Day: April 26, 2025

  • Presidenti Trump mbërriti të shtunën në Romë. Edhe Zelensky i pranishëm në ceremoninë mortore të Papa Françeskut

    Presidenti Trump mbërriti të shtunën në Romë. Edhe Zelensky i pranishëm në ceremoninë mortore të Papa Françeskut

    Liderët e mëdhenj botërorë do të jenë të pranishëm sot në ceremoninë e varrimit të Papa Françeskut në Romë.
    Pas tre ditëve homazhe, së bashku me mbi 200 mijë besimtarë, ata do të mblidhen në 10:00 në sheshin e Shën Pjetrit ku do të nisë mesha e cila pritet të zgjasë rreth 1 orë e gjysmë.

    Pas përfundimit të meshës, trupi i Françeskut do të transportohet në bazilikën e Santa Maria Maggiore në Romë për varrim.
    Mbrëmjen e së shtunës, mbërriti në Romë presidenti i SHBA, Donald Trump për të marrë pjesë në ceremoninë mortore. Në Vatikan do të jetë dhe presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky. Trump ka deklaruar se gjatë vizitës në Romë do të takojë Melonin dhe do të ketë sa më shumë takime, por programi zyrtar nuk përfshin asnjë takim dypalësh.
    Të pranishëm do të jenë gjithashtu presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti francez Emmanuel Macron, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe kancelari në largim Olaf Scholz, kryeministri britanik Keir Starmer e Princi William. Nga Shqipëria dhe Kosova, janë të pranishëm Presidenti Bajram Begaj dhe presidentja Vjosa Osmani.
    Gjithashtu në delegacionin shqiptar do të jetë ministri i Jashtëm Igli Hasani dhe krerët e komuniteteve fetare në vendin tonë.

  • Parashikimi i motit për sot, 26 prill 2025

    Parashikimi i motit për sot, 26 prill 2025

    Parashikohet rënie e lehtë e Vlerave Barike duke sjellë në territorin Shqiptar mbizotërim të vranësirave dhe shirave.
    Më të theksuara shirat do të jenë në skajin Verior-Verilindor duke bërë që reshjet të jenë në formë rrebeshi, nuk përjashtohet edhe mundësia e breshërit.

    Pjesa e dytë e ditës do të vijojë me vranësira dhe shira në të gjithë territorin, por me intensitet të ulët, përjashtuar zonat Juglindore të cilat do të mbeten me rrebeshe afat-shkurtra shiu si edhe mini-stuhi breshëri.
    Temperaturat e ajrit do të ulen lehtë si në mëngjes edhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 4°C vlera minimale e shënuar në qytetin e Peshkopisë deri në 23°C vlera maksimale e cila pritet në qytetin e Kuçovës.
    Era do të fryjë mesatare deri e fortë duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 50 km/h nga drejtimi Verior, për pasojë në brigjet detare do të krijohet dallgëzim 3 – 4 ballë.

  • Vigjilja surrealiste e Real-Barça… Akuza dhe kërcënime, në çfarë klime do të luhet finalja?

    Vigjilja surrealiste e Real-Barça… Akuza dhe kërcënime, në çfarë klime do të luhet finalja?

