Author: Monitor.al

  • Banka e Shqipërisë lehtëson “pa bujë” kreditimin e PPP-ve në infrastrukturë

    Banka e Shqipërisë lehtëson “pa bujë” kreditimin e PPP-ve në infrastrukturë

    Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi këtë muaj disa ndryshime rregullatore, që lehtësojnë dhënien e kredive nga bankat tregtare për projektet strategjike në infrastrukturë.Ndryshimet ishin propozuar nga Shoqata Shqiptare të Bankave dhe kanë gjetur dakordësinë e Bankës Qendrore.Sipas rregullores, projekte në infrastruktura strategjike të transportit do të konsiderohen financimet e projekteve në formën e ndërtimit të një infrastrukture të re ose të një infrastrukture ekzistuese, në fushat e transportit rrugor dhe të infrastrukturës portuale dhe aeroportuale dhe ku shoqëria tregtare ka një kontratë ose marrëveshje me institucionin shtetëror përkatës.Bankat do të ponderojnë ekspozimet ndaj shoqërive tregtare që financojnë projekte në infrastruktura strategjike transporti, me peshën e rrezikut 50% (më parë këto kredi ponderoheshin me peshë rreziku 100%), nëse plotësohen kushtet e parashikuara në rregullore.Një veprim i tillë e bën më pak të kushtueshme dhënien e kredive të këtij lloji në terma të kapitalizimit dhe zgjeron hapësirat e bankave për të financuar projekte të këtij lloji.Në përgjithësi, kreditë për projektet e infrastrukturës rrugore prekin shifra të mëdha, ndaj kanë edhe një ndikim të rëndësishëm mbi raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit, që mat raportin mes aktiveve me rrezik kundrejt kapitalit rregullator.Në rregulloren “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit, është shtuar një nen i ri, që përcakton se bankat identifikojnë në mënyrë të veçuar nga klasa e ekspozimeve ndaj shoqërive tregtare, ekspozimet ndaj shoqërive tregtare që financojnë projekte në infrastruktura strategjike transporti të cilat plotësojnë disa kushte specifike.Rregullorja e ndryshuar vendos si kusht që përfitues fundor i projektit të financuar të jetë qeveria shqiptare.Kredia duhet të ketë një afat maturimi deri në 10 vjet dhe kontrata e kredisë për ekspozimin në fjalë duhet t’i sigurojë bankës një nivel të lartë kontrolli mbi aktivet e projektit dhe të ardhurat që gjenerohen prej tij.Gjithashtu, burimi i shlyerjes së kredisë duhet të përbëhet minimalisht në masën dy të tretat nga të ardhurat që gjenerohen nga projekti i financuar. Kriter tjetër është aftësia e vlerësuar ehuamarrësit për të përmbushur detyrimet e tij financiare, edhe në kushte të theksuara stresi që lidhen me rrezikun e projektit të financuar.Parashikimet rregullores së re do të zbatohen për të gjitha ekspozimet ndaj shoqërive tregtare që financojnë projekte në infrastruktura strategjike transporti, që do të krijohen deri më 31 dhjetor 2026 dhe do të jenë të zbatueshme deri në afatin e miratuar të financimit, që në çdo rast nuk duhet të jetë më i gjatë 10 vjet.Për të njëjtin qëllim, Banka e Shqipërisë ka miratuar disa ndryshime edhe në rregulloren “Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave”.Në këtë rregullore, është shtuar një dispozitë që parashikon se bankat, në llogaritjen e ekspozimeve maksimale të lejueshme përjashtojnë, mes të tjerash, edhe ekspozimet, me jo më shumë se 50% të vlerës së tyre, ndaj shoqërive tregtare që financojnë projekte në infrastruktura strategjike transporti. Bankat, “oreks” në rritje për PPP-tëGjatë viteve të fundit, sektori bankar në vend ka shfaqur një “oreks” në rritje për të financuar projektet e rëndësishme të PPP-ve në infrastrukturë.Në muajin maj, Tirana Bank nënshkroi një kontratë kredie prej 17 milionë eurosh me kompaninë “Marina Vlorë”, që po zbaton projekti koncesionar të ndërtimit të një porti të jahteve në Vlorë, bashkangjitur me një kompleks reziencial dhe hotelier, sipas një modeli të ngjashëm me atë që po ndërtohet në Portin e Durrësit.Në fund të vitit 2023, tre banka tregtare shqiptare vendosën të financonin me një kredi të përbashkët (sindikale) projektin e partneritetit publik-privat për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar. Banka Amerikane e Investimeve, Tirana Bank dhe Union Bank financuan me më shumë se 30 milionë euro ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar.Në vitin 2021, Intesa Sanpaolo Bank Albania, OTP Albania dhe Tirana Bank financuan një kredi të përbashkët prej 26 milionë eurosh shoqërinë koncesionare “Orikum-Llogara”.Projekti më i rëndësishëm me financim publik i PPP-ve në ndërtimin e rrugëve është ai Rrugës së Arbrit. Ky projekt është mbështetur me një kredi të konsiderueshme nga Banka Kombëtare Tregtare (BKT).Në gusht të vitit 2018, BKT miratoi një hua deri në vlerën e 9.5 miliardë lekëve te kompania “Gjoka 87”, megjithatë në fakt ajo nuk është disbursuar deri në vlerën maksimale të parashikuar.Sipas pasqyrave financiare të “Gjoka 87”, detyrimi maksimal ndaj bankës ka arritur shumën 4.4 miliardë lekë, në vitin 2022.Në vitin 2017, BKT gjithashtu ka miratuar gjithashtu një kredi prej 28.5 milionë euro te “Albania Highway Concession”, kompania që po zbaton kontratën koncesionare të përfundimit dhe mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit.Në rastin e PPP-ve, qeveria shqiptare nuk ofron garanci sovrane, ndaj bankat duhet ta marrë vetë përsipër rrezikun e kredisë. Pavarësisht nga kjo, sektori bankar ka ofruar tashmë përsipër financime të konsiderueshme në projektet e PPP-ve në infrastrukturë. / E.ShehuKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • Shqipëria, me rënien më të fortë të popullsisë në Europë në dekadën e fundit

