Category: Bimësia

  • Superfrutat e Freskëta të Qershorit – Cilat Janë dhe si t’i Zgjidhni

    Superfrutat e Freskëta të Qershorit – Cilat Janë dhe si t’i Zgjidhni

    Qershori është muaji i parë zyrtar i verës. Dhe zakonisht kur mendojmë për verën, mendja na shkon menjëherë tek ngjyrat, jo vetëm në garderobë, por edhe tek ngjyrat që servirim në pjatë.

    Më poshtë, do të gjeni cilat janë frutat që duhet të mbushin shportën tuaj në këtë muaj dhe disa këshilla nga AgroWeb.org për mirëmbajtjen dhe zgjedhjen e tyre.
    Pjepri
    Nëse ka një frut, që përfaqëson më së miri ëmbëlsinë e verës, ai është pjepri.
    Shija dhe ndjesia e freskisë dhe ëmbëlsisë e bën pjeprin frutin mbret të verës.
    Sipas të dhënave të AgroWeb.org, zona që ka prurjet më të të mëdha të pjeprit, si edhe shalqirit është Divjaka.
    Pjepri i vendit sjell raportin më të mirë mes cilësisë dhe vlerës në blerje.
    Si ta zgjidhni?
    Tek pjepri treguesi më i mirë është ngjyra. Pjesa e poshtme e frutit duhet të jetë në ngjyrë të artë dhe jo jeshile. Pjepri duhet të ketë një aromë shumë të mirë.
    Si ta ruani?
    Pjepri është jetëgjatë edhe pasi është vjelur, me kusht që të ruhet në temperaturën e ambjentit.
    Nëse ju pëlqejnë të ftohtë, mbajini në frigorifer gjatë natës, por nëse i mbani më gjatë do të fillojnë të zbuten dhe kalben.
    Këshilla shtesë. Pjepri është shumë i ëmbël, ndaj dhe mund ta kombinoni me përbërës të tjerë më të kripur për të balancuar shijen si me proshutë ose djathë.
    Pjeshkët, nektarinat
    Pjeshkët dhe nektarinat janë mbretëreshat e sezonit të verës. Ndryshimi i vetëm është se pjeshkët janë më të forta dhe me push dhe nektarinat janë me lëkurë më të lëmuar.
    Më të apasionuarit e këtyre frutave mund të argumentojnë se shija e pjeshkës është shumë më e fortë, ndërsa ajo e nektarinave, kajsive ka nuanca të shijes së agrumeve.
    Vendin e parë në vend për prodhimin e pjeshkëve dhe kajsive e mban qyteti i Elbasanit.
    Si t’i zgjidhni?
    Mënyra më e mirë për të zgjedhur pjeshkët dhe kajsitë më të mirë qëndron tek ngjyra e tyre.
    Sa më portokalli të jenë, aq më të ëmbla dhe të mira janë. Por mbi të gjitha, këshilla e AgroWeb.org është se asaj që duhet t’i besoni më shumë është nuhatja.
    Pjeshkët dhe nektarinat më të mira kanë një aromë të parezistueshme.
    Si t’i ruani?
    Pjeshkët dhe kajsitë ideale vazhdojnë të piqen edhe pasi janë vjelur, kështu që mos u shqetësoni shumë nëse fruti në fillim është pak i fortë.
    Por mos i fusni në frigorifer para se të jenë zbutur dhe të kenë marrë më shumë aromë.
    Këshilla shtesë: Për një komposto apo reçel më të mirë, duhet t’ia hiqni lëkurën pjeshkëve, ndërkohë që me kajsitë nuk është e nevojshme.
    Qershitë
    Qershori është padiskutim muaji i qershive. Edhe pse tashmë kanë dalë në treg, piku i pjekjes së tyre arrin pikërisht në këtë muaj me qershitë e Beratit, Peshkopisë dhe të Korçës.
    Fundi i muajit shënon dhe ardhjen në treg të vishnjeve, që dallohen për ngjyrën e errët dhe shijen pak më të athët.
    Si t’i zgjidhni qershitë?
    Shikoni për qershi me lëkurë të lëmuar dhe me shkëlqim. Sa më e errët të jetë ngjyra e kuqe, aq më e mirë është qershia, pasi tregon se ajo është plotësisht e pjekur.
    Me qershitë e bardha shihni të jenë sa më transparente dhe me ngjyrë të artë.
    Gjithashtu kontrolloni dhe bishtat; ato duhet të jenë jeshile dhe me fleksibilitet, ndërkohë që në momentin që ruhen, marrin një ngjyrë si vishnje në të kafenjtë.
    Si t’i ruajmë qershitë?
    Futini në frigorifer të izoluara mirë. Ato mund të rrojnë deri në disa javë në këtë mënyrë, ose të paktën në teori, pasi ka shumë gjasa që t’i keni ngrënë deri në atë kohë./AgroWeb.org

