Category: Bimësia

  • Efektet Shëndetësore të Muçmollave Shqiptare

    Efektet Shëndetësore të Muçmollave Shqiptare

    Muçmolla është vogëlushja e familjes së trëndafilit. Kjo pemë e vogël çel fruta të vogla në ngjyrë të kafenjtë deri tek ngjyrë ndryshku.

    Këto fruta janë të ngjashme me ato të trëndafilit të egër, por më të mëdha në përmasë.
    Ato përbëhen nga bërthama të forta. Muçmolla është një frut me reputacion prej kohësh në vendin tonë mesdhetar. Fama e saj ka gjetur vend nga e shkuara në ditët e sotme.
    Muçmolla kultivohet kudo në Shqipëri, kryesisht në jug të vendit. Pamja dhe shija e saj janë krejt unike.
    Shqiptarët i kanë vënë këtij fruit emra të ndryshëm që variojnë nga dialekti i rajoneve dhe rrethinave, por marrosja pas muçmollës është e njëjtë në të gjithë territorin.
    Së bashku me kumbullat shahine, muçmollat mbeten pjesë e traditës së vendit. Kohët e fundit ka patur një tendencë në rritje ndaj konsumimit të frutave që deri në një farë periudhe kanë qenë të neglizhuara nga fermerët dhe tregëtarët.
    Muçmolla është pjesë e familjes së mollëve dhe dardhave. Është e fortë e thatë, e regjur kur është e papjekur.
    Proçesi i pjekjes është paksa misterioz dhe shpesh krahasohet me kalbjen. Qelizat e membranës shkrumbohen, substancat e tanines zvogëlohen dhe tuli bëhet i qullët dhe ngjyrë kafe.
    Shija e muçmollës është pak si vera, me nuanca të mollës, kanellës por edhe pak pikante. Kujdes, nëse nuk është e pjekur dhe gati në kalbje është e kotë ta hash sepse nuk do ta kuptosh shijen e saj të vërtetë.
    Fruti i lashtësisë
    Muçmolla ka vendlindjen në Azinë jugperëndimore dhe Evropën juglindore.
    Ky frut ka qenë ndër të preferuarit e Grekëve dhe Romakëve ndërkohë që Britanikët e epokës viktoriane kanë qenë aq të marrosur pas saj saqë edhe vetë Shekspiri e përmendte si frut në veprat e tij.
    Megjithatë në shekullin e 20-të atëherë kur Evropa pati një shpërthim të prodhimit të frutave që çelin vonë, muçmolla humbi fronin e saj të madhështisë.
    Prezantimi i parë i mushmollës me Shqipërinë ka ndodhur shekuj më parë. Megjithatë asnjëherë nuk është kultivuar masivisht për tregti masive në vendin tonë. Kërkesat janë të larta edhe pse ky frut shitet në tezga të vogla në cepat e tregjeve fshatare.
    Pjesa më kryeneçe e mushmollës është kur nis proçesi i pjekjes që ngjan me kalbjen. Nëse lejohen të rrinë në pemë, muçmolla do të piqet vetë natyralisht sidomos pasi ka përjetuar ftohtësinë e ngricave. Ndonjëherë frutat bien nga pema dhe humbin në natyrën e egër.
    Alternativa më e mirë është kur frutat mblidhen para se ky proçes të nisë dhe pjekja të ndodhë në kushtet e shtëpisë.
    Idealja është që të vendosen kokëposhtë në hapësira të drunjta dhe të ruhen në një vend të freskët pa dritë dhe të lagësht për javë me rradhë deri sa të kenë aromën karakteristike.
    Vetëm një e treta e prodhimit të mushmollës arrin të piqet në pemë. Ato duhen konsumuar pasi janë zbutur.
    Vlerat shëndetësore
    Prej shekujve muçmolla përdoret për shërimin e problemeve me tretjen, pasi ka vlera shumë kurative për sistemin tretës.
    Muçmolla është e përkryer kundër inflamacioneve të shkaktuara nga bakteriet dhe viruset, ndihmon te bajamet e infektuara dhe lehtëson organet e frymëmarrjes.
    Muçmolla përmban proteina, karbohidrate, taninë, pektinë, acide organike dhe është e pasur me vitamina C dhe vitaminat e grupit B.
    Ajo është burim i mirë i kaliumit, kalciumit, hekurit dhe magnezit. Pektina e pranishme ndikon në uljen e kolesterolit, përmirëson punën e zorrëve, dhe ndihmon në shërimin e infeksioneve të ndryshme në organizëm.
    Muçmolla ka edhe një përdorimi tjetër interesant në formën e kompostos. Për të përgatitur këtë është e rëndësishme që të përzieni disa lugë mushmolla të freskëta të grira dhe lihen për një orë në ujë të vluar.
    Gjatë ditës nevojitet të pini dy gota nga kjo pije e ngrohtë dhe organizmi do të ndihet menjëherë më mirë./AgroWeb.org

  • Cilat Janë Llojet më të Mira të Aloe Verës – Zbulojeni Përmes Fotove

    Cilat Janë Llojet më të Mira të Aloe Verës – Zbulojeni Përmes Fotove

    Aloe njihet si bima e përjetësisë dhe simbol i parajsës.
    Vlerat e Aloe Verës janë të mrekullueshme dhe me siguri lexuesit e AgroWeb.org janë të mirëinformuar.

