Adriatik BALLA
Kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, dha një intervistë speciale për kanalin “Lega Serie A” për formatin “MadeinItaly”. Mbrojtësi rrëfen se gjërat kanë ndryshuar shumë me kalimin e viteve te bergamaskët dhe gjithmonë do të mbajë mend gjërat më të bukura. Ai e nis duke kom,entuar familjen. “Futbolli është një nga gjërat më të rëndësishme në jetën time, ashtu si edhe familja që krijova dhe besoj se kjo nuk është një gjë e vogël sepse familja është diçka shumë e rëndësishme për mua, është thelbi i shoqërisë. Dhe kjo më bëri të qaja, më bëri të gëzohesha dhe të ndihesha i lumtur në çdo kuptim të udhëtimit tim.
E gjithë kjo ndodhi së bashku, por më besoni, gjithçka është e mundur në jetë sepse, kur fillova, sigurisht që nuk mendoja se do të arrija në këtë nivel”, tha ai. Më pas komenton kalimin te Atalanta. “Ndikimi fillestar ishte sigurisht shumë i vështirë sepse, të them të drejtën, nuk e kisha ndjekur shumë futbollin italian më parë. E shikoja futbollin gjerman më shpesh sepse është më afër Zvicrës dhe madje edhe në familjen time shikonim më shumë ndeshje të kampionatit gjerman.
Por kur erdhi telefonata nga Atalanta, fillova të informohesha, i shikoja ndeshjet në TV dhe i ndiqja lojtarët e Atalantës. Ajo që më shtyu të zgjidhja Italinë në vend të Zvicrës është padyshim futbolli. Vendi juaj ka pasur gjithmonë një traditë të shkëlqyer futbolli që është shumë më e përparuar se Zvicra, si në aspektin e sistemit ashtu edhe në nivelin e zhvillimit. Ishte një zgjedhje e bërë për karrierën time, për të ndërtuar diçka të rëndësishme dhe për të pasur sukses në të ardhmen. Dhe mendoj se ishte një vendim themelor për mua”, shtoi Gjimshiti.
Berat Gjimshiti rrëfen momentin magjik të karrierës së tij, trofeu i Ligës së Europës
