Category: Sociale

  • Protestat e fermerëve grekë, vijon për 3 orë bllokimi në aksin Kakavijë–Janinë

    Protestat e fermerëve grekë, vijon për 3 orë bllokimi në aksin Kakavijë–Janinë

    Policia Kufitare në Kakavijë, me anë të njoftimit zyrtar lidhur me qarkullimin në këtë pikë kufitare, bëhet me dije se nga ora 18:00 deri në orën 21:00 (me orën greke) do të vijojë  bllokimi i qarkullimit.

    Në njoftim theksohet se bllokimi do të jetë në aksin rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq. Ky bllokim vjen për shkak të protestës që po zhvillojnë fermerët grekë.

    Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.

  • Publikon fotot nga Jordania, Rama: Shqipëria udhëhoqi tryezën e liderëve fetare të Ballkanit

    Publikon fotot nga Jordania, Rama: Shqipëria udhëhoqi tryezën e liderëve fetare të Ballkanit

    Kryeministri Edi Rama ka publikuar sërish fotografi nga Amani i Jordanisë, teksa ka zhvilluar një takim me mbretin e vendit pritës, Abdullah.

    Rama shprehet se është thellësisht mirënjohës ndaj Mbretit të Jordanisë, për pritjen që ai i ka bërë.

    Kryeministri shtoi se në kuadër të Procesit të Aqaba-s, Shqipëria udhëhoqi tryezën e madhe të udhëheqësve fetarë në Ballkan.

    “Aman, Jordani – Mirënjohje të thellë, Mbretit Abdullah II bin Al-Hussein, për një tjetër aktivitet kuptimplotë në kuadrin e Procesit të Aqaba-s, ku Shqipëria krah Jordanisë udhëhoqi tryezën e madhe të udhëheqësve të komuniteteve fetare të Ballkani”, shkruan Rama.

    Rama dhe më herët ka shpërndarë fotografi nga pritja zyrtare që i është bërë në Aman, duke thënë se e respekton Mbretin Abdullah dhe se ai është një mik i vyer i Shqipërisë.

  • Kush janë qytetet më të ndotura në Shqipëri?! Listës i bashkohet edhe Shkodra, Korça…

    Kush janë qytetet më të ndotura në Shqipëri?! Listës i bashkohet edhe Shkodra, Korça…

    I ftuar në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, aktivisti i mjedisit, Imeldi Sokoli, paralajmëroi rritje shqetësuese të ndotjes së ajrit në disa qytete të Shqipërisë.

    Sipas tij, qyteti i Elbasanit shfaq nivele të dyoksidit të karbonit deri në tre herë mbi normat e lejuara, ndërsa dyoksidi i azotit është gjithashtu rreth tri herë mbi normë, duke përshkruar ndikimin e trafikut dhe aktiviteteve industriale.

    Edhe qytete të tjera si Durrësi, Shkodra, Korça dhe Fieri shfaqin vlera mbi normë, duke përfshirë faktorët lokalë që ndikojnë në cilësinë e ajrit.

    “Jo vetëm qyteti i Tiranës ka shfaqur vlera shqetësuese, mund të themi edhe Elbasani është tre herë mbi normë, s ai përket dyoksidit të karbonit, po ashtu edhe dyoksidi i karbonit është shtatë herë mbi normë, që vjen përsëri nga makinat, por këtu mund të kombinohet edhe me aktivitetin industrial që ka Elbasani. Durrësi po ashtu ka vlera mbi normë, por jo shumë mbi normë, sepse ka detin dhe i jep ajrosje qytetit.

    Shkodra po ashtu paraqet vlera shqetësuese, është shqetësues kryesisht në sezonin e verës dhe të pranverës. Korça, jo e habitshme, është gjithmonë pak mbi normë, ose brenda normave të lejuara, mbetet për t’u parë në dimër. Edhe Fieri është po ashtu pak mbi normë. Një rezultat shqetësues është dyoksidi i azotit që është rreth tre herë mbi normë. Mund të jetë edhe impakti nga zona naftëmbajtëse, që mund të japë një ndotje”, tha Imeldi Sokoli.

