Author: Vizionplus.tv

  • “Match-Maker” organizuar nga AIDA. Concord Investment prezanton projektin Marina Orikum & Arameras-Ksamil

    “Match-Maker” organizuar nga AIDA. Concord Investment prezanton projektin Marina Orikum & Arameras-Ksamil

    “Match Maker Albania”, eventi kryesor për bizneset i organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, bëri bashkë në Tiranë këtë të enjte qindra sipërmarrës vendas dhe të huaj.
    500 investitorë të huaj, 200 investitorë shqiptarë dhe 30 eksportues vendas biseduan për bashkëpunime të reja dhe për potencialin e vendit tonë për më shumë investime.
    I pranishëm në aktivitet ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili nxiti sipërmarrësit e huaj të investonin gjatë kësaj periudhe në Shqipëri, si momenti më i mirë i vendit tonë.

    “Kushdo që ka ardhur, të hedhë një sy këtu, duhet të kuptojë që kjo është koha për të investuar në Shqipëri, koha për të blerë qoftë edhe një gur në Shqipëri sepse nesër do të jetë vonë, nesër të gjithë do të duan të vijnë, do të duan të blejnë dhe do të jetë shumë e shtrenjtë për shumicën prej jush. Çfarëdo do të doni të blini, blijeni tani. Është një moment ku Shqipëria nis të lulëzojë dhe ende nuk është plotësisht e njohur për potencialin që ka dhe për mundësitë e jashtëzakonshme, por kur të gjithë ta marrin vesh, nuk do të jetë kaq e lehtë sa është sot”, tha kryeministri Rama.
    Nga ana tjetër, Artan Dulaku, CEO i grupit “Concord Investment”, tha se evente të tilla shërbejnë për promovimin e Shqipërisë dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vendin tonë.
    “Do të sjell eksperiencën time. Ka qenë një punë e madhe nga kryeministri për promovimin e Shqipërisë dhe kemi një punë më të lehtë sot për të promovuar veten tonë kur shkojmë jashtë. Eksperienca ime është se para 5-6 vitesh është se kur trokisje në dyert e sipërmarrësve të huaj, kishe probabilitetin 1 me 10 që të të pranonin. Kjo ishte trishtueshme, por më pas gjërat ndryshuan shpejt dhe tani janë ata që vijnë dhe trokasin në dyert tona. Investitorët spanjollë thyen akullin të parët dhe po konkurrojnë me njëri-tjetrin për të qenë në Shqipëri. Sfida është që ne duhet të jemi inovativë, kemi ende rrugë përpara”, tha Artan Dulaku, CEO i “Concord Investmen”
    Ndërsa ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja, nënvizoi se ky dikaster do të mbështesë çdo investitor dhe sipërmarrës që ndan vizionin e gjithpërfshirjes dhe qëndrueshmërisë.
    /vizionplus.tv

  • Rama: 95% e shërbimeve në Shqipëri bëhen online, kursehen 650 milionë euro në total

    Rama: 95% e shërbimeve në Shqipëri bëhen online, kursehen 650 milionë euro në total

    Kryeministri Edi Rama në eventin për çeljen e Programit për Përshpejtimin e Pranimit të Pagesave Elektronike në partneritet me Mastercard Europe, tha se është e rëndësishme, që revolucioni dixhital të thellohet edhe për thjeshtësimin e pagesave në vend.
    Rama u shpreh se 95% e shërbimeve në Shqipëri bëhen online dhe kursehen 650 milionë euro në total tek qytetarët.
    Rama: Më vjen mirë, se kapitalistët e mëdhenj nuk shquhen për mbajtjen e fjalës, por këtë herë e mbajtën, këta të Mastercard-it e mbajtën këtë fjalë. Por mesa duket ka edhe një përqindje ADN-je këtej nga Ballkani dhe ja ku është, u kthye për të realizuar këtë dhe e mbajti fjalën.

    Për ne është e rëndësishme që Mastercard hyn në Shqipëri, edhe për faktin se e gjen tregun shqiptar të gatshëm për të adoptuar me produktin e gatshëm. Edhe për ne është e rëndësishme, që revolucioni dixhital të thellohet edhe për thjeshtësimin e pagesave në vend. Kemi bërë punë të jashtëzakonshme me shërbime online, 95% e tyre bëhen online, nuk kemi arritur ende të bëjmë online martesën, se na duhen dëshmitarët, të dashuruarit etj. etj., nuk e kemi arritur, por mbase një ditë do e arrijmë.
    Por ka edhe si ato me gjurmët e gishtërinjve, ku kërkohet prania e personit. 650 mln euro të kursyera nga ky program i shërbimeve online. Kemi të dhëna masive negative për sa i përket masivitetit të cash-it dhe pak me pagesa bankare. Nga 30% të personave me llogari bankare, tani kemi në 80% të qytetarëve me llogari bankare.
    /vizionplus.tv

