Day: May 3, 2025

  • Në Lezhë një mandat e merr kandidati i Koalicionit Euroatlantik, shqiptaro-amerikani Prel Dedaj

    Në Lezhë një mandat e merr kandidati i Koalicionit Euroatlantik, shqiptaro-amerikani Prel Dedaj

    Lezha dhe Shkodra janë dy qarqet ku PS-ja nuk del në shumicë në mandate deputeti me 11 maj. Ndërsa qarqet e tjera flasin për PS.
    Në qarkun Lezhë, ku futen rrethi Kurbinit (Laçi), rrethi Mirditës dhe rrethi i Lezhës historikisht në dominancë ka qenë e djathta. Me ndonjë përjashtim, por raportet janë ndarë 4 me 3 për PD. Por këtë herë me futjen e një demokrati shqiptaro-amerikan, i cili vjen si origjinë nga zona e Fushë Kuqes, i cili kandidon në emër të koalicionit Euroatlantik, raportet do të përmbysen; 3 PS, 3 PD dhe 1 Prel Dedaj, që siç thamë vjen nga SHBA.

    Ai është një demokrat i vjetër në zonë, por jo vetëm aty, edhe në selinë blu. Prela ka lenë Amerikën që të synojë të jetë deputet dhe të përfaqësojë vlerat më burrnore e civile të qarkut. Ai ka punuar prej muajsh me këtë ide kandidimi, takon e bashkëbison me njerëzit, duke iu shpjeguar se duhen emra përfaqësues me dinjitet e jo që marrin urdhëra nga partia e tyre.
    Deputeti, thotë shqiptaro-amerikani, duhet të flasë e të mbrojë interesat e votuesve. Ndryshe kthehet në servilë partie dhe nuk zgjidh probleme e atyre që përfaqëson.
    Prel Dedaj vazhdon takimet në çdo fshat e qytet të qarkut Lezhë, me një shtab serioz elektoral.
    Realisht PS dhe PD e kanë frikë kandidatin edhe për faktin se ka rreth të fortë miqësor, përveç emrit të tij.
    Lezha duket se po shkon 3-3-1, ku kandidati shqiptaro-amerikan Prel Dedaj, do të jetë edhe si përfaqësues i krejt komunitetit shqiptar në SHBA, por edhe në shtetet e tjera./Agron Marku/

     

  • Parashikimi i horoskopit 3 maj, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

    Parashikimi i horoskopit 3 maj, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

    Dashi
    Ky është momenti për të kuptuar se çfarë ndjeni dhe çfarë dëshironi, ndaj nëse nuk e dini ende, mos bëni lëvizje të nxituara. Sfera financiare mund t’iu shkaktojë probleme.
    Demi
    Saturni do i ngadalësojë projektet në çift dhe vonesat do të jenë të pashmangshme. Në dashuri do të keni mundësi që të nisni një histori të re. Bëni kujdes edhe me rikuperimin e dashurive të kaluara.
    Binjakët
    Me ndikimin e kundërt të Hënës, do të bënit mirë që të prisni deri në 11 maj, për të marrë vendime në dashuri. Në këtë periudhë këshillohet që të rrini të qetë dhe të shmangni debatet.
    Gaforrja
    Ky është një moment mjaft pozitiv, ku dashuria do të jetë e favorizuar. Venusi do të ndikojë pozitivisht. Do të keni në mendje ide të reja dhe ndryshimet do të rezultojnë të frytshme.
    Luani
    Gjatë kësaj dite duhet të bëni kujdes. Në dashuri, historitë e lindura prej pak kohësh, do të ecin qetësisht. Megjithatë dikush mund të jetë kundër jush dhe nuk do ju kuptojë.
    Virgjëresha
    Me ndikimin e Hënës në shenjë, do të keni mundësi që të kaloni një ditë të qetë. Bëni kujdes me distancat fizikë, pasi mund të hasni në probleme. Në punë, do të ndiheni tejet të stresuar.
    Peshorja
    Të lindurit e kësaj shenje i pret një ditë mjaft pozitive. Gjërat do të ecin më së miri. Në dashuri, Hëna do të hyjë në shenjën tuaj dhe do të stimulojë emocione të bukura.
    Akrepi
    Kjo është një periudhe mjaft pozitive, veç bëni kujdes me nervozizmin. Në dashuri, mund të hasni në vonesa. Puna do të ecë përgjithësisht mirë, por përmirësime do të ketë pas pak ditësh.
    Shigjetari
    Yjet do të jenë mjaft të favorshme, por jo çdo gjë do të ecë siç dëshironi. Në familje, mund të përballeni me situata që kërkojnë zgjidhje. Në punë, duhet të bëni disa ndryshime në raport me kolegët.
    Bricjapi
    Duhet të mundoheni që të zgjidhni të gjithë problemet me të cilat jeni përballur këtë periudhë në dashuri. Ndërsa në punë do të ketë ndryshime dhe zhvillime pozitive
    Ujori
    Dita e sotme do të jetë përgjithësisht pozitive. Në dashuri, mund të ndiheni disi të përhumbur. Ndërsa sa i takon punës do të ketë tensione, për shkak se dëshironi me ngulm të përfundoni projektin
    Peshqit
    Jeni në një fazë të ndjeshme rikuperimi. Në dashuri mund të përballeni me probleme dhe nervozizëm. Puna do të jetë në përmirësim dhe problemet e hasura së fundmi do të gjejnë zgjidhje.

