Pasiguria e “yjeve” që marrin pasaportë shqiptare dhe rasti i skiatores Lara Kolturi

Adriatik BALLA
Kërkesa e skiatores Lara Kolturi për t’u tërhequr nga Shqipëria dhe për të përfaqësuar vendin e saj të lindjes, Italinë, edhe pse kishte marrëveshje paraprake me federatën shqiptare të skive dhe Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, dushkon se të gjithë sportistët e huaj që kanë marrë pasaportë shqiptare, në çdo moment mund të largohen, menjëherë sapo interesat financiare të tyre dhe nevojat për të bërë karrierë individuale vihen në diskutim. Kjo dëshmon se sporti ynë duhet ta bazojë përfaqësimin ndërkombëtar jo tek “mercenarët”, por tek elementi vendas.
Thënë troç, populli me kohë ka përdorur shprehjen “s’mbahet shtëpia me miell hua”. E si duket kjo vlen dhe për sportistët e huaj që kanë marrë pasaportë shqiptare dhe garojnë për Shqipërinë. Kërkesën e largimit e bëri e para Lara Kolturi, por nesër mund ta bëjnë edhe mundësit medalistë olimpikë sapo Rusia të rikthehet në garat ndërkombëtare.
Situata me skiatoren Kolturi
Lara Kolturi është kryefjala e skive shqiptaro-italiane në këto ditë të fundit të mundësisë së ndryshimit të shtetit që ajo do të përfaqësojë në të ardhmen. Dëshira e saj, e shprehur pranë Federatës Shqiptare të Skive për të kaluar te Italia, ka ndezur atmosferën në shtetin fqinj, për të pasur një nga talentet më të mëdha botërore të skive alpine për femra, në vendin e saj të origjinës. Kjo mund të ndodhë në vitin më të rëndësishëm të këtij sporti, vitin e Olimpiadës Dimërore që zhvillohet në Milano-Kortina 2026. Presidenti i Federatës së Skive, Elvis Toçi, në një qëndrim që i dha “Top Channel”, tregon për “më tepër rreth situatës. “Lara Kolturi është një fëmijë i dy prindërve italianë, pra ajo është një italiane e natyralizuar shqiptare.
Të përfaqësosh vendin tënd, gjuhën tënde, në vitin e Olimpiadës që zhvillohet pikërisht në Itali dhe të jesh në vendin tënd, nuk shoh asgjë jonormale në këtë histori. Por një gjë është shumë normale: ne do të mbrojmë interesat tona, si komb dhe si federatë. Pavarësisht se Larën e krijuan prindërit e saj, pavarësisht se Lara është një prodhim Made in Italy, pa Shqipërinë, pa federatën tonë të skive, Lara Kolturi nuk do të ishte në këtë ‘pjacë’.” Me fjalë të tjera, Lara Kolturi nuk mund të largohet pa lejen e federatës sonë, përndryshe do t’i zërohen të gjitha pikët që ka grumbulluar deri më sot dhe do t’i duhet të qëndrojë pushim për një vit. Megjithatë, a janë financat ngërçi i kësaj situate? “Natyrisht, financat në një botë kapitaliste janë shumë të rëndësishme. Pa financa, as ne nuk do të detyronim një sportiste të qëndronte. Kemi marrë premtimin nga qeveria shqiptare, nga z. Edi Rama – na janë premtuar 300.000 euro. Po bëjmë një përpjekje të jashtëzakonshme që të gjejmë buxhetin për të pasur një kontratë serioze, për ta mbajtur Lara Kolturin.
Ne, si komb, nuk kemi qenë gati për të pasur një sportiste të këtij kalibri në gjirin tonë. Është shumë e rëndësishme me Larën, sepse Lara, duke qenë në top 10-shen e botës, mund të hapë vend për një tjetër sportiste femër. Shqipëria mund të bëjë surprizë nëse Lara Kolturi do të vazhdojë të qëndrojë me ne, sepse nga renditja shumë e mirë e Lara Kolturit, ne mund të kemi një ose dy bonuse”, tha ai.