  • Berisha merr bufin e Ramës: Është simboli i mençurisë. Kryeministri mashtron me BE-në”

    Berisha merr bufin e Ramës: Është simboli i mençurisë. Kryeministri mashtron me BE-në”

    Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vendosur t’i kundërpërgjigjet rivalit politik Edi Rama për secilën prej tezave të fushatës elektorale, duke nisur nga krahasimi me bufin.
    Berisha doli në konferencën me gazetarët me një statujë bufi, duke sjellë në vëmendje se në Greqinë e lashtë, ndryshimi nga kuptimi që ka në të folurën e përditshme në Shqipëri, bufi ishte ai që shoqëronte perëndeshën Athina dhe simbolizonte mençurinë e diturinë.
    “Dhe vendosa ta sjell këtu para medieve dhe para publikut shqiptar se çfarë varfërie dhe shkretie kulturore ka njeriu që e citon, që e quan Sali Berishën çdo ditë, me emrin e simbolit më të arrirë të dijes, mençurisë dhe vendimit të Greqisë së Lashtë, të Romës së Lashtë. Athina dhe Minerva, dy perëndeshat e njohura, njëra e grekëve, perëndeshë e diturisë, dhe Minerva e romakëve, e njëjtë, nuk zgjodhën asnjë shpend tjetër si simbol të fuqisë së tyre mendore, por zgjodhën pikërisht bufin që u bë një personazh i dashur për të gjithë njerëzit e civilizuar.”, tha Berisha.

    Berisha ka vendosur të markojë kryeministrin Edi Rama edhe për premtimet elektorale, duke nisur nga premtimi kryesor, futja e Shqipërisë në BE.
    “Është kollaj të dalësh dhe të mashtrosh qytetarët. Po kush të pranon në Europë me rrogat ndër më të ulëtat në planet? Kush të pranon në Europë me këtë pabarazi të tmerrshme? Askush nuk të pranon në Europë në këtë mënyrë.”
    Krahas replikave me rivalin politik Rama dhe programit elektoral, PD po zhvillon betejën për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, ndaj ajo do të shfrytëzojë seancën dëgjimore që Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Europian do të zhvillojë më 8 prill, me fokus zgjedhjet e 11 majit, për të paraqitur shqetësimet e saj.
    “Për shembull, në Shkodër, unë nuk e thashë kot që deputetët e PS janë deputetët e Dobraçit. Faktikisht, koordinatorë të PS janë Enver Bajri dhe Ilir Bajri me dy-tre të tjerë. Edhe banda e Pëllumb Gjokës me të tjerë. Udhëzimet dhe mjetet e shantazhit i marrin në Dobraç. Ne po i ndjekim dhe unë garantoj këta kriminelë elektoralë se kurrë nuk do t’u ndahemi pa bërë ligjin për këto krime të shëmtuara që marrin përsipër. Do bëhet çështje e madhe ndërkombëtare se këta po bëhen krahu i armatosur elektoral i Edi Ramës, me firmën e Altin Dumanit. Po.”
    Gjatë konferencës me gazetarët, Berisha prezantoi edhe imazhin e ri të PD-së në fushatë dhe sloganin, “Shqipëria Madhështore”.
    “Kur fati që është sa hyjnor dhe tokësor, i ra PD-së të ketë këtë numër, entuziazmi i demokratëve dhe mbështetësve të PD-së, por në tërësi i shqiptarëve ishte dhe është jashtëzakonisht i madh. Pra ata që votojnë për Partinë Demokratike dhe Aleancën Shqipëria Madhështore, votojnë 1-shin. Defakto janë 1-sha.”

  • Emigrantët e dëbuar në Gjadër, qeveria italiane nxjerr dekret të ri për qendrat e pritjes në Shqipëri

    Emigrantët e dëbuar në Gjadër, qeveria italiane nxjerr dekret të ri për qendrat e pritjes në Shqipëri

    Qeveria italiane ka miratuar këtë të premte një dekret të ri që lejon transferimin e emigrantëve të parregullt nga qendrat e ndalimit në Itali drejt qendrave që janë ngritur në vendin tonë.
    Në qendrat në Shqipëri do të dërgohen edhe persona të ndaluar në Itali për t’u riatdhesuar dhe jo vetëm kërkuesit e azilit nga vende të sigurta që nuk kanë prekur kurrë territorin europian.
    Këshilli i Ministrave ka identifikuar këtë zgjidhje për të përdorur strukturat që kanë mbetur ende bosh pas përpjekjeve të përsëritura të qeverisë për të zhvendosur atje emigrantët e parregullt.

