Messi del hapur: Nuk kam ndërmend të tërhiqem, po mendoj të luaj edhe në Botërorin e ardhshëm

“Të mund të them se kam arritur gjithçka në futboll është vërtet diçka e çmuar. Siç them gjithmonë, kam pasur fatin të fitoj gjithçka në nivel klubesh me Barcelonën dhe më pas edhe me kombëtaren”, deklaron Lionel Messi.
Më tej, sulmuesi argjentinas shtoi: “Trofetë janë diçka që mendoj se do ta vlerësoj më shumë me kalimin e kohës. Prandaj them gjithmonë se i jam shumë mirënjohës atij, për gjithçka që më ka dhënë. Po, Zoti më ka dhënë”.
Messi pranoi se ëndrra e tij pas fitimit të Kupës së Botës ishte të kthehej në Barcelonë, por rikthimi i tij nuk u realizua kurrë: “Pas Kupës së Botës, nuk e pashë veten duke luajtur për ndonjë ekip tjetër evropian përveç Barcelonës”.
“Qëllimi im ishte të kthehesha në shtëpinë time, aty ku filloi gjithçka. Por fatkeqësisht nuk ishte e mundur”, tha Messi, që më pas shkoi në Amerikë. “Vendimi për të ardhur këtu ishte thjesht një vendim familjar. Ne erdhëm në Majemi, për të jetuar këtë përvojë të re“, rrëfeu ai.
Messi, i cili në qershor do të mbushë 38 vjeç, është ende i uritur sa ishte në ditën e tij të parë: “Nuk kam asnjë dyshim që do të vazhdoj të luaj. Kjo natyrë nuk do të më braktisë kurrë, sepse është pjesë e imja. Kështu jam rritur. Më pëlqen të fitoj dhe të konkurroj“.
Argjentinasi, i cili ka një kontratë deri në fund të vitit 2025, përfundoi duke pranuar se hapi i tij i ardhshëm do të jetë i lidhur ngushtë me Botërorin 2026 në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada: “Ky vit do të jetë i rëndësishëm për vendimin tim në lidhje me Kupën e Botës. Do të gënjeja nëse do të thoja se nuk po mendoja për të.”