Author: AgroWeb.org

  • Vezët e Peshkut, Burimi Natyral i Shëndetit të Mirë

    Vezët e Peshkut, Burimi Natyral i Shëndetit të Mirë

    Vezët e peshkut janë një burim i shkëlqyer i vitaminës D dhe rekomandohen fort për të zgjidhur problemin shqetësues të mungesës së kësaj vitamine.

    Sipas të dhënave të AgroWeb.org kjo vitaminë e mrekullueshme ul gjasat e shfaqjes së sëmundjeve të zemrës, çrregullimeve imunitare dhe formimin e qelizave të dëmshme.
    Në diagnostifikimin e sëmundjeve, mjekët po përfshijnë edhe analizat e sasisë së vitaminës D për të cilën ka nevojë pacienti.
    Ndaj ata po e  rekomandojnë gjithnjë më shumë.
    Përveç suplementëve që gjenden sa hap e mbyll sytë, vitaminën D mund ta merrni nga burime natyrale.
    Këto të fundit janë shumë të shëndetshme.
    I tillë është rasti i vezëve të peshkut, një ushqim rëndësia e të cilit ka dalë në pah shumë kohë më parë.
    Një analizë e Fondacionit Weston A.Price shpjegon se një lugë gjelle me vezë peshku në formë pluhuri përmban 17,000 njësi të vitaminës D.
    Në të njëjtën sasi gjenden vitamin A, K2, zinku, Jodi dhe acidet yndyrore omega-3.
    Ku Mund Të Gjeni Vezët e Peshkut ?
    Vezët e peshkut mund t’i blini në shumë dyqane peshku.
    Në këto të fundit, vezët janë të pastruara dhe gati për gatim ose pjekje.
    Në ndalesën tuaj të rradhës, kërkoni për vezë të freskëta që të merrni më të mirën prej tyre.
    Shumë njerëz i injorojnë këto thesare, pa qenë në dijeni për vlerat e mrekullueshme që ato mbartin.
    Dashamirësit e këtij ushqimi i konsumojnë edhe në mëngjes disa herë në javë.
    Mjafton edhe gjysëm luge çaji në ditë për të marrë shumë ushqyes të dobishëm.
    Shija është e mrekullueshme, por duhet të mësoheni me të.
    Nëse nuk i keni provuar më parë, niseni me sasi të vogla, deri sa të zbuloni shijen e pashoqe.
    AgroWeb.org ju sugjeron që vezët e peshkut mund t’i kaurdisni me vaj ulliri për dy ose tre minuta.
    Ato mund t’i lyeni me miell dhe t’i gatuani njësoj si peshqit. /AgroWeb.org

  • Jahni me Bizele – Receta e Përsosur Plot Shije dhe Shëndet

    Jahni me Bizele – Receta e Përsosur Plot Shije dhe Shëndet

    Një recetë fantastike e traditës shqiptare në përgatitjen e jahnisë.

    Një gjellë tipike e përgatitur me perime të ndryshme por që ka një shije të mrekullueshme në secilën prej recetave të saj, siç është edhe jahnia me bizele.
    Shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me sallata të freskëta të stinës, turshi, djathra të ndryshëm, salcë kosi e bukë të thekur.
    Ndiqni më poshtë recetën e vjetër nga Agroweb.org dhe përgatiteni këtë pjatë fantastike për të mbushur plot shije tryezën në familje.
    Përgatitja e Bizeleve Jahni Në Shtëpi
    (Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

    1 kg bizele
    4-5 thela mish viçi (lloji i mishit sipas preferencës)
    2 filxhanë kafeje vaj ulliri
    Qepë të njoma
    1-2 lugë gjelle miell gruri
    2-3 domate
    1 lugë gjelle salcë domate
    1 karrotë
    1 patate
    Kripë
    Kopër