  • Cloud Fest po vjen tek REJA – Zbulo programin e edicionit të 9-të

    Cloud Fest po vjen tek REJA – Zbulo programin e edicionit të 9-të

    Cloud Festival, ose siç njihet ndryshe Festivali i Resë, është tashmë një traditë – një festival unik në zemër të Tiranës, i cili ndërthur “traditën me bashkëkohoren” si asnjë event tjetër që prej edicionit të tij të parë, në vitin 2017. Edicioni i 9-të, si të mëparshmit, vjen për 11 netë radhazi, nga data 21 maj deri më 31 maj, me një program të pasur, shumëngjyrësh dhe ndërkulturor. Ku hapësira brenda dhe përreth instalacionit REJA transformohet në një auditor artistik – një eksperiencë kulturore pa pagesë, për publikun e gjerë vendas dhe vizitorët e huaj të të gjitha grupmoshave.  Mbi 100 artistë kombëtarë dhe ndërkombëtarë do të bashkohen për të krijuar një përvojë të paharrueshme për publikun. 
    Çfarë na pret këtë vit? 

    Festivali nis më 21 maj me performancën e dancit bashkëkohor “Njëmijë diej” nga Oktawia Ścibior & Samory Ba (Francë), pasuar nga tingujt e muzikës tradicionale azerbajxhanase – Mugham, që vjen për herë të parë në Tiranë, e sjellë nga ansambli i mirënjohur Mansum Ibrahimov dhe Ensemble Garabagh. 
    Gjatë ditëve në vijim, programi eksploron gjithçka: nga muzika më e mirë tradicionale shqiptare – nga veriu në jug, përfshirë ahengun shkodran, polifoninë labe, muzikën krutane me Pleqtë e Krujës – e deri tek etno-jazz-i, psychedelic blues dhe rebetiko, tradita e muzikës greke. Gjithçka e ndërthurur me kërcime bashkëkohore, workshop-e, performanca vizuale dhe picture. Artistë nga Azerbajxhani, Kanadaja, Franca, Maqedonia, Gjermania, Suedia, Italia, Austria, Meksika dhe Greqia do të sjellin një copëz nga krijimtaria e tyre në hapësirat e Reja. 
    Pikat kulmore për të mos u humbur: 

    22 maj: “Aheng Gjakovar” me Katerina grupet muzikore ‘Hadi Bajrami’, ‘Edi Furra dhe Lirikët’ dhe ‘Rilindja’ 

    24 maj: Workshop flamenco dhe një koncert me motive mesdhetare nga Shamba-Sol-Buco 

    26 maj: Një natë klasike-pop nga Kori i Resë me “I Have a Dream, A Song to Sing” – një tribut nga Beethoven të ABBA 

    28 maj: Eksplorim muzikor nordik me Fågelle dhe “Psychedelic World Blues” nga POLA! 

    30 maj: Një mbrëmje e veҫantë me muzikë greke me të ftuar speciale këngëtaren Katerina Tsiridou 

    31 maj: Mbyllja madhështore me energjinë e Mariachi Romatitlán nga Meksika dhe performanca eksperimentale “Around the Table” nga Peter Miyalu 

    Përfshirje, diversitet dhe kreativitet 
    Cloud Fest ka për mision edukimin dhe shkëmbimin e eksperiencës, duke përfshirë publikun në proceset krijuese dhe duke i dhënë mundësi për argëtim e aktivitete edukative. Nga workshop-i i patinazhit mbi skenë te pikturat me mesazhe ndërvepruese për publikun.  
    Një nga ngjarjet më përfshirëse të këtij viti është “Cloud’s Rainbow – Pre Parade” më 24 maj, një aktivitet i dedikuar komunitetit LGBTQ+ dhe kulturës së diversitetit. 
    Cloud Fest është më shumë se një festival – është një manifestim i jetës urbane, një festë e përbashkët ku arti dhe njerëzit bashkohen për të frymëzuar njëri-tjetrin dhe për të festuar kulturat dhe zhanret e ndryshme artistike. 
    Si çdo vit: Hyrja falas! 
    REJA është vendi dhe Cloud Fest është festa ku duhet të jeni çdo mbrëmje, nga data 21 deri më 31 maj. 

  • Si të Ushqeni Bimët Tuaja me Lëvozhgat e Vezës?

    Si të Ushqeni Bimët Tuaja me Lëvozhgat e Vezës?

    Shpesh lëvozhgët e vezëve i hedhim në plehra pa ditur se si ato mund të na shërbejnë më tej.

    Duhet të dini se ato përmbajnë shumë kalcium, i cili është shumë i rëndësishëm për shëndetin e kocave tona.

    Ju mund t’i konsumoni lëvozhgat për të përmirësuar shëndetin tuaj, por mbani mend se ato duhet të pastrohen mirë para konsumit.

    Lëvozhgët nuk ushqejnë vetëm trupin tonë, ato mund të përdoren fare mirë edhe si ushqyes për bimët tuaja. Mjafton t’i copëtoni dhe t’i vendosni sipër plëhur,.

