Category: Sociale

  • Ministri Gonxhja reagon pas denoncimit për punime të paligjshme në parkun arkeologjik të Finiqit: Po mbikëqyren nga institucionet

    Ministri Gonxhja reagon pas denoncimit për punime të paligjshme në parkun arkeologjik të Finiqit: Po mbikëqyren nga institucionet

    Pas denoncimit për punime të paligjshme në parkun Arkeologjik të Finiqit, ka reaguar ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja. 

    Në një mesazh në rrjetet sociale, Gonxhja shkruan se lajmet nuk janë të vërteta dhe përbëjnë keqinformim mbi një proces tërësisht të ligjshëm restaurimi dhe konsolidimi. 

    “Sipas njoftimit, aktualisht, në Parkun Arkeologjik të Finiqit po zhvillohen punimet e miratuara dhe të mbikëqyrura nga institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore, si pjesë e projektit “Restaurimi dhe konsolidimi i Murit të Bastionit në Parkun Arkeologjik të Finiqit”, të cilat po kryhen nga subjekti kontraktues “JOGI” sh.p.k., në bazë të vendimit nr. 206, datë 09.04.2021, i rimiratuar me Vendimin nr. 398, datë 25.07.2025, të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale. 

    Pas disa vitesh pritje, ky projekt i rëndësishëm po merr më në fund trajtën e zbatimit konkret, duke shënuar një hap të domosdoshëm në ruajtjen dhe valorizimin e një prej monumenteve më përfaqësuese të antikitetit në jug të vendit. Ndërhyrjet synojnë stabilizimin afatgjatë të strukturës, ruajtjen e autenticitetit të murit mbrojtës dhe përmirësimin e sigurisë së vizitorëve, duke i hapur rrugë një përvoje më cilësore kulturore dhe turistike në Finiq”, thuhet në njoftim. 

    Sipas Gonxhes, punimet përfshijnë lidhen me pastrimin e sipërfaqeve dhe të bimësisë, kryerjen e sondazheve për verifikimin e themeleve, ndërtimin e sistemit të drenazhit, konsolidimin me shufra inoksi, si dhe rivendosjen në pozicion të gurëve ciklopikë të rrëzuar, me peshë 1.8–2.2 ton secili. 

    “Konsideruar peshën e rëndë të gurëve ciklopikë të rrëzuar, në raste të tilla, përdoren mjete të specializuara ngritëse me kapacitet deri në 4.8 ton, plotësisht në përputhje me normat dhe kriteret e VKM nr. 1099/2020. Pikërisht këto mjete dhe veprimtari janë keqinterpretuar si gërmime të paligjshme, ndërkohë që ato janë pjesë e procesit të dokumentuar të restaurimit”, tha Gonxhja. 

    Ministri Gonxhja theksoi se deri më tani, projekti ka arritur në 80% të realizimit, duke garantuar stabilitetin afatgjatë të Murit të Bastionit, sigurinë e vizitorëve dhe ruajtjen e një prej monumenteve më të rëndësishëm të kulturës së vendit. 

    Në fund, Gonxhja nënvizon se ftohen mediat dhe publiku që të verifikojnë informacionin pranë institucioneve përgjegjëse përpara publikimit, për të shmangur shpërndarjen e lajmeve të pasakta që cenojnë perceptimin publik mbi punën e bërë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. 

     

     

     

     

  • Forumi Ekonomik i Delfit: Tirana në qendër të dialogut rajonal, ekonomik e politik

    Forumi Ekonomik i Delfit: Tirana në qendër të dialogut rajonal, ekonomik e politik

    Forumi Ekonomik i Delfit, zhvilloi më 10 dhjetor, në Tiranë, edicionin e saj të 5- të, për të nxjerrë në pah rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Shqipërisë, si një qendër ndërkombëtare, për dialogun ekonomik dhe politik në Evropën Juglindore.

