Day: April 29, 2025

  • A do të arrijë Kosova të dalë nga ngërçi politik? Sot seanca e tetë për konstituimin e Kuvendit

    A do të arrijë Kosova të dalë nga ngërçi politik? Sot seanca e tetë për konstituimin e Kuvendit

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen sot për të tetën herë radhazi, në tentim që të konstituojnë legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
    Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe në shtatë seancat paraprake deputetët kanë arritur të kalojnë vetëm dy pikat e para të rendit të ditës – miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve – por, kanë ngecur në pikën e tretë, atë të zgjedhjes së kreut të ri të organit legjislativ.
    Fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje e ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar. Kandidatja e kësaj partie për postin e kryeparlamentares, Albulena Haxhiu, në vazhdimet paraprake të seancës konstituive nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme. Ajo ka marrë vetëm 57 vota për apo katër më pak sesa kërkohen që të zgjidhet në këtë post.

    Partitë që legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë kanë thënë se kjo tregon se partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk i ka votat në Kuvend as për kryeparlamentaren, e as për formimin e ekzekutivit të ri.
    Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë cilësuar Haxhiun si figurë përçarëse, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do të japë votë për çdo emër të propozuar nga LVV-ja.
    PDK-ja dhe AAK-ja kanë kërkuar që LVV-ja të propozojë një emër tjetër për postin e kryeparlamentarit, një person, që sipas tyre, është figurë unifikuese, në mënyrë që t’i marrë votat e deputetëve të tyre.
    Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu është kandidate meritore dhe, përkundër se ka bërë thirrje për marrëveshje politike, ka hedhur poshtë mundësinë e propozimit të ndonjë kandidati tjetër pos saj.
    Hekuran Murati nga LVV-ja në vazhdimin e fundit të seancës konstituive, të mbajtur më 27 prill, deklaroi se partia e tij mund të bëjë kompromis me partitë e tjera vetëm për kandidatët për nënkryetarë – që duhet të votohen pasi të zgjidhet kryeparlamentari – por, jo edhe për kryetarin e Kuvendit.
    Vetëm pas votimit të kryetarit të ri dhe pesë nënkryetarëve, procesi i legjislaturës së re do të konsiderohej i përmbyllur.
    Me konstituimin e Kuvendit do t’i hapej rruga formimit të ekzekutivit të ri.
    LVV-ja i ka fituar zgjedhjet me 42 për qind të votave, apo 48 ulëse në Kuvend. Por, edhe për formimin e Qeverisë asaj i duhen të paktën 61 vota të deputetëve.
    Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.
    AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit./rel

  • Trump po i plotësohet dëshira? Një liberal në krye të Kanadasë, çfarë deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë

    Trump po i plotësohet dëshira? Një liberal në krye të Kanadasë, çfarë deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë

    I pyetur për zgjedhjet federale në Kanada, presidenti amerikan Donald Trump nuk ka dhënë një deklaratë të drejtpërdrejtë pas projeksioneve të CBC News që parashikojnë një fitore të liberalëve dhe emërimin e mundshëm të Mark Carney si kryeministër.

    Megjithatë, komentet e tij të muajit të kaluar në Fox News hedhin dritë mbi preferencat e tij të mundshme.
    “Do të preferoja të merresha me një liberal sesa me një konservator. Mendoj se është më e lehtë të merresh me një liberal, në fakt”, tha Trump gjatë intervistës.
    Pavarësisht kësaj deklarate, Trump theksoi se nuk i interesonte vërtet se kush fiton në Kanada, duke mbajtur një qëndrim zyrtarisht neutral.
    Kjo qasje mund të jetë pjesë e strategjisë së tij për të shmangur përfshirjen direkte në politikën e brendshme të aleatëve ndërkombëtarë, ndërsa ruan një ton të hapur për bashkëpunim me çfarëdo qeverie që formohet në Otava.
    Nëse Mark Carney zyrtarisht bëhet kryeministër, ai do të përballet me sfidën e vendosjes së një marrëdhënie të qëndrueshme dhe efektive me administratën Trump, e cila pritet të ketë ndikim të madh në çështje ekonomike, tregtare dhe të sigurisë kufitare.

    Top Channel

  • Mark Carney drejt postit të kryeministrit! Planet e tij për Kanadanë: Ekonomi e fortë, tregti e lirë dhe…

    Mark Carney drejt postit të kryeministrit! Planet e tij për Kanadanë: Ekonomi e fortë, tregti e lirë dhe…

    Me projeksionet që e vendosin Partinë Liberale në rrugën drejt formimit të qeverisë së re të Kanadasë, Mark Carney është shumë pranë konfirmimit si kryeministër i ardhshëm i vendit – vetëm pak javë pasi mori drejtimin e partisë pas dorëheqjes së Justin Trudeau në mars.