  • Flik paralajmëron se do të ndryshojë disa gjëra për ndeshjen e kthimit kundër Interit në Champions League

    Flik paralajmëron se do të ndryshojë disa gjëra për ndeshjen e kthimit kundër Interit në Champions League

    Adriatik BALLA
    Trajneri i Barcelonës, Hansi Flik, tha se skuadra e tij duhet të përmirësohet në mbrojtjepas ndeshjes së parë ndaj Interit në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve. Kjo është treguar si një dobësi kyçe për Blaugranat javët e fundit.Flick u kritikua si për mbrojtjen me linjë të lartë pas ndeshjes së parë në Montjuic, ashtu edhe për dobësinë ndaj goditjeve nga këndi, pasi lojtari më i mirë i ndeshjes, Denzel Dumfries, shënoi dy herë nga kënde.
    Lidhur me stilin e Barcelonës, Flik nuk kishte shqetësime.“Ne mund të përmirësohemi si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Shumë njerëz thonë se marrim shumë rreziqe me stilin tonë të lojës, e kam lexuar këtë edhe në Gjermani. Thonë se pësojmë shumë gola, por nëse shikojmë ekipet e tjera të mëdha dhe mënyrën se si pësojnë ata, nuk ka shumë dallim. Nuk e di saktësisht, por mendoj se me Real Madridin është e ngjashme.Ne shënojmë shumë gola, kështu duam të luajmë, dhe jam i kënaqur me këtë.
    Sigurisht që stili ynë përfshin rreziqe, por e dua. Në fund, njerëzit fokusohen vetëm te katërshja e mbrojtjes kur flitet për golat e pësuar dhe te sulmuesit për golat e shënuar. Por gjithçka ka të bëjë me ekipin; topi fillon me portierin dhe mbaron me sulmuesin. Po ashtu edhe anasjelltas, mund të nisë me sulmuesin. E rëndësishme është të dimë si luajmë si ekip. Kështu e dua unë, një ekip i lidhur mire”, tha ai. Pas ndeshjes së parë në Estadi Olimpic Lluis Companys, Flick përmendi se goditjet standarde janë një nga pikat e forta të Interit, si dhe diferenca në lartësi mes dy skuadrave.“Mendoj se mund të mbrohemi shumë më mirë.
    Nuk është vetëm çështje lartësie, por si bën bllokimet, duelet një për një, si merr përgjegjësi në mbrojtje… por sigurisht që Interi na dëmtoi shumë nga goditjet standarde. Edhe Bayern pësoi dy herë ndaj Interit, mendoj. Interi ka gjithashtu një ekzekutues të shkëlqyer të goditjeve standard, Hakan Calhanoglu, ndoshta një nga më të mirët”, shtoi trajneri blaugrana.
    Në dy ndeshjet e fundit, Barcelona ka pësuar katër gola nga goditjet standarde ndaj Interit dhe Real Madridit, duke e çuar numrin total në pesë gjatë muajit prill. Ylli i Barcelonës, Lamine Jamal, ishte në qendër të vëmendjes pas ndeshjes së parë. “Ka talent dhe gjeni, por tani duhet të qëndrojë i qetë dhe të vazhdojë kështu. Jemi shumë të kënaqur me nivelin e tij; ai është 17 vjeç, gjë që është e pabesueshme, por e dimë që duhet ta mbajë këtë nivel dhe madje ta përmirësojë. Edhe ai vetë e dëshiron këtë”, përfundoi Flik.

