Category: Sociale

  • Dita sot parashikohet me vranësira dhe kthjellime, reshje të lehta në zonat malore

    Dita sot parashikohet me vranësira dhe kthjellime, reshje të lehta në zonat malore

    Të hënën vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme. Moti pritet të jetë me kthjellime në pjesën më të madhe të Ultësirës Perëndimore, ndërsa në zonat malore në lindje do të ketë vranësira mesatare deri të dendura dhe reshje shiu me intensitet të ulët në orët e para të ditës. Sipas Shërbimit meteorologjik Ushtarak pas orëve të mëngjesit, vranësirat në relievet lindore do të pësojnë një shpërbërje graduale.

    Era do të fryjë kryesisht nga veriu me shpejtësi rreth 7 m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore herë pas here mund të arrijë deri në 12 m/sek.

    Deti pritet të jetë i qetë deri mesatar, me valëzim të forcës 2–3 ballë në Adriatik dhe Jon.

    Moti mbetet relativisht i qëndrueshëm në zonat e ulëta, ndërsa reshjet e lehta pritet të kufizohen vetëm në zonat malore.

  • Kunata e akuzoi për sjellje imorale, Klodiana ia rrëzon pretendimet live: Vjehrri më rrahu kur isha shtatzënë!

    Kunata e akuzoi për sjellje imorale, Klodiana ia rrëzon pretendimet live: Vjehrri më rrahu kur isha shtatzënë!

    Në përballjen me të atin në “Shihemi në Gjyq”, Tikja ngriti akuza të rënda për nusen e vëllait të saj, Klodianën. Ajo pretendon se është e pandershme, se ka 17 vite që nuk jeton me vëllanë e saj, Andin, se ka marrëdhënie jashtëmartesore.

    Në pjesën e dytë të rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Andi u lidh përmes një telefonate për të sqaruar konfliktin për apartamentin dhe u pyet nga Eni Çobani për raportin e tij me Klodianën. Ai tha se jetojnë bashkë dhe në atë moment ajo gjendej pranë tij duke i kaluar më pas celularin.

    Në bisedën me ndërmjetësen, ku pati edhe ndërhyrje të forta nga Guri e Tikja që ofendonin Klodianën, kjo e fundit tha se vjehrri ka kërkuar që ajo dhe i shoqi të jetonin veçmas. Më pas, ajo ngre një akuzë të fortë që Guriu e ka dhunuar kur ishte shtatzënë.

    Klodiana: Kam qenë shtatzënë me gocën e vogël, unë i kam me deklarata në polici që mua më ka nxjerrë nga shtëpia!

    Eni Çobani: Të ka nxjerrë? Pse?

    Klodiana: Më ka rrahur! Mua vjehrri më ka rrahur, dil nga shtëpitë e mia se e panë që ne po e ndërtonim jetën shumë mirë!

    Klodiana: Se çoje dashnorët! Maskareshë!

    Klodiana: E mbante burri im! Unë i kam me deklarata në polici! Kam dy fëmijë!

    Klodiana thotë se dëbimi nga shtëpia është arsyeja që ajo nuk jeton me ta. Ajo qartëson sërish se jeton me të shoqin e vajzat dhe janë ata që duan të marrin apartamentin.

    Klodiana: Kam qenë shtatzënë, 6-muajshe, e kam me deklaratë. Jo një herë, kam ikur 10 herë nga shtëpia se më ka përzënë vjehrri! Ai pi, nuk di çfarë bën!

    Eni Çobani: Kemi apartamentin, problemi është i apartamentit. Apartamentin pse ia ke marrë Gurit?

    Klodiana: Prandaj unë nuk jetoj në ato shtëpi sepse ai më ka nxjerrë nga shtëpia!

    Eni Çobani: Me burrin vazhdon, je në rregull me burrin?

    Klodiana: Unë jam shumë në rregull me burrin, kam dy vajza, jam shumë e lumtur.