    Carney, një ekonomist me përvojë ndërkombëtare si ish-guvernator i Bankës së Anglisë, po hyn për herë të parë në një post politik. Ai ka ndërtuar profilin e tij politik mbi kompetencën ekonomike dhe vendosmërinë për të përballuar sfidat globale, veçanërisht tensionet me Shtetet e Bashkuara nën administratën e presidentit Donald Trump.
    “E di që këto janë ditë të errëta. Ditët e errëta të shkaktuara nga një vend që nuk mund t’i besojmë më“, tha Carney.
    Në fushatën e tij të shkurtër por intensive, Carney u zotua të kundërvihej ndaj luftës tregtare të iniciuar nga Trump, duke premtuar se do të mbrojë dhe forcojë ekonominë kanadeze.
    Në të njëjtën kohë, ai ka propozuar politika që zhvendosin partinë në qendër, duke u distancuar nga disa nga masat më të kontestuara të paraardhësit të tij.
    Ndër prioritetet e tij kryesore janë:
    Heqja e taksës së karbonit, një lëvizje që synon të zbusë ndikimin ekonomik te familjet dhe bizneset.
    Qëndrueshmëria mjedisore, por me qasje më pragmatike dhe jo ndëshkuese për sektorin industrial.
    Kufizimi i madhësisë së qeverisë federale, për të rritur efikasitetin dhe përgjegjshmërinë.
    Liberalizimi i tregtisë brenda Kanadasë, për të forcuar integrimin ekonomik ndërprovincial.
    Sigurimi i kufijve, në përputhje me një prioritet të ndarë me administratën amerikane.

    Top Channel

  • “Ditë për paqe apo propagandë?/ Putini shpall armëpushim 3-ditor, Ukraina dhe Trump kërkojnë ndalim total të luftimeve

    “Ditë për paqe apo propagandë?/ Putini shpall armëpushim 3-ditor, Ukraina dhe Trump kërkojnë ndalim total të luftimeve

    Presidenti rus Vladimir Putin ka shpallur një armëpushim tre-ditor në Ukrainë, që do të hyjë në fuqi më 8 maj dhe do të zgjasë deri më 11 maj, duke përkuar me festimet e Fitores së Rusisë në Luftën e Dytë Botërore.

    Sipas Kremlinit, vendimi është marrë “bazuar në konsiderata humanitare”, duke shtuar se “pala ukrainase duhet ta ndjekë këtë shembull”, ndërsa paralajmëroi se në rast shkeljesh, Forcat e Armatosura të Rusisë do të reagojnë në mënyrë “adekuate dhe efektive”.
    Në një reagim të menjëhershëm, Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, tha se vendi i tij mbështet një armëpushim më të gjatë dhe më të qëndrueshëm, duke bërë thirrje për ndalimin e luftimeve “që tani dhe për të paktën 30 ditë”.
    “Pse të presim deri më 8 maj? Nëse zjarri mund të ndalet tani, atëherë është i vërtetë, jo vetëm për një paradë”, shkroi ai në platformën X.
    Armëpushimi i shpallur është përpjekja më e fundit në një sërë iniciativash që kanë dështuar në të kaluarën. Që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022, janë tentuar mbi 20 armëpushime, por të gjitha janë shkelur brenda pak ditësh, disa edhe brenda minutash.
    Në Uashington, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se presidenti Donald Trump dëshiron një armëpushim të përhershëm. Sekretarja e shtypit, Karoline Leavitt, tha se Trump është “gjithnjë e më i frustruar me të dyja palët” dhe po kërkon rezultate të prekshme nga përpjekjet diplomatike.
    “Presidenti e ka bërë të qartë se dëshiron ndalimin e vrasjeve, ndalimin e gjakderdhjes. Ai nuk është i kënaqur me gjeste të përkohshme,” tha Leavitt.
    Analistët ndërkombëtarë besojnë se shpallja e armëpushimit vjen si përpjekje e Putinit për të fituar kredibilitet diplomatik në një moment kritik për bisedimet e paqes, ku Shtetet e Bashkuara po veprojnë si ndërmjetëse, por kanë paralajmëruar tërheqje nëse nuk ka përparim real.

    Top Channel

  • 450 shkolla të reja të ndërtuara, Rama publikon pamjet

    450 shkolla të reja të ndërtuara, Rama publikon pamjet

    Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet e shkollave të reja të ndërtuara në vendin tonë.