    Për të pestin vit radhazi në Tiranë, Forumi bëri bashkë përfaqësues të nivelit të lartë nga politika, biznesi dhe akademia në Shqipëri dhe komuniteti ndërkombëtar.

    Forumi Ekonomik i Delfit zhvillohet çdo vit në kryeqytete strategjike si Brukseli, Parisi, Berlini, Uashingtoni, Toronto, Bukureshti dhe Sofja, duke forcuar dialogun ndërkombëtar, mbi zhvillimin dhe bashkëpunimin rajonal.

    Pas fjalës së hapjes, mbajtur nga Symeon G. Tsomokos, i Forumit Ekonomik,  Delfi, Greqi,  Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, foli për perspektivat e ekonomisë shqiptare, në një mjedis ndërkombëtar që ndryshon me shpejtësi. Kryeministri vuri theksin tek përparimi i shpejtë i Shqipërisë drejt integrimit në BE si edhe në disa sektorë si ekonomia, turizmi apo industria ushtarake.

    Të pranishëm ishin edhe Delina Ibrahimaj, Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, Republika e Shqipërisë; Elisa Spiropali, Ministre për Europën dhe Punët e Jashtme, Republika e Shqipërisë; Edona Bilali, Zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Republika e Shqipërisë; Anastas Angjeli, Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë; Silvio Gonzato, Ambasador, Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri etj.

    Temat e diskutimeve, gjatë punimeve të këtij forumi prekën çështje që nga rritja e gjelbër,  tek inovacioni social dhe mundësitë e reja të investimeve në Shqipëri,

    Forumi Ekonomik i Tiranës vijon të shërbejë si një pikë referimi për ata që kristalizojnë një të ardhme ekonomike të fortë dhe të qëndrueshme për Evropën Juglindore.

     

     

  • E enjta premton mot të mirë, dielli dominon në gjithë vendin, vranësirat do jenë kalimtare

    E enjta premton mot të mirë, dielli dominon në gjithë vendin, vranësirat do jenë kalimtare

    Ditën e sotme (11 dhjetor) vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

    Orët me diell do të mbizotërojnë në pjesën më të madhe të territorit, duke u shoqëruar me vranësira të pakta kalimtare.

    Sipas SHMU-së, era do të fryjë nga veriu me shpejtësi mesatare prej 5 m/s, por hera-herës, sidomos në bregdet dhe lugina, mund të arrijë deri në 12 m/s. Deti do të jetë me valëzim të forcës 1-2 ballë.

  • Aksioni kundër ndërtimeve pa leje, Rama publikon pamjet: Vijojmë pa pushim

    Aksioni kundër ndërtimeve pa leje, Rama publikon pamjet: Vijojmë pa pushim

    Në të gjithë territorin e vendit, po vijon puna për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme, një nismë që i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”.

    Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale, pamje nga një tjetër ndërhyrje e forcave të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

    “Vijojmë kudo, pa pushim”, tha Rama ndërsa ndau pamje nga prishja e një godine dykatëshe e ndërtuar pa leje.

    Nisma për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet pa leje synon të kthejë ligjshmërinë në territor duke sjellë zhvillim për komunitetet.

    E nisur në muajin korrik, ajo është konceptuar si ndërhyrje e përhershme dhe mbetet prioritet i pushtetit vendor dhe qendror.

    Shumë raste shkeljesh raportohen nga vetë qytetarët në portalin e dedikuar për këtë qëllim “Hapësira ime publike”, ku deri tani rezultojnë 16 638 raste të denoncuara, nga të cilat janë zgjidhur 12 686 raste, ndërsa 3 952 të tjera janë në proces shqyrtimi.