    Përdorimet e tyre janë të gjera, por AgroWeb.org në këtë artikull ju njeh me një tjetër përdorim i cili është mjaft efektiv, për ata që gatuajnë.

    Përdorini lëvozhgët e vezëve për të mprehur thikat e mikserit tuaj.

    Sigurisht që ju mund t’i përdorni lëvozhgët e vezëve për të mprehur brisqet e mikserit.

    Prandaj është e rëndësishme që t’i ruani lëvozhgët e mbetura në frigorifer. Në këtë mënyrë, nuk ju duhet t’i lani dhe asnjë material organik mbi to nuk do të kalbet.

    Në momentin që mendoni se thikët e mikseri tuaj kanë nevojë për tu mprehur, nxirrni lëvozhët e ruajtura dhe përdorini si më poshtë.

    Vendosini në mikser dhe shtoni ujë derisa ato të mbulohen plotësisht. Filloni përpunimin e tyre derisa lëvozhgët të jenë kthyer në pluhur.

    Pasi të përfundoni këtë proces, kini kujdes që ujin të mos e hidhni më pas në lavaman, sepse mund të bllokojnë tubat.

    Hidhini në koshin e plehrave ose më mirë akoma kullojini në plehun e bimëve. Sepse siç u përmend edhe më lart kjo do t’i ushqejë më së miri bimët tuaja.

    Në fund, pastroni mirë mikserin dhe provoni efikasitetin e kësaj metode.

    Kjo është një mënyrë shumë e thjeshtë, e cila nuk kushton. Dhe sigurisht, ju mund ta përsërisni sa herë të jetë e nevojshme të mprihni thikët e mikserit tuaj./AgroWeb.org

  • Perimet dhe Frutat që Nuk e Durojnë Dot Njëra Tjetrën

    Perimet dhe Frutat që Nuk e Durojnë Dot Njëra Tjetrën

    Fqinjësia e mirë është e rëndësishme jo vetëm për njeriun por edhe për bimët dhe specie të tjera.

    Në kopshtari e dimë që ka bimë që rriten mirë në shoqërinë e njëra tjetrës.
    I tillë është rasti i fenomenit të ashtuquajtur ‘Tre Motrat’ ose kungullit të verdhë, misrit dhe fasuleve që rriten së bashku në mënyrë perfekte.
    Misri shërben si një trinë për fasulet dhe fasulet janë bujare në ushqyerjen e tokës ndërkohë që gjethnaja e kungullit mban larg barin e keq dhe ruan lagështinë e tokës.
    Megjithatë ky është një shembull i vetëm sepse shumë bimë janë armike të përbetuara të njëra tjetrës.
    Më poshtë do të gjeni shtatë kombinimet bimore që thjesht nuk funksionojnë.
    Qepët e njoma dhe bizelet
    Ekspertët e AgroWeb.org shpjegojnë se anëtarët e të njëjtës familje botanike të qepës – përfshirë këtu, hudhrën dhe qepujkat- me bizelet.
    Qepët kanë aftësinë të pengojnë rritjen e bizeleve.
    Patatet dhe domatet
    Ekspertët thonë se duhet të prisni telashe nëse mbillni domatet bashkë me patatet.
    Kur mbillen së bashku sëmundjet botanike përhapen më shpejt.
    Specat dhe fasulet
    Ekspertët e AgroWeb.org thonë se specat dhe fasulet infektohen më shpejt nëse mbillen krah njëra tjetrës.
    Karrotat dhe kopra
    Janë armike të përbetuara sipas ekspertëve por studimet shkencore mbi arsyet përse kjo armiqësi është kaq e ashpër vazhdojnë akoma.
    Lakra dhe rrushi
    Legjendë urbane ose një e vërtetë, rrushi me lakrën e urrejnë njëra tjetrën.
    Besohet se nëse lakra mbillet pranë vreshtave me rrush, vera e bërë në shtëpi do të ketë shije të keqe.
    Kjo bestytni ekziston që 2000 vite më parë.
    Domatet dhe arrat
    Arrorët njihen si fqinj të këqinj. Pemët emetojnë një lëndë kimike dhe toksike që shkatërron bimët e mbjella përreth siç mund të jenë domatet.
    Sallata jeshile dhe brokoli
    Studimet kanë treguar se sallata jeshile është shumë e ndjeshme ndaj lëndëve kimike që lëshojnë brokolit.
    Kopshtaria është art më vete, por nëse nuk i zbaton teknikat dhe udhërrëfyesit e saktë, mund të kthehet në makth./AgroWeb.org

  • Lule Sarande në Vazo – Hijeshi, Ngjyra, Aromë në Mjediset Tuaja

    Lule Sarande në Vazo – Hijeshi, Ngjyra, Aromë në Mjediset Tuaja

    Bukenvile apo Lulja e Sarandës është një bimë kacavjerrëse e cila shpërthen në lule të vogla plot ngjyra dhe aromë.