    Eni Çobani: Pse ia keni marrë shtëpinë Gurit?

    Klodiana: Ata duan t’ia marrin burrit tim!

  • U dhunua dhe u hodh në plehra, Dashnor Sula i vjen në ndihmë qenushes në Shkodër, e adopton

    U dhunua dhe u hodh në plehra, Dashnor Sula i vjen në ndihmë qenushes në Shkodër, e adopton

    Në lagjen Kiras të Shkodrës, fundi i gushtit solli një tjetër lajm që të ngrin gjakun, një qen i rrahur barbarisht, i futur në qese plehrash bashkë me pula të ngordhura, u hodh pranë kazanit të mbeturinave.

    Sipas raportimeve të mediave, dyshohet se kafsha kishte sulmuar pulat e pronarit, i cili zgjodhi ta “ndëshkonte” në mënyrën më çnjerëzore të mundshme.

    Vullnetarët e organizatës së mirënjohur “Animals Need Me” në Shkodër ishin të parët që e panë dhe reaguan. Ata e gjetën qenin të futur në qese bashkë me pulat e ngordhura, ende gjallë. Pa humbur kohë, e nxorrën nga qesja dhe e nisën menjëherë drejt një klinike veterinare, ku mori ndihmën e parë. Në atë moment, askush nuk e dinte se kjo vogëlushe, që më vonë do të merrte emrin Victoria, do të bëhej simbol i mbijetesës dhe i një historie adoptimi që lidh Shkodrën me Tiranën dhe botën politike.

    Pas stabilizimit të gjendjes së saj, u vendos që Victoria të transferohej në Tiranë për trajtim më të thelluar. Aty hyjnë në skenë Vet Hospital dhe ekipi veterinar i drejtuar nga mjeku Erko Prifti, së bashku me Paola Sula, vajza e politikanit Dashnor Sula.

    Në Tiranë, Victoria nuk mori vetëm mjekim, por edhe atë që i kishte munguar gjithë jetën: butësi, qëndrim pranë, fjalë të qeta. Paola u përfshi personalisht në kujdesin e saj: nga ndjekja e analizave, tek shoqërimi në vizita, tek orët e gjata në klinikë duke i qëndruar pranë. Plagët fizike nisën të shëroheshin; ato shpirtërore kërkonin më shumë kohë.

    Fillimisht, Victoria u mor në strehim nga Paola, por e gjitha Familja Sula u dashurua me të. Ajo filloi të bëhej pjesë e përditshmërisë: shëtitjet, vizitat, momentet e qeta në shtëpi. Nuk ishte thjesht “qenusha e shpëtuar nga Shkodra” ,ishte Victoria, anëtare e familjes.

    Vendimi i politikanit: “E marr unë”! Edhe pse në fillim e kishte marrë nën kujdes vajza e tij, në fund Dashnor Sula, vetë politikan dhe figurë publike, vendosi ta adoptonte personalisht Victoria-n. Ky vendim nuk ishte thjesht një akt formal; ishte një deklaratë e qartë se kafshët e dhunuara nuk kanë nevojë për mëshirë të përkohshme, por për familje të përjetshme. Sot, kur detyrimet politike ia lejojnë, Sula e mban Victorian me vete, duke i dhënë asaj atë që dikur ia mohoi njeriu: ndjesinë e sigurisë. Ajo që dikur u hodh si mbeturinë bashkë me pulat e ngordhura, sot shëtit, mer përkëdhelje dhe është pjesë e një familjeje që e respekton dhe e mbron.