    Në Spanjë ka përfunduar një nga ditët më surrealiste të historisë së fundit të futbollit. Pak më shumë se 24 orë para fishkëllimës së parë të finales së Kupës së Mbretit mes Real Madridit dhe Barcelonës, është ndezur polemika për shkak të një tjetër videoje provokative të publikuar nga televizioni zyrtar i Real Madridit.
    Një akt i vërtetë akuzues ndaj arbitrit të finales, Ricardo De Burgos Bengoetxea, me të cilin Reali ka një përqindje fitoresh më të ulët në krahasim me rivalët. Reagimi i vetë De Burgos Bengoetxea dhe i kolegut të tij që do ta ndihmojë në VAR, González Fuertes, erdhi pothuajse menjëherë.
    Të dy folën në një konferencë shtypi para finales. I pari madje shpërtheu në lot, ndërsa i dyti sulmoi hapur klubin e Florentino Pérezit, duke shkaktuar reagimin indinjues të këtij të fundit. Si pasojë, Real Madridi kërkoi nga Federata Spanjolle që t’i ndryshonte arbitrat e finales në momentet e fundit dhe vendosi të bojkotojë të gjitha aktivitetet zyrtare saj, përfshirë konferencën për shtyp ku duhej të merrnin pjesë Carlo Ancelotti dhe Luka Modric.
    Një vendim i fortë, por kërkesa e Perez nuk u pranua. Federata qëndroi e palëkundur në pozicionin e saj, ndërsa Real Madridi fillimisht kërcënoi se nuk do të paraqitej në stadiumin “La Cartuja” të Seville, duke publikuar një komunikatë ku theksonte rrezikun që arbitrat të largoheshin nga parimet e “ndershmërisë, objektivitetit dhe paanshmërisë”, dhe kërkonte ndërhyrjen e Federatës.
    Një protestë që do të kishte qenë historike, por për fat të mirë nuk do të ndodhë, pasi në mbrëmje klubi lëshoi një tjetër komunikatë ku deklaronte se “nuk kishte marrë kurrë në konsideratë idenë e tërheqjes nga finalja”.
    Në fund të mbrëmjes erdhi edhe mesazhi i ashpër i Atletico Madridit, që sulmoi hapur “kushërinjtë” e vet nga Madridi. Finalja e Kupës së Mbretit do të luhet, por në çfarë klime?
    Arbitri i finales së Kupës së Mbretit shpë*then në lot: Djalit tim i thonë në shkollë se jam hajdut…

  • Risia/ VAR instalohet në FSHF

    Risia/ VAR instalohet në FSHF

    Duke nisur nga sezoni futbollistik 2025/2026, sistemi VAR në futbollin shqiptar do të funksionojë nga një qendër e përhershme e dedikuar, e ndërtuar në “Shtëpinë e Futbollit”. Federata e Futbollit ka ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm për modernizimin dhe rritjen e standartit të arbitrazhit shqiptar, duke e sjellë atë në një linjë me praktikat më të mira europiane.

    Kjo qendër do të monitorojë pesë ndeshje njëkohësisht nga kampionati “Abissnet Superiore”, duke eliminuar kështu nevojën për qendrat e lëvizshme që janë përdorur deri më tani. Në dispozicion do të jenë 5 dhoma VAR-i, te pajisura me teknologjinë më të fundit, ku arbitrat do të kenë mundësinë të analizojnë momentet e diskutueshme.

    Përveç ndeshjeve të “Abissnet Superiore”, kjo qendër do të shërbëjë edhe për ndeshje të zgjedhura nga kampionati i Kategorisë së Parë, apo kampionatet e tjera në varësi të sfidave.

    Përmes këtij investimi të rëndësishëm për futbollin shqiptar, FSHF dëshmon se po ndjek hapat e federatave më të zhvilluara europiane si ato angleze, spanjolle apo italiane, që kanë adoptuar prej kohësh qendrat e centralizuara të sistemit VAR.

    Vazhdo leximin

  • Murinjo kandidat serioz për të marrë drejtimin e kombëtares portugeze, Fenerbahçe nuk e lë të lirë

    Murinjo kandidat serioz për të marrë drejtimin e kombëtares portugeze, Fenerbahçe nuk e lë të lirë