    Këtë bimë të mrekullueshme mund ta kultivoni edhe në shtëpinë tuaj dhe ta keni gati për urgjenca si gërvishtje, çarje apo djegie.
    A e dini se nga kjo bimë mund të përfitoni shumë edhe nëse e pini?
    Aloe Vera përmban mbi 200 përbërës biologjikisht aktivë si polisakaride, vitamina, enzima, amino acide dhe minerale që promovojnë përthithjen sa më të mirë të ushqyesve për të cilat trupi ka aq shumë nevojë.
    Llojet më të mira të bimës së Aloe Verës
    Në botë, gjenden mbi 400 varietete të bimës së Aloe Verës, por jo të gjitha janë të mira dhe të vlefshme për konsum nga njerëzit.
    Shumica e këtyre varieteteve shërbejnë për dekorim, dhe vetëm pak prej tyre kanë efektet çudibërëse për mirëqenien e njeriut. Sipas një publikimi të Medical Plants of the World, varietetet më të mira të Aloe Verës janë:
    Aloe Barbadensis, të cilën mund ta gjeni edhe me emrin Aloe Sabila

    Aloe Arborescens

    Aloe Saponaria, që mund të gjendet edhe me emërtimin Aloe Maculata

    Aloe Ferox

    Kjo bimë në Shqipëri gjendet në pikat e tregëtimit të luleve, por edhe pranë kompanive që furnizojnë me lule të gjithë tregun e qyteteve në vend. Të dhënat e publikuara nga “The Journal of Environmental Science and Health”, tregojnë se Aloe Vera ka vlera të fuqishme në betejën kundër baktereve, virozave dhe mykut. Këto veti e bëjnë këtë bimë të dobishme në pastrimin e organizmit nga toksinat dhe në fuqizimin e sistemit imunitar.
    Por këto nuk janë vlerat e vetme të bimës së Aloe Verës.
    Nëse konsumoni ose përdorni Aloe Vera, atëherë do të përmirësoni disponibilitetin e vitaminës B12 në organizëm.
    Kjo do të thotë se trupi do ta përthithë dhe përdorë më mirë këtë vitaminë të nevojshme.
    Ajo përmban gjithashtu vitaminat A, C, E, acid folik, si edhe vitaminat B1, B2, B3 dhe B6.
    Kjo bimë e mrekullueshme përmban 20 nga 22 amino acidet esencialë për të cilat ka nevojë organizmi i njeriut, por edhe acid salicilik që lufton inflamacionin dhe bakteret.
    Përveç rolit të pastrimit të organizmit, Aloe Vera përqendrohet kryesisht tek largimi i toksinave nga stomaku, veshkat, shpretka, tëmthi dhe mëlçia.
    Gjithashtu  ndihmon me tretjen, ulçerën dhe inflamacionin në stomak.
    Aloe Vera forcon sistemin tretës dhe ofron një alternativë të shëndetshme për ata që vuajnë nga artriti.
    Mënyra më e rekomandueshme është që të pini lëngun e bimës, të cilën mund ta rrisni vetë në shtëpinë tuaj.
    Kombinojeni xhelin në lëngjet tuaja të preferuara të frutave dhe perimeve ose pijeni veçmas. Sigurohuni që të përdorni xhel të pastër që nxirret nga pjesa e brendshme e gjetheve të bimës.
    Shija e xhelit mund të jetë pak e athët dhe e hidhur, por mund ta përzieni me pak mjaltë dhe të përfitoni vlera të shumëfishta./AgroWeb.org

  • 6 Fakte Zbavitëse Rreth Manushaqeve

    6 Fakte Zbavitëse Rreth Manushaqeve

    Manushaqet janë lulet që lulëozjnë në muajin shkurt. Ato simbolizojnë besnikërinë dhe janë dhurata e përsosur për të lindurit e këtij muaji.

    Megjithatë, këto lule janë shumë më tepër sesa thjesht lule aromatike.  AgorWeb.org ju njeh më poshtë me 6 fakte argëtuese për këtë lule kaq të bukur dhe interesante.

    Ka qindra lloje të ndryshme.

    Ekzistojnë rreth 400 – 500 lloje manushaqesh, të cilat gjenden në dhjetëra vende në mbarë botën.

    Lloji më i zakonshëm është Manushaqja Blu ose Viola sororia dhe njihen për aromën e tyre unike.

    Manushaqet janë kultivuar gjersisht në Greqinë e lashtë.