  • Dita e sotme me diell në të gjithë territorin, ulen temperaturat

    Dita e sotme me diell në të gjithë territorin, ulen temperaturat

    Ditën e sotme (9 dhjetor) vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

    Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti parashikohet i kthjellët në pothuajse të gjithë territorin, ndërsa vranësirat të pakta kalimtare, në formën e reve të mesme e të larta transparente.

    Era do të fryjë me drejtim verilindje-veriperëndim me shpejtësi mesatare 8m/sek. Deti do të jetë me valëzim të forcës 1-3 ballë.

  • Shqiptarët në Gjermani, 90% e tyre në punë me aftësi të ulëta

    Shqiptarët në Gjermani, 90% e tyre në punë me aftësi të ulëta

    Emigrantët nga Ballkani janë bërë një pjesë e rëndësishme e tregut të punës në Gjermani. Sipas të dhënave nga Bruegel, një organizatë kërkimore, shqiptarët në Gjermani dominojnë në punët me aftësi të ulëta dhe të mesme dhe ndër më të ulëtit në rajonin e Ballkanit për punë të kualifikuar.

    Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të punonjësve në profesione me aftësi të ulëta dhe të mesme, dhe ndër më të ulëtat për punë të specializuara dhe eksperte.

    Sipas raportit, 40.84% e shqiptarëve në Gjermani punojnë si “helper” (ndihmës), një kategori që përfshin punë të pakualifikuara ose gjysmë-kualifikuara, si punë fizike, logjistikë, shërbime dhe industri bazë. Ky është ndër nivelet më të larta në rajon, krahasuar me Bosnjën (30.43%) dhe Serbinë (33.59%).

    Një pjesë tjetër e madhe, 48.94%, janë të punësuar si punëtorë të kualifikuar, që zakonisht përfshijnë profesione teknike, mekanikë, ndërtim, instalime, punë zanatçinjsh apo role me trajnime profesionale. Edhe pse kjo kategori tregon një shkallë më të lartë të formimit profesional, sërish mbetet larg vendeve të avancuara të BE-së, ku rolet e specializuara zënë një peshë shumë më të madhe.

    Në kategoritë e larta profesionale, Shqipëria qëndron ndjeshëm më poshtë se vendet e tjera. Vetëm 4.54% e shqiptarëve në Gjermani punojnë si “specialistë”, si infermierë të kualifikuar, teknikë të avancuar, profesionistë të shëndetësisë apo role që kërkojnë diploma të caktuara. Ndërkohë, vetëm 5.53% janë në kategorinë “ekspert”, e cila përfshin profesionistë me arsim të lartë universitar, inxhinierë, IT specialistë, ekspertë financiarë apo role të tjera të nivelit të lartë.

    Krahasimi me vendet e tjera të Ballkanit tregon një diferencë të dukshme: Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë përqindje më të larta të punonjësve të kualifikuar dhe specialistëve, ndërsa Shqipëria mbetet e fokusuar te punët me vlerë të ulët të shtuar. Ndërkohë, vendet e BE-së, veçanërisht Europa Perëndimore, kanë një strukturë krejt tjetër, me më shumë se 26% deri 30% të punonjësve të tyre në kategori specialiste ose eksperte.

    Në total, 89.78% e shqiptarëve punojnë në dy kategoritë më të ulëta të aftësive, “helper” dhe “skilled worker”.

    Ky profil i fuqisë punëtore shqiptare në Gjermani tregon nevojën e tregut gjerman për punëtorë në sektorë bazë dhe mungesën e një baze të gjerë profesionistësh të kualifikuar nga Shqipëria, e cila lidhet si me cilësinë e arsimit profesional, ashtu edhe me nivelin e ulët të pagave në profesione të larta në vend, që shpesh dekurajojnë ndjekjen e karrierave të specializuara.
    Në terma afatgjatë, ky trend krijon sfida për tregun e punës shqiptar, duke rritur rrezikun e boshatisjes së profesioneve të kërkuara, ndërsa për Gjermaninë nënkupton vazhdimin e varësisë nga emigracioni./Marrë nga Monitor.al

  • Shqipëria kryeson vendet evropiane në përdorimin e Inteligjencës Artificiale në arsim

    Shqipëria kryeson vendet evropiane në përdorimin e Inteligjencës Artificiale në arsim

    Shqipëria renditet ndër vendet me përdorimin më të lartë të inteligjencës artificiale në arsim.