    Ai shkruan se janë ndërtuar 450 shkolla të reja, përfshirë 340 laboratorë inteligjentë në këto institucione.
    “MIRËMËNGJES 😊 dhe me kolanën e 450 shkollave të reja që kemi ndërtuar, shëmbëlltyrë e vizionit tonë për arsimin që duam, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

    Top Channel

  • Fitoi me shumicë votash, kryeministri i ri Mark Carney flet për herë të parë pas zgjedhjeve: Rruga përpara për Kanadanë do të jetë sfiduese

    Fitoi me shumicë votash, kryeministri i ri Mark Carney flet për herë të parë pas zgjedhjeve: Rruga përpara për Kanadanë do të jetë sfiduese

    Në selinë e Partisë Liberale në Ottawa, kryeministri i sapozgjedhur Mark Carney mbajti një fjalim bashkues, duke theksuar unitetin, përulësinë dhe vendosmërinë që sipas tij përbëjnë thelbin e identitetit kanadez.

    “Meqenëse Kanadaja është më shumë se një komb, ne jemi dhe gjithmonë do të jemi një federatë. Nuk jemi gjithmonë të përsosur, por përpiqemi të jemi të mirë,” deklaroi Carney.
    Mes një atmosfere optimizmi dhe përgjegjësie, ai vuri theksin te forca që vjen nga bashkëpunimi dhe uniteti, duke theksuar rëndësinë e vlerave të përbashkëta mbi dallimet rajonale dhe politike.
    “Ne përpiqemi t’i bëjmë gjërat sepse janë të drejta, jo sepse janë të lehta“, përsëriti Carney, një mesazh që u duartrokit fort nga të pranishmit.
    Fjalimi i tij erdhi pasi Partia Liberale siguroi një numër të mjaftueshëm vendesh për të formuar një qeveri minoritare, duke e vendosur Carney-n zyrtarisht në rolin e udhëheqësit të ri të vendit, vetëm disa javë pasi mori drejtimin e partisë pas dorëheqjes së Justin Trudeau.

    Top Channel

  • Java vijon me mot të qëndrueshëm, temperaturat arrijnë deri në 26 gradë Celsius

    Java vijon me mot të qëndrueshëm, temperaturat arrijnë deri në 26 gradë Celsius

    Java do të vijojë me mot të qëndrueshëm me diell.

    Kjo e martë do të ketë temperatura të larta, të cilat do të arrijnë deri në 26 gradë Celsius. Vlerat minimale këtë mëngjes u shënuan 6 gradë.
    Era do të fryjë me shpejtësi mbi 35 km/h, duke shkaktuar në brigjet detare dallgëzim të ulët.

    Top Channel

  • Aksident në orët e para të mëngjesit! Po kalonte trafik-ndarësen, përplaset për vdekje këmbësori në kryeqytet

    Aksident në orët e para të mëngjesit! Po kalonte trafik-ndarësen, përplaset për vdekje këmbësori në kryeqytet

    Një aksident ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në kryeqytet.

    Makina ka përplasur për vdekje një këmbësor që po kalonte trafik-ndarësen.
    “Me datë 29.04.2025, rreth 02:25, në rrugën “29 Nëntori”, automjeti me drejtues shtetasin J. M., rreth 35 vjeç, ka aksidentuar një këmbësor ende të paidentifikuar rreth 70 vjeç, i cili po kalonte trafikndarësen, dhe si pasojë ka humbur jetën”, njofton policia.
    Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme.
    Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit dhe për identifikimin e viktimës.

    Top Channel

  • Gjykata në Hagë mbron ndalimin e reklamave për lëndët djegëse fosile: një vendim historik për shëndetin dhe klimën

    Gjykata në Hagë mbron ndalimin e reklamave për lëndët djegëse fosile: një vendim historik për shëndetin dhe klimën

    Interesat e përgjithshme shëndetësore të qytetarëve vlejnë më shumë sesa interesat tregtare të reklamuesve, ka deklaruar një gjykatë në Holandë, duke mbështetur ndalimin e reklamave të karburanteve fosile në qytetin e Hagës.

    Në një vendim të marrë në shtator të vitit të kaluar, Haga u bë qyteti i parë në botë që e përfshiu me ligj ndalimin e reklamave që promovojnë përdorimin e lëndëve djegëse fosile, përfshirë makinat me benzinë, udhëtimet ajrore dhe udhëtimet me anije turistike. Ndalimi ka hyrë në fuqi që nga 1 janari, por Shoqata e Agjencive të Udhëtimit të Holandës (ANVR) dhe kompania e udhëtimeve TUI ngritën padi kundër tij, duke kërkuar shfuqizimin e ligjit.

    Më 25 prill, Gjykata e Qarkut në Hagë vendosi në favor të bashkisë, duke bërë që ky të jetë rasti i parë ku një ndalim i tillë i reklamave në nivel bashkie testohet në gjykatë.