    Përgatitja
    Kaurdiset mishi me vaj ulliri, shtohen qepët e grira hollë.
    Vijojmë t’i kaurdisim ndërkohë shtojmë karrotat e prera në kubikë, më pas patatet e prera gjithashtu në kubikë.
    Shtojmë bizelet, i kaurdisim pak dhe më pas domatet, salcën e domateve, i kaurdisim dhe më pas shtojmë miellin.
    Vijojmë t’i përziejmë për pak, në fund shtojmë kripën dhe gjysmën e koprës së grirë.
    I lëmë të ziejnë derisa gjella të jetë gati.
    Në fund i hedhim pjesën tjetër të koprës së grirë hollë dhe e shërbejmë të ngrohtë.
    Vlerat ushqyese
    Bizelet janë një burim i pasur i vitaminës K, manganit, fibrës, vitaminës B1, bakrit, vitaminës C, fosforit dhe folatit.
    Sipas të dhënave të AgroWeb.org bizelet janë gjithashtu një burim i mirë i vitaminës B6, niacinës, vitaminës B2, zinkut, proteinës, magnezit, hekurit dhe potasiumit.
    Bizelet ndihmojnë duke mbajtur nivelin e sheqerit në gjak nën kontroll. Nëse i shton bizelet në dietën tënde të pasur me fibra, atëherë ke arritur të shtosh përfitimet që merr prej saj.
    Bizelet e Ngrira
    Ndërkohë, bizelet e ngrira që shiten në treg, kanë një afat përdorimi nga 24 në 30 muajsh.
    Por, rekomandimi i ekspertëve është që bizelet e ngrira të përdoren nga 6 në 12 muaj nga data e paketimit për të përfituar maksimalisht nga freskia e tyre.
    Sidoqoftë, nuk duhet kurrë të humbësh mundësinë që të provosh ato bizelet e njoma, të sapovjela, që janë më të freskëtat se çfarëdo tjetër./AgroWeb.org

  • Sekreti i Përgatitjes së Qofteve pa Miell

    Sekreti i Përgatitjes së Qofteve pa Miell

    Qoftet me mish të grirë mund të jenë receta më e lehtë për t’u përgatitur dhe me shijen më të mirë.

    Të buta dhe krokante, qoftet janë perfekte për t’u kombinuar me çdo gatim tjetër, nga makaronat apo orizi e deri tek perimet e pjekura.
    Një recetë e tillë nuk mungon kurrë në tryezat tona.
    Zakonisht amvisat i përgatisin duke përdorur miell, si brenda tyre për t’i thithur lagështirën, por edhe për të mos thithur vaj kur skuqen.
    Ama AgroWeb.org ju tregon një produkt tjetër që gjendet në shtëpitë tuaja që mund të zëvendësojë miellin.
    Lexoni recetën dhe zbuloni si mund të përdorni bukën e thekur të thërrmuar për të përgatitur qoftet më të shijshme që keni provuar.
    Përgatitja e Qofteve të Shtëpisë  
    Përbërësit 
    (Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

    300-400 gr mish i grirë
    2 kokrra qepë
    2 feta bukë
    Bukë e thekur e thërrmuar
    1 kokërr vezë
    3-4 thelpinj hudhra
    Vaj
    Kripë, piper, nenexhik

    Përgatitja  
    Në një tas të madh bashkojmë mishin e grirë me vezën, bukën e qullur me ujë ose qumësht, kripën, piperin, nenexhikun e grirë hollë, qepët dhe hudhrat e grira hollë dhe i përziejmë  mirë derisa masa të jetë bërë homogjene.
    Tani AgroWeb.org ju sugjeron që tani të filloni të shtoni bukën e thekur të thërrmuar.
    Duhet të hidhni aq sa brumi i qofteve të mos ju ngjitet në duar.
    Filloni duke hedhur gjysmë gote uji me bukë thekur të thërrmuar dhe më pas ta punoni me masën tjetër.
    Kur të jetë përzjerë plotësisht shtoni përsëri derisa të jeni të kënaqur me rezultatin.
    Qoftet i ndajmë në forma të rrumbullakëta në madhësinë e një kokërr are.
    I kalojmë përsëri në bukë të thekur, sa t’i krijohet një shtresë e lehtë në sipërfaqen e qofteve, dhe më pas i skuqim në zjarr të fortë nga të dyja anët.
    Nëse preferoni,  mund të përgatisni edhe salca të ndryshme shtëpie për t’i shoqëruar. Mund të përgatisni salcë me domate dhe hudhra.
    Mjafton të skuqni si fillim 5-6 thelpinj hudhra të shtypur me vaj ulliri , e më pas shtojini 4-5 domate të grira në rende, hidhini kripë, piper e pak spec djegës nëse preferoni dhe  lëreni në zjarr derisa salca të jetë gati.
    Por mund të përgatisni gjithashtu edhe salcë kosi të kombinuar me kastravecë të grirë, hudhra dhe arra të grira gjithashtu. Sipër spërkateni me pak vaj ulliri. /AgroWeb.org

  • Bizelet – Si t’i Zgjidhni, Ruani, Pastroni dhe si t’i Gatuani më së Miri

    Bizelet – Si t’i Zgjidhni, Ruani, Pastroni dhe si t’i Gatuani më së Miri

    Të gjithanshme dhe të shijshme, bizelet janë kryefjala e kuzhinës në pranverë.

