Month: April 2025

  • Xhixho te Medreseja: Do t’i japim frymëmarrje ekonomisë, do të rrisim pagat dhe pensionet

    Xhixho te Medreseja: Do t’i japim frymëmarrje ekonomisë, do të rrisim pagat dhe pensionet

    Zv/presidentja e Partisë së Lirisë dhe kandidate për deputete, Erisa Xhixho zhvilloi një takim me qytetarët në zonën e Medresesë, ku ka shpalosur programin e koalicionit. Në një postim në Facebook, Xhixho shkruan se PL premton rritje të pagave dhe pensioneve, duke i dhënë frymëmarrje ekonomisë shqiptare.
    ”Sot në Medrese, aty ku çdo ditë ndihen gjithnjë e më shumë pasojat e mungesës së fuqisë blerëse, fuqisë punëtore dhe vështirësitë që përballen bizneset e vogla.

    Pas 11 majit, do të rikthejmë shpresën me një model të ri ekonomik që u shërben çdo qytetari dhe biznesi: ulim taksat, çmimin e naftës dhe të energjisë elektrike.
    Taksat lokale nuk do të kalojnë 1% të xhiros vjetore. Do të rrisim pagat dhe pensionet, duke i dhënë frymëmarrje ekonomisë shqiptare. Është koha për të votuar për ndryshim”,-shkruan Xhixho.

  • Ish-drejtori i RTSH ironizon deklaratën e Agron Shehaj: Të mbyllim dhe parlamentin, pse jo?!

    Ish-drejtori i RTSH ironizon deklaratën e Agron Shehaj: Të mbyllim dhe parlamentin, pse jo?!

    Pas videos së deputetit Agron Shehaj për uljen shpenzimeve në RTSH ka reaguar dhe ish-drejtori Thoma Gëllçi.
    Në statusin e tij Gëllçi në mënyrë ironike replikon me Shehajn duke thënë se pas kësaj deklarate do duhet të mbyllim sipas tij dhe parlamentin.
    Nga ana tjetër sipas ish-drejtorit deklarata e Shehajt është si një kërkesë për mos të pasur televizon publik.
    Statusi i Thoma Gëllçi
    Të mbyllim RTSH-në, thotë Agron Shehaj. Se “s’na duhet” dhe “kursen buxhetin”. Dhe Agroni nuk është i vetmi.
    Por pse të ndalemi te RTSH-ja? Le të vazhdojmë në këtë rrugë progresiste të shkatërrimit racional:
    Mbyllim Parlamentin! Se ç’na duhet 140 vetë që paguhen si CEO për të bërtitur si tifozë në një ndeshje “Skënderbeu–Kastrioti”? Të paktën RTSH-ja herë pas here transmeton ndonjë dokumentar mbi natyrën. Parlamenti, përkundrazi, prodhon reality shoë të nivelit “Big Brother”.
    Mbyllim teatrot, bibliotekat, dhe përse jo, mbyllim edhe memorien kolektive! Se është e shtrenjtë të kujtosh kush ishim, kur mund të klikosh “skip ad” dhe të harrosh gjithçka për 15 sekonda.
    Po të jemi praktikë, Agron: RTSH nuk mbulohet nga buxheti i shtetit, por nga një taksë direkte e qytetarëve – ndryshe nga 140 deputetë që mbulohen nga buxheti. Dhe rroga e një gazetari në RTSH është 500 dollarë e një deputeti 3000!!
    RTSH nuk e shikon kush! E treguam Agron, nja pesë vite më parë, që RTSH bëhet! Nëse e ke harruar ti nuk e ka harruar publiku, që po ta kujton sot në rrjete sociale.
    Në fund të fundit, RTSH mund të jetë në krizë, por ka më shumë shpresë për reformim sesa një parlament qe ka shikues, por nuk mund të themi se po bën punën e tij.
    Pra jo, Agron, mos na e shit idenë e mbylljes si zgjidhje. Sepse në këtë vend kemi mbyllur plot gjëra që s’duhej t’i kishim mbyllur kurrë: shpresën, meritokracinë, racionalitetin, dhe me sa duket, edhe televizionin publik.
    Nëse RTSH-ja “s’bëhet”, reformoje. Nëse nuk e sheh, mos e shiko. Por mos i thuaj popullit të heqë dorë nga ideja e një media publike – sepse atëherë, s’do të na duhej më as publik, as demokraci.
    Faleminderit që na kujtove, Agron: jo gjithmonë është mediumi i tepërt – ndonjëherë është mesazhi që s’ka kuptim.

