Day: April 29, 2025

  • Rama ironizon deklaratat e Alfred Lelës: U katandis puna që dhe familja e SHBA të përgënjeshtrojë komentet

    Rama ironizon deklaratat e Alfred Lelës: U katandis puna që dhe familja e SHBA të përgënjeshtrojë komentet

    Kryeministri Edi Rama ironizoi deklaratat e drejtorit të komunikimit në PD, Alfed Lelës, që një ditë më parë shpërndau një lajm, ku ndër të tjera thuhej se Grenell është përpjekur që të përfshijë në axhendën e djalit të presidentit Trump edhe një vizitë në Tiranë, ku të takonte kryeministrin.

    Për situatën e krijuar, ku Lelës iu përgjigjën Richard Grenell, i dërguari i Presidentit Donald Trump për misionet speciale, por edhe djali i presidentit Trump Jr, Rama tha se “PD u katandis aq keq, sa dhe familjes së SHBA-së iu desh të përgënjeshtrojë komentet”.
    “Si mund të jeni kaq lehtësisht të manipulueshëm ju që jeni në ujërat e kënetës. Si mund ta pini atë ujë sikur është Red Bull. Po cilën verë, si? Pse, mund të dal dhe unë të them një budallallëk të tillë por nuk ma besojnë. Si është e mundur që ju besimtarët e kënetës jeni të gatshëm të thithni çdo ujë të ndotur që ju hedhin në fyt. Sikurse morën si shampanjë ardhjen e Trump si shpëtimtarin e kënetës. E patë ca ndodhi dje me zëdhënësin e kënetës, që tha Rama dështoi të shkonte në Beograd dhe të takonte Vuçiçi, ku do bënte sikur do takohej me djalin e Trump. U katandis puna që edhe familja e SHBA të përgënjeshtrojë komentet“, tha Rama.

    Top Channel

  • “Marrëdhëniet tona po forcohen”/ Zgjedhjet në Kanada, Von der Leyen dhe Starmer përgëzojnë kryeministrin Carney për fitoren

    “Marrëdhëniet tona po forcohen”/ Zgjedhjet në Kanada, Von der Leyen dhe Starmer përgëzojnë kryeministrin Carney për fitoren

    Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe kryeministri i Britanisë së Madhe, Kier Starmer kanë uruar kryeministrin Mark Carney për fitoren në zgjedhjet në Kanada.

    “Lidhjet midis Evropës dhe Kanadasë janë të forta dhe po bëhen gjithnjë e më të forta“, tha sot Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
    “Me padurim pres që ne të punojmë bashkë, si në nivel dypalësh ashtu edhe brenda G7-ës. Ne do të mbrojmë vlerat tona të përbashkëta demokratike, do të inkurajojmë multilateralizmin dhe do të bëhemi kampionë të tregtisë së lirë dhe të ndershme”, tha von der Leyen në një mesazh të publikuar nëpërmjet X.
    Ndërsa Starmer shprehu gëzimin për faktin se “marrëdhëniet po forcohen” midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë, dy vende që janë “aleatët, partnerët dhe miqtë tanë më të ngushtë”.
    “Partneriteti ynë bazohet në një histori dhe vlera të përbashkëta, me një sovran të përbashkët dhe jam i kënaqur që marrëdhënia jonë po forcohet. E mirëpres udhëheqjen tuaj në çështjet ndërkombëtare dhe e di se do të vazhdojmë të punojmë ngushtë në mbrojtje, siguri, tregti dhe investime”, tha Keir Starmer pas fitores në zgjedhjet parlamentare kanadeze të Partisë Liberale të Mark Carney, ish-guvernatorit të bankave qendrore të Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    Top Channel

  • Kryeministri i sapozgjedhur i Kanadasë me tone të ashpra: Trump po përpiqet të na shkatërrojë, kjo nuk do të ndodhë kurrë

    Kryeministri i sapozgjedhur i Kanadasë me tone të ashpra: Trump po përpiqet të na shkatërrojë, kjo nuk do të ndodhë kurrë

    Kryeministri i sapozgjedhur i Kanadasë, Mark Carney, përdori fjalimin e tij fitues në selinë e Partisë Liberale për të dërguar një mesazh të fuqishëm: unitet, përulësi dhe mbrojtje e sovranitetit kombëtar, përballë asaj që ai e përshkroi si kërcënime nga jashtë, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara nën drejtimin e Presidentit Donald Trump.

