Day: April 29, 2025

  • Arteta nuk e fsheh entuziasmin: Duam më shumë se kaq, ta fitojmë Ligën e Kampionëve

    Arteta nuk e fsheh entuziasmin: Duam më shumë se kaq, ta fitojmë Ligën e Kampionëve

    Mikel Arteta ka mundësinë të bëjë atë që Arsene Wenger nuk e arriti në stolin e Arsenalit. Të martën në mbrëmje, “topçinjtë” do të presin PSG për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, teksa trajneri i ekipit anglez ka deklaruar në konferencën për shtyp: “Një mundësi e pabesueshme, jemi këtu për t’i bërë njerëzit të lumtur”.
    Më pas, ai u ndal te disa informacione specifike lidhur me formën e disa lojtarëve: “E dimë situatën e Mikel (Merino) dhe Ben (White), fatkeqësisht humbëm Thomas (Partey). Ben dhe Mikel kanë mundur të stërviten, do të shohim nëse do të jenë në gjendje ta nisin titullarë. Calafiori nuk ka mundur të stërvitet”.
    Mundësia është e jashtëzakonshme, pasi në dy ndeshje, Arsenali luan për finalen. Dhe entuziazmi është i madh: “Po, e ndjen kudo entuziazmin në klubin tonë, është diçka unike. Jemi plot energji dhe entuziazëm, mezi presim të luajmë. Është një histori e bukur, por duam më shumë”.
    A ka mundësi që kjo të jetë nata më e mirë e tij në karrierë: “Po, besoj se po, që nga momenti që kam përjetuar gjithçka, edhe si lojtar. Shpresojmë që të jetë edhe më mirë. Arsenali favorit? Nëse e shohim nga historia, do të thoja jo, sepse asnjëherë nuk e kemi fituar dot Champions League”.
    Një koment i fundit mbi Rice, investimi më i madh i klubit, mbi 100 milionë euro: “Shpresojmë që, duke fituar shumë trofe bashkë, të mund ta justifikojmë këtë shifër. Besoj se ka bërë disa hapa përpara”.

  • Enrique: Më pëlqen më shumë PSG, prandaj jam këtu. Arsenali? Na ngjan shumë neve

    Enrique: Më pëlqen më shumë PSG, prandaj jam këtu. Arsenali? Na ngjan shumë neve

    PSG po ndizet. Me titullin e Ligue 1 të vendosur tashmë në “palmares”, lojtarët kuqeblu mendojnë vetëm për lavdinë në Europë, pra në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve kundër Arsenalit. Këtë e di mirë Luis Enrique, trajneri i parizienëve, i cili foli në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes së parë gjysmëfinale, që do të zhvillohet sonte në mbrëmje në Londër:
    “Bëhet fjalë për gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, por mbeten dy ndeshje mes dy skuadrave që kanë të njëjtin objektiv, dy kundërshtarë që duan të jenë më të mirët. Çelësi do të jetë menaxhimi i presionit, tërheqjes mbrapa… Duhet ta menaxhojmë gjithçka në mënyrën më të mirë të mundshme, kjo do të jetë shumë e rëndësishme”.
    Sa iu përket mundësive të Arsenalit për të arritur në finale, Luis Enrique tha: “Nuk dua të flas as mirë, as keq për kundërshtarin. Në fund të fundit, është një nga skuadrat më të mira në Europë, po bën një punë të jashtëzakonshme me trajnerin e vet prej disa vitesh. Të gjithë e kemi merituar të jemi këtu. Mua më pëlqen më shumë skuadra ime, prandaj jam këtu. Disa do të preferojnë PSG, të tjerë Arsenalin, kjo është pjesë e jetës”.
    Për sa i përket situatës së fundit të PSG-së në kampionat (një humbje dhe një barazim), Enrique u tregua i qartë: “Nuk jam fare i shqetësuar”.
    Duke u kthyer te përballja me Arsenalin, tekniku spanjoll shtoi: “Arsenali dhe PSG janë të ngjashëm. Të dyja janë skuadra që dinë të sulmojnë dhe të mbrojnë në grup, kanë individualitete të nivelit të lartë, por pa u varur prej tyre. A është Arsenali skuadra më e mirë që kemi përballuar? Nuk e di, është e vështirë të thuhet. Megjithatë, është një nga skuadrat më të mira në Europë, kjo është e sigurt. Edhe ne jemi një prej tyre”.
    Tani mbetet vetëm një objektiv në lojë: “Kemi vetëm një rrugë, të synojmë finalen”.