    Nuk është ende e qartë nëse ky ndryshim nga ana e qeverisë italiane bie apo jo ndesh me marrëveshjen dypalëshe të firmosur me Shqipërinë, e cila parashikon që në kampet e Gjadrit dhe Shëngjinit të qëndrojnë përkohësisht vetëm emigrantë në pritje të azilit politik, dhe jo emigrantë që tashmë janë në pritje të dëbimit.
    Vendimet e gjykatës së Romës dhe shqetësimi për shkeljen e të drejtave të njeriut ishin bërë pengesë në të gjitha herët e kaluara kur autoritetet italiane sollën emigrantë në Shqipëri.
    Të gjithë ata që erdhën u kthyen sërish vetëm në pak ditë qëndrimi.
    /vizionplus.tv

  • “S’ndryshojmë qëndrim për Kosovën”, presidenti sllovak: Mos njohja nuk ka të bëjë me kombin shqiptar

    “S’ndryshojmë qëndrim për Kosovën”, presidenti sllovak: Mos njohja nuk ka të bëjë me kombin shqiptar

    Presidenti i Sllovakisë, Peter Pellegrini, sqaroi në Tiranë vendimin për të mos njohur Kosovën si shtet të pavarur. Gjatë një konference për shtyp me kreun e shtetit shqiptar, presidenti sllovak theksoi se qëndrimi ndaj Prishtinës zyrtare nuk ka lidhje me kombin shqiptar.
    “Ne kemi diskutuar këtë çështje me presidentin e Shqipërisë. Në lidhje me pozicionin e Sllovakisë në raport me Kosovën, ky vendim nuk ka të bëjë me kombin shqiptar, për ne kombi shqiptar është një mik. Por vendimi për të mos njohur Kosovën është bazuar mbi rregullat e diplomacisë sonë.”, tha Peter Pellegrini, Presidenti i Sllovakisë.
    “Pozicioni i Shqipërisë mbetet i pandryshuar, mbështetës i palëkundur i Kosovës, sepse Kosova është pjesë e stabilitetit dhe kontribuuese e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe patjetër që ne do të jemi mbështetësit e saj për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare, në organizatat ndërkombëtare dhe në punën tonë për të bërë të mundur sa më shumë njohje të reja për Kosovën dhe patjetër për të biseduar edhe me vende të tjera që nuk e njohin Kosovën për të shikuar alternativa, siç është rasti i Sllovakisë me njohjen e dokumentit të udhëtimit apo me pasaportën që njihet si dokument.”, u shpreh Begaj.

    Sllovakia është një prej 5 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e njeh shtetin e Kosovës.
    Përtej çështjes së Kosovës, dy presidentët diskutuan rrugën e Shqipërisë drejt Brukselit, dhe kreu i shtetit sllovak mbështeti ambicjen e vendit tonë për t’u anëtarësuar në BE në vitin 2030.
    /vizionplus.tv

  • Arrestohet 25-vjeçari shqiptar në Itali

    Arrestohet 25-vjeçari shqiptar në Itali

    Një 25-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane. Ai akuzohet për hyrje dhe qëndrim të paligjshëm në territor.
    I riu ishte dëbuar nga Italia në muajin nëntor 2023, por u rikthye ilegalisht në vend, duke iu shmangur kontrolleve kufitar. Dhe këtë e ka arritur fal një strategjie martesore.
    Pikërisht pas martesës ai kishte marrë mbiemrin e gruas së tij.

    Por përpjekja e tij për t’iu shmangur identifikimit, u zbulua nga ushtria gjatë një kontrolli territori. Hetimet e thelluara, përfshirë verifikimin e gjurmëve të gishtërinjve, konfirmuan praninë e tij të parregullt në Itali, shkruajnë mediat e huaja.
    Arrestimi i kryer në flagrancë u vërtetua nga gjyqtari i Hetimeve Paraprake me kërkesë të Prokurorisë Publike Agrigento.
    Në përfundim të procesit u vendos ridëbimi i tij nga vendi, pasi të vuajë dënimin që do jepet.

  • Pogradeci vuan për punëtorë, më i prekur sektori i shërbimeve dhe turizmi

    Pogradeci vuan për punëtorë, më i prekur sektori i shërbimeve dhe turizmi

    Pogradeci në dy vitet e fundit eshte perballur mungesë të theksuar të fuqisë punëtore e cila reflektohet më shumë në sektorin e prodhimeve dhe shërbimeve
    Altin Pojanaku i cili ka një furrë në qytet thotë se nuk gjen dot njerëz per ti punesuar ndaj I duhet të punojë vetëm me bashkëshorten e tij.
    Mungesa e fuqisë punëtore haset edhe në sektorin e transportit.

