëndrojë e drejtë.
    Vendosini pjesët e petës në tavë dhe piqini në furrë të ngrohur me 180 gradë për 20 minuta.
    Ngjyra e petës duhet të jetë e artë e ndërsa peta duhet të jetë krokante.
    Kur të jetë gati largojeni nga tava dhe lëreni të ftohet.
    Përgatitja e kremit:
    Në një tas hidhni 7 të kuqet e vezëve me 150g sheqer dhe punojini me rrahësin elektrik.
    Kremi duhet të jetë i plotë dhe me ngjyrë të verdhë shumë të lehtë.
    Shtoni më pas sheqerin me aromë vaniljeje, 300ml qumësht, miellin dhe niseshtenë.
    Gjatë gjithë kohës jeni duke e përzierë me rrahësin elektrik apo me telin e kuzhinës.
    Kur masa të jetë e njëtrajtshme dhe pa kokrra kremi është gati.
    Ndërkohë në një tenxhere hidhni pjesën e mbetur të qumështit dhe lëreni që të vlojë.
    Merrni pak nga qumështi i ngrohtë dhe hidheni me lugë tek masa kremoze që përgatitët me të kuqet e vezëve.
    Kështu temperature e vezëve do të thyhet dhe kur ta kaloni kremin tek qumështi ato nuk do të priten.
    AgroWeb.org ju këshillon që të tregoni kujdes me këtë hap pasi ndryshe kremi do të prishet.
    Përziejeni masën me lugë druri derisa të fillojë të mpikset, diçka e tillë parandalon krijimin e kokrrave të patretura të kremit.
    Kur masa të jetë trashur largojeni nga zjarri dhe në një tas tjetër rrihni të bardhat e vezëve me 150g sheqer.
    Kur të keni formuar merengen bashkojeni atë me pjesën tjetër të kremit.
    Vendoseni në zjarr edhe për 2-3 minuta të tjera kremin dhe kështu ai do të jetë gati.
    Merrni njërën nga petët dhe vendoseni mbi një tabaka, shtroni aty kremin dhe më pas mbulojeni me petën tjetër.
    Lëreni ëmbëlsirën të ftohet në frigorifer për të paktën 3-4 orë para se ta shërbeni.
    Në fund mund ta spërkatni me sheqer pluhur apo mjaltë për t’i dhënë një pamje dhe shije akoma dhe më speciale./AgroWeb.org

  • Efektet Shëndetësore të Muçmollave Shqiptare

    Efektet Shëndetësore të Muçmollave Shqiptare

    Muçmolla është vogëlushja e familjes së trëndafilit. Kjo pemë e vogël çel fruta të vogla në ngjyrë të kafenjtë deri tek ngjyrë ndryshku.