  • Gjysmëfinalet e Champions, Barcelona dhe PSG favorite për titullin europian për klube

    Gjysmëfinalet e Champions, Barcelona dhe PSG favorite për titullin europian për klube

    Adriatik BALLA
    Në vitin 2010, kur Barcelona u përball me Interin në gjysmëfinalen e Champions League, Lionel Mesi ishte në kulmin e tij, kurse Lamine Jamal ishte vetëm 3 vjeç. Ky i fundit kërkon të shkruajë historinë pas 15 vjetësh nga ajo periudhë ku Interi ishte fitues i Ligës së Kampioneve. Kështu, “Camp Nou” ishte arenë e një prej ndeshjeve më të paharrueshme në Ligën e Kampionëve. U përballën skuadrat e njëjta që takohen sërish të mërkurën mbrëma. Duke mbrojtur epërsinë 3:1 nga ndeshja e parë, Interi, që atëbotë drejtohej nga Jose Mourinho, bëri një kryevepër defanzive ndaj Barcelonës së Pep Guardiolës. Mbijetoi me dhjetë lojtarë për më shumë se një orë dhe humbi vetëm 1:0. Ai rezultat ia mundësoi që të avanconte në finalen e madhe. Kujtimet do të shfaqen këtë javë para ndeshjes së parë mes Barcelonës dhe Interit, sidomos për faktin që dy skuadrat kanë tipare të ngjashme si 15 vjet më parë.
    Barça kthehet në gjysmëfinale të Championsit për herë të parë që nga edicioni 2018/19. Ka sulmin më të mirë deri më tani në Championsin me 36 skuadra në fazën e ligës. Me Jamalin, Rafinjën dhe Robert Levandovskin në sulm, Barcelona i shënoi 28 gola në tetë ndeshje në fazën e ligës. i shënoi nëntë gola të tjerë rrugës për në gjysmëfinale, gjatë të cilës eliminoi Benfikën dhe Borusia Dortmundin. Në gjysmëfinale e pret Interi, që pësoi vetëm një gol në tetë ndeshjet në fazën e ligës dhe e eliminoi Bajernin në çerekfinale. Interi ka tri humbje rresht në garat vendore, por Championsi është diçka tjetër. Interi e kishte fituar finalen e vitit 2010, ndaj Bajernit. E kishte siguruar titullin e tretë të Evropës. Kështu që ecja drejt finales këtë edicion ka shenja të asaj fushate të suksesshme. Ndeshja e parë mes Barcelonës dhe Interit është të mërkurën prej orës 21:00.
    Ndeshja e kthimit është në Itali më 6 maj. Gjysmëfinalja e parë e Ligës së Kampionëve vë përballë Arsenalin dhe Paris San Zhermen. Ndeshja e parë është të martën prej orës 21:00 në “Emirates” në Londër. Ka dukshëm më pak histori në këtë përballje gjysmëfinale. Arsenali dhe Parisi janë takuar vetëm tri herë në Ligën e Kampionëve dhe asnjëherë në fazë të eliminimit. Përballja e fundit ishte këtë edicion. Arsenali kishte fituar 2:0 në Londër. “Topçinjtë” kanë humbur garën në Premier League dhe gjithë fokusin e kanë në Champions. Tek Arsenali shpresojnë në paraqitje si ato ndaj Real Madridit në çerekfinale, që u sollën dy fitore dhe kualifikim bindës. Ndërkohë Parisi synon të eliminojë kundërshtarin e tretë anglez në këtë aktivitet sezonal, pas Liverpulit dhe Aston Vilës.