    Shqipëria, me rënien më të fortë të popullsisë në Europë në dekadën e fundit

    Në gjithë Europën, sidomos atë në zhvillim, njerëzit lëvizin në kërkim të një jete më të mirë.Globalizimi, hapja e tregjeve, lehtësimi i lëvizjes dhe kritereve të lejeve të punës nga shtetet e zhvilluara që po plaken, janë mundësi që, natyrshëm, shumëkush do të përpiqet ti shfrytëzojë, sidomos të rinjtë që sot kanë pritshmëri më të larta nga jeta.Por, askush nuk ikën me ritmin që po largohen shqiptarët. Të dhënat e fundit të Eurostat, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se popullsia e Shqipërisë është reduktuar me 18.2% në fund të vitit 2024, në krahasim me 2011, periudhë që përfshin dhe zhvillimin e dy censeve.Gjatë kësaj periudhe, vendi është reduktuar me mbi 500 mijë banorë. Vendi ka zyrtarisht sot 2.36 milionë banorë, shifër e raportuar dhe tek Eurostat.Kjo rënie në përqindje (e matur me madhësinë relativ të kombit) është më e larta në Europë, sipas Eurostat. Shteti i dytë që ka humbur më shumë banorë, pas Shqipërisë, është Bullgaria, popullsia e së cilës është reduktuar me 12.3% brenda së njëjtës periudhë.Maqedonia e Veriut renditet e treta, duke humbur 11.4%, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina (-11.2%), Kroacia )-9.7), Letonia (-9.4) dhe Serbia (-9%). Vendi i rajonit që ka arritur të ruajë nivelet pothuajse të pandryshuara të popullsisë është Mali i Zi, që ka parë një rritje me 0.6% nga 2011-a. (Shifrat për Kosovën mungojnë).Shtetet e Europës Perëndimore, ndonëse janë më të plakura, kanë arritur që të shtojnë popullsisë, si rrjedhojë e politikave agresive të emigrimit, si një zgjidhje për të adresuar problemet demografike, që kanë ardhur nga plakja e popullsisë dhe rënia e lindjeve.Eurozona e ka rritur popullsinë me 3.2% nga 2011-a. Në Itali, shteti më i plakur në Europë, së bashku me Spanjën, popullsia ka ndryshuar përkatësisht me -1.8% dhe +4.5%. Gjermania, që vitet e fundit ka lehtësuar kriteret e lejeve të punës ka rritur popullsinë me 4% në më shumë se një dekadë.Në Shqipëri, tkurrja e fortë e popullsisë lidhet me dy faktorë. Së pari, ngadalësimi i shtesës natyrore, që gjatë pandemisë u kthye në negativ dhe tashmë është në nivele minimale, me vetëm 1.2 mijë persona plus në 2024-n, nga mbi 60 mijë persona që ishte në fillim të viteve 90.Faktori i dytë dhe më i rëndësishëm është emigracioni, që njohu një valë të re pas vitit 2016, kryesisht nga popullsia e re në moshë. Në vitin 2024, sipas Eurostat, emigracioni neto ishte 28.8 mijë persona.I dyti më i larti në Europë, pas Turqisë, që kishte një emigracion neto prej -156 mijë personash, por që është një shtet me një popullsi me 86 milionë banorë! Që pas viteve 90, në çdo dekadë, kur janë dhe të dhënat e Censeve, nga vendi janë larguar mesatarisht 500 mijë persona.Të dy këto faktorë kanë ndikuar në plakjen e popullsisë. Sipas të dhënave të të tjera të Eurostat, mosha mediane e Shqipërisë arriti në 44.3 vite në 2024-n, duke iu afruar mesatares së BE-së prej 44.7 vite vitin e kaluar. Kjo do të thotë që në Shqipëri, gjysma e popullsisë është nën 44.3 vjeç dhe gjysma mbi këtë moshë. Në 2010-n, gjysma e popullsisë shqiptare ishte nën 31.9 vjeç.Rënia e popullsisë dhe plakja e saj ka shkaktuar ngërç në tregun e punës, duke detyruar bizneset të frenojnë zgjerimin, ka frenuar produktivitetin, teksa janë rritur pagat pa u shoqëruar me rendimentin, ka frenuar konsumin dhe në afat të gjatë pritet të ndikojë skemën e pensioneve dhe rritjen e qëndrueshme ne vend, teksa qeveria nuk duket ende ta pranojë si një problem madhor, ritmet e larta me të cilat po reduktohet popullsia e vendit.Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • Fokusohuni te lumturia, jo perfeksioni

    Fokusohuni te lumturia, jo perfeksioni

    Në mars të vitit 2025, Alysa Liu shkëlqeu në Kampionatin Botëror të Patinazhit Artistik të organizuar në Boston, duke fituar medaljen e artë dhe duke befasuar botën e sportit me rikthimin e saj të jashtëzakonshëm.Por më i rëndësishëm se rezultati ishte transformimi që ajo pësoi gjatë rrugës së saj për rikthim: nga përpjekja për perfeksion në fokusin te lumturia dhe mirëqenia personale.Vetëm pak javë pas Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 2022, Liu kishte njoftuar tërheqjen nga garat. Në moshën 16-vjeçare, ajo ndjehej e lodhur dhe emocionalisht e shkëputur nga sporti që dikur e kishte dashur. Angazhimi intensiv, mungesa e pushimeve dhe frika për të humbur ritmin e përgatitjeve kishin çuar në lodhje të thellë dhe burnout. Ishte një periudhë ku trajnimi u kthye në barrë dhe jo në pasion.Pas një pushimi 18-mujor, Liu u rikthye në pistën e akullit në fund të vitit 2023. Nuk ishte më e motivuar nga medaljet apo perfeksioni, por nga dëshira për të shijuar emocionin dhe lirinë që patinazhi mund të ofronte.Ndryshe nga e kaluara, ajo filloi të ndërtonte programet e saj artistike duke zgjedhur muzikë që e frymëzonte vërtet. Edhe pamja e saj në performancë e tregonte këtë ndryshim: më shumë spontanitet, më pak formalitet.Kjo qasje e re solli rezultate të jashtëzakonshme. Pas kualifikimit në kampionatin kombëtar amerikan, Liu arriti të triumfonte edhe në arenën botërore. Por, përtej medaljes së artë, ajo fitoi diçka më të qëndrueshme: lumturinë personale dhe një ekuilibër të shëndetshëm mes sportit dhe jetës.Psikologët theksojnë gjithnjë e më shumë rëndësinë e qëllimeve të brendshme për mirëqenien afatgjatë. Një meta-analizë e vitit 2022 nga Australian Catholic University vëren se individët, që përqendrohen te shëndeti, marrëdhëniet dhe kënaqësia personale kanë më shumë gjasa të jenë të lumtur, krahasuar me ata që ndjekin famën apo pasurinë.Ndërkohë, ekspertët theksojnë se njerëzit që jetojnë me një ndjesi kënaqësie ditore kanë më pak pendesa në fund të jetës.Rasti i Alysa Liu është një dëshmi konkrete e kësaj filozofie. Ajo nuk u rikthye për të dëshmuar përsosmërinë, por për të përjetuar lirinë e zgjedhjes dhe gëzimin, që vjen kur ndjek pasionin sipas ritmit tënd. Performanca e saj jo vetëm që rrëmbeu titullin botëror, por tregoi se suksesi nuk është gjithmonë produkt i përpjekjes për të qenë perfekt.Në një botë ku presioni për të arritur më shumë është i vazhdueshëm, historia e Liu-së kujton se lumturia dhe autenticiteti janë po aq të rëndësishëm sa çdo trofe. / CNBC, Shqip.alKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • Ndërhyrja në nyjën hidroteknike të rezervuarit të Manskurisë lë pa ujë Golemin