  • Merz njofton për marrëveshjen për Qeverinë, synon të bëhet kancelar në maj

    Merz njofton për marrëveshjen për Qeverinë, synon të bëhet kancelar në maj

    Udhëheqësi i kristiandemokratëve në Gjermani, Friederich Merz, njoftoi se bisedimet për formimin e një koalicioni qeverisës kanë përfunduar me një marrëveshje, duke shtuar se synon që ta marrë detyrën e kancelarit në fillim të majit.

    Merz theksoi se bisedimet për koalicion u zhvilluar në mes të “tensioneve ndërkombëtare politike në rritje”, duke përmendur pushtimin e Ukrainës të nisur nga presidenti rus, Vladimir Putin, dhe tarifat e vendosura nga Shtetet e Bashkuara.

    “Agresori rus, Putin, nuk po shfaq gatishmëri për t’i dhënë fund luftës. Në të njëjtën kohë, pasiguritë ekonomike po rriten shumë. Vetëm këtë javë, vendimet e Qeverisë amerikane kanë shkaktuar turbulenca të reja”, tha Merz.

    Merz do të jetë kancelari i gjerman, pasi ka arritur marrëveshje për një koalicion qeverisës me Socialdemokratët e udhëhequr nga Lars Klingbeil, që pritet të bëhet ministër i Financave.

    Mbështetja për Ukrainën

    Pasi u njoftua për arritjen e marrëveshjes për Qeverinë e re, koalicioni publikoi programin politik prej 144 faqesh, ku ofrohet mbështetje e fuqishme për Ukrainën.

    “Do t’i ofrojmë Ukrainës mbështetje gjithëpërfshirëse, që ajo të mund të mbrohet në mënyrë efektive ndaj agresionit rus dhe të ketë një pozicion të fortë në negociata”, thuhet në dokument.

    Qeveria në largim e Gjermanisë, që udhëhiqet nga socialdemokratët e kancelarit Olaf Scholz, ka qenë një furnizuese kryesore e ndihmës ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, që nga nisja e pushtimit më 2022.

    Merz, si udhëheqës i opozitës, shpesh ka kërkuar që Qeveria të veprojë më shpejt dhe më guximshëm në këtë drejtim. Por, nuk është e qartë se çfarë do të thotë kjo në praktikë.

    Gjatë një vizite në Berlin, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ka shpresë që qeveria e re do t’i dërgojë Ukrainës raketat lundruese Taurus – një kërkesë e kahershme e tij. Merz, në atë kohë, nuk dha zotimin se do të përmbushte këtë kërkesë të Zelenskyt.

    Pritet që qeveria e re të rrisë ndjeshëm buxhetin e mbrojtjes së Gjermanisë, megjithëse nuk dihet ende saktësisht se sa.

    Edhe para se të marrë detyrën, Merz ka kërkuar miratimin e reformave përmes Parlamentit gjerman, që nënkupton se kufizimet e ashpra për borxhin qeveritar më nuk do të vlejnë për shpenzimet për mbrojtjen.

    “Siguria jonë aktualisht është më e rrezikuar seç ka qenë në çdo kohë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Kërcënimi më i madh dhe më i drejtpërdrejtë vjen nga Rusia”, tha ai, në dokumentin për politikat e koalicionit të ri.

    Tarifat e Trumpit

    Në dokument nuk përmendet presidenti amerikan.