    Ato janë kultivuar dhe përdorur me shekuj që në Greqinë e Lashtë në 500 pes, nëse jo edhe më herët.

    Grekët e përdornin lulen në verërat, ushqimet dhe ilaçet e tyre dhe në fakt e donin aq shumë sa manushaqja u bë simboli i Athinës.

    Shumica e manushaqeve përshtaten me mjedisin ku mbillen.

    Edhe pse shumica e manushaqeve preferojnë zona me hije, të freskëta dhe me tokë të lagësht, ato janë të afta për t’u përshtatur me shumicën kushteve e mjedisore ku mbillen.

    Kjo për shkak se lulet rriten në klima dhe habitate të ndryshme në mbarë botën, duke përfshirë pyjet, shkretëtirat dhe kënetat.

    Përjashtim bëjnë vetëm manushaqet afrikane, të cilat preferojnë mjedise të ngrohta dhe të lagështa.

    Janë simbol i shtetit të Illinoisit, Shba.

    Në vitin 1907, nxënësit e shkollave të Illinoisit votuan dhe zgjodhën manushaqen dhe lisin vendas si simbole të shetetit të tyre.

    Ekzistojnë tetë lloje të ndryshme manushqesh në Illinois, ku më e zakonshmja është Viola sororia.

    Ishte lulja e preferuar e Napoleon Bonapartit.

    Ushtaraku famëkeq francez dhe perandori Napoleon Bonaparte ishte i mahnitur nga këto lule.

    Ai i përdori ato për të mbuluar varrin e gruas së tij Josephine kur ajo vdiq në 1814.

    Mbështetësit e Bonapartit madje përdorën manushaqen për të përcaktuar nëse dikush ishte besnik ndaj tij, duke i pyetur nëse u pëlqenin lulet dhe vetëm një përgjigje pozivite, konsiderohej një shenjë besnikërie.

    Manushaqet kanë disa vlera ushqyese.

    Ajo që shumë njerëz nuk dinë për lulet e ngrënshme është se ato janë në të vërtetë mjaft ushqyese.

    Petalet dhe kërcejt e manushaqes përmbajnë sasi të larta të vitaminës C, një antioksidant që mund të përmirësojë sistemin imunitar dhe shëndetin e përgjithshëm. Në fakt, lulja ka më shumë vitaminë C se shumica e perimeve të tjera./AgroWeb.org

  • Lulebora e Kopshteve Shqiptare – Vlerat e Panjohura Shëruese

    Lulebora e Kopshteve Shqiptare – Vlerat e Panjohura Shëruese

    Ky topth petalesh delikate me ngjyra të ëmbla që të kënaqin shpirtin simbolizon mirënjohje, krenari dhe vlerësim.
    Luleborës i janë thurur këngë e vargje dashurie, por simbolika e kësaj luleje të bukur që të kujton mbrëmjet e Pogradecit ose Shkodrën e mrekullueshme shkon përtej.

    Lulebora në fakt është një lule që dhurohet në përvjetorin e katërt të martesës, ose i jepet një personi të lumtur, optimist dhe të ndershëm. Lulebora gjithashtu simbolizon pastërtinë, pafajësinë dhe besnikërinë.
    Lulebora është zbuluar për herë të parë në Japoni. Në gjuhën angleze emrin e ka “Hydrangea” që vjen nga greqishtja e lashtë.
    “Hydor” do të thotë ujë, ndërkohë që “Angos” do të thotë enë. Rrjedhimisht lulebora është si një enë uji duke iu përshtatur më së miri nevojës së luleborës për ujitje të vazhdueshme.
    Lulebora gjendet pothuajse në të gjitha pikat e tregtimit të luleve në shumë qytete dhe rrethina.
    Shumë shtëpi të shqiptarëve janë të mbushura me lulebore të ngjyrave t&eueuml; ndryshme nga bluja, e bardha dhe roza.
    Luleborat shumëngjyrëshe janë karakteristikë e këtyre qyteteve të bukura shqiptare dhe mbjellja e tyre është një traditë që ka vazhduar prej shumë vitesh.
    Në tregun floral në Shqipëri, lulebora shitet me një vlerë prej 400 Lekë për njësi dhe shumë kollaj mund të bëhet një pasion i vërtetë për kopshtin apo edhe ballkonin tënd.
    Përveç hijeshisë së saj të pakundërshtueshme, lulebora njihet si një bimë e jashtëzakonshme terapeutike.
    Në botë ekzistojnë katër deri në pesë lloje luleborë, rrënjët dhe bishtat e të cilave janë përdorur prej shekujsh në terapi të ndryshme dhe kura shëndetësore.
    Veçanërisht për të luftuar gurët në veshka, infeksionet në fshikëzën e urinës, prostatën dhe alergjitë nga polena ose pluhuri.
    Luleborën mund ta përdorim si barishte (vetëm rrënjët dhe bishtat e nëndheshme) në përgatitjen e lëngjeve tonike që i bëjnë mirë veshkave.
    Lëngu i bërë me luleborë rrit fluksin e urinës dhe ndihmon veshkat duke shkarkuar mbetjet e akumuluara dhe ndihmuar në formimin e sekrecioneve të rëndësishme.
    Lulebora ka në përmbajtjen e saj hydranginën, një përbërës i rëndësishëm falë të cilit lulebora ka të gjitha vlerat e nevojshme që ndihmojnë veshkat.
    Lulebora ka në përmbajtjen e saj edhe flavonoidë, minerale siç janë kalciumi, magnezi, fosfori dhe sulfuri. Këto elementë besohet të ofrojnë një kontribut fantastik në gjëndjen shëndetësore të njeriut.
    Shumë njerëz përdorin rrënjët dhe bishtat nëntokës së luleborës duke i zier në ujë të bollshëm për pesë minuta dhe duke e konsumuar lëngun si çaj.
    Në të vërtetë shumë çajra në botë që luftojnë gurët në veshka përmbajnë elementin hydrangea, por edhe bimë të tjera si lulerradhiqja.
    Studiuesit Japonezë tregojnë se lëngu nga rrënjët e luleborës ndihmon në shkarkimin e gurëve të vegjël nga veshkat pa patur nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.
    Sipas të njëjtëve studiues, ky lëng përdoret për trajtimin e dhimbjeve kronike të kraharorit që shkaktohen nga bronkiti.

