Carlo Ancelotti nuk do të marrë drejtimin e përfaqësueses së Brazilit, duke i dhënë fund për momentin spekulimeve të vazhdueshme që e paraqisnin emërimin e tij si të pashmangshëm. Federata Braziliane e Futbollit ka mbetur pa trajnerin që kishte synuar prej kohësh, pasi negociatat me strategun italian janë ndërprerë zyrtarisht.
Ancelotti ka komunikuar personalisht me presidentin e Federatës për ta falënderuar për interesin, por njëkohësisht për të refuzuar ofertën. Kjo vjen pas një serie të gjatë pritjesh, vonesash dhe spekulimesh që nuk u kurorëzuan kurrë në një marrëveshje konkrete.
Klubi spanjoll nuk dëshiron të mbetet pa trajner në një periudhë të rëndësishme si Kupa e Botës për Klube. Ancelotti është i gatshëm të largohet vetëm në gusht, ndërsa Federata Braziliane kishte besuar se ai do të ishte i lirë që në qershor. Ky keqkuptim duket se ka qenë vendimtar në prishjen e marrëveshjes.
Sipas gazetës “Marca”, Ancelotti ka marrë një ofertë nga Arabia Saudite me një pagë vjetore prej rreth 50 milionë euro neto, për një kontratë trevjeçare. Kjo shifër do ta bënte atë trajnerin më të paguar në histori dhe ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në vendimin e tij për të mos u angazhuar me Brazilin për momentin.
Përfaqësuesja braziliane mbetet kështu në kërkim të një trajneri të ri, ndërsa e ardhmja e Ancelottit mbetet një çështje e hapur mes Madridit dhe ofertës saudite.
Carlo Ancelotti nuk do të jetë trajneri i Brazilit, marrëveshja bie për dy arsye