    Por, kur Merz u pyet nga një gazetar i huaj për raportet me SHBA-në, ai u përgjigj në anglisht:

    “Mesazhi për Donald Trumpin është: Gjermania është kthyer në rrugën e duhur, Gjermania do të përmbushë obligimet sa i përket mbrojtjes”.

    I pyetur për tarifat amerikane, Merz tha se Evropa duhet të ketë një përgjigje të përbashkët për to. Këto deklarata ai i bëri disa orë pasi shtetet e Bashkimit Evropian u pajtuan për një sërë kundërmasash, përfshirë tarifa për importe të caktuara nga SHBA-ja, duke nisur nga 15 prilli.

    Merz është një transatlantist i kamotshëm dhe për katër vjet ka punuar për një kompani investuese amerikane. Pas fitores së tij në zgjedhje në shkurt, në mes të rritjes së tensioneve mes Evropës dhe administratës së re amerikane, ai deklaroi se Evropa duhet të fitojë “pavarësinë” nga Uashingtoni sa i përket mbrojtjes.

    Në marrëveshjen për koalicionin qeverisës, megjithatë, thuhet se raportet me SHBA-në janë “të një rëndësie jetike”.

    “Sa i përket politikës tregtare, ne synojmë bashkëpunim të ngushtë me gjithë Amerikën e Veriut. Fushat ekonomike transaltantike ofrojnë kushtet më të mira për sukses në garën globale”, u tha në dokument.

    Në dokument po ashtu përmendet edhe Irani. Aty thuhet se Gjermania riafirmon përkushtimin për të punuar me Uashingtonin dhe partnerët e tjerë perëndimorë që t’i jepet fund programit bërthamor të Iranit.

    Sa i përket prioriteteve të brendshme të Qeverisë, aty përmenden premtimet për rritje ekonomike përmes reformave ekonomike dhe shtypjes së imigrimit të paligjshëm.

    Koalicioni i ri duhet të marrë miratimin e anëtarëve të partisë të socialdemokratëve dhe udhëheqjes së kristiandemokratëve, para se të votohet në Parlament./REL

  • Kandidatja e PS, Ina Majko: Integrimi në BE kalon nga integrimi i pakicave kombëtare në Shqipëri

    Kandidatja e PS, Ina Majko: Integrimi në BE kalon nga integrimi i pakicave kombëtare në Shqipëri

    Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste, Ina Majko, ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së pakicave kombëtare në shoqërinë shqiptare, duke e cilësuar atë si një hap të domosdoshëm për integrimin europian të vendit.
    Në një postim në rrjetet sociale, Majko apelon qytetarët të mos votojnë thjesht për bindje politike, por për vizionin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.
    “Mos voto PS se je socialist. Voto PS sepse beson në një shoqëri ku përfshirja është për të gjithë,” shkruan ajo.
    Fushata e saj vijon me moton #Përfshirje #Integrim #VotoInaMajko #PS2025, duke vendosur theksin tek vlerat europiane dhe respekti për diversitetin në Shqipëri.

  • DETAJE/ Atentati i dështuar në Fier, autorët e shpallur në kërkim sherr me sende të forta me djalin e të plagosurës disa muaj më parë

    DETAJE/ Atentati i dështuar në Fier, autorët e shpallur në kërkim sherr me sende të forta me djalin e të plagosurës disa muaj më parë

    Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja e ndodhur në Fier këtë të mërkurë.
    Suzana Mernica, u plagos me armë zjarri nga A. Cimili, 66 vjeç dhe A. Cimili, 23 vjeç, babë e bir.Lexo edhe :Related Posts
    Gazetari i Vizion Plus, Ilmi Saliaj mëson se autorët e shpallur në kërkim, disa muaj më parë kanë pasur një konflikt me sende të forta me djalin e të plagosurës.

    Burime nga policia e Fierit bëjnë me dije se sherri për motive banale ka ndodhur brenda ambienteve të një lokali në Ndermenas. Fillimisht ka nisur me sharje e fyerje për të përfunduar në përdorimin e sendeve të forta.
    Në dëshminë e tyre në polici disa muaj më parë, të rinjtë nuk kanë treguar shkakun e konfliktit, i cili vijon të mbetet i paqartë edhe pas ngjarjes së sotme.