    Ajo gjendet në shumë variacione,  por më karakteristikja është ngjyra rozë e ndezur.
    Në qytetin e Sarandës kjo bimë zbukuron ballkonet dhe kopshtet e pothuaj të gjitha shtëpive, duke u kthyer në lulen karakteristike të këtij vendi.
    Nëse doni ta keni bukenvilen në shtëpinë tuaj, mjaftojnë vetëm disa hapa për ta mbjellë.
    AgroWeb.org ju këshillon se fidanët e Lule Sarandës i gjeni në pikat e tregtimit me shumicë të luleve dekorative por mund t’i porosisni edhe në pikat e tregtimit të luleve.
    Vendosni ku doni ta mbillni
    Lulja e Sarandës, lulëzon në vende të ngrohta dhe të thata.
    Në qytete ku klima është më e favorshme kjo bimë mund të mbillet dhe jashtë, por në vende me temperatura të ulëta është mirë që të mbillet në vazo. Kështu mund ta fusni brenda gjatë muajve të dimrit.
    Bukenvilet rriten në vende ku temperaturat gjatë natës nuk bien poshtë 16 gradëve, dhe temperaturat maksimale nuk  kalojnë 39 gradë.
    Gjeni një vend me diell
    Lulja e Sarandës është një bimë që kërkon rrezet e diellit në mënyrë që të rritet sa më mirë.
    Mundohuni që vazoja të jetë në një pozicion ku e kapin rrezet e diellit, pasi asaj i nevojiten të paktën 6 orë ekspozim në diell që të lulëzojë.
    AgroWeb.org ju udhëzon që të zgjidhni pleh me minerale dhe të thatë.
    Bukenvilet nuk rriten nëse dheu në të cilin mbillen ka shumë lagështirë, prandaj sigurohuni që plehu që do të përdorni të jetë i thatë.
    Nëse doni, në fund të vazos hidhni disa guralecë të vegjël, që uji të qarkullojë më shpejtë.
    Si ta mbillni
    Merrni një vazo të madhe, lulja e Sarandës ka nevojë për një bazament të qëndrueshëm.
    Në fillim vendosni disa guralecë, më pas shtëpi plehun e thatë.
    Në mes të vazos gërmoni një gropë sa të mbulohen rrënjët e fidanit plotësisht.
    Shtoni dhe pak pleh, dhe shtypeni ngadalë zonën rreth kërcellit të lules.
    Ujiteni me masë
    Bukenvilet dobësohen nëse kanë shumë ujë, dhe nuk arrijnë të çelin lulet, por qëndrojnë të gjelbërta gjatë gjithë vitit.
    Nga ana tjetër nuk duhet të lejoni dhe që dheu i vazos të thahet plotësisht.
    Gjeni një të mesme të artë, ujiteni aq sa të shikoni që plehu është i njomë mjaftueshëm.
    Krasitni që të lulëzojë
    Lulja e Sarandës ka nevojë për krasitje, në mënyrë që të forcohet dhe që të marri një formë të mirë.
    AgroWeb.org ju këshillon që ta krasisni pasi bima të ketë rrëzuar lulet.
    Mund të prisni disa centimetra degët e saj, në mënyrë që në pranverë të jetë akoma dhe më e fortë.
    Lule që kacavirren
    Duke qenë se bukenvilet janë bimë që kacavirren, do të vini re që ajo do të filloj të kërkojë një mbështetje.
    AgroWeb.org ju sugjeron që vazon ta vendosni në një vend që të ketë mjaftueshëm hapësirë dhe ku degët e saj të arrijnë të gjejnë një mbështetje./AgroWeb.org

  • Kajota – Vlerat e Rralla të Perimes Dardhë

    Kajota – Vlerat e Rralla të Perimes Dardhë

    A keni vënë re në tregjet shqiptare një perime të re që ngjan si një dardhë por ka shijen e kungullit?

    Kjo perime mban emrin Kajota, por ndryshe njihet edhe si perimja dardhë. Në treg e gjeni me emra si Patate Deti apo Kungull me Gjemba. Kjo perime është pjesë e familjes botanike që përfshin edhe trangullin dhe kungujt.
    Bima e kësaj perimeje kërkon një tokë të lagësht por me një sistem kullimi të mirë dhe një mot të ngrohtë.
    Në habitatin e tyre natyral, kjo bimë hardhi arrin edhe të kapërcejë pemët e larta dhe të rritet krah tyre.
    Nëpër ferma, rritja e bimës së Kajotës është më e kontrolluar. Hardhitë e kajotës çelin lule të bardha të vogla që pllenohen nga bletët.
    Perimet dardhë piqen dhe janë gati për t’u mbledhur 30 ditë pas pllenimit. Çdo bimë mund të prodhojë deri në 150 kokrra në një stinë.
    Kokrrat e kajotës kanë një ngjyrë të gjelbër të çelët ose të verdhë. Në disa raste, lëkura e tyre është e lëmuar dhe në disa raste me gjemba.
    Tuli i Kajotës është i bardhë dhe përmban një bërthamë të bardhë në formë vezore. Shija e kajotës është relativisht e ëmbël, madje mund të krahasohet me kungullin.
    Vlerat shëndetësore të Kajotës