    Nga rasti individual te përgjegjësia shoqërore. Rasti i Victorias është më shumë se një histori e trishtë me fund të lumtur. Ai nxjerr në pah disa të vërteta të forta:

    Dhuna ndaj kafshëve në Shqipëri është ende e përhapur dhe shpesh kalon në heshtje. Organizata si Animals Need Me në Shkodër bëjnë punën që shpesh shteti nuk e bën: shpëtim, trajtim, sensibilizim. Veterinerë dhe klinika të specializuara, si Vet Hospital, janë shpesh ura mes mbijetesës dhe vdekjes për këta kafshë. Familjet që zgjedhin të adoptojnë qen të traumatizuar, sidomos figura publike, dërgojnë një mesazh të fortë kundër dhunës dhe kundër idesë se kafshët janë “të konsumueshme”. Victoria sot është gjallë falë një zinxhiri njerëzish që nuk kthyen kokën: vullnetarët që e panë në Kiras, aktivistët që ngritën zërin, mjekët që e trajtuan, dhe një familje që vendosi ta mbajë përgjithmonë.

    Nga një qese plehrash në Kiras, te një divan i ngrohtë në Tiranë: kjo është fuqia që ka njeriu, ose për të shkatërruar, ose për të shpëtuar. Victoria është prova se kur zgjedhim të dytën, ndryshojmë jo vetëm jetën e një qeni, por edhe ndërgjegjen e një shoqërie të tërë.

  • Panairi tradicional i Gjelit të Detit në Peqin, fermerët: S’ka subvencione nga shteti, importet po na dëmtojnë

    Panairi tradicional i Gjelit të Detit në Peqin, fermerët: S’ka subvencione nga shteti, importet po na dëmtojnë

    Në Peqin u zhvillua panairi tradicional i Gjelit të Detit, një organizim që sjell në vëmendje traditën shumëvjeçare të mbarështimit të këtij shpendi, simboli kryesor i tryezës festive të Vitit të Ri.

    Gjelat e detit këtë vit në Peqin po tregtohen me 1000 deri në 1200 lek për kg. Sezoni sapo ka nisur por fermerët, theksojnë se çmimi nuk e justifikon mundin.

    Ata gjithashtu thonë se gjelat e therur të importit po i dëmtojnë, ndërsa nga shteti nuk kanë përfituar asnjë subvencion që ta vijojnë traditën shumëvjeçare.

    ‘Unë kam 60-70 krerë, po duhet të mos hyjnë nga jashtë që ne të shesim më shumë’, tha një fermerë.

    Deri tani nuk kemi marrë subvencionim nga shteti, ka kosto shumë, po ne e kemi traditë, Peqini nuk e ka humbur këtë traditë’, tha një tjetër.

    ‘Duam ndihmë nga shteti se ushqimet janë shumë të shtrenjta’, tha një tjetër fermer.

    Vetëm në Peqin mbarështohen çdo vit rreth 30 mijë krerë gjela deti. Drejtuesit lokal tregojnë arsyet pse është i veçantë ky shpend në këto zona.

    Panairi i këtij viti u mbajt në muret historike të kalasë së Peqinit. Aktiviteti mblodhi bashkë fermerë, qytetarë dhe vizitorë, me qëllim promovimin e prodhimeve lokale dhe traditave gastronomike të zonës.

  • Vlora e mbushur me turistë edhe në dimër: Na pëlqen shumë arkitektura dhe historia e këtij vendi

    Vlora e mbushur me turistë edhe në dimër: Na pëlqen shumë arkitektura dhe historia e këtij vendi

    Vlora nuk të ofron vetëm detin, nuk të ofron vetëm plazh. Me dhjetëra turistë të huaj, zbarkojnë edhe përgjatë dimrit në qytetin bregdetar. Ata vijnë për të shijuar qetësinë që të ofron qyteti, klimën e favorshme. Turistët e huaj, të cilët vijnë kryesisht nga vendet e Europës Perëndimore siç është edhe Belgjika, thonë se vijnë për të mësuar më tepër për historinë e vendit tonë. Për këtë arsye ata i përqendrojnë vizitat e tyre kryesisht tek sitet arkeologjike dhe historike për të takuar nga afër një pjesë të historisë sonë kombëtare. Për ta Shqipëria është një vend aq sa i bukur por edhe i panjohur.

