Adriatik BALLA
Në kampionatin italian luan kontigjenti kryesor i futbollistëve të Kombëtares kuqezi. Por jo vetëm ata, pasi në Itali luan një kontigjent i rëndësishëm i lojtarëve të përfaqësueses së Kosovës, e ku padyshim diferencën e bën kapiteni i kombëtares kosovare, Amir Rrahmani. Lojtarët shqiptarë që luajnë në Serie A ose Serie B janë përshtatur mirë dhe kanë krijuar profilin e lojtarëve të suksesshëm me skuadrat e tyre. Kështu, Amir Rrahmani është shtylla e mbrojtjes së Napolit dhe lojtar që vazhdimisht ka luajtur në edicionet e fundit.
Pavarësisht se a janë ndërruar trajnerët apo shokët e skuadrës, Rrahmani ka qenë gjithmonë i pranishëm në qendrën e mbrojtjes. Qëkur u transferua në vitin 2020 te Napoli nga Hellas Verona, kapiteni i Kosovës zuri vendin në qendër dhe asnjëherë nuk e humbi atë. Ai është kthyer në lider në mbrojtjen që aktualisht është më e mira në Evropë. Napoli në edicionin aktual ka pranuar vetëm 25 gola në 33 ndeshje në Serie A dhe zë vendin e dytë me 71 pikë. Po kaq pikë ka edhe Interi në vendin e parë.
Statistikat e futbollistit
Më mirë se çdo gjë tjetër në lojën e futbollit flasin statistikat. Në 15 ndeshje me Rrahmanin në formacion, Napoli nuk ka pranuar asnjë gol. Rrahmani ka 3047 minuta lojë dhe është lojtari me minutazhin më të madhe nën drejtimin e trajnerit Antonio Konte. Tekniku italian që ka përvojë të madhe, e vlerëson lartë kapitenin e Kosovës, të cilin e sheh edhe si lider të mbrojtjes. 31-vjeçari Rrahmani, i gjatë 192 centimetra, nuk ka munguar në asnjë ndeshje në Serie A, por vetëm në Kupën e Italisë, ka shkruar “Corriere dello Sport” të premten. Rrahmani ka luajtur përkrah lojtarëve si Kalidu Kulibali, Kim Min-Jae, Juan Jesus e Alesandro Buonxhiorno dhe tani luan me Rafa Mirin.
Elozhet në shtypin italian
Mbrojtësi modern shqiptar, i lindur në Kosovë, Amir Rrahmani, siç përshkruhet nga mediumi i njohur italian, e ka të kombinuar aspektin fizik dhe atë të shpejtësisë. Ai shpesh di edhe se kur duhet t’i thyejë linjat duke e kuptuar lojën e kundërshtarit dhe kur të kthehet prapa për të mos lënë zbrazëti në mbrojtje. “Ai është solid edhe në duelet ajrore, ka teknikë të mirë dhe vizion të mirë për lojën. Pasimet vertikale janë shpeshherë edhe armë për manovrat e Napolit në fazën ofensive”, ka shkruar “Corriere dello Sport”, duke e përmendur asistimin për Romelu Lukakun në duelin kundër Empolit. Kapiteni i “Dardanëve” ka qenë stabil me paraqitje edhe në ndeshjet që i ka luajtur me Kosovën, qëkur debutoi në shtator të vitit 2016.
Ai i ka 60 paraqitje me Kosovën dhe shtatë gola të shënuar me fanellën e përfaqësueses së Kosovës. Gol ka shënuar edhe për Napolin në edicionin aktual, njësoj siç ka bërë edhe më parë, ndërsa ka kontribuuar edhe me asistime. Golin e fitores 2:1 e shënoi në udhëtim te Xhenoa, ndërsa ka asistuar në fitoren si mysafir 3:0 ndaj Bolonjës dhe në barazimin 1:1 me Interin në stadiumin “Diego Armando Maradona”. Rrahmani po shkruan kështu faqe suksesi me Napolin në Itali dhe është nga mbrojtësit më të mirë në qarkullim në Europë.
Amir Rrahmani një nga mbrojtësit më të vlerësuar në Itali dhe në top-ligat europiane
