Në prag të festave të fundvitit, kryeqyteti pritet të vishet me dekorimet festive. Në një intervistë dhënë për RTSH, e pyetur për menaxhimin aktual në bashkinë më të madhe në vend, nënkryetarja e deleguar Anuela Ristani flet për axhendën e aktiviteteve, ndërsa zbulon një pjesë të surprizave duke nisur nga data 6 dhjetor.
“Ajo që do të pritet për fundvit është se në datë gjashtë do të fillojmë me ndezjen e dritave; kemi një koncert të vogël me këngë krishtlindjesh. Fëmijët që do të ndezin dritat këtë vit do të jenë ata të qendrës sociale. Më pas, gjatë gjithë dhjetorit do të ketë aktivitete. Do të vijojnë aktivitetet në datën tetë, të dedikuara Ditës së Rinisë. Do të ketë koncerte në të gjithë periudhën, që nga koncerti i madh i Krishtlindjeve që është në vigjilje të Krishtlindjeve, më datë 24, dhe çdo mbrëmje deri në koncertin e madh të fundvitit. Koncerti do të jetë po aq festiv dhe gazmor siç ka qenë çdo vit. Do të kemi edhe të ftuar të veçantë. Fokusi do të jetë sheshi ‘Skënderbej’, ku do të ketë edhe disa qendra të vogla për t’i sjellë frymë festive edhe hapësirave të tjera të qytetit”, tha Ristani.
Shkresat në bashkinë e kryeqytetit mbajnë firmën e kryetarit Erion Veliaj, i cili prej 10 muajsh ndodhet në paraburgimin e Durrësit. Sipas Ristanit, puna vijon normalisht.
“Ka qenë një vit i vështirë për Bashkinë e Tiranës nga pikëpamja administrative. Mendoj se për sa i përket shërbimeve, jemi përpjekur t’i mbajmë në normalitet. Asnjë nga shërbimet nuk është ndaluar; madje jemi përpjekur të jemi në ndihmë të qytetarëve. Puna ka vijuar me ritmin më normal të mundshëm. Dokumentet e Bashkisë së Tiranës janë në emër të kryetarit Erion Veliaj, për vetë faktin që ai është ende në detyrë dhe unë jam nënkryetarja e deleguar, ashtu sikur ai të ishte i sëmurë apo jashtë vendit. Pra, nuk ka ndryshuar asgjë nga kjo pikëpamje”, tha Ristani.
Ristani ndalet edhe te problematikat që janë konstatuar gjatë këtij viti.
“Sot ka disa nyje rrugore të cilat, për shkak të shtimit të Unazës së Madhe dhe hapjes së kanaleve të hyrjes dhe daljes së unazës, krijojnë edhe më shumë vështirësi në qarkullim, dhe në to do të ndërhyjmë. Përmend edhe rrugën e Tufinës, e cila për shkak të lidhjes që duhet të bëjë më pas me rrugën e Arbrit, ka goxha ngarkesë. Jemi duke punuar për disa probleme të tilla që janë krijuar apo krijohen si pasojë e zhvillimit të qytetit”, nënvizoi ajo.
Me miratimin e buxhetit për vitin 2026, Bashkia e Tiranës pritet të vërë në zbatim projekte të tjera që janë parësore për qytetarët.