    E megjithatë, lulebora konsiderohet edhe si një lule me një bukuri vrastare. Lulebora shkakton helmime serioze.
    Në rast se konsumoni gjethet dhe gonxhet e luleve atëherë jeni në rrezik. Simptomat e helmimit të shkaktuar nga kjo lule përfshijnë të vjellat, dhimbjet e barkut, frymëmarrje të rënduar, etj.
    Herën tjetër kur ta shikoni këtë lule të jashtëzakonshme, kujtoni që pavarësisht rreziqeve, nëna natyrë na ka ofruar shumë ndihmë për të luftuar problemet tona shëndetësore./AgroWeb.org

  • Lule Kumaku – Bima Shëruese e Organizmit

    Lule Kumaku – Bima Shëruese e Organizmit

    Lule Kumaku është një nga bimët mjekësore më të famshme për shëndetin.

    Ajo është e jashtëzakonshme për shërimin, rregullimin dhe hidratimin e lëkurës.
    Ajo zgjatet deri në 50 centimetra dhe në raste mund ta gjeni buzë rrugës ose pranë shtëpisë.
    Kumaku është lehtësisht e dallueshme falë ngjyrës së bukur e të ndezur portokalli.
    Kjo lule lulëzon në pranverë dhe qëndron e paprekur deri në ngricën e parë.
    Zbuloni më poshtë nga AgroWeb.org, mënyrat se si  lule Kumaku, me emrin botanik Calendula officinalis, mund të ndihmojë shëndetin tuaj.
    Kundër alergjive
    Lule Kumaku është përdorur historikisht kundër alergive në rrugët e frymëmarrjes, veçanërisht nga lulet.
    Dhjetë gramë lule Kumaku ziejini në gjysmë gote ujë. Lereni më pas të qëndrojë për 15 minuta. Pijeni dy deri tri herë në ditë.
    Mbron qelizat
    Lule kumaku përmban flavonoidë që mbrojnë qelizat, thotë një studim i Qendrës Mjekësore Universitare të Meriland.
    Këto lule përmbajnë më shumë luteinë dhe zeaksanthinë (antioksidantë) se spinaqi. Këta përbërës mbrojnë sytë.
    Kundër të djegurave
    Përdoreni lule Kumakun kundër skuqjes nga dielli. Nxirreni lëngun nga kërcelli i lules dhe lyeni zonën e djegur.
    Ju mund të përgatisni edhe çaj duke zier lule të freskëta ose të thata.
    Kolla me sekrecione
    Nëse kolla ju lë pa gjumë, përdorni lëngun e lules, pasi e shtrydhni e kulloni. Me këtë lëng mund të bëni gargarë.
    Në këtë mënyrë do të largoni sekrecionet dhe do të bëheni më mirë shumë shpejt.
    Kumaku është shumë më tepër se një lule e bukur.
    Ajo mjafton të zihet si çaj dhe do të jetë njësoj si të keni farmacinë në shtëpi.
    Lule Kumaku Kundër inflamacionit
    Dermatiti dhe njollat në lëkurë mund të kurohen me ujin pastrues të Kumakut.
    Përdorni çajin me lule të freskëta ose të thata dhe sigurohuni që të jetë në temperaturë ambienti. Vendoseni në lëkurë duke përdorur një pambuk.
    Shpëlajeni lëkurën pas disa minutash dhe më pas përdorni një krem hidratues.
    Lëkura e bebes
    Çaji i lule Kumakut është ideal për të kuruar acarimet e lëkurës së ndjeshme të fëmijëve, që mund të ndodhin nga pelenat ose arsye të tjera.
    Lyejeni zonën e acaruar me lëngun e çajit dhe lëreni të ajroset.
    Me Kumakun ju mund të përgatisni në shtëpi edhe një krem të mirë.
    Merrni 200 gramë krem natyral të thjeshtë dhe 15-20 pika nga vaji esencial i lule Kumakut. Përziejini së bashku në një enë qelqi dhe përdoreni sa herë që ju nevojitet.
    Kremërat natyralë mund të gjenden në farmaci. Po ashtu edhe vaji esencial i lule Kumakut.
    Pickimet nga insektet
    Kompresat më lëngun e luleve të ziera funksionojnë kundër pickimit të mushkonjave dhe insekteve të tjera.
    Këto kompresa largojnë inflamacionin dhe mbrojnë lëkurën./AgroWeb.org