    Adriatik BALLA
    Portugalia do të kërkojë një trajner të madh në krye të saj për sfidat që e presin përfaqësuesen e këtij vendi dhe emri që lakohet në shtyp si më i mundshmi është padyshim Hoze Murinjo. Në të vërtetë “Special One” asnjëherë nuk e ka kërkuar me të madhe këtë post, edhe pse nuk e ka përjashtuar si mundësi, duke thënë madje se e ndjente detyrim, por gjërat janë pjekur më në fund që Murinjo ta ndërmarrë këtë hap.
    Lajmin në fillim e dhanë mediat portugeze, por e përforcuan gjatë ditës së djeshme mediat sportive turke, që merakoseshin se Fenerbahçe do të mbetet pa trajner në verë dhe do t’i duhet të hyjë në treg për të gjetur pasuesin e Murinjos. Po si qëndron e vërtet? “Trajneri i njohur, Hoze Murinjo, është rikthyer në qendër të vëmendjes së futbollit ndërkombëtar.
    Trajneri i Fenerbahçes, i cili po kalon një periudhë intensive në Turqi, është lidhur së fundmi me mundësinë për të marrë drejtimin e Kombëtares së Portugalisë. Federata Portugeze e Futbollit raportohet se po e shqyrton seriozisht emërimin e tij në prag të Kupës së Botës 2026 – një lëvizje që do të kishte ndikim të madh për vendin dhe për të ardhmen e kombëtares. Trajneri portugez e ka shprehur gjithmonë dëshirën për të drejtuar përfaqësuesen, një objektiv që ende nuk e ka arritur në karrierën e tij të shkëlqyer. Megjithëse aktualisht është i përqendruar te detyrat me ekipin turk, interesimi nga vendlindja e tij mund të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve”, shkruajnë mediat. Murinjo është një figurë që gëzon respekt dhe admirim nga lojtarët, dhe mbërritja e tij në stolin e Portugalisë mund të jetë nxitësi ideal për një cikël të ri ambicioz. Federata Portugeze e Futbollit po shqyrton të gjitha skenarët e mundshëm për të ardhmen e afërt.
    Me një brez të talentuar dhe lojtarë të konsoliduar në ligat më të forta europiane, kombëtares i duhet një lider me përvojë, karakter dhe një histori fitimtarësh. Profili i Murinjos përputhet në mënyrë të përsosur me këtë përshkrim, dhe aftësia e tij për të nxjerrë më të mirën nga skuadrat nën presion e bën atë një kandidat të vështirë për t’u anashkaluar. Nga Turqia, Fenerbahçe po ndjek me vëmendje zhvillimet.
    Edhe pse klubi ka dhënë mbështetje të madhe për trajnerin nga Setubali, sfida për të udhëhequr vendin e tij në një Kupë Bote mund të peshojë më shumë sesa çdo kontratë. Në Lisbonë besojnë se momenti për të pasur trajnerin më të njohur në historinë e tyre mund të jetë më afër se kurrë.

  • Amir Rrahmani një nga mbrojtësit më të vlerësuar në Itali dhe në top-ligat europiane

    Amir Rrahmani një nga mbrojtësit më të vlerësuar në Itali dhe në top-ligat europiane