    – Ashtu si edhe kungulli, Kajota është një nga perimet që përmbajnë pak kalori: 16 kalori në 100 gramë. Kjo perime nuk përmban yndyrna të ngopura apo kolesterol. Megjithatë ajo është e pasur me fibër dietike, minerale dhe vitamina.
    Duke qenë se është një perime me pak kalori dhe e pasur me fibër, rekomandohet shpesh për ata që duan të ulin nivelin e kolesterolit dhe të mbajnë peshën nën kontroll.
    – Kajota është një burim i pasur i kompleksit të vitaminës B, dhe folatit. Në 100 gramë të kësaj perime gjeni 23% të dozës së rekomanduar ditore të vitaminave. Ndikimi dhe roli i folatit para dhe gjatë shtatzanisë është i jashtëzakonshëm.
    – Dardhat Kajote janë një burim i mirë i vitaminës C dhe i kompleksit të vitaminës B si thiamina, riboflavina, dhe minerale si hekuri, mangani, fosfori, zinku dhe bakri.
    Përzgjedhja e kajotës dhe ruajtja
    Zgjidhni gjithmonë kokrrat e një madhësie mesatare, me ngjyrë të freskët si ajo e mollës jeshile dhe të forta.
    Kokrrat me një përmasë të madhe kanë lëkurë dhe tul më të fortë që nuk shijon shumë.
    Shmangni furnizimet me kokrra të vjetra dhe kini kujdes për lëkurën e kajotës që ajo mos të jetë e nxirë, e gërvishtur, e çarë.
    Në shtëpi, ruajini në një qese letre në frigorifer për deri në 3 javë. Kokrrat e mëdha dhe ato të vjetra prishen shpejt, ndaj nuk duhet t’i konsumoni me vonesë.
    Përgatitja dhe servirja
    Kajotat mund të përdoren në sallata të ndryshme siç është ajo e lakrës.
    Lajeni kajotën mirë me ujë të bollshëm. Fërkojeni nëse lëkura është shumë e ndotur. Prisni bishtin dhe fundin e saj.
    Nëse keni kokrra të freksëta dhe të vogla nuk duhet hequr lëkura, por kokrrat e mëdha duhen qëruar.
    Në momentin e qërimit, kokrrat e mëdha lëshojnë një lëng që mund të shkaktojë irritimin e lëkurës. Mbani doreza dhe përdorni ujë të rrjedhshëm.
    Priteni dardhën në copa dhe shtojeni në sallatat që kombinohen me lakër, panxhar, pastinak, fruta deti, kërpudha, qepë, misër, djathë dhe fruta./AgroWeb.org 

  • Bima e Pafundësisë Në Shtëpinë Tënde – Aloe Vera

    Bima e Pafundësisë Në Shtëpinë Tënde – Aloe Vera

    Për Egjiptianët ajo ishte bima e përjetësisë, ndërsa për gjithë të tjerët është bima e parajsës. Ka shumë arsye përse Aloe Vera konsiderohet një bimë me vlera të pamohueshme shëndetësore. Shumë prej lexuesve tanë e mbjellin Aloe Verën në shtëpitë e tyre për t’u përballur me të papritura si gërvishtjet, prerjet dhe djegiet. Por ka përfitime të tjera që vijnë nga konsumimi i Aloe Verës.