  • Vezët e Shkurtëzës 4 Herë më Shumë Vlera se të Pulës – Pse ju Duhen për Shëndetin

    Vezët e Shkurtëzës 4 Herë më Shumë Vlera se të Pulës – Pse ju Duhen për Shëndetin

    Vezët e shkurtëzës janë tepër të shëndetshme dhe ushqyese për organizmin.

    Ato janë më të vogla se vezët e pulës apo të rosës.
    E verdha e këtyre vezëve është shumë herë më e ndezur dhe më e madhe në krahasim me të bardhën.
    Ndonëse ky aspekt i bën këto vezë jo të mira për njerëzit që kanë nivele të larta të kolesterolit, ato konsiderohen përgjithësisht të shëndetshme.
    Këto vezë i gjeni në tregjet e fshatarëve ose në supermarkete të mirënjohura në Shqipëri.
    Vlerat Shëndetësore Të Vezëve Të Thëllëzës
    Shikimi
    Sipas të dhënave të AgroWeb.org, vezët e thëllëzës përmbajnë sasi të larta të vitaminës A e cila përmirëson shikimin.
    Antioksidantët parandalojnë formimin e perdes së syrit.
    Kolesteroli
    Siç e thamë më lart, këto vezë nuk rekomandohen për njerëz që kanë tashmë një nivel të lartë të kolesterolit.
    Por njerëzit që nuk e kanë këtë problem, mund të konsumojnë vezët e thëllëzës sepse përbërësit e saj pasurojnë kolesterolin e mirë.
    Tensioni I Gjakut
    Vezët e thëllëzës përmbajnë kalium që ul tensionin e gjakut.
    Sipas informacioneve të AgroWeb.org, ky mineral shërben për zgjerimin e enëve të gjakut.
    Vezët Për Detoksifikim
    Studimet kanë treguar se konsumi i vezëve të thëllëzës ndihmon në eliminimin e toksinave nga gjaku dhe zvogëlimin e gurëve në veshka dhe në tëmth.
    Sëmundjet Kronike
    Antioksidantët tek vezët e thëllëzës luftojnë radikalet e lira që shkaktojnë sëmundje kronike.
    Vezët e thëllëzës përmbajnë sasi domethënëse të vitaminës C dhe asaj A që neutralizojnë radikalet e lira dhe mbrojnë shëndetin.
    Alergjitë
    Vezët e thëllëzës përmbajnë një lloj proteine që në trup lufton simptomat e alergjive.
    Ndaj nëse vuani nga inflamacioni apo reagime alergjike, vezët e thëllëzës ju vijnë në ndihmë.
    Metabolizmi
    Vitamina B tek vezët e thëllëzës përmirësojnë metabolizmin dhe hormonet, tregojnë të dhënat e AgroWeb.org.
    Duke u dhënë shtysë shumë prej proceseve të organizmit, këto vezë janë shumë të shëndetshme dhe të shijshme.
    Ndryshimi Mes Vezëve Të Thëllëzës Dhe Pulës.
    Vlera ushqyese e vezëve të thëllëzës është 3-4 herë më e lartë se vezët e pulës.
    Ato përmbajnë 13 përqind proteinë, ose 2 përqind më shumë se vezët e pulës.
    Vezët e thëllëzës përmbajnë 140 mcg vitaminë B1 ndërsa vezët e pulës përmbajnë 50 mcg vitaminë B.
    Ato përmbajnë dyfishin e vitaminave A dhe B2 dhe pesëfishin e hekurit dhe kaliumit në krahasim me vezët e pulës./AgroWeb.org

  • BE të adoptojë përdorimin e alternativave më të sigurta. Këshilli Europian i Inovacionit: Përdoruesit e duhanit dhe nikotinës nuk do të zhduken brenda natës.

    BE të adoptojë përdorimin e alternativave më të sigurta. Këshilli Europian i Inovacionit: Përdoruesit e duhanit dhe nikotinës nuk do të zhduken brenda natës.

