Cristiano Ronaldo, “mbret” i pasurisë sportive. Kryeson sërish listën e “Forbes” për 2025

Cristiano Ronaldo vijon të dominojë jo vetëm fushën e blertë, por edhe botën financiare të sportit. Ashtu si një vit më parë, ylli portugez konfirmohet si sportisti më i paguar në botë më 2025, sipas klasifikimit të publikuar nga revista prestigjioze “Forbes”.
Këtë vit, të ardhurat e tij kanë shënuar një tjetër rekord, duke u ngjitur në 275 milionë dollar. Rritje prej 15 milionë dollarw në krahasim me vitin e kaluar. Shuma marramendëse vjen kryesisht falë kontratës së tij gjigande me klubin saudit Al-Nassr, ku përfiton 200 milionë dollarë në sezon vetëm nga paga.
Në vendin e dytë të renditjes ndodhet ylli i NBA-së, Stephen Curry, i cili ka arkëtuar 156 milionë dollarë. Ndërkohë, podiumi pëson një ndryshim të rëndësishëm: Lionel Messi zbret nga tre më të paguarit, duke ia lënë vendin e tretë boksierit britanik Tyson Fury, me 146 milionë dollarë të ardhura.
Lista e 50 sportistëve më të paguar në botë është e dominuar nga emra që luajnë në SHBA, veçanërisht në kampionatet e basketbollit, bejsbollit dhe futbollit amerikan. LeBron James, një figurë ikonike e NBA-së, renditet i gjashti me 133.8 milionë dollarë.
Një mungesë e spikatur është ajo e tenistit italian Yannick Sinner, i cili nuk ka arritur të hyjë në “top 50” për këtë vit. Po ashtu, renditja nuk përfshin asnjë sportiste femër në pozicionet e para, çka ngre sërish pikëpyetje mbi pabarazinë gjinore në të ardhurat sportive globale.
Këta janë 10 sportistët më të paguar të vitit 2025, sipas “Forbes”:Cristiano Ronaldo (futboll) – 275 milionë dollarë
1. Cristiano Ronaldo, futboll: 275 milionë dollarë
2. Stephen Curry, basketboll: 156 milionë dollarë
3. Tyson Fury, boks: 146 milionë dollarë
4. Dak Prescott, futboll amerikan: 137 milionë dollarë
5. Lionel Messi, futboll: 135 milionë dollarë
6. LeBron James, basketboll: 133.8 milionë dollarë
7. Juan Soto, bejsboll: 114 milionë dollarë
8. Karim Benzema, futboll: 104 milionë dollarë
9. Shohei Ohtani, bejsboll: 102.5 milionë dollarë
10. Kevin Durant, basketboll: 101.4 milionë dollarë
Renditja e “Forbes” për vitin 2025 jo vetëm reflekton forcën ekonomike të ligave amerikane dhe të Lindjes së Mesme, por nënvizon edhe fuqinë e figurave të mëdha, që vijojnë të mbajnë gjallë jo vetëm sportin, por edhe biznesin global që ai përfaqëson.