Barcelona i synon të gjithë trofetë sezonalë? Flick: Mendoj vetëm për sfidën në Dortmund

Barcelona do ta vizitojë Dortmundin me qetësi maksimale, për ta mbyllur kualifikimin drejt gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve. I gjithë respekti për “murin e verdhë” të tifozëve gjermanë, por për vendasit do të duhej një përmbysje pothuajse e pamundur, duke nisur nga humbja 4-0 në ndeshjen e parë.
Trajneri i katalanasve, Hansi Flick, foli në konferencë për shtyp përpara ndeshjes:“Kam besim absolut te skuadra ime. Vijmë nga një fitore 4-0 në ndeshjen e parë. Po përpiqemi të luajmë në maksimum dhe mendoj se në ndeshje të tilla duhet të jemi shumë të përqendruar, të luajmë siç dimë”.
Nëse Interi në Itali ëndërron të fitojë 3 trofe, plus Kupën e Botës për Klube, te Barcelona ëndrra është akoma më e madhe: “sextete”. Pra, fitimi i La Liga-s, Kupës së Mbretit, Champions-it, Superkupës së Spanjës, Superkupës së Europës dhe Botërorit për Klube. Sidoqoftë, Flick është i matur dhe nuk ndikohet nga krahasimet me të kaluarën:
“Të përsëris atë që kam bërë me Bayernin? E them gjithmonë; nuk jetoj në të kaluarën dhe me atë që fitova te Bayerni. Jetoj në të tashmen. Gjithçka që do të vijë, do të jetë e mirëpritur, por kjo është në të ardhmen. Tani duhet të përqendrohemi te ndeshja ndaj Borussia Dortmundit. Duhet të jemi të fokusuar vetëm te sfida e radhës”.
Për Dani Olmo, që po rikuperon nga dëmtimi: “Do të shohim nëse do të jetë gati për sot apo fundjavën. Ka shumë cilësi, por është e vërtetë që nuk kemi mundur të llogarisim gjithmonë tek ai për shkak të dëmtimeve. Megjithatë, jemi shumë të lumtur që është sërish me ne”.
Për Lewandowski: “Qartësisht, të kesh një lojtar të këtij niveli në skuadër është ndihmë e madhe. Është shumë profesionist, ka përvojë të madhe. Llogarisim shumë tek ai dhe çdo ditë tregon se çfarë lojtari është. I ka të gjitha cilësitë për të qenë një shembull për të gjithë”.