    “Përulësia do të thotë të punosh me të gjitha partitë në qeveri, me provincat, me popujt indigjenë. Dëshiroj të bashkoj punëtorët, biznesin dhe shoqërinë civile,” tha Carney përpara mbështetësve në Ottawa.
    Në një moment që ngjalli reagime të forta nga turma, Carney hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj presidentit amerikan, duke deklaruar:
    “Një nga përgjegjësitë e qeverisë është të përgatitet për më të keqen. Kam paralajmëruar për muaj të tërë: Amerika dëshiron tokën tonë, burimet tona, vendin tonë. Presidenti Trump po përpiqet të na shkatërrojë në mënyrë që Amerika të na zotërojë. Kjo nuk do të ndodhë kurrë,” theksoi Carney, me ton të vendosur.
    Fjalimi i tij pasqyron një kthesë më të ashpër të marrëdhënieve Kanada-SHBA në epokën pas-Trudeau, me Carney-n që pozicionohet si mbrojtës i sovranitetit kanadez dhe lider bashkues në brendësi.
    Ai vuri theksin tek nevoja për të ndërtuar një koalicion të gjerë shoqëror dhe institucional përballë sfidave ekonomike, politike dhe gjeopolitike.
     

    Top Channel

  • Si e nis ditën Kryeministri? Rama tregon në “Sy m’sy” kur zgjohet

    Si e nis ditën Kryeministri? Rama tregon në “Sy m’sy” kur zgjohet

    Një ndër pyetjet e qytetarëve për kryeministrin Edi Rama gjatë komunikimit “Sy m’sy”, lidhet me kuriozitetin se në çfarë ore zgjohet kreu i qeverisë.

    “Varet, përgjithësisht nga ora 6 e pak, tak hapen sytë, pastaj varet. Por, në 7 jam në këmbë”, tha kryeministri.
    Rama iu përgjigj më pas një tjetër komentuesi që e kritikonte se “mbeti në internet” dhe i kërkonte të “merrej me hallet e popullit”.
    Kjo që bëj unë këtë në internet është pjesë e detyrës time, tha kreu i qeverisë.
    “Unë merrem me të gjitha ato që duhet të merrem dhe merrem më shumë seç janë marrë të tërë ata që kanë qen këtu përpara meje. Dakord? Duhet të dish ti që unë kam rekordin e kilometrave të bëra nëpër Shqipëri jo në krahasim me ndonjë paraardhës tjetër por me të gjithë të marrë së bashku. Çfarë dua të them me këtë unë? Nuk i kam bërë ato udhëtimet nëpër Shqipëri dhe takimet me njerëzit me internet, i kam bërë në realitet, nuk i kam bërë me Playstation dhe nëse jam këtu dhe nëse përdor këtë mjet për të komunikuar e bëj edhe për një arsye tjetër, Vullnet. Arsyeja është që shumë nga gjërat që unë dhe ne bëjmë, shumë gjëra që ndodhin në Shqipërinë reale nuk i merr vesh dot as ti dhe askush tjetër nga pasqyrat e kënetës, pasqyrat mediatike të kënetës.]
    Ta ka thënë ndonjëherë ty ndonjë pasqyrë e kënetës mediatike që prodhimi i përgjithshëm kombëtar i Shqipërisë është rritur me 2 herë e gjysmë nga më pak se 1 miliardë në 25 miliardë në dekadën e fundit? Jo. Po nga do ta marrësh vesh nëse nuk përpiqem unë dhe nuk përpiqemi ne të paktën me këto mjete që kemi sepse i ke parë pasqyrat besoj, apo jo? Kështu që, çfarë mundtë mësojë njeriu kur hap ekranet dhe ndjek ato farë debatesh në thonjëza? Çfarë mund të mësojë njeriu kur në ato ekrane shfaqen sondazhe të ndryshme, që nga sondazhisti i Trump i famshëm e deri tek sondazhistë të tjerë këtu në Europë, të gjithë thonë ‘Fiton Partia Socialiste’ ndërkohë që ata që janë aty për t’i komentuar sondazhet thonë ‘Nëse këto sondazhe janë të vërteta, populli shqiptar është i sëmurë’. Çfarë mund të marrësh vesh nga këta çyrykë sepse janë tamam çyrykë. T’i thuash popullit që “’Populli është i sëmurë’ nuk je mirë ose që ‘populli është çmendur’, e thënë kështu si po ta them, ‘Këto sondazhe do të thotë që populli është çmendur’. Pse është çmendur populli? Është çmendur sepse voton të vetmen alternativë konkrete, reale, fituese, progresiste, transformuese, integruese, pse voton të vetmen forcë që mund ta fusë në Bashkimin Europian, prandaj është çmendur populli?”

    Top Channel

  • “6 milionë euro në muaj vetëm për inceneratorët e Rilindjes”/ Rama-komentuesit: Para japim që të mbahet pastër Tirana, landfillin e ka shteti

    “6 milionë euro në muaj vetëm për inceneratorët e Rilindjes”/ Rama-komentuesit: Para japim që të mbahet pastër Tirana, landfillin e ka shteti

    Teksa kryeministri Edi Rama ironizonte kontratën e lobimit 6 milionë dollarë për non-grata me ish-ambasadorin e Donald Trump, një qytetar komentoi se “6 milionë euro, qeveria socialiste i jep vetëm për inceneratorët”.