    Përfitimet kryesore që vijnë nga përqafimi i alternativave më të sigurta përfshijnë ruajtjen e kontributit ekonomik të një industrie të ndërtuar në Europë; përmirësimin e shëndetit publik përmes përditësimit të kuadrit rregullator dhe parandalimin e tregut të paligjshëm, për produkte me standarde të ulëta sigurie që vijnë kryesisht nga Kina.  

    Këshilli Europian i Inovacionit (EIC) është platforma kyҫe e inovacionit në Europë e cila synon identifikimin, zhvillimin dhe adoptimin e teknologjive dhe inovacioneve që po ndryshojnë industritë dhe ekonominë.  
    EIC, si një organizatë jo qeveritare ka publikuar së fundmi studimin ‘Si Europa mund të shpëtojë miliona jetë duke promovuar rritjen ekonomike.’’ Materiali pasqyron ndikimin ekonomik që ka industria e duhanit në nivel europian, gjithashtu ofron një këndvështrim praktik për rregullimin e këtij tregu.  
    Sipas autorëve, duke pasur parasysh se përdoruesit e duhanit dhe nikotinës nuk do të ‘zhduken’ brenda natës, Europa duhet të inkurajojë adoptimin dhe përdorimin e alternativave më të sigurta. Kjo arrihet duke krijuar një industri europiane e cila kontrollohet rreptësisht. Kjo qasje do të përmbushte tre qëllime: Ruajtjen e kontributit ekonomik të një industrie plotësisht të ndërtuar në Europë; Përmirësimin e shëndetit publik përmes një kuadri rregullator që balancon reduktimin e dëmit me nevojën për të hequr gradualisht cigaret; Parandalimin e tregut të paligjshëm, për produkte me standarde të ulëta sigurie që vijnë kryesisht nga Kina. 
    Përveҫ efektit pozitiv që këto alternativa kanë për shëndetin publik, ato kanë një impakt pozitiv dhe në ekonominë e Bashkimit Europian. Në nivel evropian, sektori i duhanit kontribuon me 223.7 miliardë euro në vit në PBB, shifër kjo sa 1.3% e PBB-së totale të Bashkimit Evropian. 
    Të ardhurat totale vjetore nga taksat mbi duhanin arrijnë në 112.9 miliardë euro. Industria punëson, drejtpërdrejt dhe indirekt, më shumë se 2.1 milionë njerëz.Duke eleminuar tregun e paligjshëm të cigareve, BE eleminon humbjen prej 11.6 miliardë euro në vit.  
    Raporti i bën thirrje institucioneve që të miratojnë një kuadër rregullator i cili mbron zinxhirin evropian të duhanit dhe më shumë se 2.1 milionë vende pune. 

  • Lançohet NomadTech: Platforma që Promovon Potencialin e Inovacionit në Shqipëri

    Lançohet NomadTech: Platforma që Promovon Potencialin e Inovacionit në Shqipëri

    Kur një ide e thjeshtë takohet me një vullnet të palëkundur, ajo kthehet në Zhvillim – nën këtë mesazh u lançua sot në Tiranë NomadTech – një platformë e re inovative që synon të fuqizojë startup-et shqiptare dhe të promovojë një ekosistem zhvillimi të qëndrueshëm dhe bashkëkohor. NomadTech përfaqëson një angazhim konkret të sektorit privat për të mbështetur idetë që transformojnë – duke krijuar ura mes inovatorëve, institucioneve dhe sipërmarrjes. 