  • Glen Prodani: Kamza U20 dëshmoi se të rinjtë do të sjellin rezultatet e duhura

    Glen Prodani: Kamza U20 dëshmoi se të rinjtë do të sjellin rezultatet e duhura

    Sezoni i basketbollit 2024-2025 pothuajse është mbyllur, ku pritet të shpallet kampioni i Shqipërisë për Meshkuj të Rritur. Po bëhen, gjithashtu, analiza për ecurinë e klubeve dhe pritshmëritë e tyre për sezonin e ardhshëm. Kamza është shndërruar vitet e fundit në një nga pikat e rëndësishme të zhvillimit të sportit në nivel kombëtar, duke marrë pjesë me disa ekipe në elitë dhe me një numër të madh disiplinash që kanë prezencë të konsiderueshme të rinjsh e të rejash, e ku klubi i Kamzës ka fituar edhe trofe të rëndësishëm si në nivel individësh ashtu dhe ekipor.

    Një nga sukseset e rëndësishme të Kamzës në sport ishte titulli kampioni Shqipërisë në basketboll për moshën deri në 20 vjeç. Gazeta “SOT” intervistoi trajnerin e basketbollit të Kamzës, Glen Prodani, i cili përshkroi si mjaft pozitiv sezonin në superligë, kategorinë U20 dhe përmbysjet spektakolare që kjo skuadër bëri në kampionat e sidomos në fazën përfundimtare “Final Four”. Për Prodanin, trofeu i titullit për Kamzën U20 dëshmon se sukseset në të ardhmen te ky klub do të vijnë nga të rinjtë, rezultatet e të cilëve janë në rritje.
    – Kamza U-20 regjistroi një sukses të rëndësishëm këtë sezon, duke fituar titullin për këtë grupmoshë. Si trajner i Kamzës, si do ta përshkruanit këtë sukses të skuadrës?
    – Po, ky ishte një sukses i rëndësishëm i basketbollit në Kamëz. Kujtoj që ky kampionat quhej Liga Sigal U20, në të cilin merrnin pjesë gjashtë ekipet e kësaj moshe si:Teuta, Vllaznia, Partizani, Goga, Elbasani dhe, siç thamë, Kamza. Skuadra jonë e U20 e mbylli në vend të dytë renditjen në kampionatin e rregullt, por arritëm të fitonim duelet në “play-off”, gjë që na dha titullin kampion. Në gjysmëfinale të fazës “Final Four”, ne mundëm Partizanin në një duel mjaft të rivalizuar. Ata shkuan deri në 12 pikë avantazh, por ne mundëm të barazonimn e në fund ta përmbysnim ndeshjen, duke fituar e duke kaluar direkt në finale. Gjysmëfinalen tjetër përballë Vllaznisë e fitoi Teuta, me 6 pikë diferencë. Ndaj Kamza U20 u përball në finale me Teutën U20. Ishte një ndeshje e kontrolluar nga skuadra jonë prej fillimit e deri në fund, takim që u fitua prej nesh me rezultatin 87-77.
    – Cili është kontigjenti i Kamza U20? Sa janë të ingranuar ata në ekip të parë?
    – Kamza U20 është skuadër me të ardhme, pasi ka një grup mjaft cilësor për moshën. Spikat mes të tjerave Ajet Cahani, lojtar i talentuar që luan me Kombëtaren e kësaj moshe, në pozicionin 3-4 i cili u shpall edhe MVP i këtij kampionati. Ne e shohim si lojtar me të ardhme tek Kamza e basketbollit. Por nuk duhet të lëmë mënjanë vlerën e grupit në tërësi, pasi i gjithë grupi është cilësor. Të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm në një skuadër, ndaj më duhet t’i përmend të spikaturit, si Erti Kongjoni, Fabio Paloka, Klevis Mardhoci, Eldi Rrahmani dhe Ergys Cahani.
    – A janë këta lojtarë të angazhuar edhe në ekipin e parë të Kamzës në Superligën e meshkujve?