    Njoftimi i policisë:
    Plagosën me armë zjarri një shtetase, identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët(babë e bir).
    Rreth orës 14:00, në vendin e quajtur “Mbikalimi i Dërmënasit”, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri shtetasja S. M.
    Nga hetimet paraprake dyshohet se autorë janë shtetasit A. C., 66 vjeç dhe A. C., 23 vjeç, banues në Dërmënas (babë e bir), të cilët janë shpallur në kërkim.
    Janë ngritur menjëherë pika kontrolli në hyrje/daljet e qytetit të Fierit dhe në akset “Fier-Vlorë”, “Fier-Lushnjë”.
    Gjithashtu, shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e autorëve.
    Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe në drejtimin e prokurorit, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim kapjen e autorëve. /vizionplus.tv

  • Partitë ndezin “motorrët”, Gjylameti tregon “armët e forta” të PS në fushatë

    Partitë ndezin “motorrët”, Gjylameti tregon “armët e forta” të PS në fushatë

    Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti pohoi se fushata elektorale për gratë është më e vështirë.
    Në një lidhje me Edicionin Qendror të Lajmeve të orës 19:00 në Televizionin Kombëtar Vizion Plus të moderuar nga Aleksandër Furxhi, Gjylameti tregoi theksin e fushatës së PS në terren.
    Ajo renditi tematikat dhe prioritetet e programit, si pensionet, çështjet e punës, bonusin e bebeve.

    Intervista e plotë:
    Kandidatet gra thonë se një grua e ka të vështirë të zhvillojë fushatë elektorale. A jeni dakord ju, dhe pse?
    Gjylameti: Nuk ka asnjë lloj gare të lehtë. Të gjitha garat janë të vështira, por kur bëhet fjalë për një grua, është pak më e vështirë. Të gjithë jemi dakord se politika është parë gjithmonë si domeni i burrave dhe po ashtu edhe kontaktet, mënyra se si mund të ndërhysh tek njerëzit, është pak më e vështirë për gratë. Por, unë mendoj se më e rëndësishme në këtë garë mes nesh është ajo për të marrë mandatin e katërt të PS.
    Ju jeni në njësinë 4, çfarë është theksi i fushatës? Cilat janë temat e fushatës?
    Gjylameti: Kemi një sërë prioritetesh të programit që lidhen me reformat e pesioneve, për ata që kanë dalë në pension apo edhe për ata që do dalin. Duke riparuar gjithë problematikat që ka sjellë shumë vite tranzicioni dhe politikat jo të duhura sa i përket çështjes së tregut të punës. Diskutojmë për familjet, çështjet e familjeve, për bonusin e bebeve, etj. Sa i përket njësisë 4, ne kemi një nga komunitetet më të mëdha rom dhe egjiptian. Po ashtu, vazhdojmë në fazën e dytë në zonën e 5 Majit për banesa të reja nga rasti i tërmetit.
    Çfarë i thoni ju qytetarëve kur ju thonë se këto premtime, tematika janë të njëjta çdo fushatë?
    Gjylameti: Unë jam në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët. Jam një nga ato që mund të dëshmojë transformimin rrënjësor në këtë ndjesi. Ndryshe nga ata që premtojnë e nuk i zbatojnë, ne kemi një element tjetër. Bëjmë punët konkrete.
    /vizionplus.tv

  • Berisha habit me premtimin ndaj fermerëve lushnjarë: Do mbrojmë prodhimet tuaja nga fatkeqësitë natyrore

    Berisha habit me premtimin ndaj fermerëve lushnjarë: Do mbrojmë prodhimet tuaja nga fatkeqësitë natyrore

    Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se nëse PD fiton zgjedhjet e 11 majit, qeveria e re do të 5-fishojë subvencionet për fermerët.
    Komentet Berisha i bëri gjatë një takimi me mbështetës në Lushnjë, ku prezantoi kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit.
    Po ashtu, Berisha tha gjatë fjalës së tij se Shqipëria është një vend ku qindra e mijëra familje nuk ushqejnë dot siç duhet fëmijët e tyre, pasi sipas ish-kryeministrit, paratë e shtetit vidhen nga zyrtarët e korruptuar të qeverisë.
    Pjesë nga fjala e Berishës:
    Të dashur miq, PD dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore vjen tek ju me programin më të mirë, me programin të cilin kurrë ndonjëherë nuk e kanë paraqitur më parë para shqiptarëve.
    Me programin që shqiptarët nuk e kanë njohur kurrë, programin e Shqipërisë Madhështore.
    Dua t’u garantoj se ky program fillon nga zemra, dhembshuria e njeriut.
    Sepse ne në një mënyrë ose në një tjetër, jemi një vend sot, ku qindra e mijëra qytetarë derdhin lot të ftohta nga mjerimi.
    Jemi një vend në të cilin dhjetëra në mos qindra mijëra familje nuk ushqejnë dot si duhet fëmijët e tyre sepse paratë e tyre vidhen nga qeveritarët.
    Sot ne jemi një vend ku me qindra e mijëra të sëmurë nuk marrin dot ilaçet.
    Sot jemi një vend ku nuk janë të pakta familjet që shtrojnë sofrën por nuk kanë ushqimin për fëmijët e tyre dhe detyrohen t’u thonë, paç fatin, merr rrugët, gjej fatin. Dhe fëmijët vetëm largohen nga Shqipëria.
    Sot jemi i vetmi vend nga i cili u larguan mbi 45 përqind e shqiptarëve nga Shqipëria, ndaj dhe ne do fillojmë aty ku është dhimbja.
    Ne kemi vendosur që 3 muajt, çdo shqiptar që merr nën 200 euro, do marrë 200 euro. Çdo shqiptar nuk do firmosë nën 200 euro në borderotë e këtij vendi.
    200 euro nuk janë shumë, por në standardin ndërkombëtar, 200 euro janë jashtë varfërisë ekstreme. Janë 6.3 euro në ditë dhe ai që merr kaq, nuk është në varfëri ekstreme.
    Por mjerimit, numërimit të kafshatës i japim fund.
    Jo vetëm me këto, përkundrazi të gjithë këtyre do u japim kartën e konsumatorit. Karta e konsumatorit do të thotë që ata ushqimet do i blejnë 20 përqind më lirë se sa të tjerët me rroga të mesme dhe të larta.
    Të gjithë këtyre do u rimbursohen 100 përqind ilaçet.
    Pensionistët do kenë të drejtë të bëjnë analiza të plota falas 2 herë në vit.
    Lista e barnave do të jetë identike, 1 për 1 me Italinë. Nuk matemi ne me Italinë, por në ilaçe do matemi. I sëmuri në Shqipëri do mjekohet po me ato ilaçe që mjekohet italiani në Itali.
    Pra, do vendosim disa standarde të tjera sepse është krijuar një hendek i tmerrshëm midis atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë.
    Rroga të ulëta në Shqipëri nuk do të ketë në asnjë rrethanë nën 500 euro.
    Garantoj sipërmarrësit se do t’u kompensohet me ulje taksash rritja e rrogave në 500 euro të punonjësve.
    Ekziston një e drejtë, e cila duhet të respektohet.
    Rroga mesatare do jetë 1200 euro.
    Mësuesit do arrijnë në rrogën 1500 euro gjersa ata të paguhen më shumë se çdo mësues tjetër në Ballkan.
    Energjia, bizneseve do t’u shitet me 6 lekë nga 18 që u shitet sot. Familjarëve do u shitet me 7 lekë.