    Kjo bimë ka 200 përbërës biologjikë natyralë që përfshijnë polisakaride, vitamina, enzima, amino acide dhe minerale. Sipas shkencëtarëve, Aloe Vera ka përbërës anti bakterialë, anti-viralë dhe kundër mykut që ndihmojnë sistemin imunitar të pastrojë trupin nga toksinat dhe substancat e dëmshme.
    E megjithatë vetitë e lëngut dhe tulit apo siç quhet xhelit të Aloe Verës nuk mbarojnë këtu. Aloe Vera ka plot minerale përfshirë kalciumin, magnezin, zinkun, kromin, seleniumin, hekurin, kaliumin, bakrin dhe manganin. Këto minerale bashkëpunojnë më së miri për të fuqizuar metabolizmin.
    Aloe Vera ka në përmbajtjen e vet enzima të rëndësishme që ndihmojnë me tretjen duke zbërthyer molekulat e yndyrës dhe sheqerit, por edhe reduktuar inflamacionet e ndryshme. Sipas studimeve, Aloe Vera përmban vitaminën B12 që është e nevojshme për prodhimin e rruazave të kuqe.
    Aloe Vera është një burim i pasur i vitaminave A, C, E, B1, B2, B3, B6 dhe acidit folik. Aloe Vera përmban 20 nga 22 amino-acidet thelbësore, për të cilat ka nevojë trupi dhe që shërbejnë për të luftuar bakteret dhe viruset.
    Aloe Vera largon toksinat nga stomaku, veshkat, shpretka, fshikëza, mëlçia dhe zorra e trashë. Ajo ndihmon me tretjen, ulcerën dhe inflamacionin në stomak. Aloe Vera fuqizon sistemin tretës dhe ndihmon me problemet e kockave.
    Si mund të konsumohet Aloe Vera? Aloe Vera mund të përgatitet në mënyra të shumta. Ekspertët thonë që preferencat e njerëzve variojnë duke qenë se shija e saj është e hidhur. Aloe Vera qërohet, shtypet me një lugë ose pirun dhe hahet.
    Megjithatë ekzistojnë metoda të tjera që synojnë të minimizojnë shijen e hidhur të bimës. Disa e vendosin atë në ujë dhe më pas e pijnë ujin të nesërmen. Disa të tjerë e shtrydhin së bashku me lëngun e portokallit apo të qitros. Ka të tjerë që përziejnë mjaltin me ekstraktin e Aloe Verës. Ekspertët sugjerojnë që mos të përdoret lëkura e bimës sepse nuk ka vlera shëndetësore dhe mbit të gjitha sjell probleme në tretje.
    Të gjitha vlerat e mësipërme të Aloe Verës duhet t’ju frymëzojnë që të mësoni të rrisni këtë bimë në shtëpinë tuaj. Bima ka nevojë për pak përkujdesje, pak ujë dhe lulëzon vetë.
    Çfarë të nevojitet: – Një vazo prej balte – Dhe’ për të mbushur gjysmën e vazos dhe pleh për gjysmën tjetër – Zhavorr për t’u vendosur në fund të vazos që të qëndrojë e thatë – Një pjesë bime aloe vera që dëshiron të mbjellësh.
    Si rritet bima e Aloe Verës? Vendose zhavorrin në fund të vazos dhe mbushe gjysmën e vazos me dhe’ normal dhe gjysmën tjetër me pleh. Mos përdor kurrë rërë sepse kripa e tepërt nuk i bën mirë bimës. Vendose copëzën e aloe verës që ke zgjedhur në zemër të vazos dhe mbuloje me dhe’ deri në fillim të gjetheve.
    Aloe Vera normalisht lëshon rrënjë të forta që e mbajnë në një vend. Kur e vendos në vazo, është mirë të mos e ujisësh për dy javë. Rrënjët do të rriten gjatë gjithë kësaj kohe. Pas dy javësh mund t’i japësh bimës nga pak ujë. Aloe Vera ka nevojë për diell dhe dritë. Ndaj është mirë të vendosni vazon në një vend të ndriçuar mirë.
    Bima nuk ka nevojë për shumë ujë. Duhet ta ujisësh çdo dy javë dhe do ta shohësh sa mirë do të rritet. Bima rritet shpejt. Me kalimin e kohës do të vësh re çeljen e bimëve më të vogla përreth. Sapo të arrijnë gjatësinë e katër gishtave (gjysma e një pëllëmbe) mund t’i shkulësh dhe t’i mbjellësh në vazo të reja për akoma më shumë bimë të reja./AgroWeb.org

  • Pjeprat e Parë në Treg – Të Ëmbël me Vlera të Arta

    Pjeprat e Parë në Treg – Të Ëmbël me Vlera të Arta

    Është një nga frutat shqiptare më të kërkuara nga tregjet e huaja.