    Nga prilli deri në maj, në tezgat e tregut mund të gjeni bizele të freskëta.

    Një ushqim që përmban pak yndyrë e kalori, dhe shumë të pasura me vitamina, minerale e proteina.

    Bizelet mund të përgatiten në mënyra të ndryshme, duke krijuar pjata të thjeshta dhe të shijshme që kënaqin më së miri shijen tuaj.

    AgroWeb.org ju njeh më poshtë me disa këshilla dhe mënyra të thjeshta të përgatitjes së tyre.

    Si t’i zgjidhni dhe si t’i pastroni bizelet

    Kur blini bizele të freskëta, kontrolloni bishtajat. Ato duhet të jenë të shndritshme dhe kur t’i shtypni, të shoqërohen me kërcitje. Kjo është një shenjë që tregon se produkti është i freskët.

    Pasi t’i qëroni nga lëvorja, mund t’i konsumoni të gjalla ose t’i gatuani sipas dëshirës.

    Si t’i gatuani

    Ju mund t’i zieni në ujë me kripë, për rreth 15 minuta. Pasi të jenë gati, kullojini, hiqni lëvoren që i mbulon dhe përdorni në gatimet tuaja.

    Ose mund t’i skuqni në një tigan, duke krijuar kështu një pjatë të mrekullueshme për gatimet me mish ose peshk.

    Për sa i përket bizeleve të thata, duhet t’i njomni para se t’i konsumoni.

    Nëse kanë lëkurë, duhet t’i lini në ujë për rreth 20 orë.

    Ndërsa për bizelet e thata dhe të qëruara, mjafton t’i lini në ujë për 8 orë dhe më pas mund t’i përdorni.

    Por në rast se keni bizele frigoriferi, përgatitja është shumë më e shpejtë.

    Vendosni direkt në enën e gatimit dhe do të shkrihen falë nxehtësisë, duke ruajtur shijen dhe vetitë ushqyese.

    Si t’i ruani

    Bizelet e freskëta të papërpunuara mund të ruhen në frigorifer për 2-3 ditë, ose derisa bishtaja të jetë ende krokante.

    Ndërsa bizelet e thata, mund të ruhen në një enë hermetike për disa muaj, në një vend të freskët.

    Receta të thjeshta dhe të shijshme

    Supë – Në cilën do formë t’i kini, ju mund të përgatisni gjithmonë një supë të shijshme.

    Gjellë me mish – Për këtë, mjafton të skuqni mishin dhe qepën në një tigan me pak vaj. Shtoni aty bizelet, kripën, piperin dhe kuardisini për disa minuta. Hidhni ujë të nxehtë dhe ziejini në zjarr mesatar për gjysmë ore.

    Makarona me bizele – Fillimisht skuqni qepën në vaj. Shtoni bizelet më pas dhe gatuajini për rreth 5 minuta. Hidhni ujë, kripë dhe piper dhe lërini në zjarr edhe 10 minuta. Shtoni edhe disa domate qershi dhe gatuajini edhe për 5 minuta të tjera.

    Ndërkohë zieni makaronat në ujë të bollshëm me kripë dhe kur të jenë gati kalojini në enën me bizele duke i trazuar. Spërkatini me pak piper dhe shërbejini të nxehta./AgroWeb.org

  • Keku Mermer – Si ta Përgatisni në Shtëpi Ëmbëlsirën e Famshme

    Keku Mermer – Si ta Përgatisni në Shtëpi Ëmbëlsirën e Famshme

    Me siguri e keni parë dhe më parë kekun me sipërfaqe si e mermerit, ku bashkohen disa ngjyra e shije të ndryshme.

    Në recetën e sotëme do të kuptoni se përgatitja e tij është shumë e thjeshtë dhe mund ta përgatisni të gjithë në shëpi.

    Ndiqni recetën mëposhtë dhe mësoni një metodë interesante për të përgatitur ëmbëlsirat.