    “Unë vij nga Belgjika. Jam për herën e parë në Vlorë dhe në Shqipëri gjithashtu. Zgjodhëm Shqipërinë sepse për shumicën prej nesh është një shtet i panjohur dhe për pak vite do të jetë pjesë e Europës, kështu që ne donim ta vizitonim këtë vend dhe të mësonim prej tij.

    Zgjodhëm këtë periudhë për pushime për shkak se nuk është shumë nxehtë dhe nuk ka shumë njerëz, shumë pushues turistë dhe temperaturat janë të favorshme. Ne na pëlqen që të vizitojmë çdo gjë këtu, detin, dyqanet etj. Na pëlqen shumë arkitektura, dhe historia e këtij vendi. Ne jemi si grup, vizitojmë vende të ndryshme dhe kemi një djalë i cili na tregon çdo gjë se çfarë ka ndodhur, që i përket historisë së Shqipërisë”, thotë një turist belg.

    “Ne vijmë nga Belgjika. Jemi të gjithë prej andej.Kemi ardhur këtu si një grup i vetëm. Për herën e parë jemi në Vlorë. Na pëlqen shumë qyteti. Ju keni detin dhe qytetin e bukur dhe është ok për ne. Qyteti është totalisht i ri për ne, ne po vizitojmë çdo gjë në qytet, është bukur.

    Ne po vizitojmë çdo vend që tregon historinë gjithashtu edhe në kala, në male dhe në natyrë, për të parë gjithçka. Ne zgjodhëm Shqipërinë këtë herë, pasi ne nuk dimë asgjë për këtë vend, dhe duam të mësojmë diçka të re për botën, të shikojmë gjithçka. Unë do ta rekomandoj Shqipërinë”, shprehet një turiste belge.

    Në Vlorë madje nuk mungojnë as turistët nga vendet e largëta, sic është edhe Kina.Turistët nga Kina udhëtojnë në grupe, duke marrë me vete edhe një guidë turistike e cila është udhërrëfyesi i tyre. Sipas guidës që i shoqëron, turistëve nga Kina në qytet i pëlqen shumë edhe arkitektura teksa kureshtja për këtë vend, për kulturën dhe historinë i ka shtyrë që të vizitojnë vendin tonë.Vlora i ka lënë vërtetë mbresa ku pohojnë se do të kthehen sërish

    “Unë vij nga Kina. Për mua nuk është hera e parë që e vizitojë Shqipërinë, është hera ime e tretë, por hera e parë që vij në Vlorë. Vij këtu për herën e tretë sepse jam ajo që drejtoj grupet me turistë.

    Mendoj se ka mjaftë interes nga shtetasit kinez të vijnë në Shqipëri. Për shkak se dy kombet tona kanë një histori miqësie, dhe kjo i shtynë shumë qytetarët e Kinës të vijnë këtu, ta vizitojnë dhe zbulojnë Shqipërinë.

    Kemi vizituar disa vende, na pëlqen historia dhe arkitektura këtu. Dje vizituam dhe syrin e kaltër në Sarandë, ishte shumë i bukur, i ngjan liqeneve në Kinë.

    Kemi vizituar gjithashtu malet por edhe detin. Kemi zgjedhur dimrin për tur në Shqipëri, sepse më parë kishim punë. Shqipëria është një vend i bukur, e duam. Sigurisht që do të kthehem këtu sërish”, shprehet një turiste kineze.

    Në vendet që tregojnë historinë e Vlorës dhe Shqipërisë, mund të takosh sot turistë nga vende të ndryshme.

    Mbizotërues sigurisht që janë ata që vijnë nga Europa Lindore dhe Perëndimore, por nuk mungojnë as vendet e largëta si Kina, Japonia, Australia dhe SHBA.