    Rama u përgjigj se shteti nuk jep para për inceneratorët, por për landfillin që të mbahet pastër kryeqyteti dhe i gjithë vendi.
    “Nuk japim para për inceneratorët, japim para që të vazhdojë të mbahet pastër Tirana. Landfillin sot e ka shteti. E ka agjencia e aseteve të sekuestruara, aty janë njerëz të vënë nga shteti dhe marrin para për të bërë punën, sepse kushton ajo punë. E kam thënë 25 euro për ton, është një çmim që nuk e gjen sot ne Europë”, tha kryeministri.

    Top Channel

  • Thellohet skandali/ Media austriake: Ambasadori i Ramës fshehu në ambasadë kunatën e tij që kërkohet nga SPAK për dosjen Toyota Yaris

    Thellohet skandali/ Media austriake: Ambasadori i Ramës fshehu në ambasadë kunatën e tij që kërkohet nga SPAK për dosjen Toyota Yaris

    Media investigative austriake FoB, vazhdon të merret me skandalin e ambasadorit shqiptar në Vjenë, Fate Velaj. Skandali i tij vazhdon të thellohet, pasi dyshohet se ambasadori i Ramës ka fshehur në godinën e ambasadës kunatën e tij, e cila kërkohej nga SPKA për dosjen Toyota Yaris. Në mars të këtij viti, FoB raportonte se skandali i Fate Velajt ka tronditur politikën austriake. Më poshtë është shkrimi i medias austriake:

    Nga Alexander Surowiec, FoB

    Çështjet personale rreth ambasadorit shqiptar Fatmir Velaj (i njohur edhe si Fate Velaj) po shndërrohen gjithnjë e më shumë në një problem politik, diplomatik dhe moral edhe për Ministren e Jashtme, Beate Meinl-Reisinger. Ky dimension ndikon si në Republikën e Shqipërisë, ashtu edhe në partnerët e saj ndërkombëtarë.

    Një investigim i ri nga Fass ohne Boden (FoB) sugjeron se jo vetëm që emërimi i tij si ambasador në Vjenë ishte shumë i dyshimtë, por edhe se i gjithë sfondi i tij profesional dhe privat karakterizohet nga kontradikta, paqartësi dhe korrupsion i dyshuar. Kjo, jo vetëm që ngre pyetje në lidhje me politikën e brendshme të Shqipërisë, por ngre shqetësime edhe për sigurinë, integritetin dhe transparencën e institucioneve austriake.

    Ngritja e dyshimtë nën protektoratin e politikës

    Fatmir Velaj u emërua Ambasador i Shqipërisë në Vjenë në vitin 2023. Me sa duket, Velaj ia detyron karrierën e tij diplomatike ndikimit të drejtpërdrejtë të kryeministrit Edi Rama, i cili, pavarësisht mungesës së kualifikimeve, e ngriti në detyrë në parlament dhe më vonë në shërbimin diplomatik.

    Shkeljet e konventave ndërkombëtare

    Megjithatë, përpara se të bëhej emërimi aktual, Velaj duhej të hiqte dorë nga shtetësia austriake dhe t’i jepte fund zyrtarisht vetëpunësimit në Austri. Prandaj, emërimi zyrtar nuk u bë deri në vitin 2024.

    Në kohën e akreditimit të tij, Velaj mbante gjithashtu shtetësi austriake, një shkelje e qartë e Nenit 8 të Konventës së Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike, i cili ndalon në mënyrë të qartë një shtetësi të tillë të dyfishtë për ambasadorët në shtetin pritës. Vetëm pas ndërhyrjes së Ministrisë së Jashtme dhe presionit të medias, thuhet se ai hoqi dorë nga shtetësia austriake.

    Deklarimi parlamentar në vitin 2018: Velaj me pasuri të konsiderueshme private

    Fate Velaj u zgjodh në Kuvendin e Shqipërisë si deputet i në vitin 2017. Sipas deklarimeve të tij në Parlamentin e Shqipërisë, deputeti i atëhershëm Velaj kishte një pasuri të konsiderueshme prej rreth 1.77 milionë eurosh, duke përjashtuar të ardhurat e tij vjetore. Pasuritë e tij përfshijnë 83 përqind të një apartamenti prej 85 metrash katrorë në Vlorë, dy depozita bankare në Vjenë dhe Tiranë, si dhe një Chrysler Voyager.

    Veçanërisht i rëndësishëm është koleksioni i tij i gjerë i artit: 200 piktura të pikturuara vetë me një vlerë të vlerësuar prej 800.000 eurosh, 60 vepra nga artistë të huaj me vlerë 400.000 euro dhe mijëra fotografi të tij dhe të dhuruara me një vlerë totale prej 450.000 eurosh.