    Përbërësit

    225 gr gjalpë

    225 g sheqer pluhur

    4 vezë

    225 gr miell për ëmbëlsira

    3 lugë gjelle qumësht

    1 lugë ekstrakt vanilje

    2 lugë gjelle pluhur kakao

    Përgatitja

    Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete, ndizni furrën në temperaturën 180 gradë C dhe lëreni të ngrohet.

    Më pas bëni gati një tavë pjekje 20 cm, lyejeni me pak gjalpë ose vaj dhe sipër shtrojeni me letër furre.

    Vazhdoni me përgatitjen e kekut duke shtuar në një enë gjalpin, sheqerin pluhur, vezët, miellin për ëmbëlsira, qumështin, vaniljen dhe përzieni një nga një përbërësit

    Bëjeni këtë për disa minuta derisa të formoni një masë brumi homogjene.

    Ndani brumin në dy tasa të ndryshëm në masa të barabarta dhe veçmas përgatisni çokollatën.

    Në njërin nga tasat e brumit përzieni 2 lugë gjelle kakao derisa e gjithë masa të marrë ngjyrë çokollate.

    Hidhni gjysmën e brumit tek tava e pjekjes dhe më pas hidhni pjesën tjetër pak nga pak me anë të një luge duke përzier në sipërfaqe.

    Mundohuni të formoni një sipërfaqe të ngjashme me atë të mermerit, tundni pak tavën që të dalin bulëzat e ajrit.

    Më pas futeni tavën të piqet 45-55 minuta derisa të marrë ngjyrë të artë dhe spërkateni me sheqer pluhur kur të jetë gati./AgroWeb.org

  • Ushqimet me Vitaminë A – Pse Janë Jetike për Mbrojtjen e Syve

    Ushqimet me Vitaminë A – Pse Janë Jetike për Mbrojtjen e Syve

    Vitamina A është thelbësore për shumë procese të rëndësishme të organizmit.

    Këtu përfshihen: rigjenerimi i organizmit, shikimi, funksioni normal i imunitetit, organet, rritja dhe zhvillimi dhe mbarëvajtja e shtatzanisë.
    Ekspertët të cilëve u referohet AgroWeb.org, rekomandojnë që burrat të konsumojnë një sasi prej 900 mikrogramësh të vitaminës A në ditë.
    Gratë rekomandohen të marrin 700 mikrogramë ndërsa fëmijët dhe adoleshentët të marrin 300 deri në 600 mikrogramë vitaminë A në ditë.
    Vlerat Më Të Rëndësishme Të Vitaminës A
    Mbrojtje Për Sytë Nga Sëmundjet E Moshës
    Vitamina A është thelbësore për ruajtjen e shëndetit të syve.
    Ajo është e nevojshme për të konvertuar dritën që bie në kontakt me sytë në një sinjal elektrik që i dërgohet trurit.
    Në fakt, një nga simptomat e para të mungesës së vitaminës A, mund të jetë verbëria e natës.
    Kjo ndodh rëndom tek njerëzit që kanë mungesa të kësaj vitamine, duke qenë se ajo është përbërës kryesor i një pigmenti që gjendet tek retina e syrit.
    Ky pigment është tepër i ndjeshëm ndaj dritës.
    Njerzit që vuajnë nga verbëria e natës, shohin mjaft mirë gjatë ditës.
    Por në errësirë, sytë e tyre sforcohen shumë për të parë.
    Për më tepër,sipas të dhënave të AgroWeb.org,  sasitë e mjaftueshme të beta karotenit ngadalësojnë humbjen e shikimit si pasojë e moshës.
    Rrezik Më I Ulët Ndaj Sëmundjeve Tumorale
    Sëmundje si tumori shfaqen në momentin që qelizat e dëmshme rriten ose shpërndahen në mënyrë të pakontrollueshme.
    Duke qenë se vitamina A luan një rol të rëndësishëm në rritjen dhe zhvillimin qelizor, ajo mund të jetë një faktor në rrezikun e prekjes nga sëmundjet e këqija.
    Disa studime kanë zbuluar se sasitë e mëdha të vitaminës A në formën e beta karotenit, ulin rrezikun e radikaleve të lira që dëmtojnë qelizat.
    Për Një Sistem Të Shëndetshëm Imunitar
    Vitamina A luan një rol thelbësor në mekanizmat mbrojtës të organizmit.
    Ajo është përgjegjëse për shtresat mbrojtëse të syve, mushkërive dhe stomakut.
    Kjo vitaminë është e përfshirë edhe në prodhimin dhe funksionin e rruazave të bardha të gjakut.
    Ato pastrojnë gjakun nga bakteret dhe patogjenët e tjerë.
    Për këtë arsye, mungesa e vitaminës A, mund ta bëjë individin një shënjestër më të lehtë të infeksioneve dhe vështirësojë shërimin.
    Vitamina A
    Vitaminën A e merrni edhe si suplement në farmaci, por mund ta gjeni edhe në ushqime të caktuara.
    Ushqimet ku mund ta gjeni: Pjepri, patatet e ëmbla, karrotat, spinaqi, drithërat e pasuruara. /AgroWeb.org