    Eventi u zhvillua në ambientet simbol të Piramidës së Tiranës – vetë një hapësirë transformimi – dhe mblodhi bashkë liderë institucionalë, përfaqësues të qeverisë, aktorë të ekosistemit të inovacionit dhe përfaqësues të sipërmarrjes. 
    Në mesin e të ftuarve që ndanë vizionin e tyre për zhvillimin e vendit përmes teknologjisë dhe inovacionit ishin: znj. Shqipe Berisha, CEO Piramida e Tiranës, znj. Keti Luarasi, Nënkryetare e Bashkisë së Tiranës, z. Lorent Gordi, Drejtor i Përgjithshëm i Philip Morris Albania, z. Blendi Gonxhja, Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, dhe znj. Delina Ibrahimaj, Ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit. 
    Në fjalën e tij, z. Lorent Gordi theksoi se NomadTech është më shumë sesa një platformë inovacioni – është një mision. “Ne nuk po mbështesim vetëm teknologjinë – po mbështesim kurajon për të ndryshuar, për të menduar ndryshe, për të guxuar. Inovacioni nuk lind vetëm nga njohuritë – por nga vullneti për të ecur përpara, edhe kur rruga është e panjohur.” u shpreh Gordi. 
    Në cilësinë e përfaqësueses së Bashkisë Tiranë, Nënkryetarja  znj. Keti Luarasi vlerësoi rëndësinë e nismave në mbështetje të start up-eve si një mundësi për të nxitur idetë drejt inovacionit dhe zhvillimit.  
    Gjitahshtu, Ministrja Delina Ibrahimaj dhe Ministri Gonxhja çmuan rëndësinë e këtij eventi si një momenti i ri për start up-et në Shqipëri dhe vlerësuan se si një kompani investohet në mbështetje të ideve të reja, që nxisin modele inovacioni për mundësi të reja zhvillimi.  
    NomadTech është projektuar për të ofruar mbështetje të strukturuar për ide me potencial transformues, përmes: 
    * Grante të pjesshme për startup-e me potencial të lartë zhvillimi 
    * Mentorim nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë 
    * Mundësi për bashkëpunim me aktorë kyç të ekosistemit të inovacionit dhe sipërmarrjes 
    Drejtuesi i projektit NomadTech, Ergys Gezka duke prezantuar detaje të kësaj nisme bëri të ditur se duke nisur nga sot 22 prill dhe deri në datë 31 Maj 2025 të gjitha start ups mund të aplikojnë në websitin www.nomadtech.al/ dhe të bëhen pjesë e përfituesve.  
    “Çdo aplikim do të kalojë përmes një vlerësimi të detajuar nga ekspertë të pavarur. Dhe për më të mirët, nuk ofrojmë thjesht financim – ofrojmë mentorim, rrjetëzim dhe një trampolinë drejt tregut rajonal dhe pse jo edhe atij europian. Sot, dua t’ju ftoj jo vetëm të aplikoni. Dua t’ju ftoj të guxoni. Të shihni veten si pjesë e një brezi që nuk pret më që të ndodhin gjërat, por që i krijon ato. Një brezi që merr përgjegjësi për të ardhmen dhe i jep kuptim fjalës novator” u shpreh Gezka. 
    NomadTech synon të bëhet një pikë referimi për idetë që synojnë ndryshimin, duke vendosur në qendër filozofinë e re të përgjegjësisë korporative, ku inovacioni, ndikimi social dhe zhvillimi i qëndrueshëm bashkëjetojnë në një mision të vetëm. 

  • Partneritetet Strategjike për Turizmin në Qarkun e Korçës – Tryezë e Rrumbullakët

    Partneritetet Strategjike për Turizmin në Qarkun e Korçës – Tryezë e Rrumbullakët

    Helvetas dhe Partnerët Shqipëri në bashkëpunim me Këshillin e Qarkut Korçë organizuan një tryezë të rrumbullakët për të diskutuar mbi fuqizimin e partneriteteve strategjike në turizëm dhe krijimin e strukturave të qëndrueshme rajonale, siç janë Organizatat e Menaxhimit të Destinacionit (DMO). 

    Diskutimet u përqendruan veçanërisht te fuqizimi i sektorit privat, duke theksuar sfidat dhe mundësitë për rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërsektorial me aktorët lokalë, si dhe nevojën për forcimin e mekanizmave koordinues si DMO-të, që do të mbështesin zhvillimin e produkteve turistike, marketingun e përbashkët dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve. 
    Znj. Edlira Muedini, Menaxhere e Helvetas për Shqipërinë, theksoi rëndësinë e zhvillimit të një turizmi të qëndrueshëm dhe të shtrirë përgjatë gjithë vitit, i cili gjeneron përfitime konkrete për komunitetet vendore dhe rrit ndikimin që kanë bizneset lokale në zhvillimin ekonomik të rajonit. 
    Duke u ndalur në bashkëpunimin ndërsektoral, Z. Erjon Nexhipi, Kryetar i Këshillit të Qarkut Korçë, vendosi fokusin te sfidat në turizëm, duke theksuar se ato nuk lidhen vetëm me kapacitetin e akomodimit, por me nevojën për të diversifikuar ofertën dhe për të promovuar bashkëpunimin mes operatorëve si partnerë dhe jo si konkurrentë. Kjo qasje do të kontribuojë në rritjen e konkurrueshmërisë së ofertës turistike dhe krijimin e një qasjeje të koordinuar për zhvillimin rajonal dhe ndërtimin e një modeli turizmi të qëndrueshëm. 
    Kontribut të çmuar në diskutim dha znj. Suela Tahiraj, eksperte në fushën e turizmit të qëndrueshëm dhe menaxhimit të destinacioneve, e cila ndau praktika ndërkombëtare mbi rolin dhe funksionet e DMO-ve, qasjen e “Green Destinations”, si dhe rëndësinë e një qasjeje të balancuar mes mjedisit, kulturës dhe zhvillimit ekonomik në turizëm. 
    Gjithashtu, Znj. Kristina Fidhi, Drejtuese e Bordit të “Visit Gjirokastra”, ndau përvojat dhe mësimet e nxjerra nga partneriteti rajonal, duke ofruar shembuj konkretë të bashkëpunimit midis sektorëve publik-privat dhe kushtet e nevojshme për funksionimin e suksesshëm të një strukture DMO. 
    Kjo tryezë shënoi një hap konkret për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të qëndrueshëm mes institucioneve publike, sektorit privat dhe akademisë, në funksion të ndërmarrjes së hapave drejt një zhvillimi të qëndrueshëm të turizmit në Qarkun e Korçës. 
    Pjesëmarrës në event ishin rreth 40 përfaqësues nga sektorë të ndryshëm: përfaqësues nga bashkitë Korçë, Pustec, Kolonjë, Devoll dhe Pogradec; bizneset lokale si operatorë turistikë, struktura të akomodimit, agjenci udhëtimi, prodhues lokalë; si dhe përfaqësues të akademisë, përfaqësues të Departamentit të Marketingut dhe Turizmit të Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Korçës. 
    Për më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni: info@risialbania.al 