    Sipas dosja.al, thuhet se Velaj është përpjekur të marrë në zotërim një ullishte në Kaninë për shkak të një mosmarrëveshjeje ligjore. Në të njëjtën kohë, ka raportime se ai thuhet se ka marrë ndihmë sociale shtetërore në Austri pavarësisht se ka deklaruar pasuri prej gati 1.8 milion eurosh. Kjo ka të ngjarë të bëhet një çështje për autoritetet hetuese në Austri gjithashtu.

    Mbrojtje e të dyshuarve për krime në ambasadë?

    Akuzat më serioze kanë të bëjnë me mbështetjen e tij të supozuar për kunatën e tij, e cila kërkohet ndërkombëtarisht nga agjencia shqiptare antikorrupsion SPAK për pastrim parash në lidhje me skandalin Toyota Yaris.

    Prokuroria Speciale e Shqipërisë (SPAK) ka përfunduar hetimin e saj për të ashtuquajturin rast “Toyota Yaris” dhe ka akuzuar katër persona për korrupsion dhe ndërhyrje në gjyqësor. Ndër të pandehurit janë ish-kreu i Prokurorisë Publike të Vlorës, Aurel Zarka, ish-hetuesja penale Erjona Daupaj, avokati Radovan Çela dhe biznesmeni Astrit Vladi.

    Në qershor 2018, 3.4 milionë euro u sekuestruan nga dy automjete. Ajo konsiderohet si një figurë kyçe në një rrjet pastrimi parash midis Belgjikës dhe Shqipërisë. Sipas disa burimeve, ajo ishte fshehur nga sistemi i drejtësisë në ambasadën shqiptare në Vjenë – me dijeninë dhe miratimin e ambasadorit Velaj.

    Sipas një raporti nga Prapaskena të datës 24 nëntor 2024, thuhet se Velaj e ka fshehur kunatën e tij Erjona Daupaj në ambasadën në Vjenë. Ambasada mund të ketë shërbyer si një vend strehimi për të, duke ngritur pyetje në lidhje me imunitetin e mundshëm diplomatik dhe rolin e ambasadës në parandalimin e veprimeve ligjore.

    Ky incident ngre pyetje serioze në lidhje me integritetin e institucioneve diplomatike dhe rolin e tyre të mundshëm në pengimin e drejtësisë. Qeveria shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë mund të thirren për të hetuar çështjen dhe për të ndërmarrë veprimet e duhura.

    Transparencë në vend të shpërqendrimit: Pyetje për ambasadorin

    Ekipi editorial i FoB i dha ambasadorit Velaj mundësinë për të komentuar. Meqenëse ai me sa duket po përdor imunitetin e tij diplomatik dhe politik, po i publikojmë pyetjet që i janë drejtuar atij për hir të transparencës:

    -A është e vërtetë që ju dhe anëtarët e familjes suaj po hetoheni nga agjencia shqiptare kundër korrupsionit SPAK?

    -A keni ju ose anëtarët e familjes suaj llogari bankare ose asete që aktualisht po hetohen nga SPAK ose hetues ndërkombëtarë?

    -A mund të paraqisni certifikata ose diploma zyrtare për studimet tuaja të deklaruara në Shqipëri dhe Austri?

    -A është e vërtetë që keni qenë anëtar i Parlamentit të Shqipërisë gjatë shtetësisë suaj austriake pa njoftuar autoritetin kompetent MA53?

    -Thuhet se ju vetë keni ndërhyrë pranë Ministrisë Federale të Evropës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës për të përshpejtuar akreditimin tuaj si ambasador. Si e justifikoni këtë qasje?

    -Si e shpjegoni faktin që, sipas hulumtimeve, keni deklaruar pasuri prej mbi 1.8 milion eurosh, por njëkohësisht keni marrë ndihmë sociale shtetërore?

    -Si reagoni ndaj akuzave se kunata juaj, e cila kërkohet nga SPAK me urdhër arresti, thuhet se ka gjetur strehim në ambasadën shqiptare në Vjenë?

    -Çfarë arritjesh zyrtare ose suksesesh diplomatike keni arritur deri më tani në rolin tuaj si ambasador?

    -Në rrjetet sociale dhe në qarqet politike në Shqipëri dhe Austri po diskutohet nëse kryeministri Edi Rama po përgatitet t’ju shkarkojë pas zgjedhjeve të 11 majit. Çfarë mendoni për këtë?

    -Disa politikanë austriakë dhe shqiptarë distancohen nga ju. A keni një skenar personal daljeje në pension?

    -Raportet sugjerojnë se ambasada nuk ishte e disponueshme për periudha të gjata nën udhëheqjen tuaj. A është e vërtetë kjo?

    -Si i përballoni kritikat se çështja juaj ka dëmtuar ndjeshëm marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Austrisë?

    -A do të ketë një shqyrtim të brendshëm apo publik të imunitetit tuaj diplomatik, siç po kërkojnë pjesë të opozitës në Shqipëri?