     

  • Bashkia Delvinë kërkon ndihmë, banorë të tre fshatrave të bllokuar nga shembja e rrugës

    Bashkia Delvinë kërkon ndihmë, banorë të tre fshatrave të bllokuar nga shembja e rrugës

    Prej më shumë se 10 ditësh, banorët e fshatrave Vllahat, Kostar dhe Pralat në bashkinë e Delvinës janë të izoluar, për shkak të rrëshqitjeve të dherave që kanë shembur rrugën që lidh këto tre fshatra me qendrën urbane. Që nga ai moment, jeta e këtyre banorëve është vështirësuar së tepërmi, pasi detyrohen të transportojnë në krahë jo vetëm prodhimet e tyre, të cilat përbëjnë bazën kryesore të të ardhurave ekonomike, por edhe të sëmurët në rastet e urgjencave shëndetësore.
    “Pothuajse vajtën 10 15 ditë që kur ranë ato shirat e mëdha na është shembur rruga. Jemi të bllokuar, kemi pleq të sëmurë, na duhet rruga, na duhet me patjetër”, thotë një banor.
    “Kalojmë gjërat me krah këtej, janë dy tre fshatra që janë të izoluara nga kjo punë e kësaj rruge”, thotë një tjetër për A2 CNN. “Kanë ardhur edhe këta të bashkisë edhe këtu akoma s’kanë ndërhyrë akoma dhe kërkojmë ndihmë që të na rregullohet rruga”, thotë një banore.
    Në lidhje me këtë situatë, jashtë kamerave, zyrtarë të bashkisë së Delvinës janë shprehur se kanë lajmëruar prefekturën e Vlorës për ndihmë, pasi me kapacitetet dhe mundësitë financiare të bashkisë nuk kanë mundësi të riparojnë rrugën e shembur.

  • Punime për rikonstruksionin e godinës, Spitali i Traumës: Funksioni vijon normalisht pa asnjë pengesë

    Punime për rikonstruksionin e godinës, Spitali i Traumës: Funksioni vijon normalisht pa asnjë pengesë

    Spitali Universitar i Traumës (SUT) ka dalë në një deklaratë ku siguron të gjithë qytetarët, se punimet për rikonstruksionin në disa pjesë të godinës, nuk do të ndikojnë në funksionimin e shërbimeve mjekësore.

    “Stafi mjekësor dhe të gjitha strukturat për pritjen, trajtimin dhe akomodimin e pacientëve të traumës dhe politraumës do të vijojnë të operojnë normalisht, me kapacitet të plotë dhe pa asnjë pengesë në aksesimin e shërbimit”, njoftoi Spitali i Traumës.

    SUT-i bën me dije se rikonstruksioni i ambienteve është pjesë e punës për të garantuar një shërbim sa më cilësor dhe në përputhje me standardet bashkëkohore në shëndetësi.

    “Faleminderit të gjithë qytetarëve për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin gjatë këtij procesi të rëndësishëm për përmirësimin e shërbimit”, njoftoi spitali.

  • Temperaturat deri në -4 gradë në juglindje, autoritetet bëjnë thirrje për kujdes në rrugë

    Temperaturat deri në -4 gradë në juglindje, autoritetet bëjnë thirrje për kujdes në rrugë

    Temperaturat që shkojnë deri në -4 gradë celsius në juglindje të vendit janë shoqëruar me mjegull këtë mëngjes e cila ka qenë prezente në qytetin e Korçës

    Vështirësi në fushëpamje ka patur edhe në akset nacionale Korçë – Pogradec, Korçë – Devoll, Korçë – Ersekë dhe Maliq – Gramsh, ku mjegulla bëhet më e fortë ndaj e për këtë sektori i policisë së qarkullimit rrugor ka kërkuar drejtuesve të mjeteve të ulin shpejtësinë dhe kenë kujdes të shtuar në këto segmente.

    Temperaturat e ulëta pritet të shoqërojnë juglindjen përgjatë këtyre 7 ditëve, ku në fshatrat malore të Dardhës apo në majë të Mashkullores ka raste kur temperaturat arrijnë deri në -7 gradë celsius.