    Ndërhyrja në nyjën hidroteknike të rezervuarit të Manskurisë lë pa ujë Golemin

    Në janar të këtij viti, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve njoftoi se kishte shpallur fituesin, kompaninë “Alba Konstruksion”, për një procedurë me vlerë 4 milionë euro që synonte ndërhyrjen në nyjën hidroteknike të rezervuarit të Manskurisë.Rezervuari ndodhet mbi zonën e Golemit në Kavajë dhe shërben për nevojat e furnizimit me ujë të bashkisë. Në atë kohë pakkush mendoi se kjo ndërhyrje do të kthehej në dhembjen e kokës së të gjithë zonës, sidomos në pikun e sezonit turistik.Ndërhyrja që në fakt ishte e nevojshme për të rritur sigurinë e rezervuarit për shkak të një defekti të vitit 2015 duket se kapi të papërgatitur familjet dhe bizneset e kësaj zone.Teksa punimet vazhdojnë, gjasat janë  që rezervuarit të mos jetë në funksion para vjeshtës.Referuar dokumenteve në atë kohë raportohej se në skarpatën e poshtme të digës afër aksit të ujëlëshuesit ekzistues, rreth 2 metra poshtë kurorës së digës ishte hapur një pus, gryka e të cilit kishte dalë në sipërfaqe të skarpatës.Nga ana tjetër, ishte identifikuar një rrjedhje uji në formë burimi në anën e poshtme të digës.“Që nga koha e identifikimit të këtij pusi kur ai doli në sipërfaqe nuk është ndërmarrë asnjë veprim i mëtejshëm duke ia lënë këtë një projekti të plotë të rehabilitimit dhe jo ndërhyrjeve pjesore në të”, thuhet në dokumentet e AKUK.Lidhur me këtë, plani është për një ndërhyrje në seksionin e plotë të digës duke e çarë atë sipas aksit të ujëlëshuesit dhe duke e zëvendësuar ujëlëshuesin me një të ri.Çarja e digës në mënyrë të kontrolluar me një teknologji specifike, sipas institucioneve, do të ndihmojë për të kuptuar më mirë arsyet dhe shkaqet e defektit të ndodhur si dhe do të ndihmojë në korrigjimin e masave të parashikuara në këtë projekt si:(1) Rehabilitimin e drenazheve të digës.(2) Eliminimin e gropave të tjera që mund të jenë krijuar në këtë seksion, por që nuk kanë dalë ende në sipërfaqe.(3) Rehabilitimin e skarpatës fundore të digës në anën e poshtme tashmë të prekur nga ndërtimi i impiantit të pastrimit të ujit të pijshëm”, thuhej në dokumente. Lexoni edhe:https://monitor.al/turizmi-vera-2025-nje-hap-pas-sezoni-veror-pritet-te-jete-me-i-dobet-se-ai-i-vitit-te-kaluar/    Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • “Ka më pak rezervime individuale”

    “Ka më pak rezervime individuale”

    Flet Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar Teksa viti 2025 mund të regjistrojë në total rritje më të madhe të vizitorëve të huaj sesa ai që lamë pas, vera e këtij viti pritet të bëjë një hap pas.Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, tha se janë disa tregues që e bëjnë parashikimin disi pesimist për periudhën e verës dhe kjo ka të bëjë me rezervimet paraprake individuale që janë më të ulëta se një vit më parë në gjithë bregdetin e vendit, kryesisht në Vlorë e Sarandë, por edhe në mungesë të Kosovës dhe Diasporës që po bie në sy. Si është ecuria e sektorit të turizmit deri më tani nga ajo që shihni, por edhe nga kontaktet që keni me strukturat hoteliere në vend?Ecuria deri në maj mund të thuhet se ka qenë e mirë, por jo brenda pritshmërive që ne kishim. Thënë kjo, rritja me 3.9% e të huajve në janar-maj është më pak sesa ajo që ne prisnim. Edhe qershori, nga kontaktet që kam më hotelet, nuk ka pasur ecuri të mirë.Ka pasur më pak rezervime se vitin e kaluar. Përveç turizmit të organizuar, që ka rritje, sepse janë kontratat me garanci, të parapaguara, që po respektohen, rezervimet individuale janë shfaqur dobët.Përjashto Shëngjinin dhe Velipojën, ku frekuentimi kryesor mbetet nga Kosova, në të gjithë bregdetin nga Durrësi në Vlorë e Sarandë, rezervimet individuale kanë qenë më pak se qershori i vitit 2024. Kjo është më e dukshme sidomos në Vlorë dhe në Sarandë. Meqë jemi te Vlora, ju kishit kontratat e para me garanci për këtë rajon të cilat u vunë në rrezik për shkak të mosnisjes së fluturimeve nga Aeroporti i Vlorës. Si e keni zgjidhur këtë gjë duke qenë se do të negocionit për një zgjidhje alternative nga Tirana? A pati anulime?Na u desh të negocionim gjatë me agjencitë e huaja por edhe me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës të cilët na mundësuan disa slote (vende/orare) për të ulur charterat sipas kërkesave. Ishte pak e vështirë për shkak të fluksit të lartë të fluturimeve, por bëmë çmos për të mos humbur rezervimet që kishim.Sipas kontratës me agjencitë e huaja dhe klientët, ata kanë të drejtë të anulojnë rezervimin pa penalitet në rast se ti nuk respekton atë që keni rënë dakord.Pavarësisht përpjekjeve tona për të marrë përsipër kostot e transportit deri në Vlorë dhe për të siguruar një udhëtim sa më të