    -Si reagoni ndaj informacionit se roli juaj së shpejti do të jetë objekt i një hetimi tjetër parlamentar në Austri?

    -Disa burime i thanë bordit editorial se ju i përshkruani botimet e Bottomless Pit si pjesë të një fushate opozitare kundër kryeministrit Rama. Kush ua dha këtë informacion dhe mbi çfarë bazohet deklarata juaj?

    -A keni folur personalisht me Ministren Federale, Beate Meinl-Reisinger, ose me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme për të diskutuar çështjen tuaj?

    Përfundim: Një rast me pasoja diplomatike

    Rasti Velaj nuk është një skandal i izoluar, por një simbol i dështimit strukturor dhe abuzimit me pushtetin. Në mediat sociale ai shpesh quhet ironikisht “elektricisti”. Deklarata të tilla si “Nuk erdha për shkak të zyrës sime” lënë gjithashtu hapësirë ​​për spekulime rreth motivimit të tij të vërtetë.

    Ambasadori shqiptar Velaj nuk ishte i disponueshëm për koment. Ministria e Jashtme, nën drejtimin e Meinl-Reisinger ngurron, por mori një kopje të kërkesës me email.

    Ka gjithashtu indikacione se mjedisi i Velajt ka lidhje të mundshme historike me shërbimin sekret të ish-Jugosllavisë. Ekipet gazetareske në Shqipëri po ndjekin aktualisht pistat përkatëse.

    Rasti Velaj ngre pyetjen për qeverinë shqiptare, Ministrinë e Jashtme austriake dhe partnerët ndërkombëtarë: Sa mungesë transparence, proteksionizëm dhe ambivalencë morale mund të përballojë një diplomat? Është koha për pasoja, politike, ligjore dhe morale.

  • Jennifer Rauchet: Gruaja e Pete Hegsethit që e quajnë ‘Yoko Ono’

    Jennifer Rauchet: Gruaja e Pete Hegsethit që e quajnë ‘Yoko Ono’

    Në mënyrë të përshtatshme për ndjekësit e përkushtuar të Donald Trump-it, Pete Hegseth dhe Jennifer Rauchet u martuan në një nga klubet e golfit të presidentit.

    Vetë presidenti mori pjesë në ceremoninë martesore në Trump National Golf Club në Colts Neck, New Jersey, në gusht të vitit 2019.

    Të ftuar të tjerë ishin kolegu i Hegseth-it në Fox, Sean Hannity, dhe e fejuara e tij Ainsley Earhardt, një tjetër figurë e njohur në transmetimet konservatore.

    Çifti i lumtur kishte vënë kapele bejsbolli me mbishkrimin “Make Marriage Great Again” (Ta Bëjmë Martesën Madhështore Sërish).

    Rauchet, që besohet të jetë në fillim të të 40-ave, është gruaja e tretë e sekretarit të mbrojtjes, dhe së bashku ata po rrisin një “familje të përzier” prej shtatë fëmijësh.

    Secili prej tyre ka nga tre fëmijë nga lidhjet e mëparshme.

    Çifti ka qenë pothuajse i pandarë që kur u njohën në Fox News, ku Rauchet punonte si producente ekzekutive. Ajo është diplomuar për gazetari në Universitetin Towson në Maryland dhe iu bashkua rrjetit në vitin 2006.

    Në atë kohë, Hegseth, që ishte prezantues i emisionit “Fox & Friends”, ishte ende i martuar me gruan e tij të dytë, Samantha Deering.

    Deering dhe Hegseth u lidhën pas bashkëpunimit të tyre në grupin lobues “Vets for Freedom” në Washington DC.

    Deering kërkoi divorc nga Hegsethi pasi ai pati një fëmijë me Rauchet-in në vitin 2017, po atë vit kur ai filloi punën me kohë të plotë si prezantues në rrjet, pasi më parë kishte bërë disa paraqitje si i ftuar.

    Sipas raporteve, edhe Rauchet ishte e martuar në atë kohë.

    Ajo u transferua nga emisioni i Hegseth “Fox & Friends” në “Watters’ World” pasi zbuluan marrëdhënien e tyre, sipas Vanity Fair.

    Sipas të njëjtit burim, kishte thashetheme se Rauchet e ndihmoi Hegsethin të merrte më shumë kohë në ekran se kontribuuesit e tjerë.

    Pretendimet se ajo kishte lidhje me largimin e Tucker Carlson-it nga Fox u mohuan ashpër nga Hegsethi në rrjetin X në prill 2023.

    “Lajmi më i rremë që kam parë ndonjëherë,” shkroi ai. “Gruaja ime e mrekullueshme @JennyHegseth nuk ka pasur asnjë lidhje me asgjë. Aspak. Si të gjithë të tjerët, ne e duam Tucker-in.”