    “Ky është një moment historik për ndalimin e reklamave të industrisë fosile dhe për shëndetin e njerëzve dhe të planetit,” tha Femke Sleegers nga organizata Reclame Fossielvrij. “Tani bashkitë në të gjithë botën mund të pastrojnë rrugët e tyre nga reklamat që ushqejnë krizën klimatike.”

    Ajo shtoi se, “Ashtu siç politikat kundër duhanit janë të paefektshme kur reklamat për duhanin janë kudo, edhe politikat klimatike nuk mund të jenë efektive nëse produktet fosile promovohen në çdo cep të qytetit.”

    Gjatë procedurave paraprake gjyqësore, gjykatësi rrëzoi të gjitha kundërshtimet e ANVR dhe TUI, të cilët argumentuan se ndalimi cenon lirinë e shprehjes dhe të ndërmarrjes private, duke vënë në dyshim edhe efektshmërinë e ndalimit në uljen e emetimeve. Megjithatë, gjykata gjeti se arsyet për ndalimin ishin të bazuara mirë dhe se ky ndalim kontribuon në përmirësimin e shëndetit publik dhe në luftimin e ndryshimeve klimatike.

    “Interesat e përgjithshme shëndetësore të qytetarëve janë përballur me interesat komerciale të reklamuesve, dhe është e natyrshme që kjo balancë të anojë në disfavor të reklamuesve,” thuhet në vendim.

    Sipas gjykatës, bashkia nuk ka asnjë detyrim të mos marrë masa për të përmirësuar shëndetin e qytetarëve të saj vetëm për të mbrojtur interesat financiare të industrisë së udhëtimeve.

    Një sondazh i fundit i organizatës Climate Action Against Disinformation tregoi se 71% e qytetarëve holandezë e mbështesin ndalimin e reklamave të lëndëve djegëse fosile si një mënyrë efektive për të luftuar dezinformimin mbi klimën.

    Megjithëse ndalimi është në fuqi që nga fillimi i vitit 2025, një marrëveshje kalimtare parashikon që gjobat do të fillojnë të aplikohen vetëm pas datës 1 maj.

    Ky vendim tashmë po konsiderohet si precedent për qytetet e tjera në mbarë botën. Zëvendëskryebashkiaku i Hagës, Robert Barker, tha: “Ky vendim tregon se bashkitë nuk janë të pafuqishme, por kanë mjete për të përballuar krizën klimatike.”

    “Do të ishte fantastike që shumë më tepër qytete në botë të ndiqnin shembullin e Hagës, duke dhënë secili kontributin e vet për një të ardhme më të mirë dhe të qëndrueshme,” shtoi ai.

    Edhe avokati Jonathan White nga organizata ambientaliste ClientEarth theksoi: “Qytetet në mbarë botën do të bënin mirë të ndiqnin shembullin e Hagës dhe të miratonin ligje të ngjashme për të zvogëluar varësinë nga karburantet fosile.”

    Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka bërë më herët thirrje për një ndalim global të reklamave të industrisë së karburanteve fosile, duke i quajtur kompanitë e naftës dhe gazit “kumbarët e kaosit klimatik”.

    Franca u bë vendi i parë që miratoi një ndalim të tillë në vitin 2022, megjithëse me përjashtime që lejojnë ende reklamat për gazin natyror dhe sponsorizimet. Ndërkohë, në Amsterdam ndalimi i reklamave të naftës, gazit dhe qymyrit në hapësirat publike, si transporti urban, është në fuqi që nga viti 2021.

    Vitin e kaluar, këshilli bashkiak i Edinburgut vendosi gjithashtu të ndalojë reklamat për “produkte me karbon të lartë” në hapësirat në pronësi të bashkisë, si billboard-et dhe stacionet e autobusëve.

  • Po kalonte trafik-ndarësen, 70-vjeçari përplaset nga një automjet dhe humb jetën

    Po kalonte trafik-ndarësen, 70-vjeçari përplaset nga një automjet dhe humb jetën

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e sotëm, kur një 70-vjeçar ka humbur jetën pas një aksidenti rrugor.

    Burimet zyrtare nga e policia bëjnë të ditur se viktima, duke kaluar trafik-ndarësen, është përplasur me një automjet që po lëvizte në drejtim të kundërt.

    Si pasojë e goditjes së fortë, i moshuari ka ndërruar jetë në vendngjarje. Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit dhe për të zbuluar arsyet që çuan në këtë tragjedi.

    Tiranë/Informacion paraprak

    Me datë 29.04.2025, rreth 02:25, në rrugën “29 Nëntori”, automjeti me drejtues shtetasin J. M., rreth 35 vjeç, ka aksidentuar një këmbësor ende të paidentifikuar rreth 70 vjeç, i cili po kalonte trafikndarësen, dhe si pasojë ka humbur jetën.

    Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme.

    Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit dhe për identifikimin e viktimës.