    Tarifa e ujit do përgjysmohet.
    Pra, me këto masa ne besojmë se e lehtësojmë në një shkallë ët caktuar jetën e qytetarëve tanë që janë në nevojë.
    Kjo sigurisht nuk është Shqipëria Madhështore, por e ka thënë Gandi se madhështia e një kombi matet me qëndrimin që ata kanë ndaj atyre që janë në nevojë.
    Dhe ne do kemi një ndryshim rrënjësor në qëndrimin ndaj tyre.
    Nuk ka të varfër nga dembelizmi. Të varfrit i ka bërë politika të varfër dhe ne këtë politikë do e ndryshojmë.
    Miqtë e mi, nuk ka rreth, nuk ka qytet, nuk ka qark që mund të bëhet më madhështor se qarku i Fierit, se rrethi i Lushnjes.
    Gjithçka në këtë rreteh natyra e ka bërë madhështore.
    Lushnja ka potenciale të jashtëzakonshme bujqësore.
    Lushnja ka fermerë të mrekullueshëm, njerëz të zotë të punës, të djersës.
    Lushnja ka brigjet turistike ndër më të bukurat.
    Ka çdo potencial.
    Pra, Made in Lushnja, Made in Albania, krenari kombëtare, krenari lushnjare.
    Miqtë e mi, askush nuk mund të prodhojë më shumë se fermeri lushnjar në qoftë se ti i largon atij të këqijat që i ka brë regjimi.
    Në qoftë se ti i garanton atij kushtet që djersa e tij të japë prodhimet, suksesin që meriton. Dhe ne këtë do bëjmë.
    Së pari, do ta barazojmë me fermerët e tjerë të rajonit. Do subvencionojmë pesë herë më shumë.
    Do rrisim fondin e subvencionimeve 5 herë për çdo fidan, për bimët e arave, për njësi prodhimi, për çdo krerë bagëti.
    Po, atëherë të maten fermerët e tjerë me fermerin e Lushnjes dhe të shohin kush prodhon më shumë dhe më lirë.
    I Lushnjes do jetë i pari.
    Sot, ky regjim për t’i hapur dyert shkatërrimit të prodhimit bujqësor, ka vendosur TVSH-në asimetrike te grumbulluesit dhe përpunuesit e prodhimeve.
    Unë iu jap fjalën ju se tre muajt e parë do vendoset taksa simetrike, e cila bën që përpunuesi t’i kthejë fermerit, të marrë ai TVSH-në 20 përqind për prodhimet që shet.
    Ballkani i Hapur, kjo marrëveshje që shkatërroi me mijëra ferma, që solli vërshimin e prodhimeve të subvencionuara 8 herë më shumë se prodhimet në Shqipëri për shkak të vëllazërisë Rama-Vuçiç, do hidhet në kosh të plehrave javën e parë të qeverisjes së PD.
    Linjë krediti të butë, në të cilën qeveria do paguajë 80 përqind të interesit, do u ofrohet fermerëve të Lushnjes dhe mbarë Shqipërisë.
    Nuk ka tokë më pjellore se toka shqiptare askund. Ky vend nuk ka asnjë pëllëmbë tokë pa frut.
    Lushnjes po i kripëzohen tokat se nuk ka investime në asgjë.
    Vaditja, kullimi dhe mbrojtja e tokës do jenë tre përparësi madhore të qeverisë së ardhshme.
    Kudo në botë që ndodh mbiprodhimi, ndodh që fatkqësitë dëmtojnë. Edhe tani më informuan se janë dëmtua prodhimet.
    Qeveria do ketë fondin e kompensimit me çmimin bazë të të gjithë dëmtimeve që vijnë nga faktorë natyrorë ose stoku i mbiprodhimit dhe mosshitja e tyre.
    Ndonëse u them këtu, e deklaroj këtu botërisht se do mbrojmë në çdo sezon prodhimet tuaja.
    Çdo vend e bën këtë, përveç Shqipërisë sot.
    Po, do t’i mbrojmë ato. Çdo vend i mbron. Përveç Edi Ramës që i shkatërroi prodhimet. 2 mijë ton patate iu kalbën një fermeri në Pogradec për shkak të Ballkanit të Hapur. Mijëra ferma falimentuan.
    Kjo merr fund.