lehtë për turistët që do të ulen tani në Tiranë dhe jo në Vlorë, anulime ka pasur.Të paktën 15% e vendeve janë anuluar që do të thotë vende bosh në charter dhe dhoma bosh në hotele. Cilat janë grupet kryesore që ju vini re se kanë rritje të interesit për Shqipërinë në lidhje me turizmin e organizuar. Si janë shifrat e polakëve, spanjollëve dhe francezëve që po duken si një grup i ri potencial?Numri i turistëve polakë këtë vit është në rritje në raport me vitin 2024 sa u takon grupeve të organizuara dhe ne këtë e kishim të qartë që vitin e shkuar kur lidhëm kontratat paraprake. Këtë vit, kërkesa e tyre është sërish në rritje për vende brenda këtij sezoni, por kjo rritje është e lehtë jo si vitin e shkuar kur ne e kishim të pamundur të gjenim hapësira.Turistët spanjollë, nga ana tjetër, kanë njëfarë rritjeje dhe është një treg që po ecën ngadalë por qëndrueshëm dhe kjo është diçka e mirë.Po vijnë si te hotelet që janë marka që ata i njohin, edhe në hotele të tjera me standard që Durrësit dhe Golemit nuk i mungojnë, por edhe nuk kanë gjetur shumë hapësira pasi vendet ishin parablerë nga tregje të tjerë.Francezët kanë shfaqur interes por nuk shoh ndonjë qëndrim të vendosur të agjencive. Më shumë duket si studim i tregut dhe jo ndonjë hap konkret. Një nga problemet e raportuara këtë vit, të paktën në zonën e Golemit, është mungesa e ujit. Si e kanë zgjidhur këtë bizneset?Ky është një tjetër problem shumë i madh këtë sezon në Golem. Bizneset po sajohen, sepse nuk kanë zgjidhje.Po furnizohen me bote, kanë zbrazur pishinat e kanë mbushur depozitat. Problemi ynë është që një situatë si kjo mund të bëhet problem i madh te vlerësimet e turistëve.Dikujt që ka ardhur me pushime nuk i intereson se ç’po ndodh me digën e Manskurisë.Kërkon kushtet dhe vlerësimet këtë vit nuk kanë nisur mirë qoftë nga kjo, por edhe nga punimet që bëhen në zonat turistike ku ka beton, zhurmë, punime e mbetje. Nuk mund të mbash aktiv një kantier ndërtimi në një zonë turistike në sezon. Si kanë qenë vlerësimet e grupeve të para që kanë ardhur këtë sezon, sepse në deklaratën që ju bëtë si Union pak ditë më parë referonit që agjencitë kishin ankesa?Shumë grupe kanë ardhur nga fundi i majit e në vazhdim dhe për hir të së vërtetës, vlerësimet e tyre nuk kanë qenë shumë të mira. Më së shumti, ankesat ishin për ndërtimin, por tani së fundmi është shtuar dhe uji. Flas vetëm për Golemin këtu. Si ka qenë vlerësimi i klientëve për rajonet e tjera në agjencitë e huaja?Në total nuk ka qenë mirë për bregdetin në vend. Edhe për Vlorën ka pasur ankesa për ndotjen dhe djegien e mbetjeve, që është diçka që përsëritet në sezon. Janë ankuar për trafikun, sepse mbetet problem në segmente të caktuara.Janë ankuar për hotelet që në Jug, në disa raste, nuk ishin gati. Me të drejtë hotelet nuk arritën të përgatiten në kohë, sepse moti nuk ishte i favorshëm, kërkesa ishte e ulët në maj, por gjithsesi edhe kjo është parë me rezerva nga agjencitë. Cili është aktualisht modeli më i qëndrueshëm këtë vit në turizëm dhe zhvillimet që ka sektori?Golemi vazhdon të mbetet më i qëndrueshmi. Pavarësisht vlerësimeve dhe problemeve që kanë dalë, ai ka kërkesën më të lartë të kontratave me garanci por rezervimet individuale janë të ulëta kudo. Si e prisni të jetë këtë vit sezoni veror nga ajo që shihni duke qenë se tashmë ka kaluar një e treta e tij?Mendoj se shifrat në këtë sezon veror do të jenë më pak se vjet sa u takon turistëve. Si total, viti 2025 pres që të jetë më mirë se viti 2024.Këtë diferencë mund ta bëjnë turet kulturore të vjeshtës. Rritja gjithsesi do të jetë më e ulët se ajo që ne prisnim në fillim. Cilat janë grupet që mendoni se do të ndikojnë në këtë lëkundje të sezonit veror? Diaspora po duket më pak e interesuar në rezervime dhe mendoj se do të ketë ndikimin e saj negativ. Kosova, nga ana tjetër, nuk ka kërkesën që ka pasur dikur.Është në rënie për shkak të çmimeve, pasi zhvlerësimi i Euros e ka bërë më të shtrenjtë Shqipërinë për ta.Shqiptarët e Kosovës po kërkojnë alternativa të tjera në rajon. Të dyja këto zhvillime mendoj se do të kenë ndikim te shifrat që do të regjistrojë sezoni veror. Si paraqiten çmimet këtë vit, a ka ndryshime?Çmimet kanë ndryshuar thuajse në të gjithë bregdetin nën argumentin e rritjes së kostove, ku më shumë e ku më pak, por mund të them që në tërësi kjo rritje është mesatarisht 5%.Kuptohet në raste të izoluara, kryesisht në Jug, mund të jetë edhe pak më shumë, por kjo është mesatarja. Lexoni edhe:https://monitor.al/turizmi-vera-2025-nje-hap-pas-sezoni-veror-pritet-te-jete-me-i-dobet-se-ai-i-vitit-te-kaluar/ Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • Turizmi, vera 2025, një hap pas, sezoni veror pritet të jetë më i dobët se ai i vitit të kaluar