    Sipas TALIS 2024, të publikuar nga OECD, 53.2% e mësuesve shqiptarë deklarojnë se përdorin IA në punën e tyre, nga përgatitja e orëve mësimore, krijimi i materialeve didaktike deri te përmbledhja e informacionit.

    Ky numër e vendos Shqipërinë përpara shumë vendeve evropiane, duke treguar një qasje më të shpejtë dhe më të hapur ndaj teknologjisë në shkolla.

    Në Malta, Rumania, Çekia dhe Polonia, përdorimi është rreth 45–46%. Ndërkohë, në rajon, Kosova dhe Maqedonia e Veriut paraqesin shifra rreth 42–43%, ndërsa vende nordike si Norvegjia regjistrojnë rreth 40%.

    Ky krahasim tregon se, ndërsa IA po hyn gjithnjë e më shumë në mësimdhënie në Evropë, Shqipëria aktualisht mban ritmin më të lartë të adoptimit.

    Mësuesit raportojnë se IA u kursen kohë, i ndihmon të sistemojnë leksionet dhe të adaptojnë përmbajtjen për nxënës të niveleve të ndryshme.

    Raporti thekson se shifra e lartë duhet shoqëruar me trajnime, udhëzime dhe investim në infrastrukturë, që teknologjia të mos mbetet thjesht mjet ndihmës, por të përkthehet në mësim më cilësor dhe rezultate më të mira për nxënësit.

    Shifra 53.2% është një tregues i fortë se Shqipëria po ecën shpejt drejt klasës digjitale, por mbetet në pikëpyetje nëse ky ndryshim po rrit realisht cilësinë e mësimdhënies.

  • Publikohen të dhënat/ Raportohet numri i nxënësve të kapur me armë, sa u konfliktuan. Nën presion oficerët e sigurisë

    Publikohen të dhënat/ Raportohet numri i nxënësve të kapur me armë, sa u konfliktuan. Nën presion oficerët e sigurisë

    Shkolla të pasigurta është ky konkluzioni që arrin Kontrolli i Lartë i Shtetit pas një auditimi të kryer nga shtatori 2021 deri në 2024. 

    Monitorimi në gati 4 vite për rolin e oficerëve të sigurisë edhe punën e bërë  në institucionet arsimore ka rezultuar një proces jo efektiv, për shkak të mungesës së koordinimit institucional, teksa nga buxheti i Ministrisë së Arsimit vetëm  nga 0.4% deri në 0.6% të totalit të buxhetit shkon për sigurinë. 

    “Problematika më e shpeshtë, është ajo e dhunës fizike, me 892 raste të referuara në periudhën në fokus auditimi. Dhuna psikologjike/verbale radhitet e dyta, me 333 raste në këto vite. E treta, ndër problematikat më shqetësuese, me të cilat ballafaqohet siguria në shkolla, është bullizmi, e cila është raportuar 186 herë, në të njëjtën periudhë. Po ashtu shqetësim përbëjnë: kërcënimet/shantazhet/përndjekjet, me 178 raste dhe përdorimi i i drogës/cigares /alkoolit, me 133 raste”, thotë raporti i KLSH. 

    Raporti zbulon se indikatorët e sigurisë në shkolla, kanë pësuar përkeqësim të ndjeshëm në të gjithë sistemin arsimor parauniversitar në periudhën e parë të vitit 2024-2025, ku vetëm për 4 muaj janë shënuar 528 incidente, të kryesuara nga dhuna fizike, si dhe janë kapur 8 nxënës me armë. Mosmbulimi i të gjitha shkollave me oficerë sigurie ka cenuar gjithashtu sigurinë në ambjentet arsimore. Por edhe aty ku ka oficerë sigurie, del në pah se aktiviteti i ushtruar prej tyre, nuk u përgjigjet nevojave të shkollës, pasi mungon kontrolli fizik i nxënësve dhe i mjediseve shkollore. 