  • “Giro d’Italia” e çiklizmit në Shqipëri, aktiviteti i bujshëm nis më 9 maj

    “Giro d’Italia” e çiklizmit në Shqipëri, aktiviteti i bujshëm nis më 9 maj

    Adriatik BALLA
    Çiklizmi është një sport i preferuar në Shqipëri dhe ndër dekada ishte një sport me shumë talente dhe me pjesëmarrje të gjerë. Turet çiklistike të Shqipërisë janë aktivitete që përcjellin emocion dhe rivalitet, por këtë vit në Shqipëri do të zhvillolhet një veprimtari që është ndër më të njohurat në botë. Bëhet fjalë për “Giro d’Italia”, një prej aktiviteteve çiklistike më spektakolare jo vetëm në Itali e Europë por në mbarë botën. Referuar edhe informacioneve që përcjell “Top Channel”, “Giro d’Italia 2025” do të nisë më 9 maj në Shqipëri, ku do të zhvillohen tre etapat e para, dhe do të përfshijë 21 etapa duke përfunduar më 25 maj në Romë. Prezantimi i ekipeve pjesëmarrës në aktivitet do të bëhet në datën 7 maj ora 20:30 në Sheshin “Skënderbej”.
    ETAPA 1: 9 Maj / Durrës – Tiranë
    Xhiro do të nisë rreth orës 13:10 që nga Porti i Durrësit, ku do të bëhet nxehja dhe pedalimi i ekipeve deri sa të arrijnë në KM 0, në Durrës nga ku do të startojë gara. Sportistët do të vijojnë drejt Malit të Robit, në Kavajë, Rrogozhinë, Peqin, Papër, Bradashesh, Gracen, Mullet, TEG, Sauk, Surrel, Tiranë. Në Tiranë, ata do të rrotullohen nga Surreli, në Rrugën “Xhanfize Keko”, drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pastaj sërish në rrugën e “Rexhekrit”, drejt Surrelit, në rrugën “Xhanfize Keko” e në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Përfundimi i garës parashikohet të jetë rreth orës 17:03 në Sheshin “Nënë Tereza”.
    ETAPA 2: 10 Maj / Tiranë – Tiranë
    Gara nisë që nga Sheshi “Skënderbej” rreth orës 13:30, në drejtim të Bulevardit “Gjergj Fishta”, pastaj nëpërmjet Bulevardit “Bajram Curri” drejt sheshit “Nënë Tereza”, në Rrugën e “Elbasanit” drejt Saukut, rikthehen në Bulevardin “Bajram Curri”, nga Ura e Brrylit drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, deri tek Sheshi “Nënë Tereza”, ku rreth orës 17:15 është parashikuar të përfundojë xhiroja.
    ETAPA 3: 11 Maj / Vlorë – Vlorë
    Xhiro do të nisë rreth orës 13:15, nga Lungomare, ku do të bëhet nxehja dhe pedalimi i ekipeve deri sa të arrijnë në KM 0, në rrugën “Demokracia”, nga ku do të startojë gara. Sportistët do të vijojnë itinerarin drejt Kotës, në Brataj, drejt Qeparos, më pas nga Porto Palermo në Himarë, e më pas do të kthehen nga Qafa e Llogarasë, drejt Orikumit, e nëpërmjet Rrugës “Murat Tërbaçi” do të kthehen në Vlorë. Përfundimi i garës parashikohet të jetë rreth orës 17:26 në Rrugën “Sadik Zotaj”. Pas etapave në Shqipëri, gara do të kalojë në Itali, duke nisur nga Puglia. Nga atje, itinerari do të shkojë në veri, duke ruajtur një përbërje të ngjashme me edicionin e mëparshëm. Vështirësia do të shpërndahet përgjatë gjithë itinerarit, me dy provime individuale kohore të planifikuara. Giro 2025 do të kalojë gjithashtu kufijtë italianë për të përfshirë një skenë në Slloveni, duke i shtuar garës një dhunti ndërkombëtare, duke zgjeruar tërheqjen e saj. Finalja e fazës së parafundit do të jetë në Sestriere, një ngjitje ikonë që mund të vendosë klasifikimin e përgjithshëm përpara se të mbërrijë në Romë më 1 qershor. Itinerari final do të prezantohet më 12 nëntor në Romë, ku do të zbulohen detaje të mëtejshme mbi garën dhe fazat e saj.