    Këto fruta janë të ngjashme me ato të trëndafilit të egër, por më të mëdha në përmasë.
    Ato përbëhen nga bërthama të forta. Muçmolla është një frut me reputacion prej kohësh në vendin tonë mesdhetar. Fama e saj ka gjetur vend nga e shkuara në ditët e sotme.
    Muçmolla kultivohet kudo në Shqipëri, kryesisht në jug të vendit. Pamja dhe shija e saj janë krejt unike.
    Shqiptarët i kanë vënë këtij fruit emra të ndryshëm që variojnë nga dialekti i rajoneve dhe rrethinave, por marrosja pas muçmollës është e njëjtë në të gjithë territorin.
    Së bashku me kumbullat shahine, muçmollat mbeten pjesë e traditës së vendit. Kohët e fundit ka patur një tendencë në rritje ndaj konsumimit të frutave që deri në një farë periudhe kanë qenë të neglizhuara nga fermerët dhe tregëtarët.
    Muçmolla është pjesë e familjes së mollëve dhe dardhave. Është e fortë e thatë, e regjur kur është e papjekur.
    Proçesi i pjekjes është paksa misterioz dhe shpesh krahasohet me kalbjen. Qelizat e membranës shkrumbohen, substancat e tanines zvogëlohen dhe tuli bëhet i qullët dhe ngjyrë kafe.
    Shija e muçmollës është pak si vera, me nuanca të mollës, kanellës por edhe pak pikante. Kujdes, nëse nuk është e pjekur dhe gati në kalbje është e kotë ta hash sepse nuk do ta kuptosh shijen e saj të vërtetë.
    Fruti i lashtësisë
    Muçmolla ka vendlindjen në Azinë jugperëndimore dhe Evropën juglindore.
    Ky frut ka qenë ndër të preferuarit e Grekëve dhe Romakëve ndërkohë që Britanikët e epokës viktoriane kanë qenë aq të marrosur pas saj saqë edhe vetë Shekspiri e përmendte si frut në veprat e tij.
    Megjithatë në shekullin e 20-të atëherë kur Evropa pati një shpërthim të prodhimit të frutave që çelin vonë, muçmolla humbi fronin e saj të madhështisë.
    Prezantimi i parë i mushmollës me Shqipërinë ka ndodhur shekuj më parë. Megjithatë asnjëherë nuk është kultivuar masivisht për tregti masive në vendin tonë. Kërkesat janë të larta edhe pse ky frut shitet në tezga të vogla në cepat e tregjeve fshatare.
    Pjesa më kryeneçe e mushmollës është kur nis proçesi i pjekjes që ngjan me kalbjen. Nëse lejohen të rrinë në pemë, muçmolla do të piqet vetë natyralisht sidomos pasi ka përjetuar ftohtësinë e ngricave. Ndonjëherë frutat bien nga pema dhe humbin në natyrën e egër.
    Alternativa më e mirë është kur frutat mblidhen para se ky proçes të nisë dhe pjekja të ndodhë në kushtet e shtëpisë.
    Idealja është që të vendosen kokëposhtë në hapësira të drunjta dhe të ruhen në një vend të freskët pa dritë dhe të lagësht për javë me rradhë deri sa të kenë aromën karakteristike.
    Vetëm një e treta e prodhimit të mushmollës arrin të piqet në pemë. Ato duhen konsumuar pasi janë zbutur.
    Vlerat shëndetësore
    Prej shekujve muçmolla përdoret për shërimin e problemeve me tretjen, pasi ka vlera shumë kurative për sistemin tretës.
    Muçmolla është e përkryer kundër inflamacioneve të shkaktuara nga bakteriet dhe viruset, ndihmon te bajamet e infektuara dhe lehtëson organet e frymëmarrjes.
    Muçmolla përmban proteina, karbohidrate, taninë, pektinë, acide organike dhe është e pasur me vitamina C dhe vitaminat e grupit B.
    Ajo është burim i mirë i kaliumit, kalciumit, hekurit dhe magnezit. Pektina e pranishme ndikon në uljen e kolesterolit, përmirëson punën e zorrëve, dhe ndihmon në shërimin e infeksioneve të ndryshme në organizëm.
    Muçmolla ka edhe një përdorimi tjetër interesant në formën e kompostos. Për të përgatitur këtë është e rëndësishme që të përzieni disa lugë mushmolla të freskëta të grira dhe lihen për një orë në ujë të vluar.
    Gjatë ditës nevojitet të pini dy gota nga kjo pije e ngrohtë dhe organizmi do të ndihet menjëherë më mirë./AgroWeb.org

  • Patëllxhanë të Mbushur me Gjizë – Shije dhe Shëndet i Mirë

    Patëllxhanë të Mbushur me Gjizë – Shije dhe Shëndet i Mirë

    Patëllxhanët janë ndër perimet fantastike që pavarësisht mënyrës apo recetës së përgatitjes të tërheqin përherë oreksin.

    Vlerat fantastike të patëllxhanit vijnë kryesisht nga vitaminat dhe mineralet. Patëllxhani është i mbushur me vitamina C, K, B6, magnez, fosfor, bakër, fibër, acid folik, potas dhe mangan.
    Të përgatitur në gjellë e tava të ndryshme, sallata apo edhe turshi, patëllxhanët të mrekullojnë me shijen e tyre fantastike në çdo recetë gatimi.
    Agroweb.org ju sugjeron më poshtë përgatitjen e patëllxhanëve të pjekur me gjizë, një recetë e thjeshtë dhe shumë e shijshme.
    Kjo recetë kërkon pak kohë në përgatitje dhe është një kombinim i shkëlqyer i patëllxhanëve dhe gjizës, vezëve dhe erëzave.
    Përgatitja e Patëllxhanëve me Gjizë
    Përbërësit