    Mungesa e fuqise punetore duket se do te reflektohet edhe ne turizem vecanerisht gjate sezonit veror.
    /vizionplus.tv

  • Shtohen investimet në Voskopojë, mbi 800 vende akomoduese në destinacionin turistik të juglindjes

    Shtohen investimet në Voskopojë, mbi 800 vende akomoduese në destinacionin turistik të juglindjes

    Voskopoja është kthyer në destinacionin turistik më të pëlqyer të juglindjes. Vite më parë, fshati kishte një numër të reduktuar akomodimesh, sot ka më shumë se 800 vende akomoduese.
    Voskopojarët që ishin larguar para shumë vitesh në emigracion kanë filluar të rikthehen dhe kanë ndërtuar hotelet dhe bujtinat e tyre. Panajot Falo, pas 30 vitesh, rikthehet në fshatin e tij duke ndërtuar së bashku me bashkëshorten një hotel në qendër të fshatit turistik.
    Florian Fidani rrënjët i ka në fshatin Krushovë. Pasi ka jetuar e punuar në kompani të ndryshme në Boston të Shteteve të Bashkuara, ka vendosur të investojë në Voskopojë, aty ku, siç thotë, çdo vit ka kaluar pushimet verore.

    Gjatë këtyre 10 viteve të fundit, Voskopoja ka ndryshuar shumë për shkak edhe të investimeve në infrastrukturën rrugore.
    /vizionplus.tv

  • Në kërkim pronari i ”AMG Food”, procedohet vëllai i tij e tre inspektorë të AKU, futën fileto me salmonelë

    Në kërkim pronari i ”AMG Food”, procedohet vëllai i tij e tre inspektorë të AKU, futën fileto me salmonelë

    Një ditë pas skandalit me sigurinë ushqimore, ku u zbulua se nga Brazili në Shqipëri kanë hyrë 7.9 ton mish pule me salmonelë, policia shpalli në kërkim administratorin e kompanisë importuese “AMG Food”, Arben Goxha, 50 vjeç. Së bashku me të vëllanë, Mondi Goxha, i cili është vënë nën hetim nga policia, 50-vjeçari Arben Goxha akuzohet se ka importuar ushqime të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve.
    Hetime kanë nisur edhe për tre inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Gëzim Hushi, Sada Lufta dhe Aldo Sinjari, të cilët, sipas policisë, kanë shpërdoruar detyrën, duke lejuar futjen në treg të filetove të pulës me salmonelë.
    Produkti i ardhur nga Brazili është futur në vendin tonë përmes Portit të Durrësit, ndërsa më 21 mars, përgjigjet e analizave të kryera në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare kanë treguar se mishi është i kontaminuar me salmonelë.

    Në pritje të përgjigjes së analizës, AKU tha se kompanisë “AMG Food” i ishte kërkuar të ruante produktin në ambientet frigoriferike dhe të mos e tregtonte. Por, në shkelje të ligjit, kompania e ka shitur atë në biznese të nivelit të dytë.
    AKU ka bllokuar deri tani nga ngarkesa vetëm 4 ton mish me salmonelë.
    /vizionplus.tv

  • LDK i mbyll “derën” Vetëvendosjes, Haziri: Bashkëpunojmë me partitë e opozitës, rrezikohet krizë politike

    LDK i mbyll “derën” Vetëvendosjes, Haziri: Bashkëpunojmë me partitë e opozitës, rrezikohet krizë politike

    Në një intervistë për Kossova Press, Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka bërë me dije se kjo parti është në komunikim me opozitën rreth formimit të qeverisë së re, ndërsa duket se i ka mbyllur derën Vetëvendosjes së kryeministrit Albin Kurti.
    “Tash jemi në pozicionin e njëjtë. “Jo”-në tonë karshi bashkëpunimit me LVV-në në formimin e ekzekutivit e kemi bërë të qartë. Në anën tjetër, raporti me partitë e dyta dhe partitë tjera që janë në Kuvend, AAK-Nisma dhe pakicat etnike, ne kemi bashkëpunim dhe komunikim për aq sa kohë nevojë ky proces zgjedhor”,
    Sipas Hazirit ka më shumë gjasa që Kosova të hyjë në krizë politike se sa në krijimin e një qeverie të re.

    “Më shumë ka mundësi me hy në krizë politike sesa në qeveri të re… Por kjo nuk do të duhej me qenë pakufija. As nuk mundet me pas zgjedhje të përbashkëta parlamentare dhe lokale, pasi duhet me pas konsensus për këtë punë. S’mundet të ketë zgjedhje të dyfishta dhe s’ka Kosova komoditet financiar të shpenzojë çdo tre-katër muaj miliona për zgjedhje. S’ka nevojë të projektohen kriza ende pa filluar. Tash flitet për presidentin, a duhet të jetë pjesë e pakos ajo, natyrisht.”
    Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, shpreh kritika për zyrtarë partiakë që kanë siguruar mandatin e deputetit, por që sipas tij, nuk kanë sjellë asnjë votë përtej partisë.
    /vizionplus.tv