  • Në sitë 4163 drejtues shkollash/ Drejtuesit pa certifikim nuk do të jenë më në krye të institucioneve arsimore

    Në sitë 4163 drejtues shkollash/ Drejtuesit pa certifikim nuk do të jenë më në krye të institucioneve arsimore

    Të gjithë mësuesit që kanë ambicien për t’u bërë drejtorë në arsimin parauniversitar kanë nisur trajnimin 9-mujor për të marrë certifikatën që u hap rrugën për këtë pozicion. Ndërsa pothuajse të gjithë drejtuesit që janë aktualisht në krye të institucioneve arsimore kanë aplikuar për të kryer programin që ofron Shkolla e Drejtorëve dhe për t’u nënshtruar në fund testimit përfundimtar.

    “Shkolla e Drejtorëve ofron katër programe të trajnimit të detyrueshëm përgatitor. Pas trajtimit të teorisë, një element kyç është praktika profesionale. Pas përfundimit me sukses të këtyre elementeve, kandidati prezanton një projekt që është i detyrueshëm dhe i zbatueshëm. Me kalimin me sukses të këtij projekti, kandidatët hyjnë në procesin e testim-certifikimit”, tha drejtuesja e kësaj shkolle, Jola Kepi.

    Drejtuesja e shkollës Jola Kepi sqaron për RTSH se nga hapja e shkollës janë regjistruar për të kryer këtë program 4,163 kandidatë, dhe prej tyre 1,586 drejtues shkollash janë certifikuar, duke përfunduar me sukses provën për të qenë në krye të institucioneve edukative.

    “Çdo teze kodifikohet, që do të thotë se çdo individ nuk shfaqet me emër, por si një kod. Në fund të testimit kryhet korrigjimi automatik. Askush nuk ka marrë pikët maksimale 120, por kemi nga ata që kanë marrë 110”, tha ajo.

    Kandidatët që nuk e kanë kaluar provimin përfundimtar nuk do të lejohen të drejtojnë institucionet arsimore.

    “Në rregulloren e Shkollës së Drejtorëve për këto programe lejohet të japin testimin deri në tre herë. Nëse nuk e përfundojnë me sukses, ky kandidat, nëse është drejtues, nuk e mban më atë post, sepse nuk është i certifikuar”, nënvizon Kepi.

    Drejtuesit e shkollave në të gjithë vendin do të trajnohen në Shkollën e Drejtorëve, por këtij filtri nuk do t’i shpëtojnë as ata që aspirojnë të jenë drejtues në institucionet parashkollore.

  • Ura e Matit, drejt hapjes/ 60 për qind e punimeve të rikonstruksionit, tashmë të përfunduara

    Ura e Matit, drejt hapjes/ 60 për qind e punimeve të rikonstruksionit, tashmë të përfunduara

    Ura mbi lumin Mat pranë Milotit pritet të hapet për qarkullimin e automjeteve brenda vitit.

    Prej një muaji ajo po i nënshtrohet rikonstruksionit.

    Rreth 60% e punimeve ne bazamentin e saj janë kryer megjithëse prurjet në shtratin e lumit kanë vështirësuar punën ditët e fundit.

    Për shkak të dëmeve të mëdha. gjatë sezonit veror specialistët vendosën bllokimin e qarkullimit në këtë urë që I shërben veriu të vendit.

    Ura mbi lumin Mat është ndërtuar në vitin 1982 dhe ka një gjatësi prej 844 metër duke u konsideruar një prej urave më të gjata.

  • “Adriatiku jugor të shpallet zonë prioritare”, Kroacia mund të padisë Shqipërinë për tonelatat e mbeturinave

    “Adriatiku jugor të shpallet zonë prioritare”, Kroacia mund të padisë Shqipërinë për tonelatat e mbeturinave

    Në Kroaci po mendojnë edhe që të ngrihet padi kundër Shqipërisë për shkak të mbeturinave që u transferuan para pak ditësh në rrugë detare drejt brigjeve të Dubrovnikut.

    Kjo tezë është ngritur në mbledhjen e këshillit bashkiak të qytetit bregdetar kroat nga këshilltarja dhe njëkohësisht avokatja Viktorija Knežević.