  • Cloud Fest: 11 ditë feste në zemër të Tiranës

    Cloud Fest: 11 ditë feste në zemër të Tiranës

    Kur arti bëhet urë lidhëse mes kulturave dhe qytetet kthehen në skena të hapura të krijimtarisë, lindin festivale që frymëzojnë, bashkojnë dhe transformojnë. Cloud Fest, ose ndryshe Festivali i Resë, për të nëntin vit me radhë mbledh artistë nga e gjithë bota në Tiranë. Si çdo vit, Cloud Fest premton përzierjen më të mirë multikulturore, ku ndërthuret arti bashkëkohor me tradicionalin. REJA dhe lulishtja përreth do të jenë hapësirat për teatër fizik, eksperienca audio-vizuale, koncerte, performanca, bashkëbisedime me artistë, kurse kërcimi dhe lojëra urbane. REJA – si një vepër arti dhe jo një hapësirë e mirëfilltë shfaqjesh – bën që ndërhyrjet artistike në të të krijojnë gjithmonë surpriza dhe eksperienca të reja, si për publikun ashtu edhe për artistët. 

    Cloud Fest: Ndërthur bashkëkohoren me modernen, shqiptaren me botëroren 
    Për 10 netë radhazi, do të udhëtojmë kulturalisht në vende shumë të afërta dhe po ashtu në shumë të largëta – nga Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit, në vende që kufizohen me Detin Kaspik dhe Malet e Kaukazit, Oqeanin Atlantik dhe Detin Mesdhe, Oqeanin Paqësor dhe Karaibet, Skandinavinë dhe Kanadanë. Mbi 100 artistë nga Azerbajxhani, Meksika, Maroku, Greqia, Turqia, Italia, Franca do të mblidhen në Tiranë për performanca të vallëzimit bashkëkohor, artit të performancës, muzikës, poezisë, bisedave, workshop-eve, prezantimeve, si dhe shfaqjeve festive me ansamble, orkestra, kore dhe DJ. 
    Tashmë një traditë për qytetin, ky festival nuk është thjesht një ngjarje kulturore, por një përvojë unike, e prekshme, që e shndërron Tiranën në një arenë ndërkombëtare të artit dhe dialogut kulturor. Nga data 21 deri më 31 maj 2025, instalacioni “Reja” do të shndërrohet në një epiqendër kulturore, një pikë takimi për të gjithë komunitetin e Tiranës dhe vizitorët e huaj, ku si kalimtarë të rastësishëm ashtu edhe ndjekës besnik do të mblidhen çdo natë për të gjetur jo vetëm argëtim, por edhe për të përjetuar përvoja kulturore – si ato me të cilat janë familjarë, si në rastin e muzikës tradicionale shqiptare, ashtu edhe për eksperienca të para me zhanre dhe kultura të tjera artistike, me të cilat, vit pas viti, njihen dhe kultivojnë shijen artistike. 
    Një pikëtakim nën Re 
    Viti 2025 shënon një moment historik për Tiranën, e cila së bashku me Aleksandrinë e Egjiptit do të mbajë titullin “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”. Në këtë kuadër, Cloud Fest do të shërbejë si një pikëtakim për artistë nga e gjithë zona e Mesdheut, por edhe përtej tij.Ky bashkim kulturor do të jetë një festë, por edhe një mundësi për të ndarë histori, tradita dhe energji krijuese. 
    Shënojeni datën 
    Cloud Fest nuk është thjesht një festival, por një përvojë që ju fton të zbuloni, të ndjeni dhe të përjetoni artin në forma të ndryshme. Një rrugëtim që le pas rutinën dhe ju fton të këndoni, kërceni, argëtoheni, e të njihni njerëz e kultura të reja. Në zemër të Tiranës, për 11 ditë, Cloud Fest do të jetë festa që sjell gëzim, energji dhe një frymë ndryshe në qytet.  
    Reja është vendi dhe Cloud Fest është festa ku duhet të jeni çdo mbrëmje, nga data 21 deri më 31 maj.