    “Ka qarqe si ai i Kukësit dhe ai i Gjirokastrës ku ka një oficer sigurie për çdo 25 shkolla, ndërkohë në qarkun e Tiranës ka një oficer sigurie për çdo 4-3 shkolla”, shkruan Raporti. 

    Raportimi i konflikteve apo incidenteve nëpër shkolla nuk përbën një detyrim ligjor për oficerët e sigurisë, është një tjetër gjetje e KLSH-së, ku ndonëse mund të ndodh raportimi, ato të dhëna nuk përpunohen apo analizohen më tej nga Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar. 

    Gjatë auditimit u konstatua edhe trysnia në të cilën punojnë oficerët e sigurisë, kur duhet të raportojnë në databazën e krijuar nga ASCAP, pa specifikuar shkollën ku ka ndodhur incidenti. 

    “Nga të dhënat rezulton se parandalimet e rasteve nga shtatori 2021, deri në dhjetor 2024, janë në total 182, shifër kjo që provon, se rastet referohen vetëm pjesërisht. Oficerët e sigurisë janë shprehur, se janë ndjerë nën presionin e drejtuesve për të raportuar, pasi shkolla e tyre mund të cilësohej një shkollë jo e mirë, nëse kishte raportime të rasteve apo të incidenteve”. 

    Kjo sjell një panoramë të pasaktë dhe jo të plotë të realitetit në shkolla, si dhe ndikon në mangësi të theksuar në marrjen e masave konkrete për të garantuar ofrimin e një shërbimi cilësor të oficerëve të sigurisë. Ndaj KLSH rekomandon që brenda vitit 2026 të ketë një strukturë të dedikuar për raportimin e problematikave duke udhëzuar Ministrinë e Arsimit që të ngrejë një mekanizëm ligjor dhe funksional për mbledhjen e informacionit dhe pasqyrimit të incidenteve për të rritur besueshmërinë në shkolla. 

  • VIDEO – Daria nga Bjellorusia jeton prej 5 vjetësh në Tiranë: Ndihem 100% shqiptare edhe pse..

    VIDEO – Daria nga Bjellorusia jeton prej 5 vjetësh në Tiranë: Ndihem 100% shqiptare edhe pse..

    Daria Daineka, nga Bjellorusia, e cila para pesë vitesh zgjodhi Shqipërinë si shtëpinë e saj të reSot, ajo thotë se ndihet shqiptare me zemër dhe që në momentin e parë u dashurua me vendin tonë.

    “Në fillim kam ardhur vetëm për pushime në verën e vitit 2020, gjatë kohës së koronavirusit, me dy shoqe. Por tani ndihem si në shtëpi në Shqipëri, sikur është vendi im. Nuk mund të them që jam bjelloruse, sepse të gjitha traditat që kisha i kam lënë. Do të jetoj këtu përgjithmonë”, thotë ajo.

    Intervista e plotë

    Ka qenë e vështirë ta mësosh gjuhën shqipe?

    “Kam mësuar gjuhën shumë shpejt. Kam pasur disa muaj mësuese dhe kam mësuar edhe nga njerëzit kur dal. Shqipja është gjuha më e bukur për mua. Di edhe anglisht dhe rusisht, por shqipja është gjuha e parë”.

    Çfarë të pëlqen nga Shqipëria?

    “Më pëlqen natyra, por mendoj se nuk është vetëm natyra, më pëlqejnë edhe njerëzit”.

    Ke shumë shoqëri nga Shqipëria?

    “Kam shoqëri nga Tirana, Berati dhe Kosova”.

    Ti ke mbaruar studimet për mjekësi?

    “Kam mbaruar studimet për mjekësi, por e lashë universitetin për të ardhur në Shqipëri. Tani punoj në fushën e mjekësisë, punoj në kirurgji plastike dhe si menaxhere e rrjeteve sociale”.

    Cili është qyteti që të pëlqen më shumë në Shqipëri?

    “Qyteti që më pëlqen më shumë është Vlora. Ore vëlla, ça bone? (qesh) Hiç”.

    Ke sjellë edhe shoqen e ngushtë në Shqipëri?

    “Kam sjellë shoqen time të ngushtë në Shqipëri dhe ajo që në ditën e parë tha: ‘E dua shumë Shqipërinë’. Ne kemi udhëtuar në gjithë Shqipërinë: Tiranë, Sarandë, Ksamil”.