    Përveç perimeve, pjepri dhe shalqini konkurrojnë fort me mandarinën për vendin e parë të eksporteve të produkteve të freskëta të tokës shqiptare.
    Me ëmbëlsinë e vet karakteristike, pjepri shqiptar duket sikur përmbledh të gjithë nxehtësinë mesdhetare të vendit dhe të magjeps shijen.
    Por vetëm shqiptarët e duan të ëmbël dhe të pjekur mirë.
    Ndërsa evropianët e preferojnë të papjekur plotësisht fiks para se tuli i artë të marrë ëmbëlsinë maksimale.
    Dhe meqë eksportet mbretërojnë tregun, edhe pjeprat shqiptarë kanë nisur të mblidhen dhe të dalin në treg edhe pse për gustot e shqiptarëve ëmbëlsia e tanishme është shumë larg shijes së pjeprit të korrikut.
    Çmimi? Ende i lartë, kilogrami i pjeprit vendas në treg kushton nga 200-250 lekë, shumë larg vlerave të pjeprit në kulmin e sezonit alla shqiptar, pasi për tregjet evropiane piku i sezonit ka filluar që tani.
    Në kulmin e sezonit veror, pjepri kap çmime jo më pak se 10 herë më lirë se çmimi aktual.
    Përllogaritet që në vendin tonë mund të kultivohen mbi 1600 hektarë me pjepër sidomos në zonën e Ulët dhe Bregdetare të Shqipërisë, ku ligjin e bëjnë sipërfaqet e Lushnjës dhe Divjakës.
    Eksportet në Tregun Evropian
    Shqipëria ofron kushte shumë të përshtatshme për kultivimin e tij në fushë dhe në mjedise të mbrojtura, çka e rrit kërkesën e tij në tregun evropian.
    “Eshtë e vërtetë që në tregun evropian kërkohet pjepri i hershëm. Eshtë çështje preferencash dhe shijesh”, thonë për AgroWeb.org, eksportuesit shqiptarë që nxisin fermerët të konsiderojnë që të kenë një prodhim më të hershëm të pjeprit, për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut.
    “Tregu dikton në një farë mënyre prodhimin tonë. Nëse moti është i mirë dhe i ngrohtë, ne e kemi pjeprin gati për ta nxjerrë në treg që në fillim të sezonit.
    Duke qenë se ne e kemi pjepër fushe, ndikohemi shumë nga moti”, thotë për AgroWeb.org, Lumi Kruti, një kultivues i kësaj kulture.
    Vlerat për organizmin
    Pjepri është shumë i pasur me kalium, një mineral thelbësor për sistemin nervor që u jep nervave forcë për të përcjellë sinjalet e nevojshme që mbajnë në formë trurin.
    Për më tepër, kaliumi jep një kontribut fantastik për indet dhe kockat, lufton spazmat e muskujve dhe ul tensionin e gjakut.
    Pjepri përmban edhe një sasi të madhe beta karoten, që i jep frutit ngjyrën karakteristike.
    Qelizat e transformojnë beta karotenin në një formë aktive të vitaminës A e cila punon fort për t’i kthyer lëkurës shkëlqimin e munguar, mbështet sistemin imunitar dhe forcon mbarëvajtjen e qelizave.
    Vlerat mbeten njëlloj, ndërsa prodhimi varion nga viti në vit, sipas kërkesave të tregut.
    Por ajo që është e sigurtë është se si vendet e Bashkimit Evropian ashtu dhe ato të Ballkanit e kërkojnë pjeprin tonë pak të papjekur, por të ëmbël në fitime për kultivuesit shqiptarë./AgroWeb.org

  • Vlerat Unike të Petaleve të Trëndafilit

    Vlerat Unike të Petaleve të Trëndafilit

    Trëndafilat janë sinonim i bukurisë dhe dashurisë e si të tilla është logjike që ato ofrojnë vlera dhe përfitime fantastike për njeriun. Në fakt, është e vërtetë se kjo lule ikonë bën mrekulli për lëkurën.

    Një nga përdorimet më të hershme të trëndafilit është regjistruar në qytetërimet e Romës së lashtë, ku njerëzit asokohe bënin banjë me petale trëndafili. Ata e vlerësonin shumë këtë lule të bukur, madje me të dekoronin sallat e banketeve.
    Uji i trëndafilit është përdorur në kozmetikë, mjekësi dhe në trajtimet terapeutike për shekuj me rradhë. Vaji esencial i trëndafilit ka vlera të forta kundër baktereve, mykut dhe virozave, gjë që e bën atë ideal për trajtimin e një sërë problemesh në lëkurë si nxirjet, të djegurat e të tjerë.
    Për më tepër, ky vaj është përdorur për të shëruar fytin, kollën dhe ulur temperaturën. Uji i trëndafilit është shumë popullor në aspektin shëndetësor dhe kozmetik.
    Industria e kozmetikës në ditët e sotme e përdor gjërësisht ujin e trëndafilit dhe vajin esencial dhe jo thjesht për t’i dhënë aromë të mirë produkteve. Kjo lule aromatike është bujare sepse rinon dhe ushqen lëkurën duke e bërë atë të butë si mëndafsh.
    AgroWeb ju sjell vlerat fantastike të trëndafilit
    1. Kundër baktereve: Vaji esencial i trëndafilit lufton bakteret në mënyrë natyrale. Ai ndihmon për të trajtuar aknet dhe lëkurën që ka tendencën për të patur akne. Për më tepër, ky vaj është një përbërës ideal për larësit dhe pastruesit e fytyrës.
    2. Kundër inflamacionit: Mos e përçmoni ngjyrën e kuqe të thellë të trëndafilit. Vaji i kësaj luleje me ngjyrë të bukur ndihmon për të trajtuar shenjat dhe ngjyrimet e pakëndshme të lëkurës. Vaji ka efekt qetësues dhe ndihmon kundër acarimeve apo problemeve si ato të ekzemës.
    Ju mund të përgatisni një maskë fytyre me efekt qetësues duke përdorur petalet e trëndafilit. Merrni tetë petale dhe zhytini në 3 ose 4 lugë gjelle me ujë. Pas 2 ose 3 orësh, shtypini petalet në ujë, shtoni 3 lugë gjelle me mjaltë. Përzijeni mirë dhe lyeni fytyrën me këtë masë fantastike. Mbajeni maskën për 15-30 minuta dhe më pas shpërlajeni me ujë të ftohtë.
    3. E pasur me antioksidantë: Trëndafili përmban sasi të mëdha të vitaminës C që në vetvete është një antioksidant i fuqishëm. Kjo vitaminë e rëndësishme ju ndihmon të kuroni dëmet e shkaktuara tek qelizat e lëkurës, si për shembull nga ekspozimi për një kohë të gjatë në diell.
    Merrni dy grushta me petale petale dhe zhytini në 100 ml me ujë. Pas 2 ose 3 orësh, shtypini petalet në ujë, filtrojeni dhe e keni gati për përdorim. Disa studime kanë treguar që uji i trëndafilit ndihmon në parandalimin e djegies nga dielli.
    4. Zbut dhe ushqen lëkurën: Vajrat natyrale që gjenden tek trëndafili ndihmojnë lëkurën që të jetë e ushqyer dhe e zbutur, rrjedhimisht e butë. Trëndafili është plot vlera për ata që kanë një lëkurë të ndjeshme, sepse sheqernat tek petalet krijojnë një ndjesi të këndshme qetësimi tek lëkura.
    5. Aromë natyrale: Shumë produkte organike bukurie e përdorin trëndafilin për aromën e tij delikate në vend të fragrancave të tjera artificiale që mund të gjenden në treg.
    6. Efekt qetësues: Nëse e përdorni trëndafilin për aromën e tij, duhet të dini që kjo lule ka efekt qetësues dhe zbutës për trurin. Petalet e trëndafilit janë përdorur kryesisht në mjekësinë popullore për të detoksifikuar dhe qetësuar gjithë organizmin.
    Kjo karakteristikë e trëndafilit i bashkangjitet vlerave të shtuara në favor të bukurisë, ndaj mos hezitoni të përdorni kremëra me aromë trëndafili për një eksperiencë të kënaqshme.
    7. Tonifikues: Trëndafili ka aftësi natyrale për të ngushtuar poret dhe rikthyer shkëlqimin natyral të lëkurës. Qëndroni larg tonikëve me bazë alkoli për lëkurën tuaj. Trëndafili nuk e përthan atë, përkundrazi e trajton me shumë delikatesë./AgroWeb.org