    Turizmi, vera 2025, një hap pas, sezoni veror pritet të jetë më i dobët se ai i vitit të kaluar

    Teksa pritshmëritë ishin që turizmi të kishte një rritje rreth 15% këtë vit, shifrat zyrtare e kanë zbehur ketë optimizëm, madje operatorët turistikë presin që sezoni veror 2025 të jetë më i dobët se ai i vitit të kaluar. Rezervimet individuale për korrik-gusht janë më të ulëta se një vit më parë sidomos nga Vlora në Sarandë. Ata që po mungojnë janë diaspora dhe Kosova. Pjesa më e qëndrueshme mbetet turizmi i organizuar, i cili po respekton shifrat e kontratave me garanci të nënshkruara. Operatorët turistikë druhen se vlerësimet jo shumë të mira që Shqipëria po merr së fundmi nga turistët që sjellin agjencitë e huaja mund të na çojnë një hap pas. Pavarësisht investimeve dhe masave të marra, sektori vuan nga infrastruktura e dobët, trafiku, mbetjet, zhurmat dhe kantieret e ndërtimit aktive në zonat turistike, ndërkohë që së fundmi po shfaqen edhe probleme bazë si mungesa e ujit, kryesisht në Golem.  Nertila MahoNë fillim të vitit, operatorët turistikë prisnin që turizmi të kishte një rritje 15% në raport me vitin 2024. Pritshmëria optimiste buronte nga disa faktorë, ku më kryesori është fakti që Shqipëria mbetej një destinacion i promovuar gjerësisht.Muaj pas muaji, këto pritshmëri janë zbehur disi dhe kësaj ia vunë “vulën” zyrtarisht shifrat e Lëvizjes së Shtetasve, ku në maj ishin 1.9% më shumë të huaj se maji 2024. Në total 5-mujori ka shënuar rritje me vetëm 3.9% të hyrjes së të huajve.Kur u duk se ngadalësimi i rritjes ishte e keqja më e vogël, në fakt kjo mund të përshkallëzohet më tej.Operatorët turistikë presin që vera 2025 të jetë më e dobët se ajo e vitit të shkuar duke marrë si referencë rezervimet paraprake të korrikut dhe gushtit që janë dukshëm më të ulëta, ndërkohë që edhe qershori ka qenë i dobët.“Qershori, nga kontaktet që kam me hotelet, nuk ka pasur ecuri të mirë. Ka pasur më pak rezervime se vitin e kaluar.Përveç turizmit të organizuar, që ka rritje, sepse janë kontratat me garanci, pra të parapaguara dhe po respektohen, rezervimet individuale janë shfaqur dobët.Përjashto Shëngjinin dhe Velipojën, ku frekuentimi kryesor mbetet nga Kosova, në të gjithë bregdetin nga Durrësi në Vlorë e Sarandë, rezervimet individuale kanë qenë më pak se qershori i vitit 2024.Kjo është më e dukshme sidomos në Vlorë dhe në Sarandë”, – tha Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar. Burimi: INSTAT Verë më e dobët, por vitin pritet ta shpëtojë “vjeshta”Teksa vera pritet të ketë një numër më të ulët vizitorësh si efekt i një Diaspore më të tkurrur dhe një Kosove më pak të pranishme, në total, viti 2025 parashikohet të ketë ecuri më të mirë, e kompensuar nga pranvera, edhe pse me rritje modeste, por edhe nga turet kulturore të vjeshtës.“Mendoj që në sezonin veror, shifrat do të jenë më pak se vjet në lidhje me turistët. Si total, viti 2025 pres që të jetë më mirë se viti 2024. Këtë diferencë mund ta bëjnë turet kulturore të vjeshtës.Rritja gjithsesi do të jetë më e ulët se ajo që ne prisnim në fillim”, tha z. Kasa.Golemi mbetet edhe këtë vit destinacioni më i konsoliduar i lidhur me segmentin e turizmit të organizuar, edhe pse individët janë edhe këtu më dobët.Fatos Çerenishti, administrator i “FAFA Group”, struktura me kapacitetin akomodues më të madh në këtë bregdet, por edhe ndër më të mëdhatë në vend, shprehet se pavarësisht se maji nisi dobët, sezoni pritet të jetë i mirë për Golemin.“Nisur nga rezervimet që kemi te struktura jonë, por në tërësi edhe për Golemin, mendoj se kjo verë do të jetë pak më e mirë se vera e vitit të shkuar. Pra do të kemi shifra në rritje.Pavarësisht se sezoni nisi vonë, mendoj që korriku dhe gushti do të bëjnë kompensimin dhe po kështu edhe shtatori që tani është kthyer në një muaj që më shumë llogaritet te vera se te vjeshta, sa i takon turizmit të verës”, shprehet z. Çerenishti. Burimi: INSTAT Problemeve të mëdha u shtohen edhe ato bazë, Golemi mbetet pa ujëNë prill, operatorët turistikë u përballën me faktin se nuk do të kishte fluturime nga Aeroporti i Vlorës, siç ishte premtuar, dhe kontratat me garanci të parapaguara do të duhet të rinegocioheshin duke i mbajtur ata kostot për ndryshimet.Sikur të mos mjaftonte kjo, infrastruktura rrugore në disa zona turistike është e pamjaftueshme apo jashtë standardit, ndërsa zonat e plazhit janë kthyer në kantiere ndërtimi.Kjo duket se ka përkeqësuar vlerësimin e agjencive të huaja për Shqipërinë duke vënë në pozitë të vështirë marrëdhënien me operatorët vendës.“Shumë grupe kanë ardhur nga fundi i majit e në vazhdim dhe për hir të së vërtetës vlerësimet e tyre nuk kanë qenë shumë të mira. Ankesat ishin më së shumti për ndërtimin, por tani së fundmi është shtuar dhe uji. Flas vetëm për Golemin”, – tha z. Kasa.Për shkak të rikonstruksionit të një nyjeje në rezervuarin e Manskurisë që furnizon me ujë zonën e Golemit, liqeni në këtë zonë është tharë. Kjo ka detyruar bizneset të gjejnë zgjidhje të furnizimit me ujë me bote apo me hapje pusesh.“Punë të mira janë bërë plot por ka shumë për t’u bërë duke nisur që nga lidhjet me aeroporte, te rrugët që duhet të sillen në parametra të pranueshëm, flas këtu për Tiranë-Durrës, apo rrugët dytësore në Plepa-Golem.Tani, së fundmi, është shtuar edhe problemi i ujit në zonën e Golemit për shkak të riparimit të rezervuarit. Nëse kjo gjë vazhdon gjatë, mungesa e ujit do të jetë shqetësimi ynë kryesor këtë sezon.Kemi nisur të hapim puse dhe po punojmë me ujin e tyre, por duhet thënë që nuk është ujë shumë i mirë. Duhet gjetur një zgjidhje për këtë me ndihmën e të gjithë palëve”, – thotë z. Çerenishti. Burimi: INSTAT Polakët mbeten grupi kryesor i organizuar, por nuk shkojnë përtej kontratave aktuale Një vit më parë, pavarësisht rezervimeve paraprake me kontrata garancie, agjencitë polake rritën kërkesën edhe brenda sezonit për vende shtesë. Ky vit duket se nuk ka të njëjtin ritëm.Strukturat akomoduese shprehen se agjencitë po respektojnë rezervimet që kanë dhe po sjellin rregullisht chartera.“Agjencitë e huaja, që kanë kontrata garancie, kanë sjellë grupet e organizuara sipas rezervimeve paraprake. Nuk kanë shumë kërkesa për shtim të kapacitetit si vitin e shkuar.Mesa kemi kontakte dhe nga ajo që shohim, Shqipëria mbetet një destinacion i mirë që ata po vazhdojnë ta shesin sipas planit që kanë pasur, sepse charterat dhe dhomat kanë qenë të plotësuara sipas kalendarit”, tha z. Çerenishti.Sipas tij është rritur interesi nga agjencitë e huaja franceze, të cilat po e shohin Shqipërinë si një mundësi për të hyrë me ture të organizuara, por ende nuk ka asgjë të finalizuar.Një tjetër treg që po rritet në mënyrë të qëndrueshme në segmentin e turizmit të organizuar është edhe ai spanjoll.“Spanjollët kanë njëfarë rritje dhe është një treg që po ecën ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshme dhe kjo është diçka e mirë.Po vijnë si te hotelet që janë marka që ata i njohin, edhe në hotele të tjera me standard që Durrësit dhe Golemit nuk i mungojnë, por edhe nuk kanë gjetur shumë hapësira pasi vendet ishin parablerë nga tregje të tjerë”, – tha z. Kasa. Burimi: INSTAT Lexoni edhe: https://monitor.al/ka-me-pak-rezervime-individuale/https://monitor.al/golemi-mire-me-shifrat-e-turisteve-por-mungesa-e-ujit-po-behet-problem-serioz-2/https://monitor.al/nderhyrja-ne-nyjen-hidroteknike-te-rezervuarit-te-manskurise-le-pa-uje-golemin-2/   Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • Qytetet më të mira për të jetuar për 2025