    Nga ana e saj, Rauchet doli në mbrojtje të bashkëshortit kur ai u akuzua për sulm seksual ndaj një gruaje në një konferencë dyvjeçare të Federatës së Grave Republikane të Kalifornisë në vitin 2017, ku ajo ishte një nga organizatoret.

    Ishte një akuzë që Hegsethi e mohoi ashpër, megjithëse arriti një marrëveshje konfidenciale me gruan.

    “Ata nuk do ndalen me Pete-n. Nuk kanë në shënjestër atë, por vlerat tuaja. Ne nuk do të tërhiqemi,” shkroi ajo në Instagram në dhjetor të vitit të kaluar, duke treguar besnikëri ndaj burrit që e përshkruan si “shkëmbin” e saj.

    Kur akuza u risoll në vëmendje gjatë procesit të konfirmimit të Hegseth, ekipi i Trump-it u duk se u kap i papërgatitur. Në atë kohë, drejtori i komunikimit i Trump-it, Steven Cheung, dha një deklaratë duke theksuar se “presidenti Trump po emëron kandidatë të nivelit të lartë dhe jashtëzakonisht të kualifikuar”, duke shtuar se ekipi “po pret me padurim” konfirmimin e tij si sekretar i mbrojtjes.

    Një avokat i Hegsethit tha: “Kjo akuzë është hetuar tashmë nga policia e Monterey-t dhe ata nuk kanë gjetur prova për të.” Burime të afërta me Hegsethin sugjeruan se akuza ishte rikthyer për shkak të përpjekjeve nga figura të vendosura të Partisë Republikane për të sabotuar emërimin e tij.

    Pastaj dolën publikisht akuza të tjera për zgjedhjen e Trump-it për sekretar mbrojtjeje. Në një email të zemëruar, dërguar rreth kohës së divorcit të tij të dytë, nëna e tij, Penelope, e quajti atë “abuzues me gratë” dhe e akuzoi për “gënjeshtra, tradhti, marrëdhënie jashtëmartesore dhe përdorimin e grave për pushtet dhe ego personale”.

    Penelope Hegseth i tha New York Times, i cili kishte botuar email-in, se ajo e kishte shkruar atë në një periudhë të trazuar të jetës familjare dhe këmbënguli se i biri ishte “një baba dhe bashkëshort i mirë”.

    Raporte të tjera dolën në dritë për një problem të supozuar me alkoolin, me ish-kolegë të Fox-it që pretendonin se Hegseth shpesh kishte erë alkooli përpara se të dilte në transmetim.

    Megjithatë, Hegseth u konfirmua. Thuhet se Rauchet ka marrë pjesë në çdo takim që bashkëshorti i saj ka pasur me senatorët ndërsa kërkonte mbështetjen e tyre për emërimin në Pentagon.

    Duke postuar një seri fotografish nga ceremonia e betimit të Hegsethit në Instagram, Rauchet shkroi në përshkrim: “Një FALËNDERIM i madh dhe nga zemra për të gjithë ata që na kanë mbështetur.

    “Familja jonë, miqtë, luftëtarët dhe ata që luten për ne. Jam shumë krenare për bashkëshortin tim dhe, ashtu si ju, jam e emocionuar të shoh gjithçka që do të vijë për kombin tonë nën këtë president dhe drejtuesit që ai ka zgjedhur me kujdes. Është një kapitull i ri dhe Zoti është autori, ai shkruan historitë më të bukura.”

    Dyshja e lavdërojnë shpesh njëri-tjetrin në rrjete sociale, me Hegsethin që e quan atë “shkëmbi im” dhe “Barbi kauboj”, ndërsa ajo e quan atë “shpirti im i preferuar,” “mbreti i zemrës sime” dhe “gjithçkaja ime”.

    Hegsethi rrallë shihet pa Rauchet-in pranë tij, aq sa ajo ka marrë nofkën “Yoko Ono” nga stafi i Pentagonit, sipas MailOnline.

    “Jam i sigurt se ajo është e shqetësuar për tradhtitë e tij dhe alkoolin, por ajo është gjithashtu e përfshirë në formësimin e imazhit të tij publik. Ajo është njëkohësisht si oficeri i provës dhe agjentja e tij e PR-it,” tha një burim për faqen.

    Pjesëmarrja e shpeshtë e Rauchet-it në Pentagon ka nxitur kritika, veçanërisht pasi Wall Street Journal raportoi se ajo kishte shoqëruar sekretarin e mbrojtjes në takime të ndjeshme, përfshirë një me homologun e tij britanik, John Healey.

    Partnerët e zyrtarëve të lartë mund të marrin leje sigurie në nivele të ulëta; nëse kjo ka ndodhur me Rauchet-in, mbetet e paqartë.

    Sipas CNN-it, ajo kishte dorëzuar dokumente për të përfituar leje sigurie. Një zëdhënës i Pentagonit tha se nuk do të komentojnë mbi lejet e sigurisë së individëve.

