Kalimet e paligjshme të migrantëve drejt Bashkimit Evropian kanë pësuar një rënie të ndjeshme me afro një të tretën në tremujorin e parë të vitit 2025, sipas të dhënave të publikuara nga agjencia evropiane e mbrojtjes së kufijve të jashtëm, Frontex.
Sipas raportit, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar rreth 33,600 raste të kalimeve të paligjshme, një rënie prej 31% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Ulja është vënë re në të gjitha rrugët që çojnë drejt kontinentit.
Rënia më e madhe është shënuar në rrugën e Ballkanit Perëndimor, me një ulje drastike prej 64%. Ekspertët e lidhin këtë me disa faktorë, përfshirë kontrollet e shtuara kufitare nga vendet e Ballkanit, kushtet e vështira klimatike gjatë dimrit dhe vetëdijësimin në rritje për rreziqet e shkeljeve të të drejtave të njeriut.
Analistja e migracionit pranë Qendrës për Politika Evropiane, Helena Hahn, përmendi gjithashtu ndikimin e faktorëve gjeopolitikë, si ndryshimi i regjimit në Siri, që solli një ulje prej 17% të aplikimeve për azil në vitin 2024. Ajo megjithatë paralajmëroi se numrat mund të rriten sërish drejt fundit të verës dhe në vjeshtë.
Një tjetër rënie e ndjeshme është regjistruar në rrugën e Afrikës Perëndimore drejt Spanjës, konkretisht Ishujt Kanarie, me 30% më pak tentime. Ulje të ngjashme ka patur edhe në rrugën e Mesdheut Lindor, që lidh Afganistanin, Sudanin dhe Egjiptin me Qipron, Greqinë dhe Bullgarinë – me 29% më pak kalime.
Në vend të tretë për rënie vjen rruga e Mesdheut Qendror (nga Afrika Perëndimore dhe Qendrore përmes Nigerit dhe Libisë drejt Italisë), me një ulje prej 26%.
Sipas të dhënave të Frontex, rruga më aktive në tremujorin e parë ishte ajo e Mesdheut Lindor me 9,267 tentativa kalimi, ndjekur nga ajo e Afrikës Perëndimore me 9,205 – kryesisht nga Mali, Senegali dhe Guinea – dhe rruga e Mesdheut Qendror me 8,542 tentativa, kryesisht nga Bangladeshi, Pakistani dhe Siria.
Megjithatë, Mbretëria e Bashkuar vazhdon të jetë destinacioni final për shumë migrantë, pasi vetëm në katër muajt e parë të vitit janë regjistruar 11,000 tentativa kalimi nga Franca drejt Britanisë përmes Kanalit.