    Qytetet më të mira për të jetuar për 2025

    Sipas Indeksit Global të Jetueshmërisë për vitin 2025, i përgatitur nga The Economist Intelligence Unit, qyteti më i banueshëm në botë është Kopenhageni, duke i dhënë fund epërsisë trevjeçare të Vjenës. Ky indeks vlerëson mbi 30 tregues të shpërndarë në pesë kategori: stabilitet, shëndetësi, kulturë dhe mjedis, arsim dhe infrastrukturë.Kopenhageni arriti rezultatin më të lartë të përgjithshëm me 98 pikë nga 100 të mundshme, falë notave maksimale në stabilitet, arsim dhe infrastrukturë. Vjena dhe Zyrihu ndajnë vendin e dytë me nga 97.1 pikë.VjenëMelburni dhe Gjeneva renditen më pas, ndërsa Australia konfirmon dominimin e saj në renditje me tre qytete në dhjetëshen e parë: Melburn, Sidnej dhe Adelaide.Ndërkohë, Vankuveri është i vetmi qytet nga Amerika e Veriut që mbetet në listë, pasi Kalgari ra nga vendi i pestë në të tetëmbëdhjetin, për shkak të rënies së vlerësimeve në sektorin e kujdesit shëndetësor.Zvicra gjithashtu shënon një prani të fortë me dy qytete, Zyrihun dhe Gjenevën, dhe është shpallur vendi më i mirë për të jetuar dhe punuar për vitin 2025.ZyrihNë rastin e Vjenës, rënia në renditje lidhet me një kërcënim për bombë para një koncerti të Taylor Swift dhe një sulm të planifikuar në një stacion treni, të cilat ndikuan negativisht në pikët për stabilitetin.Në përgjithësi, qytetet e Europës Perëndimore dhe rajonit Azi-Paqësor vazhdojnë të dominojnë renditjen. Megjithëse rezultati mesatar global i jetueshmërisë mbeti i pandryshuar nga viti 2024 në 76.1 pikë, ka një rënie të vazhdueshme në kategorinë e stabilitetit për shkak të tensioneve gjeopolitike dhe trazirave civile në shumë pjesë të botës.Renditja e 10 Qyteteve më të Banueshme në Botë për 2025:1. Kopenhagen – Danimarkë – 98.02. Vjenë – Austri – 97.13. Cyrih – Zvicër – 97.14. Melburn – Australi – 97.05. Gjenevë – Zvicër – 96.86. Sidnej – Australi – 96.67. Osaka – Japoni – 96.08. Auckland – Zelandë e Re – 96.09. Adelaide – Australi – 95.910. Vankuver – Kanada – 95.8/ VC, Shqip.alKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • “Aventura me turizmin”, kur shteti zgjedh forcën, jo vizionin

    “Aventura me turizmin”, kur shteti zgjedh forcën, jo vizionin

    Editorial / Aktori Liam Neeson e “bëri të njohur” Shqipërinë duke ndjekur Markon nga Tropoxha (Tropoja).Filmi “Taken”, ku Neeson luan rolin kryesor, dhe seriale si “Blacklist” apo “Bones” kanë përfshirë sekuenca ku shqiptarët përshkruhen si rrëmbyes, trafikantë apo terroristë.Për dekada, Shqipëria ka luftuar me imazhin e një vendi të rrezikshëm, të lidhur me krimin, trazirat dhe paqëndrueshmërinë. Edhe vetë qeveria shqiptare përdori në një reklamë sloganin “takenbyalbania”, duke “ftuar” aktorin Neeson të vizitonte një Shqipëri ndryshe nga sa përshkruhej në film.U desh që vendi i shqiponjave të “zbulohej” nga turistët që ky imazh të ndryshonte tërësisht. Ishin vetë të huajt, që gjetën një Shqipëri tjetër, që po zhvillohej me shpejtësi, me diversitet natyror e kulturor, çmime të lira, traditë, njerëz miqësorë.Dalëngadalë Shqipërisë po i largohet stigma e të qenët një vend i rrezikshëm, nga krimi i organizuar dhe turistët janë në fakt ata që po i ndryshojnë imazhin vendit, duke e bërë atë viral për mirë në rrjete sociale.Vendi madje renditet si një ndër pesë më të mirët për të udhëtuar vetëm nga platformat e specializuara për udhëtime.Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë se ky imazh është ende i brishtë – dhe mund të dëmtohet lehtësisht.Pamjet e fundit nga Thethi – një ndër perlat natyrore të Shqipërisë dhe një destinacion gjithnjë e më i promovuar – treguan një skenë krejt tjetër: përplasje fizike mes policisë dhe banorëve, nxjerrjen e armëve në mes të sezonit turistik, një shfaqje force që ngjalli frikë dhe pasiguri te turistët e huaj dhe vendas.Kjo nuk ishte më një skenë filmi, por një realitet shqetësues që mund të kthejë mbrapa vite përpjekjesh për përmirësimin e imazhit të vendit.Sigurisht, shteti ka të drejtë të luftojë ndërtimet pa leje dhe paligjshmërinë, jo vetëm në Theth por në çdo cep të vendit, por ndërhyrja në Theth nxorri në pah dy problematika kryesore:1.Mungesa e përgjegjësisë institucionale – aksioni nxori zbuluar vetë institucionet shtetërore, që me dashje (para zgjedhjeve) apo pa dashje (nga paaftësia) kishin lejuar që të bëheshin kudo ndërtime pa leje. Ndërtimet pa leje janë toleruar për vite, shpesh në periudha zgjedhore apo për shkak të mungesës së planeve rregulluese.2.Metoda e ndërhyrjes dëmton imazhin – aksionet me fadroma në kulmin e sezonit krijojnë pasiguri dhe dëmtojnë edhe ata që operojnë ligjërisht.Shqipëria nuk po kalon një sezon të lehtë turistik as pa këto episode. Probleme si furnizimi me ujë, ndotja e detit nga ujërat e zeza, menaxhimi i mbetjeve, djegia e plehrave, infrastruktura rrugore, apo trafiku i rënduar kanë krijuar një mjedis stresues për operatorët turistikë dhe pushuesit.Dhoma Amerikane e Tregtisë, në një deklaratë të drejtpërdrejtë, paralajmëroi për ndikimin negativ që këto probleme po sjellin në cilësinë e jetesës dhe në funksionimin e strukturave akomoduese.Bumi i sektorit turiztik i erdhi Shqipërisë në një moment kritik, duke amortizuar pasojat e rënies së popullsisë në konsum dhe duke nxitur një sërë sektorësh ekonomikë.Interesi i lartë e kapi qeverinë disi të papërgatitur, pa një model të qartë të politikave të zhvillimit dhe kjo është e dukshme në mënyrën se si po menaxhohet sektori.Në disa zona, zhvillimi iu la rastësisë, si në veri, ku banorët ndërtuan pasi nuk po zgjidhnin as problemin e pronësisë dhe as po merrnin dot leje në mungesë të planeve të zhvillimit.Në disa zona, si në jug, kodrat po betonohen me leje strategjike. Në disa të tjera, zonave natyrore po u hiqet mbrojtja.Turizmi nuk zhvillohet me aksione policore apo me “fushata” sezonale. Ai kërkon strategji afatgjata, planifikim të integruar, bashkëpunim institucional dhe respekt për komunitetin lokal. Aty ku mungon shteti, lind kaosi. Dhe aty ku kaosi bëhet normë, turisti largohet.Nëse Shqipëria do të vazhdojë të ecë përpara si një destinacion i qëndrueshëm dhe konkurrues, duhet të kuptojë se zhvillimi turistik nuk është çështje force, por çështje vizioni.Pa një plan kombëtar për zhvillimin e zonave turistike, pa rregullime ligjore për pronësinë, pa standarde ndërtimi, pa infrastrukturë dhe shërbime publike funksionale, vendi rrezikon që ky “aventurizëm turistik” të përfundojë në një histori të palumtur – jo vetëm për turistët, por për të gjithë ekonominë.Turizmi, njësoj si ekonomia në tërësi, nuk ndërtohet me aksione, por me institucione funksionale, me politika të qëndrueshme dhe plane të qarta zhvillimi. Përndryshe, “imazhi i ri” i Shqipërisë do të jetë po aq i rrezikshëm sa në filma – vetëm se këtë herë, i vërtetë.    Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • RIT Tirana, universiteti i ri, i fokusuar te teknologjia dhe inovacioni