    Adriatik BALLA
    Në kampionatin italian luan kontigjenti kryesor i futbollistëve të Kombëtares kuqezi. Por jo vetëm ata, pasi në Itali luan një kontigjent i rëndësishëm i lojtarëve të përfaqësueses së Kosovës, e ku padyshim diferencën e bën kapiteni i kombëtares kosovare, Amir Rrahmani. Lojtarët shqiptarë që luajnë në Serie A ose Serie B janë përshtatur mirë dhe kanë krijuar profilin e lojtarëve të suksesshëm me skuadrat e tyre. Kështu, Amir Rrahmani është shtylla e mbrojtjes së Napolit dhe lojtar që vazhdimisht ka luajtur në edicionet e fundit.
    Pavarësisht se a janë ndërruar trajnerët apo shokët e skuadrës, Rrahmani ka qenë gjithmonë i pranishëm në qendrën e mbrojtjes. Qëkur u transferua në vitin 2020 te Napoli nga Hellas Verona, kapiteni i Kosovës zuri vendin në qendër dhe asnjëherë nuk e humbi atë. Ai është kthyer në lider në mbrojtjen që aktualisht është më e mira në Evropë. Napoli në edicionin aktual ka pranuar vetëm 25 gola në 33 ndeshje në Serie A dhe zë vendin e dytë me 71 pikë. Po kaq pikë ka edhe Interi në vendin e parë.
    Statistikat e futbollistit
    Më mirë se çdo gjë tjetër në lojën e futbollit flasin statistikat. Në 15 ndeshje me Rrahmanin në formacion, Napoli nuk ka pranuar asnjë gol. Rrahmani ka 3047 minuta lojë dhe është lojtari me minutazhin më të madhe nën drejtimin e trajnerit Antonio Konte. Tekniku italian që ka përvojë të madhe, e vlerëson lartë kapitenin e Kosovës, të cilin e sheh edhe si lider të mbrojtjes. 31-vjeçari Rrahmani, i gjatë 192 centimetra, nuk ka munguar në asnjë ndeshje në Serie A, por vetëm në Kupën e Italisë, ka shkruar “Corriere dello Sport” të premten. Rrahmani ka luajtur përkrah lojtarëve si Kalidu Kulibali, Kim Min-Jae, Juan Jesus e Alesandro Buonxhiorno dhe tani luan me Rafa Mirin.
    Elozhet në shtypin italian
    Mbrojtësi modern shqiptar, i lindur në Kosovë, Amir Rrahmani, siç përshkruhet nga mediumi i njohur italian, e ka të kombinuar aspektin fizik dhe atë të shpejtësisë. Ai shpesh di edhe se kur duhet t’i thyejë linjat duke e kuptuar lojën e kundërshtarit dhe kur të kthehet prapa për të mos lënë zbrazëti në mbrojtje. “Ai është solid edhe në duelet ajrore, ka teknikë të mirë dhe vizion të mirë për lojën. Pasimet vertikale janë shpeshherë edhe armë për manovrat e Napolit në fazën ofensive”, ka shkruar “Corriere dello Sport”, duke e përmendur asistimin për Romelu Lukakun në duelin kundër Empolit. Kapiteni i “Dardanëve” ka qenë stabil me paraqitje edhe në ndeshjet që i ka luajtur me Kosovën, qëkur debutoi në shtator të vitit 2016.
    Ai i ka 60 paraqitje me Kosovën dhe shtatë gola të shënuar me fanellën e përfaqësueses së Kosovës. Gol ka shënuar edhe për Napolin në edicionin aktual, njësoj siç ka bërë edhe më parë, ndërsa ka kontribuuar edhe me asistime. Golin e fitores 2:1 e shënoi në udhëtim te Xhenoa, ndërsa ka asistuar në fitoren si mysafir 3:0 ndaj Bolonjës dhe në barazimin 1:1 me Interin në stadiumin “Diego Armando Maradona”. Rrahmani po shkruan kështu faqe suksesi me Napolin në Itali dhe është nga mbrojtësit më të mirë në qarkullim në Europë.

  • Fati i titullit për Partizanin kalon nga Elbasani, të dielën dueli vendimtar për “Final Four”

    Fati i titullit për Partizanin kalon nga Elbasani, të dielën dueli vendimtar për “Final Four”