  • Qumështor i Freskët nga Delikatesat e Kuzhinës Shqiptare

    Qumështor i Freskët nga Delikatesat e Kuzhinës Shqiptare

    Tradita shqiptare është padyshim e shijshme.

    Receta të ëmbla apo të kripura, të gatuara prej shekujsh me radhë, të trashëguara brez pas brezi e kanë shndërruar kuzhinën shqiptare në një nga më të veçantat e kulinarisë botërore në përgjithësi.
    Një qumështor nga duart e amvisave shqiptare do të magjpeste këdo me shijen e tij.
    Është një nga ëmbëlsirat më të shijshme të kuzhinës shqiptare. I përgatitur me mjeshtërinë dhe dashurinë e amvisave shqiptare, unik, delikat e kremoz, qumështori është ndër ëmbëlsirat më tunduese të shijes.
    I lehtë plot shije dhe fantastik, ndër të preferuarit në raste festash, qumështori ka mahnitur me shijen e tij këdo që e ka provuar.
    Receta e qumështorit është traditë e të gjitha trevave shqiptare.
    AgroWeb.org i’u përcjell më poshtë recetën tradicionale të përgatitjes së qumështorit në shtëpi. Një mënyrë fantastike për të ëmbëlsuar gjithë familjen por edhe miqtë dhe të afërmit tuaj.
    Përgatitja e Qumështorit në Shtëpi
    Përbërësit

    1 litër e gjysmë qumësht
    10 kokrra vezë
    10 lugë miell
    10 lugë sheqer
    50 gramë gjalpë
    Pak vanilje (sipas dëshirës)

    Përgatitja
    Hedhim në një tas vezët e më pas sheqerin dhe i rrahim fortë.
    Më pas shtojmë, gjalpin të cilin më parë e kemi shkrirë. AgroWeb.org ju këshillon që gjalpin para se ta hidhni në masën e vezëve dhe sheqerit të siguroheni që të jetë jo i nxehtë.
    Më pas hedhim miellin dhe e përzjejmë fortë, pa pushim në mënyrë që mielli të mos krijojë kokërriza.
    Pasi masa të jetë bërë e njëtrajtshme shtojmë qumështin dhe i përzjejmë të gjitha bashkë.
    Masën siç e kemi të lëngshme e hedhim në një tepsi ose tavë qelqi, të cilën më parë e kemi  lyer përmes një furçe kuzhine me pak gjalpë.
    Tepsinë me qumështor ose tavën e qelqit e fusim në furrë, të cilën më parë e kemi nxehur në temperaturën 200 dragë celcius.
    Qumështorin e lëmë të piqet derisa pjesa e sipërfaqes së qumështorit të marrë ngjyrën e artë të pjekjes dhe masa të jetë mpiksur.
    Pasi fiket furra, qumështori lihet edhe për 30 minuta në nxehtësinë e sobës./AgroWeb.org

  • Supë me Kungulleshka dhe Patate për të Gjallëruar Organizmin

    Supë me Kungulleshka dhe Patate për të Gjallëruar Organizmin

    Kungulleshkat janë ndër perimet më fantastike të pasura me vlera ushqyese, të cilat padyshim janë të shijshme në të gjitha mënyrat e gatimit.