    Çfarë komplimente të bëjnë njerëzit?

    “Njerëzit më thonë: ‘O sa e bukur je’, ‘Barbi’, ‘Dukesh shumë e bukur’. Gatimet e mia të preferuara janë byreku me mish dhe peshku”.

    “Pasaportën shqiptare do ta doja shumë. Kur luan kombëtarja, ndihem shumë krenare që jam pjesë e Shqipërisë. Kur luan sportet dhe sidomos më 28 Nëntor, ndjej një krenari të thellë, ashtu siç ndjejnë shqiptarët”.

     

     

  • BERZH: 23% e të rinjve të arsimuar kanë emigruar/ Ikja e “trurit”, një sfidë për të ardhmen e Shqipërisë

    BERZH: 23% e të rinjve të arsimuar kanë emigruar/ Ikja e “trurit”, një sfidë për të ardhmen e Shqipërisë

    Që nga fillimi i viteve ’90 e deri më sot, emigracioni mbetet një nga shqetësimet që ka shoqëruar Shqipërinë gjatë tre dekadave të fundit.

    Qindra mijëra shqiptarë kanë zgjedhur të largohen nga vendi në kërkim të një jete më të mirë. Sipas përllogaritjeve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Shqipëria ka nivel të lartë të emigracionit në popullsinë e arsimuar në vitet 2023–2024 dhe kthime shumë më të ulëta të tyre krahasuar me 38 vende të rajonit.

    Të dhënat në raportin e tranzicionit të publikuar së fundmi nga BERZH tregojnë se rreth 23% e të arsimuarve gjatë viteve 2023–2024 janë larguar nga vendi ynë, ndërsa vetëm 2–3% e atyre që studionin jashtë u kthyen.

    Më keq se Shqipëria renditen Bosnja, Autoriteti Palestinez dhe në një nivel të ngjashëm është Taxhikistani.

    Raporti tregon se vendi po humbet më shumë profesionistë sesa arrin të tërheqë, pasi 1 në 4 të rinj ikën jashtë vendit për një jetesë më të mirë.

    Emigracioni shqiptar nuk është thjesht një lëvizje demografike, por një pasqyrim i sfidave ekonomike dhe sociale me të cilat përballet vendi, si pagat e ulëta, mungesa e meritokracisë dhe mungesa e perspektivës afatgjatë.

    Emigrimi i të rinjve të arsimuar është një fenomen shqetësues në Shqipëri sepse po sjell boshllëk të madh në tregun vendas të punës, sidomos në fusha si mjekësia, teknologjia, inxhinieria dhe arsimi, por sipas raportit të BERZH kjo është edhe sfidë e madhe për zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen e vendit.

  • Protestat e fermerëve bllokojnë sërish aksin Kakavijë-Janinë, Policia shqiptare: Do lejohen vetëm makinat për emergjenca

    Protestat e fermerëve bllokojnë sërish aksin Kakavijë-Janinë, Policia shqiptare: Do lejohen vetëm makinat për emergjenca

    Aksi rrugor Kakavijë-Janinë do të jetë i bllokuar sërish sot për disa orë me radhë. Shkak është një protestë e fermerëve që do të zhvillohet në Greqi.

    Policia Kufitare e Kakavijë ka njoftuar të gjithë qytetarët se rruga nuk do të jetë e aksesueshme për disa orë. Ata thanë se vetëm qarkullimi makinave për emergjenca shëndetësore do të lejohen.

    “Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 18:00 deri në orën 21:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët. Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore. Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës”, thuhet në njoftim.

    Sipas mediave greke, fermerët do të protestojnë për të shprehur pakënaqësinë ndaj politikave qeveritare dhe presioneve ekonomike që hasin në sektorin bujqësor.

    Pjesëmarrja e fermerëve pritet të jetë masive, ndërsa sindikatat dhe koordinatorët lokalë po bashkëpunojnë për të koordinuar aksionet në të gjithë Greqinë. Protestat kanë për qëllim të kërkojnë politika më të favorshme për bujqësinë dhe përmirësim të kushteve ekonomike për fermerët.