  • Moti për sot me diell në pjesën më të madhe të vendit, vranësira të pakta kalimtare

    Moti për sot me diell në pjesën më të madhe të vendit, vranësira të pakta kalimtare

    Ditën e sotme (10 dhjetor) vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

    Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, orët me diell do të mbizotërojnë në pjesën më të madhe të vendit, vranësira të pakta kalimtare.

    Era do të fryjë me drejtim  nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare 8m/sek.

    Deti do të jetë me valëzim të forcës 1-3 ballë.

  • Afati për aplikim u mbyll këtë të Martë/ Fiona Papajorgji kandidatja e vetme për kryetare të Gjykatës Kushtetuese

    Afati për aplikim u mbyll këtë të Martë/ Fiona Papajorgji kandidatja e vetme për kryetare të Gjykatës Kushtetuese

    Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se gjyqtarja Fiona Papajorgji është kandidatura e vetme për kryetare të Gjykatës Kushtetuese.

    Afati i dorëzimit të kandidaturave për këtë detyrë u mbyll këtë të martë, ndërsa Papajorgji synon një mandat trevjeçar në krye të GJK-së.

    Pas prezantimit të platformës së saj, do të nisë procesi i votimit, ku fitues shpallet gjyqtari që siguron kuorumin e nevojshëm prej pesë votash nga tetë gjyqtarët që përbëjnë trupën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

    Vakanca për kryetaren e GJK-së u krijua pas përfundimit të mandatit të Holta Zaçajt në mars të këtij viti, e cila kishte shërbyer njëkohësisht si kryetare e Gjykatës Kushtetuese.

  • Gara për vendin e Elsa Toskës në Gjykatën Kushtetuese, Kuvendi rihap garën

    Gara për vendin e Elsa Toskës në Gjykatën Kushtetuese, Kuvendi rihap garën

    Kuvendi i rikthehet punës për të plotësuar karrigen e fundit që është bosh në Gjykatën Kushtetuese, atë të Elsa Toskës, dorëhequr nga detyra shtatorin e vitit 2025.

    Komisioni i Ligjeve do të hapë garën nga e para ditën e nesërme, dhe mandati i gjyqtarit të ri që do të zgjedhë Kuvendi, do të jetë i plotë, 9 vjecar.

    “Njoftim për rishpalljen nga Kuvendi të hapjes së procedurës së aplikimit për vendin vakant për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të mbarimit të mandatit të ish gjyqtares Elsa Toska”,-do të jetë dokumenti që do të miratojë nesër komisioni, sic ka mësuar Report TV.

    Vendi i Elsa Toskës është i fundit, nga treshja e tre gjyqtarëve që këtë vit ishte pjesë e skemës së ripërtëritjes (vec ikjes së Holta Zacajt dhe Sonila Bejtes).

    Zëvendësimi i Elsa Toskës shkaktoi përplasje dhe debate vitin e shkuar, kur Kuvendi hapi garën për një zëvendësim me mandat të plotë, por që u pezullua pas padive në Gjykatë Kushtetuese.

    Kuvendi ndali procedurat, deri kur Gjykata Kushtetuese dha një vendim final, dhe tregoi se edhe Toska, si Zacaj dhe Bejtja duhet të mos gëzonin mandat të plotë, por të pjesshëm, për të garantuar ripërtëritjen apo rifreskimin e pjessëhm të GJK, me 3 anëtarë për cdo tre vjet, sipas Kushtetutës.

    Kuvendi priti që GJK ta arsyetonte këtë vendim, por teksa vendimi i zbardhur nuk ka ardhur ende zyrtarisht, Kuvendi vendos të mos humbasë kohë, por të përdorë dispozitivin e atij vendimi që është publik, për të ecur përpara.

    Kuvendi hap garën dhe kandidatët kanë 1 muaj kohë të shprehin interes. Pastaj ata vlerësohen, renditen me pikë nga KED.

    Kuvendi, nëse ka 84 vota, mund të zgjedhë një nga 3 emrat me më shumë pikë, përndryshe automatikisht gjyqtar bëhet kandidati që KED ka renditur të parin.