  • Kumbulla me ambicie të qarta, të drejtojë mbrojtjen kuqezi në fushë kundër Serbisë

    Kumbulla me ambicie të qarta, të drejtojë mbrojtjen kuqezi në fushë kundër Serbisë

    Adriatik BALLA
    Marash Kumbulla, që ka 23 paraqitje me “kuqezinjtë”, nuk e pati rastin të luante në fazën grupore të Kampionatit Europian. Por, te Shqipëria vlerësohet i rëndësishëm për qendrën e mbrojtjes, pavarësisht se nuk pati rast të luante në ndeshjet e Grupit B. Shqipëria pati dy humbje e një barazim. U mposht 2:1 nga Italia dhe 1:0 nga Spanja, ndërsa barazoi 2:2 me Kroacinë. Shqipëria asnjëherë nuk është paraqitur në Kupën e Botës. Një kualifikim në Botëror, Kumbulla e ëndërron me fanellën “kuqezi” në këtë cikël eliminator. Shqipëria ka tri pikë nga dy ndeshjet e para kualifikuese të Grupit K.
    Shanset në grupin K
    Siç dihet nga kalendari dhe shorti i hedhur nga FIFA, në grup me Shqipërinë janë edhe Letonia, Serbia dhe Andorra. “Ne asnjëherë nuk jemi kualifikuar në Botëror dhe e di se është e vështirë pasi ka ekipe të forta në grup. Mendoj se ndeshja kundër Serbisë në qershor do të jetë vendimtare. Është kundërshtare direkte për vendin e dytë, pasi mendoj se vendi i parë do t’i takojë Anglisë. Të shpresojmë e të besojmë në kualifikim”, ka deklaruar Kumbulla në një intervistë dhënë mediumit italian “Tuttomercatoëeb”. Ndaj Serbisë, Shqipëria luan më 7 qershor në Tiranë, ndërsa më 10 qershor udhëton te Letonia. Kumbulla me shumë sukses po paraqitet te skuadra e Espanjolit në La Liga të Spanjës. 25-vjeçari iu bashkua Espanjolit në formë huazimi nga Roma në gusht të vitit të kaluar. Ai ka luajtur në Itali për Veronën e Sasuolon, kurse në Spanjë është përshtatur shumë mirë. Qendërmbrojtësi i Shqipërisë ka zhvilluar 31 ndeshje dhe ka realizuar 3 gola në elitën spanjolle. Espanjoli është i 13-ti me 39 pikë.
    Vlerësimet për Ismajlin dhe Asllanin
    Mbrojtësi kuqezi, Marash Kumbulla, ka folur për edicionin aktual, por është ndalur në veçanti për dy lojtarët e Shqipërisë, qendërmbrojtësin Ardian Ismajli që luan tek Empoli dhe mesfushorin e Interit, Kristjan Asllanin. “A e kam pritur shpërthimin e Ismajlit? Po. Qëkur kemi luajtur me tre mbrojtës te Shqipëria, unë, ai dhe Gjimshiti, jam ndier mirë me të dy. Ismajli ka qenë gjithmonë shumë i fortë. Ndoshta nuk është shumë i gjatë, por ai ka fuqi dhe ka shkëputje të madhe. Ai është shumë i kujdesshëm në mbulimin e hapësirave, në pozicionim. Është e pamundur ta gjesh atë në pozitën e gabuar. Kam shumë respekt për të. Kur luaj me të te Shqipëria ndihem rehat dhe me vetëbesim. Po ashtu, ai i përkrah shumë bashkëlojtarët”, ka deklaruar Kumbulla për Ismajlin. Fjalë pozitive ka thënë edhe për Asllanin, por e ka pranuar se kur nuk luan vazhdimisht është e vështirë ta gjesh formën më të mirë. “Asllani teknikisht është shumë i fortë, por nuk e di, duhet ta kesh edhe dinamikën e brendshme të ekipit. Mund të jap një shembull. Kur unë nuk kam luajtur për kohë të gjatë dhe ka ardhur momenti për të luajtur, nuk jam ndier mirë. Është çështje personale, por vazhdimësia të jep vetëbesim. Kjo është e vërtetë për një djalosh të ri si ai, apo si unë para dy-tre vjetësh”, shtoi Kumbulla. Ai nënvizoi se dallimi mes Serie A dhe La Liga është shumë i madh. Në Itali, sipas Kumbullës, futbolli është më taktik se në Spanjë. Në elitën spanjolle ka më shumë kundërsulme dhe lojë ofensive.

  • Rriten temperaturat, si parashikohet moti për këtë të shtunë

    Rriten temperaturat, si parashikohet moti për këtë të shtunë

    Dita e shtunë parashikohet me mot të qëndrueshëm.

    Vlerat maksimale arrijnë deri në 28 gradë C.
    Era do të fryjë me drejtim jugperëndim – veriperëndim me shpejtësi mesatare 8 m/s.

    Top Channel