    5-6 patëllxhanë mesatarë
    4 vezë
    400- 500 gr gjizë pa kripë
    4-5 lugë miell
    Kripë
    Piper
    Majdanoz

    Përgatitja
    Patëllxhanët i lajmë, u presim bishtat dhe më pas i vendosim në një tenxhere me ujë për t’i zierë 10-15 minuta. Mund t’i provoni me një pirun, nëse janë zbutur mjaftueshëm, piruni do të depërtojë lehtësisht.
    Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon që të hiqni tenxheren nga zjarri, t’i kulloni patëllxhanët dhe t’i vendosni në një pjatë për t’u ftohur.
    Kur të jenë ftohur i presim në mes (për së gjati) dhe me ndihmën e një luge heqim tulin por jo plotësisht.
    Në një tas tulin e patëllxhanit, e përziejmë me vezët, gjizën, majdanozin e prerë hollë, kripën piperin dhe miellin. Duke e trazuar me kujdes, deri sa masa të jetë homogjene.
    Në zjarr kemi vendosur një tigan ku kemi hedhur me vaj ulliri, patëllxhanët i mbushim me masën që përgatitëm dhe i vendosim për t’i skuqur në fillim nga ana e lëkurave të patëllxhanit dhe kur të kenë marr pak formë kthehen dhe nga ana tjetër. Në këtë mënyrë ruhet forma që duam.
    Pasi i heqim nga tigani i vendosim në një pjatë me letër kuzhine për të thithur yndyrën e tepërt.
    Nëse preferoni patëllxhanët pasi i zjerë mund të vijoni me mbushjen dhe t’i piqni në furrë.
    Shoqërohet me kos të freskët apo dhallë si dhe sallata të freskëta të stinës./AgroWeb.org

  • Brokoli – Vlerat më të Forta i Përfitoni Nëse e Hani të Pagatuar

    Brokoli – Vlerat më të Forta i Përfitoni Nëse e Hani të Pagatuar

    Brokoli është një ndër perimet të pasura me vlera të fuqishme ushqyese. Por shpesh mënyra e konsumimit të saj, në formën e gatuar bën që shumë vlera ushqyese të kësaj perimeje të humabsin.

    Shumë minerale, vitamina dhe vlera të tjera humbasin gjatë gatimit, vlera të cilat janë shumë të dobishme për shëndetin e organizmit.
    Sa më shumë ujë të përdorni për gatimin e brokolit aq më shumë vitamina të kësaj perimeje do të humbasin.
    Rekomandimi i shumë dietologëve është që brokolit të konsumohen të gatuara shumë pak ose aspak.
    Në rastin e fundit, lulet e brokolit pastrohen mirë, ndahen në pjesëza të vogla, marinohen me vaj ulliri, kripë e lëng limoni dhe konsumohen në formën e sallatës.
    Në këtë rast bëni kujdes që të konsumoni jo sasi të mëdha të tyre veçanërisht për personat që kanë probleme me stomakun dhe tretjen.
    Vlerat që përfiton organizmi
    Brokoli është një nga perimet e gjelbra më të shëndetshme në botë.
    Bëhet fjalë për një perime miqësore me stomakun, të lirë në çmim por shumë të pasur në vlera dhe shije.
    Brokoli është i pasur edhe me fibër të tretshme që nxjerr kolesterolin e keq jashtë trupit.
    Kjo perime shërben edhe si antioksidant duke qenë se ka nivele të larta e të përqendruara të vitaminës C dhe flavonoidëve që përmirësojnë funksionet e kësaj vitamine.
    AgroWeb.org ju tregon se tek brokoli gjeni edhe luteinë, zeaksanthinë, beta karoten dhe shumë antioksidantë të tjerë të fuqishëm.
    Imunitet i fortë, shëndet i fortë
    Brokoli është i pasur me mineralet alkalinë dhe si çdo perime tjetër e ndihmon organizmin të ulë nivelet e dëmshme të aciditetit dhe e pastron atë nga toksinat.
    Proçesi i detoksifikimit mbështetet nga substanca si glukorafanina, glukonasturtina dhe glukobrasicina, të cilat aktivizojnë, neutralizojnë dhe eliminojnë ndotësit e dëmshëm të organizmit.
    Për më tepër, brokoli përmban isothiocinates që mbajnë nën kontroll proçesin e detoksifikimit në nivel gjenetik.
    Brokoli përmban nivele të larta të kalciumit dhe vitaminës K, të cilat janë të rëndësishme për shëndetin e kockave dhe parandalimin e osteporozës. Kjo perime e gjelbër bën mrekulli për zemrën.
    Vlerat anti-inflamatore të brokolit e bëjnë atë të rëndësishëm për mbrojtjen e enëve të gjakut nga problemet që shkaktohen nga sëmundjet kronike që kanë lidhje me sheqerin e gjakut.
    Nëse e keni të vështirë ta konsumoni të pagatuar, mundohuni ta gatuani sa më pak, në mënyrë që të maksimizoni potencialin e tij ushqyes. Mjafton ta gatuani për një kohë shumë të shkurtër me avull./AgroWeb.org