    Pas një studimi të plotë të situatës, përgjigjja është se teorikisht mundemi, por praktikisht është shumë e vështirë të kemi sukses, gjë që nuk do të thotë se duhet të heqim dorë nga idea nëse asgjë tjetër nuk ndihmon. Pyetja më e rëndësishme tani është se çfarë tjetër mund të bëjmë për të ndaluar përsëritjen e fenomenit të plazheve tona të mbushura me mbeturina“, tha Viktorija Knežević.

    Viktorija Knežević

    Ajo ka theksuar se Konventa e Barcelonës i detyron të gjitha vendet mesdhetare, përfshirë Shqipërinë, të marrin masa që të zvogëlojnë sasinë e mbeturinave që përfundojnë në det.

    Kroacia mund të kërkojë po ashtu që Adriatiku jugor të shpallet zonë prioritare në këtë drejtim.

    Shqipëria është në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE, gjë që i jep Kroacisë një mjet të fuqishëm për të kërkuar rezultate konkrete dhe të matshme në mbrojtjen e Adriatikut nga mbetjet. Ekziston një projekt kroato-shqiptar me UNDP-në që mund të zgjerohet për të përfshirë grykëderdhjet e lumenjve dhe vendgrumbullimet problematike të mbetjeve“, tha Knežević.

    Sipas saj, ajo që del në plazhe përbën vetëm rreth 20 për qind të totalit të mbeturinave, pasi rreth 80 për qind e mbetjeve “shetitëse” fundosen në shtratin e detit.

    “Ajo që pamë është vetëm maja e ajsbergut dhe barra e vërtetë mjedisore mbetet nën det, ku ne me sy të lirë nuk mund ta shohim, por ekosistemi ynë, peshkatarët, turizmi dhe shëndeti detar vuajnë pasojat“, shtoi ajo.

    Pamje nga pastrimi i vullnetarëve në Dubrovnik

    Knežević thekson se ka modele bashkëpunimi për përballimin e situatës me mbetjet që kanë pasur sukses tashmë në Detin Baltik, ku vendet fqinj kanë arritur të zvogëlojnë në mënyrë drastike sasinë e mbeturinave në bregdet përmes një plani të përbashkët veprimi.

  • Kthjellime dhe vranësira, reshje të lehta në disa zona të vendit, parashikimi i motit për sot

    Kthjellime dhe vranësira, reshje të lehta në disa zona të vendit, parashikimi i motit për sot

    Ditën e diel (7 dhjetor) vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

    Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti parashikohet me kthjellime të herëpashershme dhe alternime vranësirash mesatare deri të dendura, të cilat do të pasohen me reshje lokale shiu me intensitet të ulët, kryesisht përgjatë zonës lindore të territorit, përqendruar në relievet malore.

    Era do të fryjë me drejtim kryesor nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare7m/sek, e cila hera-herës përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore pritet të fitojë shpejtësi deri 15m/sek.

    Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon do të jetë i forcës 2-4 ballë.

  • Festat e fundvitit, ndizen dritat e Pemës në ‘Sheshin Skënderbej’

    Festat e fundvitit, ndizen dritat e Pemës në ‘Sheshin Skënderbej’

    Dhjetori, muaji që shënon fundin e vitit kalendarik sjell një atmosferë festive në të gjithë botën ndërsa këtë mbrëmje në sheshin “Skënderbej” në Tiranë janë ndezur dritat e pemës. Të gjithë e presin me padurim fundvitin por më shumë se fëmijët, askush tjetër.

    Ndezja e dritave shoqërohet dhe nga zërat e qindra fëmijëve dhe të rinjve nga kori i shkollave të Tiranës, artistët e vegjël dhe grupet e baletit.

    Sheshi Skënderbej, dhe jo vetëm, dominohet nga zbukurimet dhe pema simbolike në pritje të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Të pranishëm në shesh ishin qindra qytetarë të cilët shijuan këtë moment magjik.