    Adriatik BALLA
    Kampionati do të luajë të dielën ndeshjet e xhiros së fundit të tij, të paktën për kalendarin e rregullt, ndërkohë që menjëherë më pas do të luhen ndeshjet “play-off”, që sipas formatit që organizon Federata Shqiptare e Futbollit është në versionin “Final Four”, që do të thotë katër ekipet e renditura më mirë bëjnë një turne me eliminim direkt gjysmëfinal e final për të përcaktuar fituesin e titullit.
    Për momentin në vend të parë është Egnatia, skuadër që shihet favorite për trofeun edhe këtë sezon, kurse në valle shtohen Vllaznia e Dinamo, që kanë shanse reale, ndërsa Elbasani dhe Partizani që mbajnë për momentin vendet 4 dhe 5 do të rivalizojnë me njëra-tjetrën për një vend në fazën “Final Four”. Për këtë përplasje duket se e gjithë vëmendja e kampionatit është nga Tirana dhe Elbasani. Natyrisht, një vëmendje të shtuar do të ketë edhe në fundin e tabelës, ku Tirana, një prej skuadrave më të mëdha e me historik të pasur të futbollit tonë, ndodhte në “fije të perit”, në vend të parafundit, ku ndoshta as fitorja nuk do t’i bëjë punë. Gjithsesi, bardheblutë ende kanë shpresë se mund të mbijetojnë.
    Partizani duel direkt për “Final Four” me Elbasanin
    Partizani do të luajë 90 minutat më të rëndësishme të sezonit këtë të dielë, pasi përplaset me një rival direkt për vendin e katërt në renditje, sikurse është Elbasani. Pra, thënë ndryshe, të dielën skuadra e Skënder Gegës luan shansin e fundit të sezonit për të shkuar në Europë, por, pse jo, edhe për të synuar titullin në ato dy ndeshje të fundit. Është një duel përcaktues përballë Elbasanit në orën 15:30 në “Arenën e Demave” në javën e fundit të sezonit. Elbasani ka po aq pikë sa Partizani (50), por ka avantazhin në ndeshje direkte dhe kundër të kuqve do t’i mjaftonte një barazim për t’u renditur në vendin e katërt dhe shkuar në “Final 4”.
    Por kjo nuk është e vetmja vështirësi për ekipin e kuq, pasi kundër Egnatias, “faturës” së humbjes iu shtuan edhe dëmtimet e Janjevës dhe Mehmetit, të cilët lanë fushën e lojës të detyruar. Situata e tyre do të jetë më e qartë ditën e sotme pas testeve, por shanset që të luajnë kundër Elbasanit janë minimale. Lista e dëmtimeve vazhdon me Buxhelajn, që mungoi në këtë ndeshje dhe rrezikon shumë edhe këtë të radhës, si dhe Zekën, që e ka mbyllur tashmë sezonin. Pjesa tjetër e skuadrës janë të gatshëm, me trajnerin Gega, i cili me siguri do të duhet të “shpikë” sërish për hedhur në fushë një skuadër konkurruese kundër Elbasanit. Verdheblutë janë një nga skuadrat më në formë të javëve të fundit dhe “kërcënojnë” jo pak të kuqtë. Ndërkohë, Elbasani vijon përgatitjet për duelin e të dielës. Emiljano Musta dhe Arsen Kasa janë drejt rikthimit, të paktën për të qenë në stol në këtë ndeshje. Sa i përket më pas formacionit, pritet që të mos ketë shumë ndryshime me ndeshjet e kaluara, duke qenë se skuadra ka funksionuar. Gjithsesi, trajneri Gvozdenoviç ka edhe dy ditë në dispozicion për të shuar edhe dyshimet e fundit që mund të ketë në lidhje me titullarët. Elbasanit në këtë ndeshje i mjafton edhe një barazim për të shkuar në “Final 4”, ku do të kishte mundësinë të dilte kampion.

  • Lamtumira e madhe! Mbi 200 mijë persona të pranishëm dhe liderë të njohur botëror, Papa Françesku përcillet sot për në banesën e fundit

    Lamtumira e madhe! Mbi 200 mijë persona të pranishëm dhe liderë të njohur botëror, Papa Françesku përcillet sot për në banesën e fundit

    Sot në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan do të zhvillohet ceremonia mortore e Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë më 22 prill, në moshën 88-vjeçare.