  • Refluksi Gastroezofageal – Çfarë Duhet të Dini Për Djegien e Stomakut

    Refluksi Gastroezofageal – Çfarë Duhet të Dini Për Djegien e Stomakut

    Sëmundja e refluksit gastroezofageal, e njohur më shpesh si GERD, është një problem i zakonshëm që prek miliona njerëz në mbarë botën.

    Kjo sëmundje mund të shkaktojë simptoma të pakëndshme dhe të ndikojë ndjeshëm në cilësinë e jetës së një personi.
    AgroWeb.org ju sjell një përmbledhje të asaj që duhet të dini rreth GERD, përfshirë shkaqet, simptomat dhe mënyrat e trajtimit.
    Çfarë është GERD?
    GERD është një gjendje kronike ku acidi i stomakut kthehet mbrapa në ezofag, duke shkaktuar ndjesi djegieje dhe irritim. Ky kthim i acidit ndodh kur muskulatura që lidh stomakun me ezofagun, e njohur si sfinkteri ezofageal i poshtëm, nuk funksionon siç duhet.
    Shkaqet
    Ekzistojnë disa faktorë që mund të kontribuojnë në zhvillimin e GERD:
    Ushqimet dhe Pijet
    Disa ushqime dhe pije mund të relaksojnë sfinkterin ezofageal të poshtëm dhe të shkaktojnë simptoma të GERD. Këto përfshijnë ushqimet e yndyrshme, të skuqura, çokollatën, kafetë, alkoolin dhe pijet me gaz.
    Mbipesha
    Mbipesha dhe shtimi në peshë mund të rrisin presionin në stomak, duke shkaktuar që acidi të kthehet në ezofag.
    Pirja e Duhanit
    Duhani ndikon në mosfunksionimin e sfinkterit ezofageal të poshtëm dhe mund të përkeqësojë simptomat e GERD.
    Shtatzënia
    Gratë shtatzëna shpesh përjetojnë simptoma të GERD për shkak të rritjes së presionit abdominal dhe ndryshimeve hormonale.
    Simptomat:

    Urth (ndjesi djegieje në gjoks): Kjo ndjenjë zakonisht përkeqësohet pas ngrënies dhe mund të zgjasë disa orë.
    Regurgitimi: Kthimi i ushqimit ose lëngjeve nga stomaku në gojë.
    Dhimbje në Gjoks: Dhimbje që mund të ngatërrohet me atë të një ataku kardiak.
    Vështirësi në Gëlltitje: Ndjenja e bllokimit të ushqimit në fyt.
    Kolla Kronike dhe Irritimi i Fytit: Këto simptoma mund të jenë më të shpeshta gjatë natës.