    Pjesëmarrja e saj në një takim në selinë e NATO-s në Bruksel thuhet se i habiti të pranishmit e tjerë, por nuk dihet çfarë është diskutuar në prani të saj.

    Prania e Rauchet-it në një grup bisede në aplikacionin Signal, së bashku me vëllanë e Hegsethit, i cili gjithashtu punon në Pentagon, dhe avokatin e tij personal, ku janë diskutuar plane lufte, shkaktoi zemërim të mëtejshëm. Zbulimi erdhi vetëm një muaj pasi u bë e ditur se Hegsethi kishte ndarë të njëjtat plane në një tjetër bisedë në Signal, këtë herë me kryeredaktorin e The Atlantic.

    Zëdhënësi i Pentagonit, Kingsley Wilson, këmbënguli se Rauchet “nuk ka marrë pjesë asnjëherë në ndonjë takim ku janë diskutuar informacione të ndjeshme ose të klasifikuara”. / The Telegraph – Syri.net

     

  • Detaje nga konklava për zgjedhjen e Papës së ri, rreth 135 kardinalë kanë të drejtë të votojnë

    Detaje nga konklava për zgjedhjen e Papës së ri, rreth 135 kardinalë kanë të drejtë të votojnë

    Pas vdekjes së Papa Françeskut, duhet të zgjidhet një Papë i ri. E ashtuquajtura konklavë, nga radhët e së cilës zhvillohet zgjedhja, është planifikuar të fillojë më 7 maj. Sikurse njoftoi zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, koha deri atëherë do të përdoret intensivisht nga kardinalët në Romë.

    Kardinalët e caktuan datën në një takim me dyer të mbyllura, që zhvilluan pas funeralit të Françeskut. Brenda pak më shumë se një jave, kardinalët me të drejtë vote nga e gjithë bota do të mblidhen në Kapelën Sistine, në konklavën që do të zgjedhë Papa i ri.

    Në vitet 2005 dhe 2013, konklavat zgjatën nga dy ditë. Gjatë kësaj kohe kontakti me botën e jashtme është rreptësisht i ndaluar.

    Rreth 135 kardinalë kanë të drejtë të votojnë

    Të drejtë vote kanë të gjithë kardinalët që në ditën e vdekjes së Papa Françeskut nuk e kishin mbushur moshën 80 vjeç. Nga 252 kardinalët aktualë, këtë kriter e plotësojnë rreth 135 syresh. Se sa prej tyre do të marrin vërtet pjesë është ende e paqartë.

    Me votat e tyre kardinalët vendosin jo vetëm për udhëheqësin e ri fetar të katolikëve, por edhe për kursin e Kishës. Shumë kardinalë kanë shprehur dëshirën që të vazhdojnë të ndjekin fokusin e Françeskut duke u angazhuar për njerëzit në skajet e shoqërisë dhe për drejtësi sociale. Por midis konservatorëve ka disa që duan që kisha të ndjekë sërish më qartë mësimet thelbësore të katolicizimit, që ishin në fokus edhe nën papët e mëparshëm Gjon Pali II dhe Benedikti XVI./DW 

  • Pas 7 vite hetimesh zbardhet vrasja e Antonio Karafilit. Lëshohet urdhër-arresti për të dashurën e viktimës, Kejsi Spaillari

    Pas 7 vite hetimesh zbardhet vrasja e Antonio Karafilit. Lëshohet urdhër-arresti për të dashurën e viktimës, Kejsi Spaillari

    Shtatë vite nga vrasja e të riut Antonio Karafili në Voskopojë të Korçës, prokuroria e këtij qyteti pas një hetimi të thelluar ka arritur të identifikojë dy autorët e krimit,shtetasin Rexhep Vathi dhe Kejsi Spaillari.

    Sipas hetimit Kejsi Spaillari në atë kohë 18-vjeç së bashku me të dashurin e saj Rexhep Vathi, kanë mbytur me çarçaf dhe më pas varur në një pishë, trupin e pajetë të Antonio Karafilit, me qëllim krijimin e përshtypjes tek organet policore se i riu ishte vëtëvrarë.

    Tashmë ndaj Spaillarit, prokurorja e Korçës, Vasjana Postoli, ka lëshuar një mandat “arresti në burg” për akuzën e “Vrasjes me dashje” kryer në bashkëpunim. Ndërsa për Rexhep Vathin, nuk është lëshuar një masë arresti, pasi ai ka ndëruar jetë si pajë e një akti vetëvrasës që ka kryer.

    Gazetari i “Ora News” Elton Qyno, ka mësuar se Kejsi Spaillari është zbuluar nga një gjurmë biologjike ADN, që është gjendur në çarçafin me të cilin ishte lidhur në qafë, Antonio Karafili. Aktualisht Spaillari është larguar nga Korça, duke u vendosur me banim në Kanada.