  • Për kë parti do të votonit nëse zgjedhjet mbaheshin sot? Ja si u përgjigjën shqiptarët

    Për kë parti do të votonit nëse zgjedhjet mbaheshin sot? Ja si u përgjigjën shqiptarët

    Barometri Euronews Albania ka zhvilluar matjen e tretë zgjedhore në nivel vendi. Metodologjia e përdorur është sërish kampion rastësor i shtresëzuar dhe madhësia e kampionit ka qenë 1600 qytetarë të pyetur në gjithë territorin e Shqipërisë, ballë për ballë. Periudha kohore e mbledhjes së të dhënave për matjen e tretë zgjedhore të Barometrit Euronews Albania është 22 mars-03 prill 2025.
    Pyetja më e rëndësishme politike në matjet e Barometrit Euronews Albania për zgjedhjet e 11 majit është:
    Për cilën parti do të votonit nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot?

    Nëpërmjet kësaj pyetje në të gjitha matjet politike arrijmë të lexojmë prirjen e votës së qytetarëve për zgjedhjet e ardhshme. Përgjigjet në matjen e tretë në nivel vendi tregojnë se: 40.6% e qytetarëve nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot do të votonin Partinë Socialiste
    30% e tyre do të votonin Koalicioni Aleanca Shqipëria Madhështore drejtuar nga Sali Berisha.
    Dhe me radhë si më poshtë, 6.7% e qytetarëve do të votonin Koalicionin Nisma -Shqipëria Bëhet, 4.4% “Partia Mundësia” 1.8% “Lëvizja Bashkë”, 1.1% Koalicionin Euroatlantik, 1% Partia Social Demokrate, 0.9% partitë e tjera. Ndërkohë 13.5% e qytetarëve janë të pavendosur për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje. Një pjesë e tyre tregojnë se nuk do të votojnë, një pjesë përgjigjen nuk e di ose refuzojnë të përgjigjen kësaj pyetje.
     
     

  • Berisha nga Lushnja: Rikthimi im për t’i kthyer vendit, opozitën, zero ambicie personale

    Berisha nga Lushnja: Rikthimi im për t’i kthyer vendit, opozitën, zero ambicie personale

    Sali Berisha në prezantimin e kandidatëve për deputetë të qarkut të Lushnjës, tha se rikthimi i tij në politikë s’ka lidhje me interesat personale të tij, por për t’i dhënë vendit një opozitë që po shkatërrohej.
    ‘Berisha tha: ‘Vij para jush e ju them se në këtë rikthim timin kam patur 0 ambicie personale, jo në këtë vjeshtë timen, interesat e mia janë krejt tjera.

    U ktheva, sepse e pashë që kërkonin një Shqipëri pa opozitë, por Shqipëria pa opozitë ishte si ai lisi i thatë që pret shtrëngatën e parë për tu rrëzuar.
    E pashë që Edi Rama kërkonte një Shqipëri pa opozitë, nuk ka motiv më të madh se të luftosh për një Shqipëri madhështore, të bësh gjithçka tu kthesh paratë shqiptatëve me rroga pensione e shërbime”.

  • Provokimi i Emiliano Martinezit, shkon në Francë me simbolin e francezëve dhe me trofetë e Argjentinës

    Provokimi i Emiliano Martinezit, shkon në Francë me simbolin e francezëve dhe me trofetë e Argjentinës

    Mbrëmjen e sotme do të zhvillohet përballja e parë mes PSG-së dhe Aston Vilës. Skuadra nga Birminghemi ka mbërritur në Paris që ditën e djeshme për t’u përgatitur për këtë sfidë kaq të rëndësishme. Nuk kanë munguar as provokimet nga Emiliano Martinezi.
    Portieri i Aston Vilës ka tërhequr vëmendjen me kapelen e tij. Në të gjendej gjeli, simboli i francezëve, si dhe tre trofetë e fituara nga Argjentina: Kupa e Botës, Kupa e Argjentinës dhe Finalisima. Vlen të theksohet se që prej finales së Kupës së Botës në 2022-shin, argjentinasit dhe francezët kanë nisur një rivalitet mes tyre./Sport Ekspres/