    Trajtimi dhe Menaxhimi i GERD
    Ndryshimet në Stilin e Jetës

    Ushqimi i Shëndetshëm: Shmangni ushqimet dhe pijet që shkaktojnë simptoma.
    Humbja në Peshë: Mbajtja e një peshe të shëndetshme mund të ndihmojë në reduktimin e simptomave.
    Shmangia e Duhanit: Duhani përkeqëson refluksin dhe duhet shmangur.
    Ushqyerja e Rregullt: Hani vakte të vogla dhe shmangni ngrënien pak para gjumit.

    Mjekimet

    Antacidet: Këto ilaçe neutralizojnë acidin e stomakut dhe ofrojnë lehtësim të shpejtë.
    Inhibitorët e Pompes Protonike (PPI): Këto ilaçe zvogëlojnë prodhimin e acidit dhe ndihmojnë në shërimin e ezofagut.
    H2 Bllokuesit: Këto ilaçe gjithashtu ndihmojnë në zvogëlimin e prodhimit të acidit.

    Kur Duhet të Kërkoni Ndihmë Mjekësore?
    Nëse simptomat tuaja të refluksit janë të shpeshta ose të rënda, është e rëndësishme të konsultoheni me një mjek. Nëse nuk trajtohet mund të çojë në komplikacione serioze si ezofagut, ulçera ezofageale dhe rritjen e rrezikut për kancerin e ezofagut.
    GERD është një gjendje që kërkon kujdes dhe menaxhim të vazhdueshëm. Duke bërë ndryshime në stilin e jetës dhe duke përdorur mjekimet e duhura, shumica e njerëzve mund të kontrollojnë simptomat dhe të përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre. /AgroWeb.org.
     

  • Mënyra e Duhur për Pastruar Thellësisht Lavamanin e Kuzhinës

    Mënyra e Duhur për Pastruar Thellësisht Lavamanin e Kuzhinës

    Lavamani i kuzhinës është gjithë kohës i ekspozuar ndaj baktereve të ndryshme që në një periudhë afat-gjatë mund të shkaktojnë një sërë problemesh.

    Ekspertët e AgroWeb.org thonë se lavamani duhet pastruar rregullisht por edhe në thellësi herë pas here.

    Mënyra e Duhur Për Disinfektimin e Lavamanit të Kuzhinës

    Pastrimi ditor i lavamanit duhet bërë me sfungjer dhe me sapun (ose larës enësh) sa herë që lani enët e palara.

    Megjithatë, kjo nuk mjafton për të eliminuar plotësisht bakteret tinëzare.

    Ekspertët e AgroWeb.org rekomandojnë që ky pastrim i thellë duhet bërë me solucionin zbardhues që është efikas kundër mykut, baktereve dhe viruseve.

    Megjithatë, zbardhuesit janë të rrezikshëm nëse i përdorni në mënyrë të gabuar.

    Si fillim duhet të dini që zbardhuesi luan rolin e një disinfektanti dhe jo pastruesi të mirëfilltë.

    Për pasojë, duhet të siguroheni që të lani lavamanin me ujë të bollshëm dhe sapun.

    Sasia e duhur e zbardhuesit është një lugë gjelle zbardhues të tretur në tre litra ujë.

    Uji duhet të jetë i ftohtë. Uji i nxehtë shkatërron përbërësit aktivë tek zbardhuesi dhe e bën atë më pak efikas.

    Zbardhuesi nuk duhet përzier me solucione të tjera pastruese siç mund të jetë uthulla e mollës apo alkoli.

    Një gjë e tillë do të krijojë një reaksion toksik të dëmshëm për shëndetin.

    Pasi ta keni larë lavamanin, mbusheni atë me ujin ku keni tretur zbardhuesi dhe lëreni të mbushur për 5 minuta.

    Mbani doreza në duar, dhe me sfungjer fërkoni pjesët që nuk janë mbuluar me ujë.

    Pas pesë minutash lëreni ujin me zbardhues të kullojë dhe fërkojeni edhe njëherë.

    Lëreni të thahet vetë në mënyrë natyrale dhe kur lavamani të jetë plotësisht i tharë, duhet të përdorni uthullën e mollës të tretur në ujë.

    Lagni leckën e pastrimit me tretësirën e uthullës dhe fërkojeni lavamanin lehtë dhe do të vëreni që ai do të shkëlqejë nga pastërtia/AgroWeb.org