    Kjo perime është e pasur me antioksidantë, vitaminë A dhe C si dhe ka pak kalori.
    Kungulleshkat janë një zëvëndësues i mirë për ushqimet e pasura me kalori.
    Për më tepër, kombinimi i fibrës dhe ujit (95%) që gjenden tek kungujt e njomë mbajnë nën kontroll oreksin tuaj, ju ndihmojnë të digjni kalori dhe ju japin shumë energji.
    Të njoma dhe të freskëta kungulleshkat janë një mrekulli për shijen e gjithashtu për shëndetin sidomos kur përgatiten në formën e supës.
    Një recetë e vjetër, e përgatitur nga nënat dhe gjyshet shqiptare për një vakt të lehtë dreke apo edhe darke.
    Supa me kungulleshka përgatitet krejt lehtë dhe është fantastike për t’u shoqëruar me sallata të freskëta të stinës, bukë të thekur, e sidomos me byrekë të ndryshëm shtëpie.
    AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë një recetë fantastike të përgatitur nga amvisat shqiptare mbi supën krem me kungulleshka, një mënyrë fantastike për të servirur për familjen një vakt të shijshëm e të shëndetshëm gjithashtu.
    Përgatitja e Supës Krem me Kungulleshka
    Përbërësit
    (Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

    4 kungulleshka
    2 kokrra patate mesatare
    1 karrotë
    Lëng pule ose lëng perimesh
    Vaj Ulliri    
    Kripë
    Piper
    Dy thelpinj hudhra

    Përgatitja
    Si fillim, kungulleshkat pastrohen me ujë të rrjedhshëm. U hiqet bishti dhe pjesa e kokës dhe priten në kubikë të vegjël.
    Qerohen patatet dhe karrota dhe priten gjithashtu në kubikë të vegjël.
    Në një tenxhere shtojmë vajin e ullirit.
    Më pas, AgroWeb.org ju sugjeron të hidhni karrotat dhe patatet, kaurdisini për disa sekonda dhe më pas shtoni edhe kungulleshkat.
    Vijoni t’i kaurdisni për pak dhe më pas shtoni kripën dhe lëngun e pulës ose lëngun e perimeve.
    Pasi kanë zjerë të gjitha bashkë i heqim nga zjarri, i kalojmë në mikser derisa masa të bëhet kremoze.
    Kur shërbehet sipër i shtohen hudhra të shtypura, piper i zi dhe sipas preferencës supa krem mund të spërkatet edhe më një lugë kos sipër./AgroWeb.org 

  • Dëmet që Shkakton Migrena në Trup – Përveç Dhimbjes së Kokës

    Dëmet që Shkakton Migrena në Trup – Përveç Dhimbjes së Kokës

    Sëmundjen e migrenës edhe nëse nuk e vuani apo përjetoni vetë, me siguri e keni dëgjuar të përmendet shpesh.

    Është shumë e famshme për efektet dhe krizat e vazhdueshme që shkakton dhe njihet si një nga dhimbjet më të forta të kokës.
    Mund të shkaktojë ditë të tëra pa gjumë dhe një sërë simptomash të tjera të cilat vijnë prej dhimbjes së vazhdueshme.
    Kur kjo dhimbje mbaron, duket sikur edhe efekti i saj ka mbaruar gjithashtu, por jo gjithnjë është kështu.
    Sipas ekspertëve kjo sëmundje i shkakton trupit një sërë dëmesh të tjera të cilat nuk kanë lidhje me dhimbjen e kokës.
    Në këtë artikull nga AgroWeb.org ju shpjegojmë pikërisht këto efekte të mëdha që kjo sëmundje ka mbi të gjithë organizmin.
    Ndiqini më poshtë të listuara të gjitha këto efekte negative.
    Probleme me këmbët
    Sipas të dhënave 1 në 6 persona që vuajnë nga migrena kanë probleme edhe me këmbët.
    Bëhet fjalë për një problem neurologjik i cili e shtyn këtë pjesë të trupit të lëvizë në mënyrë të pavullnetshme.
    Gjithashtu mund të ndjeni pickime apo mpirje të zonës së këmbëve.
    Probleme me zemrën
    Personat që vuajnë nga migrena kanë 50% më shumë mundësi të preken nga sëmundjet kardiovaskulare.
    Këtu përfshihen atakët në zëmër, ishemia apo sëmundje të tjera të zemrës.
    Megjithëse mjekët nuk janë ende të qartë se si migrena e ndikon kaq negativisht zemrën, të dhënat tregojnë se gratë janë më të rrezikuarat.
    Probleme me gjumin
    Pagjumësia është një nga problemet më të mëdha dhe të shpeshta që migrena shkakton.
    Dhimbjet e mëdha dhe të vazhdueshme në kokë e bëjnë të pamundur mbylljen e syve dhe pushimin e qetë.
    Migrena me pagjumësinë janë ngushtë të lidhura pasi mund të provokojnë dhe shkaktojnë njëra tjetrën.
    Këtë e pohojnë edhe 66% e të pyeturve në një studim të publikuar në vitin 2016.
    Probleme me muskujt
    Dobësimi i muskujve është gjithashtu një problem primar tek personat e prekur nga migrena.
    Mund të prekë trupin nga koka deri tek këmbët, duke shkaktuar kontraksime, djegie apo dhimbje të muskujve.
    Për rrjedhojë do të keni edhe më shumë vështirësi në lëvizje.
    Shëndeti mendor
    Duke qenë se migrena bën që të përjetoni dhimbje të vazhdueshme, ndikon shumë edhe shëndetin mendor.
    Këtu përfshihen ndjenja ankthi apo depresioni të cilat kthehen në arsye për të pasur dhimbje të shtuara.
    Sipas një studimi të cilit i referohet AgroWeb.org, personat që vuajnë nga migrena janë shumicën e kohës në ankth se kur dhimbjet e sëmundjes do të shfaqen përsëri.
    Dëmton jetën shoqërore
    Të kesh një jetë sociale të shëndetshme do të thotë edhe të jesh prezent e më energjinë e duhur.
    Të dhënat tregojnë se në 4000 persona, rreth 2/3 e tyre shprehen se nuk janë më të njëjtët që pas zhvillimit të sëmundjes.
    Kjo për shumë arsye, por së pari prej pamundësisë për të kryer aktivitete gjatë kohës që sëmundja godet.
    Gjithashtu dhe për shkak të ndjenjave të shtuara të nervozitetit, ankthit apo depresionit.
    Për ta parandaluar sëmundjen në mënyra natyrale AgroWeb.org ju sugjeron një listë me ushqimet e duhura kundër sëmundjes duke klikuar këtu./AgroWeb.org