    – Po, Kamza U20 stërvitet me ekipin e parë dhe këtë e kemi parë si avantazh të skuadrës në garën e saj sezonale në superligën e kësaj moshe. Duke u stërvitur me ekipin e parë këta lojtarë kanë mundur të marrin ngarkesë fizike e tekniko-taktike më të madhe ndaj dhe suksesi nuk është rastësor. Këtë e treguan edhe ndeshjet që zhvilluam në fazën “Final Four”, takime të luajtura të gjitha në pallatin e sportit të Durrësit, “Ramazan Njala”.
    – Cili ishte niveli i skuadrave në këtë kampionat, në tërësi?
    – Të gjitha ekipet ishin me nivel pothuaj të njëjtë kompetitiv. Diferencën e bënë detajet që erdhën nga përgatitja më e madhe e skuadrës tonë. Në fakt, në fillim ne humbëm shumë ndeshje, por rikuperuam hap pas hapi e në fund bëmë diferencë, duke merituar trofeun. Nuk duhet të harrojmë që ky kontigjent do të jetë baza për Kamzën e ardhshme të basketbollit, pra bazë për ekipin e të rriturve.
    – Sa prej këtij kontigjenti luajnë me ekipin kombëtar të moshës U20?
    – Janë tre lojtarë të angazhuar në Kombëtaren e kësaj moshe. Bëhet fjalë për A.Cahanin, Merdhocin dhe Palokën. Por në Kamzë ka dhe elementë të moshave më të vogla që kanë cilësi dhe do të angazhohen hap pas hapi në përfaqësueset e moshave.
    – A mund të sqaroni pozicionin tuaj në pankinën e të dy ekipeve të basketbollit të Kamzës?
    – Unë jam trajner i skuadrës së basketbollit të të rriturve që luajtën në Superligë, por jam edhe trajner i skuadrës Kamza U20. Në këtë të fundit bashkëtrajner me mua është kapiteni i ekipit të të rriturve të Kamzës, Niko Thano, një rast i veçantë pasi është edhe lojtar edhe trajner.
    – Kush ishin vlerësimet që morët nga federata për këtë ligë U20, që rikthehet pas 3 viteve mungesë?
    – Pas rënies së bilbilit të fundit, kur rezultati ndau fituesin, Presidenti i federatës, siç e do tradita, bashkë me titullarë të tjerë të kësaj zyre, japin medaljet, kupën dhe në rastin tonë kishim dhe një trofe më shumë, atë të lojtarit më të mire. Ajo që u vu re ishte angazhimi i lartë i presidentit për t’i uruar një për një pjestarët e ekipit, dhe indiferenca e sekretarit të kësaj federate, duke kapur një qoshe të sallës. Një sjellje aspak etike, por që i dha një përgjigje të qartë me sjelljen e tij, qëllimit të marrjes së vendimeve të mëparshme, të pamenduara mirë dhe pa arsyetime, tipike të një njeriu me formim të kufizuar zyrtar dhe social.
    – Çfarë ishte pikante për sezonin 2024-2025?
    – Ky sezon së bashku me dinamikat e tij, na ka dhënë leksione sportive dhe leksione jete. Na ka mësuar se si të fokusohemi tek prioritetet tona dhe si t’i ndjekim ato që të arrijnë suksesin. Na ka forcuar punën në ekip, pasi vit pas viti Kamza mban në gjirin e saj lojtarë, trajnerë, ish-lojtarë, të cilët i aktivizon në aktivitete të ndryshme duke evidentuar pikat e tyre të forta dhe se ku mund të japin kontribute më shumë. Na ka mësuar të jemi mirënjohës dhe ta shprehim atë ndaj mbështetësve financiarë dhe atyre moralë. Na ka rritur, duke i shtuar CV personale dhe të akademisë tituj dhe kapituj të lexuar me vëmendje. Dua të ndalem në veçanti, për të falenderuar dhe Artesa Ndoj, që iu bashkua ekipit tonë U20 dhe atij të rritur, si e vetmja femër në ekipet e Superligës Meshkuj e ulur në stol. Një falenderim edhe për kryebashkiakun e Kamzës, Rakip Suli, që na ka besuar dhe ka mbështetur sportin në këtë bashki e në veçanti basketbollin.
    Intervistoi: Adriatik BALLA