  • Shumë Ujë Pak Kalori: 9 Ushqimet më të Mira të Verës

    Shumë Ujë Pak Kalori: 9 Ushqimet më të Mira të Verës

    Balanca mes hidratimit dhe djegies së kalorive është mëse e nevojshme të ruhet rregullisht, sidomos në stinën e verës.

    Këto ushqime të shëndetshme të listuara nga AgroWeb.org, të cilat jo vetëm hidratojnë, por edhe përmirësojnë energjinë, përqendrimin dhe shëndetin e përgjithshëm e mbi të gjitha kanë pak kalori.
    Kastraveci
    Kastraveci është një ndër ushqimet më hidratuese në botë.
    95 përqind e përmbajtjes së tij përbëhet nga uji dhe një pjesë e mirë e vitaminës K.
    Për më tepër ai ka pak kalori dhe nuk ju shëndosh.
    Selinoja
    95 përqind e selinosë përbëhet nga uji dhe për fat të mirë është një ushqim me pak kalori.
    Selinoja është një ushqim freskues dhe shumë hidratues dhe me pak kalori.
    Specat
    Sipas të dhënave të AgroWeb.org, specat janë të pasur me antioksidantë dhe vitaminë C.
    Për më tepër, 92 përqind e tyre përbëhet nga uji.
    Për pasojë, speci ju ndihmon të humbisni në peshë.
    Pjepri
    Pjepri përbëhet nga 90 përqind ujë dhe është një nga ushqimet që hidratojnë më shumë dhe me pak kalori
    Pjepri është i pasur me vitaminë A,C shumë nga vitaminat e kompleksit B.
    Qitro
    Qitro është një frut me shumë vlera të mira shëndetësore dhe ka aftësinë të shuajë oreksin, duke përshpejtuar metabolizmin nga ana tjetër
    Qitro përmban 90 përqind ujë, njësoj si pjepri.
    Spinaqi
    Spinaqi është një ushqim që i bën shumë mirë organizmit dhe hidratimi është një nga vlerat më të mira të tij.
    Spinaqi përmban 91 përqind ujë ndaj është një nga barishtet më të shëndetshme që mund të konsumoni.
    Domatja
    Spinaqi i lartpërmendur kombinohet mjaft mirë me domaten.
    Ajo është një nga ushqimet më hidratuese me një përmbajtje ujore prej 94 përqind.
    Për më tepër, domatja përmban edhe sasi domethënëse të biotinës, vitaminave C dhe K.
    Rrepkat
    Rrepkat e kuqe krokante dhe pak të athëta përmbajnë shumë ushqyes të rëndësishëm dhe 95 përqind e tyre përbëhet nga uji, sipas informacioneve të AgroWeb.org.
    Shalqini
    Shalqini është fruti ynë më i preferuar i verës.
    91 përqind e strukturës së tij përbëhet nga uji.
    Ky frut kaq i shijshëm dhe i lëngshëm përmban edhe doza të shëndetshme të vitaminës A, B6 dhe shumë antioksidantë./AgroWeb.org