    E njëjta provë është siguruar dhe për autorin tjetë që tashmë nuk jeton, Rexhep Vathin.

    Rasti në fjalë është ndjekur në raportim dinamik nga “Ora News” dhe emisioni “Stop”, duke hedhur dritë mbi misterin e asaj ngjarje të rëndë që autorët po mundoheshin ti jepnin drejtimin e një vetëvrasjeje.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur në vitin 2018, ka si motiv lidhjen sentimentale që Kejsi Spaillari kishte krijuar paralelisht me viktimën Antonio Karafili dhe autorin e krimit, Rexhep Vathi.

    Pasi policia zbuloi trupin e pajetë të lidhur në një pishë në Voskopojë, fillimisht ngjarjen e rregjistroi për akuzën e “Shkaktimit të vetëvrasjes”.

    Fillimisht hetimet e kryera nuk sollën produktivitet duke çuar prokurorinë të kërkonte pushimin e ndjekjes penale. Por gjyqtari i Korçës, Arben Lena, vendosi të kthejë dosjen për rihetim duke detyruar prokurorinë të orientonte hetimin në akuzën e “Vrasjes me dashje”.

    Mirëpo pas 7 viteve hetime dhe një seri aktesh ekspertimi, rezultoi se Antonio Karafili, është vrarë nga Rexhep Vathi dhe e dashura e tij, Kejsi Spaillari. Pas vrasjes të dy së bashku e kanë lidhur trupin në pemë, për të krijuar përshpypjen se Antonio, ishte vetëvarur.

    Por një detaj i vetëm ndryshoi rrjedhën e ngjarjes, pasi në momentin e konstatimit të trupit të pajetë nga policia, Antonio Karafili, është gjendur me këmbë në tokë dhe jo i varur plotësisht në ajër, siç mund të ndodhë në një skenë tipike varjeje.

    Viktima Antonio Karafili nuk kishte në duar apo në thonjtë asnjë përmbajtje të lëvoreve të pishës, detaj që bindi prokurorinë se ai viktima nuk kishte hipur në pemë vetëm për të lidhur çarçafin me të cilin është vetëvarur.

    Sipas dosjes hetimore, personi që e ka parë për herë të fundit në jetë Antonion, në datën 14 qershor 2018, ishte e dashura e tij, Kejsi Spaillari, në atë kohë 17 vjeç nga Korça.

    Ajo tregon, se atë ditë rreth orës 17:00 janë takuar me xhaxhain e saj dhe djalin e xhaxhait, për të sqaruar një sherr mes këtyre të fundit dhe Antonios.

    Debati u mbyll dhe Antonio e Kejsi shkuan në Voskopojë, tek lokali i prindërve të Antonios, “Taverna Mishel”.

    Në këtë moment, Kejsi kujton se Antonio i bëri skena xhelozie, duke hedhur dyshime se ajo kishte një lidhje tjetër.

    Ata u ndanë dhe rreth orës 20:00 të mbrëmjes, Kejsi me të ëmën dhe vëllain e të dashurit, u ngjitën për në Voskopojë.

    Në këtë pikë e ëma e të ndjerit, Mimoza Karafili, tregon me detaje, sesi u njoftua nga e dashura e djalit, se Antonio ishte vetëvrarë dhe ajo vetë e gjeti atë të lidhur e të pajetë në një pishë.

    Prindërit e viktimës që në fillim, kanë dyshuar se djali i tyre nuk është vetëvarur, por është vrarë. Kjo për shkak se lartësia e pemës me tokën ishte e shkurtër dhe se viktima është gjetur nga nëna e tij me këmbë në tokë dhe jo të varura në ajër./Elton Qyno, ora news/

  • Mbushi makinën me naftë dhe pagoi me 50 euro fallso, shpallet në kërkim

    Mbushi makinën me naftë dhe pagoi me 50 euro fallso, shpallet në kërkim

    Mbushi makinën me naftë dhe pagoi me 50 euro të falsifikuara, 24-vjeçari shpallet në kërkim
    Një 24-vjeçar nga Saranda është shpallur në kërkim nga policia, pasi dyshohet se ka përdorur një kartëmonedhë të falsifikuar për të paguar karburantin. Ngjarja ka ndodhur në një pikë furnizimi me karburant në qytet, ku i riu, identifikuar si A. J., dyshohet se ka përdorur një kartëmonedhë 50 euro të falsifikuar për të mbushur makinën me naftë.
     

     
    Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të Komisariatit të Policisë Sarandë kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë dhe kanë shpallur në kërkim të riun.
     
    Policia po vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.
     
    Website Saranda Web
    Facebook Saranda Web
    Instagram saranda.web
    Youtube sarandaweb
    Tiktok saranda.web
    Pinterest sarandaweb
    in sarandaweb