  • Trup po i plotësohet dëshira? Një liberal në krye të Kanadasë, çfarë deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë

    Trup po i plotësohet dëshira? Një liberal në krye të Kanadasë, çfarë deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë

    I pyetur për zgjedhjet federale në Kanada, presidenti amerikan Donald Trump nuk ka dhënë një deklaratë të drejtpërdrejtë pas projeksioneve të CBC News që parashikojnë një fitore të liberalëve dhe emërimin e mundshëm të Mark Carney si kryeministër.

    Megjithatë, komentet e tij të muajit të kaluar në Fox News hedhin dritë mbi preferencat e tij të mundshme.
    “Do të preferoja të merresha me një liberal sesa me një konservator. Mendoj se është më e lehtë të merresh me një liberal, në fakt”, tha Trump gjatë intervistës.
    Pavarësisht kësaj deklarate, Trump theksoi se nuk i interesonte vërtet se kush fiton në Kanada, duke mbajtur një qëndrim zyrtarisht neutral.
    Kjo qasje mund të jetë pjesë e strategjisë së tij për të shmangur përfshirjen direkte në politikën e brendshme të aleatëve ndërkombëtarë, ndërsa ruan një ton të hapur për bashkëpunim me çfarëdo qeverie që formohet në Otava.
    Nëse Mark Carney zyrtarisht bëhet kryeministër, ai do të përballet me sfidën e vendosjes së një marrëdhënie të qëndrueshme dhe efektive me administratën Trump, e cila pritet të ketë ndikim të madh në çështje ekonomike, tregtare dhe të sigurisë kufitare.

    Top Channel

  • Toma merr deputetë sa të gjitha partitë e reja e të vogla sëbashku!

    Toma merr deputetë sa të gjitha partitë e reja e të vogla sëbashku!

    Edhe 14 ditë dhe jemi në votime. Të gjithë publikojnë shifra, premtime se do të kemi kaq e aq deputetë. Një gjë mbetet e sigurtë nga të gjitha sondazhet se PS del parti e parë dhe me diferencë me PD. Ndërkohë po të dëgjosh Agron Shehaj, Adriatik Lapaj, Tom Doshi, Arlind Qori, PL e Ilir Metës, e ndonjë tjetër, të gjithë deklarojnë se do të marrin deputetë sa për një grup parlamentar. Me rregullore një grup parlamentar duhet të ketë 7 deputetë. Sipas këtyre llogarive del se afro 35 deputetë i marrin partitë e vogla ose praktikisht bllokojnë krijimin e një qeverie vetëm të PS!
    E verteta mbetet e hidhur. Vetëm Tom Doshi i PSD merr deputetë sa krejt partitë e reja e të vogla sëbashku!

  • Media italiane “La Stampa”: 15 emigrantë të rrezikshëm zhduken nga kampi i Gjadrit në Lezhë

    Media italiane “La Stampa”: 15 emigrantë të rrezikshëm zhduken nga kampi i Gjadrit në Lezhë

    Media italiane “La Stampa”, referuar Partisë Demokratike të Italisë denoncon zhdukjen e 15 emigrantëve të rrezikshëm. Sipas saj, nga 41 emigrantë të transferuar në Gjader, tani kanë mbetur vetëm 25.
    Eurodeputetja Cecilia Strada, pas një inspektimi, e përshkroi situatën si “një ferr krahasuar me qendrat italiane” dhe një “shpërdorim të turpshëm.”