  • Tavë me Kungulleshka të Mbushura me Perime – Si ta Përgatisni Krejt Lehtë

    Tavë me Kungulleshka të Mbushura me Perime – Si ta Përgatisni Krejt Lehtë

    Pjatat e lehta nuk mund të kenë shije tjetër veçse kombinimit të perimeve.

    Salca e kosit kremoze dhe pak e athët, është perfekte për t’u shijuar me shijen e lehtë të kungulleshkave.
    Në këtë recetë pranverore AgroWeb.org ju tregon kombinimin më të mirë të këtyre dy përbërësve.
    Ndiqni hap pas hapi si më poshtë recetën e mrekullueshme të kungulleshkave të mbushur me salce kosi dhe perime.
    Përbërësit

    4 kungulleshka mesatare
    50 gr djathë i bardhë
    120 gr salcë kosi
    1 qepë e vogël
    1 domate
    1 spec i kuq
    1 tufë majdanoz
    piper i zi
    kripë
    vaj ulliri

    Përgatitja
    AgroWeb.org ju këshillon ta nisni këtë recetë duke pastruar kungulleshkat dhe prerë ato përsëgjati.
    Hiqni pjesën e brendëshme të tulit të tyre në mënyrë që të krijoni vend për mbushjen dhe ruajeni për një moment të dytë.
    Vendosni një tigan të thellë në zjarr me pak vaj ulliri dhe kur të shikoni që vaj është i nxehtë, hidhni edhe kungulleshka që të skuqen.
    Kur kungulleshkat  të kenë marrë ngjyrë, hiqini nga tigani dhe në të hidhni qepën e grirë.
    Shtoni gjithashtu specin, pak kripë, tulin e kungujve që ruajtët më parë dhe domaten e prerë në kubikë të vegjël, duke shtuar në fund edhe majdanozin.
    Kur perimet të jenë skuqur hiqini nga zjarri dhe vendosini në një enë të thellë.
    Aty shtoni djalin e thërrmuar dhe salcën e kosit dhe trazojini mirë.
    Ndërkohë zgjidhni një tavë dhe shtrojeni me letër pjekje në të vendosni kungulleshkat njëra pas tjetrit dhe mbushini me salcën që krijuat më lart.
    Kur i gjithi ky proçes të ketë mbaruar futini në furrë dhe piqini për 20 – 25 minuta në temperaturë 180 gradë.
    Pasi t’i nxirrni nga furra lërini të ftohen pak dhe mund ti shërbeni me pak piper të zi sipër sipas dëshirës./AgroWeb.org