    RIT Tirana, universiteti i ri, i fokusuar te teknologjia dhe inovacioni

    Ndërkohë që kërkesa për profesionistë të teknologjisë në Shqipëri po rritet, shumë kompani, si startup-et dhe bizneset e mëdha të sektorit IT, përballen me sfida për të mbajtur talentin vendas. Për të frenuar këtë fenomen dhe për të krijuar një ekosistem më tërheqës për të rinjtë e talentuar, një nga zgjidhjet më efikase është investimi në arsim cilësor brenda vendit, duke ofruar diploma me standarde ndërkombëtare dhe programe studimi që lidhen drejtpërdrejt me nevojat e tregut të punës. Deada HykaNë një treg pune gjithnjë e më të ndikuar nga zhvillimet teknologjike dhe kërkesat e reja të ekonomisë globale, arsimi mbetet faktori kyç për suksesin profesional.Statistikat tregojnë se profesionet më të kërkuara sot lidhen ngushtë me teknologjinë, inxhinierinë dhe shkencat kompjuterike, ndërsa sipas një raporti të Forumit Ekonomik Botëror, deri në vitin 2030, mbi 85 milionë vende pune mund të mbeten bosh për shkak të mungesës së aftësive të duhura në fuqi punëtore.Shqipëria, si pjesë e këtij ekosistemi të ndërlidhur, përballet me sfidën e përshtatjes së sistemit arsimor me nevojat e tregut të punës, pasi aktualisht, sipas të dhënave të INSTAT, mbi 30% e të rinjve të diplomuar nuk gjejnë një vend pune në përputhje me profilin akademik.Po sipas të dhënave të fundit të INSTAT, gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka humbur një pjesë të konsiderueshme të të rinjve të kualifikuar në fushën e teknologjisë dhe inxhinierisë.Të dhëna të tjera tregojnë se një pjesë e madhe e studentëve, që ndjekin studime jashtë vendit, në fusha si informatikë, inxhinieri softuerike dhe Inteligjencë Artificiale, zgjedhin të mos kthehen më në Shqipëri pas diplomimit. Kjo ka sjellë një boshllëk të madh në tregun vendas të punës, duke vështirësuar përpjekjet e kompanive për të gjetur specialistë të fushave teknologjike.Ndërkohë që kërkesa për profesionistë të teknologjisë në Shqipëri po rritet, shumë kompani, si startup-et dhe bizneset e mëdha të sektorit IT, përballen me sfida për të mbajtur talentin vendas.Për të frenuar këtë fenomen dhe për të krijuar një ekosistem më tërheqës për të rinjtë e talentuar, një nga zgjidhjet më efikase është investimi në arsim cilësor brenda vendit, duke ofruar diploma me standarde ndërkombëtare dhe programe studimi që lidhen drejtpërdrejt me nevojat e tregut të punës. Universiteti i ri, i fokusuar te teknologjia dhe inovacioniNë këtë kontekst, hapja e RIT Tirana, në bashkëpunim me Institutin “Harry Fultz” dhe Institutin e Teknologjisë Rochester, vjen si një zhvillim domethënës për sistemin arsimor shqiptar, duke ofruar një model të ri edukimi, i fokusuar te teknologjia dhe inovacioni.Ky institucion, pjesë e rrjetit global të Rochester Institute of Technology (RIT), një prej universiteteve më prestigjioze në SHBA në fushën e teknologjisë dhe inxhinierisë, sjell në Shqipëri një standard akademik të krahasueshëm me atë të kampuseve të tij ndërkombëtare në Nju Jork, Dubai, Kosovë, Kroaci dhe Kinë.Studentët e RIT Tirana, jo vetëm që do të mësojnë nga profesorë të kualifikuar shqiptarë dhe të huaj, por do të kenë mundësinë të studiojnë një ose dy semestra në kampuset e tjerë të RIT, duke përfituar nga një eksperiencë globale, me kosto më të ulët.Një tjetër aspekt inovativ i këtij institucioni është programi i punësimit profesional (CO-OP), i cili u mundëson studentëve të vendosin në praktikë njohuritë e fituara gjatë studimeve nëpërmjet bashkëpunimeve me kompani dhe organizata ndërkombëtare.Ky model është dëshmuar i suksesshëm në SHBA dhe vende të tjera, duke rritur ndjeshëm përgatitjen e studentëve për tregun e punës.Në një kohë kur edukimi cilësor dhe aftësitë teknologjike janë vendimtare për suksesin profesional, RIT Tirana hap një epokë të re për studentët shqiptarë, duke u ofruar atyre jo vetëm një diplomë amerikane të njohur ndërkombëtarisht, por edhe një avantazh real në një treg pune gjithnjë e më konkurrues.Me regjistrimet, që priten të nisin për vitin akademik 2025-2026, ky institucion premton të bëhet një pikë referimi për të gjithë ata që duan një karrierë të sigurt në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.Në këtë kontekst, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në mbështetjen e studentëve shqiptarë nëpërmjet një programi të ri bursash.Ky program synon të ofrojë mundësi të shkëlqyera për studentët e talentuar, por me mundësi të kufizuara financiare, për të ndjekur studime në institucione të arsimit të lartë me standarde ndërkombëtare, si në Shqipëri ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Jonida Lamaj, Menaxhere Projekti për Edukimin në AADF, thotë se ky program do të ndihmojë jo vetëm në promovimin e ekselencës akademike, por edhe në integrimin e standardeve globale në sistemin arsimor shqiptar.Synimi i tij është që të zhvillojë aftësitë e studentëve, duke i përgatitur ata për të kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.“Qëllimi i programit është të promovojë ekselencën akademike, duke mbështetur studentët e talentuar, por që nuk kanë mundësi financiare për të ndjekur programe të tilla akademike.Me këtë  projekt, AADF synon të kontribuojë në përmirësimin e sistemit arsimor shqiptar, duke integruar standardet dhe praktikat akademike globale, si dhe duke zhvilluar aftësitë e individëve që mund të kontribuojnë në progresin ekonomik dhe social të vendit.Aplikimet për të përfituar nga bursat që AADF do të ofrojë për të rinjtë shqiptarë do të nisin në mars, ndaj për t’u informuar për çdo event nga programi i bursave, ju ftojmë të vizitoni dhe të regjistroheni në websiten zyrtar: https://aadfscholarship.org/.” – thotë znj. Lamaj. RIT TiranaHapja e RIT Tirana, në bashkëpunim me Institutin “Harry Fultz” dhe Institutin e Teknologjisë Rochester, vjen si një zhvillim domethënës për sistemin arsimor shqiptar, duke ofruar një model të ri edukimi, i fokusuar te teknologjia dhe inovacioni. Ky institucion, pjesë e rrjetit global të Rochester Institute of Technology (RIT), një prej universiteteve më prestigjioze në SHBA në fushën e teknologjisë dhe inxhinierisë, sjell në Shqipëri një standard akademik të krahasueshëm me atë të kampuseve të tij ndërkombëtare në Nju Jork, Dubai, Kosovë, Kroaci dhe Kinë.  RIT Tirana: Një oaz i ri për edukimin teknologjik në ShqipëriNë fushën e arsimit të lartë, një tjetër zhvillim i rëndësishëm është hapja e RIT Tirana / American Academy of Technology Tirana, një institucion i ri akademik në bashkëpunim me universitetin prestigjioz Rochester Institute of Technology (RIT) në Nju Jork dhe RIT Kosovën.Ernaso Kërbizi, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit “Instituti Teknologjik i Tiranës”, thotë se RIT Tirana është institucioni i vetëm në Shqipëri që ofron një diplomë amerikane, duke garantuar cilësi dhe mundësi të jashtëzakonshme për studentët shqiptarë. Aktualisht ofrohen dy programe kryesore:Inxhinieri Elektrike dhe Teknologji (Electrical Engineering and Technology); Informatikë dhe Teknologjitë e Informacionit (Computing Information Technology)Një nga avantazhet kryesore të këtij institucioni është mundësia e shkëmbimit akademik dhe kulturor në kampuset globale të RIT në Nju Jork, Dubai, Kroaci, Kosovë etj. Për më tepër, nëpërmjet programit inovativ të punësimit profesional (CO-OP), studentët do të kenë mundësinë të fitojnë përvojë reale pune gjatë studimeve të tyre.“Studentët e RIT Tirana do të kenë mundësinë të shkëmbejnë eksperiencë akademike dhe kulturore një ose dy semestra në një prej kampuseve globale që RIT ka (Nju Jork, Dubai, Kroaci, Prishtinë etj.), me kosto shumë herë më të ulët sesa studentët përkatës të këtyre kampuseve.Një tjetër risi që RIT sjell në Shqipëri është ofrimi i mundësive të punësimit profesional (CO-OP) gjatë periudhës së studimeve.Ky program inovativ u mundëson studentëve të vendosin në praktikë njohuritë e mësuara, duke fituar përvojë reale në industri të ndryshme dhe duke ndihmuar në zhvillimin e aftësive që kërkohen nga tregu global i punës.Në përfundim të studimeve, diploma me të cilën pajisen studentët është e barasvlershme me atë që moshatarët e tyre marrin në RIT New York, duke u siguruar një kurrikulë të standardizuar gjatë viteve akademike.Kjo ofron mundësi të shkëlqyera për të konkurruar në tregun ndërkombëtar të punës”, – përfundon z. Kërbizi. RIT dhe bashkëpunimi me ShqipërinëInstituti i Teknologjisë i Rochester-it (RIT), i njohur ndërkombëtarisht për kërkimin dhe inovacionin në teknologji, inxhinieri dhe dizajn, është tashmë i pranishëm në Shqipëri. Falë bashkëpunimit me Institutin “Harry Fultz”, Shqipëria bëhet pjesë e rrjetit global të RIT, duke u ofruar studentëve mundësinë për të përfituar nga një arsim i nivelit të lartë me standarde amerikane.    Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • Mbretëria e Bashkuar pret që BE të miratojë marrëveshjen e emigracionit me Francën