    Mijëra pelegrinë, besimtarë dhe figura të njohura nga mbarë bota janë mbledhur për të përshëndetur për herë të fundit një nga papët më të dashur të shekullit.
    Ceremonia nis në orën 10:00 të mëngjesit me orën lokale dhe drejtohet nga Kardinali Giovanni Battista Re, dekani i Kolegjit të Kardinalëve.
    Pritet që rreth 200,000 persona të marrin pjesë në sheshin historik të Vatikanit për të nderuar jetën dhe veprën e Papës, i cili shërbeu për më shumë se një dekadë si udhëheqës i Kishës Katolike.
    Pjesëmarrja ndërkombëtare dhe delegacionet zyrtare
    Në ceremoni janë të pranishëm mbi 130 delegacione ndërkombëtare, përfshirë rreth 50 kryetarë shtetesh dhe 12 monarkë.
    Ndër figurat kryesore janë Presidenti amerikan Donald Trump, Princi William i Mbretërisë së Bashkuar, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, si dhe përfaqësues të lartë nga Franca, Gjermania, Argjentina dhe Filipinet.
    Ky pritet të jetë një nga eventet më të rëndësishme diplomatike të vitit, duke reflektuar ndikimin e gjerë të Papa Françeskut në çështje sociale, ndërfetare dhe globale.
    Një varrim jashtë traditës
    Në përputhje me karakterin e tij modest, Papa Françesku ka zgjedhur një arkivol të thjeshtë prej druri, të mbushur me zink, duke shmangur përdorimin e tre arkivoleve tradicionale që përdoren zakonisht për papët.
    Ai do të prehet në Bazilikën e Santa Maria Maggiore në Romë – një vend i shenjtë për të, ku është lutur shpesh gjatë viteve të papatit. Ky është një vendim historik, pasi është hera e parë që një papë varroset jashtë Vatikanit që nga viti 1903.
    Papa Françesku do të mbahet mend për përulësinë, përkushtimin ndaj të varfërve dhe për thirrjet e tij të vazhdueshme për paqe, drejtësi sociale dhe ruajtjen e mjedisit. Lamtumira që po i jepet sot në Vatikan është një dëshmi e dashurisë dhe respektit të madh që ai fitoi në mbarë botën.

    Top Channel

  • Reshje shiu dhe ulje temperaturash, si parashikohet moti këtë të shtunë

    Reshje shiu dhe ulje temperaturash, si parashikohet moti këtë të shtunë

    Sipas të dhënave nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

    Moti do të jetë me alternime kthjellimesh e vranësirash. Vranësirat do të pasohen nga reshje shiu me intensitet të ulët fillimisht përgjatë vijës bregdetare e më pas në pjesën më të madhe të territorit.
    Era do të fryj me drejtim juglindje –veriperëndim me shpejtësi mesatare 5 m/s, e shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-2 ballë.
    Temperaturat e regjistruara:
    Në zonat malore 10 deri 21 °C
    Në zonat e ulëta 12 deri 22°C
    Në bregdet 14 deri 22 °C

    Top Channel

  • Publikohet oferta e SHBA për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës, Kievi humb Krimenë dhe shumicen e territorëve të pushtuara. Hiqen sanskionet ndaj Rusisë

    Publikohet oferta e SHBA për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës, Kievi humb Krimenë dhe shumicen e territorëve të pushtuara. Hiqen sanskionet ndaj Rusisë

    Oferta e SHBA-ve (sipas Reuters):
    Armëpushim i përhershëm

    Të dyja palët angazhohen menjëherë në negociata për zbatimin teknik
    Garanci Sigurie
    Ukraina merr garanci të forta sigurie
    Shtetet garantuese do të jenë një grupim ad hoc i shteteve evropiane plus shteteve jo-evropiane që dëshirojnë
    Ukraina nuk do të kërkojë të bashkohet me NATO-n
    Ukraina mund të kërkojë anëtarësim në BE
    Territoret
    SHBA-të japin njohje de jure të kontrollit rus të Krimesë
    SHBA-të japin njohje de facto të kontrollit rus të Luhansk-ut
    SHBA-të japin njohje de facto të pjesëve të kontrolluara nga Rusia të Zaporizhzhia-s, Donetsk-ut dhe Kherson-it
    Ukraina rifiton territorin në Oblastin e Kharkiv-it
    Ukraina rifiton kontrollin e Centralit Bërthamor të Zaporizhzhia-s përmes kontrollit dhe administrimit amerikan të centralit, me energji elektrike të shpërndarë në të dyja palët, dhe gjithashtu Digën Kakhovka
    Ukraina gëzon kalim të papenguar në lumin Dniepër dhe kontroll të Kinburn Spit
    Ekonomi
    Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina do të zbatojnë bashkëpunimin ekonomik/minerale
    Marrëveshja që Ukraina të rindërtohet plotësisht dhe të kompensohet financiarisht
    Sanksionet ndaj Rusisë që rezultojnë nga ky konflikt që nga viti 2014 do të hiqen
    Bashkëpunimi ekonomik SHBA-Rusi në energji dhe sektorë të tjerë industrialë