    “Ndërsa gjithë vëmendja ishte përqendruar te vdekja e Papa Françeskut, qendra e Gjaderit në Shqipëri po boshatisej. Askush nuk do ta kishte marrë vesh nëse Cecilia Strada, eurodeputete e Partisë Demokratike, nuk do të kishte kryer një inspektim të ri të shtunën dhe të dielën e kaluar. Pamja që del nga inspektimi është një “përzierje dhimbjeje, dëshpërimi dhe shpërdorimi që është vërtet skandaloze dhe të bën të ndihesh i turpëruar”, shpjegon Cecilia Strada, shkruan La Stampa.

  • Lapaj: Nëse nuk marrim grup parlamentar në 11 maj, quhet dështim

    Lapaj: Nëse nuk marrim grup parlamentar në 11 maj, quhet dështim

    Kryetari i partisë “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj ishte këtë të hënë në “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania ku tha se për zgjedhjet e 11 majit, koalicioni “Nisma-Shqipëria Bëhet” duhet të arrijë të marrë numrin e deputetëve që duhet për të formuar grup parlamentar.
    Ai u shpreh se nëse partia nuk e arrin të formojë një grup parlamentar, i cili kërkon minimalisht 7 deputet, për të do të ishte një dështim.

    “Fitorja e këtyre zgjedhjeve është çarja e sistemit, duke mos lejuar që partia aktuale të marrë 71 mandate dhe për të kaluar në zgjedhje të parakohshme. Dështim në këto zgjedhje, nëse ne nuk arrijmë një grup parlamentar është dështim. Çdo rezultat nën grup parlamentar, është dështim”,-tha Adriatik Lapaj.

  • Blendi Gonxhja: Në Tiranë PS merr 20 mandate

    Blendi Gonxhja: Në Tiranë PS merr 20 mandate

    Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ishte këtë të hënë i ftuar në “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania ku tregoi pritshmëritë e tij për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.. Në qarkun e Tiranës janë 37 mandate deputeti.
    Gonxhja tha se do të ishte i kënaqur nëse PS do arrinte të merrte 20 mandate e sipër në Tiranë, ndërsa për votat personale, ai u shpreh se është e vështirë të llogaritet pragu i votave të nevojshme për tu bërë deputet.

    “Do të ishte një rezultat shumë i kënaqshëm nëse do shkonim në 20 mandate dhe mbi në Tiranë. Për votën personale, ka vështirësi. Nëse do kishte një votë më të barazndara do kishte një prag natyrisht më të vështirë për tu kapur, sepse do kishte shumë veta pranë njëri-tjetrit për të kaluar pragun.
    Këto zgjedhje nuk kanë më prag zyrtarisht, që ta dish për sa do duhet të luftosh dhe duke marr parasysh riskun dhe punën e përditshme, njerëzit janë “të bombarduar”. Ata po trokiten çdo ditë nga çdo lloj mundësie penetrimi dhe është normale dhe brenda një familje ka ndarje që të mos prishen me të njohurit. Është një dinamikë e lëvizshme deri në ditën e fundit”,-tha Gonxhja.

  • E KRYER/ Karlo Ançeloti ka arritur marrëveshjen me Brazilin, nga “mbretërit” e Europës te rekordmenët e botës

    E KRYER/ Karlo Ançeloti ka arritur marrëveshjen me Brazilin, nga “mbretërit” e Europës te rekordmenët e botës

    Karlo Ançeloti do të largohet nga Reali i Madridit. Trajneri italian ka zhvilluar një sezon të dobët, teksa deri në këto momente është në garë vetëm për La Ligën. Madrilenët rrezikojnë të mbeten pa trofe, çka e bën të pamundur vazhdimin e bashkëpunimit me Ançelotin.
    Fabricio Romano ka njoftuar se italiani ka arritur marrëveshjen për të marrë drejtimin e Brazilit. Karlo Ançeloti ka rënë dakort në parim për të drejtuar verdheblutë në Kupën e Botës 2026. Marrëveshja do të jetë e vlefshme duke nisur që në qershor, pa pritur Kupën e Botës e Klubeve. Nga “mbretërit” e Europës, Ançeloti do të ketë mundësinë të drejtojë rekordmenët e Botës. Brazili është ekipi kombëtar me më shumë Kampionate Botërore./Sport Ekspres/