    Mbretëria e Bashkuar pret që BE të miratojë marrëveshjen e emigracionit me Francën

    Sekretarja e Shteti për Punët Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar është e bindur se skema që synon kalimet me anije të vogla nuk do të vonohet nga kundërshtimi i EuropësMbretëria e Bashkuar pret që Bashkimi Europian të miratojë marrëveshjen për kthimin e emigrantëve me Francën, tha Sekretarja e Shtetit për Punët e Brendshme Yvette Cooper, pasi Franca tha se duhej të ratifikohej ligjërisht përpara se të vihej në veprim.Yvette Cooper tha se mendonte që Komisioni Europian do të miratonte skemën pilot, e cila do të përfshijë kthimin në Francë të disa njerëzve që kalojnë Kanalin La Manche me anije të vogla, në këmbim të zhvendosjes së disa azilkërkuesve nga Franca në Mbretërinë e Bashkuar.Skema, e cila u njoftua të enjten nga kryeministri i MB, Keir Starmer, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të shënonte herën e parë që Franca ka rënë dakord të marrë mbrapsht disa nga ata që kalojnë Kanalin La Manche. Por shumë detaje të skemës mbeten të paqarta, siç është pyetja se sa do të kthehen dhe kur do të fillojë.Cooper tha se nuk priste që zbatimi të vonohej nga kundërshtimi i Europës, pavarësisht se vendet mesdhetare kanë shprehur shqetësim për perspektivat e azilkërkuesve të kthyer, që udhëtojnë përsëri në Europën Jugore.“Kemi folur me komisionerët e BE-së,” tha ajo. “Kemi folur gjithashtu me ministra të tjerë të brendshëm europianë dhe qeveri gjatë gjithë këtij procesi.“Ministrja e brendshme franceze dhe unë kemi folur për këtë, për ta zhvilluar këtë plan, që nga tetori i vitit të kaluar, dhe komisionerët e BE-së kanë qenë shumë mbështetës. Prandaj e kemi hartuar këtë në një mënyrë që të funksionojë, jo vetëm për Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën, por edhe për t’iu përshtatur të gjitha shqetësimeve të tyre.”E pyetur nëse ishte e bindur se do të miratohej nga BE, ajo tha: “Meqenëse e kemi bërë këtë punë deri në fund, presim që komisioni i BE-së të vazhdojë të jetë mbështetës.”Megjithatë, ajo nuk tha se çfarë qasje priste nga shtetet anëtare, përfshirë Spanjën, Italinë, Greqinë, Maltën dhe Qipron.Starmer dhe Macron njoftuan projektin pilot në fund të një vizite shtetërore tre-ditore nga presidenti francez, e cila ishte hartuar për të treguar një nivel të ri bashkëpunimi pas Brexit midis dy vendeve.Sipas skemës, zyrtarët britanikë do të zgjedhin një numër të caktuar të mbërritjeve për t’u kthyer në zona të Francës larg bregdetit verior, në këmbim të marrjes së azilkërkuesve që mund të tregojnë se kanë një lidhje familjare me Britaninë.Ministrat shpresojnë se skema do t’i dekurajojë njerëzit që të kalojnë Kanalin, megjithëse nuk do të thonë se sa njerëz do të kthehen ose si do të përzgjidhen ata.As Cooper dhe as Starmer nuk i kanë mohuar raportet se projekti pilot fillimisht do të zbatohet vetëm për 50 persona në javë, rreth 6% të totalit mesatar javor.Chris Philp, Sekretari në hije për Punët e Brendshme i Mbretërisë së Bashkuar, tha: “Shifrat do të jenë të vogla. Ne do të lejojmë që 94% e emigrantëve të paligjshëm të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar, çka nuk përbën aspak pengesë.” / The GuardianKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.